Nga Mustafa Kruja*/
Me themelimin e qeverís së ré gjêndja e jonë e përjashtme ka ndryshuem qind për qind edhe shifet qartas, se qarqet politike kanë zânë t’a mërgojnë at mëní qi kishin kundra Shqipnís e Shqiptarvet, qi i quejshin veglat e të huejvet.
Mbledhja e Lushnjes i dha qeverís nji program në dorë : pavarësín e tânësís së tokës shqiptare, edhe mbi themel të këtij programi qeverija e Tiranës punon me sa mundet, e përkrahun prej Këshillit kombtar, i cili, si ndër të gjitha shtetet e lira e konstitucjonale të botës, âsht i detyruem me kontrolluem veprat e qeverís qi mos t’i shmanget udhës qi na shpjen në shpëtimin e atdheut. Mbas këtyne zhvillimeve qi u bânë në kombin t’onë, me nji çudí u pa se shumë shtete e qarqe politike, qi parandej jo vetëm nuk interesoheshin për punë shqiptare, por edhe e këqyrshin me sy të lig çâshtjen t’onë, sot jo veç qi kanë kujdes por edhe tregohen mirëdashës kundrejt nesh.
Kështu pàm, se si ushtrít franceze të cilat kishin nën pushtim të vetin Shkodrën e Korçën, dy qêndra kombtare të Shqipnís, kur i liruen i a dorzuen shtetit shqiptar; kur se seicili atdhetàr me mênd e dinte se ç’farë misjoni kishin ato ushtrí, qi mbajshin në dorë pushtimin e dy qyteteve, qi ndodheshin ndër skâje të Shqipnís e aq larg e tërthuer njeni prej tjetri.
Me gëzim të gjithë Shqiptarvet u pa se si komisjoni për punë të jashtme i parlamentit ingliz, përpara disa kohe dha nji vêndim, të cilin i a njoftoi kryeministrís, se kërkon mprojtjen e tânësís toksore të Shqipnís së 1913, edhe se, kish me pritë me nji idhnim të madh ç’do coptim qi do t’i bâhej shtetit shqiptar, qi u krijue i lirë e i pavarun mu n’at qytet të famshëm ku për me tërheqë në bashkveprim lufte edhe Italín dy vjet mbrapa më 1915 u nenshkrue edhe traktati i mshefët, qi do të coptonte Shqipnín! Nuk âsht për t’u harruem edhe manifestacjoni qi dha për dobí t’onën në Paris, në maj të këtij vjeti “Lidhja e të drejtave të njeriut” (Ligue de droits de l’homme), nën kryesín e senatorit francez Costant d’Estournelles! Mbasi nji vêndim i tillë ka nji rândësí të posaçme për né, e shofim t’udhës t’a botojmë në të përkohëshmen t’onë.
“ Tue pasë vërejtun se Ermenija e therorizueme, ka pasë kurdoherë mprojtës të fortë, se Greqija qysh prej nji shekulli ka qenë e ndihmueme për me u liruem prej zgjedhës otomane, se popujt sllav të Balkanit patën gjthmonë ndihma të forta, sidomos Rusín, me nji idhnim po shifet se Shqiptarët e shkretë, jo vetëm qi kanë qenë të lânun mbas dore, por edhe të përbuzun e të poshtnuem. Qysh tridhetepesë vjet e tektej, do me thânë ç’se u themelue Lidhja e Prizrêndit, Shqiptarët e kanë treguem gjallësín e tyne, ndonse zâni i tyne nuk ka qênë kurr i ndigjuem, e sot ata janë të shtrënguem me luftuem kundra intrigavet të fqîjvet të tyne. Diplomatët e konferencës së paqit mendojnë me e rregulluem, për dàm të tyne, çâshtjen e Adriatikut, tue kërkuem qi Jugosllavët t’i apin Fiumen Italís, tue u dhânë si shpërblim Shqipnín e Sipërme.”
Senatori d’Estournelles e lufton rreptësisht ket lloj diplomatije, qi e quen Egoiste, tue shtuem se Franca në ket çâshtje nuk âsht fajtore, sepse asaj kurr nuk i ka shkuem nepër mênd me blém ndërgjegjet, vetëm ajo âsht fajtore sepse ajo e ka lânw Shqipnín fare në harresë e ndër duer të fqîjvet, të cilët fusin ngatrresa në Shqipní për me çuem në vênd lakmimet e veta.
Kjo politikë âsht ajo, e cila na futi në luftë, tue na shkaktuem nji zjarm të pafund, tue na shtënguem me prishë miljarda për lakmime të marra, qi sot gjithnji janë shtuem e tue na shkëputë disa popuj, qi parandej na dojshin.
Kujtohet mandej ngjarja e dhimbëshme e legjionit shqiptar, qi luftoi plot lavd e trimnì kundra beslidhunvet e qi, kur u hap lajmi se Korça do t’i dorzohej Greqìs, me lot ndër sŷ i këthej shênjat (nishanet) qi kishin pasë prej Francës.
Anmiqt e Shqiptarvet sjellin kurdoherë dy argumenta:
1. Shqiptarët nuk përbâjnë nji popull edhe se Shqipnija âsht nji gjâ e krijueme prej Austrís.
2. Shqiptarët janë njerëz t’egjër, të cilët nuk janë të zotët për me u qeverisë vetvetiu.
Përsa i përket pikës së parë anthropologët kurr nuk kanë dyshue për qênien e nji rrace ilire, e cila flet nji gjuhë, shkronjat e së cilës janë të njishme ndër të gjitha djalektet e Shqipnís, qysh prej veriut e në jug, e se ndryshimet ndërmjet dialektevet janë si t’atyne të Francës e t’Italís. Ndryshimet e besimit nuk e pengojnë bashkimin kombtar, si ndër popujt tjerë të Balkanit, ku feja përzihet me kombsí.
Të ndjekun prej të huejit, i cili qysh në kohë të Romanvet, i zaptoi edhe viset mâ strategjike qi i apin nji rândësí Shqipnís, Shqiptarët janë zmbrapsun ndër malet e tyne, ku kanë jetuem tue i ruejtë me madhështí gjuhën dhe zakonet e veta. E pra, sikur t’ish e vërtetë se Shqiptarët nuk përbâjnë nji popull, e si âsht e mundun qi ata i kanë ruejtun të gjitha ato sênde të çmueshme, qi janë shpresa e gjallërrojtjes së tyne t’ardhshme?
Në vjetin 1913 Evropa e njofti vetqeverimin e Shqipnís. Po sot ç’ka duhet bâmë? Të shumta janë çâshtjet qi munden m’u vû në veprim, e për Italín kish me qenë nji përgjegjsí shumë e rândë me shtî në Shqipní autoritetin e vet (edhe me ânë të mandatit), kundra vullnetit të nji populli qi ka dijtë me qindruem kundrejt intrigavet e ndjekjevet për sa shekuj të fqîjvet të vet. Europës pra i rri nji detyrë : o me themeluem nji Shqipní të madhe e të lirë, si e kërkon vetë vêndimi i nji populli, ose Shqipnín e shëmtueme mbi themele të traktatit të 1913.
Mbledhja u mbyll tue votuem nji urdhën dite, mbas të cilit u bâhet e njoftun Fuqive të Mëdhà se nuk duhet t’i harrojnë premtimet e tyne të dhânuna për mprojtjen e popujvet, tue protestuem kundra mundimevet për me rregulluem çâshtjen e Adriatikut, tue dâmtuem Shqipnín e tue kërkuem qi Shteti shqiptar të themelohet e tue shpresuem se Shoqnija e Kombevet t’a rregullojë çâshtjen e tokavet shqiptare qi mbeten për t’u liruem. Ndër çâshtjet e jashtme mâ me rândsí âsht ajo e Vlonës, e cila për né âsht me interesë gjallnore, se prej saj varet edhe fati i Shqipnís. Na kemi besim të plotë se Italíja, e cila qe nji nga përkrahset mâ të para të themelimit të nji Shqipníje vetqeverimtare e qi me aq madhní në Gjinokastër, n’emën të M.T. Mbretit të vet e përnjoftoi vetëqeverimin e Shtetit t’onë, ka me hjekë dorë prej lakmimeve mbi limanin t’onë, tue u bâmë n’interesë të sajën e t’onën nji mprojtse e Shqipnís së shkretë e kështu me fituem miqësín e vërtetë të Shqiptarvet.
Jugosllavija, e cila nën sundimin e vet mban gadi nji miljon shqiptarë, e qi faqeza zyrtarisht e ka treguem sympathín e vet kundrejt nesh, tue lypë pavarësín tokësore e shtetnore të Shqipnís së 1913, kemi shpresë se n’interesë të sajën ka me i liruem disa vise strategjike të Shqipnís qi mban nën pushtim, edhe në marrëveshtje me qeverín t’onë, ka me i penguem shkapërcimin e livrimin e lirë t’atyne elementavet qi duen të sjellin turbullime e bâhen shkak me sjellë ftoftësí e anmiqsí në mes t’onë. Në nji marrëveshtje me qeverín t’onë ka me i rregulluem miqësisht disa çâshtje politike e ekonomike aq me rândësí për të dy palët.
Greqíja, simbas lajmeve të fundme t’ardhuna prej kufîjvet të jugut âsht tue u sjellë shumë mirë kundrejt nesh e âsht shpresa e plotë se qeverija greke ka m’e prapsuem politikën e saj imperialistike, qi ka ndjekë deri vonë e se, tue marrë para sŷsh, se të mkâmbunit e nji Shqipnije të madhe me kufîjt e saj etnikë âsht nji nevojë edhe për gjallnimin e saj, ka me mbajtë nji politikë mirëdashëse kundrejt atij kombi qi âsht atdheu i Boçarit, Xhavellës, Miaulit, Bubulinës e tjerë fatosavet, qi luftuen me aq famë për vetëqeverimin e Greqís.
*Botuar në “Agimi” N.3 Maj 1920
PROMEMORJE[1]
NGA MUSTAFA KRUJA/
- Nuk âsht e nevojshme me vûe në dukje se çâshtja shqiptare âsht sot, jo vetëm në themel, por pothuej në të gjitha hollësitë e saj, e një karakteri naltësisht ndërkombëtar e përbâhet nga elementët e mâposhtëm :
- a) Nji popull me natyrë skajshmënisht individualiste e shumë i lidhun me traditat e veta. Nji popull qi, rrethana krejtësisht të pavaruna nga vullneti i vet, e kanë lânë jashtë gjithë pjesës tjetër të botës, e qi, përsa i përket qênies së tij të mbrendëshme, gjindet tânësisht i braktisun në fatin e vet, i detyruem me punue si nji kope skllevnish, pa asnji kriter shkencor e shoqnor, pa mjete të mjaftueshme të teknikës bahkëkohore, pra me nji rendiment shumë të pakët, pa mujtë me pasë për veten e familjen as frutin e punës së vet. Shkurt, nji popull pa mjetet e domosdoshme të ekzistencës e të dinjitetit njerëzor, qi jeton në mjerimin mâ të zi, qi vuen urinë në terror e në pasigurinë e të nesërmes së vet, qi tretet nga sëmundjet ngjitëse, pa pasë mundësi me u pruejtë e me u shëndoshë.
- b) Nji regjim i pak aventurierësh kriminelë pa skrupuj, vasalë të Rusisë Sovjetike, të gatshëm me i shërbye pa kushte në gjithshka ajo do të kishte nevojë për ta e për Shqipninë.
- c) Nji Jugosllaví komuniste në tre të katërtat e kufîjvet tokësorë të Vêndit, qi kërcnon pavarësinë e tij.
- d) Nji Greqí në jugë qi ngul kâmbë në përshpagimet e veta absurde tokësore në dâm të Shqipnís, në rrezik me u shpallun nji ditë të bukur trashigimtare e ligjshme e gjithë perëndorisë bizantine.
- e) Në bregun tjetër të detit nji Italí e re qi, pavarësisht nga disa çaste të dhimbëshme të historisë së vonë në marredhâniet me Shqipnín, ka ndihmue, nëpërmjet përfaqësuesish të saj edhe zyrtarë, me ringjallë tek populli shqiptar shpresën dhe miqësinë e vjetër e tradicionale.
- f) Anglía qi, megjithë traditën e lavdishme në të mirë të lirisë së popujve ballkanikë, në disa qarqe të saj politike, nuk duket krejt e paprekun nga prirja me i lëshue pé disa kombinimeve në dâm të pavarësisë shqiptare e me përkrahë mëtime të papranueshme tokësore o të tjera në të mirë të ndonji kanakari të vet.
- g) Shtetet e Bashkueme t’Amerikës qi, në lâmshin e pamatun të problemeve të mëdha e jetike botnore, me gjasë nuk i japin rândësín e duhun çâshtjes shqiptare e lêhen me u drejtue.
- h) B.R.S.S. të cilit, objektivisht në fund të fundit, nuk mund të mos i njohim edhe nji pjesë pozitive, drejtpërdrejtë apo tërthoraz së paku deri tashti në Shqipní, në dobi të tânsísë tokësore të këtij Vêndi, natyrisht edhe për leverdinë e tij diplomatike, politike e ideologjike.
- i) Së fundi në mërgim âsht Mbreti i ligjshëm i shqiptarëve e të tjerë t’arratisun antikomunistë, të ndamë në partí e grupe politike e të shpërndamë në Shtete të ndryshme demokratike të botës perëndimore, përveç nji numuri të mirë të pritun në Jugosllavinë titoiste e, pak a shumë, të mbikqyrun në kampet e përqëndrimit mbas prishjes me Tiranën.
Keta janë elementët përbâmës të çâshtjes shqiptare në ditë të sodit. Të shohim tashti si mund të gjindet mënyra mâ e mirë me i shestue këta elementë, për me mbërrîmë në nji zgjidhje qi, krah interesave qenësore të kombit shqiptar, të mund të përkojnë edhe interesat shumë a pak të ligjëshme të të tjerëve, për me hŷ në kuadrin e mundësive praktike.
- Nëse çâshtja shqiptare do të qindronte thjesht në nji punë të mbrêndshme të regjimit, populli vetë prej kohësh do t’a kishtë zgjidhë në kah demokratik perëndimor. Por populli shqiptar, megjithë disa paraqitje rrenacake, ka nji ndërgjegje të thellë kombëtare, të shprehun në lidhjen e lindun e të fortë me ndjenjën e racës e në nji gjykim të mprehtë politik. Jo vetëm Mbreti vetë e krenët intelektualë që ndîejnë, përtej dashunisë për atdheun, edhe përgjegjësinë morale të veprimeve të tyne për fatet e Vêndit, nuk nxisin nji revolucion të parakohshëm e të rrezikshëm, por edhe vetë populli ndîen se kushtet e jashtme, të pranishme akoma, pra, qëllimet e dukshme të fqîjve të afërt kundrejt tij, paragjykojnë çdo lëvizje serioze kryengritëse. Ka lajme të sigurta se shumica e oficerëve dhe pothuaj të gjithë ushtarët do t’ishin të gatshëm me u ngritë kundër regjimit komunist, nëse nuk do të përmbaheshin nga frika me vûe në rrezik sovranitetin, tânsinë, madje vetë ekzistencën e Vêndit.
- Duke qênë këta gjymtyrët themelorë të çâshtjes i duket Mbretit se Fuqitë e jashtëme të interesueme, fatkeqësisht, janë ende larg të kuptuemit në thellsí të së vërtetës së shprehun në pikën e mâparshme, ose se ata nuk janë ende të binduna, nga pikpamja e tyne, se ka mbërrîtun çasti ose âsht afër për nji veprim vendimtar në Shqipní, edhe se nga ana tjetër, populli i vogël shqiptar vuen nji agoní të ngadalshme.
Sa i përket tânsísë toksore, Mbreti mêndon se qeveria e sotme e Athinës nuk duhet t’a bâjë veshin shurdh ndaj këshillës së Anglo – Amerikanëve, me pranue nji herë e mirë të drejtën e kombit shqiptar mbi Epirin e Veriut, të sanksionueme në mënyrë të përsëritun, nga vêndime ndërkombëtare e të njohuna nga vetë Greqia si përfundimisht të vlefshme për gjithë kohën e regjimeve të ndryshme kombëtare në Shqipní, me të cilët qeveria greke ka qênë në marredhânie të rregullta diplomatike. Nji akt i tillë nga ana greke do të ndreqte shumë gjâna të dobishme për vetë Greqínë, veç asaj të Shqipnís, sepse do t’i hapte rrugët nji marrëveshjeje të përzêmërt dhe nji bashkëpunimi mes Shtetesh të nji zone kompakte të Mesdheut, me Italín në krye, dhe në kuadrin e madh të politikës së Fuqive perëndimore të udhëhequn nga Anglo-saksonët. Nga ana tjetër edhe Tito nuk do t’ishte i pakënaqun nga heqja dorë e grekvet nga pretendimet mbi nji pjesë të territorit shqiptar. Kurrë Jugosllavia nuk do të pranonte nji shkelje të tânsís toksore të Shqipnís nga ana e Greqís, veçse me kusht me pasë ajo vetë pjesën e luanit, me fjalë të tjera ndâmjen e Shqipnís. Por dihet, e shqiptarët janë absolutisht të bindun qi, n’atë rast jo vetëm ekzistenca e tyne kombtare, por edhe nji interes themelor i kombit italian do të ishte njëkohsisht në lojë. Prandej Italia do të vênte në peshore të gjitha mjetet në dispozicion për me asgjësue nji mundsí të tillë të përbindëshme. Nga ana tjetër, cilat do qofshin kërkesat e lojnave diplomatike, të trasha e të rrezikshme, vështirësisht opinioni publik i botës perëndimore do të mund të kapërdinte asgjësimin e thjeshtë të nji Shteti sovran, edhe se të vogël e, për fat të keq të tij pjesëmarrës në sferën kundërshtare, aq mâ tepër se, mjafton me e dashtë, janë të gjitha mundësít për me e shkëputë nga ajo sferë. E gjithë kjo pa mbajtë para sŷsh reaksionin e Rusís.
Mbetet me u shqyrtue i fundit dhe mâ aktuali nga vështrimet diplomatike të çâshtjes shqiptare, ai i nji dore të lirë Titos për nji depërtim politik e ideologjik në Shqipní, si nji shpërblim për me e shtye me pranue dorëzimin Italís të Territorit të lirë të Triestes. Në këtë mënyrë do të kërkohej me bâ me besue të gjithëve, sikur të ishte me të vërtetë ky plan, që rezervat e pambarueshme të nji diplomacije të hollë janë t’afta me zgjidhë problemet mâ të ndërlikueme e mâ të brishta ndërkombëtare me kënaqësín e të gjithë të interesuemve : Shqipnía e shpëtueme nga nji regjim terrorist e uriprûes, Italia e kënaqun nga rimarrja e Territorit të Lirë të Triestes, përfshî edhe zonën B, vetëm Greqia e flîjueme, ndoshta për me qênë e shpërblyeme pale se si e ku, sepse me depërtimin titoist në Shqipní ajo as nuk do të mund të ândrronte Epirin e Veriut, madje do të fillonte t’ândrronte historinë e Stefan Dushanit. Mirë, por përsa i përket shqiptarëve, askush nuk mund të rrêhet se ata do të mbeteshin të paguem nga nji hollësí e tillë diplomatike. Në të kundërt çdo atdhetar shqiptar do t’a quente Vêndin e vet viktimë të nji sajese pazaresh të shitun Jugosllavisë ; i vetmi ndryshim qi do të shifshin shqiptarët ndërmjet kësaj zgjidhjeje e nji ndamjeje të thjeshtë të truellit të tyne të shênjtë, do t’ishte ai i të gjêndunit së bashku të gjithë, përfshî edhe Kosovën, nën nji zotnim të vetëm të huej. Sa i përket Italís, merret me mênd se qeveritarët e saj nuk do të mundnin e nuk do të duhej kurrë me pa në zonën B të Territorit të Lirë të Triestes, qi u takon me të drejtë etnike e historike, shpërblimin në shkëmbim të nji humbjeje të përsosun trifishe : humbje përfundimtare e të gjitha pozitave të saj në gjysishullin ballkanik deri në nji kthesë të favorshme historike, gjithmonë problematike, nji zmadhim i Jugosllavís, Vlona e Sazani në dorë të kësaj rivaleje. Prandej Mbreti âsht i bindun se cilat do qofshin trysnitë për me e shtŷ me pranue nji sistemim të tillë me Jugosllavinë, ajo do të dinte me qindrue e populli shqiptar do t’i ishte mirënjohës. Ka qênë pikërisht kjo bindje e tij qi e ka shtye Mbretin të mos i drejtohet me nji thirrje Kontit Sforca, ajo qi Qeveria italiane vetvetiu do t’ bânte të vetën çâshtjen shqiptare. Megjithatë Mbreti nuk ka mshehun shqetësimin e tij mbi këtê argument, në bisedat e rastit me ndonji personazh amerikan dhe âsht qetësue.
Do t’ishte me të vërtetë çudí qi Tito don me mbyllë sŷtë para dobive qi, në gjêndjen e sotme, do të kishte nga nji Shqipní e lirë e neutrale në vênd të asaj tepër anmiqsore të së sotmes. Po Fuqitë e Mëdha Perëndimore nuk duen apo nuk dijnë me i a tregue këto dobí ? Apo ndoshta Tito ka arsyet e tij të mira – por të pazbulueshme – arsye për me mbyllë sŷtë edhe para nji qartësie të tillë ?
4) Pra shkurt, Mbreti mêndon se në çastin në të cilin Shtetet e Bashkueme t’Amerikës dhe Britania e madhe do të vêndojshin me i dhânë shqiptarëve nji siguri të mjaftueshme për pavarësín dhe tânsín toksore të atdheut të tyne, ai vetë, në bashkëpunim me elementët mâ të spikatun të mërgimit dhe me kryetarët e grupeve do të merrte detyrën me pregatitë e me i paraqitë këtyne Fuqivet nji plan të hollësishëm veprimi e do t’ishte gati, me miratimin e tyne, me vue në zbatim me sigurinë mâ të gjânë të suksesit.
5) Fuqitë perëndimore, deri në këto çaste, janë kufizue me çue në Shqipní ndonji grup t’arratisunish për misione të vogla informimi, në shumicën e rasteve të pregatituna keq, të drejtueme keq, prandej, fatkeqësisht, të flîjuem kot. Jo vetëm aq, por kanë shkaktue viktima të tjera, kanë alarmue regjimin tue e shtye me forcue mbikqyrjen e me rritë terrorin, pa asnji dobi për çâshtjen kombtare. Popullsia shqiptare, për natyrë e mbi të gjitha për përvojën shumë të hidhun që ka pasë e ka akoma, nuk dishron me pa në skenën kombëtare personazhe t’improvizuem. Sot në Shqipní nuk mund të veprohet me sukses veçse n’emën të nji bashkimi kombtar qi do të përfaqësonte të gjitha forcat e gjalla mbrênda e jashtë e njerëz të njohun qi frymëzojnë besim në vênd për autoritetin e tyne moral, prestigjin, urtínë dhe shpirtin e maturísë. Kjo cilësí e fundit ka nji rândsí të veçantë për popullsitë shqiptare qi nuk kanë dashun kurrë ekstremizmat e asnji lloji, për mâ tepër mbas mësimit të tmerrshëm të ekstremizmit komunist.
6) Âsht krijue, nga disa oficerë anglo – amerikanë, nji komitet i çlirimit shqiptar, pa mbajtë para sŷsh asnji realitet shqiptar, as politik, as psikologjik e as praktik. Nji komitet qi ka ndezë mâ shumë mosmarrëveshjet ndërmjet shqiptarëve, në vênd qi t’i bashkonte ata. Mbretit i janë bâ shumë premtime për me ndreqë këtë gabim, por deri tashti nuk âsht bâ kurrgjâ.
Shënim:
Kjo përkujtesë mjaftohet me nji analizë të shkurtën të çâshtjes shqiptare, krejtësisht nga pikpamja shqiptare. Nuk âsht jashtë teme fakti qi ceket edhe nji aspekt i asaj çâshtje në vështrimin mâ shumë t’interesit të përgjithshëm se atij kombëtar. Duem të prekim tërthorazi rândsínë qi paraqet pozita gjeografike e Shqipnisë për Rusinë sovjetike, si nji Vênd bregdetar në detin Adriatik, ose në Mesdhe, aktualisht e vetmja dritare e tij në këtë qêndër jetike të komunikacioneve për Fuqitë perëndimore, që me bazën e Vlonës mund të bâhej, në rast të nji konflikti, së paku, një strehë e mrekullueshme e nëndetseve. Rusia nuk ka vazhdimësí komunikimi tokësor me Shqipnín, por kjo nuk pakson rândsîn e madhe për tê.
[1] Dokumenti është në dorëshkrim me maqinë shkrimi, i shkruar në gjuhën italishte dhe i vënë në dispozicion të Mbretit Zog për veprimtarinë e tij ndërkombëtare. Nuk ka datë por duhet të jetë i viteve të para 50, kur autori jetonte në Aleksandrí t’Egjyptit pranë Mbretit . E përktheu Eugjen Merlika duke u munduar të ruajë gjuhën e Autorit.
ORIGJINA E POPULLIT SHQIPTAR
NGA MUSTAFA KRUJA*/
Ka qênë nji kohë kur fort pak njihej në botë Populli i ynë. E na vetë përgjithsisht s’e njohim as sod ! E errët historija e tij e e koklavitun shumë, e trazueme me atê të popujve tjerë mâ të mëdhaj me të cilët fati e kishte vûmë në të përpjekun e ndën të cilën i ishte dashun t’ulte qafën : kolosi Romak, vala Sllave, duhija Turke. Nj’aty kah mbarimi i Mesjetës shfaqet për pak kohë si nji meteor i shkëlqyeshëm para sŷve të bindun të botës, por prap eklipsohet. E gati harrohet. Pesha e nji vargu të gjatë shekujsh parahistorikë e historikë të kaluem me luftime të pandame vetroje e ka lodhun e rrëgjuem tepër, por s’ka mundun t’a shuej. Âsht gjallë se gjallë. E nj’aty kah fillimi i shekullit të kaluem studjuesit e Oksidentit nisin të merren me tê. Nga gjânat qi ka mbërrîjtun të shpëtojë prej rrenimit të kohës si veçorí të çmueshme të tija, ajo që u bie në sŷ mâ fort dijetarëvet âsht gjuha që flet. Shkênca e gjuhsís krahasore porsa ka lemë. Por rritet e zhvillohet me hapa të shpejta e plot shëndet e gjallsí. Kërkon fusha e lândë studimi e krahasimi.
Qysh në vjetin 1835 J.v.Xylander u muer me shqipen në veprën e tij “Die Sprache der Albanesen”, tue i njohun ksaj origjinën indoevropjane. Vijnë mbas tij dijetarë tjerë, si A. Shleicher e G. Stier (Ist die albanesische Sprache eine indogermanische ? në Allgemeine Monatschrift ( 1854, f. 860 – 872) ; por sidomos Franz Bopp-i që në “Ueber das Albanesische”, (1855), e provon me mâ shumë hollsina e me argumenta mâ të bindshëm karakterin indoevropjan të gjuhës s’onë.
Mirë po mbetej nji problemë e dytë mjaft e rândë e e rândsishme për t’u zgjidhun. Cila ishte veriga që e lidhte shqipen t’onë të soçme me indevropishten mijvjeçare ? Ishte folun për ilirishten, por rrëshqitas e me ndoshta, pa prova. I pari që u mundue me e qarue me nji farë metode këtë lidhní, tue u pështetun mbi emna të përveçëm ilirikë, qe J.G. von Hahn-i në veprën e tij “Albanische Studien”, botuem qysh në 1853. Nji vepër me rândsí themelore për Albanologjín. Por vlera e studimit të Hahn-it shtohet shumë ma tepër ndër sŷt t’anë kur shohim se nji kompetent i madh si Gustav Meyer-i (1850 – 1900), mâ i madhi Albanolog i shekullit të kaluem, vjen e e vërteton plotsisht dhe themelon mbi tê të tânë veprimin e tij për gjuhën shqipe. E çfarë veprimi ! E ç’fat i keq për gjuhën t’onë vdekja e tij aq e pakohshme.
Me gjithë qi gjenealogjija ilirike e shqipes ka pasun e ka edhe sod antarë të bindun ndër gloto – albanologë, shumë tjerë, ndër të cilët meriton të përmêndet veçan Pederseni, e lidhin gjuhën t’onë me thrakishten e jo me ilirishten. Albanologu serb z. Bariq thotë se shqipja âsht nji thrakishte e ilirizueme, e kryealbanologu i soçëm z. Prof. Norbert Jokl e tregon te rrjedhun sa prej njânës aq prej tjetrës, me nji fjalë si nji gjuhë thrako – ilirishte.
Këtyne mêndimeve qi nuk largohen aq shumë prej shoqi-shoqit, duhet t’u shtojmë edhe dy tjera krejt të ndryshme. Njâni âsht i gjuhtarit gjerman August Schleicher, qi e vên shqipen në nji degë indevropjane bashkë me italiken e greqishten e vjetër, të cilat ai i përmbledh ndën emnin “grupi pelazgjik”. Ky mêndim nuk âsht pamë i dênjë prej gjuhtarvet mâ të shquem m’u marrë para sŷsh. Tjetri mêndim âsht krejt origjinal dhe me nji rândsí kryekrejet për shqipen e pra edhe për origjinën e popullit t’onë. Âsht mêndimi i nji glotologu nga mâ të dijshmit e shekullit të kaluem, August Friedrich Pott. Ky thotë se shqipja nuk mund të jetë veçse nji gjuhë iliro – pelazgjike paraindoevropjane.
Pra, mbas mêndimevet të shfaquna prej kompetentavet mâ të mëdhaj qi ka njohun bota deri sod në fushën e gjuhsís, shqipja qênka nji gjuhë iliro – indevropjane (G.Meyer), ase thrako – indevropjane (Pedersen), ase iliro-thrako indevropjane (Jokl), apo iliro-pellazgo-paraindevropjane (Pott), tue e lânë mbë nj’anë “grupin pelazgjik” të Schleicher-it.
*****
KËNDUESI i kujdesshëm qi na ka ndjekun deri këtu e ka kuptue se origjinën e gjuhës na e kemi marrë si origjinë të popullit qi e flet, e nuk do të zêmrohemi aspak në qoftë se ai s’ka pritun qi të na ndjekë deri në fund për me formulue në mênde të vet rezervat qi ndiell ky identifikim aprioristik. Kemi m’u spjegue.
Por mâ parë e mâ dalë më duket se kënduesi profan, qi s’ka mâ pak të drejtë se i dijshmi, e dëshiroj qi mos të ketë as mâ pak kureshtë e lakmí se ky, për me e njohun origjinën e popullit të vet, më duket pra, po thom, se ai ka nevojë të kuptojë mirë se kush janë këta Indevropjanë, këta Thrakë e këta Ilirë qi po i paraqisim si stërgjyshën të largët, fort të largët të Shqiptarvet.
Në dritën e shkêncës qi kemi përmêndun qysh në krye të shkêncës së gjuhsís, tue krahasue gjuhët e foluna prej popujsh të ndryshëm, tue vëzhgue e hetue fjalë e grimza fjalësh e rregulla morfologjike të përbashkëta a të përgjashme në gjuhë të ndryshme, tue studjue zhvillimin historik të këtyne në krahasim të pandamë me shoqja-shoqen, dijetarët e kësaj shkênce kanë mbërrîmë me caktue me sigurí se dikur, në nji kohë parahistorike, disa nga këto gjuhë, qi ndër sŷt e profanit s’kanë kurrfarë gjasimi e lidhnije njâna me tjetrën, s’kanë qênë veçse nji gjuhë e vetme e folun prej nji populli të vetëm. Në këtë mënyrë âsht gjetun se të tâna gjuhët qi njihen sod në faqe të dheut, të gjalla apo të vdekuna, d.m.th. qi fliten edhe sod a që janë folë dikur e sod nuk njihen veçse prej shkrimesh a emnash të përveçëm të mbetun, të tâna këto gjuhë të botës janë dega të dame prej disa trungjesh të vjetra, janë bija, mbesa e stërmbesa të disa gjuhve-nâna qi kanë vdekun mâ para, e prandej ato gjuhë qi kanë lemë prej nji gjuhe-nânë, qi janë damë prej nji trungu të vetëm, ato quhen gjuhna-motra, ase në nji kuptim mâ të gjânë, gjuhna-gjiní. Nji nga këto trungje të vjetra, nga këto gjuhna qi po i thërrasim nâna, âsht indevropishtja. Shkaku qi thirret kështu âsht se prej saj kanë lemë gjuhët qi janë folë e fliten qysh prej Indísë e gati në të gjithë Evropën. Në kontinentin t’onë vetëm dý gjuhë rrjedhin prej nji trungu tjetër qi s’ka të bâjë me indevropjanishten : finishtja, qi përfshin finlandishten dhe estonishten edhe hungarishtja. Këto rrjedhin prej trungut uralo-altaik, madje jo prej trungut, por prej grupit uralo – altajik, mbasi me gjithë qi gjuhët e përmbledhuna ndën kët’emën paraqesin përgjasime të mëdhá ndërmjet sosh, dijetarët s’janë edhe të sigurtë qi vijnë prej nji trungu të vetëm. Natyrisht s’kanë të bâjnë me indevropjanishten as gjuhët e atyne allogjenve të shpërdamë andej e këndej në mes të popujve t’Evropës, si për shêmbull Çifutnit (semitikë) ose Turqit, uralo-altajikë edhe këta. Mâ në fund duhet të përjashtojmë nga trungu indevropjan edhe gjuhën e Baskvet, të cilët janë pa dyshim nji popull fort i vjetër n’Evropë, nji popull autokton i gadishullit iberik, ndoshta i vetmi popull paraindevropjan qi ka teprue n’Evropë.
Të gjitha gjuhët e tjera t’Evropës, pra, e bashkë me këto edhe ato t’Indís, t’Iranit e armenishtja, janë dega, gema e bisqe të trungut indevropjan. Me fjalë tjera, para disa mijë vjeç ka qênë nji popull qi flitte këtë gjuhë, indevropjanishten. Ky popull quhej Arja ose Arjan. Nuk dihet me sigurí ku banonte ky popull. Mêndimet e dijetarvet ndryshojnë shumë mbi këtë pikë. Gjasa mâ e madhja âsht për Evropën lindore a nj’atje ndërmjet Uralesh e detit Kaspjan, n’Azín perëndimore. Prej këtij populli janë shkëputun fise mbas fisesh shekuj mbas shekujsh dhe kanë mbsŷmë në drejtime të ndryshme, do për Evropë e tjerë për Azí, tue u ndalun me vjet, dhetvjeta a qindvjeta ndër krahina të ndryshme deri qi kanë zânë vênd diku për gjithmonë. Shkaqet e këtyne shpërngulje popujsh hŷjnë në kompetencën e Sociologjís me i tfillue. Për studimin t’onë këtu do të mjaftojë m’u dijtun se të gjithë popujt e Evropës, veç atyne pak përjashtimeve qi u shënuen, dhe popujt e kontinentevet të tjerë të shpërngulun prej Evrope në kohna historike, si edhe nji pjesë e madhe Azjatikësh, kanë për origjinë atë popull të moçëm parahistorik qi quhej Arjan e gjuhën e të cilit dijetarët e kanë quejtun indoevropjane. Këta Arjanë, tue u shpërdamë e hallakatun anembanë, tue u damë e larguem fise-fise nëpër treva të ndryshme, tue u kapërthyem e përpjekun edhe me popuj tjerë nëpër viset e shkeluna prej sish, brez mbas brezi e shekull mbas shekulli, âsht e dijtun se nuk mund t’i shpëtonin zhvillimit të natyrshëm qi solli ndryshime të mëdhá në gjuhë, zakone e kulturë të tyne. Kështu prej nji populli të vetëm lindën e u formuen nji shumicë popujsh indevropjanë, të cilët u danë edhe këta mâ vonë ndër dega të ndryshme a u ndryshuen vetë tue formue popuj të tjerë mâ të rij, ata qi rrojnë sod.
Kur vallë filluen Arjanët të shpërngulen nga atdheu i tyne origjinar ? As ksaj pyetjeje s’ka mundun kush deri sot t’i përgjigjet më nji mënyrë të preme, mâ se asaj tjetrës qi i përket vêndit. Por me nji numër rrumbullak e me shumë gjasë kjo shpërngulje ka nisun nja pesëmijë vjet parandej. Tue lânë mbë nj’anë popujt tjerë indoevropjanë t’Evropës e aq mâ fort ata t’Azís, këtu do të merremi në mënyrë të posaçme vetëm me ata që erdhën e zûnë vênd në gadishullin ballkanik rreth kësaj treve.
Para se të fillojshin me i a beftun në gadishullin t’onë fiset arjane, ndoshta aty kah gjysma e mijvjetit të tretë para Krishtit, ky vênd ishte i banuem prej popujsh autoktonë, qi kishin nji qytetnim neolitik. Por këtu duhet të shënojmë, për profanin, se fjala qytetnim s’ka atë kuptim qi i epet sod, veç don me thânë nji mënyrë jete kolektive. Kishin nji qytetnim neolitik, pra, don me thânë qi për nevojat e tyne përdorshin vegla të punueme prej guri, se metali ishte ende i panjohun për ta.
Ç’ishin këta popuj pararjanë të Ballkanit ? Si quheshin ? Auktorët e vjeter grekë e shumë tjerë nga të rijtë i kanë quejtun Pelazgj, sidomos ata të Ballkanit jugor. Por do kritikë janë kundër këtij emni, tue thânë se Pelazgjit s’kanë qênë veçse nji fis helen i Thesalís, qi mâ vonë ka ndërrue emën e âsht quejtun Thesal, e prej emnit të tij ka lemë edhe ai i krahinës. Bukur. Për tezën qi jemi tue zhvillue në këtë studim emnat kanë, si gjithmonë e gjithkund, nji rândsí krejt relative. Rândsín kryesore e ka jo emni, por gjâja vetë qi bár emnin. E këtu popujt qi banojshin në sinisín ballkanike para Indoevropianësh. E pra, për me largue ç’do keqkuptim, ata popuj na po i thërresim këtu paraindevropjanë ase pararjanë.
Popujt arjanë qi kanë ardh’e mbushun gadishullin ballkanik në kohna të lashta parahistorike, tue u varë prej Veriu kah Juga e tue ndërrue karakterin etnik e qytetnimin e Pararjanvet me të vetin kanë qênë Helenët (Grekët e hershëm), Thrakët, Maqedonët dhe Ilirët (Illyrët). Nuk mund t’i dijmë me siguri epokat e shkeljes së tyne në Ballkan. Por mund të gjindemi fare afër së vërtetës tue pranue për Helenët si datë mâ të vonë shekullin XXI para Krishtit. Fill mbas sish i a mbërrîjnë Thrakët e njâni mbas tjetrit Maqedonët e Ilirët, aty kah shekujt XVI e XV para Krishtit As ky vargim s’âsht krejt i sigurtë. Mâ e shumta e dijetarëve vênë në krye të këtij vargu Helenët, por nuk mungon edhe ndonji qi vên si prîsa Ilirët.
Këta popuj, përgjithsisht e sidomos për kohnat parahistorike, nuk duhet t’i mêndojmë të përmbledhun secilin në nji organizëm politike kombtare mbas kuptimit qi kemi na sod për nji Shtet me kufîj të caktuem. As nuk âsht vêndi këtu qi të flasim për institutat politiko – shoqnore të cilit do prej sish. Me gjithë këtê nji idè afrore mbi trevat qi kishin zânë ata në Ballkan âsht mirë t’a ketë kënduesi për qëllimin e këtij artikulli.
Helenët qysh në fillim kishin zânë vênd mû në Jugë, atje ku shohim sod fqîjt t’onë Grekët, bijt e tyne, e ku fati i njerzís i kishte çue për t’i dhânë botës dritë e jetë shpirtnore me atë gjení të frymzueme prej hyjve t’Olimpit, si nji diell të shkëlqyeshëm e t’amshueshëm.
Thrakët kishin zânë gjitha anën lindore ndërmjet Egjeut, Marmarás, Detit të Zi, Danubit, Moravës e Strumës.
Maqedonët piqeshin në Jugë me Helenët, me Egjeun nëpër gatishullin e Halqidikës, në Lindje me Thrakët, në Perëndim mbërrîishin në nji vijë vertikale qi shkonte prej Pindit deri përmbi liqênin e Prespës, dhe në Verí në nji vijë horizontore qi shkon nëpër qytetin e Shkupit e piqet në Lindje me Thrakët e në Perëndim me Ilirët.
Ilirët, mâ në fund, kishin në dorë të gjithë pjesën perëndimore të gatishullit ballkanik, qysh prej gjînit të Nartës (Arta, motit Ambrakija) e deri në Verí t’Adrijatikut, dhe të tânë anën verijore përmbi Maqedonín. Në Verí-Lindje piqeshin me Thrakët.
E përsrisim qi këta kufîj nuk duhen marrë si të përpiktë, si t’ishin kufîj Shtetesh të ksokohshme, por fare afrisht.
*****
Tashti e dijmë se kush ishin Indevropjanët e vjetër e kush janë përgjithsisht popujt qi kanë dalë prej atij trungu. Njohim edhe kartën e moçme të Ballkanit me popujt qi banojshin në tê. Mund t’a kapim pra përsrí e tash me nji mënyrë mâ të kthielltë e mâ të bindshme se përpara bisedën e origjinës s’onë.
Në katër pika i kishim përmbledhun mendimet e dijetarvet të gjuhsís mbi burimin e shqipes e pra edhe mbi origjinën e popullit shqiptar : 1) Origjinë iliro-indevropjane ; 2) Or. Thrako-indevropjane ; 3) Or. Iliro-thrako-indev. E 4) Or. Iliro-pelazgjike (iliro-paraindev.).
Nji glotolog fort i squet e i dijshëm i ditvet t’ona, Z. Carlo Tagliavini, profesor i gjuhsís shqipe n’Universitetin e Padovës, shkruen në “Enciclopedia Italiana” (II, 124) se origjina ilirjane ase thrake e shqipes ka nji rândsí të veçantë nga pikpamja e autoktonís së popullit shqiptar. Sepse në qoftë se shqipja lidhet me indevropjanishten nëpër ilirishten, s’ka dyshim atëherë se populli shqiptar âsht autokton n’atdhén e tij, mbasi motit ky vênd ka qênë i banuem prej Ilirësh ; por në qoftë se shqipja nuk rezulton nji gjuhë ilirike por thrake, atbotë shqiptarët janë dynd’e ardhun në Shqipní nga Thraka. Auktori nuk shkon mâ gjatë e prandej nuk dijmë se në ç’epokë do t’a vênte Z. e tij këtë ndërrim vêndi të shqiptarvet nga Thraka n’Ilirí po të provohej se shqipja rrjedh nga thrakishtja. Por mbas mêndimit t’onë nji shpërngulje e tillë nuk mund të kish ndodhun veçse në nji kohë shumë të lashtë. Se ndryshe nuk mund të spjegohej nji influencë aq’e madhe e ilirishtes mbi thrakishten e shqiptarvet sa m’u quejtun nji thrakishte e ilirizueme apo nji gjuhë thrako-ilirishte, siç e pohojnë Bariqi, Jokli e Tagliavini, posë tjervet.
Sidoqi të jetë, edhe autoktoníja, si shumë gjâna tjera të ksaj bote, âsht relative. Po t’a marrim autoktonín në kuptimin absolut, duhet të quejmë autokton vetëm nji popull qi, mbas teorís poligjeniste, të parët e tij origjinarë të jenë krijue në vênd ! E atëherë asnji nga popujt indevropjanë, për me folun vetëm për këta, nuk do të quhesh dot autokton në krahasim me popujt e mâparshëm të Ballkanit të cilve kanë ardhë e u zânë vêndin. E në qoftë se popujt pararjanë të Ballkanit, si edhe ata t’Evropës mbarë, qi janë zhdukun tue u shkrimë etnikisht me Arjanët qi u ranë mbi shpinë, në qoftë se ata nuk hŷjnë mâ në numër dhe do të quhen këta autoktonë, të këtillë janë atbotë në Ballkan Grekët, bijt e Helenvet, e të këtillë edhe Shqiptarët, bijt e Thrako-Ilirvet. Kurse, në krahasim me këta, Sllavët janë ardhacakë, pse kanë zdrypun në këto vise jo mâ pak se nja dymijë vjet mâ vonë. Po qe se do t’i quejshim Shqiptarët ardhacakë ndër viset ilirike, tue i njohun si Thrakë, cilët do t’ishin atëherë autoktonët e këtyne viseve sod ? Sepse po e përsrisim, fjalët ardhacak e autokton s’kanë kuptim veçse për dy popuj qi rrojnë në nji vênd ase përbrí shoshoqit, nga të cilët i pari të ketë ardhun e pushtue vêndin a nji pjesë të vêndit të të dytit tue e shtŷmë e shtrënguem këtê në nji qark banimi mâ të ngushtë. Qoftë pra edhe tue pranue tezën e Gustav Weigandit – qi për ne âsht nji hipotezë absurde – qi Shqiptarët të kenë ndrrue vênd nga Thraka n’Ilirí në Mesjetë, b.f. nën shtrëngimin e valës sllave, prap se prap përfundimi logjik qi do të nxiret âsht po nji : qi Shqiptarët janë autoktonë dhe Sllavët ardhacakë. Ase këto dý fjalë s’kanë asnji kuptim !
Mâ së fundi, themeli thrako-ilir i shqipes besojmë se mund të spjegohet fare mirë me kontaktet e drejta e të zhdrejta t’atyne dy popujve të moçëm pa qênë nevoja qi nji fis Thrakësh të jetë shkëputun prej trevës së vet për me ardh’ e m’u futun në tokën ilire.
Të vijmë tashti te origjina pelazgjike (pararjane) e gjuhës e e popullit t’onë. A âsht vallë me të vërtetë për t’u hjedhun poshtë pa tjetër ky mêndim i Pott-it ? Ky dijetar i madh ka qênë plot 54 vjet (1833 – 1877) profesor i glotologjís n’Universitetin e Halle-s (Gjermaní). Poliglot me nji dituní të gjânë tejet, ka qênë i specjalizuem në studime etnografike me anën e gjuhsís. Ka lânë grumbull të madh veprash me rândsí. Tezën e tij mbi gjuhën shqipe s’e ka hjedhun përpara si nji hipotezë të thatë intuitive, por e ka zhvillue me argumenta gjuhsorë dhe ka qëndrue në tê deri në fund. E quen shqipen nji “tepricë paraindevropjane iliro-pelazgjike” (Carlo Tagliavini, Enciclopedia Italiana II, 123/2). Ç’duhet të kuptojmë nga këto fjalë ? E para qi auktori gjerman quen pelazgj popujt paraindevropjanë të Ballkanit a të nji pjese të Ballkanit ; dhe e dyta, qi Shqiptarët, për tê, janë Pelazgj t’ilirizuem. Ç’thonë kundërshtarët e tij ? Thonë se s’ka pikë dyshimi mbi karakterin indevropjan të gjuhës shqipe. Fare mirë. Por a nuk mund të jetë nji paraindevropjane e indoevropjanizueme ? S’ka asnji arsye, na duket neve, qi të na ndalojë me pranue për shqipen, pranë hipotezës së nji thrakishtje t’ilirizueme edhe atê të nji paraindevropishtje t’ilirizueme a të thrako-ilirizueme.
Le të ndëgjojmë tashti edhe nji dijetar italjan, Z.in Piero Sticotti, Drejtorin e muzeut të qytetit të Trieshtës :
“Ilirishtja njihet përgjithsisht si nji dialekt indoevropjan. Mbas mêndimit të disave, populli ilir qi flitte këtë gjuhë, të cilën duhet me e rendue ndër ato të tipit satem mbasi të këtillë e karakterizojnë përgjasít toponomastike, po ky popull ilir po u diktueka në Verí deri në viset balltike e në Jugë deri në Kretë (Gjirit). Në Greqí e në Kretë ai na qênka parahelenik : tash vonë, tue u mundue me decifrue do shkrime vorresh parahelenike, kanë gjetun fjalë qi spjegohen me gjuhën shqipe. Ky fakt na bân me mêndue se, edhe tue mos qênë ndoshta të parët e Shqiptarvet krejt të njâjtë me banorët parahelenikë, ata mund të kenë pasun lidhní fort të ngushta me këta, lidhní qi duken të vërtetueme edhe prej legjendavet beotike mbi heroin ilir”. (Enciclopedia Italiana, XVIII, 833/1).
N’i besofshim pikë për pikë këtij versioni, Shqiptarët na dalin Indevropjanë Ilirë parahelenë. E në këtë rasë Ilirët duhet të kenë zdrypun në Ballkan para Helenvet. Për ndryshe edhe këtu gjêjmë nji vërtetim të tezës së Pott-it.
Nga sa u shkrue deri këtu kuptohet qartë pra se Shqiptarët janë ase nji popull pelazgo-pararjan, banues në Ballkan qysh prej kohës neolitike nja pesmijvjeçare dhe i arjanizuem prej Thrako-Ilirvet ; ase drejt për drejt nji popull thrako-ilir, banues në Ballkan prej nji kohe nja 3500 vjeçare.
*****
E kemi titullue kët’artikull “Origjina e Popullit shqiptar”, edhe gjithkund po këtë fjalën popull kemi përdorun kur na âsht dashun të përmêndim grumbuj të përbâmë prej njerzish qi kanë nji origjinë të përbashkët. Âsht nevoja të merremi vesht mirë me kënduesin mbi kuptimin e ksaj fjale. Siç dihet, populli ka pikë së pari kuptimin e banorvet të gjithë bashkë : të banorvet të nji katundi, të nji qyteti, të nji krahine a të nji Shteti. Këtu, me këtë kuptim, të vetmet lidhní ndërmjet njerëzvet (individëvet) qi përbâjnë popullin, janë banimi i përbashkët në nji vênd e marredhânat shoqnore qi rrjedhin si pasoja të faktit të këtij banimi. Ky pra âsht nji kuptim thjesht shoqnuer. Populli këtu âsht sinonim me neologjizmën popullsí. E me gjithë qi jemi përpara nji emni përmbledhës, kur e flasim a e shkruejmë, e ndëgjojmë apo e këndojmë, në mênden t’onë çfaqen fare kthielltë individët qi formojnë bashkarín, na dalin para sŷvet të mêndes nji nga nji si pjesë të dame. Krahasonie fjalën popull , në këtë kuptim, me fjalën komb. Kjo e fundit nuk na sjell aspak ndër mênd persona të veçanta, por nji gjithsí krejt të pandame e të pandashme, m’u nj’ashtu sikur s’na bie ndër mênd kurrë për atomet e nji trupi fizik kur kemi të bâjmë me nji të këtillë.
Besojmë se kënduesi i ynë e ka marrë vesht hollë qi ky kuptim s’ka vênd në këtë studim.
Nji tjetër vështrim i popullit âsht turma, bota, gjindja, gërdhja : kur thomi, po zâmë, shumë popull âsht mbledhun. Kuptohet vetiu se as me këtë vështrim s’kemi punë këtu.
Të tjera vështrime të popullit qi s’na interesojnë në kët artikull janë edhe këto : shtetasit e sunduem, kur thomi, b.f. popull e qeverí, popull e parlament. E mandej kur e përdorim për vogjlí, në kundërshtim me klasat e nalta të shoqnís. Mâ në fund, populli ka edhe nji kuptim politiko-juridik, si element kryesuer ndër ata tre qi përbâjnë bazat e nji Shteti : popull, tokë e qeverí. Por ky vështrim nuk duhet ngatrrue me atê të parin qi spjeguem si gjithsí të banorvet të nji Shteti. Atje kuptimi âsht thjesht shoqnuer, demokratik e gjeografik, kurse këtu âsht vetëm politik e juridik, filozofik e shkêncuer. Atje kemi para sŷsh banorët e Shtetit të gjithë bashkë e njikohsisht edhe veç e veç, si t’ishim tue i numrue e regjistrue këtu popullin gangull, të pandamë e të papjestueshëm. E si të këtillë duhet të kemi kujdes qi mos t’a ngatrrojmë as me kombin, me gjithë qi këtë trazim gati s’ka shkrimtar qi s’e bân pa vumë ré. Nuk âsht pun’e madhe, mbasi as ai qi e flet e e shkruen as ai qi e ndigjon e e lexon nuk i ep dum gabimit, në qoftë madje se s’jam un vetë i gabuem qi quej gabim nji përdorim gati të përgjithshëm në sheshin e politikës, due me thânë përjashta shkencës. Me gjithë këtê, mbasi këtu bâjmë shkêncë e jo politikë, qe ndryshimi midis dy skanjevet : e par’e punës si element juridik nuk thuhet kurrë se “Shtet pa komb s’ka, por “Shtet pa popull s’ka”. Dhe e dyta kur thomi populli, kuptojmë nji lândë të papunueme, t’aftë me marrë çdo formë, nji brumë të pagatuem ; por kur thomi kombi kemi ndër mênd nji aparat kolosal të gjallë, nji makinë të ngrehun e në punim e sipër, nji organizatë me të tânë organët e saj në vênd. Këtu kombi âsht sinonim me Shtetin, gati si nji metaforë e Shtetit.
As ky s’âsht kuptimi qi ka populli n’artikullin t’onë. Na e kemi përdorun këtë fjalë me vështrimin etnologjik. Âsht gjithsia e atyne njerëzve qi zakonisht flasin nji gjuhë të përbashkët, të trashigueme brez mbas brezi qysh prej nji kohe qi mund t’arrijmë na me dijen t’onë me i gjetun fillesën. Shqiptarët flasin shqip. Shqipja âsht faza e ré e ilirishtes apo e thrakishtes. Pra Shqiptarët qênkan nji tepricë e Ilirvet dhe Thrakvet, nji tepricë qi ka mundun t’a ruej qysh atëherë themelin e asaj gjuhe të lashtë, kurse Ilirët dhe Thrakët e tjerë e kanë humbun, në vênd të saj kanë nxânë nji gjuhë tjetër, janë bâmë nji si ai, janë shkrimë me tê, pushtues e të pushtuemt janë bâmë të tânë nji brumë.
Edhe thrakishtja e ilirishtja janë faza mâ të vjetra se shqipja të nji gjuhe mâ të moçme qi flitte nji popull i quejtun Arja e qi sod, ajo gjuhë, thirret indevropjane. Pra shqipja rridhka prej ksaj gjuhe e populli shqiptar prej Arjanvet të hershëm. E s’ka pikë dyshimi se edhe indevropishtja vetë âsht nji tjetër fazë mâ e moçme se thrako-ilirishtja e nji gjuhe shumë mâ të lashtë. Veçse shkênca s’ka mundun sod për sod me shkue mâ përtej, dhe për këtë arsye na jemi të shtrënguem të qëndrojmë atje e të thomi se origjina mâ e vjetra e shqipes âsht indevropishtja, origjina e shqiptarvet janë Arjanët.
Mirë po ndokush nga dijetarët don të thotë se në shqipet të soçme ka disa elementa qi nuk mund të spjegohen kurrsesi me indevropishten e se, krejt për kundra, do shkrime vorresh parahelenike vetëm shqipja mund t’i spjegojë. E po, atbotë, në qoftë puna vërtetë ashtu, shqipja paska nji themel mâ të vjetër në Ballkan se indevropishtja, e në këtë rasë shqiptarët qênkan nji popull par-arjan në këtë trevë.
Populli, me këtë kuptim, s’ka kufîj gjeografikë e aqë mâ pak kufîj politikë. Përfshin të gjithë ata qi kanë nji gjuhë të përbashkët. Kështu kur thomi pra, me këtë vështrim, “Populli shqiptar” – kështu, me P të madhe do t’ishte mirë t’a shkruejshim – kemi ndër mênd jo vetëm Shqiptarët e Shqipnís, por edhe të tânë të tjerët qi rrojnë përjashta saj : në Jugosllaví, në Greqí, n’Italí, në vênde tjera t’Evropës, n’Amerikë a në tjetër kontinent, qofshin vêndas apo të mërguem. Mb’anë tjetër as allogjenët as alloglotët e Shqipnís nuk bâjnë pjesë në Popullin shqiptar me këtë kuptim.
Por vallë a s’ka populli tjetër veçorí, në vështrimin etnologjik, posë gjuhës qi flet ? Jo po, ka ! Ka doket e zakonet, kulturën e traditat dhe nji tog shfaqjesh të tjera shpirtnore të trashigueme. Por sipër të gjithave e në themel të të gjithave rrin gjuha si elementi mâ dallues se të tânë, si edhe mâ i qëndrueshmi. Për individët mâ fort se gjuha kanë qëndrim trashigimet e tjera psiqike, por për popujt, për bashkarít kombtare shum’a pak të gjâna âsht e vërtetë e kundërta. Posë ksaj fenomenet psikologjike janë aq të pleksuna, aq të ndërlikueme, qi âsht punë tepër e vështirë me i analizue me nji farë sigurije për të caktuem nji vijë, disi të shqueme, ndërmjet psikologjisë së nji populli e të nji tjetri. Prandej i vetmi element i sigurtë e praktik a së paku elementi kryesuer për caktimin e individualitetit të nji populli sod e gjatë shekujve të kaluem deri në origjinën e tij, âsht gjuha.
*****
Me këtë kuptim qi e kemi përdorun këtu, vallë a s’kishte mundun fjala popull me i a lëshue vêndin kombit ase racës (farës, fisit) ?
Të flasim mâ parë për këtë të fundit. Raca a fara ka për njerín, para çdo gjâje tjetër, nji kuptim fizik, morfologjik. I dán njerzit me ça sheh sŷni në trupin e tij : rac’e bardhë, e zezë, e verdhë, simbas ngjyrës së lëkurës. Racë brakyqefale (kokshkurtën) a dolikoqefale (kokgjatë), simbas trajtës së krês. E kështu mandej varg e vistër të gjitha veçorit e tjera trupore qi dallojnë farët e njerzís. S’ka asnji dyshim qi popujt n’origjinën e tyne kanë qênë shque prej shoqi-shoqit si me veçorít trupore ashtu edhe me ato të shpirtit. Mirë po sa mâ fort qi të jenë largue nga origjina në kohë e me vênd, aqë mâ tepër janë përzie e kapërthye me popuj të dalun prej tjetër rrânje, e atbotë aqë mâ shumë âsht ndryshue edhe trajta e tyne fizike. Në mënyrë qi âsht e pamundun të ndiqet nji popull, nga pikpamja raciale, nëpër fazat e ndryshme ku âsht përshkrue e me mbërrîjtun kso dore n’origjinën e tij. Për shêmbull Shqiptarë e Sllavë rendohen sot në nji racë të vetme, të pagzueme dinarike (nga Alpet Dinarike). Âsht fara thrako-ilire qi ka bâmë për vete edhe Sllavët ? Mirë po qe se popujt arjanë të soçëm, qi pra, mbas provës së pakundrështueme të gjuhvet kanë dalë të tânë prej nji trungu, dahen në shumë raca të ndryshme. Janë bâmë e po bâhen pa prâjtun tentativa shkêncore për të mbërrîjtun në nji dallim të sigurtë racash nëpër analizën mikroskopike të gjakut. Por rezultatet qi janë shtimë në dorë, deri tash, janë fare pak të kënaqshme për qëllimin e fundit.
Për me tregue se sa pak të sigurta e të përpikta janë veçorít e caktueme prej Antropologvet për secilën farë njerzore, po shënojmë këtu poshtë se ç’thonë ata për tipin dinarik, qi na përfshin edhe né : shtati i gjatë shumë ; rrasht’i krêsë tepër i naltë, si nji pirg, rrafshatak e me nji rreth fort pak mâ të gjatë se të gjânë (pra brakyqefal) ; hunda mâ e madhja e të tânë njerzís, tepër e naltë dhe me majë të kthyeme si grep ; fytyra e hollë e e gjatë ; veshët të gjatë ; sŷt mesatarë ; buzët të holla ; flokët pa rrudha e të murrët !
Sa për qind vallë janë ata (këndo : Ballkanas, veç Grekvet të cilët rendohen në racën mesdhetare a mediterrane) qi mund të bâjnë bé se shohin bash vetveten në nji pasqyrë të këtillë ?
Antropologjia, qi âsht shkênca e studimit të tipavet njerzorë, ka për të mundun ndoshta nji ditë me na bindun mâ fort me rezultatet e saj mbi karakterizimin e klasifikimin e farve të ndryshme, mbi origjinën e tyne dhe sidomos mbi lidhjet e tipit racial me psikën e njeriut. Se po, njeriu i mjerë, i xhveshun prej aktivitetit psiqik, jet nji gjâ verevërte fare pak tërhjekse e pa ndonji ndryshim nga kafsha përgjithsisht ! E sadoqi tepër zhurmë âsht bâmë deri sod e sidomos në këto kohët e fundit rreth eprís (superioritetit) së ndonji race përmbi tjerat, e drejta âsht qi provat shkêncore mungojnë gati kryekëput në këtë fushë. E pa këto prova fjala fjalën s’e mund kurrë. Antropologjia psikologjike âsht ende embrionale.
Tashti besojmë të jetë kuptue fare qartë se pse nuk mund të flitet për origjinën e nji race shqiptare. Origjina e racës shqiptare âsht ajo e racës së gjithë popujvet arjanë a indoevropjanë, tue qênë se të gjithë këta n’origjinë kanë qênë po nji popull e nji racë. Por sod asnji popull i qytetnuem nuk paraqet veçorí të nji race të veçantë, siç paraqet veçori kombtare të veçanta.
E tash na ka mbetun me u marrë vesht edhe mbi kombin. Në kuptimin etnologjik qi i kemi dhânë na këtu popullit, ky njisohet me kombin në të tâna veçorít e tija. Edhe vetë fjala greqishte ethnos don me thânë komb përgjithsisht e popull në kuptimin qi i kemi dhânë ksaj fjale këtu. E prandej, mbasi të jemi marrë vesht kso dore se ku e kemi qëllimin, mund t’a kthejmë fare mirë titullin t’onë “Origjina e Kombit shqiptar”. Veçse duhet dijtun qi kombi, edhe në kuptimin etnologjik si n’atë tjetrin politik qi kemi spjegue mâ nalt, tregon nji shoqní t’organizueme me instituta shoqnore në nji shkallë etike mjaft të naltë, pjestarët e së cilës i ndîejnë thellsisht lidhjet morale qi kanë ndërmjet shoqi-shoqit. Sod populli i ynë ka mbërrîjtun në këtë shkallë. Por mbasi këtu kemi pasun para sŷsh nji popull shqiptar të konsideruem qysh prej origjinës së tij e nëpër fazat e ndryshme të jetës së kalueme deri në këtë ditë, fjala popull, qi ka nji kuptim mâ të gjânë se kombi, na përshtatej mâ mirë.
*****
QËLLIMI praktik i këtij shkrimi âsht me bâmë të njohun shqiptarit veten e vet si pjestar të nji kombi. A, mâ mirë me thânë, nji pjesë të vogël të vetvetes, atê qi i përket origjinës. Kemi pasun para sŷsh, si lexues, mâ fort intelektualin mesatar, e me këtê spjegohet edhe stili i përdorun e disa përsritje në kambëngulje. “Gnothi seaftón” (njih vetveten) qi na kanë lânë orakujt e Olympit apo t’urtët e Helenve të mrekullueshëm vlén sa për individët aq edhe për kombet, e ndoshta mâ shumë për këto se për ato, sod sidomos qi âsht bâmë modë me i ramë mohit kombsís për dashuni…. të njerzís !
*Shpend BARDHI
Marrë nga “PËRPJEKJA SHQIPTARE” Tiranë, maj 1938(Ky artikull eshte nxjerre nga Libri i fundit i Mustafa Krujes “Gjysme shekulli me pende ne dore”.)
Mustafa Kruja mbeti shqiptar,nuk u bë kurrë fashist
Nga Ilir ikonomi*/
Vlera e fjalëve të një publicisti, studiuesi a politikani matet me jetëgjatësinë e kumtit që ato përcjellin dhe, në këtë kuptim, autori i librit që keni në duar e ka kaluar me sukses provën e kohës.
Ai është Mustafa Merlika – Kruja, njëri ndër njerëzit që nënshkruan pavarësinë në Vlorë më 28 nëntor 1912. Ky akt i vetëm e kualifikon atë për të hyrë në histori.
Por historia shqiptare e njeh Merlikën edhe për shumë vepra të tjera. Ai ka qenë një gjuhëtar i dorës së parë, një studiues i hollë e i lëvruar i shqipes. Ka kryer studime me vlerë për historinë e Shqipërisë dhe na ka lënë përkthime prej mjeshtri. Ky libër është kryesisht një përmbledhje e mendimit të tij si polemist dhe politikan.
Pas pavarësisë, jeta e Mustafa Krujës vërtitet mes luftës, arrestimeve, mërgimit, rikthimit dhe përsëri ikjes. Çdo njeri që i provon këto duhet të ketë një mendje të shëndoshë e sidomos një karakter të fortë për të mos u ligshtuar. Mbi të gjitha duhet të jetë patriot me zemër.
Për hir të këtij patriotizmi Mustafa Merlika u tregoi shqiptarëve të vërtetën, edhe kur ajo nuk ishte fort e ëmbël. U foli për dobësinë e tyre kryesore, dasitë dhe përçarjet që ua errësojnë pamjen. I këshilloi se “para se me u zânë për karrika e zyra të Shtetit, duhet t’a bâjmë Shtetin,” fjalë me vend edhe sot e kësaj dite.
Në fund të vitit 1941, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga fashizmi, Mustafa Kruja pranoi postin e kryeministrit. Mund të debatojmë sa të duam nëse ky ishte një gabim apo një veprim i mençur në atë kohë kur nuk kishte zgjedhja të lehta. Por, gjatë pak më shumë se një viti në krye të qeverisë, ai tregoi me vepra se, në mendimin e tij, ideologjitë nuk ishin veçse sende kalimtare dhe se atdheu ishte rrapi madhështor që i pështillte të gjitha nën hijen e vet.
Merlika nuk u bë ndonjëherë fashist. Ai mbeti shqiptar, po të gjykojmë nga fryma e shkrimeve dhe fjalimeve të tij.
Në nëntor 1942, duke folur në Tiranë përpara një audience ku nuk mungonin zyrtarë të lartë italianë, ai tha: “Nuk e fshehim se zêmra kishte me na dëshirue nji Shqipní krejt të pavarun, pa asnji lidhje të përhershme me kurrkênd, sidomos pa asnji lidhje t’imponueme.” Qartazi, Merlika e kishte fjalën për lidhjen me Italinë.
Viti 1942 ishte kohë lufte. Ishte edhe një kohë kur komunizmi kishte filluar të shihej nga një pjesë si ilaçi çudibërës që do të zgjidhte të këqiat e botës. Këtë iluzion të kuq e përqafuan qindra mijëra njerëz në Evropë, të cilët ose nuk i dinin ose i mbyllnin sytë përpara krimeve që bëheshin brenda gulagut të madh sovjetik.
Prandaj, është meritë për ata intelektualë në Shqipërinë e vogël, që jo vetëm nuk u infektuan, por u përpoqën të gjejnë mënyra për t’i dalë përpara rrezikut. “Shihni në ksulat e çetnikvet të këtyne idealistave palaço shqipen dykrenare me nji hyll të kuq në mest. E kanë bâ gati edhe flamurin e asaj republike të kuqe,” tha Merlika në të njëjtin fjalim të vitit 1942. Parashikimi ishte i saktë. Madje, republika e kuqe në Shqipëri rezultoi më e egra e Evropës Lindore.
Gjatë disa dekadave diktaturë, ata që u hodhën në anën e komunizmit u përpoqën të tregojnë se zgjedhja e tyre ishte më e mira. Për ta, Merlika ishte thjesht një “kolaboracionist” dhe “tradhtar”. Shkrimet e tij u ndaluan, vepra e tij kryesore, Fjalori kritik i gjuhës shqipe, nuk u përmend në publik. Nxënësve të shkollave nuk u thuhej kurrë që Merlika ishte ndër firmëtarët e pavarësisë në Vlorë, sepse përndryshe ata mund të pyesnin: Si ndodhka që dikush i cili firmosi pavarësinë të quhet tradhtar?
Mërgimi nuk iu nda Mustafa Merlikës deri sa ai vdiq më 27 dhjetor 1958 në Niagara Falls të Shteteve të Bashkuara. Deri atë ditë të mbrame ai nuk rreshti së shkruari, shkëmbeu letra të panumërta me miqtë dhe solli prova të tjera se komunizmi nuk mund të ishte e ardhmja e Shqipërisë, as e ardhmja e botës, por thjesht një sistem që nuk funksionon. Në të gjitha këto shkrime ndihet zemra e Merlikës si atdhetar, rebel, polemist dhe dijetar. Çdo studiues i ndershëm instinktivisht priret të pijë ujë te burimi sa herë që etja i kërkon të hulumtojë mbi të kaluarën. Shkrimet e Mustafa Merlika – Krujës janë një i tillë burim.
* Kjo eshte parathenia e librit“Gjysmë shekulli me pendë në dorë”, botim i shtëpisë botuese Omsca-1”. Ne kete liber përmblidhet gjithë publicistika e shkruar në vite nga Mustfa Merlika Kruja.
Kur Mustafa Kruja i shkruante Martin Camajt
Një pjesë te letërkëmbimit mes Mustafa Krujës dhe Martin Camajt, lidhur me revistën “Shejzat” ku Camaj punonte dhe Kruja botonte./
Konsideratë dhe respekt të përulur mes dy intelektualëve. Letra e 30 tetorit është e fundit, mbasi më 27 dhjetor Mustafa Kruja ndahet nga kjo jetë. Të vetmet letra të arkivit të familjes./
“Nuk të vjen keq prej kritikës së nji plaku pedant po t’i bâj shqipes s’ate.”/
Niagara Falls, 11 fruer 1958
Fort i dashuni Martin,
Më ra në dorë sod blêni 4-5 i Shêjzavet edhe mâ së pari këndova artikullin t’ând. Tue besuem se nuk të vjen keq prej kritikës së nji plaku pedant, po t’i bâj shqipes s’ate ndërmjet nesh qërtimet qi vijojnë: … në buzë lumit = në buzë të lumit = buzë lumit.
Shnjergj = Shën Gjergj. Kështu në rasët ku e ke përmêndun ti, ku flitet për Shint (shênjt, shêjt); ndërsa po të jetë emën vêndi, edhe mâ mirë besoj me e shkruem sikur e shqipton vêndi, pra Shnjergj, Shnjin, Shijak et. nepër = nëpër. rrëmye = rrëmb-: kështu krejt juga me të drejtë etymologjike, sepse, në mos u rrêjsha, vjen prej lat. rapere.
gjâjës = gjâsë, si e shkruej un sod, e gjâs, si e kam pasë shkruem edhe un dikur e si e shkrueni ju, dmth. me theks e jo me -ë. nuk rrezikonte e me… = nuk rrezikonte me… nepër at kalim të ngushtë = shtek, shkallë, rrugicë të ngushtë, ngushticë. ”me qenë” = qênë; por ata qenë.
që = qi: qyshse ka folë shqip Shqiptari e dersa ka për të folë shqip Gega ka thânë e ka për të thânë QI e kurrë që! E kurrë s’i ka ramë ndër mênd nânës, motrës e bijës së Gegës qi kjo rroke e shkurtën mundet me u përziem ndër trutë e kuj me nji rroke të gjatë me këto dý shkrola.
Këtë trazim e krijuen profesorët komunista si A. Xhuvani me shokë krejt nergut për t’ua kujtuem të rijve e të rejave, për t’i çfisnuem e çuem në rrugën e tyne. Të gjitha gjuhët e botës janë plot me fjalë qi njeriu, kur âsht i poshtër si ata profesorë, mundet me i marrë vesht keq. Populli thotë pa kurrfarë të keqi, gra e burra, “kush i rrin pemës në bythët, ai ia han koqet.”; nji koqe mollë, vezë et. et. (Juga e Shqipnij’e mesme).
Shkodranit, qi me këtë kuptim përdor vetëm fjalën kokërr e koqes ia ka kufizuem kuptimet vetëm në nji, sigurisht i tingullon keq e prandej âsht gjâ e arsyeshme me e marrë para sŷshë këtë pikë; por për fjalët si “qi”, të cilat janë të përgjithëshme, janë sakrilegja ndryshimet e sendërgjueme.
Sumë âsht synonym me bythë, e me atê të vërtetën; me gjithë këtê, askuj nga katundarët e katundit qi ka kët’emën s’i ka shkuem mêndja kurrë qi i duhej ndërruem emni katundit të vet. Gjithashtu as familjes Suma në Shkodër jo.
Tekembramja, po shtoj edhe se për gegnishten e epër, ë-ja s’do të kishte gjetun vênd aspak n’alfabetin t’onë, pse atje nuk ndihet n’asnji fjalë. Gjithku ka qênë etymologjikisht si shênj i nji zânoreje tjetër, âsht kthye mbasandej n’e, por mâ të shumtën n’i, ase â zhdukun krejt.
fluturìm = pa theks, për të cillin s’ka fé nevoje. Gjithashtu te smirzì. Më duket se ky theks askund s’ka nevojë me u përdorë në shqipet. njanin = njânin.
vehte: nga tri format qi kemi, vete – vehte – vetëhe më duket mâ e arsyeshme e para, mbasi kemi edhe vetë e vetëm qi nuk i bâjmë veh- e s’mund të bâhen vetëh. thanë = thânë: e dij se edhe këtê e ke dhuratë nga profesorët, qi pretendojshin se vetë n-ja ase m-ja ia nep tingullin hunduer zânores qi i prîn, prandej s’ka nevojë për theks. Kemi plot shêmbuj qi e përgënjeshtrojnë këtë thesë. Pra edhe shkâmb e jo shkamb, dâm et. et.
dij: të lumtë dora! Ishalla edhe Ernestit do t’i mbushet mêndja nji ditë se diej âsht gabim nga çdo pikpamje.
Beka? Po atëherë Bekë, pra, a jo? E Bekë Tushi, jo Bek Tushi. Orthografija e nji fjale nuk mundet me qênë fonetike në çdo rasë e vênd. Thomi Bekë – Beka, Gjokë – Gjoka, Dedë – Deda, Bibë – Biba et. Pra âsht gabim gjithë ditën mbasandej me e shkruem Bek…- Gjok…- Ded.. e Bib…
Të marrim për shêmbull edhe fjalë qi s’janë emna veçorë: pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nândë, dhetë; e mbrapa, vetëm pse e shqiptojmë të shkurtën tue folë, duhet t’a shkruejmë pes burra, gjasht zogj, shtat pula, tet gjela et.? mandej = mbandej (mbasandej); si pastaj (pasandaj) bertitte = bër-. herë mba herë = … mbas here.
mos ta freskojshin = ….t’a….: a shkruen edhe ” mos ti thojshin?”. Po bâjmë këtu nji ushtrim gramatike elementare: ai do të më shohë e të më thotë; të na shohë e të na thotë; të ju shohë e të ju thotë; t’i shohë e t’u thotë: kjo âsht rregulla e ime.
Të shohim tash atê të Xhuvanit me shokë: ata shkruejnë të më (pra jo ngjitas tëmë), të të (jo tëtë); por ta ( pra kështu bashkë e jo veças si tjerat!) e ti (kështu apo t’i?) thotë, të na (jo tëna), të ju e t’u (apo tu), t’i (apo ti?) e t’u (apo tu?).
Po i sheh kontradikcjonet xhuvanore. E në qoftë se Xhuvani do të thonte se të bashkohet vetëm me zânoret e jo edhe me bashkzânoret, bukurí, atbotë pra jo vetëm ta shoh, por edhe ti them e tu them! Apo si e ka profesor’i ynë atë rregull të shkretë?! shum = shumë.
n’at anë e në këtë anë të lumit: shumë mirë. Por atëherë, si e kam shënuem edhe mâ nalt, edhe në buzë të lumit ase buzë (prepositë) lumit. Po më pëlqen këtë (adj. demons.), se kështu e shkruej edhe un; por para emnit qi fillon me zânore duhet apostrofuem kët’anë. Këtë libër, kët’arë, këtê e due un.
Por edhe atë libër, at’arë, atê merre ti. Athue nuk duhen trajtue si njâna tjetra atë e këtë, atê e këtê. kadalë = ngadalë, dalkadalë = dalngadalë, kadalekadalë = ngadalengadalë; por mâ e âmbël e dyta kisha me thânë. pranverë = prendverë.
për fund të tyne = përfund (prep.) tyne. me iau …! Ç’âsht ky iau? Nji formë e keqe, trashamane, djalektore e gabueme. Me m’a – t’a – ia (i a, ja) – na e (na a) – ju a (jau) – ua (u a , va). Po e sheh vetë gabimin dy fijsh te jau e tre fijsh te iau: âsht personë e dytë plurale përdorun për të tretën; metathesë jau për jua; iau për jau. ngrrye = gërrye; n- âsht nji parasite qi kujtoj se s’ka gjetun vênd fort as ndër fjalorë. Të kshilloj përgjithsisht qi tingullin rr t’a përdorish kudo vetëm ndërmjet zânoresh para e mrapa, se ndryshe, tue qênë i vështirë shqiptimi, mbaron në r. sot = sod. A thue mbas sodi a mbas soti? E kam rrah këtë problemë ke ABETARI I TË MËRGUEMIT,f.52; por gabimisht tue folë vetëm për pesë parë bashkzânore e tue lânë jashtë… edhe nj’aqë: c – x, ç – xh, gj – q, s – z, sh – zh. memzi (kr. simvjet), si formë shkodrane âsht e drejtë (por jo me mëzi, as në djalekt); veçse etymologjisht kanë mâ të drejtë tjerët qi thonë mezi (me + zi) ase (me + të zi). pështue, nji tjetër formë djalektore për shpëtue. mbrrîmë = mbë- mprojshin = pr-: mp- âsht nji orthografí antifonetike, mbasi edhe sikur t’ishte m-ja jo nji parasit, por etymologjike, grupi mp- âsht transformuem në mb- sikur nt në nd. bár = bar: arsyen e gjên në nji shënim te shkrimet qi ju kam dërguem për rivistën.
mbassi = mbasi: kurrë s’qas fonetik’e shqipes bashkzânore të dumzueme veçse ndër disa rasa të pakta zgjedhimi e lakimi. Etymologjisht âsht, po, mbas + si; por kudo qi etymologjija bie ndesh me fonetikën duhet të ndjekin këtê të fundit. gadi (Shkod.) = gati. mos të gjet gjâ e ligë = mos të gjettë.
viq = viç ( në qoftë se ky âsht kuptimi te frasa “me ndukë bar viqash”. thonka = thânka: dihet se kjo mënyrë e verbit t’onë përbâhet prej participit e presentit të verbit pasun; kështu qi thân(ë)ka = ka thânë.
sod e ksaj dite! Kisha me i falë gjithë ç’të më ketë falë Zoti mue me mujt’e me m’a provuem kush se kjo frasë, kaqë fort e përdorun sod ndër shkrime, gjindet kund në gojë të popullit ase ndër shkrime të lashta.
Te na thonë “atë ditë e sod”, qi don me thânë prej asaj dite e deri sod edhe sod; ase “sod e atë ditë” po me këtë kuptim. Kurse “sod e ksaj dite” s’e kam ndëgjuem kurrë e nuk m’a mbush mênden. çarr = qarr. kurr = kurrë.
në heshtjen mâ të madhe: “heshtja mâ e madhe” âsht komparative; për superlative duhet “heshtja mâ e madhja”, “në heshtjen mâ të madhen”. në mênd = ndër mênd. vshtirë = vësh-. n’atë zheg dite: do të jetë sigurisht nji frasë e popullit; por s’ka as logjikë as shije fort.
E tash, Martin, mbas gjithë ksaj kërkese qimesh mbi voet, besomë se më ka kënaqun mu shpirtin kjo prosë përnjimend shqipe prej pêndës s’ate. Por mos e le me kaqë.Qërtimet, të lutem, m’i merr thjesht për qërtime atnore e vetëm pse të çëmoj e të due.
I yti Mustafa
Romë, 18 /II/ 1958
Fort i dashuni Mustafë,
Tash mora letrën Tuej dhe po Iu përgjegjem menjiherë. Jam kenë marak si nuk Iu përgjegja deri tash letrës Suej. Posë punës rreth revistës që po na del për hundësh
Prof. Koliqit dhe mue, unë pregadis dhe nji speçjalizim n’Universitet që do të mbarojë me mprojtjen e nji teze filologjike. Kryeneçsisht punoj prap mbi Buzukun. Drejtimi i studimeve mbi ket auktor që ndiqet prej Çabejt etj. nuk më mbushet mendja se asht i drejtë. Interesimi i em tash për tash asht eskluzivisht mbi grafin.
Tash po Iu dërgoj dhe nji studim temin botue prej Bariqit që më pat drejtue në këto probleme. Po më tokon mirë që mos të humbi kohë sa të rrij tue pritë emigrimin për Amerikë, që do të shkojë pak gjatë për arsye t’operacjonit të Ninës, që tash asht mjaft mirë.
Gencit* i shkruej rregullisht dhe prej të gjithë shokëve të mij që kam pasë deri në sod asht mâ i dashtuni. Na kanë afrue disa momente në jetë dhe nji afinitet karakteri ndoshta. Qëllimi kryesuer asht të mbrrijë atje dhe të fillojmë ndoj aktivitet për sigurimin e jetës pse vjetët kalojnë.
Punën që më porositët do ta kryej sa ma parë: nuk besoj se ka nevojë përmirsimi përkthimi i Juej, mbas çka pashë në të parin shikim, por sidoqoftë do ta shikoj me vemendje. Prof. Koliqi asht jashta Rome dhe në këto dit kthen. Më tha se do t’Iu shkruente. Artikulli i Juej asht në shtyp. Përfundoj tue Iu përqafue për së largu. I Juej Mar Të fala shumë Angjeles si nga Nina ashtu nga unë
Roma, 21 /X/ 1957
Fort i dashuni Z. Mustafë,
Mora dorëshkrimin Tuej mbi parathanjen e Frangut të Bardhë. E kam lexue dhe studjue me vemendje: ndër këto nota shifet se sa e njifni Ju gjuhën shqipe. E kemi dërgue në shtyp pse revista do të dali kah fillimi i muejit t’ardhshëm. Kam bisedue me Prof. Koliqin që të botojmë dhe nji faqe të parathanjes origjinale, natyrisht të fotografueme. Jemi shum keq me të holla, por do të bâjmë ç’mos që ta plotsojmë dhe nga kjo anë këtë artikull.
Mbasi SHEJZAT dalin 64 faqesh po e botojmë krejt. Ishalla, na ndihmon Zoti e nuk do të ndalet ky aktivitet i nisun për shkak të pares. Revista asht pëlqye dhe në Kosovë prej shum kuj dhe nji profesor më shkruen se kësi aktiviteti lypin prej nesh. Kam dërgue vetëm tri copë, por duket se janë tue shëtitë dorë në dorë si zakonisht çdo vepër interesante.
Si do ta keni pa dhe prej Boletinit të Shkencave të Tiranës dhe prej disa botimeve të Shqiptarëve në Jugosllavi, asht ngjallë nji interesim i madh për dokumentat e vjetër të shqipes ndër të rijt e soçëm. Më vjen mirë prandej që po del në dritë kapak kapak, mâ vonë shpresojmë dhe tansisht, vepra e Juej mbi Frangun e Bardhë.
Si Nina si unë jemi mirë, megjithse me halle ekonomike. Po vijoj specjalizimin tem në filologjin shqipe. Merrem gjithnji me grafin e shkrimtarëve të vjetër mbas drejtimit të dhanun nga Bariqi i shkretë. Qëllimi i em asht të mbrrij atje, por ndërkaq s’due ta humbi kohën nësa po pres.
Kjo pritje do të zgjasi pak mâ tepër për arsye të operacjonit ase smundjes së grues. Jemi tue u përpjekë të hapim dhe nji kopisteri të vogël private, kështu që të dy të kemi dhe nji zanatë me jetue dhe atje. Nina gjuhën anglishte e din mjaft mirë pse e ka nxanë dhe n’Universitet, por dhe unë jam tue ia gjetë shtekun që herë mbas here të mësoj diçka në tê.
Prof. Koliqi më tha se do t’u shkruej sa të shlirohet pak prej punëve mâ të ngutshme që ka për dore. Me kaq kësaj herë po i nap fund tue Ju urue shëndet e punë të mbara; shum të fala dhe Motrës Suej Angjeles dhe djalit.
I Jueji
Martini
Shumë të fala e nderime Ju dhe Angjeles
Nina Camaj
Ne Foto:Mustafa Kruja me familjen