• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mustafa Kruja mbeti shqiptar,nuk u bë kurrë fashist

February 23, 2015 by dgreca

Nga Ilir ikonomi*/
Vlera e fjalëve të një publicisti, studiuesi a politikani matet me jetëgjatësinë e kumtit që ato përcjellin dhe, në këtë kuptim, autori i librit që keni në duar e ka kaluar me sukses provën e kohës.
Ai është Mustafa Merlika – Kruja, njëri ndër njerëzit që nënshkruan pavarësinë në Vlorë më 28 nëntor 1912. Ky akt i vetëm e kualifikon atë për të hyrë në histori.
Por historia shqiptare e njeh Merlikën edhe për shumë vepra të tjera. Ai ka qenë një gjuhëtar i dorës së parë, një studiues i hollë e i lëvruar i shqipes. Ka kryer studime me vlerë për historinë e Shqipërisë dhe na ka lënë përkthime prej mjeshtri. Ky libër është kryesisht një përmbledhje e mendimit të tij si polemist dhe politikan.
Pas pavarësisë, jeta e Mustafa Krujës vërtitet mes luftës, arrestimeve, mërgimit, rikthimit dhe përsëri ikjes. Çdo njeri që i provon këto duhet të ketë një mendje të shëndoshë e sidomos një karakter të fortë për të mos u ligshtuar. Mbi të gjitha duhet të jetë patriot me zemër.
Për hir të këtij patriotizmi Mustafa Merlika u tregoi shqiptarëve të vërtetën, edhe kur ajo nuk ishte fort e ëmbël. U foli për dobësinë e tyre kryesore, dasitë dhe përçarjet që ua errësojnë pamjen. I këshilloi se “para se me u zânë për karrika e zyra të Shtetit, duhet t’a bâjmë Shtetin,” fjalë me vend edhe sot e kësaj dite.
Në fund të vitit 1941, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga fashizmi, Mustafa Kruja pranoi postin e kryeministrit. Mund të debatojmë sa të duam nëse ky ishte një gabim apo një veprim i mençur në atë kohë kur nuk kishte zgjedhja të lehta. Por, gjatë pak më shumë se një viti në krye të qeverisë, ai tregoi me vepra se, në mendimin e tij, ideologjitë nuk ishin veçse sende kalimtare dhe se atdheu ishte rrapi madhështor që i pështillte të gjitha nën hijen e vet.
Merlika nuk u bë ndonjëherë fashist. Ai mbeti shqiptar, po të gjykojmë nga fryma e shkrimeve dhe fjalimeve të tij.
Në nëntor 1942, duke folur në Tiranë përpara një audience ku nuk mungonin zyrtarë të lartë italianë, ai tha: “Nuk e fshehim se zêmra kishte me na dëshirue nji Shqipní krejt të pavarun, pa asnji lidhje të përhershme me kurrkênd, sidomos pa asnji lidhje t’imponueme.” Qartazi, Merlika e kishte fjalën për lidhjen me Italinë.

Viti 1942 ishte kohë lufte. Ishte edhe një kohë kur komunizmi kishte filluar të shihej nga një pjesë si ilaçi çudibërës që do të zgjidhte të këqiat e botës. Këtë iluzion të kuq e përqafuan qindra mijëra njerëz në Evropë, të cilët ose nuk i dinin ose i mbyllnin sytë përpara krimeve që bëheshin brenda gulagut të madh sovjetik.
Prandaj, është meritë për ata intelektualë në Shqipërinë e vogël, që jo vetëm nuk u infektuan, por u përpoqën të gjejnë mënyra për t’i dalë përpara rrezikut. “Shihni në ksulat e çetnikvet të këtyne idealistave palaço shqipen dykrenare me nji hyll të kuq në mest. E kanë bâ gati edhe flamurin e asaj republike të kuqe,” tha Merlika në të njëjtin fjalim të vitit 1942. Parashikimi ishte i saktë. Madje, republika e kuqe në Shqipëri rezultoi më e egra e Evropës Lindore.
Gjatë disa dekadave diktaturë, ata që u hodhën në anën e komunizmit u përpoqën të tregojnë se zgjedhja e tyre ishte më e mira. Për ta, Merlika ishte thjesht një “kolaboracionist” dhe “tradhtar”. Shkrimet e tij u ndaluan, vepra e tij kryesore, Fjalori kritik i gjuhës shqipe, nuk u përmend në publik. Nxënësve të shkollave nuk u thuhej kurrë që Merlika ishte ndër firmëtarët e pavarësisë në Vlorë, sepse përndryshe ata mund të pyesnin: Si ndodhka që dikush i cili firmosi pavarësinë të quhet tradhtar?
Mërgimi nuk iu nda Mustafa Merlikës deri sa ai vdiq më 27 dhjetor 1958 në Niagara Falls të Shteteve të Bashkuara. Deri atë ditë të mbrame ai nuk rreshti së shkruari, shkëmbeu letra të panumërta me miqtë dhe solli prova të tjera se komunizmi nuk mund të ishte e ardhmja e Shqipërisë, as e ardhmja e botës, por thjesht një sistem që nuk funksionon. Në të gjitha këto shkrime ndihet zemra e Merlikës si atdhetar, rebel, polemist dhe dijetar. Çdo studiues i ndershëm instinktivisht priret të pijë ujë te burimi sa herë që etja i kërkon të hulumtojë mbi të kaluarën. Shkrimet e Mustafa Merlika – Krujës janë një i tillë burim.
* Kjo eshte parathenia e librit“Gjysmë shekulli me pendë në dorë”, botim i shtëpisë botuese Omsca-1”. Ne kete liber përmblidhet gjithë publicistika e shkruar në vite nga Mustfa Merlika Kruja.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ilir Ikonomi, mbeti shqiptar, Mustafa Kruja, nuk u bë kurrë fashist

Kur Mustafa Kruja i shkruante Martin Camajt

August 8, 2013 by dgreca

Një pjesë te letërkëmbimit mes Mustafa Krujës dhe Martin Camajt,  lidhur me revistën “Shejzat” ku Camaj punonte dhe Kruja botonte./


Konsideratë dhe respekt të përulur mes dy intelektualëve. Letra e 30 tetorit është e fundit, mbasi më 27 dhjetor Mustafa Kruja ndahet nga kjo jetë. Të vetmet letra të arkivit të familjes./

“Nuk të vjen keq prej kritikës së nji plaku pedant po t’i bâj shqipes s’ate.”/

Niagara Falls, 11 fruer 1958

Fort i dashuni Martin,

Më ra në dorë sod blêni 4-5 i Shêjzavet edhe mâ së pari këndova artikullin t’ând. Tue besuem se nuk të vjen keq prej kritikës së nji plaku pedant, po t’i bâj shqipes s’ate ndërmjet nesh qërtimet qi vijojnë:
… në buzë lumit = në buzë të lumit = buzë lumit.

Shnjergj = Shën Gjergj. Kështu në rasët ku e ke përmêndun ti, ku flitet për Shint (shênjt, shêjt); ndërsa po të jetë emën vêndi, edhe mâ mirë besoj me e shkruem sikur e shqipton vêndi, pra Shnjergj, Shnjin, Shijak et.
nepër = nëpër.
rrëmye = rrëmb-: kështu krejt juga me të drejtë etymologjike, sepse, në mos u rrêjsha, vjen prej lat. rapere.

gjâjës = gjâsë, si e shkruej un sod, e gjâs, si e kam pasë shkruem edhe un dikur e si e shkrueni ju, dmth. me theks e jo me -ë.
nuk rrezikonte e me… = nuk rrezikonte me…
nepër at kalim të ngushtë = shtek, shkallë, rrugicë të ngushtë, ngushticë.
”me qenë” = qênë; por ata qenë.

që = qi: qyshse ka folë shqip Shqiptari e dersa ka për të folë shqip Gega ka thânë e ka për të thânë QI e kurrë që! E kurrë s’i ka ramë ndër mênd nânës, motrës e bijës së Gegës qi kjo rroke e shkurtën mundet me u përziem ndër trutë e kuj me nji rroke të gjatë me këto dý shkrola.

Këtë trazim e krijuen profesorët komunista si A. Xhuvani me shokë krejt nergut për t’ua kujtuem të rijve e të rejave, për t’i çfisnuem e çuem në rrugën e tyne. Të gjitha gjuhët e botës janë plot me fjalë qi njeriu, kur âsht i poshtër si ata profesorë, mundet me i marrë vesht keq. Populli thotë pa kurrfarë të keqi, gra e burra, “kush i rrin pemës në bythët, ai ia han koqet.”; nji koqe mollë, vezë et. et. (Juga e Shqipnij’e mesme).

Shkodranit, qi me këtë kuptim përdor vetëm fjalën kokërr e koqes ia ka kufizuem kuptimet vetëm në nji, sigurisht i tingullon keq e prandej âsht gjâ e arsyeshme me e marrë para sŷshë këtë pikë; por për fjalët si “qi”, të cilat janë të përgjithëshme, janë sakrilegja ndryshimet e sendërgjueme.

Sumë âsht synonym me bythë, e me atê të vërtetën; me gjithë këtê, askuj nga katundarët e katundit qi ka kët’emën s’i ka shkuem mêndja kurrë qi i duhej ndërruem emni katundit të vet. Gjithashtu as familjes Suma në Shkodër jo.

Tekembramja, po shtoj edhe se për gegnishten e epër, ë-ja s’do të kishte gjetun vênd aspak n’alfabetin t’onë, pse atje nuk ndihet n’asnji fjalë. Gjithku ka qênë etymologjikisht si shênj i nji zânoreje tjetër, âsht kthye mbasandej n’e, por mâ të shumtën n’i, ase â zhdukun krejt.

fluturìm = pa theks, për të cillin s’ka fé nevoje. Gjithashtu te smirzì. Më duket se ky theks askund s’ka nevojë me u përdorë në shqipet.
njanin = njânin.

vehte: nga tri format qi kemi, vete – vehte – vetëhe më duket mâ e arsyeshme e para, mbasi kemi edhe vetë e vetëm qi nuk i bâjmë veh- e s’mund të bâhen vetëh.
thanë = thânë: e dij se edhe këtê e ke dhuratë nga profesorët, qi pretendojshin se vetë n-ja ase m-ja ia nep tingullin hunduer zânores qi i prîn, prandej s’ka nevojë për theks. Kemi plot shêmbuj qi e përgënjeshtrojnë këtë thesë. Pra edhe shkâmb e jo shkamb, dâm et. et.

dij: të lumtë dora! Ishalla edhe Ernestit do t’i mbushet mêndja nji ditë se diej âsht gabim nga çdo pikpamje.

Beka? Po atëherë Bekë, pra, a jo? E Bekë Tushi, jo Bek Tushi. Orthografija e nji fjale nuk mundet me qênë fonetike në çdo rasë e vênd. Thomi Bekë – Beka, Gjokë – Gjoka, Dedë – Deda, Bibë – Biba et. Pra âsht gabim gjithë ditën mbasandej me e shkruem Bek…- Gjok…- Ded.. e Bib…

Të marrim për shêmbull edhe fjalë qi s’janë emna veçorë: pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nândë, dhetë; e mbrapa, vetëm pse e shqiptojmë të shkurtën tue folë, duhet t’a shkruejmë pes burra, gjasht zogj, shtat pula, tet gjela et.?
mandej = mbandej (mbasandej); si pastaj (pasandaj)
bertitte = bër-.
herë mba herë = … mbas here.

mos ta freskojshin = ….t’a….: a shkruen edhe ” mos ti thojshin?”. Po bâjmë këtu nji ushtrim gramatike elementare: ai do të më shohë e të më thotë; të na shohë e të na thotë; të ju shohë e të ju thotë; t’i shohë e t’u thotë: kjo âsht rregulla e ime.

Të shohim tash atê të Xhuvanit me shokë: ata shkruejnë të më (pra jo ngjitas tëmë), të të (jo tëtë); por ta ( pra kështu bashkë e jo veças si tjerat!) e ti (kështu apo t’i?) thotë, të na (jo tëna), të ju e t’u (apo tu), t’i (apo ti?) e t’u (apo tu?).

Po i sheh kontradikcjonet xhuvanore. E në qoftë se Xhuvani do të thonte se të bashkohet vetëm me zânoret e jo edhe me bashkzânoret, bukurí, atbotë pra jo vetëm ta shoh, por edhe ti them e tu them! Apo si e ka profesor’i ynë atë rregull të shkretë?!
shum = shumë.

n’at anë e në këtë anë të lumit: shumë mirë. Por atëherë, si e kam shënuem edhe mâ nalt, edhe në buzë të lumit ase buzë (prepositë) lumit. Po më pëlqen këtë (adj. demons.), se kështu e shkruej edhe un; por para emnit qi fillon me zânore duhet apostrofuem kët’anë. Këtë libër, kët’arë, këtê e due un.

Por edhe atë libër, at’arë, atê merre ti. Athue nuk duhen trajtue si njâna tjetra atë e këtë, atê e këtê.
kadalë = ngadalë, dalkadalë = dalngadalë, kadalekadalë = ngadalengadalë; por mâ e âmbël e dyta kisha me thânë.
pranverë = prendverë.

për fund të tyne = përfund (prep.) tyne.
me iau …! Ç’âsht ky iau? Nji formë e keqe, trashamane, djalektore e gabueme. Me m’a – t’a – ia (i a, ja) – na e (na a) – ju a (jau) – ua (u a , va). Po e sheh vetë gabimin dy fijsh te jau e tre fijsh te iau: âsht personë e dytë plurale përdorun për të tretën; metathesë jau për jua; iau për jau.
ngrrye = gërrye; n- âsht nji parasite qi kujtoj se s’ka gjetun vênd fort as ndër fjalorë. Të kshilloj përgjithsisht qi tingullin rr t’a përdorish kudo vetëm ndërmjet zânoresh para e mrapa, se ndryshe, tue qênë i vështirë shqiptimi, mbaron në r.
sot = sod. A thue mbas sodi a mbas soti? E kam rrah këtë problemë ke ABETARI I TË MËRGUEMIT,f.52; por gabimisht tue folë vetëm për pesë parë bashkzânore e tue lânë jashtë… edhe nj’aqë: c – x, ç – xh, gj – q, s – z, sh – zh.
memzi (kr. simvjet), si formë shkodrane âsht e drejtë (por jo me mëzi, as në djalekt); veçse etymologjisht kanë mâ të drejtë tjerët qi thonë mezi (me + zi) ase (me + të zi).
pështue, nji tjetër formë djalektore për shpëtue.
mbrrîmë = mbë-
mprojshin = pr-: mp- âsht nji orthografí antifonetike, mbasi edhe sikur t’ishte m-ja jo nji parasit, por etymologjike, grupi mp- âsht transformuem në mb- sikur nt në nd.
bár = bar: arsyen e gjên në nji shënim te shkrimet qi ju kam dërguem për rivistën.

mbassi = mbasi: kurrë s’qas fonetik’e shqipes bashkzânore të dumzueme veçse ndër disa rasa të pakta zgjedhimi e lakimi. Etymologjisht âsht, po, mbas + si; por kudo qi etymologjija bie ndesh me fonetikën duhet të ndjekin këtê të fundit.
gadi (Shkod.) = gati.
mos të gjet gjâ e ligë = mos të gjettë.

viq = viç ( në qoftë se ky âsht kuptimi te frasa “me ndukë bar viqash”.
thonka = thânka: dihet se kjo mënyrë e verbit t’onë përbâhet prej participit e presentit të verbit pasun; kështu qi thân(ë)ka = ka thânë.

sod e ksaj dite! Kisha me i falë gjithë ç’të më ketë falë Zoti mue me mujt’e me m’a provuem kush se kjo frasë, kaqë fort e përdorun sod ndër shkrime, gjindet kund në gojë të popullit ase ndër shkrime të lashta.

Te na thonë “atë ditë e sod”, qi don me thânë prej asaj dite e deri sod edhe sod; ase “sod e atë ditë” po me këtë kuptim. Kurse “sod e ksaj dite” s’e kam ndëgjuem kurrë e nuk m’a mbush mênden.
çarr = qarr.
kurr = kurrë.

në heshtjen mâ të madhe: “heshtja mâ e madhe” âsht komparative; për superlative duhet “heshtja mâ e madhja”, “në heshtjen mâ të madhen”.
në mênd = ndër mênd.
vshtirë = vësh-.
n’atë zheg dite: do të jetë sigurisht nji frasë e popullit; por s’ka as logjikë as shije fort.

E tash, Martin, mbas gjithë ksaj kërkese qimesh mbi voet, besomë se më ka kënaqun mu shpirtin kjo prosë përnjimend shqipe prej pêndës s’ate. Por mos e le me kaqë.Qërtimet, të lutem, m’i merr thjesht për qërtime atnore e vetëm pse të çëmoj e të due.

I yti Mustafa

Romë, 18 /II/ 1958

Fort i dashuni Mustafë,

Tash mora letrën Tuej dhe po Iu përgjegjem menjiherë. Jam kenë marak si nuk Iu përgjegja deri tash letrës Suej. Posë punës rreth revistës që po na del për hundësh

Prof. Koliqit dhe mue, unë pregadis dhe nji speçjalizim n’Universitet që do të mbarojë me mprojtjen e nji teze filologjike. Kryeneçsisht punoj prap mbi Buzukun. Drejtimi i studimeve mbi ket auktor që ndiqet prej Çabejt etj. nuk më mbushet mendja se asht i drejtë. Interesimi i em tash për tash asht eskluzivisht mbi grafin.

Tash po Iu dërgoj dhe nji studim temin botue prej Bariqit që më pat drejtue në këto probleme. Po më tokon mirë që mos të humbi kohë sa të rrij tue pritë emigrimin për Amerikë, që do të shkojë pak gjatë për arsye t’operacjonit të Ninës, që tash asht mjaft mirë.

Gencit* i shkruej rregullisht dhe prej të gjithë shokëve të mij që kam pasë deri në sod asht mâ i dashtuni. Na kanë afrue disa momente në jetë dhe nji afinitet karakteri ndoshta. Qëllimi kryesuer asht të mbrrijë atje dhe të fillojmë ndoj aktivitet për sigurimin e jetës pse vjetët kalojnë.

Punën që më porositët do ta kryej sa ma parë: nuk besoj se ka nevojë përmirsimi përkthimi i Juej, mbas çka pashë në të parin shikim, por sidoqoftë do ta shikoj me vemendje. Prof. Koliqi asht jashta Rome dhe në këto dit kthen. Më tha se do t’Iu shkruente. Artikulli i Juej asht në shtyp.

Përfundoj tue Iu përqafue për së largu.

I Juej Mar
Të fala shumë Angjeles si nga Nina ashtu nga unë

Roma, 21 /X/ 1957

Fort i dashuni Z. Mustafë,

Mora dorëshkrimin Tuej mbi parathanjen e Frangut të Bardhë. E kam lexue dhe studjue me vemendje: ndër këto nota shifet se sa e njifni Ju gjuhën shqipe. E kemi dërgue në shtyp pse revista do të dali kah fillimi i muejit t’ardhshëm. Kam bisedue me Prof. Koliqin që të botojmë dhe nji faqe të parathanjes origjinale, natyrisht të fotografueme. Jemi shum keq me të holla, por do të bâjmë ç’mos që ta plotsojmë dhe nga kjo anë këtë artikull.

Mbasi SHEJZAT dalin 64 faqesh po e botojmë krejt. Ishalla, na ndihmon Zoti e nuk do të ndalet ky aktivitet i nisun për shkak të pares. Revista asht pëlqye dhe në Kosovë prej shum kuj dhe nji profesor më shkruen se kësi aktiviteti lypin prej nesh. Kam dërgue vetëm tri copë, por duket se janë tue shëtitë dorë në dorë si zakonisht çdo vepër interesante.

Si do ta keni pa dhe prej Boletinit të Shkencave të Tiranës dhe prej disa botimeve të Shqiptarëve në Jugosllavi, asht ngjallë nji interesim i madh për dokumentat e vjetër të shqipes ndër të rijt e soçëm. Më vjen mirë prandej që po del në dritë kapak kapak, mâ vonë shpresojmë dhe tansisht, vepra e Juej mbi Frangun e Bardhë.

Si Nina si unë jemi mirë, megjithse me halle ekonomike. Po vijoj specjalizimin tem në filologjin shqipe. Merrem gjithnji me grafin e shkrimtarëve të vjetër mbas drejtimit të dhanun nga Bariqi i shkretë. Qëllimi i em asht të mbrrij atje, por ndërkaq s’due ta humbi kohën nësa po pres.

Kjo pritje do të zgjasi pak mâ tepër për arsye të operacjonit ase smundjes së grues. Jemi tue u përpjekë të hapim dhe nji kopisteri të vogël private, kështu që të dy të kemi dhe nji zanatë me jetue dhe atje. Nina gjuhën anglishte e din mjaft mirë pse e ka nxanë dhe n’Universitet, por dhe unë jam tue ia gjetë shtekun që herë mbas here të mësoj diçka në tê.

Prof. Koliqi më tha se do t’u shkruej sa të shlirohet pak prej punëve mâ të ngutshme që ka për dore. Me kaq kësaj herë po i nap fund tue Ju urue shëndet e punë të mbara; shum të fala dhe Motrës Suej Angjeles dhe djalit.

I Jueji

Martini

Shumë të fala e nderime Ju dhe Angjeles

Nina Camaj

Ne Foto:Mustafa Kruja me familjen

Filed Under: Kulture Tagged With: Leterkembim, Martin Camaj, Mustafa Kruja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • Shqipëria në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
  • NJË VEPËR ESESH DINAMIKE
  • Në 25 vjetorin e rënies, përkujtojmë heroin Fehmi Lladrovci, ideologun dhe strategun e UÇK-së
  • Atje ku viti i ri  që po vjen nuk do të jetë 2024
  • SHËNIME NGA LUFTA E KOPLIKUT 1920
  • Narcisi i shekullit të 21-të
  • IL PICCOLO DI TRIESTE (1913) / E VËRTETA E KËRKESAVA TË ESAD PASHËS NDAJ ISMAIL QEMALIT — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME DERVISH HIMËN, TË BESUARIN E ESADIT
  • Faik Konica, shqiptari i ditur, reagues kurajoz dhe polemisti i ashpër
  • SOT NË ORËN 6 PM KRYETARI I KOMUNËS SË PRISHTINËS Z.PËRPARIM RAMA VIZITON VATRËN
  • Observing The World In Real-Time Data Works for Everyone
  • Presidentja Osmani në drekën tradicionale të përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell me krerët e Ballkanit Perëndimor
  • Nga non-paper i Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë tek oferta për heqjen e asteriksit!
  • DIELLI ME SHQIPTARËT  NË AUSTRALI, GRUPI FOLKLORIK “NANË TEREZA”, TRASHËGIMI KULTURORE SHQIPTARE NË ADELAIDE TË AUSTRALISË
  • MË 21 SHTATOR 2023, ISH-PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z.BEHGJET PACOLLI VIZITON VATRËN
  • Fotoreportazh nga promovimi i tre librave (ribotim) të PhD.Dashnim HEBIBI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT