


Nga Ramazan Çeka/
Në qytetin turistik e mikpritës të Pukës, ku ajri mban aromën e pishave dhe zërin e artit që s’pushon kurrë, në Bar – Restorant “Oxhaku”, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve të rrethit të Pukës, në vijim të traditës së bukur në vazhdimësinë e vlerësimit të artistëve të artit ndër vite, u bë promovimi i Dokumentarit televiziv “Udha e një aktori”, kushtuar artistit të dashur pukjan Ramadan Kopani.
Kjo ceremoni, e ngjashme me një përqafim të madh artistik, u bë një rrëfim mirënjohjeje të thellë.
Një udhëtim me përkushtim dhe shpirt përmes kujtimeve, roleve dhe frymës që e deshi skenën si një shtëpi të dytë, duke ndriçuar horizontin e artit dhe kulturës shqiptare.
Fjala, muzika dhe kujtimi u bashkuan në një harmoni të këndshme, duke sjellë përpara publikut rrugëtimin e artit pukjan ndër vite.
Një festë që nderoi krijimtarinë, trashëgiminë dhe shpirtin e bukurisë që gjallon në këtë qytet të vogël me zemër të madhe.
Nga hapat e parë si valltar në Estradën e Pukës, deri tek rolet e shumta plot humor, ndjenjë e shpirt artistik, Ramadani ka lënë gjurmë të thella në çdo skenë ku është ngjitur. Për të, arti nuk ishte profesion, por përkushtim dhe dashuri, një jetë e jetuar mes duartrokitjesh, ndriçimesh e emocioni.
Dokumentari, i realizuar me mjeshtëri nga fotografi dhe operatori Nikolin Dedaj, përmes kujtimeve të aktorit, kolegëve dhe familjarëve, sjell një portret të ndjerë e njerëzor të Ramadanit, jo vetëm si aktor, por si njeri: i thjeshtë, i dashur, babai, miku dhe burimi i një buzëqeshjeje që frymëzon dhe mbetet e ndezur gjithmonë.
Pas shfaqjes së dokumentarit, çdo duartrokitje u kthye në një valë emocionesh, një festë gëzimi e mirënjohjeje, një sofër zemrash për aktorin që për 45 vjet i dhuroi publikut dritë, humor dhe dashuri.
Drejtuesi i këtij aktiviteti, regjisori i njohur Fran Vulaj, njëkohësisht edhe skenarist i dokumentarit, në fjalën e tij theksoi se kjo vepër është një nderim i merituar për një artist që i dha dritë kulturës pukjane dhe e bëri skenën të ndjejë frymëmarrjen e artit të tij.
E gjithë ceremonia u përshkua nga një mbresë arti, mirënjohjeje dhe frymëzimi, ku Puka edhe njëherë dëshmoi se mbetet djepi i shpirtit krijues shqiptar.
Në këtë ceremoni solemne morën pjesë edhe personalitete të njohura të artit, ndër ta “Mjeshtrit e Mëdhenj” Besnik Çinari dhe Dana Xhaj nga Teatri “Migjeni” i Shkodrës, të cilët me praninë dhe fjalët e tyre i dhanë ngrohtësi, respekt dhe nderim kolegut e mikut të tyre, Ramadan Kopani.
Momenti më prekës dhe më i bukur ishte interpretimi brilant i aktores së madhe Dana Xhaj, e cila ndezi skenën me emocion të thellë e të sinqertë, duke kthyer aktivitetin në një çast magjik ku arti foli drejtpërdrejt në zemrat e publikut dhe e mbushi sallën me duartrokitje të zjarrta.
Në mesin e të ftuarve të nderuar ishin edhe ish-drejtoresha e Pallatit të Kulturës, intelektualja Aleksandra Pasko, poeti i madh Gjovalin Dushaj, këngëtari i njohur Perlat Sheqeri, miq, familjarë dhe dashamirës të shumtë. Në çdo fjalë, në çdo kujtim, ndjehej një aromë mirënjohjeje dhe dashurie që mbulonte gjithë ambientin si një vello përkëdhelëse kujtimesh.
Pas përfundimit me sukses të aktivitetit madhështor kushtuar aktorit Ramadan Kopani, miqtë e ardhur nga Shkodra ndaluan për një vizitë tek Hani i “Mjeshtrit të Madh” Përparim Laçi, ku mikpritja e tij, e mbushur me fisnikëri, ngrohtësi e dashuri njerëzore, la përshtypjen e një zemre që ndriçon më shumë se bora e Pukës, një mikpritje ndër më të veçantat që mund të përjetosh, që rrallë e gjen diku tjetër.
Udhëtimi u përmbyll me një ndalesë në shtëpinë turistike të poetit Gjovalin Dushaj, ku bujaria dhe humori i tij sollën çaste të ngrohta miqësie, ndërsa buzëqeshja e sinqertë dhe fjala e urtë gërshetuan shpirtin e vërtetë të artit pukjan.
Takime të tilla janë dëshmi se arti dhe kultura në Pukë nuk jetojnë vetëm në skenë, por në zemrat e njerëzve që kanë derdhur shpirtin në to, në fjalën e tyre të urtë, në këngën, në buzëqeshjen, në përulësinë e vlerësimit.
Dhe në mesin e tyre, Ramadan Kopani mbetet një dritë që nuk shuhet, një aktor që i fali skenës jetën dhe publikut gëzimin e përjetshëm.
Tetor 2025