Nga Elida Buçpapaj/
Kemi mbi dy dekada që e shohim Rudina Xhungën në rolin e trushplarëses. Vetëm kështu i ka siguruar vetes vendin e punës, lluksin duke shijuar qejfin, jetēn, familjen dhe bukuritë e vendit të shqipeve.
Rudina Xhungës nuk i ka shkuar kurrë mendja që ta braktisë Atdheun! Rudina Xhunga është patriote! Lum partia dhe populli që e ka dhe e mba!
Në mbi çerek shekulli karierë, dy herë është ndjerë e kërcēnuar. Sikur tregon me gojën e saj, kur intervistoi Fatos Klosin dhe u ngrys në spital nga frika dhe kur e kërcënoi një sipërmarrës dy-tri javë më parë. Gjithë mediat e mbështetën kur u ndje e kërcënuar nga biznesmeni kriminel, përfshi edhe portali ku autorja e ketyre rradhëve është bashkëeditore.
Pjesën tjetër të karierës Rudina e ka kaluar mbështetur mbi shpatullat e ngrohta. Të nënës politikë!
Vetëm kësisoj mundi të bënte karierën dominuar nga roli si trushplarëse dhe konformiste me pushtetin politik.
Dikund thotë e shkruan ndonë fjalë a kolumnë me vend, ndërsa kusuret i mbështjell me varakun e manipulimit! E ka nga halli që të mos i cënohet lluksi i jetës që e ka fituar si trushplarëse. Ose ngaqë nuk do të mbetet pa vend pune apo të braktisë Atdheun. 20% nga kariera e Rudina Xhungës është dinjitoze 80 % manipulative.
Po të kalojë në Veting, si gazetare Rudina Xhunga do të duhej të ndryshojë profesion. Gazetaria e përjashton manipulimin dhe mospavarësinë politike!
Si trushplarëse, mbi çerek shekulli Rudina Xhunga është vlerësuar nga politika, duke startuar si kryeredaktore e Zërit të Popullit dhe pastaj mbi 20 vjet me një emision të personalizuar. Tani posa e kanë dekoruar me drejtimin e një emisioni të ri dhe Rudina Xhungës i duhet të elaborojē metoda të reja trushplarje.
Trushplarësit meritojnë të refuzohen nga opinioni publik. Jo të mbeten si peshku pa ujë, se trushplarësit nuk janë peshq, janë monstra që e kthejnë opinionin në lejfen duke ua imponuar të gëlltisin, sikur pensionistët ilaçet e skaduar, idiotësitë më idiote të alibive që nuk i besojnë as fëmijët në kopësht.
Trushplarësit thonë: gomari fluturon, Edi Rama është hallvë, shteti i tij është kadaif, ndërsa kriminelët janë ufo që zbresin nga kozmosi dhe rrënojnë shtetin social, Policinë e Shtetit, Teatrin Kombëtar!
Në rastin më të fundit, Rudina Xhunga në unison perfekt me Edi Rama anatemon oficerin Emiljano Nuhu, që sipas saj braktisi vendin e punës. Sipas Edi Ramës dhe Rudina Xhungës mafia, krimi, krimineli, krimi i organizuar, dhunuesit e Xhiseilës janë Dritan Zagani dhe Emiljano Nuhu!
Nuk do të merresha me Rudina Xhungën, sikur kjo të mos i përkushtohet me mish e me shpirt manipulimit të krimit shtetëror kundër Xhisiela Malokut! Rudina Xhunga trushplan në mënyrë të përbindëshme kur thotë se “rasti i Xhisielës nuk është politik”, por social!
Rudina Xhunga i tjetërson dhe manipulon shkaktarët e katastrofës kombëtare. Ajo do të tërheqë opinionin publik me alibinë e saj diabolike, se sipas saj fajtor i poshtrimit të një jetimeje të shkretë nuk është Edi Rama, as Sajmir Tahiri, as Fatmir Xhafaj, as Taulant Balla, as kryepbashkiaku i Kavajës, as kryebashkiaku i Krujës, as deputeti i Krujës dhe klani i tij që kërcënuan me pistoletë oficerin e policisë të shtetit, por shoqëria që i prodhon apo që nuk i lufton kriminelët. Rudina Xhunga i thotë të zezës të bardhë kur opinioni e di shumë mirë se krimi ka lidhje me politikën dhe se është politika ajo që nuk lejon ndëshkimin e krimit sepse është unisuar me krimin!
Po ndalem tek Xhisiela Maloku, për të demonstruar inkriminimin e shtetit në apoteozë.
Vajza u përdhunua dhe u dhunua nga djali i deputetit të PS; deputeti i PS me klanin e tij në praninë e kryetarit të grupit parlamentar të PS, kryetarit të bashkisë të Krujës kërcënojnë me pistoletë në kokë oficerin Nuhu, i cili, kur sheh se shtetin e ka kundër, largohet nga vendi dhe, kur oficeri e denoncon krimin nga ku është, kundër Emiljano Nuhut përfshihet direkt kryeministri që i betohet dhe e kërcënon se do ta ndjekin si horr këmba këmbës, ndërkohë që Xhisielën e shëtisin në mënyrën më poshtruese nga televizioni në televizion që ajo të përsërisë se nuk është dhunuar kurrë nga djali i deputetit dhe se e ka krijuar gjithçka vetë, e ka shpifur vetë, duke rrezikuar burgosjen për dëshmi të rremë, ndërsa ti Rudina Xhunga edhe pas kësaj maskarade kriminale insiston se Emiljano Nuhu ka braktisur vendin e punës për të fituar azil, ndërsa krimi ndaj Xhiseildës nuk ka të bëjë as me politikën dhe as me shtetin!
Kësisoj nuk bën gjë tjetër, veç i bën autoportretin vetes, si trushplarëse, natyrisht si trushplarëse e politikës!
——
PS Më poshtë po sjellim opinionin e Rudina Xhungës ku fokusohet tek oficeri Emiljano Nuhu që sipas saj braktisi vendin e punës dhe se sipas saj rasti Xhiseila nuk është çështje politike
Lufta ka nisur. Ti me kë je? –
Nga Rudina Xhunga
Dje isha e ftuar në një emision televiziv të ‘News 24’, drejtuar nga Ylli Rakipi dhe u ndjeva si peshku pa ujë.
Drejtuesi më sqaroi disa herë se bëhej fjalë për një çështje politike dhe si e tillë duhej trajtuar.
Unë refuzoj ta shoh si çështje politike rastin “Xhisiela”.
Po ta trajtosh si të tillë, i bie të thirren në zgjidhje vetëm Rama-Basha, ta diskutojnë analistët në studio dhe ta arkivojmë sapo nis çështja “Vrasja te Blloku”. Këto nuk janë çështje politike. Janë çështje kombëtare.
Çështjen ‘Xhisiela’ nuk e zgjidh dot vetëm dëshmia e Nuhut, se ai e braktisi punën dhe vendin.
Këtë nuk mund ta zgjidhin, as vetëm gazetarët e kronikës, as analistët, as moderatorët, as portalet, as gjykatat, aq më pak publiku që bombardohet me informacion që e mpin dhe demotivon. Mbrëmë mendova pikërisht për publikun, gjatë emisionit. Unë isha e ftuar dhe u ndjeva e përjashtuar nga fraza: kjo është politikë. Po publiku si ndihet, po t’i thuash këtë?
Sigurisht i mënjanuar, i paftuar në zgjidhje, se po është politike, e dinë “ata”.
Por jo, nuk është politike, është kombëtare.
Përplasja me krimin, pushtetin e më të fortit, që po iu tek, të përdhunon, të vret dhe ia hedh, është çështje kombëtare. Kjo nuk është më, as vetëm çështje e policisë dhe prokurorisë. Polici e prokurori është njeri si unë e ti. Ka frikë se është i dobët në një shtet, ku ligjin e bën i forti. I forti paguan politikën, grupet e armatosura dhe medien.
Dhe forcohet gjithmonë e më shumë. I dobëti, më e pakta ul kokën, të mbushë lotarinë amerikane.
Dhe kështu po zbrazemi.
Ndaj çështjet e të fortëve e qyteteve, lagjeve e shtëpive tona, nuk janë me çështje politike, janë çështje kombëtare. Është e kotë të fshihemi pas gishtit, në debate që orientojnë politikisht dhe politikanë me alibira tabulatesh. Është më shumë se kaq, është më thjesht se kaq. Është vetëm një pyetje, që duhet t’i bëjmë vetes: Do të lejojmë të na përzënë nga ky vend?
Nëse jo, nëse nuk kemi atdhe tjetër, e kemi detyrim të mos lejojmë të na thonë, kjo është politikë.
Joooo, krimi është çështje kombëtare.
E ushqen nënshtrimi ynë, ndaj atyre që bëjnë drogë, prostitucion, krim dhe korrupsion.
Na duken të zotë, ulim kokën dhe bëjmë sikur nuk e kanë me ne.
Po nëse Nikla është larg, dje erdhi në Bllok, nesër të vjen në shtëpi. Është çasti që nuk ka kthim pas.
Tani nuk ka qytetar, biznesmen, punonjës administrate, gazetar, prind që mund t’i lejojë vetes luksin të mos bëhet palë.
Përballë janë dy mentalitete, dy mënyra jetese, dy lloj njerëzish. Ata nuk janë pushtet e opozitë, por të punës dhe të punëve të pista.
Dhe pyetja që duhet t’i bëjmë Ramës dhe Bashës, tani është: Ju me kë jeni? Ne nuk e kemi shansin të mos bëjmë pyetje, se palët tani janë përballë. Nuk është Rama dhe përballë Basha, Xhafaj dhe përballë Noka.
Janë ata, që punojnë dhe ata që prostituojnë, janë ata që presin rrogën dhe ata që s’u duhet rroga, janë ata që heshtin dhe ata që vrasin, janë ata që zhvillojnë biznese dhe ata që u vënë gjoba bizneseve, janë ata që besojnë në ndershmëri dhe ndjeshmëri, dhe ata që tallen me këto e të këpusin kokën, po u preve rrugën, sikur edhe rastësisht.
Gjithmonë ata që bëhen me të keqen, bërtasin më shumë, ndaj duken pak ata që rreshtohen me të moralshmen.
Tani është momenti të numërohemi.
Ndaj ngrije dorën! Ti me kë je? Sepse lufta ka nisur. Dhe nuk është lufta PS-PD. Është lufta e krimit me shoqërinë.