Shkruan Eugen SHEHU/
Si rrallë kush në histori,kombi ynë është shquar për një harmoni të mrekullueshme fetare.Ngase shekujt përplasen mbi të rrebeshe luftërash të gjata,ngase fqinjët dhe pushtuesit tanë ndër mote na u vërsulën për të na zhdukur si komb si racë e si fe,ndaj në vetëdijen tonë nacionale u ngjiz në mënyrë emblematike ideja e madhe „Pa Atdhe nuk ka Fe“.Udhëheqësit shpirtëror të çdo konfesioni fetar në trevat shqiptare,të udhëhequr nja kjo sentencë magjike,udhëhoqën gjenerata të tëra drejt altarit të madh.Atdheut.Padyshim,në vargun e madh të këtyre burrave bën dritë edhe emri,jeta dhe vepra e Hirësisë së Tij,Kryemyftiu i Shqipërisë dhe Kosovës së atëhershme,Salih Muftija.
Lindi në qytetin e Shkodrës,në vitin e largët 1891.Shkodra e atyre viteve,ndonëse po humbiste dalëngadalë shkëlqimin e qytetit të madh të dikurshëm,ruante ende hijeshinë e shtëpive të mëdha me kopshte gjithfarësh, e dyqane mëndafshi dhe armëve e xhamive dhe kisha katolike të cilat kundruall njëra-tjetrës,ishin simbol harmonie.Në ag të shekullit të XX-të,Shkodra ruante ende dhimbjen që ndjente për ndarjen e tokave në veri të saj prej Traktatit të Shën Stefanit,me çrast trevat shqiptare iu dhuruan Malit të Zi.Ky qytet i kontrasteve të mëdha do të linte gjurmët e veta në shpirtin e pastër të Salihut të vogël. I rritur në një shtëpi ku besimi muhamedan adhurohej në shekuj,Salihu 7 vjeçar do të ndiqte një shkollë turke të qytetit në vitet 1898-1904.Prindërit shihnin tek djaloshi jo vetëm zellin e madh për të mësuar,por edhe respektin e madh të tij për shokët dhe mësuesit.Tejet i urtë,me një pjekuri gati të parakohshme,Salihu krahas detyrave të shkollës do t’i ndihmonte në shtëpi sadopak edhe prindërve të vet.Në vitet e para të shekullit XX,në Shkodër,ashtu si në krejt Shqipërinë,së toku me lëvizjen kombëtare për autonomi,nisën të çelen dhe të parat shkolla të gjuhës shqipe.Pamvarsisht reaksionit të egër të Portës së Lartë,që këto shkolla të mbylleshin,atdhetarët shqiptarë vijuan punën e tyre duke ngarendur të sjellin lirinë e trojeve të tyre me pushkë dhe me punë.Ndonëse nxënës në një shkollë të mesme fetare,Salih Muftiu ishte në radhët e parë të atyre që mësonin dhe përhapnin gjuhën e bukur shqipe.
Veçanërisht pas Kongresit të Manastirit të vitit 1908,ku lufta midis alfabetit të shqipes u ashpërsua,Salih Myftiu mbeti kurdoherë përkrahës i flaktë i alfabetit me gërma latine,i cili do të çonte gjuhën e bukur shqipe në familjen e madhe të gjuhëve me identitete të lashta kulturore të botës së civilizuar.Kur kishte mbaruar shkollën fetare të qytetit,Salih Myftia,pos njohurive të thella të besimit islam,zotëronte edhe turqishten e vjetër(osmanishten) dhe arabishten,por gjithsesi shqipja e folur dhe e shkruar do të ishin përkujdesjet më të mëdha të djaloshit Shkodran.I paisur me virtytet e larta të moralit fetar,Salih Myftia,do të shquhej në fillim të viteve 20-të të shekullit të kaluar,jo vetëm për cilësinë e tij shpirtërore,por edhe për shqiptarizmin brenda vehtes.Trazirat ballkanike do të linin gjurmët e tyre në qytetin e Shkodrës,ndërsa atdhetari Salih Myftia kujdesej për dhimbjet në shpirtërat e bashkëqytetarëve të vet që largoheshin sa më parë.Një ngjarje e gëzueshme,do të përcillej ndër besimtarët mysliman,në pranverën e vitit 1923,ku më 24 shkurt të atij viti,në sallën e shoqërisë „Djelmnia Dibrane“ në Tiranë u mbajt Kongresi i Parë Myslimanë,i cili shënoi pamvarsinë e xhamisë shqiptare.Ndër vendimet e marra aty dhe detyrat e shtruara,ky kuvend pavarsie i besimtarëve mysliman shqiptarë,kërkonte pos të tjerave një interpretim më konkret dhe të lirshëm të besimit islam,përkthimin e Kur’anit në gjuhën shqipe dhe ushtrimin e riteve myslimane po në atë gjuhë,duke përfshirë madje edhe ceremoninë soleme. Gjithashtu, Kongresi në fjalë kërkoi krijimin e një besimi islam civilizues,në luftë të papajtueshme me rregullat e ngurta.Madje ndër arritjet e këtij Kongresi do të ishte padyshim ideimi dhe miratimi i dokumentit bazë që realizonte shpalljen e pavarsisë së xhamisë shqiptare, nga Turqia, „Statutit të Xhema-atit Musliman Shqiptar“.Ky Statut përjashtonte dhe ndalonte çdo autoritet shpirtëror jashtë Shqipërisë,duke e paraparë ate si „kundër idealeve të nalta kombëtare“.(Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë.Fondi 882, dosja nr.1, fleta 13 ).
Salih Muyftia,do të ishte ndër të parët klerikë të qytetit të vet,që nisi të përcjellë ndër besimtarët, mesazhet e Kongresit,veçanërisht në Shkodër,aty ku kultura qytetare,vinte së lashti dhe besimi islam bashkëjetonte me atë katolik,ndihej e domosdoshme që idetë e pavarsisë së xhamisë,të përcilleshin me frymë kombëtare,me tolerancë e sidomos me kulturë të pasur shqiptare.
Salih Myftia në këto vite do të merrte pjesë në mjaft rite në gjuhën shqipe.Ai do të përkthente pjesë të ndryshme të Kur’anit,do t’i shqipëronte ato,do t’ua spjegonte besimtarëve musliman,pa harruar të ndriçojë edhe dashurinë për atdheun.Në fund të viteve 20-të,të shekullit të kaluar,me vendim të posaçëm të Këshillit të Naltë të Sheriatit,Salih Myftia do të emërohej Myfti i Shkodrës dhe Kosovës
Për vite me radhë duke qëndruar në këtë funksion kaq të lartë shpirtëror,Hirësija e tij Salih Myftia u shndrrua në një shenjtë të shqiptarizmës,jo vetëm Shkodra,Gjakova e Prizëreni por deri në Prishtinë e Preshevë,Drenicë e Pollog,Kumanovë e Manastir,zëri i tij i ngrohtë ai zë që përhapte gëzim e shpresë hyri vatër më vatër e zemër më zemër shqiptari.Kudo ku shkeli këmba e tij dyert u çelën dhe besimtarët e rrethuan me dashurinë e të birit për atin.Fjala e tij e hijshme,kultura e thellë poliedrike,toleranca e mahnitshme,ishte arma më e mirë që besimtarët Islam të Kosovës,u jepnin udhëheqësve mjeran të kishës ortodokse serbe,të cilët askurrë nuk rreshtën së propaganduari për kinse islamin aziatik të shqiptarëve.Kjo ripërtëritje e besimit tek shqiptarët,në dimensione të reja,do të bënte që shumë diplomatë të Evropës të habiteshin,me kte kulturë fetare e njerzore,madje shkrimtari i madh frances De Myse do të shkruante „Në Shqipëri është vendosur që kleri të shkëputet përfundimisht nga autoriteti hierarkik të Stambollit“.Ndërsa e përditshmja „Temps“ e Parisit duke folur mbi reformat me fytyrë evropiane të xhamisë shqiptare,përfundonte se „këto masa kanë bërë përshtypje të madhe në tërë botën Muhamedane“.
Prilli i zi i shqiptarëve,do të trondiste padyshim edhe shpirtin e ndjeshëm të Hirësisë së Tij,Salih Myftia.Ndërsa djelmnia Shkodrane po armatosej për t’a pritur okupatorin me luftë,ky prijës shpirtëror,nuk mund të kryente rite fetare brenda katër mureve të xhamisë.Me Kur’anin në duar,me atë zërin kumbues,me sytë që bënin dritë në qiellin plotë re të Shkodrës,ai do të shkonte pozicion në pozicion,do të bekonte lutëtarët do t’u kujtonte atyre sentencën proverbiale shqiptare se „Pa Atdhe ska Fe“ dhe do tju kujtonte nderin që kanë Sheitët për Vatanin.Ka qenë kjo arsyeja që vetëm dy muaj pasi italianët pushtuan Shkodrën,komanda ushtarake thërret në zyrën e vet Hirësinë e Tij Fashistët duke pasur informata të shumta rreth veprimtarisë së tij atdhetare,kërkojnë që ky vullnetarisht të tërhiqet,duke u lutur i qetë në ndonjë xhami të vetmuar fshati.Por Hirësija e Tij,Salih Myftia,me fuqinë e fjalës dhe guximin e lartë ka replikuar me pushtuesit e vatanit.Pos kësaj së toku me djalin e tij,komanda italiane e internoi Salih Myftinë në Gjirokastër.Gati 14 muaj që Hirësija e Tij qëndron në Gjirokastër nuk iu tremb aspak kërcënimeve të pushtuesit italian.Edhe pse nën survejimin e forcave pushtuese,nën preteksin e riteve fetare,ai do të grumbullonte rreth vehtes dhjetra dhe qindra djem të rinj nga Gjirokastra,Tepelena,Vlora e Delvina,duke folur atyre të hidhnin armët krahut,t’i dilnin zot vatanit si gjëja më e shenjtë e njerzimit.Ende sot në qytetin e Gjirokastrës të moshuar mbajnë mend,se Salih Myftia do të rrinte sidomos në shoqërinë e atdhetarit të shquar Dervish Rexhebit,në teqenë e Zallit.Rreth këtyre dy njerëzve të Perëndisë,netëve të gjata të viteve 1939-1940 do të mblidheshin ajka e nacionalsitëve të jugut,ata që më pas,do të luftonin trimërisht kundër italianëve,gjermanëve dhe komunistëve të Tiranës e Beogradit.
Në shtatorin e vitit 1940,Hirësija e Tij,Salih Myftia,me gjithë të birin Fuatin kthehen në Shkodër.Në ditët e para të kthimit Hirësija i myslimanëve të Shkodrës dhe Kosovës,thirret sërisht në zyrat e kuestrës italiane dhe këshillohet që në ceremonitë muhamedane (faljen e Xhumasë) së paku të mos flitet për Italinë.Me urtësinë karakteristike,Imam Salih Myftia iu përgjigj oficerëve italianë se ai do t’u flasë bashkëkombasve të vet,vetëm për Shqipërinë,ç’ka linte të nënkuptohej se nuk mund të rreshtëte së luftuari për lirinë e vatanit.Tanimë,ky at shpirtëror,do të mblidhte netëve të vona në shtëpinë e vet,në Shkodër, burra të tillë si Jup Kazazi,Faik Quku,Lec Kurti,Zef Pali,At Gjergj Fishta etj.Ajo shtëpi do të kthehej në fole të shqiptarizmës edhe për faktin tjetër se aty do të bujtin dhjetra trima nacionalistë të Kosovës,të cilët duke marrë shpresë nga ati i tyre,ngarendnin për të mbrojtur kufijtë etnike,në radhët e Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare.
Në vitet 1942-1943,atëherë kur lufta kundër okupatorit kërkonte në krye një shtab të sprovuar politikisht dhe luftarak,veçanërisht në kushtet kur Marveshja e Mukjes u tradhëtua,Hirësija e Tij,Salih Myftia,ashtu si kundër me dhjetra atdhetarë shqiptarë,u përpoq me çdo mjet e mënyrë për kthimin në Shqipëri të Mbretit të shqiptarëve,Ahmet Zogu.Ai ishte i ndërgjegjshëm se vetëm një personalitet politik dhe atdhetar si Ahmet Zogu,mund ta nxirrte varkën e Shqipërisë nga stuhitë e Luftës së Dytë Botërore dhe për më tej,mund të luftonte komunizmin deri në fund.“Një nga punët më me vlerë që ka ndërmarrë hirësija e tij,është themelimi i „Besës Shqiptare“,organizatë kjo kombëtare me një aktivitet politik për rikthimin e Monarkisë në Shqipëri.Bashkëpuntorët e Hirësisë së Tij në këtë veprimtari kanë qenë figura të shumta të nderuara dhe të repsektuara në Shkodër dhe në Shqipëri si : Ndue Coba,ish kryetari i bashkisë së qytetit,vëllezërit Gera,Shefqet Muka,Kol Kiri,Hajdar Rusi,Rasim Boksi,Et’hem Rama,Llesh Marashi,Gjelosh Luli,Ragip Lohja etj.Kjo organizatë kishte dhe organin e vet kulturor politik „Jehona e Rinisë“ ku kanë kontribuar mjaft të rinj shkodranë si Ibrahim Sokoli,Fadil Podgorica etj“(Gazeta“Drita Islame“Shkodër janar 1995
Sidoqoftë në vjeshtën e vitit 1944,rrjedhat e fuqishme të Luftës së Dytë Botërore po përcaktonin në mënyrë fatale „fituesit“ dhe të „mundurit“.Shqipëria sipas klikës komuniste hynte në vendin e „fitimtarëve“ kinse pati shporur okupatorin,por mbulonte krimin e vëllavrasjes.Por një okupator ende më i urryer,ende më i pabesë,një okupator që ndante në dysh shqiptarët për t’i ndërsyer kundër njëri tjetrit,po hidhte rrënjë në tokën arbërore.Komunizmi,ajo murtajë e kuqe ardhur prej stepave ruse pati filluar sulmin e parë të tij,të përgjakshëm ndaj nacionalizmit të ndershëm shqiptar.
Të grumbulluar në Veri të Shqipërisë,prijësat e nacionalizmit shqiptar,për ditë e më shumë,po përballeshin me vëllavrasjen komuniste.Të mbledhur në shtëpinë e madhe të Hirësisë së Tij,Salih Muftia,burrat e kombit si : Mid’hat Frashëri,Ali Këlcyra,Dervish Rexhepi,Hasan Dosti,Gjon Marka Gjoni,Zef Pali,Vasil Andoni etj,menduan që të shmangnin sa më shumë vëllavrasjen duke mërguar nga atdheu që i lindi dhe i rriti.Kështu së bashku me djalin e madh të tij,Fuatin, Myftiu i Shkodrës dhe i viseve të Kosovës së bashku me dhjetra e dhjetra nacionalistë të tjerë,në natën e ftohtë të 17 nëndorit,marrin udhën e mërgimit.Fillonte në këtë mënyrë një jetë e re për ajkën e nacionalizmit shqiptar.Fillimisht ata u vendosen në disa gazerma ushtarake,pothuajse në internim të plotë, megjithatë përballë lajmeve ogurzeza që vinin nga Shqipëria,matan detit burrat e mëdhenj nuk u ligështuan.Ata e patën vendosur të largohen prej atdheut,për të vazhduar luftën pa kompromis kundër komunizmit.Në kujtimet e tij nacionalisti i shquar Baba Rexhepi,(asaj kohe dervish Rexhepi),do të shkruante : „Në ditën e 28 nëndorit 1944,pa rënë akoma dita,ndjej disa të trokitura në penxhere,çohem dhe shoh Sailh Myftinë.I hap derën e odës dhe nis t’i bëj kafe.Më thotë „çdo t’u themi djemve sot dërvish ?“ Unë iu përgjigja „Zotëria juaj e di më mirë !””Jo,jo,më tha,për flamurin dimë të gjith ne të flasim,por unë fola me Mid‘hat Beun dhe ai donte që ne të dy të përshëndesim sot se dita e flamurit është e shenjtë“.Ramë dakord të përshëndesim të dy.Më kujtohet se pak fjalë tha Zotërija e tij,Salih Myftija.“Kemi dy vëllezëri,tha ai,fetare dhe kombëtare.Të dyja këto nuk janë krijuar për të na ndarë,përkundrazi për të na bashkuar.Lum kush i shërben këtij bashkimi,Zoti e do dhe e bekon atë njeri“.
Dalë nga dalë vështirësitë e para nëpër kampet e Italisë po kaloheshin.Organizatat ndërkombëtare për refugjatët,me veprimtarinë e tyre,parapanë edhe sistemin e emigrantëve politikë shqiptarë.Dhe ndërsa bota e qytetëruar kërkonte rregullimin e jetës normale të tyre,regjimi komunist i E.Hoxhës,modeli më i urryer i regjimit stalinist,nuk linte gur pa lëvizur,të kthente në Shqipëri ajkën e nacionalizmit,ose siç i kishte etiketuar ai „kriminelët e luftës“.Nuk mjaftoi dënimi në mungesë që iu dha këtyre burrave po bënte çfar ishte e mundur nëpërmjet sugurimit famkeq dhe Oznës jugosllave,për t’i sjellë në Shqipëri këta patriotë dhe për t’u dhënë dënimin fizik.Në një listë që regjimi i Tiranës,i ka dërguar Romës më 1946 për ekstardimin e „kriminelëve të luftës“,midis emrave të Mid’hat Frashërit,Ali Bej Këlcyrës,Vasil Andonit,Gjon Marka Gjonit,Mehdi Frashërit,Kol Mirakajt,Abaz Kupit etj,është dhe emri i nderuar i Salih Muftiut.Por forcat me të vërtetë demokratike,brenda qeverisë italiane,nuk lejuan një veprim të tillë,i cili binte ndesh me Kartën për të Drejtat e Njeriut,ata e dinin fort mirë se i vetmi „krim“ i atdhetarëve shqiptarë ishte se i patën shpallur luftë komunizmit.I ftuar personalisht nga Mbreti Zog,Hirësia e Tij,Salih Mytia,në krye të delegacionit të nacionalistëve shqiptarë,i drejtohet në vitin 1947,Egjiptit.
Ai pritet me nderime nga mbreti i shqiptarëve por edhe prej personaliteteve të larta të botës arabe.Erudicioni mahnitës i burrit të Shkodrës,njohja e disa gjuhëve nga ana e tij dhe sidomos çiltërsia me të cilën hynte në bisedë,e rritën dukshëm personalitetin e Salih Myftisë.Për vite me radhë ai i përkushtohet veprimtarisë fetare atje,duke u shêndruar në një udhëheqës shpirtëror jo vetëm për shqiptarët e Egjiptit,por edhe për mijëra besimtarë të tjerë mysliman,që admironin bukurinë dhe forcën e fjalës së tij.Tani mosha e tij po thyhej dhe Salih Myftia,ndjente të kishte kurdoherë në krah,birin e tij Fuatin,i cili duke ecur në gjurmë të ndershmërisë të jatit,po formonte dita-ditës personalitetin e vet.
Ka qenë 8 korriku i vitit 1965 kur Hirësia e Tij Salih Myftia largohet nga Egjipti dhe së toku me birin e vet Fuatin marrin vaporin „Queen Mary Ann“ për në Amerikë.Një korrespondencë disa vjeçare me nacionalistët shqiptarë në SHBA e kanë detyruar udhëheqësin shpirtëror 74 vjeçar,të marrë udhë për atje me qëllim të çojë në shtëpitë shqiptare atje fjalën e Zotit,ndër gjenerata të tëra emigrantësh.Me ndihmën e drejpërdrejt të tij me forcën e mendimit dhe të fjalës ndërton brenda një periudhe të shkurtër kohore qendra islame në Nju Jork dhe Nju Xhersi.Ndërkohë që ai lartësonte tempullin e besimit islam në SHBA,në atdheun e vet në Shqipëri,komunizmi i pa fe,po rrëzonte tok me veprat fetare të kultit dhe vetë besimin tek Zoti,ndër shqiptarët e mjerë të shpërfytyruar prej varfërisë shpirtërore dhe asaj lëndore.Gjatë kohës që Hirësia e Tij,Salih Myftia,po ngrinte këto dy qendra,si dhe xhaminë e Nju Jorkut,marimangat e tradhëtisë komuniste bënë çështë e mundur të sabotonin.Por pamvarsisht prej moshës,Salih Muftia,vazhdoi punën plot pasion,i rrethuar kurdoherë nga dashuria që ushqenin për të besimtarët prej Shkodre,Lume,Dibre,Vlore, Kosovës,Maqedonisë Shqiptare e më gjërë nga gjitha trojet etnike shqiptare.Përpara se të ishin qendra të edukimit fetar,ato qendra në SHBA u kthyen në fole të shqiptarizmës,në një informacion që i dërgohet Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë,në vitin 1965,lidhur me Sali Muftinë pos të tjerave shkruan se ; „Bën propagandë të hapur kundër partisë dhe shtetit tonë“.(Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme.Dosja e Salih Myftisë,dok 147 ).
Por pamvarsisht prej këtyre rrjeteve të marimangave komuniste,Hirësija e Tij,ndonëse me dhembjen e madhe në gji,për persekucionin mesjetar në shqipëri (familja e tij jetonte kalvarin e kampeve të punës) ai do të vazhdonte të denonconte masakrën komuniste,madje do t’i lutej Zotit që ajo të përfundonte sa më parë.I edukuar me tolerancë mahnitëse fetare,Hirësia e Tij,Salih Myftiu,do të thirrej shpesh në ceremoni edhe të kishës ortodokse apo katolike shqiptare.Në çdo rast,në çdo fjalë të shprehur,ai do të përcillte mesazhin e bashkëpunimit,e vëlaznisë shqiptare.Në vitin 1972,në bashkëpunim me Imam Isa Hoxhën,Hirësia e Tij,Salih Myftia,mundi të hapë klasën e parë të shkollës fetare.Ndonëse i shkuar në moshë,ai do të jepte vetë orët e para të mësimit,duke i lumturuar nxënësit muhamedanë me flakën e shpirtit dhe të fjalëve.
Më 19 maj 1978,kur kishte 87 vjet moshe,Hirësija e Tij,Salih Myftia,ndahet përgjithmonë nga bota lëndore.Pas kësaj shpirti,fjala dhe vepra e tij bëhen pronë e të gjithë besimtarëve sepse një shpirt mëmëdhetar,në mënyrë krejt vetëdijshme,u përket të gjithë bashkëkombasve.