
Arben Iliazi/
Më 15 dhjetor 1942 u shua në Uashington, nga një hemorragji cerebrale, Faik Konica, i vetmuar dhe i rënë nga vakti, me 15 dollarë e 54 cent në xhep. Konica ishte një çudi e llojit të vet. Një talent i rrallë, një mendje universale dhe një filozof i botës së zjarrtë. Prapavija e tij mendore dhe imagjinative është kaq e pasur dhe e fuqishme, e pranishme në harkun e tri shekujve kolosë të njerëzimit, saqë e ka projektuar profilin e vet edhe në shekullin XXI që po jetojmë, duke ngërthyer vetëdijen e tendosur shqiptare të kombit. Njeriu tipik shqiptar, shkrimtari dhe mendimtari që i mjafton plotësisht vetvetes dhe nuk ka nevojë për mbishtresa dhe hamendësime, edhe në këtë 83 vjetor të vdekjes na del para syve si një fantazmë supreme, faustiane, që posedon sekrete të mëdha e të patjetërsueshme, jo vetëm të vdekjes por edhe të jetës. Konica është sa njeriu-histori, aq dhe historia-njeri. I ngritur në kult nga bashkëkohësit e vet letrarë, gjatë kohës së diktaturës komuniste u anatemua, sipas një koncepti ideologjizues të pashembullt.
Kronologjia bibliografike e Konicës nuk ka shumë rëndësi. Ka më shumë rëndësi stili i të menduarit të tij, përafrimi i kuptimeve, konotacioneve, ideve, rrënja dhe shkaku i tyre. Faik Konica, i shpallur si një “enciklopedi që ecën”, ishte një nga shqiptarët më të kulturuar të të gjitha kohërave, një mjeshtër i madh i shqipes së shkruar, “kalorës” i albanologjisë dhe i procesit konvergues të gjuhës kombëtare letrare shqipe, poliglot nga më të mëdhenjtë e Evropës, indoeuropianist, etimolog dhe etnopsikolog, që di historitë e fjalëve e termave. I dimensionuar jo vetëm në kulturën shqiptare, por edhe në atë frankofone dhe anglofone, ai diti të konstruktojë koncepte estetike dhe antropologjike, që nuk janë zbehur në substancën e tyre.
Konica i përkiste një racë dyshimtarësh paganë, i brujtur me njëlloj teozofie, por edhe me altruizëm, që e bën të dalë jashtë klasifikimeve të bashkëkohanikëve të tij. Ai nuk i nënshtrohet monoteizmit të emrave të veçantë të kulturave, sepse lirinë e konsideronte më të rëndësishme se çdo gjë. Madje ai është i pari personalitet shqiptar i cili, përmes shumë mishërimeve, e quante të domosdoshme procesin e eksorcizmit kombëtar, të kritikës së pamëshirshme të të metave të shqiptarëve, që ata të përfaqësojnë një komb idealisht të përsosur. Jo më kot ai shkruan se “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë” (Revista Albania, 25 mars 1897). Romani “Doktor Gjilpëra” është padyshim një prozë e shkëlqyer, e papërsëritshme, një traktat eksorcizmi i jashtëzakonshëm për aventurizmin dhe vonesat e pashpjegueshme historike, ku ironizohet “zululandi shqiptar” i situatave burleske, i dhimbjes dhe i talljes me vetveten dhe hidhen tutje alibitë. Ndihem i lumtur që së fundi arrita ta dramatizoj këtë vepër, si një antidramë absurdi, për të cilën jam i bindur se nuk do të jetë një shfaqje thjesht argëtuese për publikun, ku spikat ironia dhe humori i zi konician, por një performancë në bazë të vijave karmike.
Paradoksaliteti i Konicës, me mosbesim kundrejt çdo gjëje, i shpjegueshëm me paradokset e kohës që jetoi, si dhe me proceset e brendshme shpirtërore agnostike të tij, shpaloset edhe te vepra “Katër prralla nga Zululandi”. Konica botoi te Gazeta “Dielli”, në vitin 1922, vetëm pjesën e parë të quajtur “Një ambasadë e Zulluve në paris”, ku analizohet struktura e një bote alegorike indikuese. Proza eseistike “Shqipëria si mu duk”, një kryevepër e sintezës dhe ideve, një parodi asgjësuese ndaj regjimit mbretëror, u botua në vitin 1929 pa udhëtimit të tij në Shqipëri në vitin 1928.
Biografia:
Faik Konica lindi më 15 mars 1875 në Konicë, në një familje të vjetër shqiptare. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ndoqi Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës e më pas studimet e liceut perandorak francez të Stambollit. Pasi kreu shkollat e mesme në Francë, vazhdoi studimet në Dizhon për filologji romane dhe më pas u diplomua në universitetin e Harvardit të SH.B.A, ku mori gradën “Master of Arts”.
Me 1897, në Bruksel botoi numrin e parë të revistës politike kulturore e letrare “Albania”.
Në 1909 u ftua prej shqiptaro-amerikanëve të shkonte në Shtetet e Bashkuara, ku të jepte një varg leksionesh, që e bëri në dyvjeçarin 1909-1911. Më 22 tetor 1909 mori në dorëzim prej Fan Nolit redaksinë e gazetës “Dielli”, botim javor i Shoqërisë “Besa-Besë”. Konica punoi si editor i “Diellit” deri më 18 mars 1910, për t’u kthyer sërish me 6 maj deri me 1 korrik 1910 dhe mandej prej 1 gushtit 1912 deri më 8 korrik 1913. Më 24 dhjetor 1911 në një mbledhje drejtuar nga Kristo Floqi, Konica caktohet anëtar i Komisionit për Bashkimin e Organizatave shqiptare në SH.B.A. Përpjekjet e mbarë patriotëve shqiptarë, përfshirë Konicën, arritën kulmin me themelimin e Federatës Vatra më 28 prill 1912. Mbledhja e themelimit u zhvillua në Kishën e Shën Gjergjit që atëhere ndodhej në 227 Tremont Street, Boston. Vatra bashkoi shoqëritë Besa-Besën, Flamuri i Krujës, Kombëtare dhe Dallëndyshja dhe do të luante rol shumë të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Një Pleqësi e përkohshme u zgjodh për të drejtuar organizatën e re. Sekretar i saj u zgjodh Fan Noli. Konica dhe Floqi u ngarkuan me ngritjen e degëve të reja të organizatës në Masaçusets dhe shtete të tjera. Pas përfundimit të stinës së provimeve për Faikun nuk do të kishte më asnjë ditë pushimi të lirë.
Me 1912 në emër të Federatës Vatra, shkon në Londër për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Përreth një muaj rrjesht, nga 19 maj 1912 deri më 16 qershor 1912 Konica do të udhëtonte pa reshtur në mbarë Anglinë e Re duke ngritur dhe organizuar degë të reja të Vatrës në Worcester, MA, Lynn, MA, Manchester, N.H., Central Falls, R.I. and Southbridge, MA. Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Vatrës i 16 shkurtit 1913 vendosi të dërgonte Faik Konicën si delegat në Kongresin e Triestes. Kongresi filloi më 1 mars 1913 nën kryesinë e Faik Konicës.
Më 1921, Konica zgjidhet kryetar i Federatës Vatra dhe me rimarrjen e drejtimit të gazetës Dielli, ai shkruante në një rubrikë të tijën “Shtylla e Konitzës”. Më vitin 1926, Faik Konica emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara. Vdiq në Uashington më 15 dhjetor 1942. Në vitin 1995, pas rënies së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u sollën në Tiranë.