Satirë nga Rafael Floqi
Në odën magjike të transformimit socialist, ku plehrat kthehen në florinj dhe llokmat e Shqipërisë bëhen kafshatë e ëmbël për miliarderët, historia e Sazanit po luhet si një opera groteske. Ishulli ynë, me gjarpërinj, shkurre dhe bunkerë ndryshkatarë, është veshur me aureolën e një thesaresh të padukshëm – por vetëm për sytë e Jared Kushner dhe klientëve të tij me jaht.
Rama, me shkopin magjik të “rilindjes” ekonomike, ka arritur të shesë edhe legjendat urbane: “Ç’duan shqiptarët me këtë copë shkëmb? Do ta shndërrojmë në një parajsë turistike për miliarderët, se s’kemi luksin t’i kemi turistët tanë të zakonshëm që vijnë me makinat e Kosovës dhe mbajnë byrek në çantë.” E gjithë propaganda duket sikur na pëshpërit: “Falenderoni kryeministrin, që e gjeti një të çmendur të marrë këtë gjë të pashpresë.”
Rrëfimi i Përsëritur: Nga “Pisllëku” në “Parajsë”
A ju kujtohet Porti i Durrësit? Dikur ishte turpi i qytetit, një qendër “qelbur pisllëku”. Kur Alabari u shfaq, Rama na tregoi se ishte gati të derdhte lot falenderimi për këtë investitor bujar që pranoi të merrte “për turp” një copë Shqipëri falas. Tani, është radha e Sazanit – me ndryshk, ferra dhe ndonjë bunker. Jared Kushner, një dhëndër që duket se ka të njëjtin sy për biznes si për politikë ndërkombëtare, tashmë ka nënshkruar martesën e tij të re: jo me një zonjë Trump, por me zonjushën Shqipëri.
Socialistët dhe Dashuria për Miliarderët
Ajo që bie në sy është adhurimi i socialistëve tanë për miliarderët. Nga Kushner te Alabar, çdo figurë me një jaht dhe një çek të madh shihet si Mesia i ardhshëm i ekonomisë shqiptare. Ndërkohë, qytetari i thjeshtë, ai që mbërrin me një makinë të lodhur dhe një çadër dielli të blerë me zbritje, shihet si pengesë për zhvillimin.
Sipas kësaj logjike, Shqipëria është një tokë që mund të shpëtohet vetëm nga miliarderët. Por nëse do të ndjekim këtë rrugë, do të përfundojmë si Havai, ku turizmi super-elitar ka kthyer banorët vendas në kamerierë, të pamundur për të blerë shtëpi në tokën e tyre.
Alternativa e Humbur: Nga Kushner te Sipërmarrësit Lokalë
A ishte e pamundur që Sazani të zhvillohej ndryshe? A nuk mund të krijonim një model turizmi të hapur dhe përfshirës, ku banorët e zonës të bëheshin sipërmarrës, dhe jo thjesht shërbëtorë? Në vend që Sazani të kthehej në një kafaz të artë për miliarderët, mund të kishte qenë një destinacion për të gjithë – nga turistët shqiptarë te ata të huaj.
Përfundimi: Një Parajsë që S’i Përket Shqiptarëve
Dhe kështu, për shqiptarët, Sazani nuk është më një ëndërr. Është një kujtesë e asaj që ndodh kur investimet politike maskohen si strategjike. Një tjetër copë Shqipëri që zhduket nga dora e qytetarit të zakonshëm dhe shndërrohet në një “parajsë” për të cilën shqiptarët duhet të punojnë, por nuk do ta shijojnë kurrë.
Kjo është satira jonë e përditshme: një qeveri që “dimonizoi” Sazanin për ta shitur si mrekulli. Shqipëria, si gjithmonë, është një tokë e bekuar – por, për fat të keq, e bekuar për të tjerët.