
Klarita Selmani/
Dita e parë – Nga Tirana drejt Brezovicës
Me shumë entuziazëm nisëm udhëtimin nga Tirana drejt Brezovicës, ku zhvillohet Seminari XIX Mbarëkombëtar me mësuesit e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë e mërgatë.
Rruga kaloi mes këngëve, valleve dhe bisedave të ngrohta. Autobusi ynë u mbush me zërat e mësuesve që këndonin shqip, duke e kthyer udhëtimin në një festë të vogël të gjuhës dhe kulturës sonë.
Gjatë rrugës bëmë një ndalesë në qytetin historik të Prizrenit, ku drekuam dhe shijuam, qoftë edhe për pak çaste, atmosferën e një prej qyteteve më të bukura shqiptare. Ura e Gurit, lumi, xhamitë, kishat dhe arkitektura karakteristike e qytetit na kujtuan pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore.
Pas mbërritjes në Brezovicë dhe akomodimit, në orën 17:00 nisën zyrtarisht punimet e Seminarit XIX Mbarëkombëtar, i cili këtë vit zhvillohet me temën:
“Motivimi i nxënësve në diasporë për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar”.
Seminari organizohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, me pjesëmarrjen e mbi 200 mësimdhënësve të gjuhës shqipe nga vende të ndryshme të botës.
Edhe këtë vit, Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi merr pjesë aktive në këtë ngjarje të rëndësishme, duke përfaqësuar punën shumëvjeçare të mësuesve të saj dhe duke kontribuar në shkëmbimin e përvojave për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë.
Urime të gjithë mësuesve pjesëmarrës! Urojmë që ditët në vijim të jenë të mbushura me dije, bashkëpunim dhe ide të reja në shërbim të gjuhës sonë amtare.