Artur Vrekaj, Massachusetts/
Për tre vjet rresht në trojet Shqiptare në Ballkan, shoqata “Kosova për Sanxhakun” e ka hapur ekspozitën në Tiranë, muzeu historik kombëtar dhe në Dajt; Shkodër, galeria Oda; Lushnjë, Ulqin, Lezhë, Koplik, Tuz, Tetovë, Prishtinë në muzeun kombëtar të Kosovës; Gjakovë, Vërmosh, Pejë, Istog, Prekaz, Tropojë, Gjilan.
Mijëra shqiptarë që e panë nga afër këtë ekspozitë fotografike mësuan më shumë se kush janë shqiptarët e Sanxhakut nën Serbi, për traditat e vjetra që ruajnë, për plisin si një element të Identitetit Shqiptar dhe rigjallërimin e tanishëm me dasmat tipike me këngë e valle Shqiptare.
Më shumë interes tregojnë njerëzit që gjejnë në këto foto stërgjyshërit, gjyshërit dhe të afërmit e tyre që dallohen për veshjen tradicionale kombëtare.
Projekti në fjalë u mbështet financiarisht nga shoqata kulturore shqiptaro-gjermane Sali Çekaj e drejtuar nga Osman Ferizi.
Materialet fotografike i shpjegojnë Ismet Azizi dhe Ali Daci studjuesa të mirëfilltë të Shqiptarëve të trevës së Sanxhakut dhe njëkohësisht drejtues të shoqatës. Ndër 300 fotografi u përzgjodhën 65 prej tyre që datojnë në shekullin e kaluar.
Është bërë një punë e palodhur fshat më fshat në Peshter dhe në qytetin e Pazarit të Ri për të mbledhur fotografi të vjetra dhe për të pasqyruar sa më mirë trashëgiminë kombëtare dhe kulturore të Shqiptarëve të Sanxhakut, Masbjeshkës që ende e flasin gjuhën Shqipe.
Ky bashkëpunim i mirëfilltë i shoqatës Kosova për Sanxhakun me shqiptarët e mërgatës dhe insitucionet e pushtetit lokal në trojet shqiptare është një risi e bukur për veprimtaritë atdhetare gjithëpërfshirëse në terren. Rrugëtimi për hapërimin kombëtar të Shqiptarëve të Sanxhakut vazhdon.