Nga FEDERICO RAMPINI/
Takimi i nivelit të lartë të Samarkandës nuk do të kalojë në histori për ndarjen ndërmjet Xi Jinping-ut dhe Vladimir Putinit. Së paku deri sa të bëhet fjalë për të krijuar një front të bashkuar kundër Perëndimit, aleanca ndërmjet Kinës e Rusisë qëndron. Por në marrëdhëniet e tyre barazpesha ndryshon dhe shenjat e tensionit shtohen. Në raportet zyrtare të takimit në Uzbekistan udhëheqësi kinez nuk ka përmëndur kurrë luftën n’Ukrainë, për të shmangur që të gjinden shënjat e gishtave në një tërheqje të mundëshme ruse. Xi e ka shtrënguar Putinin të bënte zëdhënësin e tij kur ai zbulon “shqetësimet kineze” mbi atë luftë. Pekini nxjerr furnizime energjitike me çmim të mirë nga Moska (“kinezët janë bashkëbisedues t’ashpër” pranon Putini), por këto leverdi ekonomike nuk shpërblejnë të gjithë dëmet e një konjukture botërore që dëmton Republikën Popullore. Burime amerikane vërtetojnë se deri tani Xi i paskësh mohuar furnizimet ushtarake ushtrisë ruse n’Ukrainë, për të shmangur sanksionet perëndimore në shënjestrën e të cilëve do të përfundonin sipërmarrjet e mëdha kineze.
Herën e fundit që u takuan, më 4 shkurt në Lojrat dimërore të Pekinit, Putini do t’i ketë dhënë një përshkrim ngadhnjimtar të fuqisë së tij ushtarake e të aftësive të tij të shpagimit në teatrin evropian. Shtatë muajt e fundit kanë zhvleftësuar pohimet e tij. Por ka një lidhës ideologjik që qëndron ndërmjet dy udhëheqësve dhe ideologjitë mund të jenë po aq të fuqishme sa dhe interesat lëndore. Xi ruan tregimin simbas të cilit lufta n’Ukrainë është gabim i NATO-s; sheh një rend ndërkombëtar për t’u përmbysur sepse është i zotëruar nga Amerika; e quan Perëndimin si një qytetërim në një rënie të pakthyeshme. Duke shpallur këtë këndvështrim, Xi ka helmuar marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara por edhe me Bashkimin Evropian: sanksionet e fundit të Brukselit mbi dhunimet kundër të drejtave njerëzore janë një shenjë e mëtejshme. Akulli me Perëndimin është njëri ndër erërat e kundërta që Xi duhet të përballojë, së bashku me një ekonomi në vështirësi dhe çmimet e larta të ashpërsisë së tij kokëfortë mbi Kovidin.
Presidenti kinez është i bindur se armiqësia e tij kundrejt Perëndimit nuk do të ketë pasoja të rënda sepse ne jemi të paaftë për t’u liruar nga vartësia jonë kundrejt made in China. Tani për tani kjo siguri e tij gjen një përkrahje të pjesëshme nga të dhënat. Ka një dalje të kapitaleve perëndimore nga Kina, por rivendosjet e veprimtarive prodhuese janë ende të pakta dhe shpërblejnë vetëm në një pjesë të vogël Vëndet perëndimorë. Apple zhvendos disa prodhime, tani për tani mjaft të pakta, nga Kina drejt Vietnamit. Në gjysëmpërçuesit ka filluar një rishindustrializim i Amerikës, i financuar nga ndihma bujare shtetërore. Viti 2022 do të mbyllet me një kthim në Shtetet e Bashkuara të 350.000 vëndeve të punës nga jashtë, një përqindje ende shumë e vogël në krahasim më shumë milionë vëndesh që janë zhvendosur në Kinë në një tridhjetëvjeçar të globalizimit.
Xi nxjerr përfundimin se nuk mund të bëjmë pa të, çfarëdo fyerje ai të n’a shkaktojë. Basti i tij gjeopolitik përmban skenarë të ndryshëm. Fitorja e Putinit n’Ukrainë ishte më e leverdisëshmja për të shpejtuar tkurrjen e Perëndimit. Një thyerje e pjesëshme e Putinit do të pakësonte kundrejt Evropës burimet ushtarake dhe vëmëndjen strategjike të Shteteve të Bashkuara; veç asaj nië Rusi e varfëruar do t’a shihte veten në rolin e kolonisë kineze. Pekini shpreson t’a luajë mirë atë kundrejt botës së të paangazhuarve. Shanghai Cooperation Organization – ajo që ka organizuar takimin e Samarkandës – është një grumbull jo i një rodi: bëjnë pjesë edhe Hindia e Pakistani që janë kundërshtarë krenarë mes tyre; dhe New Delhi ka një shemëri të zjarrtë me Kinën. Megjithatë një dobësim i ndikimit rus n’Azinë qëndrore do të shpejtonte depërtimin kinez, në sajë t’atyre investimeve në infrastrukturat (Belt and Road ose Rrugët e Reja të Mëndafshit) të cilat Perëndimi as që përpiqet t’i kundërshtojë me një propozim alternativ. Një përimtim i ndritur i Shanghai Cooperation Organisation ka shumë për të na mësuar. Nga një anë është një botë e gjërë, madje në shumicë, që ka vendosur të mos marrë pjesë në sanksionet tona kundër Moskës. Nga ana tjetër në hartat e të “paangazhuarve” janë Vënde të ndryshme që megjithatë kanë dënuar agresionin kundër Shtetit sovran të Ukrainës. Ka zona të botës në pasiguri, ku ndikimet e Kinës e të Rusisë mund të kundërshtohen, nëse ne e duam e vemë në fushë mjetet për t’a bërë.
Tragjedia ukrainase duhet të na shërojë nga naiviteti mbi plotfuqinë dhe pagabueshmërinë e autokratëve. Gabojnë edha ata, së paku aq sa dhe qeveritarët e demokracive. Me rënduesen se sistemet politikë iliberalë nuk kanë mekanizma të brëndshëm të peshimit, të lajmërimit e ndreqjes së gabimeve. Bën përshtypje çfarë shkruan në revistën Foreign Affairs një ish profesoreshë e shkollës së formimit të drejtuesve komunistë kinezë, Cai Xia, që sot jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara. Profesoresha që formoi kuadrot komunistë e përshkruan Xi si një drejtues i dështuar, që grumbullon zgjedhje të gabuara, e në të njëjtën kohë, nuk është i detyruar të njohë gabimet e tij sepse ka mënjanuar të gjithë rivalër e brëndshëm duke përdorur mjete të bosëve mafiozë.
Sa i përket basteve të Putinit e Xi-ut mbi rënien e pakthyeshme të Perëndimit, një provë e rëndësishme po afrohet me hapa të mëdha. Dimri do të jetë vendimtar për të kuptuar nëse kemi brumë për t’i qëndruar kërcënimit energjitik. Në vitet Shtatëdhjetë ekonomitë evropiane – shumë më pak të pasura nga këto të sotmet – dolën nga goditjet e para energjitike të gunguara, por pa dëme të pandreqëshme. Sot si atëherë, një përzjerje masah kursimi, ndryshueshmëri burimesh, risi teknologjike e kalim drejt modeleve të rinj energjitikë, do të duhej të na jepte rezultate të ngjajshme. Mbas kalimit të kthesës së dimrit, viti 2023 mund të na paraqesë pamjen e një Evrope të nisur drejt “çhelmimit” përballë vartësisë nga gazi e nafta ruse.
Asgjë nuk ka sukses sa suksesi, parimi vlen edhe anasjelltas. Një Putin i dobësuar, ndërmjet të tjerash do t’ishte i detyruar t’i paguante një çmim gjithënjë e më të lartë ndihmës së kushtëzuar të mikut të tij Xi.
“Corriere della Sera”, 16 shtator 2022 Përktheu Eugjen Merlika