• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PO MË SOSET DURIMI…

July 24, 2020 by dgreca

• Me rastin e 95- vjetorit të lindjes së Martin Camajt/

Nga Frank Shkreli-Nuk e them këtë si një kërcënim ndaj vetes time dhe as ndokujt tjetër, por është një shprehje personale zemërimi dhe hidhërimi që del nga zemra, ndaj një gjëndjeje politike, kulturore dhe shoqërore të shqiptarëve sot, tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit. Sikurë lufta civile e 75 viteve më parë nuk ka marrë ende fund midis shqiptarëve. Armiqtë e asaj lufte, an; e mban; Evrop;s, të gjithë kanë renë në paqë, por jo shqiptarët me njëri tjetrin. Madje Shqipëria ka shpallur aleatë staregjikë ish-okupatorët, gjermanët dhe italianët, ndër të tjerë, por kurrë për jetë të jetës, nuk falen shqiptarët që ishin kundërshtarë të Enver Hoxhës dhe kundërshtarë të regjimit të tij komunist që u instalua me dhunë, me ndihmën e serbo-malazezëve në Shqipëri.

Vetëm zhgënjime nga të gjitha anët. Në fushën politike, po se po, por edhe në fushën e kulturës dhe të mbrojtjes së interesave dhe identitetit kombëtar, si nga politika ashtu edhe nga entet e tjera shtetërore, përgjegjëse për ruajtjen dhe kultivimin e kulturës, gjuhës, identitetit dhe historisë kombëtare në përgjithësi. Ndonëse shqiptarët kurrë më parë nuk kanë pasur më shumë liri e të drejta se sot, shumë vërejtës thonë se punët s’kanë si shkojnë më keq, në shumë sfera të jetës, përfshir fushën kulturore në Shqipëri, Kosovë dhe kudo tjetër, anë e mbanë trojeve shqiptare në Balkkanin Përendimor. Zhgënjimet janë shumë për tu numëruar, por gjithkush i di ato se shqiptarët i shohin dhe i përjetojnë çdo ditë, ndërkohë që durimi i shqiptarëve ndaj këtyre dukurive negative po shterret. Jemi mësuar me zhgënjimet e klasës politike shqiptare në dy shtetet shqiptare gjatë 30-viteve të fundit, e që kryesisht rrjedhin nga konfliktet personale dhe partiake midis tyre. Por, duket sikur e mbarë shoqëria shqiptare po përjeton një atmosferë të përhershme konfliktesh, përfshirë edhe jetën kulturore dhe sulmet ndaj personaliteteve të kulturës shqiptare, të gjallë e të vdekur. Megjithëse nuk duhej të ekzistonte ndonjë arsye legjitime për konflikte e mosmarrveshje në fushën e kulturës, pasi ajo është diçka që të gjithë shqiptarët do të duhej të identifikoheshin me të, si dhe me personat që kanë zhvilluar atë kulturë gjatë shekujve, ka të tjerë të cilët duan të trillojnë akuza për të sulmuar personalitete të caktuara, “andej kufijve të botës njerëzore”, do të thoshte Martin Camaj. Jo pajtimin, por konfliktin e ka si oksigjen shqiptari, pa të cilin nuk jetohet.

Në këtë 95-vjetor të lindjes së shkrimtarit dhe poetit Martin Camaj, (21 Korrik, 1925) nuk mund të mos përmendi edhe njëherë, pa dashur të ringjalli rishtas debatin, pasi nuk ia vlen, mbi, “studimin” e shëmtuar të Auron Tares, botuar kohët e fundit në portalin “Peisazhet e Fjalës”, në Nju Jork. Kësaj rradhe unë nuk dua të merrem me atë “studim”, pasi i kam thënë dy tre fjalë, modestësisht, në debatin që pasoi botimin — me mundësitë e mia të kufizuara. Por, falenderës Zotit, studiues dhe personalitete të pendës dhe të kulturës shqiptare — shumë më të aftë se unë dhe me një gjykim dhe vlerësim shumë më objektiv dhe më të balancuar se autori dhe botuesi i “studimit” mbi “poliagjentët” Ernest Koliqin dhe Martin Camajn — e kanë thënë fjalën e vet me atë rast.

Të gjithë ne i kemi, jo vetëm të metat tona si njerëz të kësaj bote, por kemi edhe mëkatët tona, për ata që mund të bëjnë dallimin midis të mirës dhe të keqës. Edhe Ernest Koliqi dhe Martin Camaj i kishin të metat e veta, për të cilat ata kanë folur dhe shkruar vet,publikisht dhe haptas, kur ishin gjallë. Fatkeqësisht, në botën shqiptare, e keqja ka dominuar gjithmonë mbi të mirën. Kjo është e qartë edhe sot!

Unë asnjëherë nuk kam venë në dyshim të drejtën e kujdo për të folur e shkruar lirisht, përfshirë edhe autorin dhe botuesin e “studimit” në fjalë, që të botojnë kritika ndaj këtyre dy kolosëve të letrave shqiptare. Do të ishte një hipokrizi nga ana t’i mohoj dikujt lirinë e fjalës, pasi gjithë jetën time profesionale e kam kaluar në mbrojtje të fjalës së lirë, për të gjithë njerëzit, pa dallim dhe kudo. Në fund të fundit, kjo na dallon ne që jetojmë në botën e lirë, ashtu siç dalloheshin, në kohën e tyre, edhe Koliqi e Camaj, si mbrojtës të lirisë së fjalës, në krahasim me ish-regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe me nostalgjikët e tij sot. Një regjim i cili mbronte lirinë e fjalës për veten, por ua mohonte atë drejtë të gjithë tjerëve, duke ndëshkuar rëndë, deri me vdekje, të gjithë ata që përpiqeshin të ushtronin këtë të drejtë hyjnore, si një liri themelore e njeriut.

Ata që më njohin mirë, e dinë se nuk jam as arrogant as nuk përpiqem të ofendoj asnjë njeri me qëllim, përfshir edhe ata me të cilët nuk kam asgjë të përbashkët. Disa, madje mund të thonë se jam tepër i kujdesshëm për të mos ofenduar njeri, përfshir edhe ata që mund ta meritojnë një gjë të tillë. Të tjerët, me të cilët kam bashkpunuar gjatë gjithë jetës, mund të thonë sa i durueshëm jam.
Por edhe të durueshmit si unë, e humbasin nganjëherë durimin, sidomos përball mos tolerancës dhe provokimeve qëllim-këqia. Por, unë nuk dëshiroj që humbja e durimit të këthehet, eventualisht, në negativitet as urrejtje, sepse atëherë kam humbur veten dhe identitetin tim. Por, më duket se kam arritur në një pikë ku shoh në vetvete shënja mos-durimi, që siç është shprehur me një rast, aktorja e Holivudit, Merill Streep, “Nuk kam më dëshirë të humb as edhe një minutë të vetme me gënjeshtarët dhe manipulatorët” e së vërtetës, me shpifjet, pandershmërinë dhe sulmet në baza ideologjike kundër njerëzve të mirë, ndërsa anashkalojnë dhe mohojnë me qëllim meritat e personaliteteve të njohura dhe kontribues të interesave, kulturës dhe historisë së Kombit shqiptare, siç janë Martin Camaj dhe Ernest Koliqi. Për më tepër, gjithashtu, “Nuk dua t’i toleroj të diturit selektivë, as akademikët arrogantë,” ka thënë aktorja amerikane. “Unë s’mund t’u përshtatem as përgojimeve”, është shprehur aktorja Streep. Fjalë të urta nga një aktore e Holivudit – që, fatkeqësisht, tingëllojnë aq aktuale për atmosferën dhe diskursin real politik e kulturor edhe sot midis shqiptarëve, në të gjitha fushat e komunikimit dhe të jetës politike dhe kulturore.

Megjithëse unë e titullova këtë shkrim, “Po më soset durimi”, në kujtim të 75-vjetorit të lindjes së Martin Camaj, unë refuzoj të humb durimin, por refuoj të ruaj edhe shpresën se gjërat do bëhen më mirë. Sepse besoj se çdo person, qoftë edhe ai më i keqi dhe më i djallëzuari, posedon diçka pozitive në veten e vet dhe si rrjedhim edhe çdo person do duhej të shikonte diçka pozitive në të tjerët. Dhe së dyti, së bashku me Martin Camajn, unë nuk pranoj të humb as krenarinë e malësorit që e kemi të përbashkët me Martin Camajn, i cili rrjedh nga malet tona të veriut të Shqipërisë – as të heqim dorë nga krenaria që kemi për identitetin tonë dhe për atë copë tokë që e quajmë Shqipëri, megjithëse për 50-vjet na e kishte mbyllur derën. Por, mbi të gjitha, së bashku me Martin Camajn, në këtë përvjetor të ditëlindjes së tij, refuzoj të humbas shpresën time për një Shqipëri më të mirë e më të bashkuar duke thekësuar edhe shpresën që kishte ky shkrimtar e poet, ky malësor bujar dhe evropian erudit, për afrimin e shqiptarëve me njëri tjetrin, pa marrë parasysh dallimet politike dhe të tjera. “Ju jeni të mijtë dhe unë jam i juaji”, u ishte drejtuar ai të gjithë shqiptarëve pa dallim në një mesazh, një ditë a dy para se të ndahej nga kjo jetë.

https://telegraf.al/opinion/martin-camaj-malesori-bujar-dhe-evropiani-erudit/

Unë nuk humb shpresën kurrë për asgjë, e sidomos për ditë më të mira për shqiptarët, pa marrë parsyshë dallimet që shkaktojnë konflikte midis tyre, si pasojë e komunizmit gjysëm shekullor, ku kundërshtari duhej të zhdukej ose të baltosej me çdo mjet e kusht. Sepse besoj dhe shpresoj, siç besonte edhe Camaj, se shqiptarët, më në fund, do të dëgjojnë kushtrimin jo luftarak, por paqësor dhe jo hakmarrës të tij –“Avitu Njeri – Afrohuni Shqiptarë”, një thirrje kjo –“plot shpirtbardhsi dhe flakë dashunije vëllaznore”, siç e ka cilësuar këtë apel të Camajt, bashk-atdhetari dhe bashkpuntori e tij i ngusht, Ernest Koliqi. Besoj me gjithë shpresë, se megjithë trajtimi e tij të keq deri më tani, apeli i Martin Camajt do të dëgjohet, në këtë 95-vjetor të lindjes, nga të gjithë shqiptarët e arsyeshëm dhe atdhedashës, me shpresë dhe me durim, se fisi i shqiptarit, përfundimisht, do të dali nga “palci i urrejtjes” ndaj njëri tjetrit, për të mirën e vet shqiptarëve sot dhe për hir të bashkimit të brezave të ardhëshëm të shqiptarëve, pa dallim.

https://telegraf.al/opinion-2/frank-shkreli-nje-thirrje-nga-shkrimtari-i-lartesive-martin-camaj-afrohuni-shqiptare/

Jo, jo nuk e humbi unë shpresën se — fjalët e Martin Camajt për bashkim të shqiptarëve dhe për dashuri me njëri tjetrin — do të përfillen më në fund, nga shqiptarët e sotëm dhe të nesërm, pa marrë parasysh se ka ende të tillë shqiptarë që duan ta njollosin e ndoshta në këtë 95-vjetor të lindjes edhe ta zhdukin në mendjen dhe zemrën e shqiptarëve, me qëllim që porta e kulturës dhe letërsisë shqipe të vazhdojë të jetë e mbyllur për të.

Unë nuk e humbi shpresën — megjithë përpjekjet aktuale të disave, në të kundërtë për të përhapur urrejtje ndaj njëri tjetrit – unë besoj thellësisht në pajtimin e shqiptarëve, sepse për 50-vjet komunizëm, Enver Hoxha u mundua që Martin Camajn, Ernest Koliqin dhe të tjerë, përfshir Gjergj Fishtën dhe Faik Konicën, t’i zhdukte nga historia, sa që u duk sikur do i groposte përfundimisht, por ja, nuk ia doli. Kot e kanë edhe kundërshtarët e tyre sot, se as sot në 95-vjetorin e lindjes, Martin Camajn nuk e prekë as nuk e njollosë, asnjë “studim”, as inat e shpifje! As dosje, e falsifikime, as interpretime, sipas qejfit, të dosjeve të UDB-së së Beogradit ose Sigurimit të Shtetit të Enver Hoxhës. Asnjë nga këto akuza nuk do të fundosin reputacionin e mirë as kontributet e tija të shkëlqyera historike, në mbështetje të interesave kombëtare dhe të gjuhës e kulturës së shqiptarëve. Kontributi i tij do ndriçojë më shumë se kurrë, si qirinj, që sipas Naim Frashërit të madh, “natënë t’ua bënjë ditë” të gjithë shqiptarëve, pa dallim, madje edhe kundërshtarëve të tij, që dinë vetëm të fikin qirinjtë që bëjnë dritë edhe në terrin e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: 95 Vjetori I Lindjes, Frank shkreli, Martin Camaj

MARTIN CAMAJ DHE KATEDRA E PERJETSHME E ALBANOLGJISE NE N.Y.U.

July 17, 2020 by dgreca

  • NËSE SHQIPTARËT DO TË KISHIN MBAJTË PREMTIMET QË I DHANË CAMAJT DO TË KISHIM KATEDRËN E PËRHERSHME TË ALBANOLOGJISË NË NEW YORK/
  • KOLIQI DHE CAMAJ NUK MUND TË RRËZOHEN NGA PANTEONI I KULTURËS KOMBËTARE AS ME DOSJET E TIRANËS AS TË BEOGRADIT/
  • ERNEST KOLIQI DHE MARTIN CAMAJ, MIQ TË PËRHERSHËM TË VATRËS DHE DIELLIT-/

– GAZETA”DIELLI”, DËSHMI E PËRPJEKJEVE TË PALODHSHME TË PROF. CAMAJ PËR TË HAPË KATEDRËN E GJUHËS DHE KULURËS SHQIPTARE”GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU”  NË NEW YORK NË VITET 1986-1989-

 – DËSHMI EDHE NË GAZETËN AMERIKANE  THE NEW YORK TIMES-

NGA DALIP GRECA

Fushata denigruse kundër dy korifejëve të Kulturës Kombëtare Shqiptare Prof. Ernest Koliqi dhe Martin Camaj e nisur nga Auron Tare duket se ka për qëllim që të baltos dy kontributorët e mëdhenj në fushën e Letërsisë, Lingustikës dhe kulturës kombëtare në tërësi. Vatra e sheh këtë nismë të Tares, të promovuesëve të tij, dhe atyre që qëndrojnë pas, si vazhdimësi e ekspeditës antikombëtare për të rrëzuar nga Froni simbolet tona kombëtare. Vala e tërbuar që ka mbjellë shtypi i shkruar, portalet elektronike, media sociale në tërësi,si dhe media vizive në trojet kombëtare, ka vënë në shenjestër,  me dosjerë policeskë të supozuara e të keqinterpretuar, dy personalitetet e shquara. Nëse Tare shkroi 37 faqe hamendësime në studimin e tij të dyshimtë, media i ka shumëfishuar ato, ndërsa studiot televizive, përfshirë edhe emisionet e atyre, që me emra sllavo-rusë, e kanë shpallë Heroin Kombëtar,antihero,  tradhëtar të Kombit,- vazhdojnë t’i japin hapsirë pa limit për të endur rrjetën e shpifjeve me teori konspiracioni. Nuk është e para herë që ndodh një sulm i tillë në rrethana tepër kritike për Trojet e Arbërit. Kështu kanë bërë Taret me shokët e tij me Heroin Kombëtar Gjegj Kastrioti Skënderbeu, me Shenjtëreshën Shqiptare Nënë Tereza, me At’ Gjergj Fishtën, me shkrimtarin Ismail Kadare, dhe të tjera figura simbol,që na identifikojnë në Botën Perëndimore.

Martin Camaj ne Seminarin Nderkombetar “Vatra dhe Dielli” 28-30 Nentor 1969.

Për Vatrën, si Ernes Koliqi, ashtu edhe Martin Camaj, mbeten figura të denja të Panteonit të Kulturës Kombëtare, të pazëvendësueshëm dhe të pa rrëzueshëm nga Taret me shokë.

Tares i ka ardhë në ndihmë për ekspeditën e tij ndëshkuese ndaj dy kolosëve të Kulturës Kombëtare edhe fakti se Politika shqiptare(Shteti politik) është treguar  e pazonja për të vlerësuar Prof. Ernest Koliqin, Prof. Martin Camaj dhe shumë figura të tjera Kombëtare me kontribut në Kulturën e Kombit, për shkaqe politik-biografike, i kanë mbuluar me harresë dhe i kanë ndëshkuar dhe tash po i ndëshkon edhe Tare për motive të dyshimta.

Vatra ka pasë fatin e mirë që si Profesor Ernest Koliqin ashtu edhe Prof. Martin Camaj t’i ketë patur mysafirë dhe miq të nderuar, e bashkëpunëtorë të gazetës së saj DIELLI. Janë të shumtë shkrimet studimore, eseistike, analitike, letrare,  të Prof. Camaj në faqet e Diellit, ashtu si nuk mungojnë as artikujt e Prof. Ernest Koliqit.Kolana e veprës së tyre letrare dhe studimore ndodhet e plotë në bibliotekën e Vatrës.

PROF. KOLIQI DHE PROF. CAMAJ, LIGJËRUS NË SEMINARIN NDËRKOMBËTAR TË 60 VJETORIT TË DIELLI

Të dy korifejtë e Kulturës Kombëtare ishin mysafirë në manifestimin e madh Kombëtar Mbarëshqiptar, që u organizua në Boston dhe në New York në 28-29-30 Nëntor 1969 me rastin e 60 Vjetorit të Gazetës DIELLI. Profesor Camaj, që në atë kohë drejtonte Katedrën e Studimeve Shqiptare në Universitetin Munich-ut në Gjermaninë Perëndimore, u paraqit në seminarin 3 ditor kushtuar Vatrës, Diellit, Historisë dhe Kulturës Kombëtare me ligjëratën“Mbi funksionin e Gjuhës së Nolit dhe të Konicës”. Ndërsa prof.Ernest Koliqi u paraqit me ligjëratën ” Fan Noli, përlavdues epiko-lyrik i burrnisë shqiptare.” Në këtë manifestim të madh kombëtar ligjëruan figura të shquara të Kulturës Kombëtare si At Vincens Malaj, Prof. Zef Valentini, Giusepe Schiro Jr., Prof. Stefan Peters(Profesor në Universitetin Amerikan në Washnigton, ish funksionar në Ministrinë e Punëve të Jashtme Amerikane), Prof. Louis Solano, pranë Universitetit Cambridge në Harvard University,Dr. Dhimiter Berati, Vicky Kotelly, Profesoreshë e gjuhës frënge në Michigan, Hasan Dosti, juristi i njohur, ish Ministër i Drejtësisë, Kemal Vokopola, nëpunës në degën e Drejtësisë pranë Librarisë së Kongresit në Washington, Ragip Frashëri, në atë kohë përfaqësues në Romë i Kuvendit të Kombeve Europiane të Robëruara(ACEN), Papas Ignazio  Parrino, Studiues dhe profesor në Universitetin e Palermos, ndihmësiI Prof. P.Zef Valentini, Refat Xh. Gurrazezi , ish editor i Gazetës Dielli për disa dekada, Nelo Drizari, ish editor i Diellit, shkrimtar, piktor, përkthyes, Dr. Hamdi Oruçi etj.

PROF. MARTIN CAMAJ DHE KATEDRA E GJUHËS  & KULTURËS SQIPTARE NË UNIVESITETIN E NEW YORK-ut

Katedra e Gjuhes dhe Kulturesh Shqiptar do te hapej ne korpusin e fakultetit te Shkences dhe Arteve.

 Që kur ishte në manifestimin mbarëshqiptar të 60 vjetorit të Gazetës “DIELLI” e në vazhdimësi Prof. Camajt i lindi ideja për hapjen e një katedre të Gjuhës shqipe në New York. Ideja u bë e nxehtë në vitet 1986-89. Fillimisht bëri përpjekje në Columbia University, por kuotat e pagesës atje ishin më të larta, të papërballueshme nga komuniteti shqiptar. Shkoi dhe në disa universitete të tjerë, duke u përqëndruar në New York, ku jetonte një pjesë e madhe e shqiptarëve me mundësi financiare.

Disa gjurmë të përpjekjeve të tij këmbëngulse gjenden në shtypin e kohës. Gazeta “Dielli” e ka mbajtë lexuesin të informuar gjatë të gjithë kohës dhe ka ruajtë gjurmët e nismës të Prof. Camaj për Kulturën dhe gjuhen Kombëtare Shqipe. Vetëm gjatë vitit 1986 janë tre artikuj të tillë. Në numrin e 16 shtatorit 1986, Dielli hapet në vend të kryeartikullit me shkrimin e titulluar”Një Katedër Albanologjike në Amerikë?” Shkrimi informon lexuesit se ashtu siç ishte shkruar edhe në një numër të mëparshëm ;- gjatë vizitës në SHBA të Prof. Martin Camaj, Kryetari i Katedrës të Studimeve Shqiptare në Universitetin e Munich-ut në Gjermaninë Perëndimore, i ishte rikthye sërish komunitetit shqiptar duke përgatitë opinionin për hapjen e Katedrës së gjuhës shqipe dhe Kulturës kombëtare në New York. Ajo vizitë e Camajt kishte zgjatë dy muaj e gjysëm. Gjatë asaj kohe ai kishte vizituar shumë universitete, duke hulumtuar mundësitë e përshtatshme , kushtet qe vinin universitetet amerikane për hapjen e një katedre albanologjike(Albanian Studies).

Gazeta e Vatrës informonte se Prof. Camaj dhe intelektuali amerikan Leonard Fox kishin formuluar një paketë propozimesh, të cilin editori i atëherëshëm Dr.Edward Licho, shprehte shpresën që ta botonte sapo ata ta dërgonin në redaksi. Prof. Fox kishte përkthyer në atë kohë në gjuhën angleze Gramatikën e Prof. Camaj” Albanian Grammar” dhe i njihte mirë kushtet e universiteteve amerikane. Nga ana e tij z. Fox kishte studiuar në Universitetin Columbia në  New York dhe kishte punuar shumë kohë si asst.professor.

Gjatë asaj kohe që qëndroi në SHBA Prof. Camaj bisedoi me shumë shqiptarë dhe krijoi opinionin e tij se shqiptarët e mbështesnin masivisht idenë e krijimit të Katedrës albanologjike, dhe do të jepnin ndihmë të pakursyer për të përballuar kuotën financiare që kërkonte universiteti.

Dielli shkruante: Kjo është shenjë e mirë dhe inkurajuse, por kontributin më të rëndësishëm do ta japin vetë shqiptarët.

Dielli e çmonte shumë rëndësinë dhe dobinë e një Katedre Albanolojike në një universitet të mirë amerikan, ku katedra të tilla kishin dhe popuj prej kombsish me numër më të paktë në numër se sa shqiptarët. Gjithësesi Dielli shihte me realizëm edhe vështirësitë që paraqeste krijimi i një katedre albanologjike. Së pari duheshin grumbulluar fondet nga komuniteti dhe kjo ishte sfida më e vështirë, duke mos llogaritur dhe mirëkuptimin mes donatorëve.

Gazeta e Vatrës shkruante se: “nismëtarët e kësaj ideje meritojnë lavdërime dhe përgëzime bashkë me urimet që të dalin me sukses në përpjekjet e tyre. Përsa i përket Federatës Vatra dhe Gazetës Dielli, ne jemi të bindur se do ta përkrahim me gjithë fuqitë tona idenë e ndritur për krijimin e një katedre albanologjike në Amerikë. Vatra dhe Dielli përgjatë të gjithë jetës së tyre kanë përkrahur kurdoherë çdo inisiativë dhe çdo vepër që ka qenë në dobinë e Kombit dhe popullit shqiptar.Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në këtë rast.DIELLI do t’i  ketë shtyllat e veta ta hapura…”

KARRIGIA E PËRJETSHME  E KULTURËS SHQIPTARE NË N.Y.U

Në gazetën Dielli të datës 30 prill 1987 është botuar nga N.Y.U. paketa e propozimit për hapjen e Katedrës të Gjuhës dhe kulturës Shqiptare”A proposal to establish a Chair In Albanian Culture at  N.Y.U.).

Në të shkruhej se Universiteti i Nju Jorkut, universiteti më i madh privat në Shtetet e Bashkuara, kishte kënaqësinë të njoftonte se propozonte krijimin e një karrigeje për Kulturën Shqiptare,( A Chair In Albanian Culture AT  N.Y.U) me ndihmën dhe interesimin e palëve të tjera të interesuara. Sipas paketës të publikuar në gazetën DIELLI, karrigia e Kulturës shqiptare kishte koston 1, 2 milion dollar dhe do të ishte e përjetshme. Ajo do të vendosej  në Departamentin e Gjuhëve dhe Letërsive të Lindjes së Afërt në Fakultetin e Arteve dhe Shkencave të Universitetit.Kryetari përfaqësues do të ishte i përkushtuar në ruajtjen e Kulturës Shqiptare në Shtetet e Bashkuara mbi baza të përhershme, duke vënë në dispozicion udhëzimet në gjuhën, letërsinë dhe historinë shqiptare. Katedra e Gjuhës shqipe do të përcillte një kuptim të gjerë të rolit të Shqipërisë në mjedisin ballkanik dhe mesdhetar dhe do të tregonte interes për rëndësinë moderne të kulturës shqiptare. Duke pasur parasysh kontributet që shqiptarët kanë bërë në Shtetet e Bashkuara dhe pasurinë e trashëgimisë së tyre, ishte koha për të njohur kulturën shqiptare në një institucion kryesor të arsimit të lartë, shkruhej në paketën e propozuar.

Paketa informonte se Universiteti i Nju Jorkut ishte i interesuar për ta hapur këtë katedër. Nisma ishte lehtësisht e arritshme edhe për faktin se shqiptaro-amerikanët përbënin një numër të konsiderueshëm në shtetin e New Yorkut e në shtetet përreth. Universiteti kishte krijuar përvojë dhe i kishte kushtet  në Departamentin e Gjuhëve dhe Letërsive si për Lindjen e Afërt ashtu edhe Europën Lindore. Ky Departament ishte hapur që më 1966 dhe ofronte gradën Master, Doktoraturë në gjuhë dhe Letërsi të Vendeve të Lindjes së Afërt dhe Diploma universitare për gjuhët e vjetra Lindore etj.Qendra Hagop Kevorkian ishte e specializuar pikërisht për to.

Kjo do të ishte një mundësi e mirë për studentët e interesuar të Katedrës shqiptare për të mësuar gjuhët kryesore të Lindjes së Afërt, të njihnin kulturat e rajoneve të përfshira nga këto gjuhë. Mbi 107 kurse të ndryshme pasuniversitare dhe universitare ofroheshin çdo vit. Në vitet e fundit studentët do të kishin mundësi që të trainoheshin për karriera në mësimdhënie, biznes, shërbim qeveritar etj.

Universiteti i Nju Jork-ut pranonte përmes paketës propozuese se kjo nismë do të kishte rriskun e vet dhe do të përbënte një sfidë për ta financuar plotësisht karrigen e Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare, por shprehte bindjen se; nëse trashëgimia shqiptare do të ruhej dhe ndahej me shqiptaro-amerikanët dhe të gjithë qytetarët e tjerë, duhet të ndërmerreshin hapa që në atë moment për të siguruar mbijetesën e saj. Universiteti kërkonte që të mbledheshin 1.2 milion dollarë gjatë një periudhe pesë-vjeçare. Kontributet ishin të mirëseardhura dhe ekzistonin mundësitë për të marrë një njohje të përjetëshme.

Kontributet që dhuroheshin ishin plotësisht të zbritshme nga taksat sipas Ligjit në Shtetin e New York-ut.

Universiteti jepte dhe alternativë: Kjo shumë(1.2 milion dollarë) mund të sigurohej edhe nga një familje nëse i kishte mundësitë financiare(koha 5 vjet), nëse ndodhte kjo “karrigia” do të emrohej me emrin e dhuruesit(Siç ndodhi kohët e fundit me Katedrën e Albanologjisë në Universitetin DePaul në Çikago, që mbanë emrin e filantropit shqiptar-Hidai Eddie Bregu).

Nëse “karrigia” do të financohej nga shumë donatorë, katedra do të mbante emrin Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ashtu siç veprohet në SHBA, donatorët e dhuratave nga njëqind mijë dollarë ose më shumë, të pagueshëm për një periudhë pesëvjeçare, do t’u shkruhej emri në një pllakë, që do të mbetej përjetsisht aty.

Individët, familjet, ose organizatat që do të jepnin kontribute nga $10 mijë deri në $ 99 mijë, do të renditeshin në një vëllim të ruajtur në Bibliotekën e Qendrës Kevorkian; këto dhurata mund të bëheshin gjatë një periudhe pesë-vjeçare. Dhuratat me më pak se 10 mijë dollarë, si dhe dhurimet më të mëdha, do të shënoheshin në raportin mbi projektin që do t’u dërgohej të gjithë pjesëmarrësve.

 Në gazetën Dielli për ata që donin të nisnin kontributet jepeshin informacione te sakta, personi konatktues, adresa: (Director of Development for the Faculty of Arts and Science, 25 West Fourth Street, New York, New York 10012), numriiI telefonit, mënyra e pagesës etj.

SHUMAT E LARTA TË PREMTUARA DHE OPTIMIZMI I PROF. CAMAJT

Prof. Martin Camaj i vijoi përpjekjet dhe erdhi shumë herë në New York për të konkretizuar hapjen e Katedrës. Premtimet e shqiptaro-amerikanëve ia kishin ngrohë zemrën. Dielli 28 shkurtit 1988 botonte në faqe të parë, në vend të kryeartikullit, shumat e premtuara.Pa i përmend emrat(10 nga ata kanë ndërruar jetë), statistikat janë këto: Tri familje premtonin nga $100 mijë, 6 familje nga 50 mijë dollar, 5 familje nga 25 mijë dollar, një familje 20 mijë dollar, 8 familje me nga 10 mijë dollar.

Ndërkohë gazeta The New York Times i kishte bërë jehonë nismës të shqiptaro-amerikanëve në numrin e saj të 13 dhjetorit 1987, ku njoftone se shqiptaro-amerikanët kishin premtuar 950 mijë dollar për themelimin e Katedrës të studimeve shqiptare në njerin ndër universitetet më të njohur të Amerikës, New York University.

Në komentin që bënte vetë Prof. Camaj, në letrën që botonte në Dielli me 28 shkurt 1988, shkruante se” Ky lajm u prit me befasim të admirueshëm në rrethet akademike në Evropën Qendrore dhe në Itali, posaçërisht nga lavruesit e disiplinës  albanistike, gjuhëtarë e historian.”

Camaj përcillte ne letrën e tij përgëzimet dhe urimet e nxehta për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, por kryekreje për ata shqiptarë të ndritun që garantojnë shumë:”emnat e tyne do të mbesin të përjetësuem në historinë e kulturës shqiptare! Akt për t’u lavdue edhe për gazetën Dielli, që ashtu si i ka hije, u ba zadhanëse e kësaj inisiative…”.

Camaj sqaronte se burimin për të gjithë ata që duan të dinë me saktësi procedurat dhe rregullat e përgjithshme e të posaçme për Chair Of Albanian Studies mund t’i gjejnë në propozimin e Universitetit të New York’ut:A proposal to Albanian CULTURE AT N.Y.U(publikuar në Dielli, 30 prill 1987).

Udhëzime më të plota ishin botuar në Gazetën Dielli me 28 Nëntor 1987 , në artikullin e profesorit të atij Universiteti, Prof. Carl M.. Kortepeter.

Prof. Camaj konstatonte: Si njeri i degës Albanologjike në një Universitet Evropian, më ban përshtypje posaçërisht gjansia e konceptit dhe perspektiva e shkëlqyshme për zhvillimin e studimeve shqiptare në këtë universitet dhe se këtë zhvillim e ka në dorë komuniteti shqiptar në USA. Kjo do të jetë Katedra e parë e studimeve shqiptare në mbarë kontinentin amerikan, ku gjurmohen dhe mësohen landë humanistike, (gjuhë, letërsi, dhe histori Kombëtare), nga të gjitha kontinetet, ashtë fort i përshtatun që të marrë përsipër landë të studimeve tona në rang e shkallë akademike. Seicili që e ka për zemër mbarëvajtjen e studimeve shqiptare, si tash në fazën fillestare të themelimit të Katedrës, ashtu edhe në të ardhmen, e ka në dorë si askund në botë, me inisiativë vetjake, të tregojë sa e don kulturën e vet. E ka në dorë të japë kontributin për specializimin e shkencëtarëve të rinj, të cilëve nesër do t’ju bjerë barra e mbajtjes në kambë të katedrës, prandaj duhet të krijohen sa më shumë bursa studimesh(scholarship); këta shkencëtarë të caktuar për tu aftësue në degët albanologjike, duhet të dalin nga komuniteti shqiptar-amerikan.

Siç dihet ky projekt dështoi. Po përse? Natyrisht jo për shkak të Prof. Camaj, që i bëri shërbimet deri në fund këtij projekti, por për faj të komunitetit shqiptar, që nuk mbajti fjalën e dhënë. Dielli kontaktoi disa nga personat e përfshirë në këtë projekt me dëshirën e mirë atdhetare për t’i shërbyer Kulturës Kombëtare. Ata dhanë fakte të përjetuara,dhanë opinionet e tyre për dështimin, por ne këtë shkrim nuk po përmendim emra. Qëllimi ishte të sillnim për lexuesin përpjekjet e Prof. Camaj për hapjen e Katedrës.  Shkaqeve do t’ju rikthehemi së shpejti.Nëse bashkatdhetarë të tjerë kanë informacion, kanë qenë vetë pjesë e projektit, ose thjeshtë kanë dëgjuar apo lexuar, ata mund të kontaktojnë me Editorin me telefon ose me emailin:gazetadielli@gmail.com.

Filed Under: Emigracion Tagged With: dalip greca, Katedra e Albanologjise en N.Y.U., Martin Camaj

FATI TRAGJIK MBI FATE TRAGJIKE …

July 14, 2020 by dgreca

-Nën Lupën e Një Shoqërie Indiferente dhe pa Katharsisis/

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Kur një i ri 23 vjeçar i arratiset vendit të vet prej tmerrit që e pret aty, kur ikën nga sytë këmbët nga vendi që ia njeh qiellin, burimet, ku rrugët nëpër pyll ia përshkon edhe me sy mbyllur natën pa hënë,
megjithëse me gjithë shpirt do të deshte të plaket e të bëhet 1000 vjeç në atë vend,
por vendos të ikë
sepse i duhet të zgjedhë ose Atdheun ku e pret vdekja,
ose jetën
atëhere ky 23 vjeçar zgjedh jetën.
“Cilido ëndërron një shteg, kurse jeta të përplas andej ku s’ta pret mendja.”, thotë Petro Marko tek Qyteti i fundit. Jetën Petro Markos ia shpëtoi Ernest Koliqi, ndërsa diktatura totalitariste ia vrau.
A do të kishte qenë shpëtim për Petro Markon arratisja nga Atdheu pas burgosjes?
Do të kishte qenë, Petro Marko do të çmendej nga malli për Dhërmiun e Bregun por do të fitonte lirinë, një liri me çmim të shtrenjtë por duke shkruar kryevepra që nuk i shkroi dot nën diktaturë.
Arratisja nga Atdheu është akti më tragjik për njeriun.
Ernest Heminguej jetoi në Kubë për 30 vjet. I dukej sikur Kuba ishte pjesë e Atdheut të tij. Gjatë martesës me gazetaren e luftës Martha Gellhorn bleu në periferi të Havanës një shtëpi që sot është muze Finca Vigía. Aty Hemingway jetoi rreth 20 vite të jetës, duke i ikur të ftohtit dimëror të Idahos për të shkruar. Në këtë shtëpi ai ka shkruar Plaku dhe Deti. Aty kishte kujtimet, dorëshkrimet, jetën e vet personale. Me ardhjen në pushtet të diktatorit Fidel Kastro, Ernest Hemingway më 1960 ishte i detyruar ta linte Finca Vigía dhe Kubën e të kthehej në Idaho, ku më 1961 kreu vetëvrasje. Nuk i përballoi dot kufizimin e lirive nga diktatura kastriste, kur ai Kubën e donte si vendin e tij.
Jeta e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt në mërgim ka qenë me plot tallaze, stërmundimi i tyre për të patur profil elitar europian, duke iu dedikuar me mish e shpirt kulturës, gjuhës shqipe dhe Albanalogjisë u bë në kushte shumë të pamundura, të dënuar dhe të mohuar si armiq të popullit nga diktatura komuniste, të ndaluar të lexohej vepra e tyre dhe të ndaluar të preknin tokën shqiptare.
Është kriminale prirja për të rehabilituar diktaturën duke rigjykuar viktimat e saj apo kur midis viktimave bëhen dallime, për të zbuluar patriotin tek njëri dhe tradhtarin tek tjetri, siç ishte rasti i poetit Havzi Nela, i krahasuar me shkrimtarin Martin Camaj, duke dënuar të dytin që paska pranuar të bëhet spiun i UDB-së, ndërsa tjetri jo! Kjo do të thotë të errësosh errësirën.
Të krahasosh Martin Camajn me Havzi Nelën, për të ulur njëri e ngritur tjetrin, dmth nga pozita të cinizmit absolut të krahasosh dy fate tragjike shkrimtarësh, dy tragjedi njerëzore të shfaqura në shtjella të ndryshme, jo si tragjedi skenike, zhanër i teatrit i lindur në antikitetin grek me personazhë për Eskilin, Sofokliun apo për prozën ekzistencialiste të Albert Camus, por tragjedi reale. Si një realityshow makabër që ekzekutohet përpara syve të një shoqërie skllave!
Dy ishin mënyrat :
të vdisje si Havzi Nela i vrarë nga diktatura dhe i poshtruar e i pështyrë nga shoqëria e mjerë shqiptare
ose t’i ikje këtij tmerri me qëllimin për ta shembur këtë ngrehinë kriminale nga jashtë ose me qëllimin e thjeshtë për të jetuar!
“Fati i njeriut” i Mikhail Sholokhov është një zinxhir tragjedie vdekjesh që ndeshet me etjen e çmendur të njeriut për ta jetuar jetën!
Nuk është krim ta duash jetën, për ta kthyer çdo objekt të botës, në gërmë, tingull shqip e frymë shqip deri në frymën e fundit, të shkruash shqip, të ëndërrosh shqip në një vend të huaj sikur vepruan kollosët e kulturës që ia dedikuan shqipes jetën!
A nuk është aq heroik ky akt sa heroika e Bethovenit!
Si trinom Ernest Koliqi, Havzi Nela dhe Martin Camaj, renditje sipas kohës kur dhanë frymën e fundit, nuk mund t’i ndajë askush.
Janë 3 milionë shqiptare në eksodin e trazicionit prej 1991 deri sot.
3 milionë jetë, fate njerëzish të traumatizuara nga mosnjohja e asaj që i pret dhe nga njohja e tmerrshme në Atdheun e tyre, kur vendi yt nuk të siguron as kushtet minimale të jetesës për fëmijët, as siguri, as dinjitet, ku të drejtën e joie de vivre e gëzon vetëm pushteti uzurpator me nepotizmin, klientët, dashnoret, ku injoranca dhe mosvrasja e ndërgjegjes justifikojnë çdo makabritet.
Mbijetesa e emigrantëve është si një rrugëtim nëpër rrathët e ferrit, pa pasur asnjë faj, çdo histori emigranti është një dramë që shpesh ka perfunduar tragjikisht në fund të detit apo të mbytur nga asfikësia nëper maune, apo si shkelës ligji.
Të bëhesh prokuror i të dënuarve nga diktatura është sikur të rinkarnosh prokurorët e diktaturës për të rindezur tek opinioni tërbimin kolektiv për t’i rishpallur fajtorë ata që diktatura i vrau në mënyrat e saj më mizore, me fis e farë!
A del kush që të bëhet avokat i viktimave të diktaturës?
Kujt i pëlqen roli i prokurorit, le të dënojë ata që e detyruan Camajn dhe Koliqin t’iu digjej shpirti per Atdhe e për të afermit e tyre të burgosur e internuar, ndërsa Havzi Nelën e varën në litar!
Tim eti, poetit Vehbi Skënderi i kërkuan të bëhej spiun i Sigurimit të Shtetit. Nuk pranoi. Ky verdikt i tij më la mua pa shkollë, dmth pa të ardhme. Di shkrimtarë që janë bërë spiunë të Sigurimit dhe fëmijët e tyre kanë vijuar jetën normale. Nuk e di me çfarë çmimi!
Por nëse tim atë do ta kushtëzonin duke i venë në rrezik jetën dhe dinjitetin tim, ai ose do të vriste veten sikur edhe tentoi kur i dhanë urdhërin se do të interneheshim të tre në një fshat të humbur matanë malit të Dajtit, ose do të pranonte ta firmoste ate dokument, por një gjë eshte e sigurt se im atë nuk do të merrte askënd në qafe.
Nën tortura fizike, nën tortura psikologjike, nën torturën kur shoqëria të neverit si “armik i partisë” apo “bijë e armikut të partisë” njeriu thyhet si qelqi sepse atij i kanë shkelur me kēmbë çdo të drejtë njerëzore dhe dinjitetin!
Kur jeta të krijon dilema torturash – të zgjedhësh midis dy torturave, ose njërën ose tjetrën torturë, do të zgjedhësh njërën torturë. Se nuk ke alternativë tjetër.
Deri kur do të vijë momenti të kujtohesh se ekziston jeta pa torturë, në liri dhe etja për jetën dhe lirinë të dikton të këpusësh zinxhirët, prangat dhe t’i denoncosh shkaktarët e kësaj torture që vetëm jetë nuk është !
Mallkojeni, dënojeni, denoncojeni sistemin totalitar dhe këtë tranzicion makabër. Nuk ishin armiqtë e shqiptarëve as Martin Camaj, as Ernest Koliqi, as Havzi Nela dhe as ata mijra e mijra të burgosur, pushkatuar e të dënuar nëpër internime, por sistemi totalitarist që i vrau! Totalitarizmi na vrau, na i shplau trutë, na detyroi të shkruanim vepra të socrealizmit, na përçau! Ai është armiku i shqiptarëve!
Për absurd ndodh që dashuria për Atdheun të bën ta braktisësh Atdheun, sepse vetëm kështu kjo dashuri mund të jetojë e gjallë!
Në fakt, nuk je ti që e braktis Atdheun, por Atdheu të braktis kur e detyrojnë të ketë pamjen e shtetit totalitarist, i pashpirt dhe mizor ndaj bijtëve të vet!
Fatalitetin e jetës të njeriut në një sistem totalitarist, qoftë diktaturë e majtë, e djathtë apo diktaturë e kapjes të shtetit nga korrupsioni, e ka dhënë më mënyrën më të skalitur Albert Camues tek I Huaji!
Ka vetëm një mënyrë për t’i shpëtuar këtij fataliteti, ose t’i ikësh, t’i arratisesh ose të rebelohesh kundër tij ose të rebelohesh në mënyrat që mund.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Sigurimi i Shtetit, VEHBI SKËNDERI

PROF. MARTIN CAMAJ E KAM NJOFTË NË DITË TË VËSHTIRA

July 13, 2020 by dgreca

– Zotni Tare, vene gishtin në tamth e mendo mirë kur t’i shpifësh dikuj.-/

NGA LORO STAJKA- VIRGINIA/ USA/

I nderuemi zotni editor i gazetës Dielli,

Ju lutem të botoni këto pak rreshta që kanë të bajnë me nji shkrim, që mu duk shumë i ultë dhe i pa drejtë, kur ban fjalë për Prof Martin Camaj.

I tregoj artikullshkruesit se Prof. Camaj e kam njoftë nër ditë shumë të vështira. E kam njoftë në vend që as gjumi nuk na merte prej ujet.E njofta po sa dola prej burgut famëkeq Bugdanovkraj Cetinë të Malit të Zi ,pra u takuem në kampin e Barashumanovic, Mali I Zi (Cerna Gora) Martin Camaj i flente në nji dhomë me të ndertin P Danjel Gjegjaj e Pader Bernard Serreqin O.F.M .

Mund të them se ishim moshatarë ,ai kje student në gjimnazin e jezuitve e unë student në gjimnazin Iliricum Franceskan ,Shkodër.Ishte i edukuem me nji moral të shndoshë dhe me mish e shpirt antikomunist. Përsëri jemi taku në Beograd ,gjatë studimeve, e kemi pas nji shoqni të ngushtë se na lidhte nji ideal ,pra kje nji kundërshtar i komunizmit e ju me i vue dangën si spiun ashtë krejt gabim. Zotni ju tregoj nji rast; ishte dimni 1954. Në Beograd binte borë. Si unë si prof. Camaj, atëherë studenta, ishim pa kapota dimnit dhe bashkë shkueme deri në Marshallat ( Zyrja e Titos ) me lyp kapota e nuk na u dha. Mendoni ju se U.D.B-ja e la spijunin pa kapotë?!

Zotni vene gishtin në tamth e mendo mirë kur t’i shpifësh dikuj.

Loro Stajka   

Virginia/USA

Filed Under: Editorial, Opinion Tagged With: Auron Tare, Loro Stajka, Martin Camaj

Auron Tare i ridënon viktimat e regjimit totalitar Hoxhist

July 13, 2020 by dgreca

Nga Elida Bucpapaj

Auron Tare ka një profil sportisti. Janë familje sportistësh, që shkojnë me trashëgimi, sikur mjekët, avokatët. Talenti i familjes Tare është sporti. Njëri nga dy vëllezërit e tij është Igli Tare. I jati, Isa Tare rekordmen në “Hedhjen e Diskut”, që mbaroi studimet në Institutin Vojo Kushi, ka dhënë edukatën fizike në Shkollën e Bashkuar dhe Akademinë Ushtarake, pikërisht në shkollat ku mori edukatë Auron Tare. Auron Tare  ishte  basketbollist me Partizanin, jo hedhës disku si i jati, por shumë larg talentit të Agim Fagut, Zaçes, Mushit etj.

Është i datëlindjes 1968. Viti 1991-1992 e gjeti Auron Taren në moshën 23 vjeçare, në të njëjtën moshë kur Martin Camajt më 1948 do t’i duhej të arratisej nga Shqipëria për t’i shpëtuar represionit të egër të sistemit totalitarist komunist, që kishte nisur një fushatë terrori sidomos në Veri të Shqipërisë, ku ishte i përqëndruar kleri katolik. Nuk e di se çfarë ka bërë në moshën 23 vjeçare Auron Tare. Portreti i tij gjatë këtyre 30 viteve i ngjan një lloj dandy, në kërkim të zbulimit të vetvetes. Nga infot që marr në rrjetin social, të cilat ai i ka publikuar vetë, del se nuk është as historian, as studiues i letërsisë, nuk është as arkeolog apo arkeolog i nënujit si i madhi Moikom Zeqo. Në wikipedinë në shqip del si drejtues i një shoqate në kërkimet dhe ekspeditat arkeologjike nënujore. Po sipas wikipedisë në shqip, prej 1994 – 2005 del të ketë qenë përfaqësues i Fondacionit  Kulturor Butrinti i themeluar nga Lord Jacob Rothschild dhe Lord Sainsbery of Candover. Ndërsa në wikipedinë në anglisht, ndryshe nga ajo në shqip, shfaqet si historian, gazetar dhe “menaxher i trashëgimisë kulturore”. Nuk e kuptoj fare këtë emërtesë që nuk gjendet tek biografia e tij në shqip. Kohët e fundit kam lexuar një shkrim të Profesor Moikom Zeqos që vinte alarmin se qyteti antik i Butrintin, një thesar i trashëgimisë kombëtare dhe botërore, kishte rënë në duar të një shoqate të huaj. Pronat e trashëgimisë kombëtare bien në duart e shoqatave të huaja!!! “Kur pashë rrënojat e Trojës”, shkruan Moikom Zeqo, “e kuptova se çfarë thesari është Butrinti”.

E bëra këtë parantezë, për të treguar se nga formimi, profili i Auron Tares lidhet kryesisht me sportin. Basketbollist mediokër. Ndërsa fotoja që ka vendosur në rrjetin social, të kujton ato të oficerëve anglo-amerikanë mbi kuaj gjatë luftës të dytë Botërore, të cilët kur u vendos diktatura, regjimi brutal i Enver Hoxhës i dëboi nga Shqipëria, ndërsa ata shqiptarë që kishin punuar nëpër zyrat e misioneve britanike apo amerikane i burgosi dhe shumicën e tyre e pushkatoi dhe vrau.

Në CV e Auron Tares do të shtoja se ai ka qenë deputet i PS,  zyrtar i lartë i emëruar nga PS deri vjet si Drejtori i Agjencisë së Bregdeteve, ndërsa i vëllai i tretë, Agroni ka qenë Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Stamboll 2014-2019, pastaj Drejtor i Portit të Durrësit dhe aktualisht zvMinistër i Jashtëm i Republikës. Siç shihet,  familja Tare, ka fituar besimin e plotë të Edi Ramës, përfshi Igli Taren, drejtor sportiv i Lazios që po ashtu është një PR i vërtetë i kryeministrit shqiptar në Itali.

Pra, nga e gjithë kjo sa thamë, unë nuk e di se ku mbaron zyrtari i lartë publik me angazhime politike dhe ku fillon njeriu me kërshëri investiguese si Auron Tare.

Angazhimi i tij politik e komprometojnë kërshërinë e Auron Tares, që nuk është as shkencore, as profesioniste, por e një njeriu që duke shfrytëzuar politikën ka krijuar lidhje me të huaj. S’ka asgjë të keqe. Por këto lidhje, do të duhej ta bënin Auron Taren më tolerant ndaj kryefigurave të kulturës shqiptare në emigracion gjatë periudhës së diktaturës komuniste.

Auron Tares i ka ecur vaj, nuk ka vuajtur në komunizëm, përkundrazi. Por mosvuajtjet e tij gjatë sistemit totalitar nuk mund të eleminojnë vuajtjet e qindramijë shqiptarëve. Mosvuajtjet e tij po ashtu nuk e lejojnë që Auron Tare të bëhet portavoce i stilit të prokurorëve të diktaturës, për t’i gjykuar e dënuar rishtas me të njëjtat akuza që i kishte dënuar Martin Camajn dhe Ernest Koliqin regjimi genocidal i Enver Hoxhës.

Unë nuk e di që Auron Tare të ketë shprehur dikund kërshërinë për letërsinë shqipe. S’ka lidhje fare me letërsinë. Po të kish, do ta kuptonte se Ernest Koliqi dhe Martin Camaj i kushtuan jetën e tyre kulturës shqiptare, gjuhës shqipe dhe vepra e tyre është po aq madhore sa monumentet e kulturës. Sot është hapur një debat nëse Bylysi është grek apo ilir, ndërsa Martin Camaj dhe Ernest Koliqi nuk lejojnë të krijohen dyshime të tilla, sepse vepra e tyre është gur themeltar në kulturën kombëtare.

Auron Tare, megjithëse thotë se është adhurues i Shvejkut, është profan nga letërsia. Nuk e di se gjuhë dhe letërsi do të thotë ekzistencë kombëtare, nuk e di se historia e kulturës është pjesë e historisë së kombit.

Unë mendoj se e gjithë kjo histori nuk është produkt kërshërie, pēr të marrë avionin me paratë e tij që të kërshërohet. Aq më tepër kur kërshëria e tij është e mbrapshtë, diabolike. E ka thënë Visar Zhiti, një tjetër monument i tragjizmit të njerëzve të kulturës shqiptare. Përse të hulumtohen viktimat, thotë Visari, dhe nuk hulumtohen xhelatët?

Përse Auron Tare nuk hulumton për ish Oficerët e Sigurimit të Shtetit që kanë marrë shtetësi dhe azil politik në SHBA dhe Perëndim me dokumenta fallco si të persekutuar, sikur ai oficeri Edmond Caja, sot me pasaportë gjermane, që i masakronte në burg të vuajturit e ndërgjegjes?

Kjo temë është e gjatë dhe preston për thellim, por unë do të ndalem të vërtetoj se Auron Tare e nis me një gënjeshtër hulumtimin e tij. Kjo gënjeshtër qëndron në themel dhe e rrëzon ngrehinën e Tares.

Auron Tare tek Provokacja e Mustafa Nanos tha se e nisi këtë hulumtim për qejf, duke marrë e zbritur avione, shko nga njëri Arkiv tek tjetri, shko nëpër Arkiva të botës dhe zbulo fakte që hedhin baltë për korifej të kulturës kombëtare shqiptare. Hulumtimi i tij është cinik, brutal, pa pikë humanizmi, paçka se ky lloj zotërie është pjesëtar i disa dhjetëra shoqatave humaniste!

Tek Provokacja, Auron Tare, me kollare, me lap top dhe pa kalë gënjen kur thotë se “është përpjekur të mos gjykojë njeri”, sepse kur Mustafa Nano i thotë se, nëse Koliqi nuk do të largohej nga Shqipëria, regjimi Hoxhist do ta pushkatonte, Auron Tare kërcen si plesht dhe përgjigjet: “Po Koliqi ishte Ministër fashist”, pra e justifikon aktin makabër nga regjimi totalitarist, duke shtuar pastaj gjepura të tilla se “Franca pushkatoi mijëra fashistë!” Po të isha unë në vend të Nanons, do të pyesja: ” Përse nuk e burgosën apo pushkatuan italianët apo amerikanët Koliqin, por përkundrazi e bënë agjentin e tyre? Për faktin e ditur se Ernest Koliqi nuk kishte kryer krime. Jo vetëm kaq, por gjatë periudhës të pushtimit kolaboracionistët kanë shpëtuar qindra e qindra jetë hebrejsh, i vetmi vend në Europë.

Megjithatë, Primo Shllaku thotë me të drejtë, hapini Arkivat! Të hapen arkivat që të hulumtohet historia por jo të rivriten martirët e kulturës që iu kundërvunë sistemit totalitarist! Të dy, si Koliqi ashtu dhe Camaj u identifikuan në Perëndim me kulturën shqiptare, Koliqi hapi Katedrën e Gjuhes Shqipe në Romë, që u kthye në Institut të Studimeve Shqiptare ndërsa Camaj krijoi qendër të Albanalogjisë në Münich. Plus që vepra e tyre letrare është kontribut në fondin e kulturës kombëtare sepse që të dy nuk iu nënshtruan socrealizmit. Nuk iu bindēn diktatures së regjimit dhe as letērsisē që imponoi ajo. Ernest Koliqi është një nga themeluesit e tregimit modern, ndërsa Rrathë i Camaj  i pari roman psikologjik në gjuhën shqipe.

Po ashtu Mustafa Nano duhej t’i thosh Auron Tares, se ndërsa korifejtë e kulturës ishin spiunë të agjencive të zbulimit Perëndimor, familjet e tyre në Shqipëri masakroheshin nga regjimi enverist. Një vëlla i Martin Camajt u dergj 30 vjet në burgjet komuniste, po ashtu edhe Mikel Koliqi, i pari kardinal shqiptar, vëllai i madh i Ernest Koliqit, kaloi 42 vite të jetës nëpër burgje dhe internimet komuniste.

Auron Tare është tendencioz, sikur Pëllumb Xhufi kur u mor me Kampin e Tepelenës ku humbën jetën 400 fëmijë të pafajshëm, të cilin nuk pranonte kurrsesi ta quante Auschwitz shqiptar, deri kur Lek Pervizi, një tjetër Monument i gjallë, nga ata që rrnojnë për me tregue, solli vizatimet reale që, po t’i shihje, të kujtonin pikërisht kapanonet e kampeve të përqendrimit nazist.

Auron Tare, gënjen, kur thotë se gjithçka e nisi për turizëm qejfi dhe kërshërie, sepse që në hapjen e pseudoinvestigimit shkruan me dorën e tij: ” Tre vite të shkuara, dy Ministrat e Kulturës, ai i Kosovës dhe ajo e Shqipërisë organizuan një Konferencë për shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj. Nuk e di qëllimin e vërtetë të kësaj Konference, por nga ato që lexova, m’u krijua përshtypja se dy Ministrat promovuan Camajn dhe Koliqin, si dy kalorës të mohuar të letrave shqiptare. Dy kalorës që mbi veten vunë gjithmonë atdheun dhe letërsinë por që fatkeqësisht Atdheu nuk i kuptoi kurrë. E sa për lëmin e letërsisë nuk kam kompetencën e duhur për t’i gjykuar këta dy shqytarë kalorsiakë, shpresoj që me analizën e mëposhtme lexuesit të krijojnë një ide të qartë mbi “Mitet e rreme” që promovohen dhe lartësohen edhe nga Ministritë tona të Kulturës.”

E shihni pra se si për fushë me scripta manent  Auron Tare që shtiret se nuk bën gjykime dhe gjykatësin pa e patur idenë nga letërsia, duke qenë zero në fushën e kulturës letrare “akuzon” Ministrat e Kulturës se kanë promovuar “mite të rrema”. Pra Auron Tare me stilin e ish oficerëve të sigurimit e sjell këtë “investigim” për t’i shembur këto Mite si Teatrin Kombëtar, por nuk mundet sepse ata i kthyeu në Mite vepra letrare dhe veprimtaria jetësore.

Shfaqja cinike e Auron Tares ishte fund e krye një provokim. I një njeriu të veshur me kostum privat, sikur e pohoi vetë, ndërsa de jure është edhe një zyrtar i lartë politik i PS, çka bie ndesh si me integritetin ashtu dhe pavarësinë e shkencëtarit, të cilit për të shpërndarë helmin ndaj korifejve të kulturës në periudhën e diktaturës, si me shkop magjik i hapen dyert e televizioneve.

Kë donte të provokonte Auron Tare, tamam-tamam?

Të vdekurit? Jo?

Është cinik dhe burracak pasi as Martin Camaj edhe Ernest Koliqi nuk i kthejnë dot përgjigje!

Auron Tare provokon të gjallët.

Të gjallëve u bëj një lutje që të mos bien kurrë në rrjetën e një profani si Auron Tare që lexon Shvejkun, por nuk e ka as zgjuarsinë e personazhit të Hashekut dhe as dokumentat për t’i rikthyer në armiq të Shqipërisë ata të cilët i kishte shpallur armiq sistemi totalitar i Enver Hoxhës.

Filed Under: Analiza Tagged With: Auron Tare, Elida Buçpapaj, Ernest Koliqi, Martin Camaj

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Në Philadelphia u organizua panairi shqiptar
  • “Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës”
  • 63 vjet Orkestra Simfonike e RTSH
  • Samiti i KPE në Tiranë – Liderët ndajnë vizionin për Europën, luftën në Ukrainë dhe integrimin në BE: “Së bashku në rendin e ri botëror”
  • “Le të ulërijmë”
  • SHËNIMI NDËRKOMBËTAR I 80 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË MAUTHAUSENIT
  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz
  • “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”
  • Kërkesat e Eqrem dhe Syrja bej Vlorës drejtuar Austro-Hungarisë për çështjen shqiptare në vitin 1904
  • “Scribi përballë medias së shkruar”
  • Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin
  • ALBTVUSA, NJE TELEVIZION I MBRUJTUR NGA ATDHEDASHURIA MBUSH 25-VJET

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT