Rugova u shndërrua nga prijësi kulturor, në prijës politik nacional/
Të nderuara medie, gjeni të bashkangjitura fjalimet e kryetarit të LDK-së, Akademik Isa Mustafa dhe anëtarit të kryesisë, bashkëpunëtorit të ngushtë të Presidentit Rugova Akademik Sabri Hamiti, me rastin e 13 vjetorit të ndarjes nga jeta të Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.Prishtinë, 21 janar 2019
Fjalimi i Kryetarit të LDK-së Akademik Isa Mustafa
E nderuara familje Rugova,
Të nderuar familjarë të veprimtarëve të LDK-së që nuk janë në mesin tonë, të heronjve e dëshmorëve të luftës së UÇK-së,
Të nderuar anëtarë të Kuvendit të LDK-së, të Këshillit të Përgjithshëm, të Kryesisë, deputetë, kryetarë të komunave, anëtarë të Forumit të Gruas, të Forumit të Rinisë, kryetarë të degëve, veprimtarë dhe simpatizantë të LDK-së,
Të nderuar përfaqësues të Korit diplomatik të akredituar në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shkencore, arsimore e kulturore,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Zonja dhe zotërinj,
Trembëdhjetë vite më parë, Kosova në mënyrë madhështore ia dha lamtumirën e fundit Presidentit të vet, për ta pohuar edhe një herë besimin për Prijësin Ibrahim Rugova, njeriun më të urtë dhe më konsistent që ka pasur ndonjëherë skena politike dhe institucionale e vendit.
Në janarin e ftohtë të vitit 2006, Presidenti Rugova na la kur na duhej shumë për ta kurorëzuar procesin historik të pavarësisë së Kosovës. Por nuk na la vetëm. Mbetëm me veprën e tij të madhe, gurëthemelin e shtetit të pavarur; me lirinë e fituar e me shumë miq të pavarësisë, me filozofinë e tij të humanizmit, paqes e tolerancës..
Gjatë dy javëve të ceremonisë së përmortshme të ditëve të zisë kombëtare, qytetarët tanë treguan nderimin dhe dashurinë e pashembullt për prijësin e madh të tyre, Presidentin Rugova, duke vërshuar si një lum i pandalshëm për tu përshëndetur me te për herë të fundit.Presidenti Ibrahim Rugova ishte Prijësi me të cilin lidhet një epokë – Epoka e Pavarësisë.Si doktor i fushës së letërsisë dhe anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Rugova i dhuroi Kosovës një krijimtari të çmuar letrare që nga fillimi i viteve të gjashtëdhjeta të shekullit njëzet.
Filozofia e tij politike dhe krijuese u vlerësuan lartë me shumë çmime e tituj ndërkombëtarë. Iu nda çmimi Saharov i Parlamentit Evropian, Iu dhanë çmimet për paqe nga institucione dhe fondacione në Danimarkë, Gjermani e Spanjë; u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit, Sorbonë dhe Universitetit të Tiranës; u nderua “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës” nga Komonwelthi i Pensilvanisë dhe mori shumë mirënjohje dhe nderime të tjera.
Të dashur pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,
Zonja dhe zotërinj,
Rugova lindi dhe mbeti njeri i këtij vendi, i popullit shqiptar dhe i dheut të Kosovës. Por filozofia e tij politike dhe veprimtaria krijuese kapërceu pashmangshëm kufijtë e Ballkanit dhe u bë e pranuar dhe e admiruar nga civilizimi evropian dhe ai botëror.
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, Komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan babanë, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, luftëtarë të njohur kundër çetave çetnike.
Ibrahim Rugova diplomoi në Fakultetin Filozofik në Prishtinë – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi me studime në Paris. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996, u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.Veprimtarinë e vet shkencore, pothuajse për dy dekada, Rugova e zhvilloi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si hulumtues i letërsisë.
Dr. Ibrahim Rugova hyri në botën e politikës pasi kishte krijuar emër nderi në fushën e studimeve letrare te ne.Brezi i shkrimtarëve dhe studiuesve të kohës së Ibrahim Rugovës, shënoi fillimin e rrënimit të mendësisë soc-realiste jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën intelektuale shqiptare. Vlerësohet se ndikimi i mendimit kulturor, nacional e human të këtij brezi pati jehonë të jashtëzakonshme, duke u shtrirë shpejt edhe në sferën e mendimit politik. Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij punuan për idenë e pavarësisë së Kosovës, rreth së cilës pastaj u bashkua mbarë populli i Kosovës.
Të nderuar pjesëmarrës,
Bindshëm, Rugova u shndërrua nga prijësi kulturor, në prijës politik nacional. Më 23 dhjetor 1989, ditën kur u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, ai u zgjodh njëzëri Kryetar i LDK-së.Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë, si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja institucionalizuan pavarësinë e Kosovës. Pasoi Deklarata e Pavarësisë (2 Korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut (7 shtator 1990), Referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës (shtator 1991); zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës (24 maj 1992).
Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh President i Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Poashtu, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000, në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK-ja fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004.
Zonja dhe zotërinj,
Rugova ishte i kalitur me vullnet njerëzor. Si njohës i shquar i kulturës shqiptare, i ndjente dhe i kuptonte më së miri aspiratat, qëllimet sikurse edhe vuajtjet e njerëzve të tij, si në Kosovë ashtu edhe në trojet etnike shqiptare.Më ka rënë të bisedoj gjatë e të këmbej mendime me Presidentin Rugova, gjatë udhëtimeve të tij jashtë Kosovës, në Gjermani, në Zvicër, në Belgjikë, në SHBA, sa isha ministër i qeverisë në ekzil për nëntë vite dhe më vonë pasi u ktheva në Kosovë.Ai fliste me admirim për qëndresën e qytetarëve në Kosovë, për shpirtin e tyre ndërmarrës, për studentët dhe rininë që ka Kosova. Fliste për ndërtimet dhe gjallërimin, për arsimtarët që punonin në shkolla-shtëpi private, për mjekët e organizuar në Shoqatën Nënë Tereza, për solidaritetin e pashembullt që po e mbante gjallë Kosovën që ai drejtonte si President. Preokupohej me bashkëpunimin ndërshqiptar. Ishte përherë i mbushur me besim dhe shpresë se do ia dalim ne krye.Në xhep mbante një kristal të Trepçës të mbështjellë në një letër të thjeshtë për t’ia dhënë Presidentit të SHBA-ve, Klinton, si shenjë të Kosovës. Me qetësinë dhe urtësinë e tij thoshte: në këtë vend i kemi mbjell shpresat tona, kam besimin e plotë se Amerika do të na përkrahë dhe do të ndihmojë ta bëjmë shtetin tonë, dhe vetëm këta mund ta bëjnë. Ndodhi, ashtu siç e predikonte Rugova.
Zonja dhe zotërinj,
Lidhja Demokratike e Kosovës sot, po punon me përkushtim të veçantë për të realizuar prioritetet e saj, të cilat me vizionin dhe largpamësinë e tij mbresëlënëse i kishte parashikuar dhe promovuar Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova.LDK i mbetet besnike fuqizimit të partneritetit dhe miqësisë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore.
LDK do të angazhohet me vendosmëri dhe konsistencë të ndjek rrugën integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike, që është alternativa e vetme perspektive për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, e formuluar si e tillë nga vet Presidenti Rugova.Ne vazhdojmë të jemi besnik të paqes, mirëkuptimit, dialogut konstruktiv si mjet për zgjidhjen e problemeve brenda dhe jashtë vendit, por edhe të vendosur të ruajmë shtetësinë tonë. Ta ruajmë Kosovën në kufijtë në të cilët e ka shpallur pavarësinë, ta forcojmë identitetin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit të Kosovës.
Ashtu siç preferonte Rugova, edhe përkundër dallimeve të natyrshme ardhmërinë mund ta pushtojmë nëse jemi bashkë, sepse shumë më shumë kemi gjëra që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë, se demokracia është arenë në të cilën ne konkurrojmë me vlerat tona por edhe bashkëpunojmë për vlera të përbashkëta në interes të vendit.Për këtë përvjetor, Fondacioni Ibrahim Rugova, me një përkushtim të madh të shkrimtarit Munish Hyseni dhe Akademik Kujtim Shala, ka përgatitur botimin “Kështu foli Rugova” me intervistat e Rugovës nga 1990 deri më 2 janar 2005, në 683 faqe.Presidenti Rugova krijoi platformën politike për Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës, anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Presidenti Rugova punoi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Ai i krijoi Kosovës shumë miq anekënd botës.Presidenti Rugova i krijoi shenjat e identitetit nacional e shtetëror të Kosovës, flamurin e Dardanisë dhe Himnin “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”.Dimensioni intelektual i tij, humanizmi dhe urtësia e rrallë që e karakterizonte atë, e shndërruan Ibrahim Rugovën jo vetëm në prijës historik politik, por edhe në prijës shpirtëror të popullit të Kosovës.LDK, sikurse edhe e gjithë Kosova, sot kujton me mburrje Presidentin e saj Historik, dr. Ibrahim Rugova.
Zoti e bekoftë Presidentin Ibrahim Rugova!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!
***
- Fjalimi i Akademik Sabri Hamitit cIBRAHIM RUGOVA KRIJUES
1.Po rikujtojmë sot dy decenie të krijimtarisë letrare e të formimit intelektual të Ibrahim Rugovës (1967-1987), për të kuptuar formatin kulturor e nacional të njeriut që për dy deceniet në vazhdim (1987/8 – 2006) u bë prijësi politik i Kosovës.
2- Leonardo Da Vinçi, piktor dhe shpikës gjenial, në fund është trembur nga madhështia e natyrës, qoftë me veprën e vet të kulturës. Mbasi ka krijuar pikturat e famshme, “Mona Liza” e “Darka e fundit”, në fund të jetës ka bërë “Autoportretin”. Çështja është ballafaqimi i fortë natyrë/kulturë. E para mban misterin e krijuesit suprem. E dyta mban drithërimën e krijuesit njeri, i cili padashur bie në mëkatin e ëndrrës të rivalizimit me krijuesin suprem. Është ëndrra e fëmijës që nuk ka fund, për t’u bërë Krijues (ai që shpik). Kurse, e matur me jetën e njeriut, mbërrin vetëm të bëhet Autor (ai që shton).
3.
Tani jemi në fushën e kulturës dhe Ibrahim Rugova shkrimin e librin i kishte dhe i bëri kult në rini. Këtë e pa empirikisht në Shkollën Normale në Pejë, duke mësuar që ka një mospajtim ndërmjet shkollës (dijes) e krijimit. Pikërisht atëherë kur Mësuesi nuk ia pranoi Krijimin, duke e parë tepër të përkryer për një Nxënës, duke e rezervuar përkryerjen për Krijuesin.
4.
Këtë mister Ibrahim Rugova u nis ta zgjidhë pas ardhjes në Prishtinë në studimet letrare, më 1967; e sidomos kur u bë Autor mbas vitit 1968, së pari te revista “Fjala” me esetë “Zenite letrare”, ku në veprën letrare kërkonte ta gjente Autorin, duke bërë të kundërtën e zotërimit të mendimit të atëhershëm. Ese që u botuan në librin “Prekje lirike” në vitin 1971. Në rrethin kulturor letrar të brezit të 68-tës në Universitet, kjo u bë vepër në shkrime, botime e bisedime për krijimin në rrethin më të ngushtë, ku ishin Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Beqir Musliu, Teki Dervishi, unë, që po dëshmoj, e të tjerë. Krijuesit e rrethit i botonin punimet te gazeta “Bota e re”, te revista “Dituria” dhe librat te ky botues. Artikulimet e tyre letrare me synim rimarrjen e trashëgimisë shqipe në komunikim me modernitetin evropian, u dukën si alternativë letrare e rrafshit të përparshëm të etabluar. Kulti i ri letrar u bë libri, dalja e të cilit quhej festë, e përcjellë me diskutime. Në këtë komunikim letrar dhe kulturor, Ibrahim Rugova u shqua si lexuesi i parë publik i botimeve të reja.
5.
Ibrahim Rugova hyri në Institutin Albanologjik më 1972, për t’u ngritur deri në nivelin e titullit të Këshilltarit Shkencor. Tashmë me staturën e Autorit e të autoritetit letrar, Ibrahim Rugova ngjitej shkallëve të ekselencës. Në një anë, duke gjurmuar letërsinë klasike shqiptare për të rimarrë trashëgiminë. Në anën tjetër, duke lexuar e vlerësuar letërsinë bashkëkohore. Në thelb, duke thelluar njohjen e aktit krijues, studimin e formave letrare, për të kurorëzuar teorinë e kritikës e të letërsisë, duke u ballafaquar me metodat moderne evropiane. Për ta parë identitaren shqiptare në vallen e universalieve të letërsive të tjera bashkëkohore. Risi, shumësi metodash, pa fetishizime, nënvizonte atëherë Rugova. Pamja e kritikut u shfaq: si bibliograf, si interpretator, si teorik, madje si kronikan në vështrimin e “Kohëtores” të Faik Konicës. Po edhe duke u matur me metoda kërkuese e disiplina bashkëkohore, si strukturalizmi e semiologjia.
6.
Ibrahim Rugova më 1977 shkoi për qëllim studimi në Paris, në Collège de France, ku takoi Rolan Bartin profesor, duke qenë vetë “élève libre” [nxënës i lirë]. Në parantezë: Collège de France është institucion akademik krejt i veçantë ku nuk ka studentë të rregullt; nuk ka regjistrim, mësimi është falas, institucioni nuk lëshon asfarë diplome, prania në kurse është e lirë, mund të hyjë gjithkush. Këto nuk janë aspak kurse të vulgarizimit, por të ekselencës; profesorët duhet të paraqesin kërkimet e tyre në rrjedhë (“në çastin e të bërit”). Ata flasin çka duan, pasi nuk ka detyrime as diplomë, por kjo duhet të jetë përherë e re. Nuk ka të drejtë asnjëherë të përsëritet kursi.
Pra, Rugova nuk shkoi në Francë për të bërë një diplomë, e as që mori diplomë. Mirëpo, aty gjeti një parajsë diturie, ku shpirti hapet i lirë për të shfaqur të gjitha kapacitetet e të vërejturit dhe të filozofimit. Ky duhet të ketë qenë viti më frytdhënës në botën e tij intelektuale, kur e poq ndërgjegjen fundamentale: për mendimin e lirë dhe njeriun e lirë.
7.
Me t’u kthyer në Prishtinë Ibrahim Rugova iu kthye studimit të veprës së Pjetër Bogdanit, “Cuneus Prophetarum”, studim të cilin e kurorëzoi për tri vite dhe e botoi me titullin “Vepra e Bogdanit: 1675-1685” në vitin 1982. Aty Rugova shpaloi e dëshmoi diturinë sistematike e pasionin letrar, duke zbuluar vlerat fundamentale të letërsisë filobiblike shqiptare, të lakuara në fushat e semiologjisë, të mitologjisë e të humanistikës. Libri u çmua me Shpërblimin e Dhjetorit për letërsi.
8.
Ibrahim Rugova e mbrojti tezën e doktoraturës me temë “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare: 1504-1983” në Prishtinë më 1984. Libri u botua dy vite më vonë. Është kjo një histori e padeklaruar e kësaj forme letrare në letërsinë nacionale. Në vitin 1987 botoi veprën “Refuzimi estetik”, që është libri i fundit i botimeve të tij letrare. Ai aty ngrente procedurën e kontestimit të diktaturës e të totalitarizmit, duke mbrojtur në të njëjtën kohë natyrën e letërsisë. Sepse ushtrimi i lirisë deri në fitoren kolektive kërkon forma të tjera të kontestimit, të gjuhës në veprim e të aktantit dhe të autoritetit. Shkurt: nga “Refuzimi estetik” kalohet në “refuzim politik” të shqiptarëve ndaj dhunës.
9.
Në gjashtë libra shfaqet profili kritik i Ibrahim Rugovës: leximi krijues te vepra “Prekje lirike” (1971), specifika e qenësia letrare te vepra “Kah teoria “ (1978), kritika e vlerësimi i poezisë te libri “Strategjia e kuptimit” (1980), filozofia e semantika letrare te “Vepra e Bogdanit” (1982), sistematizimi i kritikës shqipe te vepra “Kahe e premisa të kritikës letrare shqipe: 1504-1983” (1986), raporti i intelektualit me pushtetin te libri “Refuzimi estetik” (1987).
10.-Askush nuk shkruan pasthënie të veprave të veta. Edhe Rugova e shkroi tekstin e fundit (“Xhojsi, shqipja, Aristoteli”) si parathënie për kërkimet e veta të mundshme teorike-filozofike-letrare, që nisin nga Antikiteti. Imagjinonte se do të vijonte të kërkonte Krijuesin te vetja, por ylli i tij i tha ndryshe: do të bëhesh Krijues në një fushë tjetër, të lirisë së njeriut, të lirisë së vendit. Më 1988 Rugova u bë kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, duke ia falur zemrën dhe shpirtin artikulimit të vullnetit të popullit të vet. Më 1989 krijoi formacionin politik, demokratik e pavarësist të Kosovës (LDK), dhe u bë prijës shpirtëror dhe politik i Kosovës deri sa ndërroi jetë.