• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LDK Oponencë Edi Rames: Njohja e Kosovës para bashkëpunimit pa kufij!

July 30, 2021 by s p

PRISHTINË, 30 Korrik 2021-Gazeta DIELLI/ Lidhja Demokratike e Kosovës dërgoi sot këtë deklaratë per Gazeten DIELLI/

Qëndrimi i kryetarit Abdixhiku dhe LDK-së mbi ‘Open Balkan’  

 “Integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim vetëm atëherë kur paraprihet nga një njohje politike – secili ndaj secilit. Serbia nuk e njeh Kosovën. Prandaj kufijtë marrin edhe më shumë kuptim. Ato bëhen vetvetiu më të fortë. Prandaj dhe si heqim dot as si ‘Mini Schengen’ e as si ‘Open Balkan’.

Njohja para bashkëpunimit pa kufij!  

Ky është qëndrimi im dhe i LDK-së.  

 ‘Open Balkan’ para se të jetë projekt ekonomik është megjithatë projekt politik. Përfitimet ekonomike, bëhen të parëndësishme përballë mohimit politik serb – dhe këtë duhet ta kuptojë secili i përfshirë, sidomos kolegët tanë në Shqipëri.  

Qeveria e Kosovës duhet të flasë gjithsesi me Shqipërinë e Qeverinë shqiptare atje. Tensionimi i pakuptimtë i relacioneve tona – kryesisht për shkak të interferimeve të pamatura elektorale në këtë fillimvit nga Kryeministri ynë – ka bërë që për herë të parë në historinë 30-të e sa vjeçare, rrugët tona përballë Serbisë të jenë të ndara. Dhe kjo në vete është fatkeqësi. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një mendim e një qëndrim.  

Kosova duhet të jetë pjesë e bashkëpunimeve rajonale. Por vetëm si palë e barabartë – shtet sovran; e njohur nga të gjithë, njohëse e të gjithëve. Deri atëherë çdo nismë tjetër është e dëmshme për interesat nacionale tona dhe të shqiptarëve në rajon.”  

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdixhiku, LDK, Njohja e Kosoves

Isa Mustafa do të largohet nga drejtimi i LDK-së

February 15, 2021 by dgreca

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha të hënën se do të tërhiqet nga drejtimi i partisë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Kur janë numëruar mbi 99 për qind të votave të hedhura në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, lëvizja Vetëvendosje është fituese e thellë e tyre.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.88 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.36 për qind, Lidhja Demokratike me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.40 për qind.

Zoti Mustafa tha pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij se rezultati është shumë i keq për Lidhjen Demokratike.

“Vota e qytetarëve është ajo e cila respektohet dhe në shenjë të respektimit të kësaj vote dhe të hapjes së rrugëve mëtutjeshme për riorganizim të LDK-së, unë sot e kam njoftuar kryesinë se do ta thërras Kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së në një periudhë të shpejtë kohore. Me statut e kemi 60 ditë që ta bëjmë këtë, por do ta bëjmë shumë më shpejt në mënyrë që LDK-ja të ketë së shpejti kryetarin e ri. Në ndërkohë ne do të bëjmë të gjitha përgatitjet përmes kryesisë në mënyrë që ky proces të kryhet sa më me sukses. Unë vlerësoj se barti një përgjegjësi objektive si kryetar i LDK-së për këtë që na ka ndodhë pavarësisht se vet nuk kam qenë në proces të zgjedhjeve por dua ta ruaj të LDK-në, dua që LDK të forcohet dhe të rikthehet si forcë e rëndësishme politike sepse i nevojitet Kosovës dhe na nevojitet neve”, tha zoti Mustafa.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se në zgjedhjet e së dielës morën pjesë 47 për qind e 1 milion e 794 mijë votuesve rë regjistruar, një pjesëmarrje më e lartë sesa ajo në zgjedhjet e vitit 2019 kur votuan 44 për qind e votuesve të regjistruar.

Fitorja e lëvizjes Vetëvendosje është më e thella që ka shënuar ndonjë parti politike të tetë palë zgjedhje që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Mbështetës të kësaj lëvizjeje kremtuan mbrëmë pas publikimit të rezultateve të para me gjithë thirrjet e këtij subjekti që të mos kremtohet për shkak të motit të ligë dhe drojës nga pandemia Covid-19.

Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti dhe udhëheqësja e listës Guxo, Vjosa Osmani thanë mbrëmë se zgjedhjet e së dielës ishin një referendum.

“Nuk do të hakmerremi ndaj askujt por do të kërkojmë përgjegjësi ndaj secilit dhe kudo, pra drejtësi pa hakmarrje. Kjo fitore nuk është për mua dhe as për lëvizjen Vetëvendosje, kjo është fitorja juaj prandaj secili prej nesh duhet të marr përgjegjësinë që ta bëjmë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë ashtu siç i dashur për të gjithë”, tha zoti Kurti.

“Ky assesi nuk është një mandat për hakmarrje e po ashtu nuk është një mandate i kthimit prapa. Ky është kapitull i punëve që do të kryhen, është mandate kur ne nderojmë historinë tonë të përbashkët kur ne e garantojmë mirëqenien, e luftojmë me ngulm dhe pa kompromis korrupsionin, sigurojmë drejtësisë dhe punojmë me zell të madh për barazinë”, tha zonja Osmani.

Zoti Kurti tha ndërkaq se nuk do të jenë përparësi e punës së tij bisedimet me Serbinë.

“Nuk do ta kemi prioritet ne formimin e ekipit të dialogut me Serbinë, ju e dini shumë mirë që në të gjitha matjet e opinionit publik dialogu me Serbinë është herë në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë, neve na kanë zgjdhur këta qytetarë dhe ne u përgjigjemi atyre, prioritet e kemi drejtësinë dhe punësimin”, tha zoti Kurti.

Por këto bisedime bashkë më rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë së COVID-19 që çoi në rënie ekonomike dhe rritje të papunësisë, pritet të jenë ndër sidat e para të institucioneve të reja të Kosovës.

Procesi i formimit të institucioneve

Në pritje të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, debatet tash janë përqendruar në procesin e formimit të institucioneve të reja, posaçërisht zgjedhjen e presidentit të ri për çka kërkohen dy të tretat e votave të parlamentit 120 vendesh.

Por, si mund të rrjedhë ky proces?

“Faza tjetër tani është certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, pas kësaj normalisht vjen konstituimi i parlamentit që nënkupton emërimin e kryetarit të ri, pesë nënkryetarëve dhe betimin e deputetëve. Pas kësaj fillon faza për formimin e qeverisë së re, ku partia fituese, në këtë rast Vetëvendosje, duhet të dërgojë të nominuarin te presidenti, presidenti e dërgon pastaj te kryetari i parlamentit ku brenda 15 ditëve duhet që i nominuari t’a dërgojë për miratim kabinetin qeveritar”, thotë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Sipas Kushtetutës, deri në formimin e qeverisë së re, detyra e presidentit që aktualisht ushtrohet nga Vjosa Osmani, duhet t’i kalojë kryetarit të ri të parlamentit të Kosovës, thotë ai.

Në bazë të Kushtetutës duhet që deri me 6 prill të këtij viti parlamenti ta ketë emrin e presidentit të ri të Republikës, nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë do të shkeleshin afatet ligjore që të cilat përcaktojnë që së paku 30 ditë para datës së skadimit të, në këtë rast ushtruesit të detyrës së presidentit, të kemi presidentin e ri, vendi lehtësisht mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, thotë zoti Miftaraj.

Jehona Lushaku, profesoreshë e studimeve politike, i tha Zërit të Amerikës se pas formimit të qeverisë sfida do të jetë në sigurimin e shumicës parlamentare për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Normalisht që ky proces kërkon gatishmëri për kompromis edhe kërkon harmonizim të prioriteteve ndërmjet partive politike. Në këtë rast Vetëvendosje ka një përparësi të dukshme krahasuar me partitë e tjera për shkak se ka një shumicë të konsoliduar dhe i duhet një partner që jo domosdoshmërisht është i madh për nga numrat. Unë pres që Vetëvendosje të ketë këtë gatishmëri dhe në një të ardhme shumë të afërt të formohen institucionet e Kosovës”, tha zonja Lushaku.

Bashkimit Evropian tha të hënën se pret formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës dhe përfshirjen e saj në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.Analistët thonë se qeveria e re do të ndodhet përballë trysnisë për këtë çështje.

“Edhe pse Vetëvendosje, ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk është prioritet, kryeministri i ardhshëm do të jetë nën trysni për të formuar një platformë e cila do t’i përgjigjej dialogut me Serbinë dhe do të duhej që të jetë pjesëmarrës në dialogun i cili do të ndërmjetësohet nga Bashkimit Evropian, kjo për shkak se Bashkimi Evropian dëshiron të përmbyllë këtë çështje por është edhe jetike që secila qeveri që ka legjitimitetin nga qytetarët e Kosovës të jetë përgjegjëse dhe të marrë pjesë në këtë dialog”, tha zonja Lushaku.

“Ne duhet ta kemi një gjë të qartë, Kosova është një vend i vogël i cili varet nga mbështetja, ndihma dhe bashkërendimi me bashkësinë ndërkombëtare posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kosova nuk është shtet i cili mund ta orientojë politikën e jashtme në kundërshtimet me zotimin ndaj marrëveshjes për Stabilizim Asociim, apo zotimet për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë”, thotë zoti Miftaraj.

Qëndrimet e lëvizjes Vetëvendosje rreth bisedimeve kanë nxitur vazhdimisht debate rreth mundësisë së ndërlikimit të përpjekjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund procesit të zgjidhjes së problemeve ndërmjet dy vendeve që aspirojnë integrimet evropiane.(Kortezi: Leonat Shehu-VOA)

Filed Under: Analiza Tagged With: doreheqja, Isa Mustafa, LDK

I DËRGUARI I PRESIDENTIT AMERIKAN TAKON DELEGACIONIN E LDK

January 4, 2020 by dgreca

-Delegacioni i LDK-së i udhëhequr nga nënkryetari Veliu takon të Dërguarin e Posaçëm të Presidentit Trump, Ambasadorin Grenell/

PRISHTINË, 3 Janar 2020-Gazeta DIELLI/

I Dërguari i Posaçëm i Presidentit Trump, Ambasadori Richard Grenell, u takua sot në Berlin me delegacionin e LDK-së në përbërje të Agim Veliut, nënkryetar i LDK-së dhe Avdullah Hotit e Skender Hysenit, anëtarë të Kryesisë së LDK-së.

Njoftimi i dërguar nga LDK – Zyra për Informim thekson se, gjatë bisedës, Ambasadori Grenell inkurajoi delegacionin e LDK-së që të ruajë përkushtimin për rend dhe ligj dhe të marrë vendime të cilat e avancojnë dialogun me Serbinë.

Ambasadori Grenell, po ashtu, kërkoi nga delegacioni që të hiqet tarifa ndaj mallrave serbe dhe të përqendrohet në politikat që thellojnë zhvillimin ekonomik dhe krijojnë vende pune për popullin e Kosovës. Delegacioni i LDK-së e njoftoi Ambasadorin Grenell për përpjekjet që po bëhen për të arritur një marrëveshje për formimin e Qeverisë./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: LDK, taken LDK

Rugova u shndërrua nga prijësi kulturor, në prijës politik nacional

January 21, 2019 by dgreca

1 Presidenti Rugova portRugova u shndërrua nga prijësi kulturor, në prijës politik nacional/

Të nderuara medie, gjeni të bashkangjitura fjalimet e kryetarit të LDK-së, Akademik Isa Mustafa dhe anëtarit të kryesisë, bashkëpunëtorit të ngushtë të Presidentit Rugova Akademik Sabri Hamiti, me rastin e 13 vjetorit të ndarjes nga jeta të Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.1 Rugova 1Prishtinë, 21 janar 2019

Fjalimi i Kryetarit të LDK-së Akademik Isa Mustafa

E nderuara familje Rugova,

Të nderuar familjarë të veprimtarëve të LDK-së që nuk janë në mesin tonë, të heronjve e dëshmorëve të luftës së UÇK-së,

Të nderuar anëtarë të Kuvendit të LDK-së, të Këshillit  të Përgjithshëm, të Kryesisë, deputetë, kryetarë të komunave, anëtarë të Forumit të Gruas, të Forumit të Rinisë,  kryetarë të degëve, veprimtarë dhe simpatizantë të LDK-së,

Të nderuar përfaqësues të Korit diplomatik të akredituar në Kosovë,

Të nderuar përfaqësues të  institucioneve shkencore, arsimore e kulturore,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Zonja dhe zotërinj,

Trembëdhjetë vite më parë, Kosova në mënyrë madhështore ia dha lamtumirën e fundit Presidentit të vet, për ta pohuar edhe një herë besimin për Prijësin Ibrahim Rugova, njeriun më të urtë dhe më konsistent që ka pasur ndonjëherë skena politike dhe institucionale e vendit.

Në janarin e ftohtë të vitit 2006, Presidenti Rugova na la kur na duhej shumë për ta kurorëzuar procesin historik të pavarësisë së Kosovës. Por nuk na la vetëm. Mbetëm me veprën e tij të madhe, gurëthemelin e shtetit të pavarur; me lirinë e fituar  e me shumë miq të pavarësisë, me filozofinë e tij të humanizmit, paqes e tolerancës..

Gjatë dy javëve të ceremonisë së përmortshme të ditëve të zisë kombëtare, qytetarët tanë treguan nderimin dhe dashurinë e pashembullt për prijësin e madh të tyre, Presidentin Rugova, duke vërshuar si një lum i pandalshëm për tu përshëndetur me te për herë të fundit.Presidenti Ibrahim Rugova ishte Prijësi me të cilin lidhet një epokë – Epoka e Pavarësisë.Si doktor i fushës së letërsisë dhe anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Rugova i dhuroi Kosovës një krijimtari të çmuar letrare që nga fillimi i viteve të gjashtëdhjeta të shekullit njëzet.

Filozofia e tij politike dhe krijuese u vlerësuan lartë me shumë çmime e tituj ndërkombëtarë. Iu nda çmimi Saharov i Parlamentit Evropian, Iu dhanë çmimet për paqe nga institucione dhe fondacione në Danimarkë, Gjermani e Spanjë; u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit, Sorbonë dhe Universitetit të Tiranës; u nderua “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës” nga Komonwelthi i Pensilvanisë dhe mori shumë mirënjohje dhe nderime të tjera.

Të dashur pjesëmarrës të kësaj akademie përkujtimore,

Zonja dhe zotërinj,

Rugova lindi dhe mbeti njeri i këtij vendi, i popullit shqiptar dhe i dheut të Kosovës. Por filozofia e tij politike dhe veprimtaria krijuese kapërceu pashmangshëm kufijtë e Ballkanit dhe u bë e pranuar dhe e admiruar nga civilizimi evropian dhe ai botëror.

Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, Komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan babanë, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, luftëtarë të njohur kundër çetave çetnike.

Ibrahim Rugova diplomoi  në Fakultetin Filozofik në Prishtinë – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi me studime në Paris. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996, u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.Veprimtarinë e vet shkencore, pothuajse për dy dekada, Rugova e zhvilloi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, si hulumtues i letërsisë.

Dr. Ibrahim Rugova hyri në botën e politikës pasi kishte krijuar emër nderi në fushën e studimeve letrare te ne.Brezi i shkrimtarëve dhe studiuesve të kohës së Ibrahim Rugovës, shënoi fillimin e rrënimit të mendësisë soc-realiste jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën intelektuale shqiptare. Vlerësohet se ndikimi i mendimit kulturor, nacional e human të këtij brezi pati jehonë të jashtëzakonshme, duke u shtrirë shpejt edhe në sferën e mendimit politik. Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij punuan për idenë e pavarësisë së Kosovës, rreth së cilës pastaj u bashkua mbarë populli i Kosovës.

Të nderuar pjesëmarrës,

Bindshëm, Rugova u shndërrua nga prijësi kulturor, në prijës politik nacional. Më 23 dhjetor 1989, ditën kur u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës, ai u zgjodh njëzëri Kryetar i LDK-së.Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë, si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja institucionalizuan pavarësinë e Kosovës. Pasoi Deklarata e Pavarësisë (2 Korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut (7 shtator 1990), Referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës (shtator 1991); zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës (24 maj 1992).

Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh President i Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Poashtu, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000, në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK-ja fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

Zonja dhe zotërinj,

Rugova ishte i kalitur me vullnet njerëzor. Si njohës i shquar i kulturës shqiptare, i ndjente dhe i kuptonte më së miri aspiratat, qëllimet sikurse edhe  vuajtjet e njerëzve të tij, si në Kosovë ashtu edhe në trojet etnike shqiptare.Më ka rënë të bisedoj gjatë e të këmbej mendime me Presidentin Rugova, gjatë udhëtimeve të tij jashtë Kosovës, në Gjermani, në Zvicër, në Belgjikë, në SHBA, sa isha ministër i qeverisë në ekzil për nëntë vite dhe më vonë pasi u ktheva në Kosovë.Ai fliste me admirim për qëndresën e qytetarëve në Kosovë, për shpirtin e tyre ndërmarrës, për studentët dhe rininë që ka Kosova. Fliste për ndërtimet dhe gjallërimin, për arsimtarët që punonin në shkolla-shtëpi private, për mjekët e organizuar në Shoqatën Nënë Tereza, për solidaritetin e pashembullt që po e mbante gjallë Kosovën që ai drejtonte si President. Preokupohej  me bashkëpunimin ndërshqiptar. Ishte përherë i mbushur me besim dhe shpresë se do ia dalim ne krye.Në xhep mbante një kristal të Trepçës të mbështjellë në një letër të thjeshtë për t’ia dhënë Presidentit të SHBA-ve, Klinton, si shenjë të Kosovës. Me qetësinë dhe urtësinë e tij thoshte: në këtë vend i kemi mbjell shpresat tona, kam besimin e plotë se Amerika do të na përkrahë dhe do të  ndihmojë ta bëjmë shtetin tonë, dhe vetëm këta mund ta bëjnë. Ndodhi, ashtu siç e predikonte Rugova.

Zonja dhe zotërinj,

Lidhja Demokratike e Kosovës sot, po punon me përkushtim të veçantë për të realizuar prioritetet e saj, të cilat me vizionin dhe largpamësinë e tij mbresëlënëse i kishte parashikuar dhe promovuar Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova.LDK i mbetet besnike fuqizimit të partneritetit dhe miqësisë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera perëndimore.

LDK do të angazhohet me vendosmëri dhe konsistencë të ndjek rrugën integruese të Kosovës në strukturat euroatlantike, që është alternativa e vetme perspektive për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, e formuluar si e tillë nga vet Presidenti Rugova.Ne vazhdojmë të jemi besnik të paqes, mirëkuptimit, dialogut konstruktiv si mjet për zgjidhjen e problemeve brenda dhe jashtë vendit, por edhe të vendosur të ruajmë shtetësinë tonë. Ta ruajmë Kosovën në kufijtë në të cilët e ka shpallur pavarësinë, ta forcojmë identitetin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit të Kosovës.

Ashtu siç preferonte Rugova, edhe përkundër dallimeve të natyrshme ardhmërinë mund ta pushtojmë nëse jemi bashkë, sepse shumë më shumë kemi gjëra që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë, se demokracia është arenë në të cilën ne konkurrojmë me vlerat tona por edhe bashkëpunojmë për vlera të përbashkëta në interes të vendit.Për këtë përvjetor, Fondacioni Ibrahim Rugova, me një përkushtim të madh të shkrimtarit Munish Hyseni dhe Akademik Kujtim Shala, ka përgatitur botimin “Kështu foli Rugova” me intervistat e Rugovës nga 1990 deri më 2 janar 2005, në 683 faqe.Presidenti Rugova krijoi platformën politike për Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës, anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Presidenti Rugova punoi për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Ai i krijoi Kosovës shumë miq anekënd botës.Presidenti Rugova i krijoi shenjat e identitetit nacional e shtetëror të Kosovës, flamurin e Dardanisë dhe Himnin “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”.Dimensioni intelektual i tij, humanizmi dhe urtësia e rrallë që e karakterizonte atë, e shndërruan Ibrahim Rugovën jo vetëm në prijës historik politik, por edhe në prijës shpirtëror të popullit të Kosovës.LDK, sikurse edhe e gjithë Kosova, sot kujton me mburrje Presidentin e saj Historik, dr. Ibrahim Rugova.

Zoti e bekoftë Presidentin Ibrahim Rugova! 

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

***

  • Fjalimi i Akademik Sabri Hamitit cIBRAHIM RUGOVA KRIJUES

1.Po rikujtojmë sot dy decenie të krijimtarisë letrare e të formimit intelektual të Ibrahim Rugovës (1967-1987), për të kuptuar formatin kulturor e nacional të njeriut që për dy deceniet në vazhdim (1987/8 – 2006) u bë prijësi politik i Kosovës.

2- Leonardo Da Vinçi, piktor dhe shpikës gjenial, në fund është trembur nga madhështia e natyrës, qoftë me veprën e vet të kulturës. Mbasi ka krijuar pikturat e famshme, “Mona Liza” e “Darka e fundit”, në fund të jetës ka bërë “Auto­portretin”. Çështja është ballafaqimi i fortë natyrë/kulturë. E para mban misterin e krijuesit suprem. E dyta mban drithërimën e krijuesit njeri, i cili padashur bie në mëkatin e ëndrrës të rivalizimit me krijuesin suprem. Është ëndrra e fëmijës që nuk ka fund, për t’u bërë Krijues (ai që shpik). Kurse, e matur me jetën e njeriut, mbërrin vetëm të bëhet Autor (ai që shton).

3.

Tani jemi në fushën e kulturës dhe Ibrahim Rugova shkrimin e librin i kishte dhe i bëri kult në rini. Këtë e pa empirikisht në Shkollën Normale në Pejë, duke mësuar që ka një mospajtim ndërmjet shkollës (dijes) e krijimit. Pikërisht atëherë kur Mësuesi nuk ia pranoi Krijimin, duke e parë tepër të përkryer për një Nxënës, duke e rezervuar përkryerjen për Krijuesin.

4.

Këtë mister Ibrahim Rugova u nis ta zgjidhë pas ardhjes në Prishtinë në studimet letrare, më 1967; e sidomos kur u bë Autor mbas vitit 1968, së pari te revista “Fjala” me esetë “Zenite letrare”, ku në veprën letrare kërkonte ta gjente Autorin, duke bërë të kundërtën e zotërimit të mendimit të atëhershëm. Ese që u botuan në librin “Prekje lirike” në vitin 1971. Në rrethin kulturor letrar të brezit të 68-tës në Universitet, kjo u bë vepër në shkrime, botime e bisedime për krijimin në rrethin më të ngushtë, ku ishin Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Beqir Musliu, Teki Dervishi, unë, që po dëshmoj, e të tjerë. Krijuesit e rrethit i botonin punimet te gazeta “Bota e re”, te revista “Dituria” dhe librat te ky botues. Artikulimet e tyre letrare me synim rimarrjen e trashëgimisë shqipe në komunikim me modernitetin evropian, u dukën si alternativë letrare e rrafshit të përparshëm të etabluar. Kulti i ri letrar u bë libri, dalja e të cilit quhej festë, e përcjellë me diskutime. Në këtë komunikim letrar dhe kulturor, Ibrahim Rugova u shqua si lexuesi i parë publik i botimeve të reja.

5.

Ibrahim Rugova hyri në Institutin Albanologjik më 1972, për t’u ngritur deri në nivelin e titullit të Këshilltarit Shkencor. Tashmë me staturën e Autorit e të autoritetit letrar, Ibrahim Rugova ngjitej shkallëve të ekselencës. Në një anë, duke gjurmuar letërsinë klasike shqiptare për të rimarrë trashëgiminë. Në anën tjetër, duke lexuar e vlerësuar letërsinë bashkëkohore. Në thelb, duke thelluar njohjen e aktit krijues, studimin e formave letrare, për të kurorëzuar teorinë e kritikës e të letërsisë, duke u ballafaquar me metodat moderne evropiane. Për ta parë identitaren shqiptare në vallen e universalieve të letërsive të tjera bashkëkohore. Risi, shumësi metodash, pa fetishizime, nënvizonte atëherë Rugova. Pamja e kritikut u shfaq: si bibliograf, si interpretator, si teorik, madje si kronikan në vështrimin e “Kohëtores” të Faik Konicës. Po edhe duke u matur me metoda kërkuese e disiplina bashkë­kohore, si strukturalizmi e semiologjia.

 

6.

Ibrahim Rugova më 1977 shkoi për qëllim studimi në Paris, në Collège de France, ku takoi Rolan Bartin profesor, duke qenë vetë “élève libre” [nxënës i lirë]. Në parantezë: Collège de France është institucion akademik krejt i veçantë ku nuk ka studentë të rregullt; nuk ka regjistrim, mësimi është falas, institucioni nuk lëshon asfarë diplome, prania në kurse është e lirë, mund të hyjë gjithkush.  Këto nuk janë aspak kurse të vulgarizimit, por të ekselencës; profesorët duhet të paraqesin kërkimet e tyre në rrjedhë (“në çastin e të bërit”). Ata flasin çka duan, pasi nuk ka detyrime as diplomë, por kjo duhet të jetë përherë e re. Nuk ka të drejtë asnjëherë të përsëritet kursi.

Pra, Rugova nuk shkoi në Francë për të bërë një diplomë, e as që mori diplomë. Mirëpo, aty gjeti një parajsë diturie, ku shpirti hapet i lirë për të shfaqur të gjitha kapacitetet e të vërejturit dhe të filozofimit. Ky duhet të ketë qenë viti më frytdhënës në botën e tij intelektuale, kur e poq ndërgjegjen fundamentale: për mendimin e lirë dhe njeriun e lirë.

7.

Me t’u kthyer në Prishtinë Ibrahim Rugova iu kthye studimit të veprës së Pjetër Bogdanit, “Cuneus Prophetarum”, studim të cilin e kurorëzoi për tri vite dhe e botoi me titullin “Vepra e Bogdanit: 1675-1685” në vitin 1982. Aty Rugova shpaloi e dëshmoi diturinë sistematike e pasionin letrar, duke zbuluar vlerat fundamentale të letërsisë filobiblike shqiptare, të lakuara në fushat e semiologjisë, të mitologjisë e të humanistikës. Libri u çmua me Shpërblimin e Dhjetorit për letërsi.

8.

Ibrahim Rugova e mbrojti tezën e doktoraturës me temë “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare: 1504-1983” në Prishtinë më 1984. Libri u botua dy vite më vonë. Është kjo një histori e padeklaruar e kësaj forme letrare në letërsinë nacionale. Në vitin 1987 botoi veprën “Refuzimi estetik”, që është libri i fundit i botimeve të tij letrare. Ai aty ngrente procedurën e kontestimit të diktaturës e të totalitarizmit, duke mbrojtur në të njëjtën kohë natyrën e letërsisë. Sepse ushtrimi i lirisë deri në fitoren kolektive kërkon forma të tjera të kontestimit, të gjuhës në veprim e të aktantit dhe të autoritetit. Shkurt: nga “Refuzimi estetik” kalohet në “refuzim politik” të shqiptarëve ndaj dhunës.

9.

Në gjashtë libra shfaqet profili kritik i Ibrahim Rugovës: leximi krijues te vepra “Prekje lirike” (1971), specifika e qenësia letrare te vepra “Kah teoria “ (1978), kritika e vlerësimi i poezisë te libri “Strategjia e kuptimit” (1980), filozofia e semantika letrare te “Vepra e Bogdanit” (1982), sistematizimi i kritikës shqipe te vepra “Kahe e premisa të kritikës letrare shqipe: 1504-1983” (1986), raporti i intelektualit me pushtetin te libri “Refuzimi estetik” (1987).

10.-Askush nuk shkruan pasthënie të veprave të veta. Edhe Rugova e shkroi tekstin e fundit (“Xhojsi, shqipja, Aristoteli”) si parathënie për kërkimet e veta të mundshme teorike-filozofike-letrare, që nisin nga Antikiteti. Imagjinonte se do të vijonte të kërkonte Krijuesin te vetja, por ylli i tij i tha ndryshe: do të bëhesh Krijues në një fushë tjetër, të lirisë së njeriut, të lirisë së vendit. Më 1988 Rugova u bë kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, duke ia falur zemrën dhe shpirtin artikulimit të vullnetit të popullit të vet. Më 1989 krijoi formacionin politik, demokratik e pavarësist të Kosovës (LDK), dhe u bë prijës shpirtëror dhe politik i Kosovës deri sa ndërroi jetë.

Filed Under: Politike Tagged With: LDK, pervjetori i 13, vdekja e Dr. Rugoves

KOSOVA DREJT USHTRISË

December 12, 2018 by dgreca

 1 a LDK

-KONFERENCA PËR MEDIE E LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS/

Prishtinë, 12 dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/

Në përputhje me vendimet e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Grupi Parlamentar i LDK-së, në seancën e datës 14 dhjetor 2018, do të mbështesë pakon e ligjeve për transformimin e FSK-së.

Republika e Kosovës si vend sovran dhe i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër, e gëzon të drejtën për të pasur forcat e veta të armatosura.

Ne jemi falënderues ndaj SHBA-ve dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për mbështetjen e këtij transformimi.

Nga shpallja e pavarësisë e deri më tani, institucionet e Kosovës kanë bërë përpjekje maksimale që ky transformim të dakordohet me përfaqësuesit politik të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Forcat e Sigurisë të Kosovës janë në shërbim të të gjitha komuniteteve. Ne falënderojmë komunitetet e tjera jo shumicë në Kosovë për rolin konstruktiv gjatë këtij procesi.

Forcat e Sigurisë së Kosovës do të kontribuojnë në forcimin e paqes dhe sigurisë në Ballkan dhe, krahas aleatëve tanë në NATO, do të kontribuojnë për paqen kudo në botë./b.j/

LEXONI DHE  KETE:

KOSOVË-KUVENDI VOTON PËR USHTRINË

-Të premtën seancë Kuvendi dhe pritje shtetërore për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës/

-Pritje shtetërore në 14 dhjetor 2018 pas kalimit atë ditë në Kuvend të Pakos së tre projektligjeve që ndërlidhen me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë kaluar me votë unanime në lexim të parë në 18 tetor/

1 FSK-17.02.2016-1

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 11 Dhjetor 2018/ Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës: për Ministrinë e Mbrojtjes,  për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, do jetë në lexim të dytë në seancë plenare të Kuvendit këtë javë, të premten e 14 dhjetorit, nga ora 10:00, ku pritet votimi unanim i deputetëve të pranishëm si edhe në shqyrtimin e parë në 18 tetor. Pas seancës së Kuvendit të Kosovës të vendimit për transformimin e FSK-së, do ketë edhe një ceremoni – pritje shtetërore festive.

“Të premten, më 14. 12. 2018, pas seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, për Projektligjet që ndërlidhen me transformimin e FSK-së,  do të organizohet pritje shtetërore nga Institucionet e Republikës së Kosovës”, bëri të ditur sot Qeveria në njoftimin e dërguar, ku kërkohet akreditimi i mediave për ta përcjellë ceremoninë që do zhvillohet në ambientet e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës nga ora 17:00.

Në shqyrtimin e parë, gjatë debatit, vetëm grupi parlamentar i Listës Serbe u shpreh kundër transformimit të FSK-së në ushtri dhe lëshoi sallën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës.

Në 13 shtator 2018, Qeveria e Kosovës, bazuar në të drejtën e saj kushtetuese, ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Qeveria ka deklaruar se, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor, në mbrojtje të integritetit territorial, të qytetarëve, të pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.


Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, josdiskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.


Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes përcakton organizimin dhe kalimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në qershorin 1999 .

Filed Under: Kronike Tagged With: drejt Ushtrise, kosova, LDK

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit
  • KUR PRISHESHIN TEMPUJT, ME SHOKUN E KLASËS VISARIN…
  • Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç
  • Guri i budallait dhe mendja e zgjuar
  • “Strategjia e Mbrojtjes dhe Zhvillimit të interesave Kombëtare”!
  • Kalendar: 24 Marsi 1999, Dita që i hapi shteg Lirisë e Pavarësisë së Kosovës
  • LIRIE (LYDIA) MEMETI, NJË HISTORI SHQIPTARE FRYMËZUESE
  • Vjena – Qytet i Requiemeve – Requiem për Musinenë!
  • Tregimi për zonjat e suksesit shqiptar- ideja që jeton pa kohë
  • Ish-diplomati Syla, ftesë qeverive tona t’i promovojnë shtetet në SHBA, Kanada dhe Izrael

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT