




Gazetari dhe shkrimtari Sami Milloshi çeli ekspozitën e dytë të artit në Kolegjin Wheaton në Norton, Massachusetts. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 22 dhjetor 2025. Janë rreth 40 piktura të formatit të madh, disa edhe miniatura. Motivet janë kryesisht landscape — pamje nga natyra.
Intervistë e piktorit Sami Milloshit dhënë Kryeredaktorit të Gazetës “Dielli”, Sokol Paja
1. Cilat janë veçantitë e ekspozitës së dytë të piktorit dhe shkrimtarit Sami Milloshi? Si u prit në Boston nga publiku dhe artdashësit amerikanë?
Së pari, do të dëshiroja t’ju falënderoj përzemërsisht, i nderuar zoti Paja, për ftesën për të folur mbi pikturën time. “Dielli” është një emër i madh i publicistikës shqiptare dhe ju po e mbani gjallë me dinjitet këtë emër emblematik. Unë vij në pikturë nga bota e letrave — jam shkrimtar dhe me një çerek shekulli mbi supe si gazetar aktiv në shtypin e shkruar shqiptar. Duket pak e çuditshme sesi i hyra pikturës. Tetë vjet më parë, i bëra një pyetje vetes: “Çfarë do të bësh kur të dalësh në pension?” Përgjigjja ishte: “Merreu me pikturë.” Dhe ashtu bëra — vajta, bleva kavaletin, paletën, penelat dhe bojrat në një dyqan arti në Brockton, Massachusetts.
Kur vajta të paguaja te arkëtarja, i thashë:
— Please wish me good luck, I am going to be a painter! (Të lutem, më uro fat, sepse kam vendosur të bëhem piktor).
— Good luck! (Paç fat) — më tha ajo dhe qeshëm.
E fillova me shumë dëshirë. Ditë pas dite u bënë disa punë. Meqë ende vazhdoj të punoj në Kolegjin Wheaton në Norton, Massachusetts, i kërkova presidentit të kolegjit të hap një ekspozitë. Ishte viti 2018 — një vit e pak pasi kisha filluar të pikturoja. Natyrisht isha fillestar, por plot pasion, sepse më kishte rrëmbyer piktura. E hapa ekspozitën në qendrën kulturore të kolegjit. U pëlqye.
Presidenti Dennis Hanno madje bleu piktura për zyrën dhe shtëpinë e tij. Blenë edhe disa profesorë dhe studentë. Gjashtë muaj më pas, m’u dha e drejta të flisja për pikturën time në mbledhjen vjetore të profesoratit dhe stafit tjetër të kolegjit (rreth 400 veta). Pas asaj dite, si të thuash, u bëra i njohur si “piktori i kolegjit”. Bëja piktura dhe i shisja po aty. Kjo që kam hapur tani është ekspozita e dytë, e hapur po në Kolegjin Wheaton, tashmë në mjediset e bibliotekës ku edhe punoj.
2. Sa do të qëndrojë e hapur ekspozita? Sa piktura janë? Cilat janë motivet artistike?
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 22 dhjetor të këtij viti. Janë rreth 40 piktura të formatit të madh, disa edhe miniatura. Motivet janë kryesisht landscape — pamje nga natyra. Por unë nuk jam piktor realist; unë pikturoj shpirtin tim përballë natyrës. Pse ky vend? — më pyet ti. Sepse ky vend, Amerika, është vend i çudive. Unë kurrë nuk do të isha bërë piktor në Shqipëri. Por Amerika është vendi ku njerëzit që ndjekin një ëndërr bëjnë çudira, duke e shndërruar të pamundurën në të mundshme — pra, në një realitet të prekshëm.
Një mik imi, profesori i matematikës Luigj Gjoka, ish-deputet, ka thënë se: “Te ti, Sami, u zgjua një ëndërr e fjetur e fëmijërisë për pikturën dhe u bë realitet në moshën e burrit.” Ky është, për mua, përcaktimi më i saktë estetik i asaj çfarë ka ndodhur me mua si piktor dhe si krijues në tërësi.
3. Cilat ishin reagimet e amerikanëve mbi veprën tënde krijuese?
Jashtëzakonisht inkurajuese. Amerika ka një veçori: është një mjedis gjigand inkurajues. Një kolege në bibliotekë më tha sot: “Ngjyrat e pikturave të tua më bëjnë të lumtur.” Presidentja e kolegjit, Michaele Whelan, tha se “këto piktura janë perla impresioniste”. Kam shitur me dhjetëra piktura nëpër Amerikë, thjesht përmes komunikimeve të drejtpërdrejta. Por kënaqësinë më të madhe ma japin studentët kur blejnë pikturat e mia.
4. Cilat ishin reagimet e shqiptarëve mbi veprën tënde krijuese? A ju kanë mbështetur shqiptarët e Bostonit? A ka motive shqiptarie kjo ekspozitë?
Kanë qenë reagime pozitive. Në një manifestim kulturor në Kishën Shqiptare në Worcester kam shitur disa piktura. I kanë blerë vëllezërit e famshëm artistë Geg dhe Ndoc Delia. Po, ka pak motive shqiptare, por jo aq sa do të dëshiroja të kisha. Sa i takon mbështetjes së shqiptarëve të Bostonit, mund të them se kam vetëm përkrahje individuale miqsh, por nuk ekziston ndonjë përkrahje si komunitet. Ata as që e dinë se unë jam edhe piktor…
5. Cilat janë mesazhet kryesore që i jepni publikut në këtë ekspozitë?
Paqe me veten, paqe me natyrën, paqe me njerëzit që të rrethojnë. Unë kam tashmë një ide më të qartë për artin: Arti është një univers i vetëm, ku interferojnë të gjitha llojet e artit, pavarësisht formës së shprehjes — qoftë pikturë, letërsi apo muzikë. Një poezi e mirë mund të shfaqet si pikturë, ashtu sikurse një pikturë mund të lexohet si poezi. Ka piktura që tingëllojnë si muzika e Vivaldit…
6. Cilat janë planet për ta vazhduar më tej këtë ekspozitë në shtete të tjera të Amerikës? Po në Shqipëri a keni plane?
Jo, nuk kam ndonjë plan për ta hapur ekspozitën në shtete të tjera të Amerikës. Por kam një ëndërr ta hap një ekspozitë në Shqipëri. Megjithatë, pasi të mbaroj punë me këtë ekspozitë, dua të merrem me botimin e një libri të ri me tregime. Ky është projekti im afatshkurtër tani për tani.
7. Cili është gjykimi juaj mbi mbështetjen që komuniteti, ambasadat, biznesi dhe organizatat patriotike shqiptare i japin artit, kulturës dhe letërsisë në mërgatë
Nuk kam ndonjë informacion të hollësishëm për mbështetjen që jep komuniteti apo ambasadat e të tjerë. Por, sa shoh në përgjithësi, e perceptoj si një vetizolim “alla shqiptar”, që as nuk tenton të integrohet sado pak në këtë mjedis kaq bujar amerikan. Shqiptarët mblidhen në darka e dreka, japin çmime kot së koti për të përkëdhelur gjoja sedrën patriotike. Por, kur vjen puna për fakte konkrete integrimi, këto duhet t’i kërkosh me qiri për t’i gjetur. E gjitha kjo vjen sepse qeveria shqiptare, dhe për rrjedhojë ambasadat e saj — përfshi edhe këtë në Washington — nuk kanë veçse një vizion të mjerueshëm për emigrantët shqiptarë, që janë në numër sa një Shqipëri e dytë.
Ajo që nuk shkon është koncepti klientelist që ka qeveria shqiptare për emigracionin. Është e turpshme. Qeveria e Tiranës mjafton të shohë Kosovën, me çfarë respekti i trajton emigrantët, dhe gjithçka mund të kthehej në rrugë të mbarë. Shkurt, unë nuk kam shpresë se kjo qeveri aktuale e Tiranës mund të ndryshojë ndonjë gjë për së mbari. Nevojitet një ndryshim rrënjësor që ta kthejë fytyrën nga interesat kombëtare shqiptare dhe të mos mbetet peng i agjendave globaliste antikombëtare.
Fotot nga Bujar Veselaj
@followers