
Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo”/
Sami Frashëri, ideologu kryesor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe veprimtar i saj,dijetar enciklopedist, gjuhëtar, shkrimtar dhe publicist.
Sami Frashëri lindi në Frashër të Përmetit më 1 qershor 1850. Është vëllai i vogël i Abdyl e Naim Frashërit. Mësimet e para i mori në vendlindje. Më 1865 së bashku me pesë vëllezërit e tij dhe dy motrat u vendos, në Janinë, ku me vëllanë, Naimin, Sami Frashëri kreu shkollën e mesme greke “Zosimea”. Atje, përveç greqishtes së re e të vjetër përvetësoi edhe gjuhën latine, frënge dhe atë italiane. Më 1872 u vendos në Stamboll ku zhvilloi një veprimtari të gjerë patriotike për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të popullit shqiptar dhe bashkëpunoi me përfaqësuesit më përparimtarë të lëvizjes liberale turke. Ishte një ndër organizatorët kryesorë të “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare” dhe me themelimin e “Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip” (1879) u zgjodh kryetar i saj. Vepra “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë”, botuar më 1899 në Bukuresht, u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke “Kamus-i turki”, 1901, i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe, përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Ai la në dorëshkrim 11 vepra, kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe letërsisë. Vdiq në Stamboll në moshën 54 vjeçare.