Ngjarje të treguara në një familje devollinjsh në qytetin Everest, Mass…./
Nga ROZI THEOHARI, Boston/
Dimri i ashpër northistian, i dëgjuar për të ftohtit, dëborën e shumtë dhe tufanet paniksjellëse, shpesh i mbledh shqiptarët e Bostonit me rrethinat, tek shtëpitë e njëri-tjetrit, duke sjellë gjithsecili ngrohtësinë e zemrës e të shpirtit e duke qenë së bashku, sikur i përvidhen stinës së egër. Shumë prej tyre tani kanë shtëpitë e veta me verandë e vatra zjarri; ulen rreth vatrës burra e gra, me ndonjë gotë raki (të ardhur nga Shqipëria) e biseda tirret e merr zjarr…
U ndodha në një nga këto vizita në një familje devollinjsh në qytetin Everest, Mass. Ndrioja, i zoti i shtëpisë, dhe burrat e moshuar, duke rrufitur raki në gota të vogla ia kishin shtruar bisedës rreth kujtimeve nga koha e vegjëlisë, kur vrisnin zogj me llastika buzë lumit e kur shkelnin jonxhat e perimet e gradinave të fshatit, duke ndjekur hap pas hapi fluturimin e rabeckave. Ato gradina, bahçe e jonxhishte… të cilat sot nuk i mbjellin më duart e tyre e kushedi se kush i ka gëzuar! Në vargun e fotografive të varura në mur dallohej, e zmadhuar,fotografia e një burri thinjosh, që tërhiqte për litari një dash të bëshëm brirëpërpjetë. I drejtova Ndrios një buzëqeshje pyetëse rreth asaj fotoje dhe ai, pasi e ktheu me fund gotën e rakisë, filloi të na tregonte: “Eshtë im vëlla, Peroja, me dashin e tij të vetëm; them të vetëm, se vëllaçkoja, më i madh nga unë, as u shkollua, as u martua, as hapi familje. Jetonte i vetëm aty në fshat, në shoqëri të një tufe dhensh. S’mund të them se ishte i gëzuar, por edhe i dëshpëruar s’ishte.Me të ardhur “tufëzimi”, dhentë filluan t’i firaksnin e i mbeti vetëm dashi. Donin t’ia merrnin edhe dashin. Ai sa s’plasi.Atëherë isha oficer në Tiranë, më dërguan ultimatum të paraqitesha menjëherë në mbledhjen e kooperativës. Vajta. Iu luta vëllait ta shporrte atë dash të shkretë. Por Peroja ngulte këmbë si mushka: “Nuk e jap e nuk e dorëzoj dashin”. Fjalët e mia i merrte era. Nuk bindej.
“Nuk të vjen turp!, – iu hakërrua Peros kryetari i kooperativës, të ka ardhur goxha vëlla që nga Tirana, kryeqyteti.” “E po mirë, – ektheu pllakën Peroja, unë dashin e doja ta bëja pastërma, meqë u dashka t’ia fal kooperativës, le të zotohet im vëlla, që ka ardhur nga Tirana se do të më dërgojë mish një vit të tërë dhe e jap dashin!
“Hajde, mirë se na keni urdhëruar, ju ardhshim edhe në shtëpitë tuaja, – uroi Ndrioja, – le ta kthejmë një gotë për tim vëlla dhe tufën e tij, që i vjen nga pas dashit, siç e shihni në fotografi që sapo ma ka dërguar.”
Tema “bagëti e bujqësi” solli atë natë tregime e kujtime hokatare e të trishtueshme, me të cilat, sidomos fshatarët, kanë një përvojë të gjatë pune e jete.
Edhe mua, kur po kthehesha në shtëpi, “drama” e Peros me dashin e tij më kishte bërë përshtypje. Hamendja se dikur e kisha dëgjuar këtë ngjarje, më solli në gjasë se unë vetë e kisha shkruar më parë një histori pak a shumë të ngjashme. Hapa e kontrollova sirtarët e, së fundi,
e gjeta tregimin për dhitë e Maros, të cilin nuk e mbaja mend në e kisha botuar apo jo.
* * *
Mbrëmja e asaj dite e gjeti Maron si gjithnjë, ulur te guri i latuar më të djathtë të pragut të shtëpisë, duke pritur t’i ktheheshin nga mali “bijat”, siç i quante dhitë e saj, ndërsa bluante e përbluante mendime, bënte hesape herë me gishtat e duarve, herë me hamendje, ashtu siç e ka
huq, dert e zakon pleqëria.
Një hënë e paformë sapo doli mbi pyllin me ah, si për t’i bërë dritë një djali të ri që qëndroi dy hapa para plakës. Ai u bë gati të shkruante në një bllok me fletë të shpërveshura dhe u përkul para:
-Sa dhi ke ti Maro?
-Asnjë… pse… nuk ia dhashë dy dhitë dimrin që shkoi,kooperativës? – iu përvesh Maroja.
Ajo u ngrit vërtik me atë trupin e bëshëm që akoma nuk i ishte dorëzuar pleqërisë, duke i dhënë të kuptonte atij tjetrit se muhabeti kishte mbaruar.
Qëkur i iku djali i vetëm, Sotiri e filloi punë në qytet, teto Maroja banonte fillikat në një shtëpi të madhe dykatëshe në të hyrë të fshatit, shtëpia e prindërve, gjyshërve, ndoshta e stërgjyshërve, e cila, sapo vinte maj-qershori, buçiste nga këngët, thirrjet e piskamat e nipërve e mbesave që vinin nga qyteti. Kur iknin në vjeshtë, merrnin edhe Maron me vete, por një zot e di se si qëndronte plaka ata muaj mërguar në apartamentin e qytetit, larg shtëpisë, kumbullave e dhive. I flisnin dhe e qortonin të gjithë, të afërm e të largët, se mjaft kishte punuar tërë jetën,tani le të rrinte rehat e të çlodhte kockat, por ajo s’dëgjonte nga ai vesh.
Pa ardhur mirë pranvera, plaka kthehej në fshat bashkë me dallëndyshet e para, merrte në dorëzim nga Lisa, fqinja e saj me besë, katër dhitë, tri pulat e maçokun qimezi, hapte dykanatësh derën e shtëpisë, lante e pastronte, priste e përcillte, çmallej me frymorë e jofrymorë, deri edhe
me ibrikun e vogël që shfrynte gëzueshëm majë sobës.
Të nesërmen, në pikë të agimit, teto Maron erdhën e lajmëruan se e kërkonin lart, në zyrat.
Plaka mbërtheu buzët, hodhi shallin kokës e sakaq u gjend para tavolinës ku shoku Koçi po lexonte gazetën me nge. Ai ngriti kokën e filloi të fliste duke u nxehur pak nga pak, por edhe tallakeqas.
-Që t’i kemi sahanët pa kapak, plakë, boll të kemi duruar deri sot. Dhitë do t’i dorëzosh në tufën e kooperativës. Ky është urdhër.Pikë.Ajo ndjeu cermën t’i përshkojë pulpat. Një avull në formë alivani iu ngjit deri në fyt, pastaj mori përpjetë deri në flokë. Hoqi me vërtik shallin e zi nga koka.
-More… more… po na flet me kordhë, ky! Dhitë s’i jap.
Edhe mua më urdhëron kjo, zemra këtu, që po më kullon gjak!…
-Kaluan gjashtë muajt që të kemi paralajmëruar! – iu hakërrua ai.
-Poo! Më thirrët në palcë të dimrit. Erdha nga qyteti copë e gojë.
Ju dhashë dy. Për tufën. Flokët m’u ngritën tufë kur pashë dy beronjat
e mia bashkë me dhitë e zgjebosura të Milisë së Thanit. Hajde, de!
Duro të durojmë. Makar të ishin edhe sot, të zgjebosura. Po ato
ngordhë!
-Ngordhën nga dimri! – nuk u përmbajt ai. – Megjithëse i mbuluam
mirë!
-Mbuluar zeza! – uluriu ajo. – E bëtë vënçe. Ngarkuat gratë me
dërrasa. U ngul Lisa e gjorë me gjithë dërrasa në dëborë. U tartaros
nga të ftohtit. Desh i ra tastëngu… Turp! Se s’prisnit dot! Ç’vallë vinte
behari… Kurrë…
Disa çaste më vonë plaka ishte kthyer nga kishte ardhur, e tek
rrinte ulur te guri i latuar i pragut të derës, priste ndër ethe “vendimin
kolegjial”, siç i patën thënë. Shyqyr, trutë i kishte akoma në vend. Dërgoi
e thirri xha Todin: “Bëhet pastërma në gusht?” E bëri me mend shpejt e
shpejt që njërën dhi ta therte, Shytën ta ruante. “S’bëhet, moj Maro,
s’bëhet pastërmaja në gusht, se mishi zë krimba!” “Ikni atëherë jepni
haberë se njërën dhi do t’ua jap. Shytën e kam për vete. Në ju hëngshin
brirët, le të ma kërkojnë!”
Shytën… Lëmshi i kujtimeve në trurin e saj filloi të shpështillej me
furi. Diku ajo e ndali. Aty ku donte. Jetën bashkëshortore e nisi me një
udhëtim në SHBA, Uster. I shoqi kishte fituar ca pare kurbeteve dhe
dëshironte që vitet e para të martesës t’i kalonin së bashku. Me gjithë
kundërshtimin e këmbënguljen e burrit, Maroja, e mori një pjesë të
pajës andej, “prapa diellit”, siç e pat quajtur Amerikën, ditën e parë të
nisjes. Me shtresat e qëndismat zbukuroi dy kthinat e ulëta të një shtëpie
përdhese marrë me qira, madje sajoi për merak edhe një vatër me
oxhak, kamare e buhar. Mërgimtarët mblidheshin shpesh rreth asaj vatre,
uleshin këmbëkryq mbi shiltetë e Maros, çmalleshin me vatanin, kujtonin
e rrëfenin me zemër të cërritur histori, bëma e ndodhi, përloteshin nga
malli për gratë e fëmijët. Përlotej edhe Maroja e ngrihej si pa u vënë re
nga kuvendi i burrave, hynte në kthinën tjetër që shërbente si kuzhinë,
dridhej e përpëlitej nga ofshamat e dënesat që i rëndoheshin në shpirt,
pa vinte në vete shpejt kur ndiente lëvizjet e trembura të fëmijës në
bark. Mblodhi e mblodhi sa diti zemra e saj e një ditë i tha të shoqit:
“Do të kthehem në Shqipëri. Më ka zënë malli për Shytën!”
Burri, që ia dinte kokën Maros, nuk bëri as përçapjen më të vogël
për ta mbajtur: i dha navllon dhe e nisi në shoqërinë e disa
bashkëfshatarëve.
Kur u kthye në fshat, para se të përshëndoshej me të gjallë e të
vdekur, Maroja e mbajti frymën te kroi i bilbilit, e pllaquriti fytyrën në
shurupuqin gurkalitur e piu me etje, ëndje e dëshirë, si të pinte në zemrën
e saj gjithë atë kohë abrashe që ia kishte ndarë jetën më dysh e që nuk
donte t’ia shihte sytë më. Pastaj, me po atë kënaqësi mori përpjetë
dushkajën ku e priste qimekuqja beronjë, Shyta e saj.
Shtëpia e Maros ishte e njohur në krahinë për tufën me nam të
dhive që rriste. Denbabaden u shkonte mbarë kjo kafshë e sertë, por
që gjyshërstërgjyshët “ia dinin” gjuhën e tarbetet.
Ku gjeje qumësht si qumështi i dhive të Maros, lesh si kozinë e
dhive të Maros, pastërma për nishan si mishi i ftujave të Maros!
Veç të shihje tufën kur dilte të kulloste në korijëzën e dushkut,
duke prirë i pari cjapi sykaproll që çapitej rëndë-rëndë me një zile
katër okare në qafë. Pas tij kapërdihej Shyta – zonjë –beronjë (zgjidhej
midis dhive në çdo 4-5 vjet e ruhej si kanakare) më pas bridhnin “të
disiplinuar” ca ftujakë e ca mjekroshë, ca dhi bripërdredhura e keca të
cilëve u lodronin si gogla vëthët në qafë, pa më t’u skuqte e ndriste
qimja që atje tutje, si t’i kishe larë me këna e t’i kishe fërkuar me vaj të
mirë.
Këmbora e cjapit i bënte iso për bukuri këngës së mëllenjave e
ku-ku-ve të qyqes së dukur e të zhdukur, gurgullimës së përrenjve
qumështorë, fëshfërimës tantellore të gjethit të sapoçelur në pyllin e
pafund të ahut, e të gjitha këto zëra, zhurma, ngjyra, vakësira, aroma,
bashkoheshin e shkriheshin në një himn të magjishëm që ia rrëmbente
shpirtin Maros e ia ngrinte aty ku fluturonin zogjtë e retë. Ajo rrinte
shtrirë çaste të tëra mbi lëndinën luleshtrydheqëndisur apo mbështetej
pas trungut të një ahu të moçëm, mendonte, kujtonte e “ripërtypte”
kujtime…
Portreti e gjithë shtati i saj, s’kishte si të ndodhte ndryshe, kishte
marrë diçka nga format, ngjyrat e nuancat e mjedisit baritor. Sytë bojë
vaji të errët ishin ngjyer ndër lëndinat e bredhishtat ku kulloste dhitë,
harku i kërleshur i vetullave ishte “vepër” e stinëve, cipa e bardhë e
lëkurës – pasqyrë e bulmetit, ndryshku i flokëve – shkëlqim i praruar i
tufës, balli pak i shtypur në tëmtha kujdesi i nënës që në djep për t’i
qëndruar mirë shamia e mëndafshtë blu me hoja e kostumit të krahinës.
Gjinjtë, vithet e pulpat e rrumbullakëta të kujtonin gombolet e djathit të
saponxjerrë taze nga napat e kozinta.
E kishin lakmuar mjaft djem të fshatit, por i ra shorti të martohej
me një kurbetli, që mesa tregonin bathët, andej, matanë diellit, kishte
për ta puthur kopaçen. Jo më kot ajo ia vuri emrin të birit Sotir, për ta
kujtuar të shoqin në të gjallë e në të vdekur, në të mirë e në të ligë…
Plasi lufta. Drurët, ca i prenë, ca u thanë. Prindërit e Maros, ca të
lodhur, ca të plakur, s’ishin as për punë, as për zanat. E bija mori frenat
e shtëpisë, u bë burrë e shkuar burrit. Rri Maroberonja pranë pasqyrës,
lyen fytyrën me hi, hedh shaminë e zezë deri mbi vetull, përkul kurrizin
përpara. Kush hyri e kush s’doli nga konakët e saj, miq e armiq. Pulave
u mbetën vetëm puplat në mangall, kecat u shkuan në hell në mes të
oborrit, secili sipas qejfit, gustos e midesë. Gjermanët përdridhnin buzët
nga mishi i dhisë, begenisnin vetëm dy kofshët e pasme, pjesët e tjera i
groposnin. Të tjerëve u vinte më përdoresh “ti bënin ysmetin” mishit e
kockave. “Ju çaftë ujku!” – mallkon Maroja me një zë sokëllitës. Shytën
-beronjë ajo e kishte fshehur mirë në ahurin më të thellë të plevicës.
Ajo lutej e falej përditë: “Duro të durojmë, nga kjo luftë në më
shpëtoftë gjallë djali dhe Shyta – beronjë, s’ka si unë në dynja!”
Dhe … siç dëshiroi, gjalpi mbeti në lakror. Djali gjallë e shëndoshë,
Shyta – beronjë u mbajt me cjapin më të mirë të fshatit e polli dy keca
pullalesha…
… Plaka ndjeu ta tundnin lehtë për supi. Atëherë e mblodhi mendjen
për se ai djali i ri me bllokun në dorë kishte minuta të tëra që rrinte në
këmbë dhe e vështronte.
-Do të ta marrin edhe Shytën! – belbëzoi ai.
-S’i keni bërë ditët! – thirri ajo.
… Kaluan dy ndajnatëherë që Maros nuk iu kthye Shyta në shtëpi.
Kaluan dyzet e tetë orë pa ritin e përditshëm, pa kënduar këngë gjatë
mjeljes së Shytës, pa fërkuar dhe larë kozinën e Shytës, pa ndier në
pëllëmbë gjuhën e hollë të Shytës, pa dëgjuar blegërimën ëndjesjellëse
të beronjës së saj.
Plaka vuri kujën. Ditën e tretë erdhi nga qyteti Sotiri, por në vend
që ta ngushëllonte, nënës iu rëndua më tepër hidhërimi.
I biri u ngjit lart, në zyrat e kooperativës, e u takua ballë për ballë
me shokun Koci.
-E keni përkëdhelur atë plakën më tepër nga ç’duhet, – i tha ai.
-Shoku Koci! Në ka mundësi, të blejmë një dhi me të cilën do të
zëvendësojmë Shytën. Ju lutem, kthejani nënës. Atë e ka më tepër se
fëmijë! T’i marrësh Shytën, është njëlloj si t’i marrësh jetën!
-Jeni borgjezuar ca ju andej, nga qyteti. Duket sheshit. Më vjen i
biri i botës, po më shet mend e më detyron të shtrembëroj ligjin! – iu
ndërsul Koçi.
– Në radhë të parë, unë jam bir i këtij fshati, tok jemi rritur, tok kemi
mësuar e bredhur, e, vendin e kam akoma këtu!- s’u dorëzua Sotiri.
– Dëngla! Atëherë si bën vaki që mbani një shtëpi në fshat dhe një
në qytet? Detyroni një copë plakë njeri të rrojë si miza në qyp këtu në
fshat, që t’ju ruajë shtëpinë dhe qumështin të ngrohtë kur të vini për
verim. Po … keni për të parë. Pas Shytës do t’ju marrim edhe shtëpinë…
Pushteti jam unë këtu! –kërcënoi ai.
Në ditët që pasuan, Maroja u mbyll brenda e nuk pranonte të
bisedonte me askënd, e pushtuar me një ndjenjë zbrazëtie dhe
braktisjeje. Më kot lodheshin fqinjët tek hekurat e dritares, i luteshin e
mundoheshin ta bindnin e ta ngushëllonin, se, kushedi ç’sjell sahati, s’e
sjell moti, ndoshta do të kishte fatin të shihte përsëri Shytën…
Dhe me të vërtetë, Shyta u nda një ditë nga tufa në mal dhe u kthye
në shtëpi me një trokth të shpejtë e të zhurmshëm, qimepërpjetë e
syegërsuar, duke shfryrë e rënkuar, aq sa të mos i shkonte ndërmend
njeriu t’i dilte përpara e t’i priste rrugën.
Me të dëgjuar blegërimën e saj në të qarë (që mund ta dallonte në
një mijë të tilla) Maroja u gjend në rrugë e iu ul mëgjunjazi kafshës së
gjorë. “Më erdhe, moj bijë! T’u bëftë nëna!
Gëzove zemrën e plakës, moj ftujëza ime, kurban!”
Sapo preku trupin e saj me duart e dridhura, plaka i dalloi vendet
ku e kishin rrahur e shembur, rënkoi kur vërejti se qe dobësuar e se i
ishte ashpërsuar qimja.
Shyta futi turirin në xhepin e përparëses së Maros e filloi të bluante
me nofulla, ndërsa plaka vështronte e mrekulluar herë fërgëllimin e trupit
të saj, herë sehirxhinjtë që tashmë po rrethoheshin. Ato të dyja, kafsha
e njeriu, po rrinin të strukura e të mbështetura tek njëra-tjetra, ndiqnin
frymëmarrjet, vështroheshin dhe kuptoheshin aq mirë me sy,
përdëlleheshin për njëra-tjetrën dhe, në të njëjtën kohë, prisnin me ankth
çastin e hidhur të ndarjes.
Çasti erdhi, ndoshta më parë nga ç’e kishin parandier. Çdo gjë u
krye aq shpejt! Mbërritën dy çobanë të rinj me nga një shkop të thantë.
Në fillim përdorën duart për të shkëputur kafshën nga plaka. Por, kur
nuk ia arritën kësaj (njërit i mbeti në dorë mjekra e Shytës), shkopinjtë
bënë punën e tyre mbi gëzofin e kuqërremtë.
Ulërimat e Maros u përzien me blegërimën therëse të kafshës. Më
pas në rrugicën e shkretuar dhe të errët u dëgjuan vetëm rënkimet e
plakës, e cila u ngrit me lebeti e u drejtua çalë-çalë në oborr. Njerëzit
ishin mbledhur përsëri. Njëri syresh ndali krahun e çobanit. Shyta kishte
ngordhur.
Plakës nuk i thanë, por ajo e kuptoi nga mërmërima revoltuese që
doli prej buzëve të tyre. Mblodhi të gjitha forcat e i dha trupit përpara.
Gjaku i pulsonte në tëmtha. U çapit deri te gardhi, u mbështet tek një
vastangar, e, me moskokëçarjen e një të dëshpëruare, tha: “Do të vdes
edhe unë”.
Zuri shtratin e s’ngriti kokë më. Erdhi i biri e mori me taksi.Vdiq tre muaj më vonë, kur filluan ngricat e para. Gjatë gjithë kohës kthente kokën nga mali dhe me mundim të madh ngrinte gishtin tregues.
Nga dy zgavrat e thelluara, sytë që shihnin në boshllëk, dukej sikur e
shponin malin tej për tej. Ditën që vdiq, në dritare trokëllitën disa kristale
të vogla bore.
Boston, 2004