Politologu Bardhyl Mahmuti, ish- Përfaqësues politik i UÇK-së, ish- Shef i Grupit diplomatik të UÇK-së, dhe ish- Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se institucionet që krijohen në bazë të raportit të përgatitur nga Shërbimi Sekret i Serbisë janë institucione me prapavijë politike dhe si të tilla ato nuk kanë asgjë të përbashkët me institucionet e drejtësisë. Në vend që të sillen përpara drejtësisë kriminelët që kanë kryer krimet, u krijua një gjykatë që duhet të vërtetojë pretendimet e një raporti. Ky është një krim i dyfishtë. Kriminelët e vërtetë janë të lirë. Politologu Bardhyl Mahmuti aktualisht punon si edukator në Komunën e Lozanës (Zvicër) dhe është kryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”. Me Bardhyl Mahmutin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.
Sokol Paja: Disa muaj përpara se të krijohej e ashtuquajtura Gjykatë Speciale e Kosovës me qendër në Hagë, ju publikuat veprën “Mashtrimi i madh”. Cili ishte qëllimi i këtij publikimi?
Bardhyl Mahmuti: Duke e parë fushatën diplomatike serbe për të përmbysur interpretimin e asaj që kishte ndodhur gjatë luftës në Kosovë, vendosa t’i përkushtohesha ndriçimit të atij realiteti tragjik që kishte përjetuar populli shqiptar i Kosovës. Pas disa vitesh hulumtime shkencore dhe me ndihmën e një numri të konsiderueshëm veprimtarësh të shquar të çështjes kombëtare, në Shkurt të vitit 2015 botova librin “Mashtrimi i madh”, që zhvesh manipulimet me opinionin publik ndërkombëtar lidhur me luftën e Kosovës dhe nxjerr në dritë të vërtetën për gjenocidin që ka kryer Serbia në Kosovë.
Sokol Paja:Një pjesë e konsiderueshme e studimit tuaj i kushtohet zhveshjes së përmbajtjes së asaj që quhet “Raport i Dik Martit”. Madje ju i keni bërë edhe ftesë z. Marti të ballafaqoni argumentet në një debat publik. Si qëndron puna?
Bardhyl Mahmuti: Në librin tim kam sjellë argumente të pakontestueshme se dokumenti që mban emrin e Dik Martit është dokument i përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe fatkeqësisht fshehja e gjurmëve të këtij manipulimi ka bërë që një dokument i tillë të miratohet edhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Dik Martin e kam takuar në një librari të njohur të Lozanës të Zvicrës ku bëhej përurimi i librit të tij të titulluar “Une certaine idée de la justice- chétchénie-CIA-Kosovo-drogue” (Njëfarë ideje për drejtësinë – Çeçenia, CIA-Kosova-droga). Në prani të shumë politikanëve dhe intelektualëve i dorëzova librin tim dhe i kërkova ballafaqim. Ai u zotua se do të ballafaqohej me mua pasi ta lexonte librin tim. Disa muaj rresht ai iu shmang ballafaqimit me arsyetim se ishte i sëmurë, por në fund deklaroi se nuk dëshiron të dalë në debat me mua.
Sokol Paja: Sipas mendimit tuaj, cila ka qenë arsyeja që Dik Marti refuzoi të dalë në ballafaqim me ju?
Bardhyl Mahmuti: Leximi i veprës e ka bindur se unë mbështetem në argumente të pakontestueshme dhe se në një ballafaqim me fakte të tilla do ta nxirrte si një njeri pa dinjitet intelektual, që vë firmën e vet në një dokument që nuk është përpiluar prej tij. Në këtë kontekst ndodhi një ngjarje shumë e rëndësishme, e cila mendoj se ka ndikuar në vendimin e Dik Martit: Ish-ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq, rrëfeu publikisht se pikërisht ai ia kishte dhënë Dik Martit dosjen e përgatitur nga Shërbimi Sekret i Serbisë. Përveç deklaratës televizive, në librin e tij të titulluar “Vendi i Wilhem Telit”, ish-ambasadori serb e përshkruan hollësisht krejt procesin se si kanë arritur ta bindin Dik Martin ta marrë përsipër një mision të tillë. Është interesant të përmendet se Dik Martit i është dashur t’i përkthehen materialen nga anglishtja në frëngjisht, sepse, sipas Milan St. Protiq, “Dik Marti nuk ka pranuar të lexojë në gjuhën e amerikanëve”.
Sokol Paja: Dik Marti njihet botërisht për antiamerikanizmin e tij. Çka e nxiti që të ketë këtë qëndrim negativ kundër Kosovës në përgjithësi dhe UÇK-së në veçanti?
Bardhyl Mahmuti: Jo vetëm Dik Marti, por të gjithë ata që janë të prekur nga antiamerikanizmi si verbërim ideologjik fajësojnë UÇK-në si shkaktare që u ka krijuar amerikanëve mundësinë që në Kosovë të vendosin bazën më të madhe ushtarake amerikane në botë. Këtu qëndron arsyeja që ka bashkuar në një “front për mbrojtjen e Evropës nga imperializmi amerikan” komunistë, socialistë, social-demokratë, neonazistë dhe neofashistë, historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicistë, të orientimit të djathtë e të majtë që janë të verbuar nga ideologjia e antiamerikanizmit.
Sokol Paja: Përkundër argumenteve të shumta që përmban libri juaj lidhur me sajesën e akuzave kundër UÇK-së dhe letrës publike drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos miratojnë ndryshimet kushtetuese për të krijuar të ashtuquajturën Gjykatë Speciale, Kuvendi i Kosovës nuk mundi ta ndalte këtë proces.
Bardhyl Mahmuti: Keni plotësisht të drejtë. Të mos harrojmë se kur u hodh në votim projektligji për ndryshimin e kushtetutës, herën e parë deputetët e Kosovës votuan kundër. Mirëpo, presioni ndërkombëtar ka qenë tepër i madh dhe fatkeqësisht deputetët u detyruan që herën e dytë të votonin pro kësaj gjykate.
Sokol Paja: Ju gjithmonë keni kundërshtuar krijimin e një institucioni të tillë. Madje në letrën tuaj drejtuar deputetëve të Kosovës, krijimin e kësaj gjykate e keni cilësuar si krim të dyfishtë.
Bardhyl Mahmuti: Institucionet që krijohen në bazë të raportit të përgatitur nga Shërbimi Sekret i Serbisë janë institucione me prapavijë politike dhe si të tilla ato nuk kanë asgjë të përbashkët me institucionet e drejtësisë. Gjatë kohës kur bëhej presion për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe themelimin e Dhomave të Specializuara dhe të Prokurorisë së Specializuar, shpesh dëgjoheshin argumentet se gjoja “Gjykata Speciale do të themelohet për të dëshmuar pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së”. Gjykatat krijohen për të ndëshkuar fajtorët, e jo për të dëshmuar pafajësinë e dikujt. Në vend që të sillen përpara drejtësisë kriminelët që kanë kryer krimet, u krijua një gjykatë që duhet të vërtetojë pretendimet e një raporti! Për këtë arsye e konsideroj se kjo qasje paraqet një krim të dyfishtë, sepse nga njëra anë, pamundëson marrjen në përgjegjësi të kriminelëve të vërtetë dhe nga ana tjetër, përgatitet maltretimi dhe ushtrimi i dhunës ndaj atyre që dihet se janë të pafajshëm por dikush paska nevojë që “të dëshmohet pafajësia e tyre”.
Sokol Paja: Siç dihet botërisht, në Nëntor të vitit të kaluar u ngrit aktakuza e parë dhe u arrestuan: presidenti i Kosovës, z. Thaçi, kryetari i PDK-së, z. Veseli, ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Krasniqi dhe kryetari i Grupit parlamentar të VV-së, z. Selimi. Si e shihni faktin se padia e ngritur kundër udhëheqësve të lartë të UÇK-së përgjithëson akuzën kundër luftës çlirimtare të Kosovës duke e cilësuar UÇK-në si “ndërmarrje kriminale”?
Bardhyl Mahmuti: Keni plotësisht të drejtë! Duke e cilësuar UÇK-në si “ndërmarrje kriminale”, në bankë të akuzës vihet lufta çlirimtare e popullit shqiptar të Kosovës. Mirëpo e shoh të rëndësishëm të sqaroj për ata lexues që nuk kanë mundur t’i përcjellin zhvillimet rreth akuzave kundër luftëtarëve të lirisë. Gjatë gjithë luftës dhe sidomos pas përfundimit të saj, Serbia zbatoi strategjinë e njollosjes së luftës së UÇK-së duke u përpjekur ta bënte fajtore për krimet që i kishin kryer forcat serbe, dhe në këtë mënyrë të fshihte gjurmët e gjenocidit në Kosovë. Në kuadër të kësaj strategjie ata botuan dhe ribotuan disa herë të ashtuquajturin “Libër i bardhë” që kishin për qëllim të nxinin luftën çlirimtare të Kosovës. Nën ndikimin e dosjeve të sajuara nga Shërbimi Sekret i Jugosllavisë, Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ngriti padi kundër Fatmir Limajt, Haradin Balajt dhe Isak Musliu. Në aktakuzën e parë të datës 24 Janar 2003 dhe në aktakuzën e ndryshuar të datës 7 Mars 2003, në asnjë rast nuk përmendej termi “ndërmarrje kriminale”.
Sokol Paja: A mund të na thuash si u sajua ky term dhe kur u përmend për herë të parë?
Bardhyl Mahmuti: T’u shkojmë gjerave me radhë. Në Shtator të vitit 2003, regjimi i “ri” në Beograd, që erdhi në pushtet pas arrestimit të Sllobodan Millosheviqit, botoi një variant të ri të “Librit të bardhë”, të titulluar “Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji” (Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin). Në këtë material të ri propagandues serb, Ushtria Çlirimtare e Kosovës përshkruhet si “ndërmarrje kriminale terroriste që ka përdorur dhunën kundër popullsisë civile serbe, shqiptare dhe pjesëtarëve të grupeve të tjera etnike që jetojnë në krahinë si dhe kundër policisë e Ushtrisë Jugosllave (…). Për t’u përshtatur me librin propagandistik serb “Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin”, ku rreth 100 herë UÇK-ja cilësohet si “organizatë kriminale”, në variantin e tretë të aktakuzës, me dhjetëra herë Carla Del Ponte e cilëson UÇK-ja si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” që gjoja ka kryer sulme të përgjithshme dhe sistematike të drejtuara kundër popullsisë civile serbe dhe shqiptarëve që dyshoheshin si bashkëpunëtorë” dhe kinse “kundër tyre ka zbatuar tortura, trajtime mizore, vrasje…”. Në të njëjtën frymë si ajo që mbizotëronte në aktakuzën kundër Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij dhe e mbështetur në sajesat e materiale të dorëzuara nga përfaqësuesit e Serbisë, më 4 Mars 2005, Carla Del Ponte ngriti aktakuzë kundër Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt. Që në variantin e parë të kësaj aktakuzë dhe në katër variantet e modifikuara të aktakuzës, Carla Del Ponte zbaton teknikën e njëjtë Copy/Past të “dëshmive” të sajuara nga Shërbimi Sekret Serb dhe të cilësimeve të UÇK-së si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Sokol Paja: Domethënë, padia e re e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së përsërit akuzat e vjetra të sajuara nga qarqet serbe.
Bardhyl Mahmuti: Ashtu është.
Sokol Paja: Ju keni qenë tepër kritik edhe ndaj mënyrës si janë trajtuar të burgosurit në Hagë. Madje publikisht i keni akuzuar autoritetet e Gjykatës Speciale se kanë zbatuar logjikë staliniste ndaj të burgosurve shqiptarë.
Bardhyl Mahmuti: E saktë. Janë bërë 7-8 muaj që Sali Mustafë, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë privuar nga e drejta më elementare njerëzore: e drejta për të takuar më të dashurit e tyre.
Zbatimi i një mase të tillë nga Gjykata Speciale e Kosovës me arsyetimin për gjoja mbrojtjen nga rrezikun i infektimit që mund t’u vijë nga jashtë është në përputhje të plotë me logjikën staliniste që INTERNIMIN e njerëzve në Gulag e arsyetonte me masat që duhej të pamundësonin përhapjen e epidemisë antikomuniste. Zbatimi i masave që ua ndalojnë vizitat familjarëve të 7 personaliteteve të luftës çlirimtare të Kosovës nuk ka asgjë të përbashkët me masat preventive ndaj COVID-19, por në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje skandaloze të të drejtave të njeriut që duhet të alarmojë të gjitha institucionet ndërkombëtare. Në ndërtesën ku padrejtësisht mbahen të mbyllur Sali Mustafa, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi nuk ka asnjë të burgosur tjetër. Sikur të kishin pasur për brengë mbrojtën e tyre nga virusi COVID-19, autoritetet përgjegjëse të Gjykatës Speciale do të kishin siguruar dozat e nevojshme për të vaksinuar 7 personalitetet e lartpërmendura dhe tërësinë e anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre (Bëhet fjalë për 30-40 vaksina).
Sokol Paja: Me sa shihet veprimet e Gjykatës Speciale janë tendencioze. A ka rrezik të dënohen udhëheqësit e lartpërmendur të UÇK-së?
Bardhyl Mahmuti: Me dosje të sajuara dhe me dëshmitarë të përgatitur nga Serbia, asnjë hipotezë nuk duhet përjashtuar. Mirëpo nëse ndodh dënimi mbi baza të dëshmive të rrejshme, atëherë do të kishim padrejtësinë më të madhe që mund të bëhet: Në vend që të dënohen përgjegjësit për krimin e gjenocidit, në bankë akuze është vënë lufta e popullit më të shtypur të Europës.
(Në pjesën e dytë të intervistës me z. Bardhyl Mahmuti do të trajtojmë çështjen e krimit të gjenocidit, aktivitetin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” dhe mundësitë e Kosovës për ta paditur Serbinë për këtë krim të shëmtuar).