

-Drejtuesit e institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës me rastin e shuarjes së Senatorit Amerikan Bob Dole e kanë vlerësuar hero e përkahës i madh i lirisë dhe pavarësisë/
-Para më shumë se 22 viteve – 5 Mars 1999: Takimi Rugova-Dole ishte edhe një paralajmërim lirie për Kosovën…/
-Zëdhënësi dhe Këshilltari politik i Presidentit Ibrahim Rugova në vitet 2002-2006, Muhamet Hamiti: Presidenti Rugova e ka pasë emëruar Senatorin Dole Përfaqësues të Lartë të Kosovës me titull Ambasador Nderi i Kosovës në SHBA/
-Në një foto që ka publikuar Muhamet Hamiti, ai është pranë Senatorit Bob Dole, ndërsa pranë Presidentit Ibrahim Rugova është i emëruari i tij Përfaqësues i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në Zyrën e Senatorit Bob Dole, Elmi Berisha, tani Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 6 Dhjetor 2021/ Në Prishtinë Senatori Amerikan Bob Dole është edhe Shtatore, e përuruar në sheshin me emrin e tij në 30 Gusht 2020 – në 30 vjetorin e vizitës historike në Kosovë të delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në vitin historik 1990, kur Kuvendi i Kosovës në 2 Korrik miratoi Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi e në 7 Shtator me Kushtetutë shpalli Kosovën Republikë, në fund të muajit Gusht në kryeqytetin e Kosovës Prishtinë erdhi një delegacion i senatorëve dhe kongresistëve amerikanë në krye me Senatorin Bob Dole.
Shtatorja e Bob Dole është shtatorja e tretë e personaliteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kryeqytetin e Republikës së Kosovës.
Në Prishtinë në 1 Nëtor 2009 është përuruar Shtatorja e Presidentit Amerikan Bill Clinton në bulevardin me emrin e tij, ndërsa në 12 Qershor 2019 në festimet e 20 vjetorit të lirisë së Kosovës u bë edhe përurimi i Shtatores së Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeline Albright në sheshin me emrin e saj.
Në Kryeqytetin e Kosovës është edhe Bulevardi me emrin e Presidentit Amerikan George Bush, te Katedralja Shën Nëna Terezë…
Drejtuesit e institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës me rastin e shuarjes së Senatorit Amerikan Bob Dole e kanë vlerësuar hero e përkahës i madh i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar:
E pikëlluar kur dëgjova për vdekjen e Senatorit Bob Dole. Një hero lufte, një politikan i respektuar dhe një mbështetës i lirisë në të gjithë botën. Por, në veçanti jemi mirënjohës që ai gjithmonë ka qëndruar pranë popullit të Kosovës në luftën tonë për pavarësi. U prehsh në paqe, mik i dashur.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehet:
“I pikëlluar thellësisht nga lajmi për ndarjen nga jeta të Senatorit Bob Dole. I dërgojmë ngushëllime të përzemërta familjes Dole dhe kombit amerikan, teksa pikëllohemi dhe nderojmë një hero amerikan dhe një përkrahës të madh të lirisë së Kosovës. U preftë në paqe.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, shkruan:
Kosova sot humbi një mik të madh, ndërsa bota një luftëtar të paepur për lirinë dhe demokracinë globale. Bob Dole, senatori dhe lideri republikan në SHBA, vizitoi Kosovën në vitin 1990.
Kjo vizitë historike alarmoi komunitetin ndërkombëtar për gjendjen e vështirë dhe shkeljen brutale të të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Senatori Bob Dole ishte përkahës i madh i lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë, si dhe punoi me përkushtim deri në çastet e fundit të jetës për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.
Në këto momente të dhembjes, zemrat tona bashkëndjejnë me familjen Dole dhe popullin amerikan.
Prehu në paqe miku ynë i madh!
PARA MË SHUMË SE 22 VITEVE RUGOVA TAKIM ME DOLE, PARALAJMËRONTE LIRINË – NATO-n NË KOSOVË
Para më shumë se 22 viteve, në 5 Mars 1999, raportoja se Presidentit i Kosovës Ibrahim Rugova me anëtarë të delegacionit u nis nga Prishina për në Shkup për takim me Senatorin Amerikan Robert Dole – të Dërguarin e Posaçëm për Kosovën të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton. Takimi shumë i rëndësishëm mbahej në Shkup, pasi regjimi kriminal okupator serb e kishte pamundësuar në Prishtinë.
Takimi Rugova-Dole ishte edhe një paralajmërim lirie për Kosovën…
Ishte koha kur konferenca ndërkombëtare për Kosovën – Konferenca e Rambujesë, e nisur në 6 Shkurt 1999, u ndërpre në 23 Shkurt pa rezultate përfundimtare, ndërsa vazhdimi i saj u thirr për datën 15 Mars në Paris.
Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, në Prishtinë i kthyer nga Rambujeja e para nisjes përsëri për atje drejt Parasit në një konferencë shtypi në 5 Mars 1999 paralajmëronte nënshkrimin para 15 Marsit të Marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën një ditë më vonë dha miratimin edhe Kuvendi Republikës së Kosovës së Deklaratës së 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumit të 26 deri 30 Shtatorit 1991 me votim 99,87 për qind për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur. Në konferencën për shtyp ku ishte edhe korrespondenti tash i Gazetës DIELLI, Presidenti Rugova paralajmëronte edhe vendosjen e NATO-s në Kosovë…
Dhe, vetëm pas më pak se tre javësh, në 24 Mars 1999 filloi fushata ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, pas së cilës nga mëngjesi i Ditës së Lirisë -12 Qershorit 1999 forcat paqeruajtëse e shpëtimtare të NATO-s nisën të hynin në Kosovë, në vendin që në 2021-tën festoi 22 vjetorin e lirisë e 13 vjetorin e pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008.
Ashtu si paralajmëronte Presidenti Rugova, në mes të marsit përfaqësuesit e Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë/Parisit për Kosovën, ndërsa Beogradi – pala serbe refuzoi ta nënshkruajë. Ishte hapur rruga për ndërhyrjen ushtarake për Kosovën të NATO-s, forcës ushtarake më të madhe planetare, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës…
SENATORI DOLE: “DR. RUGOVA KA QENË HEROI IM PERSONAL”
Zëdhënësi dhe Këshilltari politik i Presidentit Ibrahim Rugova, në vitet 2002-2006, Muhamet Hamiti, ka shkruar:
Senatori Dole: “Dr. Rugova ka qenë heroi im personal”
Presidenti Rugova e ka pasë emëruar Senatorin Dole Përfaqësues të Lartë të Kosovës me titull Ambasador Nderi i Kosovës në SHBA
Ka ndërruar jetë sot Senatori Robert Dole (1923-2021), politikani i madh republikan, hero i luftës së Dytë Botërore, kandidat presidencial në zgjedhjet e vitit 1996. Bob Dole ka qenë përkrahës i madh i pavarësisë së Kosovës, mik i ngushtë i Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës.
Më 8 nëntor 2003, Presidenti Ibrahim Rugova e ka pasë emëruar Senatorin Dole Përfaqësues të Lartë të Kosovës me titull Ambasador Nderi i Kosovës në SHBA. (Shih lajmin e QIK-ut, botuar te libri “Presidenti Rugova”, Presidenca e Kosovës, Prishtinë, 2007, f. 188).
Në një komunikim që kam pasur me zyrën e Senatorit Dole në gusht të vitit 2018, Bob Dole me shkruante: “Dr. Rugova ëas a dear friend and personal hero of mine”. [Dr. Rugova ka ka qenë mik imi i dashur dhe heroi im personal].
Duke punuar ngusht me Presidentin Rugova deri në frymën e Tij të fundit, kam pasur nderin të takohem disa herë me Senatorin Dole. Herën e fundit në vjeshtën e vitit 2004, kur Snatori erdhi në vizitë në Kosovë dhe përuruam, në shoqëri të prijësve Rugova dhe Dole, një rrugë me emrin e Robert Dole-it në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.
Kosova është e bekuar me miqt e vet, me Robert Dole-in e të tjerë në SHBA, republikanë e demokratë. ‘Kosova e integruar në BE dhe në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të’ ka qenë motoja strategjike e Presidentit historik të Kosovës.
NË ZYRËN E SENATORIT ROBERT DOLE – PËRFAQËSUESI I KOSOVËS NË SHBA ELMI BERISHA
Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova kishte të emëruar Përfaqësues të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – në Zyrën e Senatorit Bob Dole, mikut të madh të tij e të gjithë shqiptarëve, të cilin edhe e ka dekoruar. I emëruari ishte Elmi Berisha, tani Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, i cili ishte edhe në ceremoninë kur Senatorin Amerikan Robert Dole e dekoroi Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ku ishin bashkë…
Në një foto që ka publikuar Muhamet Hamiti, ai është pranë Senatorit Bob Dole, ndërsa pranë Presidentit Ibrahim Rugova është Elmi Berisha.
Në pranverën e vitit 2004 në vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në 27 Prill, në selinë e OKB-së në Nju Jork, Presidenti historik Ibrahim Rugova takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan, kërkon njohjen e pavarësisë së Kosovës. Rugova gjatë kësaj vizite takon edhe guvernatorin e Nju Jorkut, Xhorxh Pataki dhe 20 ambasadorë të shteteve anëtare të OKB-së.
Nga raportimet e medias për vizitën e Presidentit Rugova në Nju Jork citohet edhe Elmi Berisha si person i veçantë kontaktues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në arkivin tim nga ajo kohë kur isha kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja ruaj edhe këtë shkrim nga Nju Jorku të medias Amerikane të transmetuar nga Qendra për Informim e Kosovës:
29 Prill 2004: GAZETA “POUGHKEEPSIE JOURNAL” PËR VIZITËN E PRESIDENTIT RUGOVA NË NJU JORK
Nju Jork, 29 prill 2004 – Kur Elmi Berisha erdhi nga Kosova na Uapingers Falls, para 15 vjetësh, ai e filloi një luftë të gjatë për prosperitetin dhe pavarësinë e vendit të tij. Kjo luftë për paqe e bëri mbrëmjen e së martës të veçantë për Berishën, pasi që zyrtarët lokalë u përshëndetën miqësisht me kryetarin e Kosovës, Ibrahim Rugova, në Hajd Park.
“Ndihem shkëlqyeshëm”, tha Berisha, ‘sepse presidenti im… vendosi që të vijë në Shtetet e Bashkuara për t’i treguar qeverisë amerikane se sa mirënjohës janë ata për atë që Amerika ka bërë për ta pesë vjet më parë”.
Vizita e Rugovës në Qendrën e Vizitorëve dhe të Konferencës “Henry A.Wallace” dhe në vendin historik “ranklin D. Roosevelt” është hera e parë që një udhëheqës i huaj ka qenë në qendër, që nga hapja e saj në nëntor. Ajo poashtu shënon miqësinë e vazhdueshme nëpërmjet Uapingers Fallsit dhe Kosovës – vitin e kaluar fshati Datçes Kaunti u binjakëzua me Klinën.
Ndërkohë që Rugova e mori një stemë nga zyrtarët e fshatit Uapingers Falls, në shenjë nderimi për punën që ai e bëri për pavarësinë e vendit të tij, Rugova dhuroi një gur të vogël të çmueshëm nga mineralet e vendit të tij. Berisha tani shërben si person i veçantë kontaktues në Shtetet e Bashkuara.
Rugova është në mes të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, gjatë së cilës është takuar edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan. Të hënën, Rugova është takuar edhe me ushtarët e Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Pensilvanisë, në luginën Suskuehana, për t’i falënderuar ata për shërbimin e tyre në Kosovë.
Udhëtimi në AWallace Centar@ ishte inspiruar nga admirimi i Rugovës për Frenklin Rusveltin dhe kjo ngjarje mblodhi një numër të zyrtarëve lokalë, të cilët patën një darkë me kryetarin. Kuvendari shtetëror Xhoel Miller, ishte i pranishëm, sikurse edhe prefekti i Bikonit, Klara Lu Gould dhe mbikëqyrësi i qytetit të Hajd Parkut, Jensi MekArthur.
“Ne jemi në shtëpinë e presidentit të njohur amerikan”, tha Rugova, përmes zëdhënësit dhe përkthyesit të tij, Muhamet Hamiti. Më herët, ai iu referua marrëdhënies ndërmjet Amerikës dhe Kosovës si një “miqësi e përhershme dhe e qëndrueshme”.
Miller tha se ishte nder që është përfshirë në mbrëmje dhe e shprehu admirimin për punën e Rugovës për pavarësinë e Kosovës.
“Është unike të kesh një udhëheqës ndërkombëtar në shtëpinë tënde, prandaj kjo është tejet ngazëllyese”, tha Miller, i cili poashtu e lavdëroi Rugovën për mbështetjen e Shteteve të Amerikës në luftën kundër terrorizmit.
Komuniteti i fuqishëm shqiptar në Bikon e nxiti pjesëmarrjen e Gouldit.
“Kjo është për të treguar respekt për ta”, tha ajo për vizitën e saj në “Wallace Center”