• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LURE’49-MISIONI I MADH I PRERË NË MES

September 15, 2017 by dgreca

KUVENDI I LURËS i  28 GUSHTIT 1943, MISIONI  I  MADH I PRERË NË  MES/1 Mithati Abazi Ne Foto: MIT’HAT FRASHËRI  DHE  ABAZ KUPI  –  Londër 1949/

Shkruan:Eugen SHEHU/

eugen_shehu[1] Pas firmosjes nga ana e nacionalistëve shqiptarë dhe nacionalçlirimtarëve,të marrveshjes së Mukjes,si edhe krijimit të komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë me atributet e një qeverie provizore,u duk se fatet e shqiptarëve do të ridhnin ndryshe.Vërtet se Shqipëria ishte futur pa dashur në vorbullën e luftërave,por në Mukje u parapa se fryma e mirëkuptimit dhe vëllezërisë do t’a çonte vendin drejt një të ardhmje të sigurtë.Pikërisht me këtë meszh të madh,burrat e shquar të kombit tonë,Mid’hat Frashëri,Abaz Kupi,Hasan Dosti,Ali Bej Këlcyra etj,iu drejtuan trevave të Veriut të shtetit amë,duke u kumtuar bashkimin e madh,për çlirimin e kombit dhe atdheut,sa më parë.

Lajmi i rënies së Musolinit,u përcoll me përqafime e këngë patriotike qysh në Mukje,por kjo s’do të thoshte se lufta kish mbaruar.Forcat italiane zotëronin qytetet më të mëdha të Shqipërisë dhe qëndrimi i mëvonshëm i tyre do të varej prej Romës.Ndërkaq,që në ditët e para të gushtit 1943,komanda gjermane e Beogradit,pat dërguar disa reparte speciale të saj,në fushat e Aviacionit të Tiranës,Shkodrës,Shijakut,Kuçovës,Berat e Vlorës.Zënia e menjëhershme e këtyre fushave dhe masat e larta të sigurimit,parakuptonin ofensivën e shpejtë gjermane në shtetin amë shqiptar.Për RAIHUN E TRETË ngushtia detare e otrantos kishte një rëndësi të jashtzakonshme.Përmes kësaj ngushtice detare,mund të depërtonin në Ballkan,focat Aleate me ç’rast mund të goditnin në shpinë ato gjermane.Pikërisht për këtë shkak thjesht gjeografik,fati i shqiptarëve do të përkundej ende në dallgë detesh.Midis kapitullimit të ushtrisë italiane,ardhjes së ushtrisë gjermane si edhe rritjes së hovit të aradhave nacionalçlirimtare me ndihmat e mdhaja serbosllave,nacionalistët shqiptarë ngarendën të thërrasin bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje,krahine dhe ideje,për mos t’a lënë atdheun e tyre si plaçkë lufte në duart e të huajve por të përpiqeshin e luftonin për indipendencën e trojeve etnike.Në të njejtën kohë,inkursioni i nacionalistëve shqiptarë drejt trevave veriore në gushtin e vitit 1943,lidhej padyshim me vendimin e marrë në mukje për vetvendosjen e Kosovës. Nëse në vitin 1943,midis shtetit amë,Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare realisht nuk egzistonin kufij,shtrirja e frymës së Mukjes edhe në këto treva,do të krijonte premisa më të lehta,për ardhmërinë etnike të shqiptarëve.Kërkesa e natyrshme e nacionalistëve shqiptarë që viset e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare,t’i bashkangjiten shtetit amë i shkonte për shtat parimeve të lirisë së kombeve,të shprehura në kartën e Helsinkit,apo dokumentet të tjera të bashkësisë ndërkombëtare.

Por ndërsa burrat atdhetarë të Shqipërisë,shkonin nëpër malet veriorë të Shqipërisë,për të lidhur besën që të luftohej si kundër okupimit të shkuar edhe kundër serbosllavëve,në kampin komunist shqiptar,ngjarjet vraponin në kahje tjetër.Me të mësuar mbi vendimet e marra në Mukje,udhëheqësia e lartë e beogradit shoven,reagun menjëherë me ashpërsinë e tyre,sidomos ndaj emisarëve të tyre ushtarak në Shqipëri.Me dhjetra telegrame e dokumente të tjera,rrëfejnë zemërimin e beogradit dhe kërkesat e tyre për të përmbysur gjendjen e krijuar.Është kjo aryseja që në mesin e muajt gusht,Miladin Popoviqi,nga shatbi i përgjithshëm nacionalçlirimtarëve, i raporton pos të tjerave beogradit se ;”Kemi biseduar me shokët kryesorë të Komitetit Qendror të PKSH dhe studiuar çështjen,situatën dhe atëherë vendosëm që të nxjerrim një trakt ku të shpreheshim që të mos njihej mënyra e organizimit të komitetit për Shpëtimin  e Shqipërisë dhe as funksionimi i tij si instanca më të larta në luftën nacionalçlirimtare”. ( V.Dedijer. ”Marëdhëniet shqiptaro jugosllave” – Beograd 1949 ).

Pra komunistët jugosllav me mision në Shqipëri në muajin gusht 1943,u hodhën në sulm për të prishur samëparë marrveshjen e mukjes,me ç’rast do ta kishin më të lehtë,në të pastajmen, problemin e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare.Vukmanoviç Tempoja ish-anëtar i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë NCJ dhe i dërguar i Titos në Shqipëri,u lidh më 10-15 gusht menjëherë me E.Hoxhën e M.Shehun dhe duke patur si mbështetës të parë të tij,Koci Xoxen,thirri një mbledhje urgjente të klikës komuniste shqiptare,në fshatin Kucakë të Korçës.Në takimin e Kucakës,Tempoja,i cili sapo kthehej nga takimet me komunistët grek,nuk mungoi të shfaqte idenë e një konference ballkanike,me çrast problemi i Kosovës nuk mund të konsiderohej preokupim i forcave politike shqiptare.Gjithashtu,ai nuk harroi të kritikojë qëndrimin “e butë” të Partisë Komuniste ndaj Ballit Kombëtar.Ndërsa për antarët e delegacionit nacionalçlirimtar në Mukje,haptaz tha të shihej jo vetëm qëndrimi por edhe goditja si “tradhëtar” të frymës komuniste.Veçanërisht në Kucake,u denua veprimtaria antibolshevike e Mustafa Gjinishit dhe Ymer Dishnicës,të cilët sipas procesverbalit të kësaj mbledhjeje,kishin rënë  këmbë e kokë “në pozitat e Ballit Kombëtar”.Në Kucake jo pa qëllim nuk ishin thirrur as Abaz Kupi,as Baba Faja Martaneshi as Myslim Peza,të cilët në vitet e luftës kundër italianëve,kishin luftuar okupatorin thjeshtë si nacionalistë.Emisarët e Titos,i druheshin këtyre figurave popullore,ndaj menduan të godasin vetëm Gjinushin dhe Dishnicën për të patur në këtë mënyrë më të lehtë,të shkatërroheshin krejt çfar ishte ndërtuar në Mukje.Qëndrimit të prerë të Tempos,në Kucake të Korçës,iu bashkangjitën edhe sahanlëpirësit e klikës së Tiranës : Enver Hoxha,Gogo Nushi, Mehmet Shehu, Liri Gega,Koço Tashko etj.Ata dënuan bashkëluftëtarët e tyre të frontit nacionalçlirimtar,duke dëshmuar kësisoj jo vetëm servilitetin ndaj Beogradit,por sidomos antishqiptarizmin e kobshëm të tyre.Në këtë mënyrë,takimi urgjent i Kucakës,shërbeu si prolog i asaj goditje të madhe,e cila do të jepej në Labinot të Elbasanit më 4-8 shtator 1943.Në këtë mënyrë,në datat 20-25 gusht,klika komuniste e Tiarnës,ndërmori një varg masash si propagandistike dhe ushtarake e politike,duke  shpallur përfundimisht kundërvënien ndaj nacionalizmit shqiptar.Kudo,nëpër qytete organizatat komuniste muarën urdhër të prerë që të grisnin të gjitha proklamatat e shperndara pas Mukjes.Madje këto organizata,në mënyrë intensive filluan propagandën kundër Mukjes dhe Ballit Kombëtar.Shtabet ushtarake nacionalçlirimtare,të cilët deri në ato momente,patën kryer edhe ndonjë aksion të përbashkët me forcat nacionaliste,tanimë nisën të ideojnë plane e veprime luftarake,jo kundër okupatorit,por kundër forcave të Ballit Kombëtar.Por klika Bollshevike  eTiranës,në gushtin e vitit 1943,u bë plotësisht e qartë ; “Tani që kemi shprehur qëndrimin tonë,më shumë se kurrë,duhet të forcojmë radhët tona,pozitat tona politike dhe ushtarake… Që të dalim me sukses,është konditë e domosdoshme,të godasim me tërë forcën politike dhe ushtarake,këdo që do të pengojë t’i biem me peshën tonë të rëndë,me gjithë peshën e luftës së ushtrisë nacionalçlirimtare”

( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë . Fondi 40 , dosja 4 , fleta 52 ).

Pikërisht për të mos lejuar lojën e komunistëve serb në kurriz të popullit shqiptar,inkursioni i Mid’hat Frashërit,Abaz Kupit,Cen Elezit,Hysni Demës etj.në trevat veriore të Shqipërisë ishte një veprim sa i mençur aq edhe energjik.Këmba e tyre shkeli në dyert më bujare të vatrave shqiptare, ndërsa fjala e tyre me peshë kumboi në shpirtin fisnik të banorëve të Gjakovës,Bulqizës,Dibrës, Vinjollit,Lumës,Kolesjanit,Kukësit,Kërçishtit etj.Në këto biseda të ngrohta,kokë më kokë, Mid’hat Frashëri e Abaz Kupi,treguan rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë,si nga partizanët ashtu edhe nga komunizmi,duke i gryshur këta për bashkimin e madh.Madje,ajo  çka vlen të mos harrohet është fakti se burrat nacionalistë,muarën kontakte jo vetëm me parinë e vendit por edhe me disa prej komandantëve të aradhave nacionalçlirimtare të cilët duke mos ditur servilizmin e eprorëve të tyre ndaj beogradit,iu zotuan Frashërit dhe Kupit se do të bashkonin armët dhe zemrat kundër armiqve të përbashkët. Në mbrëmjen e 25 gushtit 1943, burrat nacionalistë , Abaz Kupi, Muharrem Bajrakatri,Mid’hat Frashëri,Hasan Dosti etj, u mblodhën në Lurë, në kullat  e njohura për trimëri të Menajve.Aty u vendos që kuvendi të mbahej tri ditë më pas,me çrast do të mblidheshin trimat e krejt trevave veriore.Udhëheqësit kryesorë të këtij kuvendi,vendosën,që punimet e tij të mbaheshin në afërsi të fshatit,në pyjet e pafund të Lurës për të qenë të sigurtë në çdo kohë.Por burrat e Menajve, dhanë besën e tyre,se në kullat ku ata patën luftuar aq herë si kundër sllavëve ashtu edhe italianëve,kuvendi do t’i kishte të siguruara punimet e tij.Në këtë mënyrë,për të repsektuar këtë fis luftëtarësh trima por edhe krejt banorët e Lurës,u vendos që takimi i beslidhjes të mbahej pikërisht aty.Në ditën e parë të këtij kuvendi,pasi u lexua liste e gjatë e trimave pjesmarrës, e mori fjalën Mid’hat Farshëri.Ideatori i Lëvizjes Nacionaliste shqiptare në prillin e vitit 1939,me fjalën e vet të matur dhe të ngrohtë,iu spjegoi të pranishmive pse bashkimi i tyre ishte imperativ i kohës.Ai u ndal në zakonin shqiptar të gjakmarrjes,të dasive e mërive krahinore,si mentalitete të yshtura nga armiqtë,duke iu kërkuar përfaqsuesve të trevave veriore në ate kuvend t’i mbyllin këto plagë dhe me besën e çmuar të shqiptarëve të bashkojnë zemrat.Duke evokuar më pas ngjarjen kulmore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,Mid’hat Frashëri nxiti tek trimat pjesmarrës në këtë takim,idenë e njëmendë të bashkimit,si të vetmen shpresë të egzistencës shqiptare në ato momente.Më tej fjalën e kanë marrë Abaz Kupi,Hasan Dosti,Fiqri Dine, Muharrem Bajrakatari etj,të cilët kan potencuar jo vetëm nevojën e bashkimit shpirtëror por edhe atij ushtarak të formacioneve nacionaliste të trevave veriore.Nevoja e këtij organizimi parashihej si kusht i domosdoshëm,veçanërisht në trazirat e brendshme politike.Nisur nga mendimi se komunistët shqiptarë,kishin unifikuar veprimtarinë luftarake të tyre me shtabin e Beogradit,ishte Fiqri Dine i cili hodhi idenë e krijimit të një komande të vetme luftarake,të trevave veriore e cila më pas do të lidhej edhe me komandën ushtarake të forcave të jugut,të cilat drejtoheshin prej Hysni Lepenicës. Në komandën luftarake të sapokrijuar,u përfshinë luftëtarët  më të shquar të krahinave veriore,të cilët patën dëshmuar prej kohësh jo vetëm antiitalianizmin,por edhe antikomunizmin e tyre.E shoh të udhës,të sjell në këto rreshta,Rezollutën  e këtij Kuvendi madhorë,i cili me 30 gusht 1943 do të përcillej si një mesazh i madh shprese në krejt trevat veriore të Shqipërisë.

“Vendime me randësi në Malet e Shqipërisë së Lirë “

Kombi shqiptar gjendet përpara historisë.Rryma të ndryshme politike,të mbrendshme e të jashtme,herë në formë organizate,herë në formë partish dhe ndonjë herë të shpikura nga ndonjë person i vetëm mundohen të tërheqin popullin tonë në drejtime të ndryshme politike,duke krijuar kështu çregullime dhe anarki të plotë në opinjonin publik.Në këtë gjendje të vajtuar e të lëkundur andej dhe këndej në objekte të turbullta ose të huaja,të importuara nga larg,Shqipëria po sheh me keqardhje këte synim të opinjoneve të ndryshme që ka për qëllim  sabotimin e drejtëpërdrejtë të Nacionalizmit Shqiptar.

Populli shqiptar,i hidheruar nga helmi i të shkuarës,matet shumë perpara se të ecë në udhën e tij, e duke përfituar nga eksperienca e historisë do të mundohet shumë para se ta vendosë përfundimisht dhe në formë totale ecjen e tij drejt revulucionit kombëtar.Disa ngjarje me rëndësi që janë prodhimi i gjendjes shoqnore politike të një kombi shkruajnë historinë e tij dhe përcaktojnë në mënyrë matematike karkaterin e lëvizjes së atij kombi.Ngjarje me rendësi historike tregojnë që pas kaq lëkundjeve,Shqipëria ka akoma burrat e saj,të cilët,të mbledhur rreth flamurit dhe të lidhur me besë,vendosin mbi të ardhmen e kombit.Ky manifestim shfaqet në Shqipërinë tonë të fortë sa herë që nënqiellin e saj ngrihen re të zeza të rrezikut dhe burrat e maleve,ata burra që kanë mbetur të paprekur nga propaganda e huaj,me turmat turren drejt bashkimit të shenjtë kombëtar.

Në malet e lira të Shqipërisë,në Lurën,duke iu përgjigjur thirrjes së organizatës sonë,krerët dhe bajraktarët e Dibrës,Matit,Krujës,Lurës dhe Lumës,u mblodhëm në një kuvend madhështor për të dhënë besën shqiptare.

Shqiptarë dhe Shqiptarka,pleq dhe të rinj,ju lajmërojmë se Besa u lidh në Lurë dhe kjo Besë kurrorizoi Bashkimin kombëtar me frymë nacionaliste për shpëtimin e Mëmëdheut tonë të dashur, për një Shqipëri të bukur.Asnjë s’mundi ta tunde shpirtin e vendosur të dibranit,të lumjanit, të matjanit,të krutanit, asnjë propagandë nuk bëri që malësori i Lurës të harrojë kombësinë dhe,kur erdhi dita që historia të përsëritet në zërin e thirrjes së birit Abdyl Farshërit,krerët e maleve u mblodhën si në Prizren për të përsëritur Epopenë Kombëtare.

Për mirëmbrojtjen  eAtdhuet malësorët tanë krenarë vendosën edhe besën e vendit, e cila ka për qëllim të shange çdo konflikt midis personash dhe të rregullojë çdo grendje të drejtash,të punojë gjakun,si edhe të sigurojë qetësinë nga keqbërësit.Që kjo forcë vigane të mbrojë më së miri Atdheun tonë,Kuvendi rregulloi edhe një komendë të përbashkët ushtarake.Në këtë Kuvend madhështor morrën pjesë këta burra fisnikë,prijësat e trimave të maleve që kurrë,gjatë shekujve,armiqtë nuk mundën t’i sundonin dot :

  • Fiqri Dine                                               –          Maqellare
  • Muharrem Bajrakatari –         Ujmisht
  • Cen Elezi            –         Sllovë
  • Abaz Kupi –          Krujë
  • Hysni Dema –         Homesh
  • Myftar Kaloshi –          Kanderx
  • Ali Maliqi                                              –           Kercisht
  • Aqif Lleshi –             Zogaj
  • Sule Kurti –             Zmash
  • Ukë Cami –              Golloborde
  • Selman Mena – Lurë
  • Bilal Kola – Mallcukull
  • Xhemal vata – Macukull
  • Sale Llani – Derjan
  • Shaban Valteri – Vinjoll
  • Murat Basha – Klos
  • Dule Allamani –              Patine
  • Isuf Cela – Patine
  • Isuf Selmani – Lis
  • Rushit Daci – Kalise
  • Metush Luma – Bicaj
  • Sadik Spahija – Kolosian
  • Bajram Lata – Kurdari
  • Adem Cara –             Selite
  • Kapllan Allamani – Patine
  • Dede Leshi – Perllat
  • Frok Gjeta – Thkelle
  • Ndrec Lufi – Selite
  • Ali Kadia – Lis
  • Has Doci – Arni
  • Xheme Shahini –              Arni
  • Halit Osmani – Arni
  • Cen Elezi – Gurrë e Madhe
  • She Ali Bulqiza –       Bulqizë
  • Dervish Lusha – Arras
  • Ramadan Hoxha –              Muhur
  • Faik Shehu – Peshkopi
  • Ali Lita –              Kala e Dodës
  • Ramadan Cekri – Ujmisht
  • Selim Sul Kaloshi – Sinje
  • Mahmut Previzi –          Dibër e Epërme
  • Murat Mera – Kalise
  • Haziz Arifi – Lurë
  • Llan Mena – Lurë
  • Preng Gjergji – Lurë
  • Ramadan Doda – Reç
  • Ibrahim Gjoci – Lurë
  • Gjon Biba –            Lurë
  • Mat Hoti – Lurë
  • Nikol Ibrahim Mandija – Shkodër
  • Kap Bajram Mena – Lurë
  • Tahir Mena –              Lurë
  • Etem Tahiri – Gjakovë
  • Ibrahim Kaloshi – Dibër
  • Hasan Koka – Macukull
  • Haziz Kaloshi – Dibër
  • Zejnel Lita – Dibër
  • Xhetan Hasani – Lushnje
  • Ismail Lika       –              Dibër
  • Dali Lika – Lushnje
  • Gafur Alush Aga – Lumë

 

                                                                                       Rroftë Shqipëria !

Lurë, gusht 1943( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë . Fondi 270 , dosja 4 , fleta 3-7 ).

Mesazhet e kësaj rezollute ishin dhe meten,mesazhe të shpresave të mëdha,jo vetëm për trevat veriore shqiptare por për krejt Shqipërinë Etnike.Kjo ishte një nga arsyet që klika komuniste e Tiranë,me t’i rënë në duar Rezolluta,vendosi të mbledhe në mënyrë urgjente Komitetin Qendror.Në këtë Rezollutë,si edhe në vetë aktin e Kuvendit të Lurës,komunistët shqiptarë dhe “edukatorët” e tyre,të ardhur prej Beogradi,shihnin sendërtimin  e ideve emblematike të Mukjes.Ata i tmerronte ky sendërtim,ngase nuk mund të lejonin t’u shkëputeshin nga domenet sllave si Kosova ashtu edhe maqedonia shqiptare.Në këtë mënyrë,në konferencën e Labinotit më shtator 1943 ashtu sikundër u hodhën poshtë vendimet e Mukjes,Kuvendi i Lurës u etiketua prej misionarëve jugosllav si mbledhje reaksionarësh të cilët krijojnë të fusin përçarje midis komunistëve në Ballkan.Edhe kësaj radhe,krerët komunistë shqiptarë,të udhëhequr nga parimet internacionaliste,pothuajse në unitet me njëri tjetrin, e dënuan ashpër Kuvendin e Lurës.Madje,ky dënim do të vazhdonte në krejt vitet e diktaturës komuniste.Kështu ndërsa kullat e Menajve u dogjën e rrafshuan në vitet 1944-1946,një gjë e tillë ndodhi edhe me ato të Bajraktarit,Markagjonit,Demës,Dines,Elezit etj.Ndërsa mbi nipërit e mbesat e tyre nata e gjatë komuniste,urdhëroi vetëm dhunë e terror.Kësisoj misioni i madh i Kuvendit të Lurës mbeti në mes,i prerë paradoksalisht prej vetë shqiptarësh të shitun tek pushtuesit kriminel sllav.Mesazhet e Kuvendit të Lurës, janë mesazhe për ardhmërinë,si sot dhe në të ardhmen.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Abas Kupi, Eugen Shehu, Kuvendi i Lires, Mit'hat Frasheri

MUSTAFA KRUJA,BURRË SHTETI,ANTIKOMUNIST I VENDOSUR

August 30, 2017 by dgreca

1 Mustafa Kruja

Shkruan:Eugen SHEHU/

1 eugjen shehuNë plejadën e burrave të shquar të shtetit shqiptar,të atyre burrave që muarën mbi vete përgjegjsi të mëdha në kthesat kulmore të jetës të kombit të tyre,është shkruar me germa nderi edhe emri i Mustafa (merlikës) Kruja.Ky personalitet i madh,ngjit sot shkallët e lavdisë në historinë e kombit shqiptar jo si tradhëtar (kështu e quajnë ende komunistët e shtetit amë) por si protagonist i ngjarjeve më kulmore të Shqipërisë ç’prej vitit 1912 e deri më 1944.Ai është pjesë e historisë së këtyre viteve dhe pamvarsisht se ende sot anatemohet prej disa mjeranëve,pseudohistorian ideologjik,kjo asesi nuk mund t’ia fshehë vlerat,ashtu sikundër ndonjë re e zezë,kalimtare,nuk mund të fsheh dritën e diellit. Mustafa Merlika,lindi në qytetin historik të Krujës më 15 mars 1878.Aty i mori edhe mësimet e para në gjuhën turqishte,por duke u mëkuar me legjendat e famshme të kalasë së qytetit, ku qindra vjet më parë,kryetrimi,Gjergj Kastrioti pat ngritur flamurin e lashtë arbëror.Qytetin e vet e desh me mall dhe kur shkoi në Janinë për të vazhduar gjimnazin,kish dëshirë ta thërrisnin Mustafa Kruja.Këtë mbiemër ai e mbajti me nder,deri në ditën e largët kur dhe mbylli sytë.Në qytetin shqiptarë të Janinës,tanimë në moshën 16-17 vjeçare,nga shqiptarët e atyshëm do të njihte trimërinë e Ali Pashait të Tepelenës,i cili la gjurmë në kohra sa për trimëritë,aq edhe për rrebelizimin e tij. Falë rregullave të forta të gjimnazit,Mustafa Kruja do të paisej me kulturë të madhe për kohën e vet. Ndërkaq ai do të dallohej ndër gjimnazistët e tjerë,për etjen e madhe që shfaqte në rrafsh të përvetsimit të kulturave të lashta si edhe atyre të kohës.Me nxitjen e prindërve të vet,pasi ka mbaruar mjaft mirë gjimnazin e qytetit shqiptar të Janinës,Mustafa Kruja,sikundër qindra e mijëra bashkëkombas të atyre viteve,merr rrugën për në Stamboll,në kryeqendrën e perandorisë Osmane.

Më 1905,filloi studimet e larta në Universitetin Mylkije të Stambollit,në shkencat politike dhe administrative,aty sigurisht tejet enregjik,biri i Krujës do të jetë i preferuar në shoqërinë e atdhetarëve shqiptarë,të cilët patën filluar përpjekjet për një lëvizje madhore të kombit të tyre,në kahjen e ideve të pavarsisë.Qysh herët,Mustafa Kruja,shquhet për prirjet e tij në fushën e publicistikës.Ndonëse student,mësimet nuk e pengojnë asapk të marrë lapsin dhe të shkruaj në shtypin osman të kohës,mbi problemet e mëdha që patën kapluar në fillim të shekullit 20-të perandorinë osmane.Por guximi i birit të Krujës,do t’i kalonte idetë e shprehura në faqe të gazetave. ”Atdhetari i flaktë dhe përkrahës i pamvarsisë së kombit të vet,u gjind do s’do,i përfshimë në ngjarjet politike,tue marrë pjesë aktivisht në përpjekjet për çlirimin e Shqipërisë nga sundimi osman.Në 1909 u përjashtua nga Univeristeti si protagonist i një demonstrate të rreptë të studentëve në favor të minoriteteve kombëtare të perandorisë osmane”.( Mustafa Kruja “Antologji historike “ Sejko 2001 , faqe 8 ).

Edhe pas kësaj,Mustafa Kruja nuk do të rreshtete përpjekjet atdhetare për të ndihmuar çështjen tone kombëtare.Shkrimet e tij në vite 1909-1910,(me pseudonimin Asim Xhanani) do të tronditnin ate system të kalbur të autokracisë osmane,duke bërë thirrje për më shumë të drejta ndër popujt e vegjël,të rrobëruar.Në këto vite,pos të tjerave,Mustafa Kruja do të njihet edhe me atdhetarin tjetër të shquar Mid’hat Frashërin,me të cilin do ti lidh miqësi burrash të përkryer.Në verën e vitit 1910,Mustafa Kruja merr titullin në shkencat politike dhe administrative të Universitetit të Mylkijes dhe detyrën për të punuar në qytetin e Durrësit. 23 vjeçar,me dëshirën e madhe për t’i shërbyer atdheut,me aftësi të dukshem në punët e administrates,çuditërisht Mustafa Kruja nuk do të pranonte ofertën e Esat Pashë Toptanit,për të punuar si nënprefekt i Durrësit.Biri i Krujës,në shum pak takime që pati me Esat pashën,dyshoi në atdhetarizmin e tij,në të kaluarën disi të errët,ndaj edhe la pezull dorën e shtrirë për bashkëpunim të Esatit.Përkundër “Ndereve” të propozuara nga Pashai i Shqipërisë së Mesme,Mustafai u punësua në Durrës,por në detyrën që vet e dëshironte të thjeshtë dhe modeste,si mësues i matematikës.”Në këtë qytet,u lidh me Don Nikoll Kaçorin dhe Abdi bej Toptanin me të cilët zhvilloi veprimtari kombëtare”( B.Gaçe,”Ata që shpallën pavarsinë kombëtare” – Tiranë 1997 , faqe 98 ).

Në vitet 1911-1912,ndonëse jepte lëndën e matematikës në gjimnazin e Durrësit,ai kurrsesi nuk mund të ishte indiferent për gjithshka ndodhte në trojet shqiptare.Ngase bashkëpunonte me atdhetarin Abdi bej Toptanin (kushëriri i Esat Pashës) në pranverën e vitit 1912, e le gjimnazin dhe i përkushtohet me gjith shpirt ngjarjeve nacionale që po tentonin pavarsinë e trojeve tona.Me nismën e tij shkon në qytetin e Krujës falë emrit të nderur të familjes,por edhe emrit të tij,organizon çetat e para luftarake kundër sundimit osman.Më pas kalon edhe në rrethina të Matit dhe duke i shtrirë dorën e bashkëpunmit 17 vjeçarit Ahmet Zogu,arrin të ngrejë edhe aty formacionet vullnetare popullore në dobi të çështjes shqiptare.Kështu që,kur në verën e vitit 1912,forcat e garnizonit turk të krujës,donin të bënin reprezalje në qytet e rrethina,kinse flitej hapur kundër qeverisë së Stambollit,Mustafa Kruja mblodhi disa qindra luftëtarë të armatosur dhe duke rrethuar garnizonin lëshoi ultimatumin se batarja e pare e osmanlinjëve,do të ishte fillimi i luftës,mandej le të fitonte kush të ishte më i zoti.Komandanti i garnizonit të qytetit,ftoi Mustafanë në bisedë dhe pas këtij kuvendi të dy palët ulën armët.Por askush prej osmanlinjëve nuk e ndjente në ato momente vehten të sigurtë,ndërsa nacionalistët krutanë parashihnin tek figura e Mustafa Krujës,prijësin e tyre energjik dhe syçel.

Në tetorin e vitit 1912,Mustafa Krujën e shohim në Shkup,për të biseduar me udhëheqës të tjerë të lëvizjes kombëtare shqiptare siç ishin Bajram Curri,Mid’hat Frashëri,Rexhep Mitrovica,Bedri Pejani,Sali Gjuka etj.Në emër të popullit të Krujës,Mustafa Merlika çoi në Shkupin e lashtë shqiptar,mesazhin e madh të bashkimit të krejt shqiptarëve,për arritjen e pavarsisë së tyre.Ai çoi gjithashtu në zemër të Maqedonisë shqiptare,besën e madhe krutane për të luftuar deri në fund për kufijtë e rrezikuar të vilajeteve shqiptare.Ndërkaq në Krujë e rrethina,emri i Mustafa Krujës,po përcillej me respekt të madh.Nën shembullin e tij,ishin me dhjetra atdhetarë,të cilët lanë bangat e shkollave për të rrëmbyer armët në mbrojtje të flamurit kuqezi.Është kjo arsyeja që populli i qytetit të Krujës dhe rrethinave,së bashku me Abdi bej Toptanin,zgjodhi si përfaqsues në kuvendin kombëtar të vlorës(28 nëndorë 1912) edhe Mustafa Krujën,birin e vet që pat dhënë prova të pashembullta të heroizmit.Firma e tij,në listën e madhe të firmave të dhjetra patriotëve dhe atdhetarëve të tjerë ;”është shënuar me emrin,Mustafa Asim Efendija”(Lef Nosi “ Dokumente Historike – Elbasan 1924 , faqe 119 ).Në ditët historike të kuvendit të Vlorës,fjala e Mustafa Krujës u dëgjua me respekt,pamvarsisht moshës së re të tij.Në proces verbalin e mbledhjes së parë të këtij kuvendi,pasi u vërtetuan kartat e kandidatëve : “Fjalën e mori z.Salih Gjuka e tha që,duke qenë se Korça ndodhet sot e qarkuar nga ushtria e nuk mund të dërgojë delegatë dhe duke qenë se atdhetaria e Korçës është njohur,kërkon që të pëlqehen si përfaqsonjës të Korçës zotërinjtë : Pandeli Cale,Athanas Floqi e Spiro Ilua.Mbledhja me plotsinë e zerave e pelqeu kete vendim.

z.Mustafa Asim Efendiu kërkoi edhe që për Shkodrën të pëlqehet Luigj Gurakuqi,i cili ka qenë edhe në mbledhje të tjera kombëtare përfaqsues i Shkodrës dhe është nga inisiatorët e mbledhjes së sotme.Kuvendi me plotësi zërash e pelqeu z.Luigj Gurakuqi përfqsonjës i Shkodrës”.( Gazeta “Përlindja e Shqypnis” viti II,nr 6-7, datë 31 janar – 4 shkurt 1913 ).

  Ngase dallohej për ndershmëri dhe korrektësi në punët e administratës shtetërore,me propozim të Ismail Qemal Vlorës,Mustafa Kruja emërohet si nënprefekt i qytetit të Vlorës.Këtu duhet pasë parasysh se në atë kohë Vlora shërbente edhe si rezidencë e shtetit të parë shqiptar,me ç’rast detyrat dhe përgjegjsitë ishin tejet të mädha dhe të ndërlikuara.Nën trusninë e një finance të dobët,Mustafa Kruja u përpoq të bënte ç’të mundete për qytetin e Vlorës,të cilit i mungonin jo vetëm dritat,rrugët dhe shkollat por edhe buka e gojës.Po aq sa për punët administrative,Mustafa Kruja u përkujdes edhe për furnizimin e ushtrisë dhe xhandarmërisë së prefekturës së vlorës,formacionet e të cilave ishin çdo ditë në përpjekje me armiqtë e shtetit të pavarur shqiptar.Disa muaj më vonë,Mustafa Kruja emërohet në detyrën e drejtorit të arrësimit në rrethin e Elbasanit.Ai gjen përkrahje të madhe në personalitetin e Aqif Pashë Elbasanit ( asaj kohe prefekt i qytetit) dhe ndërrmer nisma të mëdha për përhapjen e arësimit dhe shkollave shqipe jo vetëm në qytet por edhe në fshatra.Energjik nga natyra por edhe njohës i mirë i mentalitetit shqiptar,Mustafa Kruja punon ditën dhe natën për shkollimin e bashkëkombasve të vet,i bindur në idenë se pavarsia e një kombi mbrohet me pushkë dhe pendë.Shtypi shqiptar i asaj kohe duke pëlqyer cilësitë e birit të Krujës,shkruante: “Një nga nënpunësit më të shkathtë dhe puntor që ka Elbasani,asht zotnija e tij Mustafa Asim Kruja,drejtor i arësimit”.(Gazeta “Përlindja e Shqynies “ 1914 ).

Ndërkaq ngjarjet në Shqipëri sa vinin e përkeqësoheshin,qeveria e Ismail Qemal Vlorës,po goditej nga të gjitha anët,si nga faktorët e brendshëm ashtu edhe ata të jashtëm.Fuqitë e Mëdha,duke paraparë në horizont interesat e tyre,dërguan në Shqipëri,Princ Vidin,i cili do të përpiqej ta kalonte krizën shqiptare.Ndër elementët turbullues më të rrezikshëm,u shfaq në vitin 1914,Esat Pashë Toptani,i cili nëpërmjet lëvizjes së Haxhi Qamilit,donte të rrëzonte Princ Vidin për të vendosur në krye të Shqipërisë së coptuar një princ tjetër.Me porosi të Aqif Pashë Elbasanit,Mustafa Kruja le detyrën e drejtorit të arësimit dhe shkon në qytetin e lindjes.Aty bashkëpunon ngushtë me Abdi Bej Toptanin dhe atdhetarë të tejrë,duke mos lënë që lëvizja rebele e Haxhi Qamilit të depërtonte në Krujë.Pas largimit të Princ Vidit,Esta Pashë Toptani u vetshpall si kryetar i parisë së Durrësit,Tiranës,Krujës e rrethinave,duke patur sigurisht ndihmën e të huajve e sidomos Italianëve.Me urdhër të tij,Mustafa Kruja internohet në Itali,në fillim në qytetin e Barit e mandej në ishullin e Favinjavës në perëdnim të Sicilisë.Dy vjet ai do t’i kalonte në këtë ishull,sigurisht larg atdheut dhe familjes,por pranë librave e studimeve që i kishte aq fort në zemër.Në verën e vitit 1917,biri i Krujës lirohet nga internimi dhe shkon në Romë.Aty bie në kontakt me atdhetarin e njohur shqiptar Sotir Gjika,me ç’rast të dy së bashku botojnë gazetën politiko-letrare “Kuvendi”. Në detyrën e kryeredaktorit të kësaj gazete,Mustafa Kruja do të shpallosë ide të shquara për ardhmërinë shqiptare.Ai do të përpiqet me çdo kusht të ringjallë tek bashkëkombasit e vet,ate ndjenjë të shquar nacionale si në vitin 1912,për të rikthyer atdheut besimin e humbur.

Në vjeshtën e vitit 1918,i ndikuar sidomos nga Sotir Gjika,Luigj Gurakuqi dhe Abdi bej Toptani,shkon sërish në Krujë dhe 1 muaj pas shkuarjes atje,populli i qytetit e zgjedh përfaqsues të tij në Kongresin e Durrësit.Siç dihet,më 25 dhjetor 1918,në Durrës u formua qeveria e përkohshme shqiptare nën drejtimin e Turhan Pashës.Falë reputacionit të madh që gëzonte,Mustafa Kruja në këtë qeveri,emërohet në detyrën e ministrit të Postë-Telegrafeve.Më pas,në vitin 1919,ai do të ishte në delegacionin shqiptar për Konferencën e Paqës në Paris ku së bashku me atdhetarë të tjerë shqiptarë do të ngrinin zërin në mbrojtje të fateve të vendit të vet. Me dhjetra telegrame, memorandume e peticione të qeverisë shqiptare në konferencën e Paqës,mbajnë pikërisht nënshkrimin e Mustafa Krujës.Një ngjarje tjetër që flet për vizionin e gjërë dhe atdhetar të Mustafa Krujës,është Këshilli Kombëtar i dalë prej zgjedhjeve parlamentare,të lirë,në vitin 1921.Në këtë Këshill Kombëtar,Mustafa zë vend si përfaqsues i popullit të Kosovës,i cili,duke u mbështetur në vetitë më të vyera të burrit e pranoi ate si zërin e vet në ngjarjet kulmore që kalonin viset shqiptare.Të dhënat e shumta arkivore,provojnë se ndër shqetsimet e mëdha të këtij Këshilli Kombëtar,ishte dhuna serbosllave në Kosovë dhe Maqedoninë shqiptare.Në diskutimet që këshilli bëri në korrik 1921,Hasan Prishtina,kërkoi që të dërgohej një komision parlamentar në Romë,Paris e Londër,dhe deri në Vashington,për t’i bërë të qartë botës  se çfar po ndodhte me shqiptarët jashtë kufijve politike të shtetit amë.Menjëherë pas fjalës së Luigj Gurakuqit,diskutoi deputeti i Kosovës,Mustafa Kruja i cili jo vetëm përkrahu Luigj Gurakuqin,por propozoi për ta vënë problemin mdhahorë të Kosovës në urdhër të ditës.Propozimi i deputetit Kruja u pranua nga të gjithë të tjerët,mandej u lexua edhe urdhëri i ditës i punuar prej Mustafa Krujës ku hidhej ideja e formimit të një komisioni parlametar prej tre vetash,për të shkuar pranë parlamenteve të kombeve kryesore “Me qëllim që të mundohen me i shty ata,për me detyru qeveritë e tyre me mjete që kan në dorë,për krijimin e të drejtave njerzore e kombëtare të vllezërve tanë”.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë. Fondi 246, dosja 43 , fleta 19 ).

Në vitet 1922-1924,mërgon nga Shqipëria dhe lidhet sidomos me atdhetarët Aqif Pashë Elbasanin,Azis Çamin,Halim Pashë Derallën dhe Hajdin Dragën.Ndjen së brendshmi se ka mospërputhje të mendimeve të tij me Ahmet Zogun dhe për këtë arsye nuk pranon të bashkëpunojë me të.Vetëm 6-7 muaj shkon në Shqipëri në vitin 1924 dhe largohet po në fund të atij vitit së bashku me familjen,për t’u kthyer në atdhe në vitin 1940.Në periudhën kohore 1925-1940,më së shumti ai qëndron në Itali e Zvicër.Studiues i apasionuar,njohës i shkëlqyer i greqishtes,italishtes, turqishtes,frengjishtes dhe gjuhës sllave,punimet e tij,në këto vite do të drejtoheshin në rrafshe të ndryshëm,por kurdoherë brenda historisë dhe gjuhës së shqiptarëve.Do të ishte interesant,sjellja në këto radhë, e mendimit të thellë të Mustafa Krujës,lidhur me etimologjinë e emrit shqiptar.E them këtë,pasi Kruja,futet nëpër labirintet e gjuhës,duke patur parasysh sidomos historinë e kombit të vet.Ja çka thotë ai tekstualisht.”Mue as emri i mbretit të shpendëve s’ma mbush mendjen per etimologjinë e shqiptarit.Ma parë nuk ma rezulton që populli shqiptar,flas për popullin,për turmën,natyrisht dhe jo për poetët e shkrimtarët,t’i kenë dhënë ndonjëherë atij zogu,ndonjë farë rëndësije të veçantë,për të zgjedhur emrin e tij,per emën e vet.E quem shqipe ose shqype,shiponjë e shkabë,shkabonjë.Mundohet me e  vrame kudo që ta shohë,pra s’ka ndonji simpati të madhe për te… S’mjafton simpathija,admirimi poet edhe adhurimi per diçka,ose një trill çfardo,per me lanë nji   emen të vjetër,të trashiguem brez pas brezi,per me marrë nji të ri.Për këte duhen shkaqe me të thella,duhen shkaqe historike e psykologjike shumë të rëndësishme”.(M.Kruja “Antologji Historike” – “Sejko” 2001 , faqe 122 ).

Gjatë kohës së qëndrimit në Itali,dijetari dhe atdhetari Mustafa Kruja,pos të tjerave arrin të hulumtojë edhe në dorëshkrimet e rralla të bibliotekës së Venedikut.E cila ruante në arkivat e saj mjaft të fshehta për derën e princërve të Kastriotëve.Mendohet se pikërisht mbi bazë të këtyre dokumentave,por edhe prej hulumtimeve në Rumuni e Zvicër,Mustafa Kruja të ketë dalë në konkluzionet e mëposhtme ; “S’ka gja që s’bahet.Por me faktet historike e gjeografike që kemi sot në dorë,une them se Kastrijotëve tanë,troje me të vjetër se ato të Kastriotit të Dibrës nuk mund t’u caktohen.Dynastija e Kastrijotëve i ka pasur rranjët në Dibër të Poshtme.Origjina e Hasit lyp prova shumë ma të sigurta se ato që permenden në veprën e Fan Nolit… Gjoni,i ati i Skenderbeut,i permendur nder dokumenta qyshe prej datës 1407 ka sunduem krahinat e Dibrës,Matit, Krujës , Tiranës,Shijakut,Kavajës,Bregun e Mates deri afër Lezhës”. (M.Kruja”Antologji historike” –“Sejko” – 2001 , faqe 254 ).

Sidoqoftë,ajo ç’ka do të përflitej gjatë lidhur me personalitetin e Mustafa (Krujës) Kosovës,është padyshim detyra e tij si kryeministër i qeverisë shqiptare në vitin 1940-1941.Duke shkuar nga Zvicra për në Shqipëri,në vitin 1940,Mustafa Kosova (kështu ka qenë edhe i njohur),vendoset në Tiranë dhe me propozimin e disa intelektualëve shqiptarë inicon çeljen e Institutit të studimeve shqiptare.Tri muaj më pas,emërohet drejtor i këtij Instituti dhe në nëndorin e vitit 1940 ngarkohet me detyrën e kryeministrit të Shqipërisë.Historiografia shqiptare e dalë prej pelenave të arkitekturës bollshevike,ende sot, e merr funksionin e Mustafa krujës në ato vite,si shembull i bashkëpunimit me Italinë.Dhe ku bashkëpunimi nuk mohohet.Po Mustafa Kruja nuk hypi askurrë në atë fron për të përfituar për vehte.Ai parashihte rreziqet e mëdha që i kanoseshin krejt trevave shqiptare dhe Italinë e parshihte vetëm si instrument me anë të të cilit do të realizonte Shqipërinë Etnike dhe të rimëkëmbte sadopak ekonominë e rrënuar shqiptare.Por vlen të mos harrohet edhe diçka tjetër.Mustafa Kruja ka qenë ndër ata intelektualë shqiptarë,të cilët më tepër se kushdo,ndjenin së largu dhe parashihnin rrezikun komunist që i kanosej Shqipërisë.Tejet energjik,në detyrën e kryeministrit shqiptar,ai do të drejtonte me dorë “të hekurt” luftën kundër komunizmit,si rrymë ideologjike jashtë kontinuitetit shpirtëror e moral të shqiptarëve.Janë dhjetra lëvizje të menduara të tij,për të goditur qysh në rrënjë,pemën e helmuar të komunizmit.Mjafton të sjellim në këto radhë një prej qindra urdhërave të tij,të cilat gjenden në arkivat e shtetit shqiptar,për tu bindur pse historiografia komuniste ka dashur të nëpërkëmbe emrin dhe veprën e Mustafa Krujës. “Urdhnoj forcat tona të gjindarmërisë,të marrin masa sa ma të rrepta e t’domosdoshme,kundra gjithfarë levizjesh të komunistëve shqiptar,të shitun tek sllavo-bullgarët”(Arkivi Qendror i shtetit –Tiranë. Fondi Kryeministria, dt.6 maj 1941 ).Po aq sa ish i rreptë me komunistët shqiptarë,po aq ishte i afërt me nacionalistët e krejt trevave shqiptare.Kujdesi i Mustafa krujës,veçanërisht për Kosovën,shihet edhe në një varg zgjedhjesh që ai kreu në funksionin e Kryeministrit,sidomos për çeljen  e shkollave shqipe si edhe organizimin e mbrojtjes sonë kombëtare.Edhe mbas dorëheqjes së tij si kryeministër (kjo donte të thoshte se bashkëpunimi i tij me italianët ka patur parakushtet e veta) Mustafa Kruja nuk e ndërpreu veprimtarinë e vet atdhetare.Anipse,nuk mori më funksione shtetërore,biri i krujës do të bahskëpunonte me Rexhep Mitrovicën,Azis Camin,Bedri Pejanin, Mid’hat Frashërin dhe Fuad Dibrën duke dhënë ndihmesë të çmuar në krejt lëvizjen nacionale shqiptare.Me nismën e tij,Mustafa Kruja,ky intelektual i madh dhe i shquar,ndonëse i kishte rrugët dhe dyert e hapura në krejt Evropën,preferoi më mirë të grumbullonte dhjetra burra e të të luftonte kundër forcave komuniste,të cilat,që në traktet e para të hedhura tinëz nëpër rrugë kishin dënuar me vdekje birin e Krujës.Në verën e vitit 1944,atëherë kur forcat gjermane po e linin të detyruara Ballkanin,komunistët shqiptarë muarrën zemër dhe u vërsulën mbi nacionalistët shqiptarë.,në bashkëpunim me serbosllavët.Në këto momente,Mustafa Kruja ndodhet kurdoherë pranë mikut të vejtër të tij ,Mid’hat Frashërit,duke u përpjekur t’i bëjnë ballë sulmeve të hapura të komunistëve.Vetë historiografia shqiptare është e detyruar të pohojë se : “Kreu i Ballit Kombëtar, Mid’hat Frashëri,ish kryeministri kuisling Fiqri Dine,Mustafa kruja e të tjerë,vinin rrotull zonave të veriut,binin në kontakt me bajraktarë e krerë tradhëtarë duke i bërë thirrje popullit që të qëndronin duke i mbajtur me shpresën se së shpejti do të zbarkojnë ushtritë anglo-amerikane”.(Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar” vëllimi 4 , faqe 511 ).

  Në rrjedhën e këtyre ngjarjeve,në shtatorin e vitit 1944,Mustafa Krujën e lajmërojnë se biri i tij,Besimi,student në Vienë,ishte sëmurë rëndë.Biri i Krujës ngarend drejt Vienës,por me gjithë kujdesin e madh,Besimi 19 vjeçar vdes.Vdekja e djalit,sidoqoftë do të shpëtonte jetën e atit.Në fillim të vitit 1945,Mustafa Kruja shkon në Itali ku rri disa vite.Më pas,në vitet e 50-të të shekullit që lamë pas e shohim në Egjypt ku ndjehet sigurisht më mirë në shoqërinë e Ahmet Zogut.Nga Egjypti shkon në Francë për tu prehur në vitet e 70 në Amerikë.Gjatë tërë kësaj kohe,ai punoi me vullnetin dhe intelegjencën që e karakterizonte,për të hedhur sa ma shumë dritë mbi fatin e mjerë të popullit shqiptar.Botoi me dhjetra artikuj në shtypin evropian dhe ate amerikan për çështjen shqiptare por meraku i tij,deri në varr,ishte “Fjalori i Gjuhës Shqipe” i cili mbeti pa botuar dhe kishte mbi 2500 faqe.Një mikut të vet,më 1949 do t’i shkruante ; “Kam lanë në Shqipni nje mori dokumentash të jetës seme,që sigurisht janë bamë hi e tym ose pluhun në duer te komunistëve.S’mujshim me i bartun me vete,kur u ndava i deshpruem prej atdheut dhe familjes.Atje lash edhe dorshkrimin e fjalorit”.

  Me këtë brengë si edhe me dhimbjen e madhe për fatin e zi të kombit të vet,Mustafa Kruja,ky burrë i madh i shtetit,shkenctar,studjues e antikomunist i vendosur,mbylli sytë përgjithmonë më 27 dhjetor 1958 në qytetin Niagara Falls të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Bern-Zvicër

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: ANTIKOMUNIST I VENDOSUR, burre shteti, Eugen Shehu, Mustafa Kruja

FAIK QUKU, KOLONEL I FORCAVE NACIONALISTE

April 21, 2017 by dgreca

Shkruan: Eugen SHEHU/Bern-Zvicër/

1 Faik Quku 1 Zemrat e ushtarëve të vjetër janë si diejt.Ato perendojnë në muzg për tiu rikthyer ditës që vjen. Për tiu falur kësisoj përjetësisë.Kjo sentencë e ardhur prej qindra vitesh largë do të bashkohej me imazhin e nacionalistit Faik Quku,jo vetëm për ta dëshmuar atë,por tek e mbramja për ripërcaktimin e dimensioneve të veprës së tij.Në këtë ripërcaktimin mendoj se askurrë nuk vlejnë gradat,dëshmitë,dëftesat e notave dhe shërbimeve që mijëra shqiptarë në historinë tonë u bënë të huajve duke i shpërblyer me para e letra.Vlerat e personalitetit të Faik Qukut marrin vlerat e tyre reale vetëm e vetëm pse ato maten me ato ç’ka bëri ky birë i Shkodrës për lirinë pamvarsinë dhe bashkimin e krejt Shqipërisë Etnike.Në gjakun shqiptar të pastër,që në fëmijërinë e parë i ka gurgulluar tok me shpirtin trimërorë edhe geni i atit për pushkën.Shaqiri,babai i Faikut,ka qenë i njohur si oficer artilerie i aftë jo vetëm profesionalisht por edhe në ndërthurjen e kësaj arme mbrenda teatrit të veprimeve luftarake.Edhe pse historiografia jonë ushtarake ka mbetur tepër e vobegët në idelogjizmin e saj mjeran nuk mund të mohohet shkolla e artilerisë shqiptare e nisur që prej asaj shkëmbore e deri në fund të LDB.Pikërisht një përvojë qindravjeçare krejt autentike e artilerisë shqiptare,mpleksur me tezat akademike të shkollimit osamn,u ngjizën mjaft efektshëm n¨r arsimimin e Shaqirit duke plazmuar veç të tjerash edhe vetëdijen kombëtare,duke shërbyer nga grada më e ulër e der tek ajo të kapitenit të dytë në dy kalatë kryesore shqiptare të shekullit të kaluar ( në Shkodër e Podgoricë).Shaqir Quku përpos aftësive ushtarake do të dëshmonte edhe atdhedashurinë e tij.Përkundër mjaft shqiptarëve që për të përfituar grada e benificione nga Perandoria luftuan dhe jashtë Shqipërisë,por Shaqiri do të preferonte tokën e vet duke u kujdesuar njëherësh edhe për edukimin atdhetar dhe arsimor të fëmijëve të vet.Për Faikun bashkëkohësit e vet e kujtojnë se si ai mezi priste në krye të rrugicës me kalldërm në lagjen Parrucë,për të parë të jatin kur kthehej nga detyra,i hidhej vrullshëm në gjoks e përqafonte duke i thënë gjithmonë se edhe ai ëndëronte dhe deshte të uniformohej.

Pra rrekur të spjegojmë etimologjinë e fjalës fortesa shqiptare nëpër shekuj,jo vetëm që grishën fantazinë fëminore për qiellin e pastërt dhe zogjtë,por ate që ata edukuan tek ta ndjenjat e lirisë,edukuan ate patos pa të cilin zjarri në vatrat shqiptare do të ishte shuar prej kohësh.Vitet që rrodhën më pas treguan se dashuria e Faikut për uniformëm ushtarake dhe kalatë nuk u ngjanina aspak atyre dashurive fluturake të lëna në mes të rrugës.Ai është tepër kurioz në shkollë me notat e larta,dallon kurdoherë ndër shokët,merr notat e shkëlqyeshme madje edhe në seminarin Papanorë të Shkodrës në vitin 1911-1912të.Mëpas rruga a tij arësimore do të ishte besnike e ëndrës së tijë.Regjistrohet në Staboll në Shkollën e Lartë Ushtarake për të ndjekur ate plot 6-vite duke i kaluar pothuajse të gjitha shkallët e kualifikimeve me rrezulltate mjaft të larta.Po edhe pse larg Shkodrës që e donte aq shumë,Faikun e ri do ta shihje aso kohe në rrethet më përparimtare të Stambollit,ku së bashku me dhjetra intelektual të tjerë shqiptarë do të ndiqnin jo pa shqetsim të gjitha ngjarjet që ndodhnin në Shqipëri e përreth saj.Veçanërisht copëtimi i Shqipërisë,ndarja e Camërisë dhe e Kosovës nga trungu i atdheut do të ishin kryetema e këtyre bisedave ku në disa raste Faiku theksonte se „vetëm bashkimi i zemrave dhe mendjeve tona mund t’a arrijnë këtë sepse Europa na bëri copë-copë dhe ajo s’ka për t’u kujtuar kurrëpër këtë“.Këto mendime të tija sot askush s’mund ti kuptojë si fluturime romantike.

Me mbarimin e shkollës së lartë ushtarake në Stamboll.Faikut iu afruan detyra të randësishme për një ushtarak si Faiku,me vullnet të çuditshëm,kurajo dhe karakter të çeliktë,shkallët e karierës së lartë do të ishin jo shum të vështira.Madje mprehtësia e tij në logjikën e situatave do të mund të kapërcente njëherë disa shkallë të hierarkisë ushtarake.Por një tdhetar të kalibrit Quku,karriera në Perandorinë do të thërmohej përpara ëndrës së tij për një Shqipëri të lirë,të mosvarme prej askujt,për një atdhe etnik.Bën për vete me thellësinë e gjykimit edhe disa shqiptarë të tjerë të shkolluar në Akademinë e Lartë të Stabollit dhe vihet në krye të tyre duke u kthyer në Shqipërinë e vitit 1920-të.

Shkodrën e gjeti të varfër,Shqipërinë të mjerë,në bukuritë e luginave dhe trojeve etnike shqiptare luhej tragjedia ballkanase e këtij shekulli,e cila çuditërisht rezonon edhe sot me fatin dhe jetën e një mileniumi të ri.Ushtria e parë shqiptare u themelua prej kabinetit të Ismail Qemal bej Vlorës  me krykomandantin gjeneral Mehmet Pashë Derallën në krye.Edhe pse nuk mund të flitet për një doktrinë moderne,për armë e paisje të tilla siç i kishin fqinjët grabitçarë,përsëri mendohet se të paktën fryma kombëtare e morale e kësaj ushtrie ishte në nivel,Gjenerali Mehmet pashë Deralla i cili pos aftësive ushtarake tregoi edhe aftësi në organizimin dhe bashkëpunimin e krejt kombit shqiptarë duke i bashkuar foecat për një të ardhme etnike të përbashkët.Pikërisht në përparimin e kësaj mendësie,veçanërisht pas Kongresit të Lushnjës,Faik Quku dha kontributin e tij të vyer.Më pas ai i çaset prapë studimeve tanimë në Universitetit të San Sirit të Parisit si edhe në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Torino të Italisë. Kultura e tij ushtarakew ngrihet në nivele të larte dhe të reja.Rrezaton kurdoherë aftësi dhe guxim, ndërkohë aktivizohet edhe si organizatorë i jetës së mbrendshme të reparteve shqiptare fut novacione të përshtatura gjithsesi me varfërinë ekonomike dhe mentalitetin e ushtarëve kanë si përmasë të tretë të tyre(veç trimërisë e guximit) edhe zgjuarsinë e veprimit luftarak të projektuar nga Faiku. Bashkëpuntor më i afërt i Mit’hat Frashërit,edhe pse i shkolluar në disa Akademi Ushtarake,Faiku do të shprehej për birin dhe nipërin e Frashërllinjëve të mëdhenj se „prej tij mëson sa prej dhjetra shkollave“.Në aspektin intelektual,Faiku mësoi natyrisht shumë prej shpirtit demokrato-liberal dhe erudicionit të Mit’hat Frashërit.Është e çuditshme heshtja që i bëhet heshtja misterioze Faik Qukut lidhur me ngjarjen e Mukjes.Nëse thuhet se ende sot plagët e Mukjes rrjedhin gjak,un mendoj se duhet thënë zëshëm se ishin pikërisht komunistët shqiptarë ata që me anë të jugosllavëve inicuan këtë gjakderdhje.Po sidoqoftë Mikja ka patur një parathënje.Në ato kohëra aq të turbullta politikisht ajo nuk mund të shfajësoi vetëtimthi në një fshat të humbur në lindje të Tiranës.Kështu më 26.korrik të vitit 1943 mblidheshin në Tapizë të Tiranës,forcat nacionaliste me ato komunite,jo vetëm për të përgaditur Mukjen,por edhe për mundësinë e bashkimit të këtyre forcave shqiptare në luftën e përbashkët kundër fashizmit.Faik Quku së bashku me Mit’hat Frashërin dhe Hasan Dostin në të gjitha bisedimet e zhvilluara me komunistët i bindën ata jo vetëm për bashkimin e forcave por edhe ndërmuarën hapat e para në „ndërtimin“ e kërkesës për një Shqipëri të pamvarur dhe Etnike.Mënyra se si është trajtuar Tapiza nga historiografia komuniste dhe „goditja“ që i është dhënë personalitetit të Faik Qukut,flet pikërisht për forcën e fjalës dhe të veprës së këtij Nacionalisti anëtarë i naltë në drejtimin e Ballit Kombëtar.

Prej kuvendit të Tapizës,Faiku merr setyrë të shkojë në Milot për të biseduar me ushtarakët e regjimrntit aty lidhur me një ofenzivë të mundshme në drejtim të Tiranës.E vërteta është se gjuha e komunikimit, aftësitë e tija organizuese e drejtuese bindën mjaft ushtarakë shqiptarë të cilët u shprehën për besnikëri ndaj idealeve nacionaliste njëherazi dhe ndaj tijë.Besa që ushtarakët e garnizonit të Milotit i dhanë Faikut jo vetë që le në hije banalitetet e koalemixhijëve komunist të llojit Shefqet Musaraj,por flasin në një kuptim tjetër më të gjërë se ushtarakët tanë kanë qenë dhe janë kundra çdo lloj shtypjeje qoftë fashiste apo ajo komuniste.Mukja edhe pse u dënuar prej ortodoksizmit ruso-jugosllav dhe servilëve kriminale shqipfolës të tyre,sidoqoftë mban një ngjarje madhore në analet e historisë shqiptaretë shekullit të kaluar. Nëse ajo u dhunua prej internacionalizmit proletar të ardhur prej stepave ruse,kjo nuk përbën aspak zhdukje të saj (Mukjes) nga shpirtin nacionalist të shqiptarëve.Së bashku me Mid’hat Frashërin, Faikun do ta shohim në Malësitë e Shkodrës dhe ate të Lurës,në krye të mjaft aksioneve si kundër fashistëve ashtu dhe komunistëve.Këta të fundit të njohur për goditje pas shpine nuk hezitojnë të godasin pa fije ndjenjeje mbi figura të shquara nacionalistësh madje duke deklaruar nëpër traktet e tyre paçavure për bashkëpunim të tyre me pushtuesit.

Një rikthim në traditën e lashtë shqiptare të besëlidhjes,u përpoqën ta kryenin edhe Mid’hat Frashëri,prof Vasil Andoni dhe Faik Quku në Shkodrën e marsit 1944.Duke qenë si bastion i antikomunizmit dhe duke rrezatuar frymën idealizmit për Shqipërinë Etnike dhe të lirisë së plotë,Shkodra u zgjodh prej liderëve të Ballit Kombëtar,jo vetëm si udhëkryq politik por edhe si udhëzgjidhje e problemeve kombëtare.“Besëlidhja e Shkodrës“ e themeluar prej këtyre tre liderëve mblodhi në gjirin e saj dhjetra e qindra nacionalistë të pamposhtur e të vendosur deri në fund për të luftuar me pushkë e penë çdo rrezik që u kanosej trojeve shqiptare.Një shikim i shpejtë i rpogramit të kësaj besëlidhjeje të bind për dimensionin e gjërë politik dhe human të kësaj Organizate.Në themel të parimeve kryesore të sajë janë liria dhe të drejtat e shqiptarëve të para në mënyrë krejt të ndërlidhura në universin ballkanik të përplasjeve.Thuajse të gjitha veprimet luftarake të „Besëlidhjes Shkodrane“ ruajnë identitetin krijues dhe vizionin atdhetar të Faikut,po aq sa i nderuar ndër rrethet intelektuale ushtarake të asaj kohe, figura e Qukut ishte edhe popullore me ushtarët e thjeshtë që mbushnin radhët e ushtrisë nacionaliste dhe që ishin të gatshëm deri në sakrificën sublime kur fjala ishte për Atdheun. Ripërsëris, se nëse historiografia shqiptare e sotme veçanërisht ajo ushtarake i ka shumë borxhe nacionalistëve shqiptarë,vlen të ulet koka me droje përpara veprës së Faik Qukut.Kjo historiografi do të dëshmonte të paktën pendesën e dëshiruar teksa të niste të hidhte dritë mbi nacionalizmin shqiptar dhe idealistë trima të sajë.Por nëntorin e vitit 1944-të në Shqipërinë e çfilitur do të sillte një ndjenjë shnjerzore të nacionalistëve prej kapelmbajtësve me yllin e kuq.Ani se ky yllë nuk kish qenë në flanurin e shtrenjtë shekullorë të shqiptarëve, komunistët brenda pak muajve harruan baballarët e kombit të tyre ata të rrethuar rreth zjarit i këndonin „baba stalinit“.Fjala nuk është për një vijë të hollë demarkacioni të thjeshtë midis komunistëve dhe nacionalistëve,por për një luftë frontale të zhdukjes fizike e morale të të dytëve prej të parëve.Në këto kushte ndërsa në Hotel „Dajtin“ e Tiranës krimineli komunist Hoxha festonte me „sivllezërit“ komunist jugosllav,në anën tjetër për mos të thelluar dhe më tej luftën civile të shpallur nga komunistët shqiptarë me dhjetra udhëheqës nacionalistë iu drejtoheshin kufijëve të shteteve fqinjë të tu riorganizuar dhe vazhduar rrezistencën antikomuniste,duke shpresuar se Zoti kish ruajtur diku një ditë të bardhë edhe për Shqipërinë. Kështu që Faiku emigron në Itali,dhe asapak i trembur dhe i penduar për ç’kish bërë për çështjen kombëtare.Këtë e dëshmonte më së miri aktiviteti i tij i gjërë,takimet,letrat,bashkëpunimet me organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtare.Atij i propozojnë detyra të rëndësishme në ushtri por ai refuzon,ai gjithë miqve dhe shokëve u thoshte se dua ti shërbej vetëm Shqipërisë.Përfytyrimi dhe vepra e tij e pjekur drejt një nacionalizmi të kohës,larg dhunimeve dhe betejave pa shkak,duket se e shpërblyen i japin detyrën në UNRA-së për Europën Juglindore,të cilën e mbajti deri në të vitit 1949-të. Më pas shkoi në SH.B.A.dhe aty i ofrojnë detyra të rëndësishme sidomos në forcat e armatosura,ai me mirësjellje i falenderon për besimin që kishin për te dhe fillon jetën qytetare duke u marrë me punë nga më të thjeshta.Merr pjesë në të gjitha takimet të nacionalistëve shqiptarë në Amerikë duke shpresuar gjithmonë e duke folur i sigurtë për rrënien e „perandorisë së komuniste“.Janë të njohura disa ese dhe pbliçistika e një stili sundues me të cilat hapen numrat e „Shenjëzat“ që botohej në Romë.Një studim i imët të kësaj publiçistike dhe në gazetën „BESA“ në Stamboll të çon natyrisht tek merraku i madh i Faikut për fatet e kombit dhe Shqipërisë dhe krejt trojeve etnike shqiptare.

Do të ishte pikërisht gazeta „Shenjëza” dhe “Besa” ato të parat që do të përshkruanin vdekjen në emigracion të Faikut në verën e vitit 1963-të,nën titullin „Kolonel Faik Quku ndërroi jetë“ mes tjerash thuhet…“ Në New Jork ku tallazet e rrepta të mbas luftës e kishin mërgue,vdiq midis verës që shkoi kolonel Faik Quku,një ndër oficerët më të përgaditur të Ushtrisë Kombëtare.Më 20 të korrikut ju banë salikimet në prani të shumicës së shqiptarëvet që e përcollën me nderime për në banesën e fundit.I ndjeri sihte në letërkëmbim të shpeshtë me redaksinë e të përkohshmes sonë,veprimtarinë kulturore të së cilës shumë e çmonte tue e nxitë e tue e përkrahë vazhdimishtë.Rrethi i „Shenjzave“ tue u përulë në shenjë dhimbjeje para Hijes së këtij Kryeushtari Shqiptarë,i paraqet familjes së tij përdhimbshmet ma të sinqerta…“(„Shenjëza“ korrik 1963)

Vdekja e Kryeushtarit gjeti pasqyrim të gjërë edhe në shtypin Amerikan të kohës.“Nju Jorj Tajmsi“ i 20.korrikut.1963 e cilësonte si udhëheqës të nacionalizmit shqiptar e veçmas si ndër udhëheqëit kryesorë të lëvizjes së rezistencës së Ballit Kombëtar.Ndërsa nga qeveria e Tiranës komunistë me dekret të posaqëm së bashku edhe me dhjetra nacionalistë të tjerë e quajti Faikun „tradhëtar“,duke mos lejuar përfundimisht kthimin e tij në Shqipëri. Kolonel Faik Quku së pari mendoj se duhet të ulet në vendin që i takon për gjithë që i dha Ushtrisë Kombëtare Shqiptare,kombit e Shqipërisë me dijen nga akademitë prestigjioze ndërkombëtare,dhe jo si ushtarët „partizan“ata që në mëngjez ishin togerë dhe në mbrëmje vonë bëheshin gjeneralë.Vlen të meditojmë rreth veprës së kolonel Faik Qukut,vlen të bashkëbisedohet mbi artin luftarak të tijin që e ndërtojë dhe më pas si Komandant i Forcave të Ballit Kombëtar për Veriun. Faik Qukun do ta përkufizoja si ajo vetëtima që nuk parathotë furtuna të reja por gjithsesi ndriçon diçka prej natës ideologjike shqiptare.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Faik Quku, KOLONEL I FORCAVE, NACIONALISTE

MASAKRA E MANASTIRIT

September 2, 2016 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/

 Në fillim të viteve 20-të të shekullit XIX,u duk se Perandoria Osmane nuk mund të kishte asesi forcën që pat demonstruar për shekuj me radhë.Ndonëse Sulltan Selimi III ndërmori një varg masash për forcimin dhe modernizimin e ushtrisë,ai nuk mund të shmangte dot ardhjen gjithnjë e më të furishme të një lëvizjeje çlirimtare që inspirohej prej popujve të sunduar.Ndonëse reformat e nisura me aq bujë,mbetën në mes të rrugës,ato u përpoq ti vazhdojë më pas Sulltan Mahmuti II.

Me të hypur në fron,Sulltan Mahmuti i II-të u përpoq të dobësonte sa më shumë të ishte e mundur pushtetin krahinor të feudalëve,në krejt perandorinë osmane.Një varg dekretesh dhe reformash,të zbatuara me masa të rrepta ndëhskuese,sidoqoftë ndonëse i dhanë një shkëlqim të rremë karrierës së tij,nuk mund të shpëtonin dot rrënien e perandorisë.Tashmë në horizont ishin shfaqur të tjerë sulltanë që quheshin Carë dhe kërkonin të „bënin zap“ jo vetëm Azinë por edhe Evropën.

Në pranverën e vitit 1827,kur flota ruse korri fitore të bujshme ndaj asaj turko-egjiptiane,u duk se lufta ruso-turke nuk do të vononte shumë.E zhvilluar në vitet 1828-1829,kjo luftë përfundoi përgjithësisht me fitoren e Rusisë e cila me ç’rast legjitimoi disa pushtime që pat bërë në brigjet e Detit të Zi si edhe disa vende të pjesës evropiane.Ndërkaq Porta e Lartë duhej të zbatonte edhe kushtet e përcaktuara në Paqën e Bukureshtit dhe që lidheshin me marrjen nën kontroll të Carit të Rusisë,Sërbija,Moldavija dhe Vllahija.

Kur Porta e Lartë parashihte t’i shkëputeshin edhe troje të tjera prej sundimit të saj,ajo ngulmoi të nise dhunën dhe represionin ndër kombe të shtypur.Sulltan Mahmuti II,në këtë kohë shpërndau regjimentet e mëdha të jeniçerëve (me të cilët dikur pat sunduar me thundër të hekurt) dhe organizoi ushtrinë e rregullt.Ai gjithashtu u përpoq t’u kufizonte pushtetin e tyre ekonomik të pashallarëve dhe kapidanëve të cilët në këto masa parandjenin centralizmin autokrat të Sulltanit.Veçanërisht pashallarët shqiptarë,nuk mund të duronin këto reforma centralizuese ndaj edhe kundërshtuan të luftojnë me ushtritë e tyre,kundër ofensivës ruse.E vërteta është se vrasja e Ali Pashë Tepelenës,u shoqërua me disa masa të Portës së Lartë,për t’u kufizuar shqiptarëve të drejtat sidomos në rrafsh të organizimit të administratës vendase.Në këtë mënyrë,krerët shqiptarë patën nisur të bashkërendojnë veprimet  duke kërkuar liri më të madhe se në qeverisjen vendore,ashtu edhe në organizimet e tjera të karakterit ushtarak.Këtij qëllimi i shërbyen edhe tri kuvende madhore,të mbajtur prej prijësave shqiptarë,në Berat,Janinë dhe Gjirokastër.Ndofta më i përparuar,në kuptimin e kërkesave,ka qenë kuvendi i Beratit i mbajtur në nëndorin e vitit 1828,me pjesmarrjen e krerëve të Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Jugut.Pos të tjerave,kapedanët shqiptarë në këtë kuvend,i dërguan Sulltan Mahmutit II,një kërkesë për dëbimin e Mehmet Reshid Pashës,nga posti i qeveritarit të sanxhaqeve të Janinës,Delvinës dhe Vlorës.Gjithashtu në kërkesë thuhej edhe për “largimin e të gjithë nënpunësve turq që kishin ardhur gjatë periudhës 1822-1828”.( “Kryengritjet popullore kundërosmane në Shqipëri “- Tiranë 1981 , faqe 41 ).

Në pranverën e vitit 1829,kur patën nisur të dalin në dritë,marrëveshjet e Paqës së Bukureshtit midis Rusisë dhe Turqisë,mjaft prej krerëve shqiptarë pësuan zhgënjime lidhur me pashallëqet e tyre.Ndër ta,Mustafa Bushatliu,i cili asaj kohe ishte komandant i një ushtrie të madhe shqiptare në brigjet e Danubit,nuk u konfrontua fare me rusët por u nis drejt Stambollit.Duke patur edhe përkrahjen e disa pshallarëv të tjerë,ai iu drejtua Stambollit me qëllim që kushtet e vendosura në Bukuresht midis Portës së Lartë dhe Rusisë të përcaktonin edhe autonominë e trojeve të Bushatllinjëve.E vërteta është se Porta e Lartë,në fillim iu tremb këtij marrëshimi të Mustafa Pashës drejt Stambollit.Ndonëse ai pat shkuar deri në brigjet e Danubit të luftonte kundër rusëve,me dinakërinë karakteristike ai e shmangu ushtrinë e vet disa mijëshe prej luftimeve.Por kësaj radhe,në ndihmë të Stambollit shkuan vetë trupat ruse.Në vendin e quajtur Arnaut Kalesi,në tetorin e vitit 1828,rusët rrethuan ushtrinë shqiptare duke i bërë thirrje për dorëzim.Por Mustafa Bushatliu urdhëroi sulmin dhe pas tri ditë luftimesh të ashpra,u detyrua të tërhiqej nga vendimi i marrë.Në krye të ushtrisë së tij, e cila pësoi humbje të konsiderueshme,Mustafa Pasha u detyrua të shkonte në viset e veta.Në vitin 1830,Greqia shpalli pavarsinë e saj.Mbas dhjetë vjet luftimesh kundër Portës së Lartë,ajo mundi me ndihmën e Rusisë dhe të Francës,të vendosë monarkinë,ndonëse ishte e cunguar në pikëpamje të territoreve,(ishulli i kretës dhe disa të tjera ishin plotësisht nën sundimin  eTurqisë) Në luftën e Portës së Lartë për të ruajtur sundimin e vet në Greqi,muarrën pjesë dhe disa prej kapedanëve shqiptarë,të cilët gjithsesi nuk treguan prova të një armiqësie të mirëfilltë.Sidoqoftë pas përfundimit të kësaj luftë,edhe këta kapedanë shqiptarë iu bashkuan të tjerëve në kërkesat kundër centralizimit të pushtetit si edhe largimin e nënpunësve turq nga pashallëqet shqiptare.

Përballë këtyre kërkesave të cilët shprehnin vullnetin e prijësve shqiptarë për vetëqeverisjen si edhe pakësim të sanksioneve të tjera ekonomike,fillimisht Porta e Lartë,u pa të ishte indiferente.Më tej,kur me anë të agjentëve të shumtë të saj,mësoi se kapedanët shqiptarë të Jugut,po kërkonin besën e atyre të Veriut për një kryengritje të Përgjithshme,Stambolli vendosi të vazhdojë proceset e nisura në Shqipëri,sipas divizës “Përça e Sundo”.Ndër ata shqiptarë ku mundën të gjejnë dobësi,Porta e Lartë pagoi para ose afroi karrige në pushtetin e vet.Ndërsa për të jerët,nuk mungoi deri edhe t’i vrase.Kështu në fund të vitit 1829,Porta e Lartë vrau Ismail Bej Vlorën(babanë e Ismail Qemal bej Vlorës) ngase ky i pat deklaruar Stambollit që në pashallëkun e tij,”nuk do të shohë asnjë këmbë nënpunësi osman”.

Pas vrasjes së Ismail Bej Vlorës , si edhe dy-tri prijësave të tjerë në Janinë dhe Gjirokastër,Porta e Lartë mendoi se diçka do të ndryshonte në revoltën e shqiptarëve.Por masat e gjëra popullore shqiptare,të zhytura në varfëri e mjerim,të rrethuar prej errësirës së sundimit,nuk mund të frigoheshin prej shkaqeve të tilla të terrorit fizik.Në fillim të vitit 1830,në disa prej Vilajeteve shqiptare,protestat kundër taksave si edhe ligjeve të rekrutimit për ushtarë,u fuqizuan dhe nuk munguan t’i drejtoheshin me tone të ashpra Stambollit,pikërisht në kte kohë ai i preu kokën në Berat Hasan bej Vrionit dhe varri më pas në Manastir Shaban Gegën.Është kjo arsyeja  që në verën e vitit 1830 u përgadit dhe u zhvillua masakra e Manastirit e cila për nga lloji i vet,është krejt e veçantë jo vetëm në Ballakn por edhe në Botë.Kështu që për të vendosur sundimin e hekurt në Shqipëri,Porta e Lartë,dërgoi në korrik të vitit 1830,një ushtri të madhe,atje të komanduar prej Mehmet Reshit Pashës.Ky ushtarak njihej jo shumë për trimërinë,se sa për ligësinë dhe pabesirat.Me të mbërritur në Manastir,në fund të muajit korrik 1830,Mehmet Reshit Pasha,hapi fjalë se kish marrë urdhër prej Sulltan Mahmutit II-të,që të bisedonte me shqiptarët,në mënyrë që të gjente gjuhën e përbashkët me ta.Ai nuk mungoi gjithashtu të fliste se sipas Sulltanit disa kapedanë shqiptarë që patën luftuar kundër Greqisë “do të marrin paratë sipas kushteve të caktuara më parë”.( Instituti i Historisë – Tiranë.Fondi i dokumentave të Vjenës. Letër e Berichte dt.30 korrik 1830 ).

Në ditët e para të gushtit 1830,në krejt viset shqiptare,u shpërndanë lajmëtarë të Mehmet Reshit Pashës të cilët u dorëzuan prijësave shqiptarë ,ftesat e firmosura prej vetë Sadrazemit me ç’rast thurreshin në Manastir.Sipas teksteve të këtyre fermaneve,prijësat shqiptarë thirreshin në Manastir për të marrë pjesë në ceremoninë ushtarake për shkak të riorganizimit të Ushtrisë si edhe për të lexuar disa dekret-falje të Sulltan Mahmutit ndaj disa prijësve shqiptarë si edhe t’u jepeshin rrogat atyre shqiptarëve që patën luftuar kundër Greqisë.E vërteta është se shumë prijës e kapedanë shqiptarë,menduan se gjithshka ishte normale.Ndërsa grekët festonin pavarsinë fqinjët e tjerë do të kishin mundësi së paku për t’iu shmangur atyre taksave të rënda apo detyrimeve ushtarake tejet të ashpra.Të rritur mes maleve,të edukuar me nder e besë nga gjenerata në gjeneratë dhe për më tej,kur shumica e shqiptarëve të asj kohe e pat rregulluar jetën sipas ligjeve të kanunit,këta prijës shqiptarë nuk do të mund të arrinin deri tek djellëzia e sakjshme e Mehmet Reshit Pashës(nga Gjeorgjia me preardhje).Ndërkaq ky i fundit,pat caktuar datën e saktë ( të djelën e fundit të gushtit) në të cilën do të zhvillohej parada e madhe ushtarake për nderin e të fituarve.

Kësisoj për të radhur më 26 gusht 1830,ditën e asaj gjëme të madhe.Burimet osmane flasin për më shumë se 500 prijës shqiptarë të cilët patën zënë vend në tribunën e ngritur në qendër të qytetit të Manastirit.Ndërsa çadra e zbukuruar e Mehmet Reshit Pashës,ka qenë e vendosur diku më larg tribunës,në një vend më të lartë,kinse për të ndjekur më mirë këtë paradë.”Por ndërsa parakalonin përpara mysafirëve,ushtarët turq përnjëherësh,sipas udhëzimeve u ndalën nga tribuna dhe filluan të qëllonin në befasi mbi feudalët dhe prijësit shqiptarë.Brenda pak minutave u shfarosën kështu me tradhëti,më shumë se 500 shqiptarë”.( Historia e Shqipërisë – Tiranë , Vëllimi I 1959,faqe 483).

Janë sërish burimet arkivore Turke,që thonë se pas vrasjes barbare,prijësit shqiptarë iu nënshtruan një tjetër barbarizmi,Mehmet Reshit Pasha,urdhëroi që kokat e prijësve të priten dhe të dërgohen menjëherë në Stamboll,me ç’rast Sulltan Mahmuti II i ka afruar shpërblime të majme Sadrazemit të tij.Gjaku që skuqi rrugët e sheshet e Manastirit vazhdoi deri në Stamboll,kudo i binte erë tradhëtie. Kjo masakër e Portës së Lartë,nuk mund të kalonte pa u ndier në krejt vilajetet shqiptare e më tej.Ajo ishte e para në llojin e vet dhe për të arritur qëllimet e veta,Porta e Lartë nuk mungonte të organizonte edhe tragjedi të tilla.Ndofta do të ishte me vend,të sillja këtu një këngë shqiptare që flet për këtë masakër të dhimbshme ndaj trimave shqiptarë.

Asllan beu me Veli benë

Në Meçovë bënë benë,

Në Manastir do të venë,

Të kërkojnë Ylefenë.

Po s’ua dha me të mirë,

Dotë djegim Manastirën

Veziri bëri gostinë,

Thirri Asllan dhe velinë,

Tek e thirri mbe të parë

Se veziri të ka si djalë,

Veli beut i erdhi rëndë

Tha.O Asllan mos u trembe

Kur ra batareja e parë

Asllan beu lonte rehvanë

Kur ra batareja e dytë,

Asllan beu po hapte sytë,

Kur ra batareja e tretë,

Asllan beu bëri përpjetë.

Ike,Ike,o çil i shkretë

Se qorr pasha na vjen vetë,

As e shihni Qorr pashanë,

Se si ka përveshur krahnë

Marre garginë mbe njanë

Për Velinë e për Asllanë.

( Thimi Mitko “ Bleta Shqiptare “ Vjenë 1924 ,faqe 80 ).

Dy prej personazheve të kësaj kënge,Asllan Kuçi dhe Veli Gorashjani,kanë qenë kapedanë të njohur shqiptarë të cilët shkuan të luftojnë kundër Greqisë (ajo u mbështet gjerësisht prej Francës dhe Anglisë).Këta dy kapedanë luftuan për muaj të tërë kundër ushtarëve grek duke rrëfyer heroizma të mëdha.Ndërkaq,duke parë se lufta e popullit grek,ishte në thelb luftë për pavarsinë e një kombi,këta prijës shqiptarë si edhe plotë të tjerë,u tërhoqën nga fusha e betejës duke ndjerë intuitivisht se në këto rrethana mund të ndodheshin edhe ata vetë,të nesërmen.Sidoqoftë masakra e Manastirit nuk mund të përmblidhet në një hakmarrje të verbër,ndaj dy kapedanëve shqiptarë,emrat e të cilëve i përmend kënga e mësipërme.”Kurthi i përgaditur ishte në vetë politikën e Sulltanit gjaksor,i cili nuk kishte marrë parasysh se ata nuk mund të bënin më shumë në Greqi.Por edhe për të ardhur keq,se si qe e mundur,të paktën për një pjesë të parisë shqiptare që të mos të kuptonte se përderisa Sulltan Mahmuti II,katër vjet më parë,kishte shpartalluar korpusin e jeniçerëve,pse të mos ndodhte e njëjta gjë me ta ? Besimi i verbër bëri që shqiptarët të bjenë në kurthe”(Prof.Koli Xoxe,”Franca sipas D’Istrës” – Tiranë 1992, faqe 251 ).

Por masakra e Manstirit e 26 gushtit 1830,do të kishte edhe një dimension tjetër,po aq rrënqethës,por tanimë në një tjetër trevë shqiptare,në Janinë.Edhe këtu,në të njejtën ditë është organizuar tragjedia sipas të njejtit skenar,prej Emin Pashës,të birit të Mehmet Reshit Pashës,Ky pati thirrur aty dhjetra prej kapedanëve  më të dëgjuar nga jugu i shqipërisë,midis të cilëve e dhe Celo Picari,Zuluftar Poda,Zenel Gjolekën e tj.E vërteta është se këta prijës shqiptarë,nuk u besuan këtyre ceremonive ushtarake ndaj edhe refuzuan pjesmarrjen.Ndërkaq,ish konsulli francez në Janinë,Ezhen Pushade,në librin e vet “Turq dhe Krishterë” duke përshkruar masakrën e Janinës,flet vetëm për disa kapedanë të vrarë prej dorës së Emin Pashës.Babë e bir,kishin ndjekur të njejtën rrugë krimi,duke marrë kështu jetën e pafajshme të qindra prijësave shqiptarë.Pas masakrave në Janinë dhe Manastir ku u vranë dhe therrën rreth 500 prijës shqiptarë,Mehmet Reshit Pasha dhe i biri Emin Pasha,vijuan djegjet,vrasjet dhe plaçkitjet në masë,kundrejt popullsisë shqiptare të pambrojtur.Mbi bazën e një plani fort bukur të studiuar,babë e bir,iu drejtuan me ushtrinë e tyre dhjetramijëshe,sidomos fortesave dhe kalave natyrore të shqiptarëve,duke i djegur ato,me ç’rast donin të shuanin me çdo kusht,qëndresën e “arnautëve të pabindur”.Në këtë varg luftimesh të papara,Porta e Lartë kërkonte të rriste edhe të fundmit prijës shqiptarë që patën mbetur gjallë e për më tej,të qeveriste jo vetëm me pashallarë por edhe nënpunës të vegjël turq.

Anipse vilajetet shqiptare u shndrruan në fushë-beteja të mëdha,anipse në vitet 1830-1831, çetat e prijësve shqiptarë pësuan humbje të konsiderueshme,përsëri revolta e shqiptarëve nuk u shua.Një varg kryengritjesh të viteve 1833-1835,të cilët përfshinë Dibrën,Kosovën  etj,dëshmuan se dredhitë, masakrat luftërat me arm,nuk do t’i ndalnin dot shqiptarët në rrugën e tyre të mëvetsimit.Shpirti kryeneç dhe i pavarur shqiptar,dëshira e tij për liri dhe vetëqeverisje, kishin dalë fitimtarë mbi logjikën e luftërave të për të ardhmen e tyre kombëtare.

Bern-Zvicër

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, MASAKRA E MANASTIRIT

SAID NAJDENI, ARKITETKT I DIJES SHQIPTARE

July 29, 2016 by dgreca

Ne Foto:SAID NAJDENI ( HOXHË VOKA )1864 – 1903/

Shkruan:Eugen SHEHU-Bern-Zvicër/

  Ende sot,në kujtesën e gurëve të sokaqeve,në lagjen e pazarit të Dibës,ruhen gjurmët e një djaloshi të pashëm e të heshtur që kthehej nga shkolla fillore e qytetit.Ende sot,ata gurë e drurë, ruajnë zërin e ëmbël dhe vështrimin e menduar të birit të tyre,Said Najdenit.Kujtesa e gurëve është e çuditshme.Sado e ftohtë ajo gjithsesi ruan nën një simetri mahnitëse,dallgët plot tallaz të jetës së atyre që ecin e rrinë mbi ta.Në fundvitin 1864,kur lindi Said Najdeni (Hoxh Voka) NGA I ATI Islami dh e ëma Esma,Dibra e Madhe,padyshim ishte një prej qëndrave ku po ngritej një lëvizje madhore edhe kulturore.Në pamje të pare,qyteti me ato shtëpi të pastra e të bukura,me ato dyqane të pasura,me ato prodhime të bollshme të luginës së Drinit të Zi,të ngjante se ishte në rrjedhën e vet normale.Por së thelli,qyteti dhe dibranët që e popullonin ate,ndjenin një peshë të rëndë në supe.Sundimiet e një pas njëshme, sido të ishin,në çfardo forme të butë të shfaqej,ajo mbetej në mungesë lirie.Ndaj dibranët me ate zgjuarsinë dhe trimërinë që i pat karakterizuar,kishin nisur të mblidheshin nëpër shtëpitë e sho-shoqit,të bisedonin fshehurazi,të mendonin se si do të mund të flaknin prej supeve barën e sundimtarëve.Për këdo dibran të mençur,ishte e qartë lakmia e fqinjëve të lashtë të cilët për të kënaqur orekset e veta do të bënin ç’ish e mundur që pas rënies së Perandorisë Osmane,t’u vërsuleshin kufijve natyrorë shqiptare.Parë në këtë prizëm,Dibra sigurisht do të ishte kafshata e pare e tyre,sidomos prej pozicionit gjeografik.Po ndërsa serbët,grekët,bullgarët llogarisnin si të tillë,vetë dibranët e mendonin padyshim veten e tyre në radhët e para të bastioneve,aty ku trimëria shqiptare do të shfaqte vehten e saj.“Duke u nisur nga viti 1877 dhe mbas dështimit të Lidhjes së Prizërenit,për të arirtur autonominë,kombi shqiptar, përqendroi përpjekjet e veta në fushën intelektuale dhe morale.Shoqata letrare dhe patriotike u shtuan së tepërmi,ndërgjegjja kombëtare u orjentua drejt një ideali të ri dhe ky nacionalizëm bëri që të zhduken të gjitha dallimet klasore ose fetare.Ndjenja fetare,në çdo kohë është tërhequr para ndjenjës së races dhe shqiptarët myslimanë në fakt ishin të parët që treguan se nuk e duronin dot zgjedhën osmane”.(Mit’hat Frashëri,”Shqipëria” botuar në “La Revue de Geneve” më 1922).

  Në konturet e këtyre viteve,u rrit dhe u shkollua Said Najdeni.Në shkollën fillore por sidomos në ate Ruzhdije,të Dibrës,ky kish nisur të dallohej nga moshatarët e tij për nga mënyra e seriozitetit me të cilin trokiste në dyert e diturisë.Babai i tij Islami,përkujdesej vazhdimisht që i biri i tij të mësonte sa ma shumë.Edhe pse vetë,Islami s’ish,pos një tregëtar i zakonshëm por i nderuar,ai i desh fëmijët e tij të urtë e të kulturuar.Ka qenë kjo arsyeja që pas mbarimit të shkollës Ruzhdije,ai e dëron të birin në Stamboll për të vazhduar studimet e mëtejme.Në vitin 1884,Said Najdeni rregjistrohet në shkollën e lartë teologjike në mederesenë e Hajdar Fatihut.Kurjoz për nga natyra dhe me një vullnet të madh,ky bir i Dibrës së Madhe,shumë shpejt do të hynte në misteret e fesë islame.Por të mos harrojmë se në Stambollin e viteve të fundit të shekullit të kaluar,ishte një plejadë e tërë e patriotëve shqiptarë të cilët me shpirt e vepra,tregonin,dashurinë e shenjtë të tyre për atdheun.Kësisoj,përveç miqësisë me dibranët,Said Najdeni do të kishte fatin e madh të njihej nga afër me dy kolosët e patriotizmit shqiptar,vëllezërit Naim e Sami Frashëri.Prej të parit,djaloshi i menduar i mederesesë do të mësonte përmendësh dhjetra poezi-perla,ndërsa prej Samiut do të mësonte historinë e të parëvet të tij,vlerat e atyre kohërave dhe të ardhmen e Shqipërisë.Shumë shpejt,nën ndikimin e drejtëpërsëdrejtë të vëllezërve Frashëri por edhe të mendimit të kristalizuar të dhjetra patriotëve të tjerë shqiptarë,Said Najdeni futet vendosmërisht në Shoqërinë e Shkronjave Shqipe të Stambollit, dihet tashmë se kjo shoqëri e atdhetarëve të vërtetë shqiptarë,mbronte në gjirin e saj jo vetëm vizionet e të nesërmes shqiptare,por sidomos,energjitë e mëdha të pashteruara e të pa friguara prej asnjë kërcënimi.Natyrisht të merrje pjesë aktive në këtë shoqëri nuk ishte e lehtë edhe për faktin se rreth saj silleshin disa shqiptarë të shitur tek Perandoria,të cilët bënin gjithshka për të shkatëruar veprimtarinë e saj.Said Najdeni do të burgoset dhe do të vuaj dënimin në burgun e Edrenesë ku do të njihej me shumë atdhetarë e mezin e tyre dhe me Hafiz Ibrahim Mitrovicën.

Në vitin 1888,teologu Said Najdeni,dallohet në krejt medresenë për njohuritë e fituara me ç’rast,i afrohen edhe disa vende ku mund të predikoje brenda Stambollit.Por ky preferon Dibrën e Madhe. Dhe këtu,jo thjesht për t’u mësuar dibranëve të vegjël se si të falen në xhami,por,për diçka edhe më të thellë,edhe humane e të përgjegjshme për fatet e Shqipërisë.Me nismën e vet,Said Najdeni me t’u kthyer nga Stambolli,çel në Dibër të Madhe shkollën e parë për mësimin e gjuhës shqipe.Me parat e tij,ai ka blerë fshehurazi në Sofje disa abetare në gjuhën amtare dhe këto ua fal nxënësve të vet,duke menduar se janë pikërisht ata që do të marrin dikur në duar fatin e mjerë të Shqipërisë.

Shkolla e çelur prej Said Najdenit,ndiqej fshehurazi nga dibranët e vegjël.Ata shkonin e në shtëpinë e patriotit të madh një nga një që të mos binin në sy të autoriteteve policore pasi kjo përbënte rrezik të madh për ato kohë.Aty mësonin jo vetëm të shkruanin gjuhën shqipe por merrnin edhe mësime historie e gjeografie.Në ndonjë rast Said Najdeni ndalej duke spjeguar me ate gjuhën e tij popullore dhe të ëmbël edhe teologji por kurdoherë duke ndezur përmes predikimeve të fesë,dashurinë e shenjtë të nxënësve të tij për Shqipërinë.E pandashme prej këtij misioni do të ishte krejt veprimtaria e tij në ato vite.Atdhetar i dimensioneve të mëdha,Said Najdeni kurrsesi nuk do të mjaftohej me çeljen e shkollës shqipe në Dibër të Madhe.Ai tashmë bashkëpunon ngushtë me Dervish Himën,Hamdi Ohrin dhe Iljaz Pashë Dibrën,mbledh fonde prej patriotëve dhe nis të çelë shkolla në trevat e Dibrës së Madhe duke i paisur këto me tekste shqipe.Arkitekt i këtyre shkollave shqipe,arkitekt i dijes shqiptare në krejt horizontet e saj,Said Najdeni,deri në çastet e mbrame të tij,do të kontribonte në iden e madhe të një civilizimi të bashkëkombasve.”Atdhetari i shquem dibran,Hoxhë Voka,kishte marëdhënie me shoqërin kombëtare të Sofjes,nëpërmjet Josif Bagerit prej Rekës së Epërme të Dibrës,prej kah i merrte të gjitha librat e fletoret shqipe që shtypeshin në atë kohë dhe i transmetonte nëpër degët e tjera të komiteteve kombëtare.Këto libra dhe fletore mbritshin deri në Shkup me anë të postave të Austris e prej aty vijshin në Dibër me qiraxhi besnikë”

(J.Starzimiri , “Lëvizja kombëtare në qarkun e Dibrës”,kujtime, Tiranë 1978, faqe 142 ).

  Në vitin 1900,Said Najdeni boton në shtypshkronjën “Mbrothësia” të Luarasit librin “Fe-rrëfenjësja e myslimanëve”.Në çdo pasazh të këtij libri,rri zgjuar ideja se pa marrë dituri,pa mësuar gjuhën e vet,çdo komb mund të shuhet.”Fe-rrëfenjësa” e Said Najdenit,u shpërnda falas nëpër krejt Dibrën dhe sidomos ndër nxënësit e shkollave.Gjithashtu,në po këtë vit,në “mbrothësia”,Najdeni boton abetaren e gjuhës shqipe,frut i përpjekjeve disa vjeçare në këtë fushë.Megjithëse patën kushtuar shumë,të dy këto tekste u shperndan falas duke u pritur me interes të madh në rrethet e djelmërisë dibrane.Mandej këto dy tekste të tij do të shpërndaheshin fshehurazi deri në Kosovë nga ku lidhjet e Said Najdenit ishin të mëdha.Ndikim të madh do të kishte Saidi edhe në rastin e luftës greko-turke,në Kretë.Disa dibran të gënjyer nga propaganda e Portës së Lartë,vrapuan të marrin pjesë në këtë luftë,në këtë rast,qëndrimi i Saidit ishte mjaft i prerë, “Në vend që të luftojmë e të vritemi për të tjerë,u thosh ai miqve të vet,ne duhet të mendojmë se ç’duhet të bëjmë për Shqipërinë.Ne duhet të zgjohemi e të bashkohemi pse rreziku po na troket tek porta”.”Komiteti Shqiptar “ i Stambollit,ndërkaq kish filluar të punoje për krijimin e një organizate qendrore e cila do të mund t’i ngjaje asaj të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.Duke qenë se,në krye të këtij Komitetit në Stamboll,ishte Sami Frashëri,Said Najdeni shkon shpesh aty prej nga merr detyra e përgjegjsi të reja mbi supe.Ai niset prej Stambolli për të marrë pjesë në Lidhjen e Pejës,ideator i të cilës ishte Haxhi Zeka.Nga Stambolli ky patriot i Dibrës së Madhe,së pari shkon në Kosovë.Aty e presim karhëhapur disa miq të tij dhe kur e marin vesh se cilat ishin idetë,nuk i ndahen për asnjë çast Saidit.Janë të njohura sidomos takimet e këtij atdhetari në Mitrovicë e rrethinat e saj.Ulur këmbëkryq në odat e burrave,Said Njadeni bënte thirrje të hapura që të linin menjanë,gjakmarjet dhe përçarjet të bashkoheshin rreth burrave të mençur të Kosovës që s’u patën munguar asnjëhrë për të mbrojtur nderin e Shqipërisë. Natyrisht në rradhët e tyre dëgjonin fjalën e urtë të Said Najdenit,pati edhe të shitur tek Porta e Lartë,të cilët informonin rregullisht këta lidhur me propagandën që bënte biri i Dibrës së Madhe.Kështu në vitin 1899,një ferman i ardhur prej Stambolli,porosiste kajmekanin e Veleshtit(Strugë):

”Lajmërohemi nga burime të sigurta se Said Hoxha,i veshur me petkun fetar asht nisë në direksion të Kosovës,me qëllim që opinionin e atij populli të kulluet,ta përlyej me ndjenja revullucionare e të poshtra të idesë kombëtare shqiptare.Prandaj me shumë rëndësi ju porosisim që të merrni masat e shpejta për ta ba ndjekjet e rrepta që të shtihen në dorë medoemos”.(“Djelmëria dibrane”, dorëshkrimi,ruhet në arkivin e muzeut historik të Dibrës,Peshkopi).

Por nëse arrestimin e tij nuk arriti ta bëjë kajmekami i Veleshtit këtë akt e kreu Valiu i Shkupit i cili kishte të dhëna të plota të veprimtarisë atdhetare të Said Najdenit.Por edhe Valiu i Shkupit,pas disa ditësh e liroi Saidin.Si shkak ishte presioni i madh i personaliteteve shqiptare në Stamboll të cilët shihnin në veprimtarinë e Najdenit të ri dhe energjik,shembëlltyrën e një fatosi në rrafsh të shqiptarizmës.Dhe u deshën vetëm dy javë nga dita kur birit të Dibrës së Madhe i hiqen prangat,që ai të ngrerë këtu,në vendlindjen e vet,komitetin organizator në përgjigje të “Lidhjes së Pejës” me ç’rast u quajt “Besëlidhja e Dibrës”.Këtu fjala e ngrohtë e Saidit jo vetëm do të fitonte zemrat e bashkëkombasve të tij por do t’i ftonte ata të mendonin se si duhej punuar për ardhmërinë e Dibrës dhe krejt Shqipërisë.Lidhur me këtë eveniment të jetës politike e sociale të Dibrës,konsulli austriak,me 11 maj 1899 i shkruan ministrisë së punëve të jashtme në Vjenë se ;”Një pjesë e konsiderueshme e bisedimit ka qenë diskutimi mbi bashkimin e të gjithë elementëve pa dallim feje,të cilët gjithashtu flasin shqip,mbi trajtimin krejtësisht të barabartë të shqiptarëve të krishterë,mbi të folurën dhe të shkruarën e gjuhës së vet,si dhe domosdoshmërinë e çeljes së shkollave shqipe”.(Haus – Hof und ,stats – archiv ).

Për tu kujdesur për gjuhën shqipe,sidomos në aspektin leksikor të saj,Said Najdeni nuk rresht së punuari.ky ishte deri në fund  shqetsimi i atdhetarit i cili donte të dëgjonte sa ma pak fjalë turke apo greke të futura në shqipen tonë të lashtë e të bukur.Edhe në biseda e takime me ptriotë të tjerë ai e shfaq natyrshëm këtë shqetsim.Madje deri larg,në rrethinat e Selanikut,më 1900,bisedon me Nexhip Dragën rreth këtij fenomeni me të cilin ka pak a shumë mendime të njejta.Natyrisht tërë kjo veprimtari nuk mund të kalojë pa rënë në sy të autoriteteve osmane.Pasi e kanë burgosur njëherë,tani ata e kërcënojnë birin e Dibrës së Madhe me internim në Anadoll.Pos kësaj,edhe pse është një student erudit,atij nuk i jepet mundësia të studijoi në Stamboll në fakulltetin e drejtësisë me pretendimin absurd se “ka hapur telashe i veshur me petkun fetar”.Natyrisht pas fjalës turke telash,duhet nënkuptuar krejt ajo veprimtari atdhetare në kahje të civilizimit të bashkëkombasve të Saidit,nëpërmjet udhëve të shumta të diturisë.Por edhe pse është kurdoherë nën kërcënimin fizik të jetës,aktivitetit i tij do synojë kurdoherë nivele të lartë e të rinj.Tashmë ai ka fituar një simpati në rrethet atdhetare.Me paratë e veta ai blen libra shqipe duke i shpërndarë këto fshehurazi dhe ndërmerr udhëtime të largëta,në Rumani,Bullgari e deri në Itali pranë arbëreshëve duke u përpjekur të ndërtojë ura të sinqerta komunikimi mes atdhetarësh të vërtetë.Edhe pse në mjaft raste,në biseda të hapura me popullin,ai shkonte i veshur me petkun fetar,kjo s’e pengoi aspak Said Najdenin të kërkonte që ndjenjat fetare të vireshin natyrshëm në shërbim të ndejnjës madhore,asaj të rilindjes së Shqipërisë dhe përparimit të saj.Madje në këto kontekste,me dy-tri rreshta ai gati të befason në ate çka nënkupton me dashurinë për atdheun.Më tepër se një dashuri eterike,ai ka parasysh një forcë të brendëshme vepruese e të dukshme kur shkruan se ; “Dashuni e mëmëdheut nuk bahet me të dhën fjalën se e due mëmëdhenë.Kjo dashuri ka nyjet e rranjët e veta.Për mëmëdhenë duhet me qenë gjithnjë shërbetorë”.(Said Najdeni(hoxhë Voka)”Fe-rrëfenjësja e myslimanëvet”,faqe 6).

Është fakt i pamohueshëm se në vitet e para të këtij shekulli malina e madhe e dhunës së Portës së Lartë,iu vërsul mizorisht synimeve të atdhetarëve shqiptarë që kërkonin zgjim të vetëdijes kombëtare.Kështu në vitin 1902,autoritetet osmane bënë çështë e mundur për çeljen e shkollave turke.Me anë të kësaj nisme ata donin të goditnin drejtpërsëdrejti dinjitetin e etnisë shqiptare duke paraparë me ç’rast një taktikë të re që mund t’i mbante ende në këmbë rrënojat e Perandorisë së madhe.Numëri i shkollave turke,të paramenduara për tu çelur në Dibër ishte 100 por ai askurrë nuk u arit pse atdhetarët si Said Najdeni,bënë ç’ishte e mundur të qytetëronin kombin me gjuhën,historinë dhe gjeografinë e vet.Aq dukshëm ishte kjo lëvizje përparimtare në Dibër,sa po këtë vit,Sulltan Hamiti i II-të dërgoi aty,Nuri Beun,ndër më të besuarit e oborrit.Por ky,dy javë pasi kishte ardhur në Dibër të Madhe ngase filloi të ndjekë bijtë e shqiptarizmës,ngase kërkonte të vendoste terror ushtarak,u vra një ditë me diell,në mes të pazarit të qytetit,prej patriotëve trima të Dibrës.Për të kundërshtuar turqizmën e rrezikshme që mund të mbillej aso kohe,Said Najdeni u mbështet jo vetëm në atdhetarët e vendosur por edhe tek klerikët e çdo religioni.Në mënyrë të veçantë,Hoxhë Voka,mbajti lidhje me baballarët e teqeve në Dibër,të cilët gëzonin respekt të madh ndër njerëzit e atyre anëve.Mbase nuk duhet të harrojmë se edhe në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,ishin këto teqe që u shëndruan në vatra të pashuara të nacionalizmit shqiptar.

Ndërkohë mbi Perandorinë Osmane,po binte një muzg dyshues.lavdia e saj sa vinte dhe po rrudhej,madje në horizontet e largme shfaqej sëmundja e pasherueshme e coptimit të trojeve shqiptare.Ballkani më tepër se kushdo prej territoreve të kësaj perandorie,parandjente të ardhmen shpërthyese.por ashtu siç ishin mpleksur interesat,etnitë,të vërtetat dhe legjendat ballkanike,vështirë se do të gjendej një orakull për të përcaktuar fatin e këtyre trojeve.Ndër ata shqiptarë që parandjenë rrjedhat befasuese të ngjarjeve ishte padyshim edhe Said Najdeni.Ai përgaditet për t’u nisur nga vilajetet e Manastirit e Kosovës (Duke patur mandatin e “Besëlidhjes së Dibrës”) të shkojë në Itali ku e priste Ismali Qemali për një organizim mbarëkombëtar,në ate mbledhje Hoxhë Said Najdeni përfaqsonte Dibrën dhe Kosovën,Refik bej Toptani Shkodrën dhe Ismail Qemali Janinën mbledhja kryesohej nga Xhemajl Pasha.Por nga Porta e Lartë,tashmë ka ardhur urdhëri i arrestimit të tij.Këtu fillon edhe odiseja  e gjatë dhe plot mundime e rrugës.Në ilegalitet të plotë,i rrethuar prej miqve që i kish gjithkund,pas dy jave peripecish ai mundi të shkojë në Itali.”Një nga miqtë e mij të vjetër,Said Efendiu,erdhi të më shohë në Romë,për të shkuar më pas në Tripoli”.(Ismail Qemali,Kujtime,faqe 209 ).

Pas bisedave me Ismail Qemalin,Said Najdeni i drejtohet Tripolit ku takon gjeneralin Rexhep Matin. Natyrisht,në bisedat e këtyre burrave ka qenë i parnishëm meraku se si mund të organizohej e mbrohej Shqipëria e vogël,përballë lakmive të mëdha të monarkive të krishtera  ballkanike,e në të njejtën kohë si mund të hidhej tutje të kalohej sa ma butë nga sundimi osman.Por në Tripoli,Said Najdeni do të sëmurej rëndë.Mesa duket vitet e vështirë që pat kaluar,të ftohtit dhe borra e dimërave,rrugët e largëta herë me bukë dhe herë pa bukë,burgosja disa mujore,kishin bërë të vetën.Ndërsa kthehej për në shtëpi, në vendlindje,ligej çdo ditë si një lis që synojnë t’i presin rrënjët.Aty e presin krahëhapur.Madje autoritetet vendase duke parë shëndetin e tij nuk rrendin ta arrestojnë duke menduar se mund të hapnin shumë telashe.Njerëzit e shtëpisë e rrethojnë me një dashuri madhore por pa mundur t’i kthenin birit të tyre të shtrenjtë,shëndetin dhe bukurinë trupërore.Në një çast ligështimi të tyre ndofta,në dhomën ku dergjej shtrirë,zëri i Said Najdenit kumtoi,ngadalë nën një butësi engjëllore ;

“Edhe në vdeksha,ju të mos u vije keq,sepse po vdes me dashurinë e atdheut në zemër.Qëllimit,për të cilit u mundova,s’mund me ma kalb as toka.Në vorrin tem mos me veni gurë deri sa të lirohet Shqipëria dhe kur të fitohet liria,më veni gurrë,t’ue mi shkrue shqip.Në këto gurrë të ngrini edhe flamurin e kombit,të cilin une për fat të keq,s’un po e shof për së gjalli,po mund barem ta kem afër”

  Më 21 nëntor të vitit 1903,kur ishte vetëm 39 vjeç,Said Najdeni ky pishtar i pashuar i dritës dhe shqiptarizmës,mbylli sytë.Mbaronte kësisoj një jetë e cila deri në çastin e mbramë u jetua e tillë,respekti i krejt shqiptarëve për te ishte mjaft i madh.Kështu në korrikun e vitit 1909,të gjithë delegatët nga të gjithë krahinat dhe religjionet,vajtën me lule në duar tek varri i thjeshtë i Said Najdenit.Ata u betuan aty për vazhdimin e asaj udhe të gjatë,plot sakrifica,të shqiptarizmës.

Dhe nëse në vitin 1948,komunistët jugosllav rrënuan nga themelet shtëpin ku Saidi lindi dhe çeli më pas shkollën e parë shqipe në Dibër,kjo nuk do të thotë aspak se vepra e tij u harrua.Me qindra nxënës të tij e ruajtën të gjallë kujtimin siç ruhet ende sot në kujtesën e kombit dhe atyre gurrëve të theshtë që mbuluan fillimisht varrin e tij.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Histori Tagged With: ARKITETKT, Eugen Shehu, I DIJES SHQIPTARE, SAID NAJDENI

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 18
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT