NGA HARALLAMB FANDI/
“ Diku…dikur…shumë vjetë më parë, mbaj mend të kem lexuar një vjershë. Vjersha ka kohë që është harruar, po vargu i saj i parë ka mbetur i pashlyer në kujtesën time: Sa të bukur, sa të freskët ishin trëndafilat !”.
E gjithë kjo, nuk është veçse fillimi i një proze poetike të Turgenjevit. Kur isha i ri, nxënës në vitin e tretë të gjimnazit, profesori i rusishtes na e kishte dhënë për ta mësuar përmendësh atë dhe unë i gëzohesha bukurisë së origjinalit. Por ja që, më pas, ashtu si shkrimtari i madh që e harroi vjershën dhe ruajti në kujtesë vetëm vargun e parë, edhe unë vetëm rreshtat parë, me vargun për trëndafilat, mbajta mend. Shumëkush do të çuditej se si mund të harroej aq lehtë nje krijim i shkruar per mrekulli dhe që, për më tepër, m’u bë pjesë e një kujtimi sedërpërkëdhelës për një kohë të gjatë. Se, për mua, kujtimi ka qënë vërtetë i këndshëm, ndonëse u shoqërua me një shije paksa të hidhur të një zhgënjimi që iu ngjit nga pas. Dhe, sikur të mos ishte ky i fundit, do të ndruhesha ta tregoja, thjesht ngaqë do të rrezikoja të kaloja kufijtë e modestisë.
Ishte profesori i rusishtes, M. Sh., që në një mëngjes të bukur, ( unë do të shtoja dhe pranveror, se i tillë ishte dhe i pranvertë më vjen ndër mend ), në oborrin e shkollës plot dritë dhe zhurmë nxënësish, më ndaloi dhe më tha: “ Kam diçka interesante për ty “. Duhej të recitoja rusisht në sallën e teatrit të qytetit, në një mbrëmje miqësie, përpara dy-treqind rusëve, prozën poetike të shkrimtarit të tyre të dashur. Profesori s’mbaroi me kaq. Unë do të isha i vetëm në skenë, i veshur me frak e papijon ( veshje që, “për të qënë brenda”, censorët e quanin me përçmim “borgjeze”, po nuk guxonin ta pengonin, kur u thuhej se kështu do ta pëlqenin “vëllezërit sovjetikë”). Në errësirën e skenës së ndriçuar vetëm nga një qiri, do të shquhej paksa një pianiste ( profesore N. ), e cila do ta shoqëronte recitimin me melodinë e njohur “ Liqeni i Como-s” . Gjithshka i kushtohej kujtimit të një dashurie pa një puthje, që sot, për shumë të rinj, do të tingëllonte humbje kohe . ( “ Dashuri koti “, do të vinte i menjëhershëm reagimi i tyre ). Po atëhere qe kohë tjetër. Tjetër ishte dhe për ne, kur shumë nga mësuesit herëpashere gjenin rast dhe i mëshonin fort shprehjes: “ S’ka ç‘ju duhen dashuriçkat. Shikoni mësimet!”. Ne, domosdo, mësimet shikonim, por, kur e binte rasti dhe, në ndonjë film apo në disa rreshta të ndonjë libri, gjenim atë që na e ndalonin, fillonte festa. Këtë festë prisnin të gjithë dhe nga unë. Po nuk paskish qënë aq e lehtë. Provat që filluan mirë, ngaqë s’kisha vështirësi me gjuhën, një ditë prej ditësh ngecën. Të gjithë prisnin më shumë, po hajd’ ta gjeje atë më shumë.
“ Ore, ke dashuruar ndonjëherë ti ?”, thuajse më bërtiti në një pasdite provash profesor T . E dija që më donte dhe ngacmimi ishte më shumë intim, po si mund t’i thosha unë “ Po “?… Sa të merrej vesh do të tundej gjithë gjimnazi! “Jo”, i thashë me gjysmë zëri dhe me fytyrën flakë. “ Pse s’thua ti që ne po lodhemi kot “, tha ai, duke vërvitur me inat një shkumës, që mbante në dorën e zbardhur nga fërkimi tërë nevrik i shkumësit. ° Profesor…”, nxitova të flas pas pak, për ta rregulluar disi situatën.“ Ç‘profesor, profesor!…”, më ndërpreu ai, “ pjesa është me ‘dashuri. Këtu mungon ndjenja. Si mund të shprehesh ti kur nuk ke dashuruar asnjëherë ?”. “ Po unë kam dashuruar”, thashë, i penduar që e lëshova me nxitim atë bombë . Fytyra e profesorit ndryshoi dhe, nga gjithë nuancat e shprehjes, unë kapa vetëm ngrohtësinë e vështrimit, që u përforcua me një goditje dashamirëse grushti në gjoksin tim. Që prej atij çasti ndryshova “ kursin”, u hapa, natyrisht jo menjëherë, se kisha frikë mos fillonin romuzet. Po kaq mjaftoi që provat dhe shfaqja të pëlqeheheshin aq sa, pas skenës, shoket më përqafonin dhe nga salla nuk vonoi të vinte shprehja: “… të gjitha gratë ruse, duke të dëgjuar, kanë qarë “. Po njëra, ama, nuk qau …
…Çefranova. Ajo s’ishte në sallë dhe më dëgjoi më pas, në hollin e Shtëpisë së Kulturës, ku zhvillohej konkursi për Shkollën e Lartë për Aktorë. Unë nuk shkova kot atje. Besoj se kryesorja që më shtyu ishte dëshira e papërmbajtur për të mos u ndarë nga arti. Deri atëhere pikturoja, shkruaja, bile kisha botuar dhe prozën e parë poetike, por s’desha të isha amator. Dhe ja, papritur, u shfaq mundësia e artë : konkursi . Konkuruesit nuk ishin shumë dhe as që isha interesuar për përgatitjen e tyre, sepse…naiviteti më bënte të fluturoja : unë që kisha bërë të qanin të gjitha gratë ruse, me recitimin tim do t’i a nxirrja dy lotë dhe Çefranovës. Ajo ishte kryetarja e komisionit dhe vendimet i merrte vetë. Atypëraty, me shumë takt dhe me gjuhë të ëmbël, ajo më tha “Nuk fiton”. M’u desh një kohë e gjatë për ta marrë veten dhe të bindesha që kishte të drejtë. Unë s’kisha zë për aktor, pa le që më pas nisa ta kruaja shpeshherë laringun për ta pastruar zërin duke bezdisur dhe të tjerët.
Gjithsesi, arti jo vetëm që nuk më la të mërzitem, po më ka dhënë për vite të tëra kënaqësi të pafund. Sidomos nga ato që s’i mbaj dot për vete. Më është bërë zakon që kur gjej diçka të bukur apo interesante , ashtu si fëmijët, dua me domosdo t’ua tregoj të tjerëve. Nuk tërhiqem edhe sikur dikujt mund të mos i duket e tillë. Ja, edhe në këtë rast, me Turgenjevin. E kam pyetur, vërtetë, shpeshherë veten : Si ka mundësi që kujtesën vetem të fillimit poetik, si Ai dhe unë , ta kemi pasur njëlloj ?… Mirë, do të thoshte dikush, po kjo tingëllon ca e pabesueshme, duket si e sajuar. E çë, do të thosh ndonjë tjetër, me këtë fakt pa peshë e rastësor, për të mos thënë lartësues pa meritë të vetes, kërkon të na mbushësh mendjen se qëdron pranë e pranë me shrimtarin e madh?
Unë nuk do të ndruhesha për të thëne: “Po”. Sepse, asnjë nga të mëdhenjtë nuk ka qënë qiellor. Më të mirët kanë qënë ata që i kanë patur këmbët në tokë, që kanë qënë njerëz dhe, si njerëz, kanë patur gjëra të përbashkëta deri në hollësi me të tjerë. Një hollësi e tillë, e thurrur si filigranë, kushedi nga ç’ADN, më erdhi përpara syve, duke parë dhe dëgjuar një mëngjes shushurimëllokoçitjen e valëve të detit në bregun shkëmbor të qytetit tim. “Mos pe gjë trëndafilat nëpër dallgë dhe t’u kujtua Turgenjevi?…” mund të pyeste dikush. Unë do të isha i lumtur ta njihja atë dikush dhe t’i thosha pa nguruar: “Po”. Kushdo që të ishte. Mjaft që ai hyri në atë lekundje të ëndërrt trëndafilash, duke krijuar kështu një treshe njerëzish, që arti i lidhi me nje varg në dukje të thjeshtë, po që në kujtesën e tyre shfaqet përherë si mrekulli:
“ Sa të bukur, sa të freskët ishin trëndafilat ! “
31 KORRIK 2013
Viron Kona says
I dashur miku im Lame!
E lexova me kenaqesi te madhe dhe me emocion prozen tende poetike dhe u ndjeva mire. Mbase sepse me kujtove Vloren, mbase sepse me kujtove adoleshencen dhe endrrat e bukura te asaj moshe, e,tek e fundit me emocionoi sepse e ke shkruar ti, Lame, qe, veç se je nje mik i rralle,(cilido do te ishte i lumtur te te kishte mik),por sepse me kulturen tende dhe frymezimin poetik na transmeton ndjenja dhe perjetime te bukura,nga ato lloje ndjenjash qe pershkojne letersine dhe artin e vertete. Nje pjese ,qe ngjason me nje kopsht trendafilash,ashtu te bukur,terheqes,te fresket,e, aq me teper qe trendafilat, prej pese mije vjetesh, që në Persine e lashte, ishin simboli i shenjte i dashurise.
Proza eshte nderthurur bukur dhe bindshem me Turgenievin,por edhe me ndjenjat dhe mendimet e pashprehura te atyre mesuesve tane te mrekullueshem,qe ishin te detyruar te shprehnin vetem pjesen e dukshme te ajzbergut.Ti vertet nuk”fitove” ne ate konkurs per te cilin shprehesh ne prozen tende,por ti je nga ata personalitete qe je “zhytur” në aureolen e artit dhe te kultures,qofte me krijimtarine qe shkruan,drama,piktura,poezi,proza poetike,kritike letrare,publicistike, qofte edhe me personalitetin njerezor,si etalon i njeriut te ditur e te kulturuar. Une jam krenar qe jam miky yt dhe po me kete ndjenje krenarie dhe emocioni te shprehe pergezimet per kete proze poetike me kaq shume mesazhe per dashurine dhe jeten.
Perqafime,falenderime dhe urime,
Viron Kona