
Dr. Nikollë Loka/
Sali Çeka lindi në Filat të Çamërisë, në një familje atdhetarësh, më 20 gusht 1892. Në kushtet e terrorit të egër osman, që në moshë të re, ai mësoi të shkruante e të lexonte shqip. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm në gjimnazin e Janinës. Që kur ishte në bankat e shkollës, botoi shkrime në gazeta përparimtare të kohës, si: “Zgjimi i Shqipërisë”, “Korça”, “Bashkimi i Komit”, etj, ku me guxim mbrojti të drejtat e shqiptarëve për liri e progres shoqëror, duke i çjerrë maskën politikës mashtruese të xhonturqve. Ai u bë një ndër veprimtarët kryesorë, në rradhët e nxënësve të Janinës, anëtar i shoqërisë “Toskëria”, që luajti një rol të rëndësishëm në organizimin dhe bashkërendimin e përpjekjeve të Idadijes në mbështetje në veprimtarisë atdhetare të klubit “Bashkimi”. I tillë ishte rasti i pjesëmarrjes në lëvizjen mbarëkombëtare për mbrojtjen e alfabetit të njësuar në gjuhën shqipe me shkronja latine. Në atë kohë Sali Çeka botoi një shkrim në gazetën “Korça”, ku iu kundërvu përdorimit të abetareve me shkronja turko-arabe”.
Studimet e larta Çeka i kreu në Institutin Pedagogjik të Besansonit, në Francë. Ishte dërguar atje me bursën që iu dha si nxënës me përfundime të shkëlqyera në mësime. Ai qe nga të parët, që u vu në shërbim të Qeverisë shqiptare të Vlorës, për të shërbyer si mësues. Më 27 shtator 1913, emërohet mësues në Normalen e Elbasanit, ku u shqua për përgatitje të mirë shkencore, aftësi të veçanta si mësimdhënës dhe për ndërgjegje e pasion të lartë në kryerjen e detyrës. Që nga ajo kohë ai kryen detyra të rëndësishme: drejtor dhe inspektor i arsimit në Berat (1916), mësues në Normale (1917), sekretar në kryesi të kabinetit që doli nga Kongresi Kombëtar i Lushnjes (1920), anëtar i Komisisë arsimore (1920), drejtor i shkollës Normale (1921), kryeinspektor i arsimit në Elbasan (1922) dhe inspektor i Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit(1922) etj.
Arsimi në Shqipëri në fillim të viteve 1920 u përfshi në përpjekjet për kombëtarizimin, demokratizimin, laicizimin dhe njësimin e strukturës e përmbajtjes së shkollës shqipe. Pjesë e kësaj lëvizjeje u bënë forcat më progresiste të shoqërisë shqiptare. Por rruga e zhvillimit të arsimit u përball me vështirësi dhe pengesa, që lidheshin me faktorë ekonomikë dhe social-psikologjikë. Parimet bazë të ndërtimit të shkollës së re shqiptare Sali Çeka i ka formuluar në “Revistën Pedagogjike”, të cilën e drejtoi vetë që nga numri i saj i parë (shtator 1922 e deri në numrin 11, korrik 1923); në ligjet që ka hartuar e janë miratuar në Këshillin Kombëtar gjatë vitit 1922-1923, kur kryente detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit; në tekstet e gjuhës, aritmetikë e shkencës, që ka hartuar e botuar. Në kongreset arsimore të viteve 1922 e 1924, ka marrë pjesë dhe ka luajtur rol të rëndësishëm, duke u radhitur në krahun e forcave më përparimtare të kohës. Sali Çeka ishte për një shkollë të re me orientim perëndimor e mbështetur në parime demokratike, që të synonte edukimin e brezit të ri me dashuri për atdheun e diturinë. Rëndësi të veçantë ai i jepte arsimimit të femrës shqiptare, gjë të cilën e ka shprehur në disa shkrime dhe në fjalën e tij në Kongresin Arsimor Kombëtar të vitit 1924. Ai e kishte aftësuar bashkëshorten e tij dhe e bëri mësuese të vajzave në Elbasan që në vitin 1916.
Një nga meritat e Sali Cekës për demokratizimin e arsimit është ndihmesa që ai ka dhënë për shkollën laike shqipe. Në vitet 1920-1924, polemika ndërmjet mbrojtësve të idesë së shkollës laike me kundërshtarët e saj, merr forma të mprehta. Gazeta “Ku Vemi?” ,e drejtuar nga vetë ai, u bë tribunë e përparuar e kësaj polemike, ku shprehu pikëpamjet e tij demokratike në mbrojtje të idesë së shkollës laike, duke iu kundërvënë konceptit të klerit, sipas të cilit shkollat duhet të ishin veç për fëmijët e krishterë dhe veç për fëmijët myslimanë. Me veprimtarinë mjaft të pasur, megjithë jetën e shkurtër, si veprimtar për liri e pavarësi, për demokratizimin e jetës së vendit, si përkrahës i laicizmit të shkollës dhe organizator e reformator i shkollës kombëtare, si zbatues i medodave bashkëkohore në mësimdhënie, si hartues i disa teksteve mësimore, Sali Çeka zë një vend të nderuar në radhën e atdhetarëve të shquar të kohës dhe të historisë së arsimit tonë kombëtar. Në vitin 1920, botoi në Elbasan “Këndim i shpejtë e i shpjeguem për rendin III-IV të shkollave fillore”. Në vitin 1921 përshtati e botoi në Tiranë “Libri i parë i njehsimit” për shkollat fillore, rend i parë. Më 1923 botoi në Tiranë “Mësime mbi shkenca fizike e natyrore me zbatime në shëndetësi, bujqësi, në industri”, në dy pjesë. Të dy këta libra u ribotuan në Vlorë më 1927 dhe në Tiranë më 1928. Përveç këtyre botimeve, Sali Çeka ka bërë disa përkthime me karakter pedagogjik.
Edhe në fushën e kulturës spikat kontributi i Sali Çekës në grumbullimin e vlerave të krijimtarisë folklorike, letrare e asaj gjuhësore të popullit, si dhe ngritjen e institucioneve dhe organeve të shtypit për botimet e tyre. Më 1918, në Elbasan ngrihet shtypshkronja e parë, lajmin për themelimin e së cilës e jep Sali Çeka.
Krahas punës arsimore, Sali Çeka ka kryer një veprimtari të gjërë politike, sidomos për demaskimin dhe çrrënjosjen e mbeturinave të feudalizmit. Për këtë arsye, populli i krahinës së Sulovës në Qarkun e Elbasanit e zgjodhi deputet dhe përfaqësues të tij në Kongresin Kombëtar të Lushnjës në vitin 1920, si përfaqësues i Sulovës dhe i Dumresë. U zgjodh sekretar i Këshillit të Ministrave. Në detyrën e zgjedhur u mor me organizim, drejtim e gjithçka që kishte të bënte me programin, zbatimin e tij dhe mbarëvajtjen e punëve, si dhe me dokumentacionin e Kuvendit të Lushnjës. Kultura e tij energjike, vendosmëria për t’i çuar objektivat deri në realizimin e tyre, e ngritën figurën e tij në nivelin më të lartë si pjesë e pandarë e suksesit të kësaj ngjarjeje madhështore të historisë sonë mbarëkombëtare. Ai luajti një rol aktiv gjatë seancave të diskutimeve dhe në komisionet ku u zgjodh pjesëmarrës. Tribunë e pikëpamjeve politike të tij u bë gazeta “Ku vemi?, të cilën ai e drejtonte vetë.
Pikëpamjet politike e shoqërore të Sali Çekës në periudhën 1920-1924, kanë qenë demokratike. Në këtë periudhë, Elbasani, karakterizohet nga një luftë klasore ndërmjet dy grupimeve të rëndësishme politike i “Pleqsorëve”, që përfaqësonte interesat e feudalëve të mëdhenj, si Shefqet Vërlaci etj, dhe grupi i “Popullorëve” që shprehte interesat e borgjezisë së re dhe të intelektualëve atdhetarë. Në prag të zgjedhjeve të dhjetorit 1923 diferencimi klasor u bë mjaft i mprehtë. Në situatën e ashpër të luftës klasore u krijua në Elbasan grupi politik “As i pashës as i beut”, me kryetar Ahmet Dakli dhe anëtarë të rëndësishëm Sali Çeka, Rrapush Demeti, Hysen Plangarica, Kamber Shabani, Ibrahim Hastopalli, Thanas Floqi.
Ky grup doli me një platformë të pavarur politike, e cila shquhej për tendenca të mprehta demokratike dhe kombëtare. Pjestarët e tij kërkonin përfaqësimin e mendimit të popullit, të vegjëlisë dhe jo të pashës e të beut. Në programin e këtij grupimi politik kërkohej edhe sigurimi i sovranitetit të popullit në Parlamentin kombëtar, zgjedhjet të ishin të drejtpërdrejta dhe të fshehta, të garantohej me ligj liria e fjalës e shtypit, heqja e sistemit të taksave të rënda mbi popullsinë etj. Në këtë frymë përparimtare me karakter demokratik një meritë të veçantë ka dhe Sali Çeka, si një nga anëtarët më aktivë që luftoi kundër synimeve uzurpatore dhe obskurantiste të Shefqet Vërlacit.
Më 1 shkurt 1925, Sali Çeka vritet në fshatin Selvias të krahinës së Sulovës së Elbasanit nga reaksioni feudal dhe forcat obskurantiste të kohës”. Eshtrat e Salih Çekës sot ndodhen në varrezat e dëshmorëve të atdheut në Elbasan. Në shtëpinë ku ai jetoi, është vendosur një pllakë përkujtimore, ndërsa në vendin ku u vra më 1 shkurt 1925, ndodhet lapidari në kujtim të tij.
Sali Çeka është shpallur “Dëshmor i Atdheut” dhe mban titullin “Mësues i Popullit”. Këshilli i Qarkut Elbasan dhe Këshilli i Bashkisë së këtij qyteti i kanë dhënë titujt “Qytetar nderi” i qarkut Elbasan dhe “Qytetar nderi” i Bashkisë Elbasan. Shkolla e mesme industriale në Elbasan mban emrin e tij.