• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONGRESI I LUSHNJËS

January 20, 2021 by dgreca

Më 21 janar 1920 nisi punimet Kongresi Kombëtar i Lushnjës, i cili miratoi Aktin Kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë dhe të shtetit shqiptar, si edhe zgjodhi Këshillin e Lartë prej 4 vetash, regjencën, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe  Këshillin Kombëtar me 37 vetësh, në funksion të parlamentit. Kryetar i Kongresit u zgjodh Aqif  Pashë Elbasani. Kongresi formoi qeverinë demokratike me kryeministër Sulejman Delvinën. Kongresi i Lushnjës me vendimet e tij kombëtare i hapi rrugën Luftës çlirimtare te Vlorës dhe themelimit tw shtetit shqiptar të lirë, të pavarur dhe demokratik.

Me këtë rast, po ju dërgoj një shkrim të thuktë të Mid’hat Frashërit për Kongresin e Lushnjës, nxjerrë nga studimi i tij “Probleme të Shqipërisë Indipendente”.

                                               Uran Butka/

Mid’hat Frashëri /

KONGRESI I  LUSHNJËS/

    Situata kishte ardhur në atë pikë fort të vështirë, kur brenda në Shqipëri, prej vetë shqiptarëve, bash nga ana e atyre drejtpërdrejt të interesuar, po përgatitej një ngjarje që do të ndryshonte rrjedhën e punëve brenda në vend dhe do të krijonte një korrent të ri në opinionin politik të botës, duke vënë lakuriq aspiratat e shqiptarëve. 

     Në të marrë fund të luftës, ishte parë agimi i një kohe të re: okupimet e huaja kishin qenë përndryshe edhe një ilaç i çmueshëm për të formuar ndërgjegjen kombi­are; me disiplinën dhe rregullin relativ që kishin prurë sundimet ushtarake, ishte zhdukur edhe dufi i pasioneve, i rivaliteteve personale; ishte ngritur gjer në një shkallë lëngata-fort e vjetër, për fat të keq, e regjionalizmës Këto të mira, në mos me rrënjë të thella, të paktën në sipërfaqe dhe në dukje, kishin ardhur prej kushteve të reja që kishte prurë më tepër se nga çdo tjatër administrata austriake, që kishte stabilizuar autoritetin, kishte shtrënguar botën të punojë dhe të hajë bukën me djersën e ballit dhe kishte krijuar një burokraci thjesht shqiptare, duke shtuar në një mënyrë të çuditshme numurin e shkollave fillore. Këto situata të reja ishin të volitshme për zhvillimin e ideve kombiare, ide, dëshirë dhe vullnet që ishin bukur mani­festuar para dhe në kohën që u mblodh Kongresi i Durrësit, kur u formua qeveria provizore. 

     Shpresat e vëna në qeverinë dhe në dërgatën, që vajti të ankohej përpara konferencës, nuk mbushën premtimet dhe shpejt erdhi një moskënaqësi e shtuar akoma më tepër, kur politika e një mandati italian mbi Shqipërinë dhe projekti i një komisari po merrnin një karakter praktik, tërë duke u konfirmuar dhe me marrëveshjen e re Tittoni-Venizelo: këto janë shtytkat prej të cilave dolli manifestimi kombiar i madh i njohur nën emrin Kongre­si i Luslmjës (28-31 janar 1920). 

     Kongresi i Lushnjes do të kishte efektin e thellë të theksojë në aspiratat e kombit idenë e indipendencës absolute dhe të integritetit të vendit, duke u dhënë të kuptonin edhe të huajve, botës politike, se vendi punon pas parimeve të kombësisë, duke u mbështetur mbi të drejtat e tij pa qënë vegël e ndonjë pushteti të huaj. Mund të thuhet se që nga Lidhja e Prizrenit, ishte manifestimi i parë me një rëndësi fare të veçantë për këtë popull, e një punimi të bërë me fuqinë që buronte vetëm prej trupit të tij. 

      Vendimet e Lushnjës kishin dy detyra: 1- të realizonin brenda në Shqipëri një qeveri thjesht kombiare për të gjithë vëndin. 2-të mbahej një atitudë gjithashtu kombiare dhe larg çdo dyshimi përpara konferencës; të dy punët aq të rënda, njëra sa dhe tjatra. 

     Do të kujtojmë këtu se kur u mbështollën të pesëdhjetë përfaqësuësit në qytetin e vogël të Myzeqesë, vendi gjendej nën okupatën efektive, aq ush­tërore sa edhe civile të Italisë, sidomos nga Vjosa e në kufi të Greqisë: Shkodra ishte nën një sundim internacional (francez, englez, italian) dhe Korça gjendej nën një administratë franceze; megjithëkëtë, pa asnjë për­jashtim, të gjitha viset kishin çuar delegatë, ishin bashkuar në politikë dhe në vullnet. 

     Realizimi i pikës së dytë të programit lypte një durim dhe hollësi veprimi, me qenë indipendentë prej dëshirës së atyre di­rekt të interesuar në punë. Por zbatimi i pjesës së parë varej drejtpërdrejt nga aktiviteti që do të zhvillonte vetë populli, prej besimit që do të inspironte regjimi i ri, ky regjim i inauguruar në kondita kaq të vështira . 

      Marrja në dorëzim e Shkodrës (25 mars 1920) qe i pari sukses politik, bashkë me të dhe një shënjë sim­patie e dhënë prej Fuqive të Mëdha. Ishte dhe shkal­la e parë për grupimin e copëve të ndryshme të mëmëdheut rreth një autoriteti të vetëm. Të marrët e Gjinokastrës (27 prill), të lëshuarit e Korçës prej francezëve (I5 maj) dhe të bashkuarit e saj në një mënyrë paqësore, plotësoi edhe njëherë suksesin e qeverisë së re, shtoi besimin e saj dhe ngjalli ako­ma një herë vullnetin e kombit, i cili kurorëzoi veprën e nisur në Lushnje duke mbajtur tre muaj me radhë një përpjekje të ashpër në Tepelenë dhe Vlorë dhe duke parë që (më 17 gusht 1920) ky qytet dhe gjithë pikat e Shqipërisë të zbrazeshin prej çdo ushtrie, prej çdo administrate të huaj. 

       Kjo pemë s’ ishte arrirë pa vështirësi dhe pa rreziqe të panumurta. Sforci­mi i zhvilluar ishte një send titanik kur barazohet me mjetet që dispononte kombi. qeveria dhe shteti i ri: pa organizim, pa ushtri, pa polici as gjindarmëri, pa një ovull në arkë, i ndarë nga bota e qytetëruar, se udhët ishin prerë prej qeverive pak simpatike, rrethuar prej tre fqinjve aspak të favorshëm dhe më tepër akoma, të zvjerdhur prej çdo mbështetjeje morale. pa ndonjë ndihmë reale ose të paktën, simpati efektive diplomatike. Duke marrë në konsideratë këto rrethana, mund të thuhet se vepra e mbaruar në motin 1920 prej shqiptarëve është prej atyreve që s ‘kanë shëmbuj të shumtë. 

       Edhe kjo energji e dëftyer shfaqet në një formë akoma më kolosale në kujtofshim se kur zhvilloheshin ato përpjekje me ndalimet që ishin ngrehur prej të huajve, një vështirësi jo më pak importente ndezi një flakë të shkurtër brenda në gji të popullit: rreth Tiranës një lëvizje esadiste, një reaksion i vërtetë sërish po ngrinte krye (qershor 1920) duke shpikur një rrezik të tmerrshëm për të lindurin e ri dhe më tepër për prestigjin e tij. Me urtësi të madhe qeveria diti të ndalojë çdo krisje armësh dhe qetësoi nervozitetin duke dërguar një komision pranë Esadit në Paris. Zhdukja e këtij monstre pak javë më vonë, duke thyer idolin e tyre, theu edhe hovin e atyre që vazhdonin të ushqeheshin me ide tradhëtore dhe fanatike, të atyre që kujtonin se lumturia mund të ngrihet mbi çrregullsi, mbi punime arbitrare të influencave personale duke mohuar hamoninë që sjell një autoritet legal dhe kombiar. 

       Por, në qoftë se fuqia e lindur nga mbledhja e Lushnjës regjistroi në aktiv të saj një nga një kaq fitime dhe nderime,  bash kur vendi kishte nevojë për gjithë fuqitë e tij, kur zhvilloheshin përpjekjet në Vlorë, një vështirësi e madhe. me rrënime dhe gjakderdhje krijohej nga ana e serbëve në veri dhe veri-lindje të Shqipërisë: serbët kishin zënë vend fort më brenda vijës së caktuar më 1913, kështu që kufijtë e njohura në Londër, akoma s’ishin liruar të gjitha dhe kjo situatë përgatiste një vuajtje dhe lëngatë të madhe. 

*

Të dy vitet, 1919 dhe 1920, brenda në Shqipëri dhe përpara Konferencës së Paqës, qenë një luftim i paprerë kundër Traktatit të Fshehtë të Londrës, kundër copëtimit të Shqipërisë. Kongresi i Lushnjës dhe përpjekjet e gjakta të Vlorës kurorëzuan veprën patriotike duke proklamuar botërisht dhe me bujë vullnetin e kombit. Këto gjeste zgjidhën në një mënyrë definitive çështjen, duke siguruar triumfin e dy parimeve: indipendencën politike dhe integritetin tokësor. Pas atyre ngjarjeve Konferenca e Paqës më nuk guxoi të vërë në bisedim cënimin e këtyre dy të drejtave.

            Por efekti më i madh i luftimeve do të ishte për psikologjinë e brendshme tè popullit, për dinjitetin dhe karakterin e tij. Më 1912 ishte shfaqur tek shqiptarët një besim i rrezikshëm dhe fort i dëmshëm, sipas së cilit Shqipërinë s’e bënë shqiptarët, po e bëri Evropa. Ky mentalitet kishte për rezultat fatal një aparati, një mefshtësi dhe një moskujdesje. Meqenëse na bënë të huajt, atëhere ne më s’na binte ndonjë barrë, ndonjë detyrë. Logjika, vërtetë një logjikë e shtrembër, e donte që, kush e bëri, kush u bë shkak të bëhet, ay le të përpiqet ta kërrejë në krye! Gjykim i vdekshëm që vret dhe shkatërron çdo  përgjegjësi për një komb. Kurse tani, më 1920, Shqipëria u bë, u krijua, u gatua jo vetëm prej vetë shqiptarëve, por edhe kundër Evropës, kundër gjithë pushteteve dhe kombeve të mbështjella rreth Konferencës së Paqes. Punën e bënë vetë shqiptarët, kundër keqdashjes së të tjerëve, pa asnjë ndihmë syresh, as edhe makar  një simpati nuk vonoi të vinte, kur pa bota se shqiptari përqipej për veten e tij, me fuqinë dhe mjetet e veta. Një ngjarje e tillë ka një rëndësi të madhe për historinë e një kombi. Ekzerson një veprim, influencon gjithë jetën e tij. Është një kandil: ndrit dhe duhet të ndriçojë kurdoherë që gjendet në errësirë dhe në të keqe, në çdo kohë dhe në çdo rasje. Të mbajturit mend të akteve të mëdha të patriotizmës është një lumturi si edhe një detyrë.

Filed Under: Politike Tagged With: Mit'hat Frasheri, Uran Butka

“PLAGËT TONA”

July 14, 2020 by dgreca

Mit’hat Frashëri në librin “PLAGËT TONA”:
“Çë na mungon? Çë duhet të kemi?”/
Shkruan: Kadri Tarelli /

Është një libër i vockël, me rreth 61 faqe, pra një broshurë që mund të mbahet në xhep, për ta shfletuar në çdo vend e në çdo kohë. Një botim i hershëm i vitit 1924, nga i dituri Lumo Skëndo, pseudonimi i Mit’hat Frashërit.
Rrethanat që më bënë të njihem dhe ta kem në dorë këtë “Margaritar” të mbuluar nga pluhuri i kohës, janë tërësisht rastësore, siç ndodh shpesh. Nuk them se unë e zbulova këtë thesar të humbur, porse më ngjiti në dorë për nga mënyra e të shkruarit shkurt dhe saktë, gjuha e thjeshtë për ta kuptuar cilido shqiptar qoftë, i kënduar apo jo shumë i mësuar, për më shumë dhe kjo është vlera e vërtetë e librit, ka mendim të ngjeshur në çdo fjali.
Jo më shumë se dy javë më parë, ulur në kafe, po kuvendoja me z. Lutfi Isufaj, Dr. i Mbrojtjes së Bimëve në Shkencat Bujaqësore. Në bisedë e sipër, kur fjala erdhi tek problemet ekonomike e më pas ato shoqërore, miku i nderuar hapi çantën e madhe që e mban çdo ditë me vete dhe nxori një tufë letrash të futura në një lloj “dispense”, por e lidhur bukur. E zgjati drejt meje, dukë me thënë në mënyrë lakonike: – Lexoje dhe do të bindesh, se ne si shoqëri jemi në po të njëjtën shkallë demokracie si 100-vjet më parë, pikërisht kur është shkruar ky libër i vogël, të cilin unë e kam fotokopjuar. E kam në tavolinën e punës dhe e shfletoj kur mërzitem. Jo se më sjell qetësi, porse më hip inati, që pavarësisht rrjedhjes së kohës, ne jemi njëlloj si gjyshërit tanë atëherë, në hapat e para të krijimit të shtetit shqiptar”.
Të them të drejtën, kam lexuar librin “Gjeniu i Kombit”, të shkruar nga Uran Butka dhe që i kushtohet tërësisht Mit’hat Frashërit, ku vërtet hidhet dritë mbi jetën dhe veprimtarinë e këtij njeriu të ditur, por që qëllimisht dhe fatkeqësisht, u anatemua dhe u baltos keq nga politika për më shumë se 50 vjet të sistemit të diktaturës.
Janë botuar edhe shumë libra e studime të tjera, por po përpiqem të përqendrohem tek ky libërth jo i bukur në pamje, por me përmbajtje tërësisht edukative, pedagogjike, filozofike, ekonomike dhe me tepri mëmdhetare. Një libër që vendos gishtin mbi plagët e shoqërisë shqiptare të asaj kohe, me të gjitha problemet e saj të mprehta, që çuditërisht dhe fatkeqësisht i kemi edhe sot, e që dhembin njësoj, mbase më shumë se atëherë.
Mendimtari ynë i ndritur, nuk mjaftohet me ngacmimin e plagëve të “miletit”, shtetit dhe kombit, as me heqjen e kores së tyre, që kullojnë. Ai bën më shumë: “Vajtimi nuk hyn në punë, se sjell dishpërimin e fatalizmësë”, shprehet ai, ndaj përpiqet të gjejë ilaçin e duhur, për t’i mjekuar e shëruar, që shoqëria shqiptare të gjejë udhën e duhur drejt zhvillimit dhe përparimit. Ai porsi një profet i drejtohet këndonjësve, më pas djalërisë, vegjëlisë, bejlerëve, intelektualëve: “Ay që munt të shohë dhe ka kohë të mejtohet, je ti o djalëri e Shqipërisë, o intelektual, o i pasur, o i fisshim”. Në këtë vorbull pështjellimi, nuk le mënjanë shtetarët, shkrimtarët, poetët, gazetarët dhe së fundmi edhe gratë, apo shqiptarkat, siç shprehet me shumë nderim e mirënjohje.
Vetë titulli i këtij punimi, është një klithmë në qiellin e trazuar të shoqërisë shqiptare, të sapo kishte dalë nga sundimi 500-vjeçar i Turqisë, përfshi edhe trazirat e luftës ballkanike, në përfundim të së cilës, na sakatuan territorin dhe etninë shqiptare, të cilën e ndanë në pesë shtete. Një tragjedi e vërtetë, por që nuk u ndal me kaq, trazirat e brendshme, më pas edhe Lufta e parë Botërore, që nuk e lanë të qetë këtë vend të vogël, të varfër e të lodhur. Klithmë që vjen së thelli nga dhimbja në vetëdije, për fatin e popullit dhe të kombit, por që duhet dëgjuar e më pas duhet shëruar.
Një ndër “Plagët tona” më të thella, e shfaqur në popull atëherë, por e pa mbështetur nga politika e kohës, më pas edhe gjatë sundimit të socializmit por e nxitur dhe e mbështetur edhe nga politika, ishte mosmarrëveshja mes të varfërve dhe të pasurve, ose e shprehur ideologjikisht “Lufta e klasave”, sëmundje shekullore, por e ndezur si zjarr i fortë nga teoria marksiste e sidomos pas fitores së Revolucionit Bolshevik në Rusi. Çuditërisht autori, si orakull i lashtësisë, e parandien rrezikun dhe gjëmën e madhe: “E drejta nuk munt të peshojë me pahir vetëm më nj’anë, në dëm të tjetrës”….. “Begatia dhe drejtësia nuk mund të ngrehet mbi një padrejtësi”. Është lufta e klasave, të cilën ai e quan: “Në Shqipëri, një zihje (grindje) e tillë është fatkeqësi, nuk duhet të ekzistojë…..”, aq sa nuk ka mjek apo kirurg që e shëron, pasi këtë prush të ndezur e krijon politika dhe e trazon politika, si mjet sundimi, duke mbjellë përçarje në popull. Besoj se kësaj murtaje, ne shqiptarët ja pamë dhe po ja shohim “hairin” më shumë se kushdo në botë, madje edhe pas një shekulli.
Vetë titulli në krye, na kumton: “Çë na mungon? Çë duhet të kemi”, janë pyetje që shpojnë thellë në vetëdijen ton të çoroditur, shumë nga politika, por më së shumti nga huqet tona si shqiptarë, që nuk gjejmë qetësi mes njëri-tjetrit, që nuk punojmë, nuk shohim hallin tonë, por merremi me të tjerët, lehtë, madje farë lëhtë, e hedhim topin në oborrin e tjetrit, pra ngarkojmë botën, të huajt. Vëreni me kujdes këto pak fjalë: “Gjithë vuajnë e qahen. Po kujtojnë se një fuqi e huaj, një krah prej qielli, do t’i nxjerrë nga e keqja. Të dy krahët e vet si mejton”. Më pas, më shumë shajmë qeverinë dhe zyrtarin, komshiun dhe pronarin, me një fjalë, soj e sorollop, ndërsa për vete jemi “qelibar” dhe nuk pranojmë të na bjerë mbi supe asnjë pupël zogu. Diku shprehët: “Ankohet për qeverinë që nuk shtron rrugët, ndërsa në oborr ka dy pëllëmbë baltë. Pronari i tokës ankohet për qeverinë, se nuk kujdeset për bujqësinë, kur ai vetë s’ka shkuar kurrë në pronat e veta, të shohë si punohet e ç’ nevoja ka toka dhe bujku”. Shembuj më të bukur s’besoj se gjejmë, në adresë të mentalitetit tonë të mpirë, për të mos thënë të mykur e të mbrapsht.
Nuk kam ndërmend të analizoj të gjithë veprën, pasi këndonjësi i gjen vetë vlerat dhe cilësitë e mendimit e të shkrimit. Po ndalem vetëm në disa thënie plot lëng jete, të shkruara letrarisht dhe urtësisht:
. Shkrimtarëvet: “Llauzi (populli) vë veshin në ato që thoni dhe shkroni. Atje vjen të ndezë qirin’ e idevet’ të tij….”. Më pas porosit: “Kujtoni, se një e shkruar është një farë e mbjellë. Kujdesi i mbjellësit duhet të jetë një lule e mirë, një pemë e këndshme. Hithra dhe ferra mbin vetë-vetiu dhe veç dëmit, s’ka no një vleftë”.
– Poetëve: “Tani drejtohem ke ju, vjershëtorë dhe poetë, ke ju që duhet të jeni shpirti i kombit, udhëheqësi i shpirtit të këtij kombi”. Më tej bën një vlerësim me shumë dshuri e qëllim-mirë: “I lumtur ay popull që ka gjetur në brumë të tij, të tillë poetë me frymë të lartë. Më të lumtur akoma ata poetë, që kanë gatuar me frymën e tyre kombin dhe kanë rrëfyer udhën e bardhë drejt një ideali të lartë”.
– Gazetarëve: “Çdo shkrimtar është një këshilltar, po gazetari është edhe më tepër akoma: është një predikonjës”…… “Gazetarit i bie mbi supat barra më e madhe. Roli i tij është i komplikuar, se duhet të jetë edhe një mjek që shëron sëmundjen, edhe një meshtar që përkujdeset për shpirtin, edhe një avokat që i mpron të drejtat, edhe një gjykatës që i ndan gjyqin”.
Grave: “Më vjen keq t’a them prapë! Po në të metat që ka shqiptari, përgjegjësia më e madhe i bie shqipëtarkës”. Më tej shton disa pyetje që e kanë edhe përgjigjen brenda: “A presim ne përparim dhe dritë, kur zonja e shtëpisë dhe squka e fëmijërisë, të rrijë në shkallë të unjët? A presim ne një zgjim, kur çupat tona, zonjat e nesërme, të rriten vetëm si kuklla…?”, etj, etj.
Nëse do të vazhdoja me këto thënie të vyera, më duhet të kopjoj të gjithë librin, pasi çdo mendim i shprehur këtu, është një mësim dhe filozofi më vete, i nxjerr nga jeta dhe i rrëfyer në mënyrë sa letrare aq edhe lakonike. Kam përshtypjen se çdo lexues, sapo të nistë të lëçitë fjalët e para, i duhet të marrë lapsin e të nënvizojë mësimet dhe porositë, që janë plot brumë njerëzie, qytetarie dhe shqiptarie. T’i nënvizojë që t’i mbajë mend, apo t’i shikojë herë-pas-here, për t’i thirrur kujtesës, detyrës, përkushtimit dhe edukimit të vetëdijes, mbase për t’i shtuar në listën e fjalëve të urta, që janë një tjetër pasuri diturie që na ka lënë të shkruara, Mit’hat Frashëri.
Të gjitha natyrisht i thotë libri, ndërsa unë po mjaftohem të shtoj, se ky libërth i vockël, duhet të botohet, natyrisht me pak korrigjime të disa fjëlve që nuk po përdoren në fjalorin e kohës. Të botohet, që të jetë në çantën e mësuesit dhe shkollarit, në dosjen e pedagogut dhe studentit, në tavolinën e zyrtarit, në trastën e deputetit, në bllokun e gazetarit dhe në fletoren e shkrimtarit e poetit, më tej akoma, në magjen dhe sofrën e çdo gruaje. E thënë shqip: në bibliotekën e çdo shqiptari.
Jo më kot shkrimtari dhe studiuesi Uran Butka e ka quajtur Mit’hat Frashërin, “Gjeniu i Kombit”.
Jam i bindur se “Heroit” të këtij shkrimi, i shkojnë përshtat fjalët e Anna Frank, që thotë: “Nuk dua të jetoj kot si shumica e njerëzve. Dua të jem e dobishme dhe t’u sjellë kënaqësi të gjithë njerëzve, madje edhe atyre të cilët kurrë nuk i kam njohur. Dua të vazhdoj të jetoj edhe pas vdekjes”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kadri Tarelli, Mit'hat Frasheri, Plaget tona

Vlora më 1912 dhe 1920

May 21, 2020 by dgreca

Me rastin e 100 vjetorit te Luftës së Vlorës, maj 1920-maj 2020/

Nga Mid’hat Frashëri*/

Vlorë, një emër paskëtaj i lidhur me historinë e Shqipërisë; me lidhje të zgjidhshme.

Dy data 1912 dhe 1920, dy ngjarje, dy flakë. E dyta plotësoi të parën, e mbaroi, e forcoi, i dha shkëlqim, e bëri të vërtetë, reale, e shpëtoi prej mjegullës dhe dyshimit. E para i hapi udhë të dytës, po e dyta i dha trup së parës, e bëri të pashme, të gjallë, me shpirt, me frymë, ose më mirë akoma, mblodhi në këtë pjellë shpirtin dhe frymën e përhapur, që fluturonte në erë dhe s’kishte zënë vend përdhe, e forcoi në këtë zall me rërë pastaj e hodhi mbi gjithë Shqipërinë, si një vesë që bie dhe ngjall bimët e vyshkura prej të thatit.

Shumë herë fati i një njeriu, i një kombi, varet prej një të papandehur dhe më kot kërkojmë shkaqet e ngjarjes, pyesim si dhe pse u bë kështu. Ato janë ngjarjet, që rrjedhin befas, papritur, që i kanë rrënjët në faktorë të padukur. Po edhe disa ngjarje të tjera janë drejtësisht fryti i një dëshire dhe i një vullneti, që i bën, që i mejton dhe që i do. Thamë se fati është i verbër. Në kushtet e dyta fati e ka hequr shaminë, që i mbyll sytë dhe sheh, shikon, kupton.

Një mijë e nëntëqind e dymbëdhjeta mund të bëhej edhe gjetkë, në vend që të bëhej në Vlorë, në çdo qytet tjetër, në të parin fshat, edhe në të fundit.

Po një mijë e nëntëqind e njëzeta nuk mund të bëhesh veçse në Vlorë, në këtë baltë, prej këtyre njerëzve.

Dymbëdhjeta hodhi një flakë, se materializoi dëshirën dhe idealin e një kombi, mbaroi një ide, i dha formë mendjes.

Njëzeta i dha gjallim lëndës, e bëri me shpirt formën, e mbërtheu në zemra dhe në mendje.

Mbarimi i Dymbëdhjetës qe pak befas, e papritur, mbase dhe një grimë para kohe. Dhe në gaz e në turbullim të një ngjarjeje të lumtur, që nuk pritet, ndërgjegjja kombiare nuk gjeti kohë të kristalizonte aspiratat e saj, të merrte gjerësinë e fatit, të ndjente dhe të shijonte lumturinë e re. Ishte një ide, një ideal, një dëshirë e qëndruar pak në erë, e pazbritur fare në dhê.

Intervali dymbëdhjetë-njëzet është mbushur me të bëra të këqija dhe të zeza, po mbase jo të palogjikshme. Logjika është e pamëshirë dhe më tepër akoma kur komenton punën që ka rrjedhur, ngjarje të cilave u njohim shtytkat. Kështu që në tetë vjet mjerime, në qoftë se kjo jetë nga nisja dhe  në fund njeh “mjerime”, gjemë një shpjegim. Po të shpjeguarit, edhe me logjikë qoftë, s’e ndalon njeriun nga fatkeqësia dhe nuk ia praps dot as keqardhjen e turpin. Çdo të shpjeguar nuk fal, nuk e lan fajin. Komentimi nuk ecën bashkë me harrimin, mbase bën zgjimin, se në i gjettë shkaqet e një ngjarjeje (dhe ngjarjen fatkeqe njerëzit e quajnë faj dhe turp), sheh dhe mënyrat, mjetet e të prapsurit të së keqes, e të pjellit të ngjarjeve fatbardha.

Të parët dhe të gjykuarit me gjak të ftohtë është një lumturi, por bashkë me të edhe një pafatësi. Është një gëzim shpirti, si edhe një pikëllim zemre. Sido që të jetë, është një qetësi fryme dhe kush ka qetësinë, di të presë, të durojë, të ushqejë shpresën, se fundi i gjykimit është puna. Në debat të ndalimeve, të vështirësive, të veprimeve të zeza, e sheh njeriu se një punë dhe një veprim i lumtur mund dhe prish të palumturin. Puna, aktiviteti, të ushqen shpresën. Si mekaniku që njeh makinën dhe e ndreq, sado e prishur që të duket, ashtu edhe ai që analizon, ai që sheh dhe përkëdhel çarqet e panumërta të kësaj makine, që i themi jetë, e di se me punë, me durim, me palodhje e me papikëllim, sistemi i makinës mund të vihet në lëvizje në drejtimin, që duam.

Duhet një shkaktar, një që të dojë ta ndreqë makinën.

Ky shkaktar u bë Vlora. Shkaktar jo i fatit, befas, pa ditur, pa pandehur, pa dëshirë, po shkaktar i mençur, i ndërgjegjshëm për atë që duan, që dinë ç’bëjnë, që ka përgatitur kushtet, që ka mprehur vullnetin, në durim e në heshtje, të vendosur për fitim a për vdekje, që ka parë çdo rrezik, ka peshuar pse-në dhe si-në e shortet, duke mos kapsitur syrin, me gjak të ftohtë ka hyrë në zjarr dhe ka dalë me fitim në dorë.

Shpesh një punë e vogël, një shkak i vogël pjell një fryt të madh. Këtu kemi një punë të madhe, një shkak të madh, që i jep lindje një pune të madhe.

Edhe kështu njëzeta kurorëzon dymbëdhjetën. Njëzeta e fortë, më trime se e pushtetshme, e merr dymbëdhjetën, e nxjerr nga gjembat dhe greminat, e ngre në këmbë dhe i thotë: EC.

Dymbëdhjeta solli famë në këtë Vlorë. Njëzeta nderoi Vlorën. Vlora nderoi njëzetën.

Njëzeta i tha Shqipërisë: je e lirë, dhe këtë liri ja ke hua vetvetes. Nuk ke miq dhe dashamirë, po ke veten tënde. Dhe kur ke veten tënde, mos ki më frikë. Këtij urdhri, qe e pamundur mos t’i bindet njeriu; Shqipëria u mëkëmb, u forcua, u mbajt dhe eci. Fuqinë, shëndetin, shpirtin dhe gjëllimin e mori nga vullneti i saj.

Nderim, respekt dhe venerim për këtë vend!

Një dëshirë e kaq dhjetë vitesh po shtynte kombin drejt një të ardhmeje të re, drejt një jete të bërë dhe të shpënë për të mbarën, për dobinë, për interesin dhe për shkëlqimin e vendit. Një dritë ishte hedhur mbi udhën që po ecnim dhe ajo dritë rrëfente një udhë të re. Kandili qe ndezur dhe busulla e dëshirës kishte gjetur një pol, herë e ndritur, herë e zbehtë, shpesh herë në rrezik që të shuhej. Busulla e humbiste polin dhe udhëtari e lidhte udhën si anija pa timon, si barka pa vela. Yllit, që rrëfente qëllimin, re të zeza  e mbulonin shkëndijën dhe tallazet e valës bëheshin kanosëse.

Atij kandili i desh hedhur vaj, që të dilte flaka përmbi tymin dhe të ndriste rrugën. Edhe në qoftë se djersa bën pjellor çdo send, këtu djersa u mbyt me gjak dhe u ngjall me vullnet.

Venerim, respekt dhe nderim për ata njerëz!

***

Në këtë qytet të bërë vërtet “shqiptar”, çdo shqiptar ndjen një kryelartësi dhe një mburrje, kërkon të zbulojë shkaqe të reja për lëvdatë, burime për mburrje dhe në çdo çap, që bën zemra, bën një lutje, që ta gjejë këtë qytet më të lavdërueshëm dhe më të lulëzuar se nga çdo tjetër. Në ç’punë hyn ajo therori, ajo burrëri, po qe që një punë e palodhshme s’erdhi t’i jepte çdo ditë një shkëlqim të ri.

Edhe me këtë dëshirë në zemër nxitoj të bëj një vizitë të shpejtë. Tetë vjet jete turbullimi i kanë sjellë pak nderim fizionomisë së qytetit: këtu atje sheh ca shtëpi të reja, disa dyqane të modernizuara, një shesh tregu të rregulluar, një ndërtesë qeverie të mbajtur mirë, një kujdes prej bashkisë në pastrim të rrugëve dhe në ngritje të godinave të rrëzuara.

Mësoj se një kopsht qyteti, një park i vogël po përgatitet në këtë klimë të butë, këtu që rron ulliri, lulëzon limoni dhe portokalli, këtu që eukaliptusi, kaktusi dhe palmat me gjithë shoqet e tyre të vendeve të nxehta, gjejnë një diell mbrojtës dhe gjelbërim prurës, padyshim një park i kujdesur mund të bëhet një model bimësh dhe një kënaqësi për syrin e për shpirtin. Po pse të paralajmërojmë, le të presim mbarimin. S’është me të thënë, është me të bërë.

Ja spitali: mjeku më rrëfen udhën, më bën nderimet si një zot shtëpie, më rrëfen të sëmurët, sallat e operacioneve, depozitat, farmacinë … dhe tekdo një pastërti e kujdes mbretëron, tekdo sheh njeriu shenjën e një dashurie për mjeshtërinë, një dëshirë për shërbim.

Mësoj se flitet për formimin e një muzeu dhe mbrëmë që luajtur një pjesë teatri prej një trupe amatorësh.

Një muze! Të donin, sa lëndë të begatshme mund të mblidhnim! Të kishim dashurinë e së shkuarës dhe të na dhembte pak më tepër për të lënat e stërgjyshërve! Por pa u ngjitur në paranikët tanë të vjetër, pa vajtur në “antikat” e Pojanit dhe të kaq viseve të tjera, balta e të cilave mbulon qytete të moçëm, vetëm plaçkat, kujtimet dhe mbeturinat e këtyre dhjetë viteve të fundit sikur të mbledhim, vetëm për të mos harruarit e viteve 1912 dhe 1920 sikur të kujdesej muzeu i Vlorës, do të bëhej një koleksion prej më të vlefshmëve për ne.

Duke shëtitur mejtohem. Dhjetë vjet. Kujtimi është akoma tepër i ri për t’u harruar. Sa ndryshim, që atëherë e tëhu: n’atë kohë gjindja kishte një ç’interesim për çdo send që prekte punët e shoqërisë. Tani çdo gjë e Shqipërisë e intereson dhe e zgjon. Zgjedhjet e deputetëve, zgjedhjet e bashkisë janë bërë me një zell, që dëften se detyrat qytetare janë kuptuar mirë.

Ndërgjegjja kombëtare kur zgjohet, i jep një fisnikëri njeriut, si çdo dashuri dhe çdo frymë, që fisnikëron punët e të mortmit. 

Por fisnikëria ka dhe detyra të rënda. Është gjë e rrallë dhe fort e madhe që të jesh fisnik, por dhe sa gjë e rëndë që të dish të mbash shkallën e asaj fisnikërie.

Sa barrë e rëndë bie tani mbi supet e kësaj Vlore, nga e cila të gjithë presin mbarimin e punëve të mëdha, zbukurim dhe lulëzim! Zgjimi i ndjenjës kombiare sjell entuziazëm dhe ky hov i zemrës e bën njeriun të përparojë, të naltësohet, të mos qëndrojë pa arritur kulmin e udhës, që ka zënë. 

Dymbëdhjeta nuk zgjoi entuziazëm, nuk tronditi dejet, nuk flaku poshtë këtë atmosferë vdekjeje, që mbështillte çdo njeri të dënuar për prishje. Edhe mbeti në shpirtra e në zemra si gjumë i somnambulit. 

Njëzeta nuk mund që të mos zgjonte entuziazëm. Jo, një punë e tillë nuk mund që të mos njihte detyrat që i ngarkoheshin. Do të qe më i madhi mëkat në botë përgënjeshtrimi i atyre shpresave të mëdha, që zgjoi Dymbëdhjeta. Vlora që bëri një hap kaq të madh dhe të shkëlqyer, nuk mund më të kridhet n’ errësirë.

Edhe sa punë akoma për të mbaruar! Sa çape të tjerë për të hedhur! 

*Ky fragment është nxjerrë nga “Një udhëtim nga Trieste ne Vlorë” 12 tetor 1922, një udhëpërshkrim i Mid’hat Frasherit (Lumo Skendo), njëherësh edhe një meditim historik, filozofik dhe artistik për dy ngjarje madhore te  historisë së Shqipërisë, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ( 28 Nëntor 1912) dhe Luftën e Vlorës ( 21 maj 1920), që solli çlirimin dhe pavarësinë e vërtetë e Shqipërisë nga pushtuesit e huaj.

Uran Butka

Filed Under: Histori Tagged With: Mit'hat Frasheri, Vlora 1912-20

PERCJELLJELLJA E ESHTRAVE TE MITHAT FRASHERIT NE NEW YORK, 10 NENTOR 2018

October 17, 2018 by dgreca

Mithat Frasheri
– Njoftim i Ambasades Shqiptare ne Washington/
2Njoftimi i ambasades1
Ambasada shqiptare ne Washington norton komunitetin se Ceremonia zyrtare e kthimit në atdhe të eshtrave të patriotit të shquar shqiptar Mid’hat Frasheri do te organizohet me
10 nëntor 2018 në New York.
Detajet e mëtejshme mbi protokollin e ceremonisë, sopas njoftimit te ambasades, do të publikohen së shpejti në #facebook

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ambasada, Mit'hat Frasheri, Percjellja e eshtrave

Atdhesimi i eshtrave te Mithat Frasherit

October 7, 2018 by dgreca

1-MITHAT-BEU-2-800x445-300x167Deklaratë për Shtyp-Ambasada e Shqiperise ne Washington/
ambasada
 
Në fillim të muajit tetor përkujtohet ndarja nga jeta e patriotit të shquar shqiptar, Mid’hat Abdyl Frashërit, në Shqipëri, por edhe ndër bashkëkombasit tanë në diasporë.
Me këtë rast, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bën me dije se, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 485, date 31 korrik 2018, “Për kthimin në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri”, është plotësisht e angazhuar, në bashkëpunim me autoritetet amerikane, për përmbushjen e amanetit të Mid’hat Frashërit dhe kërkesës së bashkëluftëtarëve dhe familjarëve, që eshtrat e tij të prehen në tokën e të parëve.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë i është veçanërisht mirënjohëse pasardhësve të Mid’hat Frashërit për të gjithë ndihmën e dhënë për përmbushjen e kësaj detyre njerëzore dhe atdhetare, po aq sa edhe familjarëve të bashkëpunëtorve të tij, si edhe Institutit të Studimeve Historike Lumo Skëndo në Tiranë për propozimin e kësaj nisme.
Jo vetëm në kohën kur u përfshi në përpjekjet e mëdha të Rilindjes kombëtare për emancipimin kombëtar dhe individual të shqiptarëve, por edhe në çdo moment tjetër të veprimtarisë së tij publicistike, diplomatike dhe politike, Mid’hat Frashëri spikati prej orientimit të tij pro-perendimor dhe qasjes vizionare ndaj marrëdhënieve të privilegjuara me aleatët tanë të çdo kohe, sot, partnerët kryesorë strategjikë të Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këtë kontekst, atdhesimi i eshtrave të këtij patrioti të shquar, lipset të jetë një moment përbashkimi, solemniteti dhe krenarie për të gjithë diasporën shqiptare në SHBA, sikundër duhet të kthehet në një shprehje dinjitoze mirënjohje për tokën e bekuar amerikane që i qe banesë e fundit për 69 vjet dhe një moment kremtimi të marrëdhënieve historike shqiptaro-amerikane.
Është jubileu i 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, të cilit Mid’hat Frashëri ju bë kryetar dhe udhërrëfyes, së bashku me At Gjergj Fishtën, dhe shumë atdhetarë të tjerë, që mundëson në kuadrin më të denjë të mundshëm, sjelljen në atdhe të eshtrave të tij. Kjo ngjarje do të jetë një nga më të rëndësishmet e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Ceremonitë që do të shënojnë këtë ngjarje, do të zhvillohen në New York dhe në Tiranë rreth datave 12 dhe 14 nëntor 2018. Eshtrat e Mid’hat Frashërit parashikohet të prehen në varrezat monumentale të vëllezërve Frashëri, në kodrat e liqenit në Tiranë, pranë babait dhe xhaxhait të tij, jo larg vendit ku prehen edhe eshtrat e personalitetit tjetër të shquar, Faik Konicës.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në SHBA do të mbajë të informuar në vazhdimësi bashkëkombasit tanë për rrjedhën dhe programin e ceremonive dhe mirëpret angazhimin e diasporës shqiptare për të kontribuar në konceptimin dhe mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve, si dhe për të shoqëruar me një frymë vëllazërie, qytetarie, dinjiteti dhe atdhedashurie, virtute që karakterizuan në shkallën më të lartë Mid’hat Frashërin, kthimin e tij në atdhe.

Filed Under: Featured Tagged With: ambasada shqiptare, Atdhesimi i eshtrave, deklaration, Mit'hat Frasheri

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 5
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT