• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PASURI E MADHE ME MANGËSI TË SHUMTA

August 10, 2021 by s p

(Mendime për revistën “ART & TRASHËGIMI”, Nr. 7, 2016)

Prof. Asoc. Dr. Thanas L. Gjika

Revista kulturore artistike dhe shkencore “ART & TRASHËGIMI” me format të madh, kryeredaktor Andi Rëmbeci, botohet prej disa vitesh shqip dhe anglisht prej shoqërisë Franko-Shqiptare ARGJIRO. Numëri 7, vitit 2016, 216 faqe, i është kushtuar trashëgimisë së artit kishëtar që i përket jo një kishe a kishave të një qyteti, por gjithë trashëgimisë së Kishës Shqiptare Ortodokse. Botimi i këtij numëri është kryer nën kujdesin e Shoqatës Shqiptare të Studimeve Bizantine e mbështetur financiarisht nga disa fondacione shqiptare dhe nga fondacioni austriak IMAF – International Music & Art Foundation.

Në këtë numër janë përmbledhur artikuj shkencorë të studjuesve të njohur si Fort Lumtëria e Tij Anastas Janullatos -Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Joan Pelushi -Mitropolit i Korçës, Prof. Dr. Skënder Muçaj, Prof. Dr. Lida Miraj, Prof. Dr. Aleksandër Meksi, Prof. Dr. Pirro Thomo, Prof. As. Dr. Kostantinos Giakoumis, Dr. Elio Obdashi, Dr. Era Xhaferaj, Prof. Dr. Shaban Sinani, Prof. As. Dr. Dhori Q. Qiriazi (Doris K. Kyriazis) , Prof. Dr. Xhevat Lloshi, Sokol Çunga, Andi Rëmbeci, etj. Në këta artikuj shkencorë jepen fakte dhe vlerësime për historinë e besimit të krishter të popullit tonë që nga shek. I, për arkitekturën e kishave, ikonat dhe afresket murale, mbishkrimet e vjetër të kishave të krishtere ortodokse, kodikët e vjetër, arti i gdhëndies së gurëve dhe drurëve që zbukuronin muret ose ikonostaset e kishave, përkthime të hershëm të “Biblës”, muzika kishëtare bizantine, etj. 

Në këtë vepër përfshihet vetëm pasuria që u përket kishave që ndodhen në territoret e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, pra që i përkasin Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Lënda e gjerë dhe ilustrimet cilësore e bëjnë këtë numër të kësaj reviste vepër shumë të rëndësishme mbi artin e trashëgiminë kishëtare shqiptare. 

Lënda e artikujve shkencorë dhe ilustrimet fotografike të bindin se Shqipëria ka një pasuri të madhe në fushën e artit dhe të arkitekurës kishëtare. Kjo pasuri do të jetë akoma më e madhe, kur të botohen dhe numërat e tjerë të kësaj reviste, ku si shkruan Z-nja Ilda Mara, drejtoreshë e kësaj reviste në shkrimin përmbyllës, se kolana do të vijojë edhe me botimin e trashëgimisë së besimeve të tjera, të besimit të krishter Katolik, të besimit Islamik Synit dhe atij Islamik Bektashian.  

Të shtohet mirënjohja ndaj armatës së ustallarëve, piktorëve, drugdhëndësve, gurgdhëndësve, muzikantëve, klerikëve dhe shkruesve të talentuar që punuan gjatë shekujve për ndërtimin, zbukurimin dhe funksionimin e kishave tona të vjetra që i përkasin trashëgimisë së besimit ortodoks. Po ashtu shtohet mirënjohja edhe për ata që punuan për restaurimin e 63 kishave të dëmtuara dhe për ndërtimin e 150 kishave e manastireve të rinj dhe të disa ndërtesave të reja kishëtare si seminare, shkolla, spitale, shtypshkronja, radiostacione, etj. Njohja me këtë pasuri të çmueshme me vlera kombëtare dhe botërore e forcon ndjenjën e mirënjohjes ndaj donatorëve, mirëbërësve shqiptarë të shekujve të kaluar, por edhe ndaj donatorëve të sotëm shqiptarë e sidomos fqinjëve grekë, të cilët kanë dhuruar shuma të konsiderueshme për ringjalljen e Kishës Shqiptare Ortodokse Autoqefale, me nxitjet e Hirësisë së Tij Anastas Janullatos -Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Materialet e shumtë të botuar në këtë libër të bindin se procesi i ringjalljes së Kishës Shqiptare Ortodokse Autoqefale ka kryer një rrugë të vështirë, por të suksesëshme dhe tashmë ky proces është drejt përfundimit.  

Studimet tona mbi artin e trashëgiminë e besimeve të krishtera dhe islamike kanë mundësi ta nxjerrin gjithnjë e më mirë identitetin shpirtëror dhe kulturor të popullit shqiptar brenda dramës së tij që gjithnjë ka mbijetuar nën vërshimin e qytetërimeve lindore dhe perëndimore, duke dhënë ndihmesën e vet origjinale. Nisur nga fakti se kjo kolanë do të vijojë, po shënoj këtu disa mangësi e gabime që më ranë në sy gjatë leximit të këtij numëri të revistës, me qëllim që të mos përsëriten në studime dhe sidomos në numurat e tjerë të kësaj reviste dygjuhëshe që ka përhapje botërore.

* * *

Mangësia e parë që më ra në sy në këtë vepër ka lidhje me historinë e fillimit të besimit të krishter në trojet tona. Në studimin “Kisha e Shqipërisë nga vitet apostolike deri më sot” autori, Hirësia e Tij Anastasi, nuk përmend dy vlera të rëndësishme të Krishtërimit në trojet ilire, karakterin autokton të kësaj feje dhe faktin që Shën Pavli / Pali shkroi në Durrës letrën e tij më të rënsdësishme, letrën drejtuar besimtarëve të panjohur të Romës, e cila përbën 15 kapitujt e parë të letrës kanonike “Romakëve” (Rom. 1-15).

  Peshkop Joani -Mitropolit i Korçës, në shkrimin vlerësues që hartoi si “Hyrje” për studimin tim “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” Tiranë 2007, theksoi se Krishtërimi në Shqipëri ka karakter autokton, sepse ai nuk u përhap prej misionarëve latinë ose grekë, por prej vetë apostujve, si në gjithë botën mesdhetare të asaj kohe dhe është zhvilluar pastaj në mënyrën e tij (f.7). 

Në këtë studim monografik dhe në studimin tjetër “Shën Pali punoi dhe në bigjet e Adriatikut” Tiranë 2014, kam vërtetuar duke u mbështetur në të dhëna historike të historianit italian Daniele Farlati, historianit shqiptar Marin Barleti, në argumente të nxjerra nga teksti, në të dhëna toponomastike, gojëdhëna, analiza logjike, etj, se Shën Pali / Pavli gjatë qershor-korrikut të vitit 56 pas K. krijoi bashkësinë e parë të krishtere (kishën) në Durrës dhe se për të vijuar mëkëmbjen e kësaj bashkësie ai la në Durrës nxënësit e tij Apollo, Cezar dhe Sosthen. Dy të parët përmenden si peshkopë (Ipeshkv) të kishës së Durrësit në vitin 58 pas K. në Menologun grek të shek. V, të përkthyer italisht prej kardinalit Sirletano. 

Duke analizuar tipologjinë dhe disa të dhënave të tekstit të letrës kanonike “Romakëve” vërtetova se është i drejtë mendimi i shprehur prej disa studjuesve se kjo letër është letër e përbërë. Duke vijuar analizat, vërtetova se letra kanonike “Romakëve” është letër e përbërë nga bashkimi i dy pjesëve të shkruara prej Shën Palit / Pavlit në dy kohë të ndryshme dhe në dy vende të ndryshme. Pjesa e parë, e cila përfshin kapitujt 1-15, është letër e plotë, e cila quhet prej studjuesve “Ungjilli” i tij. Këtu apostulli trajtoi temat kryesore të predikimeve të veta dhe ua dha Prishilës dhe Akuilës (Prisca & Aquila) që ta përdornin si material ndihmës gjatë predikimeve të tyre pasi të arrinin në Romë. Duke qenë se autori nuk kishte qenë asnjëherë në Romë, në hyrje të letrës nuk i adresohet asnjë personi me emër dhe asnjë bashkësie konkrete të krishterësh. Këtë letër apostulli e shkroi në Durrës gjatë qershor-korrikut 56 dhe ua drejtoi të krishterëve të panjohur që jetonin në Romë. Kurse pjesa e dytë e letrës kanonike “Romakëve”, e cila përfshin vetëm kapitullin 16 të kësaj letre kanonike, është fragment i një lete të shkurtër, së cilës i mungon hyrja ku autori, sipas rregullit ka prezantuar veten dhe ka sqaruar se kujt po ia drejtonte letrën. Në këtë pjesë të letrës autori ka përshëndur 26 besimtarë që jetonin në Romë, gjë që tregon se ai e ka shkruar në një kohë kur kishte marrë të dhëna për të krishterët e Romës. Ai ua rekomandon Feben (Phebe), dhjaken e kishës së portit Kenkrea (Cenchreae) të Korinthit që ta ndihmonin në çdo gjë që ajo kishte nevojë, sepse edhe ajo kishte mbrojtur shumë njerëz dhe vetë apostullin (Rom. 16:1-2). Fakti që autori sqaron se Febe ishte dhjake e kishës së portit Kenkrea të Korinthit, i ka shtyrë shumë studjues të gabojnë e të sugjerojnë se Pali / Pavli e shkroi të gjithë letrën kanonike “Romakëve” në Korinth ose Kenkrea, para se të largohej për në Jeruzalem. Mirëpo këta studjues kanë gabuar, sepse kjo letër e shkurtër me të cilën u rekomandonte Feben besimtarëve të njohur të Romës u shkrua pasi i ndodhi një komplot prej judenjve kur ai u bë gati të lundronte nga Kenkrea për në Siri. Këtë fakt e sqaron vetë autori, kur i porosit lexuesit (besimtarët e Romës) se Febe kishte mbrojtur shumë veta dhe vetë Palin. Se kur kishte ndodhur dhënia e ndihmës së Febes për të mbrojtur apostullin dhe njerëzit e tij e kuptojmë nga sqarimi që ka dhënë Shën Luka në librin “Veprat e Apostujve”, kur përmend kompl që i krijuan judenjtë apostullit kur ishte bërë gati për të lundruar drejt Sirisë dhe pasi shpëtoi u detyrua të kthehej në Jeruzalem duke kaluar nga Maqedonia (Veprat 20:3). Pra, po të mos kishte ndodhur komploti i judenjve, apostulli do të ishte larguar për në Siri dhe nuk do ta kishte shkruar letrën rekomanduese prej së cilës ruhet pjesa Rom. 16: 1-27. 

Hirësia e Tij Anastasi më falenderoi me letra pasi mori dy studimet e mia, mirëpo mesa duket nuk i ka lexuar as përmbledhjet (summary) në anglisht e as vlerësimet që kanë dhënë Peshkop Joan Pelushi -Mitropolit i Korçës, Prof. R. Dean Davis -Shef i katedrës së Teologjisë në Atlantic Union College S. Lancaster MA dhe Prof. Akademik Jorgo Bulo.  Po të kishte lexuar arritjet e mia ky studjues i historisë së Kishës Shqiptare Ortodokse Autoqefale nuk do të shkruante: “Apostull Pavli, duke i shkruar bashkësisë së Romës nga Korinthi (në vitet 55-57 pas Krishtit)” (f. 14), sepse apostulli i shkroi jo një bashkësie, por disa bashkësive të krishtera të Romës nga Konkrea, e jo nga Korinthi dhe jo në vitet 55-57, por në mars të vitit 57, pasi shpëtoi nga komploti i judenjve dha ai vendosi të largohej nga Kenkrea për në Maqedoni. Apostulli nuk kishte kohë ta shkruante gjithë letrën kanonike “Romakëve” në Kenkrea pasi dështoi komploti i judenjve, sepse aty ai qëndroi vetëm një, dy ose tri ditë, sa për të gjetur një anie për t’u nisur drejt Maqedonisë. Një fakt tjetër që kam përdorur për të vërtetuar se pjesa Rom. 1-15 është shkruar në jo në Kenkrea, po në qytetin e lirë të Durrësit (qytet që varej prej Senatit Romak dhe jo prej Provincës së Maqedonisë, ku bënte pjesë gjeografikisht), është sqarimi i vetë Pavlit / Palit: “atyre nga Maqedonia dhe Akaia (Greqia) u pëlqeu që të japin një ndihmë për të varfërit e Jeruzalemit” (Rom. 15:26). Përdorimi i përemrit “atyre” tregon se autori nuk ndodhej as në Maqedoni e as në Akaia (Greqi), kur po shkruante letrën deri te kapitulli 15. Ndër kohë mbyllja e kapitullit 15 me urimin: “Edhe Perëndia e paqes qoftë me ju të gjithë. Amin!” (Rom. 15:33), tregon se letra mbaron pikërisht me këto fjalë, që autori i ka përdorur si urim mbyllës edhe në fund të shumë letrave të tjera të tij.

Hirësia e Tij Anastasi nuk kishte pse gabonte duke shkruar se Illyriku në shek. I pas Krishtit ishte “pjesë e Provincës së Maqedonisë” (po aty f. 14), sepse unë kam sqaruar se Illyriku ishte Provincë Romake më vete ashtu si Maqedonia, Achaea (Greqia) dhe se Shën Pali / Pavli shkoi e punoi në pjesën jugore të Provincës së Illyrikut që kishte si qendër administrative qytetin Lisus (Lezha e sotme në Shqipëri), më tej ai shkoi me anie dhe zbriti te gjiri i kepit të Durrësit, i cili pas kësaj vizite u quajt më vonë Kepi i Palit (sot quhet prej popullit Bishti i Pallës). Më tej apostulli shkoi e punoi në Durrës, prej ku kaloi duke ecur në Butrint e Nikopol (gërmadhat e këtij qyteti gjenden sot pranë qytetit Preveza në skajin jugor të Epirit që në atë kohë bënte pjesë në Provincën e Maqedonisë). 

Një dobësi tjetër e numërit 7 të revistës “ART & TRASHEGIMI” lidhet me nënvlerësimin e kishës “Lindja e Shën Marisë” e Labovës së Kryqit, Gjirokastër, kishë e shek. VI dhe mbivlerësimin e kishës së manastirit “Fjetja e Shën Marisë” e vitit 1600 që ekziston mbi fshatin minoritar Goranxi të Gjirokastrës. Kisha e fshatit Goranxi u restaurua me fondet e Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale, kurse kisha e Labovës së Kryqit nuk u restaurua me këto fonde, por u la në mëshirë të fatit, derisa me ndërhyrjen e Z. Stefan Miha pranë Kryeministrit Z. Edi Rama, u restaurua me fondet e shtetit në vitin 2018. Mbivlerësimi i manastirit të fshatit Goranxi bie në sy dhe nga fakti se fotja e tij është riprodhuar tri herë: në ballinën e revistës dhe dy herë të tjera brenda librit në faqet 19 dhe 102, sikur kjo kishë të jetë më e rëndësishmja, më artistikja, më e vjetra e pasurisë sonë kishëtare. Në vend të kësaj fotoje do të ishte mirë të ishte në ballinë një foto artistike e “Kishës Lindja e Shën Marisë” e Labovës së Kryqit, e cila është një nga 40 kishat më të vjetra të botës dhe përbën një monument të papërsëritshëm për trashëgiminë tonë kishëtare e më tej. Historinë e saj e kanë dokumentuar studjuesit Theofan Popa (1917-1985) dhe Gazmend Muka (1964-2012).

Nënvlerësimi i kishës “Lindja e Sshën Marisë” e Labovës së Kryqit vijon edhe me përcaktimin që i ka bërë Prof. Dr. Aleksandër Meksi në artikullin e tij “Trashëgimia monumentale ortodokse në Shqipëri” botuar në faqet 90-93, ku ai shkruan se Kisha e Shën Marisë, Labovë e Kryqit, Gjirokastër ishte ndërtuar në shek. XIII. Ky datim vendoset në tekstin e artikullit dhe poshtë fotografisë së kësaj kishe në f. 92. Ky përcaktim i datës së kësaj kishe monumentale me vlera botërore, është i gabuar dhe e nënvlerëson pasurinë tonë të krishtere nga koha kur Krishtërimi ishte një dhe i pandarë në ortodoks e katolik, ndarje që ndodhi në vitin 1054. 

Ky gabim tregon se Prof. Dr. Aleksandër Meksi dhe kryeredaktori i revistës, Z. Andi Rëmbeci, nuk kanë marrë parasysh rezultatet e studimeve të kolegëve të tyre Theofan Popa dhe Gazmen Muka, botuar disa vite para botimit të këtij numri të revistës. 

Studiuesi Gazmend Muka në librin e tij “Kisha e lindjes së Shën Marisë e Labovës së Kryqit” ALBAS.al 2012, 160 faqe, ka shkruar se kubeja e kësaj kishë ishte përfunduar në vitin 554 dhe kryqi i saj u soll në Labovë në prill të vitit 559 prej shpatarit Kostandin Laboviti, si dhuratë e Perandorit Justinian, ilir nga Dardania.

Mësuesi Stefan Miha, i cili e kishte parë dhe mbajtur në duar shumë herë kryqin, thotë se kryqi ishte i veshur me një cipë floriri me peshë 600 gram dhe ruhej në një kamare të fshehtë sipër ikonostasit, ku hipej me një shkallë të drunjtë që mbahej e ndarë në tri pjesë, të cilat bashkoheshin kur duhej të merrej kryqi për të kryer veprime rituale. 

Prëveç këtyre të dhënave ka dhe fakte të tjerë që dëshmojnë se kjo kishë i përket shek. VI. Këta fakte janë: 

1. Dy piktura murale. 

2. Dy mbishkrime në mur. 

3. Një tullë bizantine ku ishin gdhendur numurat romake DLIV (ky numër me shifra arabe shkruhet 554, dhe tregon vitin e përfundimit të kishës).

Dy pikturat murale. 

A. Në vitet 70-të të shek. XX-të në një pjesë të murit ra suvaja ku ishte pikturuar Jezu Krishti me mantelin e kuq dhe doli një afresk i vjetër ku ishte pikturuar Jezu Krishti me mantel blu. U njoftua studjuesi Theofan Popa, i cili pasi e pa pikturën, në prani të Stefan Mihës sqaroi se ky portret i Jezu Krishtit me mantel blu u përdor vetëm në shek VI-të nga sekti i të krishterëve “Monofizë” që besonin se Jezui ishte vetëm qiellor. Ky portret që i përkiste shek. VI-të ishte mbuluar më vonë nga një piktor tjetër që kishte pikturuar Jezusin me mantel të kuq, pra të njëjtë me portretin e tij si në gjithë kishat e krishtere. 

B. Në pikturën tjetër është pikturuar dhuruesi i kishës, Perandori Justinian, i cili sundoi Bizantin në vitet 527-565. 

Nëse kjo kishë do të ishte ndërtuar në shek. XIII, si shkruan Prof. Dr. Aleksandër Meksi, këto dy piktura murale nuk do të ishin pikturuar në muret e kësaj kishe shtatë shekuj pasi ishte zhdukur fraksioni i sektit Monofizë dhe shtatë shekuj pas vdekjes së perandorit Justinian.

Ekzistenca e këtyre dy pikturave murale është dëshmi edhe e faktit se muret e kësaj kishe nuk janë mure të rinj të ndërtuar në shek. XIII mbi themele të një kishe të vjetër, si thonë përkrahësit e datimit të saj në shek. XIII, por janë piktura të mureve origjinalë që ishin ndërtuar në shek. VI.

Dy mbishkrimet. 

Studjuesi Andi Rëmbeci në artikullin e tij “Mbishkrime kishëtare në Shqipëri” f. 50-56, ka vënë në dukje se në Kishën Lindja e Shën Marisë e Labovës së Kryqit ruhen dy mbishrime murale, njëri i vitit 525 dhe tjetri i vitit 551 (f. 53), të cilat ishte mirë të ishin riprodhon me fotot përkatëse. Kjo e dhënë e përmendur prej studjuesit A. Rëmbeci bie ndesh me përcaktimin e Prof. Dr. A. Meksi, sepse duke pranuar se këto dy mbishkrime janë shkruar në vitet 525 dhe 551, si i kanë përcaktuar studjuesit Theofan Popa dhe Gazmend Muka, atëhere përcaktimi i studjuesit A. Meksi bie poshtë, por studjuesi A. Rëmbeci, kryeredaktor i revistës, nuk merret me shtjellimin e kësaj kundërshtie. Me sa duket ai nuk guxon të kundërshtojv një autoritet si Prof. Dr. A. Meksi.

Tulla e kuqe bizantine.

Banorër e Labovës së Kryqit kishin mbrojtur nënën dhe motrën e Ali Pashë Tepelenës kur ato i ndiqnin banorëve të Kardhiqit. Ali Pasha për mirënjohje dërgoi rreth viteve 1805-1810 ustallarë për të ndërtuar hajatin hyrës të kishës “Lindja e Shën Marisë” të Labovës së Kryqit, simbolit më të rëndësishëm të këtij fshati. Mirëpo mbi portën hyrëse ustallarët hoqën tullën e kuqe bizantine ku ishte shënuar me shifra romake DLIV viti i përfundimit të ndërtimit të kishës, dhe vunë një pllakë guri ku skalitën me shifra arabe numërin 554. Pra e rishkruan po atë datë të ndërtimit të kishës me shifra arabe. Tulla e kuqe bizantine u la mënjanë si gjë pa vlerë deri nga mesi i viteve 1970-të. Mësuesi Stefan Miha, njeri i pasionuar pas vlerave të kishës, tregon se e mori tullën dhe ia dorëzoi drejtorit të Muzeut Etnografik të Gjirokastrës, të paharrueshmit Lefter Dilo, për ta vendosur në Muze. Mirëpo L. Dilo e la me sot për nesër punën për ta pajisur tullën me një foto të madhe të kishës “Lindja e Shën Marisë” së Labovës së Kryqit dhe me një shënim ku të sqaronte se shifra romake DLIV tregon vitin 554, vitin e ndërtimit të saj. Tullën biznatine e mbajti për ta ruajtur në shtëpi të vet dhe kur u dogj shtëpia e tij, u zhduk dhe tulla bashkë me shumë materiale të tjerë me vlera historike. 

Pllaka prej guri me shifrat arabe 554 që ndodhet edhe sot mbi portën hyrëse të kishës, quhet prej studjuesit A. Meksi si mashtrim i qëllimshëm i datës së ndërtimit të kishës, sepse në vitin 554 nuk shkruheshin datat me shifra arabe, por me shifra romake. Ai nuk pranon se në vend të kësaj pllake ka qenë tulla bizantine me shifrat romake DLIV, si dëshmon mësuesi Stefan Miha. 

Ndërkohë, në artikullin “Arti që tejkalon kufijtë e kohës” të studjuesit grek Prof. As. Dr. Kostantinos Giakoumis, pedagog në Universitetin New York, Tiranë, më la shijë të hidhur përcaktimi i origjinës së piktorit të shquar shqiptar Onufri (Onouphrios). Prej studjuesve shqiptarë piktor Onufri është supozuar se ka qenë me origjinë nga Berati, Elbasani, Shpati i Elbasanit, ose Venetiku. Kurse ky studjues grek e quan Onufrin me origjinë nga Argosi i Greqisë (f. 123) pa përmendur se ka dhe supozime të tjera, të cilat mbështeten te disa mbishkrime të lëna prej vetë piktorit. 

Në studimet dhe ilustrimet e këtij libri bie në sy dhe një gabim tjetër: Kishat dhe manastiret ortodokse të fshatrave të minoritetit grek të Shqipërisë së Jugut janë përmendur gati po aq herë sa dhe kishat dhe manastiret ortodokse të krejt Shqipërisë, kur dihet se numëri dhe vlerat e kishave dhe manastireve ortodokse të krejt Shqipërisë janë shumë herë më të mëdha se ato të fshatrave të minoritetit grek. Ndërkohë është lënë pa u vënë në dukje se kishat dhe manastiret ortodokte të vjetër të fshatrave që banohen prej fshatarëve minoritarë grekë në Shqipërinë e Jugut janë ndërtuar prej ustallarëve shqiptarë para se të silleshin këta bujq nga zonat greke prej perandorëve të Bizantit, si Perandor Pogoni, në shek XV.

Mendoj se do të ishte mirë që në këtë botim të ishin përmendur dhe emrat e kishave dhe manastireve ortodokse të Shqipërisë që rafshoi ose i ktheu në depo diktatura komuniste. Ky krim në një vepër të tillë nuk ka arsye pse të lihej pa u dënuar duke sjellë shifra dhe emra konkretë.

Ndër kohë, sugjeroj se do t’i shtoheshin vlerat këtij botimi sikur të ishte pajisur me një hartë të Shqipërisë ku të shënoheshin me shenja kryqi të gjitha kishat dhe manastiret, dhe emrat dhe vendndodhja e tyre të jepeshin në një listë shoqëruese në faqet pasuese. 

Në botimet e kësaj kolane kur të shkruhet për pasurinë e besimit të Krishter Katolik dhe atë Islam Synit e Bektashian, është mirë të ketë dhe studim të shoqëruar dhe me ilustrime për objekte kulti që i kishin përkitur besimit të krishter, por që gjatë sundimit turk u kthyen në objekte të besimit Isalam, si është rasti i këshës bizantine të Shën e Premtes në lagjen Peshkëpi të Korçës, të cilën Iliaz Bej Mirahori e transformoi në xhami në vitin 1495. 

Kishat dhe manastiret shqiptare që kanë mbetur jashtë territorit të Shqipërisë së sotme në qytete e fshatra në Maqedoni të Veriut (Kërçovë, Prilep, Manastir / Bitola, Ohër, Strugë) dhe në qytete e fshatra të Greqisë Veriore (Kostur, Mavrovë, Janinë, Filat, Igumenicë, etj) do të ishte mirë të paktën të përmendeshin në disa prej këtyre studimeve. E them këtë sepse mospërmendja e tyre, po u jep mundësi studjuesve grekë dhe atyre maqedonë që t’i tjetërsojnë dhe t’i quajnë këto kisha e manastire si greke e maqedone, edhe pse ato i kanë ndërtuar e frekuentuar populli shqiptar deri para myslimanizimit të tij, ose deri para vitit 1912, kur u ndanë padrejtësisht kufijtë e popullit shqiptar. Si shembull po sjellim këtu rastin e Manastirit të Shën Naumit në jug-lindje të liqenit të Ohrit, manastir dhe territor që iu fal Mbretërisë Serbe prej Ahmet Zogut më 1925 si shpërblim për kthimin e tij me dhunë në pushtet. Historikisht dihet se Manastiri i Shën Naumit ka qenë ndërtuar dhe frekuentuar prej popullit shqiptar, por sot ciceronët maqedonë u thonë vizitorëve se ky manastir është ndërtuar dhe frekuentuar prej popullit maqedon dhe se piktorët e familjes korçare Zografi, nuk kanë qenë shqiptarë, por maqedonë.    

Gjithashtu do të ishte mirë që ky numër i revistës të pasurohej me disa faqe nga studimi madhor “Illyricum Sacrum” vol. VIII hartuar prej studjuesit italian Daniele Farlati për krijimin e kishës së Durrësit, me ndonjë artikull të studjuesit Theofan Popa për mbishkrime të ndryshme kishash, me disa fragmente nga studimit “Kisha e Lindjes së Shën Marisë e Labovës së Kryqit” e studjuesit Gamend Muka, etj. Kurse për sqarimet lidhur se problemin se kur dhe ku u shkruan dy pjesët përbërëse të letrës kanonike “Romakëve”, do të ishte mirë të më ishte kërkuar mua një artikull. Ky sugjerim mbetet detyrë e grupit që do të realizojë vijimin e kolanës me numërin ku do të trajtohet arti dhe trashëgimia e Kishës Shqiptare Katolike.

Studjuesit e rinj shqiptarë nuk ka pse t’u nënshtrohen hipotezave të gabuara mbi përhapjen e Krishtërimit në trojet iliro-shqiptare, që kanë formuluar në të kaluarën studjues të ndryshëm, qofshin të huaj ose vendës. E vërteta duhet mbrojtur ashtu si e tregojnë faktet dhe analizat shkencore objektive për të zbuluar të veçantën tonë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Art dhe Trashegimi, Kulture, Thanas L Gjika

JAVA KULTURORE NE SHBA U MBYLL NE VATER

July 8, 2018 by dgreca

 

Te “Vatra”, u përmbyllën aktivitetet e “Javës kulturore shqiptare në SHBA”/3arben Skender

Nju Jork, 7 korrik 2018 –Me prezantimin në Federatën Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, në selinë e saj në Nju Jork,  u përmbyllën aktivitetet e “Javës kulturore shqiptare në SHBA”, të organizuara nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë.

Të pranishmëve në fillim iu drejtuan nënkryetari i Federatës“Vatra”, Agim Rexhaj, dhe kryetari Dritan Mishto, të cilët u dëshiruan mirëseardhje mysafirëve në Vatrën përbashkuese të të gjithë shqiptarëve në Amerikën e Nolit dhe Konicës.

Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se shqiptarët në SHBA kanë fat të madh që, përkundër dallimeve të ndryshme fetare e krahinore, gjejnë edhe një vatër shqiptare që është mbi të gjitha ato dallime. “Vatra është metaforë e vargut të Pashko Vasës “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kur vijmë këtu, të gjithë ne shkrihemi në identitetin e përbashkët të Vatrës dhe gjejmë prehje nga dallimet që mund t’i kemi gjithkund tjetër. Vetëm në Vatër ne ndjehemi tamam shqiptarë pa asnjë përcaktor tjetër. Dhe, kur kësaj ia shtojmë faktin se themelues të Vatrës ishin patriotët që edhe sot kanë mbetur të patejkaluar në përmasat e tyre, s’do mend se të shkelësh në hapat e tyre kjo është edhe privilegj, por edhe përgjegjësi”, u shpreh Asani.

Më tej fjalën e mori edhe kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Edmond Brahimaj, si dhe kreu i komunitetit bektashian të Maqedonisë, Arben Sulejmani, të cilët prezantuan rrugëtimin e komunitetit të tyre me gjithë peripecitë e natyrave të ndryshme.

Më pas u promovua edhe libri: “The light of guidance” nga autori Arben Sulejmani, si dhe u prezantua foto ekspozita: “480 vjetori i Teqesë Harabati Baba” dhe dokumentari: “Rrugëtimi 12 vjeçar bektashian”.

Drejtori i Institutit, “Vatrës” ia dhuroi të gjitha botimet e fundit të Institutit të cilat u promovuan më parë në qendra të ndryshme.

Në kuadër të “Javës kulturore shqiptare në SHBA”, Instituti prezantoi nëpër disa institucione të rëndësishme të diasporës shqiptare amerikane në Nju Jork dhe Nju Xhersi, duke promovur libra dhe ekspozita dokumentare, të cilat zgjuan interesim të madh brenda komunitetit dhe jashtë tij.

Delegacioni i Institutit, i përbërë nga Skender Asani, Zeqirija Ibrahimi dhe Sevdail Demiri, në kuadër të kësaj vizite realizuan edhe takime të rëndësishme në SHBA, në mesin e të cilëve edhe me kryetarin e Lidhjes Shqiptare-Amerikane, Xhozef Diogardi.

Filed Under: Featured Tagged With: Instituti i Trashegimise, Kulture, Vater

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, komunikim i Kosovës me gjithë botën

August 17, 2015 by dgreca

-Një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe shkencore të Kosovës/
-Ajo që nuk e bëri që të mposhtet Kosova ishte gjuha shqipe/
-Pjesëmarrës të Seminarit edhe përfaqësuesit e arbneshëve të Zarës –Kroacisë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 17 Gusht 2015/ Kanë mbërritur në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Kosovës, më shumë se 100 studiues të albanologjisë në Seminarin XXXIV Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili u hap solemnisht në ambientet universitare në ditën e sotme dhe zhvillohet deri në 28 gusht. Në hapje të Seminarit moren pjesë edhe presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve shtetërore, shkencore, kulturore e arsimore. Mes pjesëmarrëve, i nderuar e vlerësuar nga të gjithë, ishte themelues i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, akademikët Idriz Ajeti, 98-vjeçar, i lindur në katundin Tupallë të Jabllanicës së Epërme – Luginë e Preshevës, në 26.VI.1917.
Kryeministri Mustafa e ka quajtur Seminarin ambasador shumë të rëndësishëm të komunikimit kulturor të Kosovës me botën, duke vlerësuar sidomos vazhdimësinë kohore të organizimit, dimensionin e hulumtimeve shkencore të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si dhe përmasat dhe pjesëmarrjen e studiuesve nga mbarë bota.
“Seminari është bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe shkencore të Kosovës, dhe kjo si rezultat i vazhdimësisë kohore të organizimit, dimensionit të hulumtimeve shkencore të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si dhe përmasave dhe pjesëmarrjes së studiuesve nga mbarë bota dhe të gjithë atyre që po e japin kontributin e tyre. Në të gjitha këto dekada të funksionimit të tij, Seminari ka promovuar shkencën dhe kulturën shqiptare, e së fundi është bërë një prej ambasadorëve shumë të rëndësishëm të komunikimit kulturor të Kosovës me gjithë botën”, theksoi Mustafa.
Për kontributin dhe mbështetjen e përhershme dhënë Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, kreu i qeverisë së Kosovës falënderoi shtetin shqiptar dhe ambasadorin e Shqipërisë Minxhozi, i cili poashtu në fjalën e tij theksoi dhe vlerësoi bashkëpunimet, përfshirë edhe Seminarin.
“Dëshiroj të falënderoj dhe të përkujtojmë me respektin më të thellë, të gjitha ata që kanë dhënë kontributin e tyre për këtë Seminar, studiuesit shqiptarë dhe studiuesit tjerë nga bota, që për shumë dekada, me punën e tyre, kanë kontribuar që gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare të ndriçohet, të avancohet, dhe që vlerat shqiptare të shfaqen dhe të komunikohen ndërmjet nesh dhe me botën në përgjithësi”, u shpreh kryeministri kosovar Mustafa.
Ai theksoi edhe se, qeveria kosovare do të bëjë gjithçka që Kosova të jetë pjesë e rëndësishme e botës shumëkulturore.
“Prandaj, zhvillimet tona do ta qojnë përpara edhe këtë pjesë, si pjesë të integrimeve evropiane dhe integrimeve globale”, tha kryeministri Mustafa.
Ambasadori Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi në fjalën e rastit theksoi rëndësinë e gjuhës në qëndresën e Kosovës karshi okupimit shumëvjeçar.
“Gjuha mbijetoi në një vend të okupuar mizorisht për dekada. Ajo që nuk e bëri që të mposhtet Kosova ishte gjuha shqipe. Dyzetë vjet, katër dekada gjuha jo vetëm që ka mbijetuar por është zhvilluar me një ritëm shumë të shpejtë”, tha ambasadori shqiptar Minxhozi.
Drejtori i Seminarit Rrahman Paçarizi, ka kërkuar nga institucionet vendore që të njohin dhe pranojnë rezultatet e punës hulumtuese dhe shkencore që bëhet në institucionin e Seminarit.
“Duke e falënderuar kryeministrin për praninë e tij dhe fjalët që tha nga kjo tribunë dua t’i ftoj institucionet shtetërore që të sigurojnë që të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme për komunikimin e rezultateve shkencore të albanologjisë dhe të fushave të tjera, me shkencën dhe dijen globale përmes krijimit të mundësive për anëtarësim në sistemet dhe mekanizmat e botimit, si në UNESCO, etj. Ndërsa, Ministrisë së Arsimit dhe Rektoratit i kërkojmë të njohë dhe të pranojë rezultatet e punës hulumtuese dhe shkencore që bëhet në institucionin e Seminarit, pasi në botë nuk ka një institucion më serioz që merret me shkencat albanologjike dhe nuk ka një revistë më përfaqësuese se kjo e Seminarit, ku botohen të arriturat në këto fusha”, tha drejtori Pacarizi.
Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Sedat Kuçi përmendi qëllimet që ky Seminar përmbush përgjatë zhvillimit të tij. “Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, përveç rolit arsimor, shkencor e kulturor po vazhdon t’i përmbush edhe misionin e afirmimit të vlerave të kulturës shqiptare në botë; misionin e përhapjes së mendimit intelektual shqiptar për problem të caktuara gjuhësore, letrare e kulturore; misionin e njohjes reciproke me rezultatet ne studiuesve shqiptarë dhe të huaj në fusha të ndryshme të albanologjisë; misionin e krijimit të mundësive të reja midis studiuesve shqiptarë dhe atyre të huaj që ka një rëndësi të madhe në aspektin e bashkëpunimit ndërnjerëzor dhe ndërkombëtar midis kulturave e popujve. Duhet të theksojmë se sivjet pjesëmarrës të Seminarit do të jenë edhe përfaqësuesit e arbneshëve të Zarës; misionin e krijimit të mundësive të reja për moblitet të studentëve, të pedagogëve dhe të hulumtuesve shkencorë”, tha ai.
Tre temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore janë: Shqipja në domenin publik, Letërsia dhe religjioni, si dhe Kultura shqiptare në tranzicion.
Axhenda e seminarit përfshinë edhe: Kurse intensive të mësimit të shqipes (tre shkallë); ligjërata të veçanta të gjuhësisë; ligjërata për letërsinë dhe për kulturën shqiptare; referime shkencore; ligjërata të përgjithshme; tryeza të rrumbullakëta; program kulturor plotësues për t’i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtaritë kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës.
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1974. Ishte viti i Kushtetutës që avanconte të drejtat e shqiptarëve e të Kosovës si element konstituiv me të drejtë vetoje, i federatës së atëhershme.
Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e tre sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Pas çlirimit të Kosovës në qershorin 1999, nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Filed Under: Kulture Tagged With: Behlul Jashari, Gjuhe Letersi, Kulture, Semindari Nderkombetar

Artikujt e fundit

  • Dalip Greca – Emër i Pashuar
  • Dalip Greca, një emër në kujtesën e gazetarisë shqiptare
  • Dalip Greca, një profesionist dhe patriot i madh
  • Kur vdekja merr krijues dhe atdhetarë të mirëfilltë
  • Lamtumirë kolegu ynë Dalip Greca
  • IN MEMORIAM, DR. GJON BUÇAJ
  • Ikja e Dr.Gjon Buçaj e Dalip Grecës, komuniteti humbi dy patriotë të përkushtuar
  • Një prej atij brezi…
  • I PAHARRUAR QOFTE KUJTIMI I Dr. GJON BUCAJ
  • DR. GJON LEK BUÇAJ, NË SYTË E NJË MIKU TË VJETËR
  • Requiescat in pace Dalip Greca! Pushofsh në paqe mik e koleg i çmuar!
  • Vajtojmë njeriun fisnik e patriot Dalip Grecën
  • U PREHËSH NË PAQE E PËRJETËSI DR. GJON BUCAJ
  • Mbaj zi për mikun tim, Dalip Greca
  • IKU DUKE SHKRUAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT