Nga takimi i Kryeminsitrit rama me perfaqesues “te perzgjedhur” te diaspores me 26 Shtator en New York/
Nga Afrim Krasniqi/
Kryeministri Rama lajmëroi javën e kaluar se në muajin mars 2016 do organizohet në Tiranë “Samiti i Parë i Diasporës” shqiptare. Lajmi bëri headline dhe u komentua gjerësisht si një risi në vendimmarrjen politike të Tiranës ndaj komuniteteve shqiptare në botë. Në fakt, një nismë e tillë daton herët, më 1995 por që u harrua shpejt për shkak të krizës politike 1996, dhe që u risoll në axhendën zyrtare më 2006 duke u programuar për vitin 2007. Në Strategjinë Kombëtare për Diasporën dhe Emigracionin (2006) parashikohej se Kongresi i Parë i Diasporës do kishte përgjegjësinë “shqyrtimin e politikave aktuale për mobilizimin e diasporës shqiptare, ku me prioritet do të shqyrtohen çështje si ruajtja e gjuhës dhe kulturës, fenomeni i ikjes së trurit dhe investimet në Shqipëri”. Për jetësimin e projektit u programuan 100000 fletëpalosje (25000 euro), 5000 broshura (5000 euro), si dhe 5000 euro materiale te tjera reklamuese, pra në total 35 mijë euro. Nuk ka informacion zyrtar se çfarë ndodhi me projektin dhe as strategjinë, por risjellja në jetë e idesë së Kongresit të Diasporës (tashmë i quajtur Samit), është tregues se asnjëri prej angazhimeve nuk është realizuar.
Përtej këtyre detajeve të rëndësishme, tema e diasporës meriton edhe një analizë më plotësuese dhe shteruese. Kushtetuta e Shqipërisë (neni 8) detyron shtetin shqiptar “të mbrojë të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet” si dhe tu sigurojë “ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare”. Në funksion të këtij përcaktimi kushtetues, çdo qeveri shqiptare e viteve post 90 ka premtuar se çështjet e diasporës do jenë parësore në angazhimet e tyre. Gjithsesi, bilanci i deritanishëm flet për të kundërtën, – asnjë qeveri nuk ka kryer si dhe sa duhet detyrimin e vet kushtetues.
Le ta ilustrojmë politikën zyrtare me evoluimin e idesë për një ministri diaspore për shqiptarët jashtë vendit. Referuar faqes Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) numri i shqiptarëve që jeton në emigracion është 1.35 milion, ku sipas numrit, vendin kryesor e zënë Italia, Greqia, SHBA, Britania e Madhe, Kanada, Gjermani, etj. Në një vend me popullsi 3.3 milion banorë, ku 1.3 rezultojnë zyrtarisht në emigrim dhe vetëm 2 milion në vend, do të duhej që çështjet e emigrimit dhe diasporës të kishin vend prioritar. Në fakt, asnjë prej kabineteve qeveritare prej 1990 dhe rrjedhimisht, asnjë kabinet qeveritar në historinë e këtij vendi nuk ka pasur ministri diaspore. Kemi pasur fjalën “emigracion” në strukturën e disa ministrive, sidomos pas 1996, por në vitet e fundit edhe ajo është hequr. Politika ofroi si zgjidhje ekzistencën e drejtorisë për emigracionin (1992) në kuadër të MPJ, strukturë e cila mbulonte edhe diasporën. Më 1996 me VKM qeveria krijoi Institutin e Diasporës, një strukturë në varësi nga Këshilli i Ministrave dhe që përbëhej vetëm nga 3 (tre) persona. Dhjetë vjet më vonë, më 2006, qeveria shpalli me VKM krijimin e Institutit Kombëtar të Diasporës, institucion tashmë në varësi nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ekipi ekzekutiv i Institutit do përbëhej nga vetëm 4 (katër) persona, një prej të cilëve duhej të ishte diplomat. Vendimi parashikoi edhe ngritjen e një Bordi Drejtues me drejtorë nga shtatë ministri të ndryshme. Pas disa eksperimenteve të tjera, aktualisht në strukturën e MPJ gjendet një zyrë e quajtur “sektori i diasporës”, një prej tri zyrave që bëjnë pjesë në drejtorinë e Diplomacisë Publike, Partneriteteve dhe Diasporës. Refuzimi për të pasur një ministri diaspore (në nivel ministrie ose sekretariati shtetëror) , siç kanë pasur dhe kanë shumë shtete evropiane dhe në botë, përfshirë edhe 4 prej 5 vendeve fqinje, mbetet tregues i mungesës së interesit, vëmendjes, prioritetit dhe vullnetit politik ndaj këtij realiteti.
Çështja tjetër me shumë rëndësi është koncepti ynë për diasporën. Deri më 1990 ajo shihej si potencial armik dhe në rastin më liberal si potencial kulturor, pas 1990 dhe gjatë dekadës së parë të tranzicionit diaspora u pa si burim financiar për familjet dhe ekonominë shqiptare. Ajo u përdor dhe u bë pjesë e axhendës politike vetëm në raste krizash politike, në rastet e nevojave për dekor festimesh apo si alibi në procese privatizimi masiv si në fushatën jo-transparente “Shqipëria 1 euro”. Presidentë, kryeministra, ministra, deputetë e zyrtarë të lartë, parti politike dhe media, gjatë udhëtimeve të tyre jashtë në të shumtën e kohës gjejnë ca orë për të takuar komunitete të diasporës, kryesisht për shprehje interesi ndaj tyre, jo për axhenda dhe projekte partneriteti serioz dhe funksional. Kur zyrtarët pyetën, ata listojnë si arritje të rëndësishme ndonjë shkollë shqiptare të hapur në diasporë, ndonjë marrëveshje njohjeje për pensionet, ndonjë financim apo aktivitet kulturor, ndonjë program në TVSH apo gazetë, ndonjë dekoratë të dhënë apo punën e ambasadave shqiptare atje. Siç shihet, bilanci është minimal, kilometra larg premtimeve, nevojave dhe pritshmërive. Projekte periodike si ai i kthimit të trurit, i thithjes së kapitalit të tyre financiar në vend apo i aktiviteteve ndërkombëtare promovuese, janë vetëm disa pika në hapësirën dhe nevojën e madhe oqeanike të bashkëpunimit.
Në terma konkretë sjellja jonë mbetet mosmirënjohëse, aksioniste, propagandiste dhe abuzuese ndaj diasporës dhe gjithçka ajo përfaqëson. Mjafton të përmendim faktin se kohët e fundit u nxorën jashtë përdorimit më shumë se 150 mijë karta identiteti dhe u kërkuam që fajin tonë ta paguajnë përsëri ata, se më lehtë ofrohen shërbime në zyrat e shteteve të tjera sesa në zyrat e ambasadave tona, se shteti shqiptar ende nuk ka një listë të politikanëve shqiptarë që konkurrojnë në nivele lokale apo qendrore në disa vende evropiane, se universitetet tona nuk ofrojnë asnjë program studimi për çështjet e diasporës dhe emigrimit, se autoritetet tona nuk arrijnë të dërgojnë as abetare për fëmijët jashtë që duan të mësojnë shqip, se zyrtarë të lartë të shtetit nuk denjojnë të gjejnë 30 minuta kohë për të takuar komunitetet tona jashtë, se jemi gati të denigrojmë çdo shqiptar të famshëm që nuk i bindet urdhrave të parisë së Tiranës dhe të ngremë në qiell çdo sjellje folklorike që i bën reklamë politikës zyrtare këtu, se të gjithë emigrantët (indirekt) vijojnë të paguajnë taksë banimi, pastrimi, TVSH-je, etj, ndërkohë që nuk ofrojmë për ta as shërbimin më të vogël social e kulturor, se shteti nuk ka asnjë statistikë të kërkuar dhe hartuar mbi shqiptarët që humbin jetën tragjikisht në vende të tjera, ndodhen në burgje apo janë studentë në universitete, që botojnë libra apo kanë bilanc profesional në jetën e tyre të integruar…!
Tej retorikës dhe akteve protokollare apo politike, tej premtimeve elektorale sa herë vijnë zgjedhjet, tej përdorimit si dekor në aktivitete apo raste ceremoniale, ajo që mbeten janë pyetje e dyshime të shumta. Pyetjet thelbësore që duhet të ngrihen dhe të përbëjnë axhendën prioritare në çdo takim, kongres, samit apo trajtim të rastit janë e mbeten: a e njeh dhe a është në gjendje shteti shqiptar të përmbushë detyrimin kushtetues ndaj diasporës; a kemi krijuar me të marrëdhënie besimi aktiv apo mosbesimi permanent; e shohim atë si pjesë integrale të shtetit e shoqërisë apo si burim fitimi financiar, nevojë imazhi dhe numra për vota të importuara në fushata elektorale; përse nuk i japim diasporës të drejtën e votës, përse nuk krijojmë një ministri vetëm për diasporën, përse kufizojmë diasporën për përfshirje në jetën politike e publike, përse nuk e trajtojmë detyrimin për mësimin e fëmijëve të tyre në shkollat shqipe si detyrim kushtetues kombëtar, përse nuk kujdesemi sa dhe si duhet për problematikat e shumta të tyre, përse nuk i përfshijmë ata në punën e ambasadave dhe ofrimin e shërbimeve shtetërore ku ato ndodhen, përse nuk krijojmë një regjistër kombëtar të diasporës, përse nuk kemi marrëveshje të dyanshme bashkëpunimi adresuar atyre edhe me qeverinë e Kosovës, përse me ligj nuk lejojmë të kemi president apo parti politike nga diaspora, përse nuk kemi asnjë rast të debatit ose seancës dëgjimore parlamentare për çështjet e emigracionit, përse e trajtojmë pronën, shtëpinë dhe trashëgiminë e tyre këtu si pronën e plaçkën tonë…?
Janë pyetje pa fund, për të cilat ende asnjë qeveri nuk ka dhënë përgjigje dhe siç shihet, as tani nuk do ketë përgjigje. Le ti përsërisim deri në mars 2016, së pari për të mos lejuar që nisma e Samitit të mos ketë fatin e kongresit që nuk u bë më 2007, dhe së dyti për t’i kujtuar politikës se 1.35 milionë shqiptarë meritojnë shumë më tepër respekt, mirënjohje, vëmendje dhe përgjegjësi kushtetuese.