-Një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe shkencore të Kosovës/
-Ajo që nuk e bëri që të mposhtet Kosova ishte gjuha shqipe/
-Pjesëmarrës të Seminarit edhe përfaqësuesit e arbneshëve të Zarës –Kroacisë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 17 Gusht 2015/ Kanë mbërritur në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Kosovës, më shumë se 100 studiues të albanologjisë në Seminarin XXXIV Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili u hap solemnisht në ambientet universitare në ditën e sotme dhe zhvillohet deri në 28 gusht. Në hapje të Seminarit moren pjesë edhe presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore, shkencore, kulturore e arsimore. Mes pjesëmarrëve, i nderuar e vlerësuar nga të gjithë, ishte themelues i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, akademikët Idriz Ajeti, 98-vjeçar, i lindur në katundin Tupallë të Jabllanicës së Epërme – Luginë e Preshevës, në 26.VI.1917.
Kryeministri Mustafa e ka quajtur Seminarin ambasador shumë të rëndësishëm të komunikimit kulturor të Kosovës me botën, duke vlerësuar sidomos vazhdimësinë kohore të organizimit, dimensionin e hulumtimeve shkencore të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si dhe përmasat dhe pjesëmarrjen e studiuesve nga mbarë bota.
“Seminari është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe shkencore të Kosovës, dhe kjo si rezultat i vazhdimësisë kohore të organizimit, dimensionit të hulumtimeve shkencore të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si dhe përmasave dhe pjesëmarrjes së studiuesve nga mbarë bota dhe të gjithë atyre që po e japin kontributin e tyre. Në të gjitha këto dekada të funksionimit të tij, Seminari ka promovuar shkencën dhe kulturën shqiptare, e së fundi është bërë një prej ambasadorëve shumë të rëndësishëm të komunikimit kulturor të Kosovës me gjithë botën”, theksoi Mustafa.
Për kontributin dhe mbështetjen e përhershme dhënë Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, kreu i qeverisë së Kosovës falënderoi shtetin shqiptar dhe ambasadorin e Shqipërisë Minxhozi, i cili poashtu në fjalën e tij theksoi dhe vlerësoi bashkëpunimet, përfshirë edhe Seminarin.
“Dëshiroj të falënderoj dhe të përkujtojmë me respektin më të thellë, të gjitha ata që kanë dhënë kontributin e tyre për këtë Seminar, studiuesit shqiptarë dhe studiuesit tjerë nga bota, që për shumë dekada, me punën e tyre, kanë kontribuar që gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare të ndriçohet, të avancohet, dhe që vlerat shqiptare të shfaqen dhe të komunikohen ndërmjet nesh dhe me botën në përgjithësi”, u shpreh kryeministri kosovar Mustafa.
Ai theksoi edhe se, qeveria kosovare do të bëjë gjithçka që Kosova të jetë pjesë e rëndësishme e botës shumëkulturore.
“Prandaj, zhvillimet tona do ta qojnë përpara edhe këtë pjesë, si pjesë të integrimeve evropiane dhe integrimeve globale”, tha kryeministri Mustafa.
Ambasadori Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi në fjalën e rastit theksoi rëndësinë e gjuhës në qëndresën e Kosovës karshi okupimit shumëvjeçar.
“Gjuha mbijetoi në një vend të okupuar mizorisht për dekada. Ajo që nuk e bëri që të mposhtet Kosova ishte gjuha shqipe. Dyzetë vjet, katër dekada gjuha jo vetëm që ka mbijetuar por është zhvilluar me një ritëm shumë të shpejtë”, tha ambasadori shqiptar Minxhozi.
Drejtori i Seminarit Rrahman Paçarizi, ka kërkuar nga institucionet vendore që të njohin dhe pranojnë rezultatet e punës hulumtuese dhe shkencore që bëhet në institucionin e Seminarit.
“Duke e falënderuar kryeministrin për praninë e tij dhe fjalët që tha nga kjo tribunë dua t’i ftoj institucionet shtetërore që të sigurojnë që të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme për komunikimin e rezultateve shkencore të albanologjisë dhe të fushave të tjera, me shkencën dhe dijen globale përmes krijimit të mundësive për anëtarësim në sistemet dhe mekanizmat e botimit, si në UNESCO, etj. Ndërsa, Ministrisë së Arsimit dhe Rektoratit i kërkojmë të njohë dhe të pranojë rezultatet e punës hulumtuese dhe shkencore që bëhet në institucionin e Seminarit, pasi në botë nuk ka një institucion më serioz që merret me shkencat albanologjike dhe nuk ka një revistë më përfaqësuese se kjo e Seminarit, ku botohen të arriturat në këto fusha”, tha drejtori Pacarizi.
Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Sedat Kuçi përmendi qëllimet që ky Seminar përmbush përgjatë zhvillimit të tij. “Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, përveç rolit arsimor, shkencor e kulturor po vazhdon t’i përmbush edhe misionin e afirmimit të vlerave të kulturës shqiptare në botë; misionin e përhapjes së mendimit intelektual shqiptar për problem të caktuara gjuhësore, letrare e kulturore; misionin e njohjes reciproke me rezultatet ne studiuesve shqiptarë dhe të huaj në fusha të ndryshme të albanologjisë; misionin e krijimit të mundësive të reja midis studiuesve shqiptarë dhe atyre të huaj që ka një rëndësi të madhe në aspektin e bashkëpunimit ndërnjerëzor dhe ndërkombëtar midis kulturave e popujve. Duhet të theksojmë se sivjet pjesëmarrës të Seminarit do të jenë edhe përfaqësuesit e arbneshëve të Zarës; misionin e krijimit të mundësive të reja për moblitet të studentëve, të pedagogëve dhe të hulumtuesve shkencorë”, tha ai.
Tre temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore janë: Shqipja në domenin publik, Letërsia dhe religjioni, si dhe Kultura shqiptare në tranzicion.
Axhenda e seminarit përfshinë edhe: Kurse intensive të mësimit të shqipes (tre shkallë); ligjërata të veçanta të gjuhësisë; ligjërata për letërsinë dhe për kulturën shqiptare; referime shkencore; ligjërata të përgjithshme; tryeza të rrumbullakëta; program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtaritë kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve e të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme.
Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.
Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e tre sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.