Dr. Nikollë Loka/
Pas pushtimit osman të vendit, një pjesë e shqiptarëve kaluan Adriatikun dhe u vendosën në Itali, ku gjetën një atdhe tjetër por morën me vete gjuhën, traditat dhe zakonet, të cilat i ruajtën ndër shekuj. Nevoja për t’u dalluar nga grekët, i shtyu klerikët intelektualë arbëreshë të vinin në pah veçoritë gjuhësore, fetare dhe kulturore të etnisë së tyre, duke i hapur rrugë çështjes kombëtare që do të lindte në dhjetëvjeçarët më vonë. Përmes shkollës, ata mundën të rizbulojnë lidhjet me vendin e origjinës dhe kurrë nuk i ndërprenë përpjekjet për ta parë atë të lirë dhe të pavarur. Kuvendet fetare të bazilianëve, që frekuentoheshin nga arbëreshët dhe pastaj shkollat ku ata mësuan, u bënë qendra të rëndësishme ku lindën idetë e para të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Përcaktimi i momentit të themelimit të vendbanimeve arbëreshe të Sicilisë, sipas të dhënave të përcjella nga historiani siçilian, Tommaso Fazello nis në një hark kohor midis vitit 1453 dhe vitit 1482. Vendbanimet e para arbëreshe në Siçili janë: Palazzo Adriano (në arbërisht Pallaci), themelimi i të cilit daton në vitin 1482; Mezzojuso (në arbërisht Munxifsi), themelimi i të cilit daton në vitin 1490 deri në vitin 1501; Contessa Entellina (në arbërisht Kundisi), përfundimi i të cilit daton nga viti 1520; Biancavilla (në arbërisht Callicari), themelimi i të cilit daton në vitin 1482; Piana dell’Arcivescovo (sot Piana degli Albanesi), ose Hora e Arbëreshëvet, themelimi i të cilës daton nga viti 1488; San Michele di Ganzaria (Shën Mikeli), themelimi i të cilit daton në vitin 1517 deri në vitin 1534. Vendbanime të tjera arbëreshe në Siçili janë: Sant’Angelo Muxaro (në arbërisht Shënt’Engjëlli); San Michele di Bagheria; Lipari; Taormina.
Nevoja që ndjenin arbëreshët e ritit bizantin, për t‘u çliruar një herë e përgjithmonë prej identifikimit me grekët, nxiti interesin e fortë të intelektualëve dhe klerikëve arbëreshë, fillimisht të Siçilisë dhe pastaj të Kalabrisë, të vinin në pah veçoritë kulturore dhe gjuhësore të etnisë së tyre, duke u quajtur “italo-albanesi”, ndërkohë që grekët e Italisë filluan të quheshin edhe nga kisha “italo-greci”(Vaccaro, 2008:147; Tare, 2021: 80). Falë punës së Gjergj Guzzetta-s dhe studentëve të tij, u konfirmua dallimi midis italo-grekëve dhe italo-shqiptarëve brenda kishës katolike të ritit bizantin, diferencim që më vonë u zbatua dhe u pranua edhe nga Selia e Shenjtë dhe që çoi në lindjen e ideologjisë arbëreshe, e cila synonte të kapërcente një konfuzion etno-fetar(Manali, 2021:137), që ngatërronte fenë me kombësinë. Në këtë sipërmarrje, arbëreshët arritën të siguronin edhe përkrahjen objektive të Vatikanit, i cili synonte t‘i paraqiste arbëreshët si shembull pozitiv i një kishe katolike të bashkuar e universale, për sa i përket strukturës hierarkike, por që ruan karakterin ortodoks në ritet e saj të lashta(Altimari, 2014: 61). Me Klementin XI (1700-1721), Papë me origjinë shqiptare dhe me Papë Klementin XII (1730-1740), Kisha e Romës shfaqi ndjeshmëri të madhe për çështjen italo-shqiptare, veçanërisht në drejtim të mbrojtjes së traditës kishtare greko-bizantine(Tacelli:62).
Institucionet e para arsimore të kishës arbëreshe lindore, ku përfshihen sidomos qendrat formuese të klerikëve të komunitetit arbëresh të Siçilisë ishin Manastiri bazilian i Munxifsit (it. Mezzojuso), themeluar më 1609 në Siçili dhe pastaj Seminari arbëresh i Palermos, themeluar atje në vitin 1734. Përveç kontributit vendimtar që patën për ruajtjen e ritit fetar në traditën bizantine, ato ndikuan në formimin dhe përgatitjen teologjike e kulturore të një pjese të mirë të klerit dhe të inteligjencës arbëreshe.( Falcetta, 2014: 65). Themelimi i seminareve iu përgjigj një nevoje të dyfishtë: të sigurohej që seminaristët të kishin një përgatitje të fortë kulturore dhe shpirtërore të bazuar në studimin e thellë të ritit lindor dhe procedurave të tij liturgjike; të garantojnë njohjen e traditave, kulturës dhe gjuhës arbëreshe, për të mbrojtur identitetin e komunitetit nga agresioni i jashtëm. Ishte, pra, një veçori e vazhdueshme ndërthurja e komponentit fetar bizantino-grek me atë etno-gjuhësor shqiptar(Manali, 2021:137).
Zhvillimit të arsimit në gjuhën shqipe i dha hov breva papale e Papës Urbani VIII, që mban datën 17 dhjetor 1631, me anë të së cilës u mëkëmb përsëri në Romë kolegji i Shën Bazilit, në të cilin mësuan arbëreshët e ikur në Itali, pas një breve papale të 15 dhjetorit 1745 të Papës Benedikti XIV, i cili urdhëroi që të pranoheshin në atë Kolegj edhe shqiptarë prej visesh të tjera. Seminari u ndihmua prej këtij Pape dhe prej Karlt III të Burbonëve. Seminari italo-arbëresh i Palermos u ngjiz dhe funksionoi që në krye të herës si qendër e filologjisë italo-arbëreshe dhe e albanologjisë në përgjithësi. Kështu mjafton të sjellim për ilustrim këtu krahas emrit të themeluesit të tij At Gjergj Guxetës, emrat e një aradhe të tërë adeptësh, idhtarësh dhe kolegësh të tij që u morën intensivisht me kërkime në fushat e historisë, kulturës e të filologjisë arbëreshe si: Pal Maria Prifti/Parrini, Nikollë Filia, Nikollë Keta në shek. XVIII; Sepë Krispi në shek.XIX apo Pal Skiro në fillim të shek. XX(Demiraj, 2007: 5-6).
Me ndërhyrjen e Gjergj Guxetës u caktuan të mbahen në Seminar pa pagesë 14 djem të familjeve më të varfëra të kolonive arbëreshe: 5 nga katundi i vet Hora e Arbëreshve dhe nga 3: në Mezojuso, Contessa e Palazzo Adriano. Guxeta u angazhua edhe për të krijuar një Ipeshkëvi për arbëreshët e Siçlisë, në mënyrë që xhakonjt e Seminarit, pas kryerjes së studimeve të shuguroheshin meshtarë në vend dhe mos të detyroheshin të shkonin në Kolegjin e “Shën Athanasit” në Romë, as në Kolegjin “Shën Bededikt Ulano”, për të marr urdhërat. At Gjergj Guxeta vdiq pa e realizuar këtë synim me 21 nëntor 1756, megjithatë përpjekjet për të ngritur Ipeshkëvinë e arbëreshëve u realizuan pas vdekjes së tij. Me bulën e datës 6 shkurt të vitit 1784 të Papës Piu VI u krijua Zyra Ipeshkëvnore e ritit ortodoks për kolonitë shqiptare të Siçilisë. Ipeshkëv i parë i saj u shugurua Dom Gjergj Stassi, famullitar i kishës greke të Palermos, të cilit iu caktua selia në Piana dei Greci(që më vonë mori emrin Piana degli Albanesi). Kur u bë Rektor At Nikollë Keta, me të hollat e tij ndërtoi një pjesë të katit të tretë të Seminarit, i cili qe rregulluar përfundimisht dhe zbukuruar prej Arqipeshkëvit të Palermos, kardinalit Çelsia.
Veprimtaria e Seminarit që në fillim u orientua drejt edukimit fetar të seminaristëve të rinj, të ardhur nga të gjitha kolonitë shqiptare të Siçilisë, të cilat në atë kohë ishin të lidhura me njëra-tjetrën përmes shkëmbimeve shumë të dendura, jo vetëm të natyrës kulturore dhe shpirtërore, por edhe të natyrës sociale dhe ekonomike. Boshtet kryesore pedagogjike të atij trajnimi përbëheshin nga njohuritë teologjike dhe liturgjike të ortodoksisë katolike në Perëndim dhe praktikave të saj, si dhe kanunet gjuhësore të arbëreshëve e të gjuhës së tyre(Manali, 2021: 142-143).
Për dy shekuj, seminari ishte vatra në të cilën u formua klasa qeverisëse dhe intelektuale e komuniteteve siçiliano-shqiptare dhe, në disa raste ajo kombëtare. Në fakt, aty studioi në rini burrështetasi Françesko Krispi. Semnari italo-arbëresh i Palermos ishte vatra e parë e studimeve albanologjike në Evropë, e pakrahasueshme me institute të tjera të ngjashme për nga shumëllojshmëria dhe cilësia e prodhimit intelektual(Manali, 2021:18).
Personalitete të arsimi dhe kulturës arbëreshe nga Siçilia
Prej Seminarit dolën personalitete të shquara si:
Gjergj Guxeta nga “Piana degli Albanesi” (Hora e Arbëreshëvet). Guxeta është vlerësuar si më i madhi intelektual shqiptar në shek. XVIII, apostulli i arbëreshëve të Sicilisë, i cili mbrojti ritin bizantin. Emri i tij është i lidhur edhe me zbulimin e tekstit më të vjetër në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut, të cilin e gjeti rastësisht në Romë, më 1740.
Antonio Brankato ndihmoi At Gjergj Guxetën në krijimin e Oratorisë së Etërve Filipine të Pianës. Në vitin 1733, ai themeloi Kolegjin e Marisë në Piana për edukimin e vajzave të reja, i drejtuar nga murgeshat kolegjiale, sipas rregullave të Kardinal Corradini-t, i cili vijon misionin edhe sot(Bellusci, Radovicka, 2020: 394).
Gavril Dara Plaku nga Pallaci; studioi në Seminarin Arbëresh të Palermos dhe më vonë u diplomua në mjekësi e në drejtësi. Mblodhi nga pleqtë “Kënkat e pleqërisë” dhe hartoi disa vjersha në gjuhën shqipe, si dhe këngën e Shën Lazarit që këndohet edhe sot tek arbëreshët e Sicilisë.
Françesko Krispi, burrështetas arbëresh, Kryeministër i Italisë, i cili e përmend edukatën që mori brenda këtij Seminari, ku ushqeu ato ndjesi shpirtërore të përshpirtshme, të cilat i frymëzuan poezitë fetare të rinisë.
Andrea Dara nga Pallaci; u diplomua në drejtësi. Shfaqi interes për folklorin arbëresh. Është autor i një përmbledhje me këngë popullore arbëreshe të Sicilisë, i një vepre mbi “Zakonet dhe veshjet e Pallacit”, 1859; një fjalori me 5000 fjalë shqip-italisht; një gramatike të shkurtër të shqipes dhe një përkthimi të Ungjillit të Shën Mateut.
Imzot Zef Krispi nga Pallaci i Siçilisë, helenist me fame. Ai ishte prift, profesor i letërsisë greke në Universitetin e Palermos dhe rektor i Seminarit grek. Mbahet mend për punimin e tij “Shënime mbi gjuhën shqipe”, Palermo 1831, i cili hedh dritë mbi tezën e prejardhjes pellazgjike të popullit shqiptar, një teori e përhapur asokohe, që as vitet e fundit nuk është lënë përfundimisht.
Gavril Dara i Riu nga Pallaci i Sicilisë mbaroi Seminarin italo-arbëresh të Palermos dhe pastaj vazhdoi studimet për drejtësi e punoi si avokat. Si trashëgimtar i brezave të kulturuar të familjes, ai u mor me folklor dhe letërsi shqipe. Veprat e tij mbetën në dorëshkrim, ndër të cilat dhe kryevepra “Kënga e sprasme e Balës”, që u botua e plotë më 1906 në Katancaro.
Dhimitër Kamarda nga Hora e Arbëreshëve. Studioi për prift, në Kolegjin e Propagandës Fides në Romë.Studiues i gjuhës arbëreshe dhe asaj greke, historian dhe filolog, ndër më të rëndësishmit e shqipes në shek. XIX. Kamarda përmendet për veprën “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe”, Livorno 1864.
Francesco Salerto, avokat në zë, i cili me shpenzimet e tij ngriti në Palermo një konvikt për nxënësit e varfër të kolonive arbëreshe të Siçilisë. Poet i njohur.
Tomazo Manzone i përkiste një familjeje fisnike të pasur arbëreshe. Si atdhetar, ai u detyrua të emigronte në Torino dhe më pas në Gjenova. Në fund të revolucionit të vitit 1860 u kthye në Siçili ku u zgjodh senator i Mbretërisë. Duke mos pasur trashëgimtarë, ai e la një pjesë të madhe të pasurisë për të mirën e zhvillimit të Palermos dhe donte që pallati i tij në Horën e arbëreshëve të përdoret si kopsht për fëmijët e bashkëqytetarëve të varfër(Bellusci, Radovicka,2020: 394).
Xhuzepe Muzakia botoi vargje në greqisht dhe përkthime të librave liturgjikë greko-bizantinë. Shkroi, ndër të tjera, një monografi të Pianës në gjuhën shqipe, të botuar në “Fiamuri Arbërit”, revista e themeluar dhe e drejtuar nga Jeronim de Rada(Bellusci, Radovicka, 2020: 395).
Pal Skiroi lindi më 1866 në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi), Sicili. Ai ndoqi studimet në Seminarin arbëresh të Palermos, rektor i të cilit do të bëhej më vonë. Në vitin 1912 themeloi revistën e së dielës arbëreshe, “Fjala e t’in Zoti”, një revistë fetare, por edhe një shkollë dhe vatër patriotizmi për shumë të rinj arbëreshë. Ishte një nga priftërinjtë më të rëndësishëm të
Horës së Arbëreshëvet dhe një nga albanologët më të mëdhenj italo-shqiptarë, i cili, me studimet e tij, dha një impuls të frytshëm në ushën e filologjisë dhe të albanologjisë.
Marko La Piana nga Hora e Arbëreshëvet, studioi në Universitetin e Palermos dhe u mor me studime albanologjike. Është përfaqësues i brezit të gjuhëtarëve të mirëfilltë ndër arbëreshët e Italisë. La Piana hulumtoi dhe nxori në dritë veprën e Lekë Matrëngës, që është e para përmendore e shkruar në arbërishten e Italisë. Këtë libër të Matrëngës, që i përket vitit 1592, La Piana e botoi në vitin 1912. La Piana botoi dy vepra me të njëjtin titull, “Studime Gjuhësore Shqiptare” I dhe II (1939-1949). Në librin e dytë jepet edhe një studim mbi të folmen e arbëreshëve të Sicilisë(Belusci, Radovicka, 2020: 393).
Gaetano Petrota u edukua në seminarin italo-arbëresh të Horës, me bursë studimi të fituar nga konkursi. Shugurohet prift më 1907 nga Papa Pal Skiroi, në Katedralen e Horës. Ka qenë prift i ritit bizantin, shkrimtar, filolog dhe gjuhëtar italo-arbëresh. Është hartuesi i së parës histori të letërsisë shqiptare më 1932.
Nilo Borgia nga Hora e Arbëreshëvet. Më 31 dhjetor 1907 merr emërimin si Abat i Manastirit të Grottaferratës. Me nismën e tij, në shtator të vitit 1909, hapet një shtypshkronjë me emrin “San Nilo”. Ai u bë mbështetës i përpjekjeve të Vatikanit për të rigjallëruar studimet dhe kërkimet në lëmin e ritit liturgjik lindor bizantin. Në vitin 1935, boton vëllimin e parë “Shënin mbi murgjit bazilian në Shqipëri”. Vëllimi i dytë u botua në dhjetor 1942, kur autori nuk ishte më në jetë. Dy vëllimet demonstrojnë punën e viteve të fundit të jetës, i cili ia kushtoi projektit të ringjalljes së misioneve baziliane në Shqipëri(Bellusci, Radovicka, 2020, :399).
Rozolino Petrotta mbaroi studimet e rinisë në Seminarin Arbëresh të Palermos. Në vitin 1920, u diplomua në mjekësi. Më 1947, Petrota ishte njëri nga themeluesit e Qendrës Ndërkombëtare të Studimeve të Palermos, veprimtaria kulturore dhe organizative e së cilës spikati për promovimin dhe zhvillimin e konferencave të rëndësishme ndërkombëtare. Rosolino u shqua, mbi të gjitha, si politikan. I zgjedhur deputet në Asamblenë Rajonale të Sicilisë, ai ishte këshilltar për
shëndetësinë në dy legjislatura (1949-1959) dhe punoi pa u lodhur për të mbështetur me burime të konsiderueshme financiare bashkësitë arbëreshe dhe Eparkinë.
Zef Skiroi nga Hora e Arbëreshëve, studioi në Seminarin arbëresh në Palermo, ku u formua me traditën e kulturës shqiptare si dhe me kulturën klasike. Pas përfundimit të studimeve të larta, emërohet profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë në Institutin Oriental të Napolit. Poet neoklasik, prozator dhe studiues(Bellusci, Radovicka, 2020 : 402).
Rektorët e Seminarit italo-arbëresh të Palermos që nga themelimi deri në vitin 1936
Dom Pietro d’Andrea nga Himara, 1734-1744.
Dom Pal Maria Parrino, 1744-1763.
Dom Gjergj Stassi, 1765-1784.
Dom Rozario Skiliçi 1784-1786.
Dom Nikollë Keta 1786-1800.
Imzot Françesk Kiarkiaro, 1800-1826.
Imzot Zef Krispi, 1826-1855.
Papa Andrea Kuçia, 1855-1865.
Imzot Zef Mesi, 1865-1896.
Papa Anton M.Filia, 1896-1901.
Papa Domenik Kuçia, 1901-1903.
Izmot Pal Skiroi, 1903-1918.
At Daniel Barbielini, murg bazilian, 1918-1925.
Papa Anton M.Filia, 1928-1931.
Papa Pal Matrënga, 1931-1932.
Papa Xhuzepe Perniçiaro, arbëresh nga Mezzojuso, 1932-1936.
Seminari italo-arbëresh i Palermos nxori albanologë, historian dhe filologë të shquar të cilët dhanë kontribut të rëndësishëm në kulturën shqiptare, me ndikim të veçantë në zhvillimet e Rilindjes sonë Kombëtare.