• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUPTIMI I XXVIII NȂNDORIT

November 24, 2021 by s p

Për  djelmnin  shqiptare

MUSTAFA  KRUJA

“Shqipëria e Ré”  Kostancë (Rumani) 1932   

 

                   

Po më duhet edhe mue me shkarravitun diça për numrin e veçantë të “Shqiprís së Ré” qi do dalë ditën 28 nëntor. S’e pata kët mendim. Por “Shqipëria e ré” e di t’a fusi njerin në valle edhe kur s’e ka zanat kërcimin a s’âsht në fel me kërcye.

Pra po shkruej. Por ça me shkrue? Ju them të drejtën se m’âsht dashun t’a lodh  mjaft mênden për me gjetun nji themë qi t’i përshtatej rasës dhe kohës bashkë e qi mund të këndohej pa mërzí të madhe prej kënduesve të ksaj fletoreje.

Ah të kishem qênë dhe un poet, sa m’a kishte ânda me i a çue dikuj zêmrën peshë e ndonji pikë lot mallëngjimi ndër sy, ashtu si m’a pat bâmë mue disa vjet përpara D. Lazër Shantoja me “Kuvêndin e Deshmorvet” po në rasën e 28 Nëntorit ! Por mue kët cilsí m’a ka mohue natyra. Nuk dij me shkrue vjersha. E jam fort pak i aftë me gixilue zêmra. Më vjen mâ tepër për dore me i thirrë mêndes, gjykimit të ftohtë se sa me i nxitun kazanit të gjakut.

Prandej edhe dava me i a sjellë fjalën t’eme kryesisht djelmnís, e cila e ka gjakun në vlim të natyrshëm dhe ka nevojë mâ shumë për argumenta qi munt t’a shtien në nji kujtim të thellë mbi kuptimin e mâ së madhes ditë të historís së kombit t’onë, se sa për ligjerata qi t’a mallëngjejnë e t’i ndezin gjakun.

*****        

Plot  20 vjet para, më 28 – XI – 1912, nji kuvênd burrash të mbledhun në Vlonë ndënë prisín e Ismail Kemalit, i shpalli botës mbarë se Shqipnija, aty e mbrapa, do t’ishte vetëm e Shqiptarvet, se këta do t’ishin vetë zotën në plangun e përbashkët të tyne, mu nj’ashtu sikur e ndien dhe e njeh veten secili në shtëpi e gjâ të vet, se i hueji  nuk do të guxonte mâ me urdhnue e sundue mbi stërnipat e Illyrve.

Hân’ e yll po perëndojshin për jetë, po zhdukeshin nga horizondi i atdheut t’onë ; ishte tue lemë dielli i lirís. Nji flamur i madh zhdridhej rreth nji shtize të gjatë në dritoren e nji shtëpije të moçme ku ishte mbledhun kuvêndi : flàmur i kuq, si gjaku i dëshmorvet të tij, me shqipen e zezë dykrenshe në mes flàmur i Skanderbegut, qi po valonte për të parën herë n’ajrin t’onë mbas katër shekujsh e gjymsë.

Atypraty nji zâ i rreptë buçitte prej qinda krahnorësh e naltohej në qiell si nji lutje e fjeshtë e e kulluet dalë prej zêmrash të lame nga çëdo mëkat : rroftë Shqipnija !” Brohorí të padame e lot mallëngjimi….

20 vjet para ! Ju djelm të rij të Shqipnis së lirë s’kishi lemë edhe ose ishi edhe të njomë. Sod, 20 vjet mbrapa, ndokush nga ju mund të pyesë mallëngjyeshëm : “ku janë ata burra qi ngritën për të parët flàmurin kombtar ?” E un ju përgjigjem : mâ mirë mos pyetni për ta. Historija, ata qi meritojnë të kujtohen, do t’u a tregojë brezave t’ardhshëm. Ka pasun ndër ta apostuj lirije a së paku asish qi e kanë pritë e deshirue këtê me gjithë zêmër. Këta kanë vdekun a rrojnë të ngîmë e të kënaqun tue pamë mundimet e sakrificat e tyne të shpërblyeme nga realizimi i idés e i deshirit qi kan ushqye. Ka pasun dhe njerz të rrëmbyem prej nji rryme të pakuptueme, si lânda qi merr me vete nji lumë për me e lânë të zhytun në ledh të ndonji bregu a me i a falun detit. E mâ në fund ka pasun edhe shpekulatorë, farizij të kohvet t’ona, të cilët ndjekin çëdo rrymë qi t’u përshtatet interesave të tyne, qi ndërrojnë lëkurë e qime simbas stinës. Në qoftë se ju do të kërkoni me njohun e nderue kênd nga deshmitarët e ditës 28 Nëntor 1932 po ju siguroj se mâ të parët qi kanë me ju dalë përpara si fatosa të pavarsis shqiptare kanë me qênë këta të fundit. E ju, para fytyravet të tyne, keni për të humbun të tânë shijen e idealit të thjeshtë që ushqeni !

Kujtoni pra e nderoni vetëm dëshmorët e paemën qi kanë bâmë veten flî për t’i a mbërrîmë asaj dite e mâ vonë për të ruejtun frytin e saj, ata qi s’u dihen a së mund t’u përmênden emnat. Mu nj’ashtu sikur nderohet sod gati në të gjithë botën kujtimi i ushtarit të panjohun ramë deshmuer n’altarin e Atdheut.

*****   

“Por, do të më thoni, çfarë deshmorësh kur të gjithë e dijmë se Shqipnín s’e bânë Shqiptarët por Evropa ?”

Po, kështu thonë përnjimênd ata qi s’kanë çue as nji gisht dore për Shqipnín e lirë ; jo vetëm, por as qi kanë besue kurrë në nji “mrekullí” t’atillë e ndoshta as sod s’u besojnë syvet të vet. Janë pesimistat e paqortueshëm, ata qi s’e njohin historin e kombit të vet, qi s’e kuptojnë forcën e gjakut qi u vlon ndër dej. 

E ça me thânë mbandej për nji tjetër kategorí Shqiptarësh, për ata qi jo vetëm s’kanë besue se mund të bâhej e mund të qëndronte Shqipnija Shtet i lirë, por kanë luftue me të tâna armët qi kanë mundun të përdorin, prej fjalës e deri ke martina e mavzeri, për mos me lânë qi të ngrihej nji Shtet shqiptar, e mbrapa, si u ngreh, për me e shêmbun ? E mbasi panë se Shqipnija u bâ, po rron dhe do të përparojë, edhe kundër vullnetit të tyne, atbotë i a nisën me bërtitun me sa u punoi zâni : “ rroftë Shqipnija “, e u vunë me e shfrytue, me e kullotun.

*****  

Shqipnín e bâni Evropa ashtu si bâni Jugoslavín, Çeko-Slovakín, Polonín, Rumanín e madhe e Shtetet e Baltikut, për me folë vetëm për sà i përket kontinentit t’onë. Nuk besoj të ketë ndër këto Shtete gjind qi t’u a dijnë për nderë vetëm të huejve lirín e tyne.

Shqipnín e bâni kombi shqiptar vetë. E bâni forca e ksaj race krenare e kreshnike qi qe e zonja me u bâmë ballë me shekuj, si shkâmb graniti, valve mâ të rrepta qi e rrahën pa mëshirë në të djathtë e në të mângjët, përpara e përmbrapa, në të katër anët. Qe mâ se dymijë vjet nuk qenë të zotnit me i a ndërrue karakterin e vet as Helinët e vjetër me qytetnimin e madhnueshëm të tyne, as Grekët e rij me armën e fés të përdorun pa fé shkrupulli kundër nesh, as vala slave qi mbuloi Balkanet me tërbim qyshë prej të shtatit shekull, as sundimi romak e as shpata e Osmanllijvet. Shqiptarët ndërruen fé, por jo kurrë kombsí. As fuqija magjike e besimit nuk i bâni me e mohue gjakun e me e harrue gjuhën e tyne. Aty ku s’e përpini shumica e madhe për me psue proçesin e natyrshëm t’asimilimit Shqiptari mbeti gjithmonë Shqiptar, me doket e zakonet e veta, me gjuhën e vet.

Dhe mbet Shqiptar me armë në dorë. E ruejti kombsín me forcë, tue derdhun gjak e tue u strukun, vëlla me shqipen, ndër malet e veta të papushtueshme. Mbet i egër, ndoshta, jashta qytetnimit, por mbet Shqiptar. Luftoi për doket e zakonet e tija, për gjuhën e tij, për kombsín e tij ; luftoi për lirí.

E ça do të thonte Evropa përpara këtij fakti të gjallë e të pashlyeshëm në shekullin t’onë kur parimi i kombsis âsht imponue si bazë e politikës ndërkombtare ? Duhej të ndodheshim në nji botë të sundueme fund e majë prej Gjorgjeviqash për me pamë të mohueme kombsín shqiptare.

E si do t’a mohonte Evropa të qênët  e nji kombi i cili qytetnimit të saj e fés së krishtênë i ka dhânë nji Fatos si Skanderbegun e shumë gjak të derdhun për at qytetnim, për at fé e për lirí të vet.

*****  

Evropa bâni Shqipnin ? E pse mos me thânë mâ mirë, mâ drejt se Evropa e cungulloi, e përgjysmoi Shqipnin ? Shkëputi pjesët mâ të mirat të saja e i futi ndën zgjedhë të huej, shumë mâ zí se ishin, ku po ndrydhen e shkretohen pa pikë mëshrire, jashtë çëdo ligje njerzore. Evropa po hesht para ksaj mizorije në mâ të madhen apathí. Jo, djelmnija shqiptare s’ka si u beson përrallave të Shqiptarvet pa sedër kombtar e pa besim në veten e tyne e kombin e vet. Ajo do t’i përbuzë gjithmonë ata qi mohojnë forcën e vërtytet e racës, gjakun shqiptar të derdhun për lirí ; do t’i urrejë anmiqt e djeshëm e të kurdohershëm t’idés kombtare.

*****  

Dita XXVIII Nânduer âsht pa dyshim mâ e madhja ditë gzimi për kombin t’onë. Por në kët ditë gzimi të pashoqe s’âsht e mundun për né mos me e çue mênden edhe ke vllaznit t’anë qi vuejnë në nji robní politike ndër mâ të zezat qi njeh historija e gjithë shekujvet. Ata e dinë se Shteti shqiptar âsht tepër i vogël për me i shpëtue sod nga zgjedha. Me gjithë këtê kanë plot të drejtë me pritun prej nesh qi në mos tjetër të marrim pjesë me zêmër në zín e gjâmën e tyne, ashtu sikur çëdo gzim i ynë gzon e mbush me shpresë edhe zêmrat e atyne fatzezve. Shpresa e tyne e dashunija e jonë për ta janë nji peng sigurimi për kohën e ardhshme, mbasi botën  e ka bâmë natyra rrumbullake e mbas natës s’errët do të lejë pa tjetër drita e diellit. Në qoftë se jemi të dobët materjalisht le të jemi të fortë moralisht, tue njohun e çëmue të drejtat t’ona e tue shpresue gjithmonë. Kjo shpresë duhet të mbushë e të nxejë sidomos zêmrat e djelmnis s’onë qi do të përgatisë e të trashigojë kohën e ardhshme.

*****  

Lirija e nji kombi fitohet e ruhet me sakrifica të mëdhaja, me sakrifica gjâje e gjaku, me vetmohimin e secilit qytetas qi e gzon e e trashigon. Nuk âsht burim pasunimi të veçantë, a mâ mirë me thânë burim po, por jo mjet, siç e quejnë shpekulatorët pa shkrupull e pa ndërgjegje qi s’e kanë lodhun kurrë mênden për atdhe veçse për t’a shfrytue. Ajo âsht nji ideal qi ushqen shpirtin e atyne qi e kanë dhe siguron lumnín e kolektivitetit, të mbarën e të mirën e popullit. Të popullit qi e fiton dhe e ruen me gjakun e tij.

Lirija i gjân nji bime delikate qi lyp mâ të madhin kujdes e tokë t’aftë për me qëndrue e me u zhvillue në mënyrë qi t’i napë kombit pemët e veta për ditë mâ të mira e mâ të plota. Toka e ksaj bime âsht edukata shoqnore e patrijotike e popullit. “Shqipnija u bâ, tash duhet të bâjmë Shqiptarët” po thomi edhe na tue marrë hua nji frazë të formulueme për nji tjetër komb mâ se nji gjymsë shekulli përpara.

Kjo âsht barra mâ e rândë e mâ e shênjtë qi i bie djelmnis shqiptare, ajo qi do të sigurojë t’ardhmen e Shtetit t’onë e bashkimin e të tânë kombit ndën flamurin kuq-e-zi. Përpara, pra, djelmní !

   “Shqipëria e Ré”  Kostancë (Rumani) 1932                         MUSTAFA  KRUJA

 

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, Mustafa Kruja

LETRA E PA NJOHUR E MUSTAFA KRUJËS DREJTUR BEQIR VALTERIT ATENTATORIT TË AHMET ZOGUT

June 17, 2021 by dgreca

Nga Enver Lepenica/

Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, ka lindur në Kruja më 15 mars 1887 dhe ka vdekur në Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958. Ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, politikan dhe kryeministër. Si studjues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.

Në zgjedhjet e 5 prillit 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Kosovës. Përkrahu Lëvizjen e qershorit të vitit 1924 dhe në dhjetor të atij viti pas kthimit të A. Zogut u arratis jashtë shtetit. U kthye në Shqipëri pas 15 vjetësh emigracion, pas pushtimit italian, dhe u emërua senator.

Në nëntor 1941 Jacomoni e emroi kryeministër të Shqipërisë. Me vrasjen më 5 janar 1943 në Vlorë të Qazim Koculit dhe prefektit Lele Koçi Kruja i paraqiti dorëheqjen Jakomonit.

Para se të kthehej në Shqipëri më 3 maj 1939, i shkruan një letër shokut të emigracionit Beqir Valterit, ku e fton të kthehet në atdhe. Letra e Mustafa Krujës është e daktilografuar në një faqe e gjysëm dhe është gjetur në arkivin e Beqir Valterit kur ai është arrestuar e kontrolluar nga forcat  komuniste që e arrestuan.

Duke qenë se Mustafa Kruja ishte një studjues i gjuhës shqipe, letra e tij publikohet pa bërë ndryshime, me drejtshkrimin e tij: 

“I dashuni Beqir,                                         

Genevë, 3 – V – 1939 

Mora letrën t’ande. Ti qahe prej meje. Mirë. Nuk asht rasa tash m’u zgjatë mbi këtë temë. Po të thom kaqë: të kam dashë e të due ma fort se ç’e mendon ti e, këtë sidomos shënoje mirë, pa kurrfarë interese. I urrej ata qi duen kënd për interesë. Un prej teje e dij mirë qi veç të çame kreje kam me pasë, por i pranoj me gzim këto si  t’imponueme prej nji ndiesie qi s’e spegoj dot e prej nji ndërgjegjeje qi e spegoj mirë, qi e kuptoj mirë desha të them. Dashunin t’eme mjafton me t’a provue interesimi i im për ty në ktë rasë.Nuk due qi të më ndiej veshi keq për ty. Prandaj të ftova me u kthye në atdhe. Ti i ke besue vetes për shef e për të zotin m’u mbajtë mbë këmbë të tuja. Edhe un qi të due, kështu kishem me të dëshërue. Por mjerisht s’e kam këtë besim. Prandaj e ndiej për detyrë me t’a ngjitun dorën si e me sa të mundem. Por për me t’a ngjitun dorën desha ma parë me qenë i sigurtë se a do të më ndëgjojsh mue kështu e mbrapa apo do me punue në krye tand. Fjala qi më ke dhanë, ty s’të lidh për jetë. Po e pae se un po të çoj në rrugë të keqe apo të padenjë për nji njeri qi e ka da m’u ba shef je i lirë të zgjidhesh kur të duash. Por atëherë zgjidhemi të dy e i ndiefshim të mirën shoqi – shoqit. Sa të jemi të lidhun ti do të ndjekësh pikë për pikë rrugën qi kam me të tregue un barabar si djelmt e mij. Kur t’a shohesh se të kanë bi bisht e pendë e s’ke ma nevoj për mue fluturo kah të kesh qejfin. Qe ça pata me të thanë dorë për dorë. 

Këtu po të mbyll nji çek për 3000 frang qi të duhen. Bile po të çoj 4000, qi të vijsh rahat deri në Shqipni e jo në Genevë. Merre rrugën me nge, por po mbete pa pare nuk të çoj ma asnji pesësh e të quej se e ke hangër fjalën qi më ke dhanë. Un tash nisem vetëm e për nja dy javë do të shmallohem me të mijt. Vetëm q’atje kah fundi i muejt do të jemë në dispozitë t’Atdheut, të miqve e dashamirëve. 

Ti kur të dalsh në Durrës piqu atje me miqt e mij, me Hysen Mushketën b.f. dhe eja e gjejmë mue ku të jemë. Instukcionet i merr atëherë me gojë. Nji gja vetëm të dijsh qysh tashti: për ty po fillon nji jetë e re e duhet të mos përsëriç asnji nga gabimet e mërgimit. Dije se nuk bahe shef tue thanë se je shef, por vjen sigurisht dita  m’u ba edhe shef kur të dijsh me durue si ushtar i dishiplinuem. Ani sod ndën regjim fashist! A më ke kuptue mirë ? 

E mbasi po fillon nji jetë të re, daju me njerzin aty, tue thanë se ndien thellësisht përgjegjësin e familjes e se po kthehe për me i shërue ksaj plagët qi i ka çelë regjimi i Zogut të shkaktueme prej teje. Shih sa ma pak njerëz e vetëm njerëz seriozë, jo ata qi i marrin tragjedit kombëtare e fanikjare me tallje, jo me vagabonda e aventuriera. 

Mos i difto kuj, se s’ke nevojë, qi të kam çue un pare. 

Mos prit kurrgja nga Baldacci e as nga Nureddini. Mos ba politikë me kurrkënd. Politika e jote ka mbarue deri sa s’je pjekë me mue në Shqipni. 

Kaq pra e mbaji mend mirë sa të shkrova. Zoti na pjektë shëndoshë n’tdheun t’onë të dashun. Mustafa” (Arkivi MPB. D.1568, Gjyqi special, f.547)

KUSH ËSHTË BEQIR VALTERI

Valterët janë një familje me prejardhje gjermane, të thirrur në kohë Skënderbeut për të prodhuar barut. Në  mbrojtjen me shkrim që Beqir Valteri bën para gjykatës komuniste në vitin 1945, del se duhet të ketë lindur në vitin 1906.

Më 23 shkurt 1924 Valteri i bëri atentat brenda Kuvendit kryeministrit Ahmet Zogu, kur ai po hynte brenda sallës së parlamentit. Zogu mori dy plumba kalimthi.Mendohet se Beqir Valteri u hakmor, se pas vrasjes së xhaxhait të tij ishte Lal Krosi një nga njerëzit më të besuar të Ahmet Zogut.

Pas disa orë bisedimesh, pasi iu premtua se do i falej jeta, Beqir Valteri u arrestua dhe do mbetej vetëm pak kohë në burg dhe më pas do lirohej nga qeveria e Fan Nolit. Një vendim i cili do të merrte reagime të ashpra nga Ahmet Zogu dhe bashkësia ndërkombëtare.

Gjatë pushtimit italian dhe gjerman Valteri ishte deputet dhe Komisar i Lartë i Ushtrisë.  

Beqir Valteri ishte ndër 60 e pandehurit të cilësuar “kriminelë lufte” në Gjyqin Special, zhvilluar nga 1 marsi deri në 13 prill 1945. U dënuan 17 vetë me pushkatim, ndër ta edhe Beqir Valteri, 8 vetë me burgim të përjetshëm dhe të tjerët me burgime të ndryshme. 

Trupi gjykues përbehej nga 9 veta, kryetar i saj u emërua gjeneral lejtnant Koçi Xoxe (teneqexhi, me 5 klasë), dhe anëtarë: kolonel Hysni Kapo, nënkolonel Beqir Balluku, kapiten Hajdar Aranitasi, partizan Gaqo Boboshtica, dr. Medar Shtylla, Faik Shehu, anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar; Halim Budo, gjykatës, sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Drejtësisë; Gaqo Floqi, gjykatës. Prokuror i Gjyqit ishte Bedri Spahiu, gjeneralmajor. Më 10 mars 1945, u emëruan si ndihmësgjyqtarë të Gjyqit Special edhe Bilbil Klosi, major Gjon Banushi dhe major Haki Toska.

                                              *          *         *

Përpara gjykatës Beqir Valteri e paraqiti mbrojtjen me shkrim. Mbrojtja e tij paraqet interesa historike pasi hedh dritë mbi ngjarje të Luftës Antifashiste dhe rolin e pozicionin që ka mbajtur Beqir Valteri. Po kështu mbrojtja sqaron disa aspekte të veprimtarisë së tij që janë paraqitur gabim në disa artikuj të botuar. Kështu p.sh. për atentatin kundër Zogut, nuk e ka shtytur Avni Rustemi sikundër është thënë.   

Valteri na paraqitet si një politikan i lindur pasi gjithë jetën u mundua të loste një rol në shoqërinë shqiptare, duke krijuar shoqëri dhe parti,  dhe ajo që është e rëndësishme u mundua që fatin e Shqipërisë ta shihte të integruar në Ballkan në miqësi me fqinjët.  

Është shqiptar i parë që ka kërkuar një Konfederatë Ballkanike dhe bashkimin e popujve të vegjël për të mbrojtur interesat e tyre.

Pavarësisht rezultatit të përpjekjeve të tij rëndësi ka t’i njohim mendimet dhe idetë e tij që sot janë konkretizuar në Bashkimin Europian.

MBROJTJA E BEQIR VALTERIT NË GJYQIN SPECIAL

Trupit gjykues të Frontit Nacionalçlirimtar

Zotnij Gjykatës!

Kur hynë në Tiranë fuqit e Nacioonal Çlirimtares unë u mëshefa dhe hika. Hika nga frika se mos më mbytte uji i turbullt:Mbas dy jave që u qetësua pak gjendja dhe u prokllamue amnistia për fajet politike, erdha me kambët e mija tue iu shtrue pushtetit të Nacional Çlirimtares. E, të më besoni se kam ardhë jo pse edhe unë s’kam muejt me qindrue si i aratisun, por pse më pëlqeu fryma dhe programi i Frontit.

Tash që ju kallzova sinqerisht arsyen e dorëzimit tem, qe edhe gjystifikimi i jem për të shkuemen e pesë vjetve të periodës së okupacioneve.

*    *    *

Zotnij Gjykatës! Pa dyshim Nacional Çlirimtarja ka të drejtë me folë e me e drejtue ket vend si nji Front që pesë vjetë rrjeshtë ka pësue lloj-lloj pësime e vuejtje tue luftue kundra okupatorve. Sakrificat e Nacional Çlirimtarve shqiptarë i kanë tregue botës mbarë se shqiptari asht nji racë e fortë dhe nji popull që me çdo kusht don liri dhe të drejtat e veta.

Nacional Çlirimtarët janë djelmët ma të mirë të popullit shqiptarë. Dishiplina si edhe sakrificat e bame nga ana e djelmëvet dhe vajzavet të Nacional Çlirimtares në luftën kundra okupatorëve, kanë me mbet veprime legjendare; vetëm se edhe të gjithë ata që ndejtën indiferent ose kanë bashkëpunue me okupatorët, nuk mund të konsiderohen djelmë të këqij të këtij vendi e aq ma pakë nuk mund të quhen trathtorë. Së paku kështu mendoj për vedi e qe përse:

Idet dhe veprimet e mija politike

Zotnij Gjykatës! Që të mund të ju përgjigjem akuzave që më bani, më duhet që shkurtimisht të ju njoftoj pak idetë dhe veprimet e mia tue fillue që nga mosha e fëmijnis. Kur kam qenë edhe fare i vogël, unë kam ndi nji dashuni atdheu dhe gjithnji kam veprue me sa kam mujtë.

Në moshën gjashtë vjeç, im atë, ndonse nji malësor i thjeshtë, i etshëm për kulturë më pat çue në shkollat turke në Stamboll.

Më 1919, me mbarimin e Luftës së madhe, tue dëshirue me i vazhdue mësimet në gjuhën shqipe,

hika prej shkollave turke dhe ktheva në atdhe.

Më 1920, tue qenë ende nji fëmi 13 vjeçarë, me entusiazëm të madh jam anëtarë i nji shoqnije

      patriotike që kish themelue Avni Rustemi në San-Dimetrio-Corone,Itali. Po në fund të këtij moti, Lidhja Patriotike e studentave shqiptarë të Romës që quhej Shoqnija “Shpresa”, më ngarkoi përfaqësues të saj në Shqipni për me mbledhë ndihma. Letër përfaqësimin e ka pasë firmue sekretarii shoqnis Vasil Ziu, sot Kryetar i Frontit Nacionalçlirimtar të Durrësit.

Më 1921, me sygjerimin tim që i pata ba Vasil Bidoshit, asht formue në Napoli shoqnia patriotike e studentave shqiptarë “Naim Frashëri”

Më 1922, drejtë për së drejti, prej inisiativës time, asht formue në qytetin Lecce (Itali) nji shoqni tjetër nën emnin “Ismail Qemali”. Këtë mund t’ma vërtetojnë shokët e kolegjit si dr. Remzi Fico, Abaz Omari, Namik Cakrani, Stefan Shundi etj.

Më 1923, po prej inisiativës time, asht formue në Korçë nji shoqni tjetër nën emnin “Ylli i Mëngjesit”. Kjo shoqni përbëhej prej nxansave të krahinave të ndryshme të Shqipnis që kishin ardhë në liceun e Korçës. Por, ma vonë, mbas disa muajve, për mos me qenë të ndamë prej rinis korçare, me bashkëpunimin e disa shokve korçarë, formuem nji shoqni të përbashkët nën emrin “Shpresa”. Kjo shoqni ka pasë nxierrë edhe nji organ të përmuejshëm edhe unë kam qenë nji nga redaktorët e saj. Artikujt e mi edhe sot mund të gjinden në Bibliotekën Kombëtare: Rivista “Shpresa” nr. 1 e 2. Dhe aktivitetin tim përgjthësisht mund të ma vërtetojnë të gjithë shokët e liceut si: Aleko Tashko, dr.Sinan Imami, Petraq Pepo etj, etj. 

Po në vitin 1924, gjithnji me entusiazëm të madh për me i shërbye sa ma shumë çështjes kombëtare, tue pa tradhëtit e krimet e Ahmet Zogut si edhe mënin e popullit kundra tij, unë pata guxue për me atentue jetën e tradhëtorit tue dalë në shesh vullnetarisht. Këtë ngjarje e vërteton vet historija e Shqipnis së re dhe mbasi fati i keq më solli që të gjykohem sot para jush si “ tradhëtor”! 

Tash më duhet pak edhe me u lëvdue:

Veprën e kryeva në mënyrën që i bante nderë djelmënis shqiptare. I dhash tiranit tri plagë revolveri kur ay ish diktator fuqiplotë i vendit dhe i rrethuem me dyzina cuba të armatosun. 

Kam edhe ma:

Kur i dola para tiranit për me i ra e për me e shtri, gjoksin tem e pata mbështjellë me nji flamur kombëtar. E, mbrapa me mbrojtjen që bana për ma se nji orë kundra cubave të tij që shtijshin pa pushim kundra meje. Plumbat e tyne i prita me pushkë e kangë kombëtare në gojë.

Në krismat e pushkave pata këndue at kangën e Hilë Mosit: “Atje n’at vend të lamun me gjak arbnorit të lirë”… 

Kët mënyrë veprimi, në mes shum të tjerve mund të ja u vërtetoj dhe ish shoku i jem, e sot vetëm i jueji, Sejfulla Malëshova i cili ka ndodhë në parlament kur u ba ngjarja dhe u burgos së bashku me mue.

Mbas disa muejve burg të rëndë me tortura, e mandej mbas gjashtë muej lirije dhe aklamacjoni nën  qeverin revolucionare të Fan Nolit, në mes qindra intelektualësh që morën rrugën e ekzilit tue hikë nga ardhja e Zogut në fuqi, natyrisht qesh dhe unë.

Jeta e jeme në ekzil

Dhe në ekzil, ndonse isha fare i ri e kam qenë gjithnji i persekutuem prej agjentave të Zogut, nuk mbeta pa veprue:

Me anën e nji grupi të vogël që pata formue në Paris nën emnin “Bashkimi i Djelmënis”, kam luftue rrebtas tiranin e Zogut dhe penetracjonin italjan në Shqipni, tue i drejtue Lidhjës së Kombeve e kancelarive memorandum e telegrame protestimi. E kam pasë çveshë Ahmet Zogun përpara opinjonit europjan, e i kam luftue të gjitha lidhjet që pat ba Roma me qeverin e Zogut. Kët shoqni e pata formue me disa studenta, puntorë e ish-oficera të hikun dhe, aktivitetin tim mund të m’a vërtetojnë të gjithë shqiptarët që janë ndodhun në Paris.

– Mbas shumë veprimeve të ndryshme në fushën kombëtare,ma në fund tue pa se Italija dita me ditë po penetronte në Shqipni e, tue kuptue se Shqipnia nuk mund të shpëtonte vetëm me fuqit e veta, përqafova iden e bashkimit të popujve të Ballkanit në gjinin e nji konfederate.

Nji bashkim ballkanik, si tash edhe asi kohe, e favorizonte Rusia Sovjetike. Por, unë tue kuptue se, nga frika e komunizmës çdo ide që dilte nga Moska gjente kundërshtimin e të gjithë oksidentit, kët ide të naltë, mendova t’ia paraqes botës në aspektin thjeshtësisht kombëtar e të pamvarun nga Moska.

-Nga ana tjetër nuk mund të mohojë edhe se, unë si nacionalist, edhe vet isha e jam i parimit që idea e nji bashkimi ballkanik të dalë si nji vullnet i popujve të Ballkanit, tue mos u drejtue Ballkani nga asnji fuqi e madhe. 

-Sikundër e kam çfaqë mendimin tim dhe në fletoren “Bashkim i Kombit” me 3 dhjetor 1943, Konfederatën Ballkanike e kam andrrue dhe e kërkoj në mënyrë që secili popull të rregullohet me frymën, karakteristikat dhe vlerat e veta dhe, popujt e Ballkanit, si shtete të bashkueme, në politikën rivale të fuqive të mëdha të mbeten të pa-anshëm për me e ba vendin e tyrne nji faktor paqeje në Europë dhe në botë. Me kët frymë e drejtim kam themelue edhe nji  grup të vogël nën emnin “Partia Nacional-Ballkanike Shqiptare”, të cilën muejta me e shpallë botnisht ndër ditët e fundit që ishte tue u largue ushtrija gjermane nga Shqipnija.

Megjithëse mendimi i jem ka qenë ky, ma vonë, tue kuptue se realizimi i shpejtë i kësaj ideje, ka nevojë për ndihmën e nji shteti të madh, për të parën herë drejtova nji “memorandum” presidentit Hoover tue kërkue ndihmën e Shteteve të Bashkueme të Amerikës. Bashkë me memorandumin pata çue edhe nji flamur që pata sajue për konfederatën.

Ndonse mizerja e mërgimit më kish randue e turbullue tepër – pse nga mos-pasja vuejsha edhe për bukë e shpesh herë flija nën ura – po për iden e bashkimit ballkanik i kam pasë drejtue edhe nji memorandum Konferencës së parë për afrimin ballkanik që u mblodh në Athinë më 1931, tue i kallxue asaj konditat mbi të cilat mund të realizohej ideja e bashkimit ballkanik. Kët memorandum e pata botue edhe në formë manifeste tue harxhue paret e qerasë së hotelit dhe si konsekuencë të kësaj vepre pata mbetë edhe pa odë tue u shtrëngue me fjetë prap nën ura e disa herë në odën e ndonji shoku.

-Ju njoftoj edhe se, ndër të hikunit, jam i vetmi që s’kam pasë marrë subvencion nga ndonjë shtet i huaj dhe kam jetue gjithnji tue i lypë shokve e miqve personal. Dikujt i kam marrë pare për me hangër nji copë bukë, dikuj tesha me e veshë e dikuj këpucë për me u mbathë e, ndonëse kambën e kamë të numurit 41, të gjitha numrat prej 39 e naltë i pranoja…

Jeta e jeme në Paris ka qenë e tmerrshme. Për dhjetë vjetë rrjeshtë e kam ba vet bukën, i kam la vet enët, i kam la vet teshat e çdo natë flinja me frigë se a do të kisha për me hangër në të nesërnmen, pse shpesh herë më ka qillue me mbetë fare pa të. Dhe, kjo mizerje më asht shkaktue jo pse edhe unë s’mund të mirrsha ndonji rrogë prej ndonji qeverije, por pse kisha vendosë me luftue fqinjët imperialist, ka qenë aq intrasigjente sa që çështjen e librimit të Kosovës dhe nevojën e nji Konference Ballkanike, e kam pasë çfaqë bashë në Jugosllavin vet dhe si konseguencë të këtij gjesti, autoritetet Jugosllave të Sushakut më patën okspulsue. Kjo më 1927.

Prej Jugosllavije shkova në Vjenë por mjerisht edhe prej andej nga intrigat e konsullit të Zogut Çatin Saraçit u ekspulsova e menjiherë, mbas shumë mundimesh, u nisa për në Francë ku qindrova deri më 1939.

Kët jetë aktiviteti, persekutimi e mizerje mund të ma vërtetojnë të gjithë të hikunit si dhe studentat e puntorët shqiptarë që ndodhen në Paris.

Edhe nji tjetër vepër që më nderon.

Tue mos gjetë asnji mbështetje të pa kompromentueshme për lëvizjen teme shqiptare e ballkanike grupi u shpërnda, e, si person, inspirue me ndjenja njerëzore e paqësore, tue pa padrejtësinë e fuqive të mëdha imperialiste si dhe pazotësinë e Lidhjes së Kombeve për mbrojtjen e të drejtave të sejcilit popull, më ra ndërmend nji ide e re.

Për me i dhanë nji fuqi Lidhjes së Kombeve d.m.th., për mos me e lanë Institutin e Gjenevës vetëm, ndër duart e Fuqive të Mëdha e pash të dobishme që të gjithë popujt e vegjël të botës të lidhen në nji institucjon të veçantë tue u organizue ata ma parë në konfederata. Për realizimin e kësaj ideje i drejtova nji memorandum qeveris holandeze tue i sugjerue asaj mendimin që ajo si nji shtet i respektuem në botë të merrte inisjativën për realizimin e këtij projekti. Dhe kjo ide e jeme e organizimit të popujve të vegjël në nji institucion të veçantë asht e njoftun prej shokve të mërgimit pse dhe këtë, tue e lanë vedin keq, e kam pasë shtypë dhe shpërnda ndër broshura. Me sa dij unë, nji kopje të këtij projekti, gjindet ndër dokumentat që më keni marrë. Mbasi qeverija holandeze nuk më dha nji përgjigje të favorshme, projektin tem për bashkimin e popujve të vegjël ia pata dërgue edhe qeveris republikane të Spanjës.

Kët mendim temin për lidhjen e popujve të vegjël, në nji institucjon të veçantë – tue u organizue ata ma parë në konfederata të veçanta, asi kohe e patën marrë me tallje, por sot kjo ide asht tue u mprojtë edhe prej personaliteteve politike përgjegjëse. Disa muej ma parë, kam këndue në nji fletore ku zoti Smuts-i, president i Afrikës Jugore e mpronte me nxehtësi kët mendim.

Tek çështja që ju intereson juve.

Unë në Paris me këto idena të bukura e bujare që ju çfaqa, nji fatkeqësi kombëtare ia mërrijti Atdheut t’onë: Italija okupoi Shqipnin! Nga kjo ngjarje, si për çdo shqiptar të mirë dhe për mua, qe nji grusht i randë, e i randë fort.

Në kët kohë fatzezë për shqipnin, agjentët italjan të Parisit, tue na premtue liri, Shqipni të Madhe e ku di unë, na ftonin me u këthye në Shqipni. Thirrje e tmerrshme! Na që kishim hikë, na që kishim ndejtë 15 vjet jashta Atdheut kundra nji tiranije të mbrendshme, tash na kërkonin për me iu shtrue nji okupatori të huej…

Se çfarë lirije e Shqipnije të Madhe mund të kishim me Italin unë e kuptojsha, dhe e kuptojsha mirë. Por, tue kuptue edhe se çështja shqiptare nuk zgjidhej ma vetëm me opozicjonin tonë që mund të bajshim na tue mbetë jashtë, si dhe për mos me e vazhdue edhe mërgimin e të mbetesha si nji i huaj për Shqipnin – pse nji kala mund të merret ma lehtë së mbrendshmi – pranova për me u kthye n’Atdhe.

Pozita jeme nën okupacjonin italjan.

Zotnij Gjykatës, tash se kalaja mund të merret ma lehtë së mbrendshmi, me kët rasë deshta me thanë, unë u ktheva në atdhe dhe me nji qëllim.

Për me mundë nji sundues ka rrugë të ndryshme dhe mbas mendimit tem, kur s’ke fuqi armësh të mjaft për me luftue, ke rrugën e adoptimit. Due me thanë: unë kam qenë i mendimit për me fitue besimin e okupatorit, me shpëtue me të mirë nga thojtë e tij, aq sa mundet, m’u armatosë e me u organizue me mjetet e tija e ma në fund në momentin e dobët të tij me i ra kokës.

Tue pasë vendosë pra me hecë kësaj rruge kam flirtue me të, tue folë e shkrue ndonji herë si në favor të tij.

Okupacjonin e pash të arsyeshme që të mos luftohet për deri sa të vijë moment i volitshëm dhe për nji arsye tjetër: mbasi në luftën që plasi, Kosova u kthye me Shqipnin, qoftë edhe nën okupacjon e tanë Shqipnija, ish nji dobi e madhe për avenirin e Kombit tonë që të gjithë shqiptarët të bashkëjetojnë për nji kohë nën nji regjim, tue u njoftë e tue komunikue midis tyne.

Cilën kohë kam pritë unë për me luftue me armë kundra armikut okupator?

Me sa kam muejt me gjykue unë, kjo luftë botnore që po zhvillohet asht shkaktue e vazhdon të bahet vetëm e vetëm për interesat politike e ekonomike të Fuqive të Mëdha, dhe, tue qenë kështu, popujt e vegjël s’kan aspak interesë me u ba me njenën apo me tjetrën anë.

Mbas mendimit tem, popujt e vegjël, zanin e tyne duhet t’a qesin vetëm në mbarimin e luftës d.m.th. kur fuqit e mëdha të lodhen nga lufta e tyre të shtrohen në tavolinën e paqës.

Shpesh herë i kam pasë thanë shokve e miqvet: të rrijnë urtë që të mund t’i pregaditemi së nesërmes, pse sot që po vriten miljona e miljona njerëz nga të gjitha anët e botës, sikur njiqind mij shqiptarë me derdhë gjakun e tyne kundra okupajonit asht sikur me hjedhë nji kovë ujë n’oqeanin Atdhantik – kurse nesër kur të ket pushue lufta me u vra edhe njiqind shqiptarë për të drejtat tona, kishim me tërhjekë vërejtjen dhe aprovimin e të gjithë botës së qytetnueme në favorin tonë. Kam pasë thanë edhe: asht e vërtetë se lufta po bahet për interesat politike e ekonomike, por nesër, nuk mund të bahet nji paqe pa marrë parasysh edhe vullnetin e popujve që asht për drejtësi.

Nji tentativ për të cilën meritoj lavdata.

Posa erdha prej egzili, tue konstatue se rreziku ma i madh që mund të na vinte prej Italis ishte kolonizimi i Shqipnis, i kam drejtue qeveris nji kërkesë tue çfaqë nevojën e krijimit të nji drejtorije për organizimin e shqiptarëve të jashtëm. Në at kërkesë i gjithë qëllimi i jem ka qenë: në vend të kolonve italjan që mendohej se do të vinin, të instaloheshin shqiptarët e jashtëm. Por, mjerisht, me gjithë lajkat që bana nuk pata sukses në kët tentativë. Kopjen e kësaj kërkese e keni ndër dokumentat që më keni marrë.

Edhe nji tentative tjetër.

Mbasi nuk më doli organizimi i shqiptarëve të jashtëm, e tue pa se ajo Partija Fashiste Shqiptare drejtue prej Giovani Giro-s po na e xhveshte djelmënin nga idenat shqiptare, kërkova formimin e nji partije të re nacjonale nën emnin “Roja Kombëtare”.

Me kët tentativë, natyrisht tue mos i u largue parimeve fashiste e tue u angazhue me luftue doktrinën komuniste, kërkova me ruejtë individualitetin shqiptar tue i hjekë të gjitha emblemat dhe gjuhën italjane nga përdorimi, pse siç e dini, n’at kohë nji shumicë e madhe e popullit u shkrue në Partin Fashiste dhe deri ndër shkolla e formacjone djelmënije kishin fillue me u dhanë komandat në gjuhën italishte.

Tue konstatue edhe se, nji ditë do të përlesheshim me italjanët e tue pa se ushtrija shqiptare bani me atë Italis, pata kërkue dhe formimin e nji milicije shqiptatre të formueme e të komandueme krejtësisht prej shqiptarve tue caktue detyrën e saj për me ruejtë kufijt e Shqipnis.

Kët parti “Roja Kombëtare” mendonja me e këthye ma vonë në nji frymë edhe ballkanike, ashtu si e çpalla me hikjen e gjermanve: Partija Nacional-Ballkanike Shqiptare – programin e së cilës besoj se e keni lexue.

Kërkesën për me formue kët Parti ia pata paraqitë inspektorit të Partis Giovani Giro-s, por m’a refuzoi tue i konsiderue idet e mija separatiste.

I zemruem me Giovani Giro-n për mos përkrahjen e kësaj kërkese, pata tentue  – po për kët qëllim – edhe me pas-ardhësin e tij Piero Parianin. Këtij i pata ba edhe nji telegram urimi kur u ba inspektor i partis. Teksti i këtij telegram që asht botue në fletoren “Fashizmi” e tregon qëllimin tem. 

Në projektin tem edhe me Parianin s’pata sukses dhe që prej asaj kohe kam qëndrue larg Partis Fashiste. Megjithëse tri herë rrjeshtë me shkrim më ka thirrë partija për me u betue si antar, unë nuk jam paraqitë. Këta dokumenta mund t’i gjeni ndër letrat që m’i keni marrë.

Ke qenë fashist.

Ndonëse unë s’e kam vu asnjiherë distiktiven fashiste dhe kam refuzue për me u betue në parti, shum kushi, tue mos i kuptue idet e mija të vërteta, më kanë mbajtë për fashist. Por, në realitet, kjo s’asht e vërtetë. Idet e mija politike janë për demokraci, pse çmoj thellësisht dobin e liris së mendimeve. Vetëm, për Shqipni, tue pa se edhe populli i jonë asht nën influencën patriarkale, feudale e fetare, kam mendue që prej kohe organizimin e inteligjencës shqiptare për me i imponue vendit nocionin e shtetit e  me mprojtë me efikacitet të drejtat e popullit.

Përsëris, e kuptoi padrejtësin e qeniës së nji partije të vetme, por në nji vend si ky i joni, ku mungojnë edhe udhët, urat e buka e gojës së shumicës së popullit, shum partina bajnë vetëm fjalë e dame. Veçanërisht, kur nji popull asht mbrapa edhe në pikpamjen kulturale, veprimet e shum partinave politike e hutojnë tue ia prishë karakterin e moralin e tij. Me fjalë të tjera unë kam qenë e jam me mendimet e Nacionalçlirimtares.

Je antikomunist.

Edhe kjo s’asht e vërtetë. Komunist nuk jam, por dhe antikomunist jo; dhe prova asht se, tue pasë mundësina, unë kurrë nuk e kam damtue ose përbuzë ndonji komunist. Bile dhe i kam favorizue e ndihmue në rasa të ndryshme dhe për këtë mund të ju jap disa prova.

Unë, komunizmin nuk e kam quajtë kurr të damshëm për popujt e vegjël. Bile, komunizmin e konsideroj nji aleate natyrale të nacionalizmës së popujve të vegjël të kërcënuem të gjithë nga imperializmi i Fuqive të Mëdha.

Këtë e kam kuptue qysh me kohë, por, unë tue kuptue edhe se nën flamurin e komunizmës inteligjenca shqiptare s’mund t’a shtinte kurrë fuqin e shtetit në dorë, jam çfaqë gjithmonë kundra sajë tue pranue disa principe të anës së djathtë. Dhe, në qoftë se kam ekzagjërue ndonjiherë me ndonji frazë kundra komunizmës kjo ka ardhë e para se kam dashtë të mbesë në terrenin nacional dhe, e dyta pse për idetë e mia në favor të nji konfederacjoni ballkanik, autoritetet shqiptare, italjane e gjermane më kanë konsiderue si komunist. Këtë mund të ja u vërtetoj edhe me nji dokument që u kam pasë zanë italjanve, e të cilin e keni ndër letrat që më keni marrë. Këtë dokument ma ka dorëzue nji mik i jem Ahmet Kola prej Mati që e kish gjetë në Burrel kur hikën italjanët. Deri Fiqri Dinia kur i kërkova leje dhe përkrahje për me e shpallë partin teme, më tha: “Dhe ti Beqir nuk je tjetër veçse motër e vlla me komunizmin”.

Pse kam kryesue fuqinat vullnetare në kohën e Italis.

Në kohën e okupacjonit italjan edhe unë për dy herë rreshtë kam rekrutue fuqina vullnetare në krahinën e Matës. Për të parën herë pata mbledhë 100 veta kur i u deklarua luftë Jugosllavis dhe për të dytën herë në kohën e Mustafa Krujës pata grupue 100 veta për me mbajtë qetësin e Matës.

Për herën e parë e pata mbajtë fuqin vetëm dy muej dhe për të dytën herë vetëm nji muej e gjysë. Pohoj edhe se, detyrën për me kryesue fuqina e pata kërkue unë vetë dhe nuk më qe imponue. Dhe arsyeja e kësaj kërkese asht kjo: tue qenë se unë, tue ndejt 15 vjetë rrjeshtë jashta Atdheut isha ba tepër i huej për Shqipni e tue çmue se nji ditë do të më duheshin me organizue forca për me luftue me armë okupatorin, me at mënyrë kam dashtë të bije në kontakt me malësoret që nesër, në kohën e duhun të mujsha me dijt me i drejtue për çlirimin e vendit.

Që unë kam mendue vetëm kështu provohet nga fakti se në kohën që kam kryesue forca s’asht ba ndonji veprim kundra kuejt. Bile, përkundrazi, me cilësin e komandantit kam sjellë vetëm lehtësina popullit. Për tregim, tue qenë komandant që kisha për detyrë vetëm për të ndjekë e për të kap të arratisun, në emnin e vullnetarve të Matit, i kam drejtue Jacomonit nji telegram tue i kërkue faljen e katër djelmëvet katundarë që i kish kapë forca e gjindarmëris së Krujës e që i kishte dënue me vdekje. Këta djelm ishin kapë nga nji përpjekje që pat Abaz Kupi me fuqit qeveritare të Krujës. Teksti i këtij telegram mund të ndodhet edhe sot në postën e Krujës.

Njiherë tjetër, kam refuzue me rrethue Abaz Kupin që ndodhej me 20 veta në nji shtëpi të katundit Bruç e unë ndodhesha me 300 veta në Burel. 

Prap, pse unë me cilësin e komandantit e kam pasë marrë nën mbproje shokun tuej të shkretin Muhamet Gjolleshin i cili ka pasë qindrue në Burrel shef i zyrës botore. Ay ka pasë mujtë me zhvillue pa pengime propagandën e tij Nacionalçlirimtare. Propagandën dhe veprimet e Muhamet Gjolleshit- akuzue si komunist- qeverija e Burrelit i ka pasë dijtë në hollësina e mos të isha unë komandant, n/prefekti i Matës Hafuz Hasa do ta kish kapë Muhametin me të gjithë shokët e tij.

Si përfundoi fuqija e jeme.

Tue konstatue se ishte nji punë tepër e vështirë për me drejtue malsorët, tue kuptue se Mustafa Kruja seriozisht kishte vendosë për me luftue kundërshtarët e regjimit, e që për kët punë donte me i përdorë edhe fuqit e mija, unë dhash dorëheqjen.

Zotnij gjykatës, me gjithë se unë kam pasë qëllime të nalta për me mbajtë forca në kambë, nuk mund të pranojsha për me ba veprime gjakësore kundra popullit. Që unë jam nji natyrë bujare mund të pyetni popullin e Matit ku, as kundërshtarët e mij që më kanë ba dame në kohën e Zogut nuk i kam prekë dhe përkundrazi i kam ndihmue në rasa të ndryshme.

Mbasi dhash dorëheqjen si komandant i fuqive vullnetare u emnova si deputet. Dhe kët barrë të fundit e pranova jo pse më pëlqente por vetëm e vetëm për mos me u çfaqë si kundërshtarë, por edhe me anën e kësaj detyre të re s’kam lanë ndërhyrje pa ba për me shpëtue njënin e tjetrin prej burgu e për me lehtësue nevojat e popullit përgjithësisht.

Je pasunue në kohën e italis.

Disa më paraqesin si nji nga ata që kam përfitu edhe unë nga okupatori. Kjo s’asht e vërtetë aspak. Asht e vërtetë vetëm se unë kam marrë nji leje për me çue groshë në Greqi, por këtë e kam marrë prej qeveris shqiptare e jo prej Italis pse i kam sjellë ose për me i sjellë ndonji shërbim.

Qeverija shqiptare, ajo e kryesume prej Mustafa Krujës, mbas shum lutjeve që i pata ba e mbas ndërhyrjes së shumë miqve të mij, tue mos pasë nji fond të veçantë për me më ndihmue, vendosi me më dhanë kët leje vetëm e vetëm si shpërblim për dëmet e mëdha që kam pësue nën regjimin e Zogut. 

Përkrahësin kryesor të këtij intervinimi kam pasë ish Ministrin e Financave Shuk Gurakuqin pse sikundër e din i gjithë populli shqiptarë, Ahmet Zogu, përveç se më ka vra babën, xhajën e vëllan, më ka djegë edhe shtëpijat dhe grabitë të gjithë pasunin. E pasunija e jeme në Mat s’ka qenë e pakonsiderueshme dhe me fitimin që kam ba unë prej lejes, s’kam muejt me qitë as nji të katërtën e dëmeve që më janë ba.

Asht nji tragjedi e tmerëshme me ju përshkrue të gjitha hollësinat që ka pësue familja e jeme dhe të afërmit e mij në kohën e sundimit të Zogut. Veç vuajtjeve të mija personale, me vjete rreshtë, burrat e fisit Valter kanë ndejt të aratisun ndër male, ose në mërgim, e gratë tona me fëmijt e tyne janë internue vend më  vend tue vdekë nga urija e nga mizerja.

Asht për t’u shënue edhe se përveç se leja më asht dhanë si shpërblim për mue e për familjen t’eme, edhe kjo leje tregtije ka qenë krejt e ndershme dhe e dobishme për ekonomin e vendit tonë. Prej Kosove ku kalbej grosha, nga se atje bahet shumë, kam çue në Greqi 3.000 kv. groshë ku mungonin ushqimet, e si shkëmbim të këtij malli kam prue prej Greqije topa pambuku, landë për të cilën ka nevojë të madhe vendi i jonë. Njoftoj edhe se leja e jeme nuk u ngjetë si disa lejeve të tjera, që u janë dhanë të tjerëve, të cilët mbrenda ditës mërrijshin me u ba miljoner, vetëm tue e shitë lejen ndonji tregtari të madh ose ndonji firme. 

Unë për me ba nji pasuni modeste, me lejen teme kam interesue dhe 7 tregtarë të tjerë të ndershëm dhe m’asht dashtë të punojë e të lodhem bashkë me ta për disa muaj rrjeshtë për me pasë nji rezultat. Kam shkue në Romë për me hjekë disa pengime pse si mbas vendimit të ministris së ekonomis italjane, groshët e shqipnis i donte Italija. Kam shkue në Athinë disa herë për me lidhë kontratë me shoqnin greke tue kapërcye njimijë pengime pse s’donin me na dhanë nji mall të çmueshëm siç asht pamuku, kemi shkue në Kosovë tue hjekë njimijë mundime për mbledhjen e ngarkimin e groshës ndër vagona.

Në doni me dijtë edhe personat me të cilët e kam ba punën e nda fitimin e lejes, qe po jua tregoj: fitimin e 750 kv ia kam dhanë tregtarit Pjetër Pistullit për me ma drejtue tregtin përgjithësisht, pse unë nuk marrë vesht nga tregëtija. Fitimin e 500 kv. ia kam dhanë nji tregtari italjan Pasqueale Cesero për me ndihmue që Roma mos të më qitte  pengime mbasi siç e thash, Ministrija e Ekonomisë Italjane donte qi prodhimet tona të çoheshin vetëm në Itali mbassi ajo na i sillte sendet e tjera në Shqipni. Pjestarët e tjerë janë tregtarët: Filip Korra, Llambi Fundo, Petraq Katro dhe Telo Kondili të cilët kanë derdhë kapitalet për blemjet e groshës dhe shpenzimet e transportit dhe të importit të mallit.

Kët lejen e groshës pra e kam fitue me të vërtetë me mundë e me mjeshtri sa që të gjithë janë çuditë për suksesin që pata. Përdorimi i kësaj leje ka qenë kaq i vështirë sa që kur deshta njiherë t’ia shes tregtarit Jonuz Shijakut nuk më ofroj ma tepër se 1000 napolona mbassi paraqitte nji mund e nji rrezik të madh në transporte.

Familja.

Tash që duhet të ju njoftojë se edhe pjesën e fitimit tem nuk e kam pasë vetëm për vedi. Kam pasë e kam mbi supa plot njerëz për të mbajtë. Nji njerkë plakë, kam dy nipa e nji mbesë për të martue, kam nji motër me 4 fëmij të cilën burri i sajë nuk e shikon; kam për të mbajtë gruen teme me dy fëmij që më ka mbetë në Paris; tue pasë frikë partizanët e Zogut m’asht dashtë  me mbajtë gjithnji katër pesë veta të armatosun; tue qenë unë në Mat me shumë akraballeqe e miqësina m’asht dashtë me çue vazhdimisht ushqime e shtresa. Shtëpija e jeme në Mat ka pritë e përcjellë edhe partizan.

Në gjithë këto obligime familjare s’kam lanë edhe shokë, miq e akraba pa ndihmue. Dikuj ma shum e dikuj ma pak të gjithëve u kam ardhë në ndihmë. E pse kam veprue në kët mënyrë s’kam muejtë me ba as nji shtëpi të vogël për vehten teme për muejt me pru gruen me fëmijë.

Kam edhe ma për të tregue: tue qenë se unë nuk jam njeri i dhanun mbas paras e jam mësue gjithnji me përqafue ideale, deklaroj se të tana shpenzimet që janë ba për veprimet e grupit të Partis Nacjonal-Ballkanike Shqiptare i kam ba unë vetë me fondet e mija.

Pozita jeme nën okupacjonin gjerman.

Ndonëse ushtrija gjermane për veprimet e kohës së fundit m’asht ndye keqas, tue dashtë me folë të drejtën, unë Gjermanin nuk e kam pa me sy okupatori. Mbas mendimit tem ajo kish ardhë në Shqipni vetëm e vetëm për arsyena strategjije dhe do të largohej posa të mbaronte lufta. Pohoj edhe se, ndonse në mësheftësinë e shpirtit tem, nuk më ka pëlqye kurr që nji popull të sundojë mbi të tjerë, kam pas urue fitimin e Gjermanis, për sigurimin e avenirit të Shqipnis. Me fitimin e Gjermanis kam qenë i sigurt për nji Shqipni të lirë e ta pa-coptueme, kurse me fitimin e aleatve, jo. Dhe kët besim nuk duhet të ma queni për faj.

Siç e thash, unë s’kam besim se shtetet e mëdhaja po luftojnë për parime demokratike e drejtësi, e mandej, s’kanë kalue ende 30 vjetë që në konferencat e Londrës e të Versajës, ku aleatët, për interesat e tyne hegjemonije e sakatuen Shqipnin në mënyrën ma të padrejtë.

Kështu pra tue e pa Gjermanin me sy të mirë, kam folë e shkrue në favor dhe, në periudhën e saj në Shqipni kam pasë pranue me u zgjedhë deputet. Por, prap puna e jeme s’ka qenë tjetër veçse me intervenue pranë autoriteteve shqiptare e gjermane për njenin e tjetrin. Në mes kaq vetave që kam muejt me shpëtue edhe mue më detyrohet falja e përgjithëshme që u ba, ku u liruen qindra të burgosun të Nacionalçlirimtares.

Pse pranova barrën e komisarit të naltë të fuqive të armatosuna.

Më duket se asht e pa vend të gjykohem unë për kët çeshtje. Kur hynë në Tiranë Fuqit e Nacjonalçlirimtares, mue më gjetën si kryetar të nji grupi politik që ka afrim me Nacjonalçlirimtaren e jo komisar të naltë të Fuqive t’Armatosuna. Si Komisar unë nuk qindrova as nji javë për me zhvillue ndonji aktivitet. Megjithë këtë, që po spjegohem edhe për pranimin e kësaj detyre:

Zotnij Gjykatës, tri qëllime më banë që të pranojsha detyrën e komisarit të naltë dhe këto janë:

1) Tue pa se qeverija e Ibrahim Biçakut ishte tepër e butë me iu imponue gjermanve për me i ndalue ata për me ndërhy ndër çështjet tona, mendova se tue u vu unë “gjermanofili” në krye të fuqive të armatosuna do të mujsha me e shpëtue vendin nga damet e ndryshme. Tue u bazue mbi neutralitetin e shtetit tonë të cilin e kishte njoftë Berlini, kam pasë mendue me ndalue arrestimet e Gestapos, me rikthye në Tiranë të internuemit e Prishtinës si edhe me marrë disa masa që me hikjen e gjermanve mos të digjej qyteti e mos të na prisheshin urat. Kët që them mund të vërtetohet prej urdhnit me shkrim që i kam dhanë komandantit të Mbrojtjes Kombëtare gjeneralit Mirdash. Letrën mund t’a gjeni në Komandë e me sa mbaj mend përmban tekstualisht këtë: “Indipendenca dhe neutraliteti i shtetit shqiptar dita me ditë po violohet. Ushtrija gjermane ka fillue me kontrollue shtëpija e me kap njerëz. Nuk asht çudi që ma vonë të kapen e të pushkatohen njerëz me shumicë si edhe të shofim djegien e qytetit. Për me ndalue pra këto, duhet të organizojmë sa më parë nji fuqi për me e marrë na vet rojen e qytetit. Dhe për deri sa të mbërrijnë më pasë fuqia e duhun, urdhnoj që të gjithë oficerat dhe nënoficerat të inkuadrohen e të grupohen në nji kazermë…”

2) Tue mendue se me hikjen e gjermanve, partitë politike, Nacjonalçlirimtaria, Balli e Legaliteti do të përplaseshin njena me tjetrën për posedimin e fuqis, me fuqit qeveritare kam pasë mendue me evitue nji vlla-vrasje tue i detyrue partitë për me iu shtrue zgjedhjeve të nji asambleje të re ku i gjithë populli të zgjidhte regjimin që donte.

3) Tue pa se të tri partit paraqitshin fotrca të armatosuna desha me përfitue edhe unë nga pozita e jeme për me armatosë disa elementa që mund të lidheshin me grupin tem politik, Partija Nacional – Ballkanike Shqiptare. Për kët qëllim të tretë, që qe armatimi i vullnetarve që do të rekrutoja për partinë teme, kisha vendosë edhe: në qoftë se s’do të muejsha me luejt rolin qeveritar tue iu imponue partive që t’iu shtroheshin nji zgjedhje të rregullt, do të hidhesha edhe unë me fuqit e grupit tem me partin që kisha ma afrim. Në kohën e pakët që kisha para meje, shpresën ma të madhe e pata vu në realizimin e kësaj pikës së fundit, por edhe kjo s’me doli mbasi Mehdi bej Frashëri i shtrënguem prej grupit Zogist më detyroj me dhanë dorëheqjen.

Më duhet të ju them edhe se, partija me të cilën mendoja unë me u lidhë, ishte Nacjonalçlirimtarja dhe kjo provohet me letrën që i kam drejtue gjeneral Dali Ndreu, në të cilën i thonja: Unë kryesoj nji grup të vogël nën emnin Partija Nacjonal Ballkanike Shqiptare me programin që po ju dërgoj. Tue mos dashtë me ba çështje të përbashkët me Legalitetin e me Ballin që asht lidhë me të, unë, po mbetem këtu.

Letrën e pata çue me anën e partizanit Xhemal Meçe dhe tue mos marrë ndonji përgjigje kjesh largue  nga Tirana për nja dy javë deri sa u qetësue gjendja. Shënoj edhe se kur e pata dërgue kët letër fuqit e Ballit e të Legalitetit nuk qenë shkatërrue ende, as në Shkodër, as në Durrës.

Beqir Valteri (Arkivi MPB. D.1568, Gjyqi special, f.548 – 561)

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Valteri, Enver Memishaj-Lepenica, Mustafa Kruja

“Mustafa Kruja si njeri kulture”

January 11, 2019 by dgreca

NGA ERNEST KOLIQI/

1-Mustafa-Kruja-237x300

Mё qet puna shpesh tё kem tё pёrpjekun me djelmosha qi merren me kulturё shqiptare. E kam fjalё sidomos ke ata prej atyne qi dolen nga nji kurs epruer studimesh tё mesme e qi zotnojnё me njoftime tё veta nji shtrîmje bukur tё gjânё tё çâshtjeve kulturore t’ona. Flas edhe pёr tё rij qi kryen fakultete universitare. E shumta e tyne, mbasi qi kёto takime ndodhin nё mёrgim, janё djelm kosovarё, ase t’ikun prej Shqipnije nё Kosovё e mandej tё shpёrngulun nё Prendim ku vazhduen shkollimin ase Arbreshё tё dhânun mbas gjuhёs e letrave shqipe; shkurt: intelektualё moshe sё re. Mue, si arsimtar, shёndrrimi i mendimeve me pёrfaqёsuesa tё djelmёnís studjuese jo vetёm mё kёnaqё por mё vlen pёr mos m’u shkёputё nga pёrpushjet mendore tё botёs aktuale, d.m.th. me qindrue nё dijení e nё vlug tё frymёs sё kohёs. Jetojmё nё nji faqe nierit ku ndrrimet nё mendёsí, nё zakone, nё shije, nё parime gjikuese ndrrojnё pajadá, kapёrdihen, marrin drejtime tё paprituna, ecin para e kthejnё mbrapa me ritёm tё vrullshёm. Deri sa bân hije mbi kёt tokё, pёrditё dishka mёson njeriu. Me njomsín e  ndieshmёnís sё tyne, tё rijt na bâjnё, deshtas a padeshtas, tё prekim me dorё gjendjen ku shpirtnisht e qytetarisht arrîjti rodi i ynё. Tue krahasue pёrshtypje e opinione breznísh tё ndryshme, shofim patjetёr mâ qartas ku i dhemb e ku i djeg çâshtjes kulturore shqiptare.

Grumbulli i vlerave tё kombit d.m.th. pasunija kulturore e jonё ka nevojё pёr organicitet. Pyetjeve: kush jemi na Shqiptarёt? Cilat janё tiparet qi na dallojnё nga kombet e tjera? Ҫ’farё botёkuptimi trashiguem nga stёrgjyshat, a mâ mirё, ç’tharme njerzore kanё zakonet qi rregullojnё jetёn t’onё? Ҫ’pajisje tё mira e tё kёqija ndryen shpirti arbnuer? Si paraqitet toka ku banojmё, e ç’ndikim patёn mbi rodin t’onё karakteristikat e saj? Ҫ’kavija (shkaqe) e ç’pasoja (rrjedhime) kryesore spikasin nё zhvillim tё ngjarjeve historike kombtare? Ҫ’ideal jetese paraqet nё thalb tё vet letёrsija e jonё gojore e ajo ditunore?[1]

Nji njerí me mende e shqise tё zhvillueme dishron e don me pasё pёrgjegjen e kёtyne pyetjeve tё ngashёrueme. Lakmon nxehtёsisht tё két para vetes pámjen sa mâ tё zdritun tё dhânave qi i pёrkasin jetёs shqiptare nё kalesё e nё tё tashme pёr t’i a blé neshtrashёn ardhёmёnís.

Mungesё e pafajshme dijenije

                    E mbeta qi, – nё takime  me tё rij tё Shqipnís, tё Kosovёs e tё diasporёs, – mё bjen nё sý menjiherё âsht mungesa e lidhjeve ndёrmjet pjesve tё botёs shqiptare. Rrethânat e sotshme, shkaktue nga stuhít politike e luftarake tё kёtij qindvjeti, kanё shkaktue copёtim nё mes gjymtyrve tё trupit shqiptar. Sot pёr sot, duhet tё kapёrcehen shum vishtirsí pёr tё pasё nji idé gangullore tё vlerave sё njimendta t’ona. Pjesёt e ndryshme nё tё cilat copёtohet gjindja e jonё shkaktojnё nji krijim qarqesh tё veçueme kulturore aspak tё harmonizueme njâni me tjetrin. Mungon njisija  e nji tânёsije organike. Me kandar e me kút tё ndryshёm peshohen e maten vlerat, qi duhet tё njehen tё pёrbashkёta. Kuptohet qi larmija e mendimeve dhe e pleqnimeve begatё menden e njerzís dhe zgjânon horizontin kulturuer. Por, pjestarёt e nji kombi, nё disa pika thalbёsore, pёrkitazi me tё qênunit e tij, duhet tё jenё tё njâj mendimi po deshtёn, me mish e me shpirt, tё qindrojnё pjesё e pashkёputёshme e trunkut rracjal origjinar. Pёshtjellimi i vlersimeve dhe turbullimi i parimeve pleqnuese cёnojnё tânёsín shpirtnore dhe e çojnё nji komb nё humbnerё tё çoroditjes e tё shkombtarizimit.

Nuk mund tё paditet kurrkush, – dhe mâ pak se tjerakush djelmёnija, – pёr mungesё kriteresh tё pёrbashkёta nё vlersim tё dukunive, me tё cilat sot paraqitet bota shqiptare. Duhet tё punojmё pёr nji ndriçim. Duhet me gjoks tё pёrpiqemi me sqarue periudha historike, fytyra tё pikatuna tё kalesёs e tё tashmes, rrethâna e hollsina pёr tё rendue me paânёsí e drejtёsí vlerat kombtare, tё cilat sot nё vendrim (contemplation) i shofim tё koklavituna e tё ngatёrrueme. Fajin e kanё zhvillimet e historís s’onё mâ tepёr se njérzit.

Lypi ndjesё pёr kёt parathânie bukur tё gjatё qi e vonoi hŷmjen n’argument shёnue nё titull. E ka arsyen e vet. Ndër personalitete shqiptare, nji ndër mâ të përgojuemit e të shoshluemit âsht Mustafa Kruja. Nuk due të polemizoj me kurrkend: dishroj vetёm  t’a çveshi fytyrën e këtij Shqiptari në shêj nga moskuptimet, nga thashethanat e përcipta, nga paragjikimet verbuese.

Dikush, me arsye, do të më drejtojë vërejtjen tue qitë e thânë se mbi Mustafa Krujën u shkrue edhe mbas luftës dhe njerz të shquem vûnë në dukje meritat e tija. Po, âsht e vërtetë; por, takimet qi përmenda në krye të këtij artikulli, i pata mâ të shumtat tash vonë dhe të rijt me të cilët fola nuk dijshin gjâ mbi ato shkrime. Prandej e shof t’arsyeshme t’u a kujtoj atyne qi dishrojnë me pá qartë mbi të kaluemen e Shqipnís dhe të bijve të saj mâ të vlefshëm, êmnin dhe veprimtarín e Mustafës mbas afro pesëmdhetë vjetve të zhdukjes së tij.

Koha ka qetësue shpirtnat e gjakimet politike synojnë qoka tjera. Prandej mendojmë se fjalët sqaruese zânë vend tashmâ pa kundërshtime të ndezuna.

Tё rijt e zdritun nga kultura dhe tё mbrûjtun nё shakulluer shpartallues tё mbasluftёs sё dytё kuptojnё mirfilli se njerz e ngjarje tё botёs s’onё lёvdohen e pёrbuzen jo nё nji rrafsh racjonal, por n’atê pasjonal dhe duhet tё dijnё tё vёrtetёn, dhe i a vêjnё detyrё vetes me zhdaravitё mjegullinat, me pá qartё e me rendue pa mbajtё pajё n’asnji ânё vlerat e botёs shqiptare. Kush mundohet t’i gёnjejё tue shfytyrue (falsifier) ndodhína e vetje dâmton e njollosё gjân mâ shêjte qi kemi si Shqiptarё: menden e djelmёnís s’onё, d.m.th. tё birnís sё sejcilit prej nesh, e cila don t’eci kah ardhёmenija me pajёn e sё vёrtetёs nё xhep.Natyrisht këtu paraqesim Mustafa Krujën si njeri kulture.

Disa pika bibliografike

Shkruesi i kёtyne radhёve botoi nё Shêjzatnё Vjetin e I (1957), nr. 2 – 3, faqe 70 – 76, nji syzim me titull Shtatёdhjetёvjetori i lindjes sё Mustafa Krujёs.

Mё 1959, mbasi qi Ai ndrroi jetё nё Niagara Falls – N.Y., Shêjzat(Vjet’ i III, nr. 1 – 2, faqe 1 – 12) botuen artikuj tё Zef Valentinit, Tahir Kolgjinit dhe Ernest Koliqit. Nё fund t’atij vjeti (nr. 11 – 12, faqe 381 – 384) i paharrueshmi Dashamirё e Bashkpuntuer i ynё prof. Karl Gurakuqi pёrkujtoi Mustafёn me thekuní miqsore. Edhe nё veprёn e tij Nёpёr vullâjt e Shêjzave(Romё 1969, faqe 7 – 9) foli mbi shkrime tё Mustafёs botue nё tё pёrkohёshmen t’onё.

Mё ka qillue nё Shqipní me ndie gjithfarё fjalёsh mbi Mustafa Krujёn, prej tё cilave delte nё shesh nji gjâ: ai levdohej ase shahej si veprimtar politik, por pak’ e kush e pёrmendte e merrte parasýsh vlerёn e tij kulturore. Mun, shumica e kujtojshin njerí me shkollin tё pёrgjysёt.

Ky vlersim i gabuem apo s’paku i gjymtё nuk duhet tё çudisi. Mustafa mund tё quhet I mёrguemi i pёrherёshёm.Ajo Shqipní e lirë, qi n’akt të pamvarsís së vet përpilue në Vlonë me 28 Nanduer 1912 ka edhe nënshkrimin e tij, i a mohoi shpesh të drejtën me banue lirisht në tokë të saj.

Por tё rrjeshtojmё pikat mâ tё spikatёshme tё jetёs plot travajё e njiherit edhe plot punё.

U lind nё Krujё mё 15 mars 1887. Shkollёn fillore e kreu nё qytet tё lindjes dhe atê tё mesmen nё Janinё, e cila aso kohe, ishte e pёrfshime nё Perandorín osmane. Vazhdoi mёsimet n’Institutin epruer “Mulkije – i – Shahané” tё Stambollit prej kah mё 1910 doli “licencié en sciences politiques et sociales”.

Ҫ’prej moshёs mâ tё ré tregoi prirje shkrimtari e kёt cilsí i a kushtoi kryekёput mprojёs sё drejtave kombtare dhe naltёsimit menduer tё kombit. Nё shtypin liberal tё Stambollit botoi artikuj me pseudonimin Asim Djénankundra qёllimeve tiranike tё Zhoen Tyrqvet. Mё 1909 u dbue nga Instituti si protagonist i nji demostrate sё rrebёt nё favor tё minoriteteve kombtare tё Perandorís osmane e mujt m’u pranue rishtas mbas nji ndёrhymjeje energjike tё Deputatve shqiptarё nё Parlamentin turk.

Mustafa shquhej për karakter burrnuer, për idé të qarta e të préme së cilave u rrinte besnik pa marrë në dorë interesin vetiak. Urrente kompromiset. Shkurt: ishte njeri nji copet: pohen po e johen jo. I ndershem tejet, ishte i matun e i drejtë në pleqnime. U a njifte edhe kundërshtarvet zotsín e vlerën. Në karakter të tij synthetizoheshin lumnisht burrnija e fisit shqiptar me nji dituní organike. Vetít gojdhânore zdriteshin në njoftime të gjâna me të cilat e kishte pajisë mâ parë shkolla e ndjekun me cenë e mandej nji përpjekje e përditëshme kambëngulëse studimi sidomos në shkencat historike, politike, shoqnore e gjuhsore.

Kur erdhi me 1924 si Prefekt nё Shkodёr solli me vete biblioteken e vet tё pasun me botime nё frengjishte. Natёn e Kёshndellave t’atij vjeti, ngjarjet e dituna e shtrёnguen me lânё thekatueshёm Shkodrёn e Shqipnín. U mёrgue bashkё me Luigj Gurakuqin. Librat mbetёn tё shpёrdám do n’Arqipeshkёvní tё Shkodrёs, do ndёr Fretёn e Jezuitё. Mё 1930, si u ktheva unё n’atdhé prej nji mёrgimi pesё vjetsh, i ngarkuem prej tij, mblodha librat nё shtёpí t’ême: ishin me mija dhe nxejshin krejt faqet e murit t’odёs s’eme e tё nji pjese sё çardakut. Vёllime, e shumta, tё bléme ndёr “bouquinistes” tё bregut tё Seine-s nё Paris, nё periudhёn kur ndodhej me 1919 nё kryeqytet tё Francёs si pjestar i Dergatёs shqiptare nё Konferencёn e Paqit. Ai, me kursime (Emzot Bumçi e Luigj Gurakuqi miqasisht talleshin me tê e i thojshin: “Mustafё, mos i shpenzò tё gjitha paret ndёr libra: pёrfitò prej rasёs qi jé nё Paris me bâ pak qejf!”) kishte arrijtё tё grumbullojё nji numёr bukur tё madh veprash tue mendue t’i shfrytzojё nё punёn e tij kulturore, por fati i padrejtё e ndau nga biblioteka e dashun dhe, nё varg tё parreshtun mёrgimesh, punoi pa mujtё t’a pёrdori. Ndrroi jetё nё Niagara Falls tё Shteteve tё Bashkueme t’Amerikёs me 27 dhetuer 1958.

Shkrimet e Mustafёs janё tё shpёrdáme nё fletore e nё tё pёrkohёshme tё ndryshme. Shkroi artikuj nё Mbrojtja Kombёtare (Vlonё mё 1921 drejtue nga Dom Mark Vasa), nё Populli (Shkodёr 1921, drejtue nga Salih Nivica), nё Corriere delle Puglie (Bari), nё Kuvêndi(botue me 1919 – 20 nё Romё nga Sotir Gjika), nё Shqipёria e Ré (nё Kostancё tё Rumanís), n’Albanie Libre (botue nё Romё 1946 – 1956) dhe studime e syzime nё tё pёrkohёshmet Hylli i Dritёs, Leka, Pёrpjekja Shqiptare, Illyria, Shêjzat, Shpirti Shqiptar.

Vepra tjera tё botueme: pёrkthimi i veprёs politike tё Vladan Gjorgjevich Arbanasi i Velike Sile (Zara 1927), Abetari i tё Mёrguemit (Aleksandrí t’Egjyptit me 1952); tё pabotueme: pёrkthimi shqip i Illyrisch Forschungen tё Dr. Ludvig v. Thalloczy me bashkёpunimin e dr. Milan Sufflay e Theodor Ippen.Nisi, por e la tё pakryeme nji Historí t’Aleksandrit tё Madh.

Pёrkthime e punime tё ndryshme, gjithёnji tё pabotueme: Burri (Pyrrhus i Madh), pёrkthye nga Plutarku me shёnime; Die Indogermanisierung Griechenlands und Italiens nga Hans Krahe shqipёrue nga gjermanishtja.

Rradhimi anasjelltas nё shqip-latinisht i “Dictionarium latino-epiroticum” tё Franco Bardhit (1635) me shёnime e shpalime tё denduna gjuhsore.

Mustafa si njeri

At Valentini, qi pat rasë t’a njofi themelisht Mustafën gjatë nji bashkëpunimi të dendun n’Institutin e Studimeve Shqiptare të Tiranës, pohon për sá i përket karakterit të tij se në çdo rrethanë “u tejshifte ase nëpërndritte ndershmenija e thellë dh’e leale e tij, pasjoni i tij për atê qi Ai njehte si ma i madhi visar kulturuer i atdheut, gjuha shqipe”.

Por qe, dishmija ma e çmueshme mbi Mustafën qi kemi nga Valentini, matunija e fjalve të cilit dihet se arrin në shkrupolozitetin mâ të shtrënguet dhe në drejtsin ma të ndërgjegjëshme: “Mundte njeriu mos me pranue përftimet ase methudhat e tija politike, por âsht absolutisht e pamundun, jo vetëm me mohue, por edhe vetëm me dyshue se pasjoni suprem i tij, mun i vetmi pasjon rreth të cilit bashkërendoheshin ase radhiteshin të gjitha tjerat (pasjone) e të gjitha veprimtarít, ishte dashunija për Shqipnin”.[2]

Proverbjalet mbetet qindresa e tij në punë.

Karl Gurakuqi, njohës i mirë edhe ky i Mustafës, thotë për tê: “Ndonse i diplomuem në shkenca politike (n’Instambul në vjetin 1910), mori rrugën e mësuesís. Kishte nji shpirt arsimtari… Auktoritetet shtetnore, tue vrejtë prirjen e tij e tue i ardhë dishirit të çfaqun prej si, e panë të rrugës me i ngarkue drejtorín e arsimit në Prefekturën e Elbasanit. Këtu u tregue në naltësín e misjonit të rrokun, tue punue me ndergjegje e me at zellin e madh, qi e ka shque gjithmonë sa qe gjallë”.

Karli, ai vetë arsimtar i lém, i ka rá në tê përsa i përket prirjes natyrore të vërtetë të Mustafës. Ai, po të shqyrtohen hollë shfaqjet veprimtare të personalitet të tij, nuk vûni kurr pregatitjen e rrallë kulturore në shërbim të politikës qi ndiqte, por u rrek qi politikën e vet t’a vente në sherbim të kulturës. Kishte shpirt apostulli. Për tê problemi kryesuer ishte naltësimi shpirtnuer i gjindes shqiptare e këtë e pritte vetëm e vetëm nga përhapja e ditunís. Ai në nji njeri çmonte, bashkë me vetít tipike shqiptare, shkallën arsimore, pajisjen ditunore. Shfaqej ballhapët si anmik i çdo qindrimi hypokrit, nganjiherë edhe versulej me shprehje të vrazhda kundra mendelehtvet e spitullacavet trûshprazët, përkundrazi nderonte, si thámё, edhe kundërshtarin me vetína pozitive intelektuale. Urrente njerzit e cekët qi me nji lëmashk njoftimesh, si të ngjituna nё mende me pështymë, mtojshin me ndёrhŷ në çdo bisedim tue shitë mend e dije pa sjellë nji kontribut ndertues. Urtín paramune të njerzve të pashkollë por të pasun me njohunít e trashigueme dhe me atê vetjake fitue në tallazet e jetës e nderonte sa s’ka: e njehte krue të pashterrshëm të përvojës shekullore të kombit, t’asaj përvojë qi përmbledh ahtet e shamtinat, galduese e të trishta, të breznive të kalesës.

Palci i shkrimeve të Mustafës

Mustafa Kruja njifej si njeri i shprehjeve të rrëmbyeshme, akuzohej qi nuk duronte mendimin kundërshtar e qi përdorte fjalë mujshare në rrahje të çdo çâshtjeje qoftë politike qoftë gjinije tjetër. Ka gjasë qi kët qëndrim të papërkulshëm (intransigeant) ai e muer nganjiherë me ata, sidomos me t’ashtuquejtun intelektualë, për të cilët ushqente bindjen se flitshin me mende të mbrapësht, porse rëndom shtronte bisedë ndejshëm si mbas zakonit të maleve: si pleqt në kuvende të Kanûnit. N’asht se flitte e përgjigjte thertas aty ku dyshonte n’interlokutorin ndoj mbrapamendim, thartimi i përkitte trajtës jo përmbajtjes së mendimeve. Mendimet ishin të matuna e të përkuerme.

Si të gjithë njerzit e kulturuem të Rilindjes s’onë, para gjendjes qi u krijue mbas sundimit shekulluer t’Osmanllijvet, edhe Mustafa kërkoi idét ndërtuese me i a vû si gur themelit Shqipníssë ré. Rrethânat historike fatkeqësisht e kishin mbajtë popullin shqiptar në nji errësí mesjetare. Aradhja e intelektualvet, e vogël por shum aktive, e cilësueme nga nji larmí e teprueme paraqitjesh kulturore, lakmonte me ngulm nji përparim mâ tepër të dukshëm se sa substancjal për shtetin e ri. Mustafa bashkë me disá mâ mendendritunit personalitete të kohës, u bind se përkundrazi duhej shkue kadalë në shkëputjen prej Orientit dhe n’ecjen kah Oksidenti. Nevoja kryekrejet qindronte në ngujim të dokeve të shëndoshta gojdhânore, d.m.th. m’u përmbledhë sa mâ tepër në rreth të zakoneve mâ gjenuine shqiptare. Studimi i gjuhës për tê donte të thonte edhe depërtim në thalb të gjallë të shpirtit të kombit, thellim në pasunín stërgjyshore, fryma e së cilës duhej të lëvitte në psihe të përtrîme të Shqiptarit. Njoftja e gjuhës shqipe ndihmon me njoftë historín, ethnografin, psykologjín e fisit. Ata qi mtojshin të caktojnë vijat ndërtuese të jetës së ré shqiptare tue mos dijtë shqip, por tue folë gjuhë të hueja e tue u mbështetë vetëm në kulturna të hueja, Mustafa i njehte njerz abstrakt, vizatuesa të nji Shqipnije n’erë, pa rrajë në humusin autokton. Ai mendonte me vû në drejtpeshim përvojën e vjetër trashigue nga të Parët me shkencë, tue shartue n’urtí tё kalesës kulturën mâ të përshtatun moderne. Jo me u hapë dyer e dritore idéve tepër të shtyme: dronte se nuk i bár mendja e popullit, plandosë prej qindra vjetësh në nji rrënesë t’âmullt. Shkurt: mendimi i Mustafës, qi u pasqyrue si në shfaqje të jetës ashtu në shkrime të tija, qindron në kult të vlerave shqiptare, natyrisht të përtrîme e të spastrueme në frymën mâ të kulluet të qytetnimit. Ishte njeri i rendit dhe i dishiplinës, i ligjës e i kanûnit, urrente privilegjet, demagogjít, besonte ngultas se vetëm meritokracija mund të mbëkâmbte nji shtet e nji shoqní shqiptare të dênjë m’u rrjeshtue në radhë të shteteve të qytetnueme. Meritokracija âsht ai koncept qi cakton me i a lëshue rrugën njervze t’aftë, të pregatitun, të pajisun me cilsít e nevojshme për t’i shërbye nji bashkarije shoqnore. Ai nuk përbuzte kurrkend por, mbi të gjitha, në nji njerí çmonte cilsit morale e kulturore.

Gjuhtari e shkrimtari

Tё gjitha fuqít mâ tё zgjedhuna tё veta, gjatё mâ se pesёdhetё vjetve, i a kushtoi studimit tё gjuhёs shqipe. Njifte me themel leksikun dhe frazeologjín e gegnishtes dhe tё tosknishtes. Nё Zara, nё Sant’Ilario afёr Genovёs, nё Genève e kam pámun gjithmonё pёrkulё mbi tekste shqipe gjuhsije, libra e tefterё shёnimesh dhe memzi i a mbushёshe menden (i nxitun edhe prej Zojёs Caje, bashkёshortes sё tij fisnike) me dalё e me bâ ndoj shetí. Edhe tue shetitё shtjellonte çâshtje gjuhsije. Prej si kam pasё dobí shum: ai mё shtyni nё pёrdorim tё trajtave tё mesme (t’Elbasanit) nё shkrime tё mija, ai mё kёshilloi t’u a vê menden sinonimevet pёr t’a bâ mâ tё pёrpiktё stilin.

Mbi rezultatet e punёs sё tij me vullnet titanik kushtue gjuhёs shqipe, kanё dhânё lajme At Valentini e Karl Gurakuqi. I pari shkruen:

“Chiunque abbia avuto occasione di leggere anche uno solo dei suoi articoli di filologia, non può non aver constatato quale fosse la immensa quantità di materiale da lui raccolto, sistemato, continuamente presente alla sua memoria. Ma non è forse uscito da quaranta anni in qua un dizionario o un anche modesto glossario albanese che egli non abbia esaminato e commentato con migliaia di osservazioni, d’aggiunte, di rettifiche, tutte abbondantemente e sicuramente documentate. I suoi amici e quelli che gli furono colleghi nell’Istituto di Studi Albanesi di Tirana hanno potuto vedere e consultare i suoi 12 grossi volumi manoscritti in formato protocollo, che se non fossero rimasti inediti, certo avrebbero costituito il primo e vero grande dizionario della lingua albanese. Quante volte nella discussione d’un qualsiasi particolare filologico, in sede di commissione linguistica o di commissione letteraria, un florido gruppo di competenti veniva a trovarsi nell’incertezza, quasi altrettante volte il ricorso a quel dizionario che egli poneva a nostra disposizione, risolveva la questione nel modo più soddisfacente”[3]

“Cilido qi ka pasё rastin tё kёndojё edhe vetёm njenin prej artikujve tё tij tё filologjisё, nuk ka mundun mos me vёrejtё sasinё e pamasё tё landёs sё mbledhun prej tij, pёrherё e pranishme nё kujtesёn e vet. Prej dyzet vjetёsh nuk ka pasё asnji fjalor tё botuem, madje edhe çdo glosar i thjeshtё qi tё mos jetё shqyrtue prej tij nёpёrmjet mijra vёrejtjesh, shtesash, ndreqjesh, tё gjitha tё dokumentueme bollshёm e me saktёsi. Miqtё e tij dhe ata qi qenё kolegё tё tij nё Institutin e Studimeve Shqiptare tё Tiranёs kanё pasё mundёsi me marrё nёpёr dorё 12 vёllimet e trasha tё dorёshkrimit nё formё protokolli, tё cilёt, sikur tё mos kishin mbetun tё pabotuem, sigurisht do tё pёrbâjshin fjalorin e parё tё madh e tё vёrtetё tё gjuhёs shqipe. Sa herё nё diskutimin e çfarёdo hollёsie gjuhsore, nё selinё e komisionit filologjik apo atij letrar, nji grup i shёndoshё kompetentёsh gjindej nё mёdyshje, po aq herё pёrdorimi i atij fjalori, qi ai e vente nё dispozicionin tonё, zgjidhte problemin nё mёnyrёn mâ tё kёnaqёshme.” (Pёrkthim i Eugjen Merlikёs)

I dyti thotё:

“Edhè atёhera kúr rrethanat e shtynё tё ndiqte rrugёn e politikёs vepruese, nuk e la mbas dore lavrimin e gjuhёs. I fali kёsaj studime tё matuna e tё frytshme gramatikore e sintaksore. Mjafton tё pёrmendim Fjalorin e madh tё shqipes, rreth tё cilit ka punue gadi krejt jetёn, pá u lodhё, tue mbledhё visarin gjuhёsuer tё malit e tё fushёs. Ky fjaluer, i pajuem me shembuj e fraza tё nxjerruna nga goja e gjallё e popullit, me sinonime tё qemtueme me nji zéll tё mrekullueshёm, pat qênё miratue nga Instituti i Studimeve Shqiptare tё Tiranёs, i cili pat vendosё tё shtypej, por qi mjerisht u pengue nga gjendja e kapёrdime. Fjalori ká qênё 2400 faqesh formati tё madh me 30.000 fjalё, tё spjegueme shqip. Nuk dijmё nё se dorёshkrimi ka shpёtue nga rebeshi i kohёs”[4]

Dihet qi ai i Mustafёs âsht shembull stili parashtrues (ekspozitiv). Letrat e tija janё nji visar ku, veç pёrmbjtjes sё çmueshme pёr historín t’onё, shqipja shpalisё tё gjithё zotsín e vet shprehёse nё ton bisede, ku mendime e ndiesina e gjikime dalin tё çânёsueme me premí e qartёsí t’admirueshme. Ai, njerí realist e i prirun kah spjegimi logjik i ngjarjeve, kёrkonte thjeshtёsín nё shkrim. Dhe i a arriti nё stil tё vet, nji tejpasije (transparence) nёpёr tё cilёn drita e mendimit del e gjallё n’ind tё fjalve e tё fjalive.

Kur shkruente mbi ndoj argument qi i a prekte shpirtin, stili i tij ngjyrohej e pёrflakej por pa rrёshqitё nё llasё tё nji brydhёsije (tendresse) qi nuk pёrkonte me natyrёn burrnore tё tij. Shprehet me nji zbunim tё pёrmbajtun, skofiar (delikat) e tё ngrohёt por jo butlosh. Tё shifet nё shkrimin kushtue qytetit tё Krujёs si e âmbёlson mashkullisht fjalёn kur çekё sende qi ka pёr zêmёr.

Shkruesi i kёtyne rradhёve ka jetue me vjet pranё Tij, ka thithё frymёn e shёndoshtё shqiptare tё votrёs sё tij shtёpijake nё vende tё ndryshme mёrgimi ku atê e hodhёn stuhít politike, âsht ushqye me miqsín bujare e bujarsuese tё Tij, e ka pasё mjeshtёr gjuhe dhe, mbas vdekjes sё Luigj Gurakuqit, e ka njehё Udhёhjekёs tё vetin nё çdo nismё kombtare. Kjo lidhje e ngushtё e vên nё gjendje me folё pёr Tê me dijení tё plotё tё dhânash. Me gjithёkёtê, tue shkrue kёto rradhё âaht pёrpjekё me ruejtё paânёsín. Sidoqoftё, si do qi tё merren gjikimet t’ona, veprat e Mustafa Krujёs jesin dishmim i shkёlqyeshёm i kontributit moral e kulturuer tё botёs shqiptare.

Marrё nga broshura “Mustafa Kruja si njeri kulture e si gjuhёtar”, SHÊJZAT 1973

[1]Djelmёnija studjuese sot don tё hŷjё nё thalb tё çâshtjeve. Ideologjít e ndryshme nё luftё me shoqishoqen e detyrojnё me zgjedhё. Nacjonalizёm a internacjonalizёm? Ndёrmjet kёtyne dý skâjeve kundrore (opposées) valavitet mendimi i sotshёm. Tue vlerёsue problemet nё lidhje me kombёsi, tё rijt duen tё hulumtojnё edhe zanafillёn e tyne, d.m.th. kalesёn e kombit prej kah burojnё kavít (les causes) e rrymbave tё ngjarjeve. Nё kёtё hulumtim gjêjnё pengoja: disá ngjarje nuk janё tё shkrueme e gjurma e tyne qindron nё kujtim tё njerzve tё motnuem, disá janё tё shkrueme por pёsojnё nga nji ânёsí e qartё interpretimi. Sidomos veprimtarija e personaliteteve qi u shfaqёn nё skenё tё historís si protagonista shpesh rrethohet me avullim shoshlimesh tё cekta a tymtajё pasjonesh. Tё rijt serjoza dishrojnё m’e kullue punёn, sidomos kur dyshojnё se nji mёní vazhduese orvatet me shfytyrue (falsifier, dénaturer) tё vёrtetёn. Ata kuptojnё se i erdhi koha nji paraqitjeje tё drejtё, pa shtrёmbnim, tё fytyrave mâ tё pikatuna kombtare. Nuk niset nji ecje e mbarё kah ardhёmёnija me paravûmje (premisses) idésh kallpembi kalesёn.

[2]Shif Shêjzat, Vjet’i 1959, 11 – 12

[3]Shif Shêjzat, Vjet’i III, 1959, nr. 1 – 2, faqe 4

[4]Shif Shêjzat, vjet’i 1959, nr. 11 – 12, faqe 382. Dymbёdhjetё tefterёt me fjalё tё mbledhuna e tё shpalisuna nga Mustafa kanё mbetё n’Institutin e Shkencave e mâ vonё n’Universitetin e Tiranёs e prandej ajo lândё leksikore gjendet sigurisht, e shfrytzohet, nё Fakultetin e Letrave t’atij Universiteti.

Filed Under: Politike Tagged With: Ernest Koliqi, Mustafa Kruja, Shejzat, si njeri kulture

MUSTAFA KRUJA mjeshtër gjuhe

January 8, 2019 by dgreca

60 vjet mё parё ndёrroi jetё MUSTAFA MERLIKA – KRUJA /
1-Mustafa-Kruja-237x300

(Krujё 1887 – Niagara Falls 1958)/

                                                            nga ZEF VALENTINI/

Tjera herë pata rasë me folë për M.Krujën si nieri kulture përgjithsisht.Tash rasa më bje të flas, për nji ânë të veçantë, medjé për ânën kryesore në të cilën ai përmblidhte gjith kulturën, ndoshta edhé gjith virtytet e shpirtit të vet: gjuhsija; e këtë rasë ma jep mâ i mbrâmi punim i tí, nji daktiloshkrim i madh në të cilin, më si duket, ai u mundue me rindërtue fjalorin e vet të madh qi i pat hupë tue dalë prei Shqipnije më 1944.

Me këtê ai këthen më nji lloj punimi me atê mâ të parin me të cilin pat dalë, nën pseudonym Shpend Bardhi, në revistënLekatue shoshitun imtë fjalorin e Matí Logorecit. Due me thánë, mâ fort nji fjaluer kritik se sá nji fjaluer fjesht tregimtár.

E do të thomi se këta i përshtatej mâ së miri karakterit të tí të hollë e njiheri të drejtpeshuem.

Sakt nuk i mungon kultura e pёrgjithshme; ndoshta ndonji herё ndonji njoftim shifet se e ká marrё atŷ nga fjalorёt e enqiklopedít qi ka pasё pёr doresh. Por kush nuk e bân kёtê?  Veçse i kulturuemi kujtohet kúr kёtê nevojё e ká, se i pákulturuemi jo.

Difton edhe nji interesim gjithmonë të zgjuem për historí të kulturës osè të dokevet, sikur p.sh. n’art. “agallìk”, kû na tregon jo vetëm se d.m.th. “cilsija e agait, titull’i tij”, por edhè “pjesa e zotnisë nga t’ardhunat e pronave të punueme prei bulqёvet të tij”.

Njoftja e tí reth historìs së gjuhës âsht shum e haptë, me gjith qi, pothue për herë në mërgim, s’ká pasë lehtësí me shfletue, s’po tham bibliothekat e Shqipnís, por as bibliotheken e vet.

Ai njef mirё p.sh. morfologjín e moçme, mund tё shifet nё tё gjatin artikull qi i kushton zânores a, kû merr rasёn me studjue lakimin e emnavet me themё nё –a (tё gjatё): “ablativja shumse e pashqueme, nё pёrdorimin e sodshёm, ka marrё edhe formёn gjenitivore:prej do grave pёr prej do grash; ajo e shquemja e ka humbun kryekёput formёn e vet arkaike, qi ka qênё grashit”.

Tue sajuem pasqyrat e lakimevet nё gjendjen e tyne tё sotshme ai nuk kufizohet tue qitё vetёm rasat e rendomshme tё soçme, por me kujdes shtjen edhe format e rasavet dikúr tё rendomshme e sot pёrdorimi sё rrallё, sikursè lokativja e ablativja (sh.p.sh. prep art. a-ja).

Gjithashtû, tue mbatjtun para sýsh historín e morfologjís, ai gjen mâ të drejtë formёn e lashtë (dikû dikû, p.sh. në Malsít e Shkodrës, të ruejtun deri sot) djelme të mij, kundrejt formës mâ të vonëshmedjelmvesepse “veufonike hýn thjesht si eufonike ndërmjet dy zânoresh te mbrapashtesat rasore” (prep n’art.á-ja).

Edhè, tue marrë para sŷsh edhé historin e vonshme, tash e tash kujton shpikjet e Matí Logorecit, ato të gjuhës burokratike, ase të shkrimtarve tjerë. Kështû (n’art.af-i) shënon: “Kjo fjalë qi ka nxjerrë në qarkullim Koço Tasi me fjalorin e tij, për ndryshimet e dukuna  te ngjyrat e nji stofe me push si mbas perthesave (reflekseve) të dritës, si në kadifet b.fj., âsht gjallë tyrq. hav, e don me thânë push“.

Tue shtrî veshtrimin e vet edhe jasht e rreth shqipjet, si glotolog i zgjuet, ai vëren p.sh. te art.â: = âsht. Frengjit e shkruejnëest, por e shqiptojnëe. Italjanët si me gojë ashtu me shkrim e kanë bâmëè. Anglezët ìs, Gjermanët, në djalektin e Vjenës, gjithashtu is“. Nji vërejtje, kjo giuhësije së krahasueme qi nuk âsht pá interes e pá ndonji dobí.

As ethymologjín ai nuk e lên pá shërbye. Qe p.sh. nji imtim qi mund të vyejë edhe për shtitrime tjera (si për kuptim t’arb. aljartaetj.): “a-, parashtesë premnore e adverbore qi tregon largsì, kundra parashtesësk– qi tregon afrì: krahasoai, ajo, ashtu, aty, atje, andej, kundraky, kjo, kështu, këtu, këtje, këndej“.

Natyrisht, se kështû e lypë sádokûdó nji fjaluer, ai të hapet shpesh e gjânë ndër zhvillime semantike. Qe do shembuj: I. “Abrash – Nё tyrq. Nga e cila vjen, ka kuptimin e kalit allç; nё shqipet, i â shtuem atij kuptimi edhe shênj’i bardhё nё ballё, por nji shênj i bardhё qi mbёrrîn deri ke flegrat e hundёs: e tue qênё se nji shênj i kёtillё quhet se e bân tё mbrapёsht kalin, fjala pёrdoret fytyrisht edhe pёr njeri tё mbrapёsht, qi me nji tjetёr fjalё prap tyrqisht, si pёr kalё ashtu edhe pёr njeri, thohet edhe ters”. II. “ag-u 1) = agim: agu i dritёs= kur ende s’shifet mirё, por ka nisё me dalё drita (Gazulli). – 2) = gjysё terri:e pashё si neper ag (Gazulli). – 3) agu i sŷnit = bebja e sŷnit (Gazulli). – 4) = cipa pёrqark bebes qi ka ngjyrёn e posaçme tё syve tё çdo individi (Logoreci). – 5) = shênj i zi rreth sŷve tё tё dekunit (Mann). Vetёm dý kuptimet e para duhen marrё pёr tё saktё. Pёr mâ tё parin dёshmon verbi aguem, shum mâ i njoftun se vetё rrânja ag; dёshmon edhe gr. augéqi ka po atё kuptim. S’ka dyshim qi nё rrânjёn mâ tё motshmen indoevropjane, tek e cila pёrpiqen dy fjalёt shqip e greqisht, gjithçka na çon te kuptim’i ngjyrёs sё bardhё pёr to, pra te drita kundra natёs sё zezё. Pikё sё pari tё marrim synonymet e ag-agimitnё gjuhёn t’onё: tё zbardhun, zbardhullim; mbasandej lat. alba, qi ka mbetun  po kёshtu edhe n’italishtet e âsht bâmё nё frêngjishtet aube, âsht gjinija femnore e emnosun e adjektivit albus = i bardhё. Kuptim’i dytё s’ka ardhun prej nji krahasimi i dritёs, qi fillon tё zbardhё, me terrin e zi tё natёs, por drejtё pёr sё drejti nga sa shohin sŷtё gjatё atyne çaseve nё tё cilat s’âsht as krejt natё as krejt ditё, as krejt zi as krejt bardhё, por diçka ndёrmjet njânёs e tjetrёs, gjymsё terri ase gjymsё drite, tё cilёn me nji fjalё tё veçantё e quejmё nё gjuhёn t’onё muzg. Kjo fjalё e fundit, veç, pёrdoret pёr dý kohna tё 24 ore. kurâsht tue i a lёshuem vêndin  errsina dritёs, qi âsht agu ase agimi e i thohet edhe muzgu i dritёs, edhe kur gján e kundёrta e ksaj, dmth., kur âsht tue mbaruem drita e tue filluem errsina e qi i thohet muzgu i natёs a i mbramjes.Si kёtё fjalё pёrdorin Gjermanёt pёr agun, e thonё Morgendämmerung = muzgu i mёngjesit. Tё gjitha kuptimet e tjera, un i quej ndёrpretime tё gabueme shkrimtarёsh e gjuhtarёsh t’anё tё pёrcipёt, sё paku tё gabuem. Prej kuptimit tё dytё ka dalё frsa: me i vûmё sŷtё ag= me i vûmё  sŷtё perde, me i mbyllё Zoti sŷtё, me i marrё Zoti mênt, me u hutuem, me u verbuem!. – III anё-a. 1) Desha nji litёr voj…. por s’po kam anё ku t’a shtie; enёt e gjelltores; uthull’ i fortё plas anёn e vet(prov.)….2) S’i a kam anёn= s’kam mjet….; n’i a gjetsh anёn, bâne= nё paç sesi…; i a dёrgove lajmin me anёn e nji miku…  3)mb’at anё…; n’anё tё Shkodrёs…; nepёr gjith’anёt e botёs; e kёrkova nё tё katёr anёt. 4)E tёrhoqa mё nji anё (mbёnjanё) pёr t’i thânё nji fjalё nё vesh; ai âsht tёrhjekun kamot mbё nji anё e s’âsht ndiem mâ;… ka vûmё do pare tё mira mbё nji anё… 5) An’e detit…; shkoj anёs sё lumit… 6)Anёt e tryezёs…; dý anёt e pёlhurёs…; faculetё me anё tё qёndisuna; trekândshi ka trí anё  7)An’e djathtё…; tё katёr anёt e rruzullimit… 8) Dý anёt e kafshёs sё ngarkueme…; nji anё kali drû…;  barka perёndon mb’at’ anё [ = bordo] kah e shtyn era. 9) Me i mbajtun kuj anёn… 10) Me e marrё ana= me anuem, me prjerrё mbё nji anё… 11) An’ e mbarё, an’ e praptё;…; katёr anёt e nji ndёrtese…; anё e nji prismi… 12) Anёt firmatare tё nji traktati…; ana kundёrshtare, anmike…; dý anёt e nji barazije… algjebrike… 13) Falju me shёndet prej anёs s’eme… 14) Ai… nё nji anё qahet se ka shumё punё e nё tjetrёn rrin e humb kohёn… 15) Ana teknike e problemёs…    16) Jemi kushrÎj nga an’e nânavet.

Nji kujdes tё veçantё ká edhe pёr sinonymí: I. “a,lidhzё – Sin.: ase, apo, ndo, ndose. – Ii “agjitat,-ta… fr. agitation, it. agitazione, gjer. Agitation, ang.Agitation. – Siç po shihet, kjo fjalё, pёr kuptimin politik qi ka marrё, pёrdoret nё tё gjitha gjuhnat e mёdhá; por na kemi edhe fjalё shqipe qi mund t’i pёrshtaten; nёse turbullina (= trub –) na duket diçka mâ tepёr se agjitata, mund tё pёrdorim tundullim nga tundulluem.E para, turbullina, na jep kuptimin e efektit pozitiv tё veprёs s’agjitatorit, ndёrsa e dyta, tundullima atundullimi, kishte me qênё shi kjo vepёr vetё dmth. Propaganda e agjitatorit; sinonim me turbullimёn kemi edhe trazimin( = trazirё, trazyrё etj.). Si shifet nё kёtё shembull tё dytё ai merr shkas pёr tё qitun sinonime sidomos prej zâvendsimi qi i duket i nevojshёm tё barbarizmavet.

Nё tё gjitha kёto ai shtjen nё punё nji hollёsí leksikografike shum tё prehёt. Qe p.sh.: “a, adv. Pёrdoret pёr tё pyetun, nё krye e nё fund tё fjalisё; nё krye edhe nё funt, vetёm; e bashkueme me adv. mohimtar s: A more vesht? Kёshtu po thue a? A pёrnjimend e ké a? – á (me tingull tё gjallё e si me çudí, kur na thotё kush gjâ qi gadi s’bâhet me e besuem). – Pra ti po vjen nesёr te un, as? ( = apo jo?). Si pёrgjegje kúr âsht tue na rrёfyem kush gjâ, a tue na shfaqun nji mendim: As? ( = pá fjalё, sigurisht jam krejt me tý).

Si ká mujtё m’u kujtue gjithkushi prej gadi tё gjith shembujvet qi qitёm, Mustafa e ká pasё ndonji prierje kah konsevatorizma. Le tё kujtojё lexuesi si ai e pron edhè e pёrdorё formёn e rasavet shumse pá –v-eufonike.

Kёshtu i pёlqejnё má fort trajtat origjinare tё fjalvet t’uhajtuna: 1. – “ambashatё… Disave u pёlqen forma frênge ambassad -; mue jo. Sepse: a) vetё frêngjit e kanё marrё prej italishtes (A. Dauzat, Dict. Étym., Larousse), b) italishtja i ka ruejtun mámirё format latine, e ujёt sa mâ afёr gurrёs tё merret aqё mâ tё pastёr âsht…” -2. “analys-a… VR. Fjalёt e hueja me rrânjё greko – latine qi na duhet me shtimё nё gjuhёt t’onё, sa tё mundemi duhet t’i marrim me orthografín e origjinёs e t’i shqiptojmё ashtu siç janё shkruem. Kёshtu, p.sh., kёto qi po kemi kёtu pёrpara sŷshё: analysё, et. S’ka asnji arsye qi t’a italjanosim me –li mbasi shqipes s’i mёngon y – ja si italishtes, dhe s-nёs’kemi pse e kthejmё nё z tue shkruem –lyz-, sepse nё shqipen t’onёs-ja nuk zbutet me u bâmё zndёrmjet zânoresh si nё gjuhё tjera”.

Edhè mbrenda qarkut tё shqipes, koservator se konservator – e hallall i kjoftё! – ai don tё ruejtuna zânoret e giata;  (sh. art. a-ja kû qet nё pah paradigmin e veçantё t’emnavet nё zânore tё gjatё pёrgjithsisht), edhe n’art. tё posaçёm qi i kushton akcentit, ja njef ndonji vend edhe akcentit tё prehtё si shênj giatsije tё zânores.

As nuk i mungon fjalorit të Mustafës ndonji ndjesí hesthetike. Interesohet për eufoní, p.sh. kúr te art.â=âshtvёren  “formë e volitshme për me i ikun nji kakofonije, si p.sh.a(sht) shkruem“. Nji synim stilistik e ká tu art. “â:  mënyrë njerzish të pagdhêndun për të pyetunsi?,si thé?, si urdhnove?, kur s’e marrim vesht fjalën”.

Ana kritike del nё shesh hap pёr hap. Qe do shembuj: I.  – “abetar-i – dikur gabimisht thohej librame gjiní femnore, e kёshtu thohej edhe abetare, me nênkuptim libra abetare: nji gabim tёrhjekё pёrmbrapa nji tjetёr”. – “ahmarrё etj. – Neologjizma pa nevojё, pa shije e pa kuptim: fjala ahs’ka pasun kurrё e s’ka askund domethânё shpagimi, por vetёm mjerimi”.

-III- “akcent-i… Me kuptimin gjuhsuer mund t’a pёrdorim edhe na si tё tjerёt kёtё fjalё me rrânjё latine… nё vend tё fjalёs theksqi kemi krijuem prej shqipes, e qi âsht mjaft e mirё pёr gramatikat shkollore… Tash te akcenti grafik, te akcenti i shkruem, i shёnuem me shkrim. Shí ky ka hije me u quejtun me emnin qi apim shqip, theks”.- IV. Te art. akord-i… Mos thuej kurrё dakord (fr. d’accord, it. d’accordo), por thuej n’akord= nё pajtim mendimesh, nё nji mendim, ase mos e pёrdor fare atё fjalё me kёtё kuptim”.- V. –“akt-i… Mos thuej ap akt, por vёrtetoj ase vёrtes (vёrtetun); jo marr akt, por marr shёnim”. – VI. – “aktiv…Pёr tё gjitha kuptimet qi ka ky adjektiv i huej kemi fjalёt t’ona: puntuer, i gjallё, i papёrtueshёm, i palodhshёm, i fórt, veprimtár. Vetёm emni (aktiv-i)besoj se duhet mbajtun si skânj financuer…” – VII.- “anesё-a… Mâ e bukura fjalё pёr prjerrё a prerrje nё kuptim fytyruer (gabimisht prirje), qi vjen nga pёrvjerrё, e nё gojё tё popullit âsht bâmё edhe pjerrё”.

Si nё disá ndёr rasa qi kemi prûmё deri kёtû, ashtû edhè nё sá tjera, konservatorizma e tíj merr trajtёn e purizmёs, kjoftё tue shfrytёzue visarin e giuhёs, kjoftё edhè tue pёlqye a tue paraqitё neologjizmat e nevojshme: – I. –  a, lidhzё (ja, o, jo)… jaâsht tyrq., o it., jodjalekt”. – II. –“abanoz-i  prej gr. nёpёr tyrq. Shum mâ mirё me pёrdorё formёn evropjanё  eben-i…krahaso fr. ébène…, it. ebano…, gjer. Ebenholz…, angl. Ebony”.– III –  “abatí...  Kemi marrё nga it. abat.Por s’ka asnji arsye qi tё marrim drejtpёrdrejtё andej edhe abaci, tue qênё se prej fjalёs abatdel rregullisht nё gjuhёn t’onё edhe abatí”.IV. – “abe-ja…Sipёrveshё fetarёsh myslimanё e, nё Lindje, edhe civilash. Fjalё tyrq. -arm. Pak e njohun nё Shqipní e me nji kuptim tё zgjânuem e tё ndryshuem, qi duhet lânё me dekun gjithsejt, se pa kurrfarё dobije pёr gjuhёn t’onё. – V.- “”administruem… fjalё qi ka hymё nё burokratinё t’onё thjesht prej njerzish qi s’kanё dijtun se populli i Shqipnisё sё Mesme ka fjalёn e vet mataruem. Edhe neol. mbarshtojâsht shum mâ me vend se fjal’e huej, e ndoshta s’âsht as neol”. – VI. –“agrar….Pёrtesa me menduem, shpesh herё na ka bâmё me e mbushun gjuhёn t’onё me fjalё tё hueja; pse mos me thânё bulqsuer-ore?” – VII. – “akcident-i… Me kuptimet qi ka kjo fjalё ne frêngjishtet e italishtet, na s’kemi nevojё t’a pёrdorim, se kemi ase mund tё bâjmё fjalёt t’ona… Mbajmё fjalёn e huej vetёm si skânj filosofik pёr tё kundёrtёn e substancёs”. – VIII. – “amatuer…Mbas mendimit t’em do tё pёrshtatej mâ sё miri fjala ândatar”. Shif edhè shka u prû sypri pёr fjalёn agjitatё.  

            Me gjithё kёtê, ai din me diftue edhè nji farë europeisme, tue përanue do skânje të pёrdorimit të përgjithshëm ndër kombet perëndimore. Kështû kemi pá fjalënebenpër abanozlindore, e kështû fjalën akcent. Po për ato arësyena ai nuk e pranon me i rreshtue dámas si shkrola të veçanta shêjet dýfíshe sidhetj., por me i rreshtue tue njehë setëcillen germë në rend t’alfabetit të përbashktë të përdorimit europjan; p.sh. -dh– mbas -da– e përpara –de-s.

Me këtê ai difton se din me i vûm vedit nji masë, shka âsht pak si të rallë nder “andatarë” të giuhës; e këta edhè në sá rasa tjera. P.sh., tue ja ruejtë vendin rasës lokative tash vonë në të hupun vëren se u xâvendsue rendom me akusativen “aqë hov të fortë ka marrë” (art.a-ja). E, tue pëlqye mâ fort formёn analysësa sá analiz, përanon se “fjalët e hueja qi na duhet me shtimë në gjuhët t’onë” nuk mungojnë.

Përandej përanon se ka përjashtime edhe ndër rregullat e mira: “ndër këto hollsina âsht gjygjtár vetë mjeshtri i gjuhës, por mjeshtri, jo kushdo” (art.a-ja).

*****

Detyra e lypё, sё fundi, qi tё cekim edhè do imtime qi mue mё vjen vёshtirё t’i pёranoj, sádó qi Mustafёn un e kam njoftё mjeshtёr t’emin  bashk me P.Mark Harapin, me P.Gjon Karmёn, me D. Ndré Mjedёn, me Injac Zamputin (kur shkruente endè gegёnisht, e medje mirё e mâ mirё se sá sot qi shkruen nё nji soji tosknishtje, si sá tjerё, si s’do Zoti as sedra e gjuhёs shqipe), me Karl Gurakuqin e me Aleksandёr Xuvanin.

S’mё duket e drejtё, fonetikisht, me shkrue si shkruen ai sodshёmpёr sotshem; as s’mё duket e drejtё me thânё, si toska, “Koço Tasi me fjalorin e tij” pёr “Koço Tasi me fjalorin e vet”.

Ai e pёranon se ká nji theksё tё hollё me diftue giatёsín e zânorevet, porsè i duket se nuk âsht e domosdoshme si ajo cirkonflexe pёr zânoret hundake; mue, besa, mё duket e kundёrta, mbasi giatёsija e zânorevet shkon po tue hupё nên ndikimin e tosknishtes, por âsht nji vetí e rrallё e e çmueshme qi pak gjuhё moderne e kanё ruejtё, nё sá e ruejnё gegёt jo vetёm, por mjaft edhe arbёresht, e pёr mâ tepёr ká  edhè nji zyrё dalluese mes sá skânje ekuivoke.

Sá pёr trajtat e skánjevet Mustafa anon kah altarimâ se kah elteri, mbassi kênka mâ afёr burimit latin; mirё po tё vjetrit qi thojshin elterishin me ligjё mâ afёr latinishtjet se jemi na, e altari ká dalё mâ vonё prej atyne qi s’dishin se shqipja e kishte bâ teshmâ tё veten tue ja pёrshtatё ndonji nevoje fonetike instinktive. Ambashatёthotё Mustafa e jo ambasadё, e kёta pёr me i ardhun italishtes qi e paska nё burim e jo huajtun si frêngjishtja; mirё po italishtja vetё nё burim ka kênё nё dyshim  mes dý ý trajtavet, herё tue shkruem ambassata, herё ambaxata, lexó ambashata apor edhe ambazata (shif indeksat e “Acta Albanie Veneta”); e mue ma ha mendja se del veç pёr nji tё pёrziem populluer nga ambascia ( = angshtí), por me tё drejtё nga gr. enbasis, rrjedhё nga embaino, lat. adeo, i siellem kúj pёr m’u pjekun me tê. Amiral thotё ai, jo admiral; kёta,  besoj, pse kёshtu kje n’arabishten kû e ká burimin, mirё po, venetishtja e sh. XV ka jo vetёm amirato, por edhè admirato e deri armiratoe  armiraio; e titulli ishte i njoftun  ndёr sqele tё Durrsit e tё Shkodrёs, kû i ipej nji zyrtari qi kujdesej pёr armё e pёr almistre t’anívet! (shih prep A. A. V.).

Besoj, sё fundi, se e ká gabim Mustafa tue shkruem “an’ e malit… si anё mali= si yll, si asllan”; un ndjeva si hanё malit= si hanё qi shndritё maje osè nё qafё tё malit, (osè edhè zanё mali). Gjithashtû s’po mё duket e drejtё “shkoj anёs sё lumit”, se e njeh pёr rasё dhântore shkoj anёs lumitgjit si shkoj rrugёs.

Por kёto s’janё por imtime dytenike qi nuk e rrxojnё vlerёn kryesore tё kёsaj vepre tё madhe e tё randsishme qi âsht mёkat mos tё qitet nё dritё. Porsè  patriotët e Tiranës Mustafa Krues s’po donë me ja ndiem zânin, sikúrsè Fishtës, se mâ gegënishtes jo se jo.

Marrё nga broshura “MUSTAFA KRUJA si njeri e si gjuhwtar”  “Shêjzat” 1973

 

           

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Mjeshtri i Gjuhes, Mustafa Kruja, Sheje`z, t, Zef Valentini

Mustafa Kruja si studjues

January 2, 2019 by dgreca

60 vjet mё parё ndёrroi jetё MUSTAFA MERLIKA – KRUJA/

1 Mustafa Kruja

(1887, Krujё – 1958, Niagara Falls)/

AtZefValentiniSJ

Nga Zef Valentini/

Besoj se edhe pёr ndonji qi, si un, ka pasё fatin me njoftё nji shumicё tё madhe njerzish tё letrave e shkencёtarё tё kombёsive, kulturave e vlerave tё ndryshme, me pasё njoftё kaq prej s’afri Mustafa Krujёn ka qênё nji fat i pashoq.

Kam njoftё tё tjerё, mâ tё talentuem si letrarё; tё tjerё mâ tё pajisun, pёr merita tё tyne apo jo, me nji formim tё rregulltё nё metodёn shkencore; asnjânin qi tё ketё mbёrrîmё nё rendimentin e tij nё pёrpjestim me mundsít qi jeta i lejonte.

Thjeshtёsia e familjes mezi i dha mundsí tё kryente studimet pёr karrierё administrative nё Perandorinё Osmane. Qysh nga fillimet e vetё karierёs u zhyt nё nji jetё politike vepruese, tepёr tё ngarkueme e luftarake pёr Rilindjen kombёtare; dy herё, nё vjete tё gjata i u desht me jetue nё mёrgim, nё kushte nё tё cilёt ndjente bukur shpesh mungesёn e mjeteve, çvendosjet, shpresat,  iluzionet  e mallin ligёshtues, gjithmonё tё gjallё e gjithmonё zhgёnjyes qi i kthejshin tё mёrguemit e shkretё n’andrratarё pёr inerci, madje nё vesakeqё. I shtojmё kёsaj se lloji i studimeve tё tij – gjuhёsia – kёrkonte ndihmёn e vazhdueshme tё nji biblioteke dhe bisedёn e gjallё me popullin, ndёrsa biblioteka e vet, aq e pasun sa âsht shumё e vёshtirё tё gjindet nji e tillё nё mbarёshtim tё nji privati, mbeti gjithmonё e ruejtun ke miqtё n’atdhe e ai tjetёr bisedё nuk mund tё bânte veçse rastёsisht me tё tjerё t’ikun.

Duhet tё pёrfundojmё se , i pajisun me nji mprehtёsí tё jashtzakonshme e nji kujtesё tё fuqishme, ai ishte i nxitun prej nji dashunie gjithmonё tё gjallё pёr kulturёn e, pёr mâ tepёr nga nji pasjon i vёrtetё vetiak, jo thjesht nji pasjon puntori, por nga nji pasjon i madh.

Mund tё mos ishe nё nji mêndje me konceptet e metodat e tij politike, por âsht absolutisht e pamundun, jo me mohue, por edhe vetёm me dyshue se pasjoni epruer, madje i vetmi qi bashkёrendonte e urdhnonte tё gjithё tё tjerёt e tё gjithё veprimtaritё e tij, ishte dashunia pёr atdheun; nji dashuni aspak retorike, por e gjitha vepruese, qi lёvizte ndёrmjet dy skajeve tё ruejtjes apo rivendosjes sё vlerave tё vёrteta tё kombit dhe ngritjes sё nderit tё tij , mbi tё gjitha moral e kulturor.

Cilido qi ka pasё rastin tё kёndojё edhe vetёm njenin prej artikujve tё tij tё filologjisё, nuk ka mundun mos me vёrejtё sasinё e pamasё tё lândёs sё mbledhun prej tij, pёrherё e pranishme nё kujtesёn e vet. Prej dyzet vjetёsh nuk ka pasё asnji fjalor tё botuem, madje edhe çdo glosar i thjeshtё qi tё mos jetё shqyrtue prej tij nёpёrmjet mijra vёrejtjesh, shtesash, ndreqjesh, tё gjitha tё dokumentueme bollshёm e me saktёsi. Miqtё e tij dhe ata qi qênё kolegё tё tij nё Institutin e Studimeve Shqiptare tё Tiranёs kanё pasё mundёí me marrё nёpёr dorё 12 vёllimet e trasha tё dorёshkrimit nё formё protokolli, tё cilёt, sikur tё mos kishin mbetun tё pabotuem, sigurisht do tё pёrbâjshin fjalorin e parё tё madh e tё vёrtetё tё gjuhёs shqipe. Sa herё nё diskutimin e çfarёdo hollёsie gjuhsore, nё selinё e komisionit filologjik apo atij letrar, nji grup i shёndoshё kompetentёsh gjîndej nё mёdyshje, po aq herё pёrdorimi i atij fjalori, qi ai e vente nё dispozicionin tonё, zgjidhte problemin nё mёnyrёn mâ tё kёnaqёshme.

Kjo i kushtohej dhuntive tё tij prej puntori qi u cekёn mâ sipёr, pa dyshim; por jo mâ pak, e ndoshta mâ shum nji ndîje tё gjashtё tё gjykimit nё gjendje me kuptue, tё matun e tё barazpeshuem qi pak vetё do t’a kishin pёrfytyrue ke ai po tё mos e kishin njoftё pёr s’afёrmi.

Pjerremi me besue se dhuntí tё tilla si kёto qi pёrmêndёm janё vetí tё njerёzve qi nё jetёn publike kanё nji shestim demokratik tё cilin e bâjnё me rrjedhё mandej edhe nё jetёn vetiake, deri edhe n’atê tё studimit. Mustafa Kruja qi nuk rridhte nga nji fis tё parёsh dhe as nga nji rod feudalёsh, prej tё cilit pritej me u pa nё qёndrime demokratike tё programueme, nuk tregoi kurrё nji tё tillё; e vetmja demokraci e tij qёndronte nё çmimin e vlerave, ngado qi ato tё vijshin tё shqueme e tё vёrteta, pёr tё vёrteta ai kuptonte ato qi ndershmёnisht e me zell tё madh i shёrbejshin nji çâshtjeje tё drejtё; pёrballё tyne, me sjelljen e nji zotnilliku tё hollё e tё matun, qi ishte vetí e personalitetit tё tij gjithmonё i nёnёshtruem  idealit, dinte me dhânё ato shênja tё miqёsisё sё vёrtetё qi qёndrojshin nё vlerёsimin e nё pranimin e ndershёm e tё arsyeshёm n’intimitetin e idealeve tё tij.

Prandêj edhe nё jetёn e vet tё studjuesit ai dinte me mbajtё nё bashkёpunimin e nё rrahjen e mundёshme tё mendimeve nji vijё tё qartё e tё sinqertё, tё mbёshtetun jo nga mёnyrat e tij mjaft tё prême tё drejtuesit tё vetёdijshёm e tё njohun, por mâ shum nga qёndrimet e barazpeshat e arsyeve tё tij.

Ndoshta do t’ishte e tepёrt me mёtue nga filologu apo gjuhtari nji ndîje gaztorije qi i âsht kaq e dobishme e herё herё e domosdoshme filozofit moralist apo politikanit; ndёrsa duhet tё pranojmё se nёse ka qênё ndonji gjâ qi e ka damtue Mustafa Krujёn nё jetёn publike, ka qênё pikёrisht ndîja e tij e pakёt e gaztorís n’at’ ânё, ndoshta e rrjedhun nga ndershmёnía e vet qi e bânte me e provue shumё tё rândё pёrshtypjen e pёrgjegjsís. Ndёrsa nё republikёn letrare ai kishte nji gaztorí tё bâme simbas traditave mâ tё mira shqiptare, mâ shumё prej fabulash e episodesh tё mbledhuna e tё kallzueme me atê vetёpёrmbajtje tё hollё  qi i bânte mâ tё lezetshme. Ai dinte me pёrdorё nё kritikёn nji tё tillё ndîje gaztore; ; shum mâ mirё nё bisedё, nё tё cilёn urtia e sjelljes dhe njerzia e buzёqeshjes e bâjshin tё pranueshёm; nё mёnyrёn e tij tё shkrimit, nё tё cilin gjithshka ishte qênёsore, jo gjithmonё ai dinte me dhânё atê pёrshtypje tё butsís qi duhej t’ishte e veçanta e humorizmit tё pёrqindjes sё nâltё: mungonte si portreti i fytyrёs sё tij anash apo poshtё shkrimit tё fjalёve. Por ato qi gjithmonё tejqyreshin  ishin dý dhuntít e mёdha qênsore tё personalitetit tё tij: ndershmёnia e tij e thellё dhe e sinqertё, pasjoni i tij pёr atê qi e mbante si thesarin mâ tё madh kulturuer t’atdheut, gjuhёn e tij.

Nuk âsht se ai nuk çmonte edhe tё tjerё thesarё kulturuer kombёtarё. Mё pёlqen mes tё tjerash me thânё se ai, i lindun mysliman, kishte vlera shpirtnore tё krishtênimit, gjithё atê vlerёsim qi mund t’a quejmё tradicional tё atdhetarёve mâ tё mirё e mâ tё kulturuem shqiptarё myslimanё. Po ashtu mё pёlqen me dёshmue kёtu qi, tue qênё se m’âsht dashtё m’u marrё me studime  mbi traditёn juridike shqiptare, kam gjetun ke ai nji nga kumtuesit mâ tё dijtun e mâ tё mprehtё, jo vetёm sa i pёrkitte krahinёs Kurbin – Krujё – Arbёn, por edhe pёr tё tjera krahina qi ndryshojshin prej saj; po e njâjta dashuní pёr kёta thesarё kombёtarё sikurse edhe pёr ata tё lâmёs gjuhsore, ndёrsa mprehtёsia e fitueme nё selinё filologjike ishte gjithmonё e pranishme nё mbarёshtimin e koncepteve juridike.

Tё gjithё duhet tё mёsojnё prej tё gjithёve, pavarёsisht çfarёdo kundёrshtíe tё tyne; duhet tё shpresojmё qi kur tё jenё fashitё fanatizmat e ngeluna nga ndodhí tё dhimbshme qi kanё fshî prej shpirtnave aq tradita tё vlerta, mâ shumё se sa mjetet e luftёs kanё shkatrrue monumentet, edhe ata qi nuk do tё mund tё kuptojshin mendimin dhe veprimtarinё politike tё kёtij personaliteti tё jashtzakonshёm, tё dijnё se kudo qi tё lypet  dashuní e madhe pёr nji idé kulturore, zelltarí e ndershmёní, t’a vlerёsojnё e t’i ndjekin shembullin.

 

Marrё nga “Shêjzat”, Vjeti i III, N° 1- 2, Kallnduer-Fruer 1959

Pronar Ernest Koliqi  Kryeredaktor Martin Camaj

 

Shkrimi ёshtё pёrkthyer nga origjinali italisht prej Eugjen Merlikёs

Filed Under: Opinion Tagged With: Mustafa Kruja, si studjues, Zef Valentini

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT