Luan Rama/
Ndryshe nga shumë anglosaksonë që e bënë Parisin dhe Francën si një atdhe të tyre të dytë, Samuel Beckett (Beket), ky irlandez i lindur në periferi të Dublin-it erdhi fillimthi më shumë për të shpëtuar nga jeta monotone në familjen e tij protestane ku nëna dhe i ati ziheshin parreshtur. Kjo i krijonte një gjendje të padurueshme dhe ai u largua nga ta. Atëherë vendi më i parapëlqyer ishte Franca, Parisi me jetën libertine dhe komunitetin e madh anglosakson që jetonte tashmë që në fillim të shekullit. Meqë ishte letrar nuk kishte vend më të mirë se Franca për të jetuar dhe krijuar.
Kur erdhi në Paris menjëherë u takua me James Joyce dhe Silvia Beach në librarinë e saj «Shakespeare and Company» duke frekuentuar njëkohësisht rrethet letrare parisiane me një potpuri stilesh, shkollash, rrymash dhe individualitetesh nga me origjinalet. Atë kohë Beckett adhuronte Dante, Proust, Descartes… Në fillim do të jepte mësime në gjuhën angleze si lektor në “Ecole Normale Superiuère” kohë kur nisi të merrej me sport, të luante tenis apo rugby me ekipin e Shkollës Normale. Më pas u kthye në Dublin dhe përsëri, disa vite më vonë mori rrugën drejt Parisit të cilin s’do ta braktiste më, duke u vendosur fillimisht në Hôtel Liberia, në Rue de la Grande Chaumière në Montparnasse. Ishte koha e shkrimeve të para kur i entusiazmuar nga Joyce hyri në botën letrare. Eseja e parë që shkroi ishte Dante… Bruno. Vico… Joyce për çka Joyce e përshëndeti si një letrar me të ardhme. Një nga aventurat e para në Francë ishte një udhëtim nëpër kështjellat e Francës, nëpër Loire, çka padyshim e ka mbushur me shumë dashuri për këtë vend.
Shpesh e kujtonte atë kohë kur me një letër shkruar nga xhaxhai i tij shkoi të takonte James Joyce. “Ishte një takim shumë miqësor”, do të kujtonte Beckett. Shumë shpejt dy irlandezët u miqësuan dhe takoheshin shpesh duke diskutuar rreth letërsisë dhe filozofisë. Becket u bë një mik i familjes dhe pritej nga Joyce dhe gruaja e tij, Nora me shumë dashuri. Që në fillim Beckett e ndjeu shqetësimin e madh të Joyce për të bijën e tij Lucie. Ai e njohu atë në nëntor të vitit 1928. Shpesh Lucie këndonte italisht, gjermanisht apo frëngjisht. Ishte një vajzë e këndshme, e kultivuar dhe që pëlqente dansin. Madje një herë dha shfaqje në teatrin e Vieux Colombier pranë Saint Germain-des-Près ku në rradhët e para ishte familja e saj, Beckett si dhe Raymond Duncan me të shoqen. Nganjëherë kur Joyce luante piano, në fund të sallonit ajo kërcente dans që të tërhiqte vëmendjen e Beckett. Dukej që i pëlqente. Që nga ajo kohë ajo dhe Beckett dilnin shëtitje rrugëve të Parisit, pinin çaj bashkë, shpesh ajo shkonte dhe e takonte në Ecole Normale, shkonin në teatër, etj. Të gjithë mendonin se ishin të dashur, po kështu dhe Joyce por Beckett e ndjeu se Lucie kishte probleme psikike dhe u largua. Një ditë Lucie e kishte ftuar ne një lokal dhe ishte veshur bukur si në një ditë fejese. Mendonte që të kurorëzonte lidhjen e saj. Por për habinë e saj, Beckett, që donte ti ruhej kësaj lidhje, për ti dalë përpara ishte shfaqur me një mikun e tij, çka gjatë drekës u bisedua për gjëra të parëndësishm. Kjo gjë Lucien e tërboi dhe ajo u largua e zemëruar. Atëherë Joyce i shkroi një letër që të mos qasej më në shtëpinë e tij. Kjo padyshim për Beckett ishte diçka e paparashikur por shpejt Lucie do të lidhej me një francez dhe kjo histori iu la të kaluarës.
“Kur u njoha me Joyce, unë nuk kisha ndërmend të bëhesha shkrimtar, – shkruante Beckett. – Kjo erdhi më vonë kur kuptova se nuk isha i dhënë për mësimdhënie dhe se nuk e kisha pasion“. Në atë kohë nisi të shkruante një ese të gjatë për Proust të cilin e adhuronte, për çka Joyce e kishte mbështetur dhe nxitur njëkohësisht.
Në muajt e pare të vitit 1931 Beckett u kthye në Dublin si profesor i frëngjishtes në Trinity College dhe në mars të vitit 1931, Sylvia Beach e ftoi të vinte në Paris për prezantimin e librit të ri të Joyce Working in Progress i cili sapo ishte botuar. Në atë kohë Joyce luftonte me drejtësinë amerikane që të hiqte censurën mbi botimin e librit të tij Uliksi, por kjo bëhej gjithnjë e pamundur meqë Joyce nuk pranonte të hiqte skenat erotike. Më 7 maj të vitit 1932, Beckett vazhdonte të qëndronte në Paris por atë ditë një emigrant rus qëlloi me armë dhe vrau presidentin e Republikës Franceze, Paul Daumier. Meqë policia nisi të kontrollojë gjithë emigrantët në Paris dhe meqë ai nuk kishte dokumente qëndrimi, u largua menjëherë nga Hotel Trianon dhe shumë netë i kaloi fshehurazi në atelierin e mikut të tij francez, piktorit Lurçat. Më pas, fshehurazi u largua drejt Londrës ku do të qëndrojë deri në vitin 1935.
Në vitin 1938 Samuel Beckett u njoh në Paris me një amerikane të pasur, Peggy Gugghenheim, e cila kishte një galeri arti në Londër dhe vinte shpesh në Paris. Në autobiografinë e saj Out of This Centery ajo shkruan për irlandezin Beckett. “Ishte një irlandez thatim rreth të tridhjetave, me sy jeshil që nuk të shikonin asnjëherë kur flisje. Kishte syze të errta dhe dukej i zënë me diçka tjetër. Fliste pak por gjithnjë gjëra me vend. Ishte mjaft i sjellshëm por shumë i majtë në mendimet e tij. Vishej keq dhe me rroba të vjetra franceze dhe nuk kishte ndonjë ngasje fizike. Një shkrimtar i frustruar dhe një intelektual i vërtetë…” Në një darkë me një grup miqsh ata po pinin në villa “Scheffer”. Kur kishin dalë ai i kishte thënë ta përcillte deri në apartamentin e saj në Rue de Lille, ku ishte vendosur ato ditë. “Ne ngjitëm shkallët. Ai nuk i tregonte qëllimet e tij por papritmas më tha të shtrihesha pranë tij, mbi sofa… dhe nuk vonuam të gjendeshim të dy në shtrat ku qëndruam deri natën e ditës tjetër.” Asaj i kujtohej se Beckett i kishte thënë se shkrimtari më i mirë i letërsisë franceze ishte autori i librit Udhëtim gjer në fund të natës të Celine dhe kjo e kishte habitur. Ishte njeri me humor dhe Peggy-n kjo e kënaqte së tepërmi. “Ajo që më pëlqente më shumë në jetën tonë të përbashkët ishte se nuk e dija asnjëherë se kur vinte dhe kur ikte, ditën apo natën. Ishte një njeri i paparashikueshëm dhe kjo gjë më eksitonte. Madje shpesh vinte i dehur. Në atë kohë isha e zënë shumë me punët e mia të galerisë. Shpesh duhej të takohesha me Jean Cocteau, me ekspozitën e të cilit do të inaguroja galerinë time në Londër. “Obllomovit”, siç e thërrisja atë, nuk i vinte mirë: ai donte të rrija në shtrat me të…”
6, Rue des Favorites
Në atë kohë Beckett qëndronte në Hotel Duncan. Një natë, duke u kthyer me një çift miqsh në avenynë “Orleans”, një proksenet prostitutash i quajtur Prudent, i doli përpara dhe i kërkoi paratë. Beckett menjëherë kishte bërë sikur nuk e kishte parë por tjetri i ishte vënë pas. Pas pak ai e kapi për krahu dhe i propozoi që të shkonte me prostitutën që kishte në krah dhe ti jipte para. Por Beckett kërkoi të largohej ndërkohë që ai iu afrua dhe e qëlloi me thikë në kraharor. Sigurisht, menjëherë për të mjekuar plagën e thellë u gjend në spitalin Hôtel Broussais, në të njëjtin spital ku dikur kishte qëndruar poeti Verlaine. Pikërisht ato ditë, atje i ishte shfaqur një vajzë e quajtur Suzanne, një grua e gjatë si ai, jo e bukur dhe shtatë vjet më e madhe. Ishte një tip interesant dhe e pafjalë, çka Beckett-in e bëri për vete. Me të do të jetonte gjithë jetën e tij.
Muajt kalonin dhe ndërkohë ai shkruan parathënien e ekspozitës së Cocteau-së në galerinë e Londrës. Në vijim i pëlqente të shkruante poezi, duke menduar se ishte poet. Shpejt botoi 12 poezi në revistën e njohur të asaj kohe Les Temps Modernes. Më së fundi në këtë kohë u vendos në një apartament me qera në 6, Rue des Favorites, vend ku do të qëndrojë për një kohë të gjatë. Një ditë, kur u takua me Peggy-n, ai i tha se së fundi kishte njohur një franceze që quhej Suzanne dhe se historia e tyre e përbashkët kishte mbaruar. “Obllomovi“ më tha se kishte tashmë një të dashur dhe nëse unë kisha ndonjë kundërshtim për këtë. Sigurisht që jo, i thashë. Megjithatë ajo ishte më tepër si nëna e tij sesa një dashnore. Ishte ajo që i kishte gjetur atë apartament. Megjithatë ai dukej se nuk ishte i dashuruar pas saj. Suzanne nuk i bënte skena si puna ime dhe unë s’kisha qenë xheloze. Nuk ishte e bukur. Kishte pothuaj të njëjtën moshë si unë, pra që të dyja më të moshuara se “Obllomovi.”
Ishte koha kur bashkë me Suzanne-n, Beckett u vendos në atë apartament të vogël në katin e shtatë, në Rue des Favorites, ku në një nga dhomat kishte vendosur makinën e shkrimit dhe shkruante ose përkthente. Pikërisht këtu do të shkruante dhe romanin Molloy dhe Malone vdes… Pas një vizite në Dublin, ku duhej të shikonte nënën e sëmurë, ai u kthye shpejt në Paris. Miku i tij Marcel Duchamp me të cilin sapo ishte njohur, kërkoi të ikte nga Parisi. Lufta po afrohej. Në dhomën e tij ndërkohë përkthente në frëngjisht romanin e tij Murphy. Po atë kohë Joyce u kthye në Paris dhe u vendos në Hotel Lutece. Ishte i sëmurë me ulcer dhe Bechett-it i vinte shumë keq për mikun e tij të vjetër. Madje e ndihmoi por shpirti i Joyce ishte i plagosur me historinë e tij familjare dhe vajzën e tij të çmendur. Në 9 qershor, në Francë filloi eksodi i madh i njerëzve që zbriste nga veriu drejt Parisit dhe ushtria gjermane kapercente kufirin duke marshuar drejt kryeqytetit francez. Të gjithë zbrisnin drejt Vichy-së. Po kështu dhe Joyce. Bashkë me Suzanne Deschevaux-Dumesnil një nga ato ditë ata menduan të largohen menjëherë nga Parisi dhe pa zhurmë zbritën drejt jugut, Tuluzës, prej nga ku donin të iknin drejt Portugalisë dhe që andej për në Angli. Por kjo ishte e pamundur. Askush nuk pranoi t’i mirrte me anije. Pikërisht duke qëndruar në atë zonë, një jetë e re filloi për Beckett-in duke u përpjekur të lidhej me Rezistencën Franceze. “Nazistët dhe veçanërisht trajtimi i keq ndaj hebrejve më indinjuan së tepërmi, – do të shkruante Beckett për atë kohë, – dhe unë s’mund të rrija me duar të kryqëzuara… I luftova nazistët që e kishin kthyer në ferr jetën e miqve të mi. Nuk është se luftoja për kombin francez…“ Në këtë periudhë ata ndaluan në Vichy për të takuar aty Joyce që ishte vendosur në Hotel de Beaujolais bashkë me Nora-n dhe birin e tij Giorgio. Takimi i tyre ishte i përmallshëm por dhe i trishtuar njëkohësisht për fatin e tyre. Ç’mund të bënin në atë kohë kur Franca ishte në një kaos të madh dhe fati i të huajve ishte në duart e Gestapos, edhe pse Irlanda ishte asnjanjëse në këtë luftë? Për më tepër s’kishin asnjë të ardhur. Meqë Beckett kishte nevojë për para, me një letër rekomandimi nga Joyce ai shkoi tek Valery Larbaud që banonte një rrugë më tutje nga hoteli i tyre. “Në atë kohë ai ishte i paralizuar, – kujtonte Beckett. – Portën na e hapi gruaja e tij e cila në çoi në dhomën ku rrinte. Ishte ulur në një karrige lëvizëse por nuk fliste dot ngaqë ishte kishte një paralizë. Ishte gruaja e tij që fliste në emër të Larbaud. Na dha 20.000 franga që na shërbyen shumë dhe sigurisht pas lufte ia ktheva…“
Ishte tetori i vitit 1940. Çuditërisht, Beckett mendoi se do të ishte më mirë që të ktheheshin në Paris në apartamentin e tyre në Rue des Favorites. Dhe ata u kthyen. Ishte miku i tij I afërt, francezi Péron që e futi në grupin e Rezistencës. Në atë grup ai u njoh me Jeaninne, vajzën e piktorit Francis Picabia. Fillimisht merrej me mbledhjen dhe përkthimin e informacioneve rreth nazistëve të instaluar në Paris, veçanërisht lëvizjen e trenave në mënyrë që anglezët të mund të bombardonin forcat e Rajhut. Grupi i tyre quhej “GloriaSMH” dhe ai kishte pseudonimet “Sam“ apo “Irlandezi“.“Ishte një grup i madh, – kujtonte Beckett, – ata më sillnin informacionet dhe unë i shtypja. Pastaj i çoja te një grek që bënte pjesë në të njëjtin grup. Jetonte atje ku sot ndodhet Avenue René Coty. Ai i fotografonte dhe i reduktonte të gjitha sa një kuti shkrepseje. Ishin të padeshifrueshme por mund ti zmadhoje. Pasaj ia çote zonjës Picabia, një zonje të vjetër e të respektuar”. Dokumentet ishin në frëngjisht dhe kështu duhej të përktheheshin.
Në mes të janarit Beckett mori vesh vdekjen e mikut të tij të dashur Joyce në Zyrih çka e trishtoi shumë. Jeta në ilegalitet ishte shumë e rrezikshme pasi dhe ata që ishin anglezë rrezikonin të arrestoheshin. E vështirë të shkruaje në atë kohë. Në një nga ato ditë, në shtëpinë e tyre ia mbërriti milicia franceze. Lumturisht ai nuk ishte aty. Suzanne ishte habitur nga ardhja e tyre e papritur por mbi tavolinë i zuri syri librin e Hitlerit Mein Kampf, të cilin Beckett po e lexonte dhe merrte shenime lidhur me ideologjinë naziste. Në çast ua tregoi si një dëshmi e simpatisë për ta dhe milicët menduan se s’kishin të bënin me njerëz armiq meqë ata lexonin veprën e famshme të Hitlerit. Kështu ata u larguan. Në fakt dikush nga rrjeti i Rezistencës kishte spiunuar pasi shefi i grupit Alfred Péron, të cilin ai e kishte njohur që student në Dublin, në “Trinity College“ ishte arrestuar nga Gestapo dhe më pas do dërgohej në kampet e shfarosjes në Gjermani. Ata s’do ta shihnin më mikun e tyre. Pak orë më vonë, Beckett dhe Suzanne vendosën të largohen menjëherë pa pritur të dukeshin ata të Gestapos. Dhe vërtet, pas ikjes se tyre Gestapo ia kishte mbërritur për ti arrestuar por tashmë ata e kishin lënë Parisin me pasaporta fallco. Në fillim ishin strehuar fshehurazi në shtëpinë e shkrimtares Nathalie Sarraute e pastaj kishin nxituar në drejtim të zonës Lyon-Tulon.
Gjatë kësaj ikje të jashtëzakonshme jeta e tyre kaloi peripeci të paimagjinueshme për një letrar si Beckett. Duke iu afruar Rousillon, ata udhëtuan gjithnjë larg rrugëve automobilistike që të mos binin në sy të nazistëve dhe milicëve francezë. Ecën me ditë të tëra në pyje, flinin aty gjatë natës, ndërkohë që Beckett kishte probleme me këmbët. Dimri ishte i ashpër dhe shpesh kishte ngrica. Pikërisht atje Beckett u lidh me grupin lokal të Rezistencës Franceze.
I izoluar në një fshat në jugun e Francës, në “Rousillon dans les Vaucluse“, një lloj ferme ku jo rrallë vinin ushtarë të Wermahtit, Beckett merrej me bujqësi, mbillte zarzavate dhe ndërkohë vazhdonte të shkruante librat e tij, siç ishte romani Watt. Megjithatë do i duhej të përballonte probleme të shumta shëndetësore dhe së pari ato psikike. Gjendja e tij sa vinte dhe rëndohej dhe kjo sëmundje e tmerrshme që mundohej ta zotëronte do të ishte për të një lëngatë e gjatë. Në fundin e luftës, ushtria gjermane la jugun e Francës dhe bashkë me Suzanne-n, më së fundi u nisën drejt Parisit. Parisi kishte kohë që ishte çliruar. Banorët e dikurshëm u rikthyen në apartamentin e tyre në Rue des Favorites. Një epokë e re filloi për Beckett dhe letërsinë e tij. Për kontributin e tij në Rezistencën franceze, ai u dekorua me “Kryqin e Luftës“ (Croix de Guerre) me shënimin si “Njeri me kurajo të madhe që gjatë dy viteve provoi aftësi në rrjetin e rezistencës, ku i denoncuar nga gjermanët duke filluar nga viti 1943 u detyrua të jetojë me vështirësi të mëdha në klandestinitet”.
Në vitet e para të pasluftës Beckett filloi të jepte mësime në gjuhën angleze që të mund të jetonte dhe shërbeu së pari si interpret në veri të Francës, në Saint-Lô ku ai u angazhua në Kryqin e Kuq francez e më pas në atë irlandez duke punuar në kushte shumë të vështira dhe në varfëri të plotë. Më pas zbriti në Paris ku u bashkua me Suzanne-n e cila bënte një jetë spartane pasi si gjithë parisianët dhe ata jetonin në kushtet e varfërisë. Suzanne punonte me një makinë qepëse Singer dhe siç kujtonte Beckett ishte ajo që e mbante shtëpinë. Në këtë kohë vuri dhe kandidaturën për të punuar si përkthyes në departamentet e Unesco-s por kandidatura e tij nuk u pranua. Ndërkohë shkruan novela dhe tekste të tjera. Në fillim shkroi një ese për dy piktorë flamandë që u botua në Cahiers d’Art. Meqë kishte njohur Sartrin që në vitin 1924, i dërgoi shkrime për revistën që ai drejtonte, Les Temps Modernes. Ditën flinte, natën shkruante por të ardhurat e tyre ishin gjithnjë të pakta. Në këtë kohë shkruante romanin Mercier dhe Camier si dhe Molloy i frymëzuar nga jeta e tij personale. Në 9 tetor të vitit 1948 nisi të shkruaj dramën Duke pritur Godonë të cilën e mbaroi pas katër muajsh, në 29 janar të vitit 1949.
Kur mbaroi dorëshkrimin Duke pritur Godonë askush nuk donte ta botonte. Gjashtë shtëpi botuese parisiane e refuzuan. Shumë shtëpi botuese nuk tregonin interes për të. Kjo gjë Beckett-in e trishtonte shumë, megjithatë Suzanne i jepte gjithnjë kurajo. Ishte ajo që këmbënguli se drama së pari duhej të vihej në skenë, çka do të tërhiqte dhe botuesit. Kështu, me dorëshkrimin e tij në dorë, Suzanne shkonte dhe takonte regjisorë të ndryshëm dhe drejtorë teatrosh duke u propozuar dramën e Beckett-it. Madje dhe ai u detyrua të shkonte në Irlandë që t’ua propozonte teatrove të ndryshme por dy teatro që kishte kontaktuar e refuzuan kërkesën e tij. Botuesit anglezë refuzuan ndërkohë të botojnë romanin Watt, çka Beckett-in po e dëshpëronte shumë. Ishte një kalvar i gjatë deri sa më në fund, regjisori Roger Blin, i cili atë kohë po vinte në skenë pjesën Eleutheria, pranoi të angazhohej me këtë dramë e cila iu duk moderne por dhe e veçantë për një publik si ai i Parisit. Vallë do të kishte sukses? Sidoqoftë dhe nga ana e Blin ishte një ndërmarrje e guximshme.
Beckett nuk e kishte menduar se Duke pritur Godonë do ti hapte rrugët për të gjitha botimet e mëpasme. Ishte vepra e absurdit, me personazhet si Vladimir dhe Estragon që më kot presin Godonë e mistershëm në një vend të shkretuar e pa njerëz dhe që më së fundi askush nuk vjen veç dy kalimtarëve. Kjo dramë u bë pjesa teatrale më e interpretuar në botë dhe e përkthyer në 30 gjuhë të ndryshme të botës. Në filllim ishte një botues 26 vjeçar në Paris, Jerome Lindon i cili drejtonte një shtëpi botuese të re, Les Editions du Minuit (Botimet e Mesnatës). Kur e mori në dorë dorëshkrimin Duke pritur Godonë ai u entusiazmua shumë dhe pranoi ta botonte menjëherë. Që atëherë nisi një miqësi dhe bashkëpunim i madh midis tij dhe Lindon.
Në ato kohë Beckett kishte rregulluar një shtëpi të vogël larg Parisit në peizazhet e blerta të Ussy, ku qëndronte shpesh dhe ku shkroi veprat e mëpasme të cilat do të hynin në historinë e letërsisë botërore. Më 1969 bashkë me Suzanne-n ai kishte shkuar me pushime në një qytezë të vogël turistike Naubel, 60 km në jug të Tunisit dhe Jerome Lindon i telefonoi për lajmin e madh që sapo kishte marrë se komitetit i çmimit Nobel i kishte akorduar çmimin Nobel për Letërsinë. “Oh, ç’katastrofë!“ kishte thënë Beckett. Dhe sigurisht, nuk i bënte përshtypje marrja e çmimit dhe lavdia por fakti se tani duhej të përballonte dyndjen e gazetarëve dhe mediat e shumta për intervista. Lindon e këshilloi që të rrinte i tërhequr dhe të mos jepte intervista pasi e dinte natyrën e Beckett-it që nuk donte ta shqetësonin. Për të rëndësi kishte të shkruante dhe të ishte në një vend ku të mos e ngacmonte njeri. Por gazetarët më në fund e morën vesh dhe u dyndën në hotelin e tij. Tre ditë nuk doli nga dhoma por më së fundi doli me një cigare në gojë, tepër i qetë duke u thënë se nuk jepte asnjë intervistë. Një ekipi të televizionit suedez që kishte ardhur për ta intervistuar rreth kësaj ngjarje të madhe botërore ai u dha vetëm një fotografi me ngjyra dhe u largua. Siç do të mësonte më vonë për çmimin Nobel kishin qenë konkurentë shkrimtarë si Simone de Beauvoir, Borghes, Pablo Neruda, Graham Green dhe André Malraux. Në fakt katër anëtarë të jurisë kishin votuar për Beckett ndërsa dy të tjerët për Malraux. Këta të fundit e kundërshtonin letërsinë e Beckett duke thënë se ishte një shkrimtar pessimist dhe nihilist, ndryshe nga principet e themeluesit të çmimit Nobel. Ndërsa sekretari i Akademisë Suedeze Gierov, ngulmoi në atë se “Beckett e përshkruan njerëzimin ashtu siç e shohim në çastin e dhunës më të madhe ndaj tij“, por, shton ai “shkrimtari kërkon në thellësitë e këtij rrënimi, pasi atje dhe ekziston një potencial i rehabilitimit njerëzor… Vetëm atje mendimi dhe poezia pesimiste mund të transformohen në mrekullira. Ai ka në vetvete dashuri për njerëzimin, një ndjesi që shtohet sa më shumë depërtohet në thellësitë e tmerrit…“ Sidoqoftë, në 10 dhjetor të vitit 1969 ishte Jerome Lindon që mori çmimin në emër të Beckett pasi shkrimtari refuzoi të shkonte, çka shkaktoi dhe disa pakënaqësi ndër bashkëpatriotët e tij irlandezë që e shhnin si një shenjë krenarie kombëtare.
Ishte koha që irlandezi Beckett filloi të pinte si shumë whisky edhe pse në publik ishte gjithnjë i rezervuar, i ftohtë por me një mirësi e mirësjellje të jashtëzakonshme. Gjithnjë i tërhequr, fjalë pakë, ai nuk shkonte asnjëherë në premierat e shfaqjeve të dramave të tij. Shpesh e gjeje në Selecte, në barin e tij të parapëlqyer amerikan, përballë La Coupole. Nuk e pëlqente zhurmën, mondanitetin, publiçitetin. Parapëlqente gjithnjë të ishte larg mediave. Mendonte se për të njohur një shkrimtar mjafton vepra e tij. Eshtë vepra ajo që flet. Vepra nuk ka nevojë të shpjegohet. Dhe është e habitshme se çmimi Nobel ishte i vetmi çmim që mori ky romancier dhe dramaturg i madh në jetën e tij letrare. Ndërkohë një sëmundje e vështirë filloi ta shqetësojë: Parkinsoni.
Udhëtimet i pëlqenin shumë. Gjatë një udhëtimi në Maltë ai kishte parë një tablo të Caravaggio-s, prerjen e kokës së Gjon Pagëzorit, të cilën e konsideroi si “një zë në shkretëtirë”, si “një tablo e errët, solemne, e dhunshme dhe makabër”. Më 1973 filloi ta ndjejë plakjen pasi shumë prej miqve të tij kishin vdekur, duke filluar me Joyce 30 vjet më parë. Megjithatë, tashmë Molloy dhe Malone vdes janë dy nga romanet me të lexuara. Në Malone vdes gjen padyshim diçka thelbësore të vet autorit, pesimizmin e thellë, trishtin, heshtjen. I fiksuar në një dhomë të mbyllur, siç i kishte ndodhur gjithë jetën letrare vetë Beckett-it, Malone është duke pritur vdekjen. E vetmja gjë që mund të bëjë është të vështrojë objektet që e rrethojnë. Ai ka një laps dhe një letër dhe atëherë imagjinon…
Edhe pse disa e konsiderojnë romanin Molloy si kryeveprën e tij, në fakt mendoj se është drama e famshme Duke pritur Godonë, kjo vepër revolucionare dhe novatore që hodhi bazat e teatrit absurd dhe që vite më vonë do të gjente një përhapje të jashtëzakonshme. Në fillimin e viteve ’70, Beckett do të ketë probleme të shumta me sytë. Në fillim u operua nga katarakti në një klinikë në Rue de Saint Jaques çka e trishtoi shumë. “Syri po shërohet, – shkruante ai në kujtimet e tij, – dhe shikimi duhej të ishte jashtëzakonisht mirë, si afër dhe larg. Por e kam të vështirë të lexoj dhe të shkruaj. Shërimi është tepër i ngadaltë dhe kjo për mua është tepër e bezdisshme.” Më 17 shkurt 1971 ai operoi dhe syrin e djathtë. Në fillim bënte shëtitje të shkurtra dhe më pas arrinte të shkonte gjer në Kopshtet e Luksemburgut.
Gjer në vdekjen e tij më 22 dhjetor të vitit 1989, ky nobelist, letrar i fisëm dhe i lavdishëm mbeti i dashuruar me vendin e frankëve… gjer në varrin e tij të thjeshtë, në Montparnasse, pranë gruas së tij, Suzanne.