• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VETËM NDËSHKIMI I SERBISË PËR GJENOCID MUND TË MBYLLË PLAGËT E HAPURA NË KOSOVË

July 14, 2021 by dgreca

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish- Përfaqësues politik i UÇK-së, ish- Shef i Grupit diplomatik të UÇK-së, dhe ish- Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se Genocidi serb në Kosovë shënon mbi 10 mijë civilë të vrarë shqiptarë, në mesin e të cilëve janë 1392 fëmijë dhe 1739 gra; ende nuk dimë asgjë për fatin e më shumë se 1600 civilëve shqiptarë që u morën nga forcat serbe gjatë tërheqjes nga Kosova dhe mbi 20 mijë gra të dhunuara seksualisht paraqesin një plagë të madhe që kullon gjak, lot dhe dhimbje. Vetëm drejtësia mund të ndihmojë të mbyllet kjo plagë e hapur.

Me Prof. Bardhyl Mahmutin bisedoi Editori i “Diellit” Sokol PAJA.

INTERVISTA: PJESA E DYTË

Sokol Paja: Megjithëse nuk patët rezultatet e dëshiruara në përpjekjet për të bindur deputetët e Kuvendit të Kosovës të mos votojnë ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë krijimit të asaj që quhet në gjuhën e përditshme Gjykatë Speciale, ju vazhduat me kërkesa publike drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Më 12 prill 2019 ju kërkuat nga deputetët të miratojnë një rezolutë për gjenocidin që shteti serb kishte kryer gjatë luftës në Kosovë. Madje ju e përpiluat edhe tekstin e projektrezolutës.

Bardhyl Mahmuti: E shoh të arsyeshme që të përmend faktin se disa herë është bërë përpjekje që miratohet një rezolutë lidhur me krimet që ka kryer shteti serb në Kosovë. Iniciativa e fundit në këtë drejtim u bë nga PDK-ja, por fatkeqësisht, për shkak të përçarjeve të mëdha të spektrit politik, institucionet shtetërore të Kosovës nuk mundën të sillnin asnjë vendim nëpërmjet të cilit do të emërtonin krimet e kryera gjatë luftës. Duke qenë i bindur për domosdoshmërinë e përkufizimit të gjërave në mënyrë institucionale, përpilova një projektrezolutë lidhur me gjenocidin e kryer në Kosovë dhe ua dërgova deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Fillimisht iniciativën e mbështeti publikisht deputeti i atëhershëm i Nismës Socialdemokrate, z. Bilall Sherifi, dhe ai e shtroi për diskutim në Kuvend. Kuvendi e krijoi komision parlamentar për këtë çështje dhe pas disa javësh punë për të harmonizuar pikëpamjet ndërpartiake, më 16 maj 2019 Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën nëpërmjet të cilës zyrtarisht emërtohej si “GJENOCID” ajo që kishte ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Sokol Paja: Përveç emërtimit të asaj që kishte ndodhur si “gjenocid”, çka do të veçonit nga kjo rezolutë?

Bardhyl Mahmuti: Rezoluta duhet të shihet si tërësi, por nëse do të më duhej të veçoja ndonjë element nga kjo rezolutë atëherë do të theksoja dy gjëra: E para, Kuvendi i Kosovës kërkon nga të gjitha institucionet politike dhe shkencore të Kosovës, që të angazhohen maksimalisht për ndriçimin e tërësishëm të gjenocidit në Kosovë dhe të sigurojë përkrahjen politike për njohjen e faktit që shqiptarët e Kosovës ishin viktima të gjenocidit. E veçova këtë aspekt të rezolutës për arsye se në përputhje me këtë orientim strategjik, më 30 qershor 2019 krijuam Qendrën “GJENOCIDI NË KOSOVË-PLAGË E HAPUR” që ka për synim të shndërrohet në rrjet të organizuar intelektualësh dhe veprimtarësh, të cilët angazhohen vullnetarisht për informimin e drejtë dhe ndriçimin e plotë të gjenocidit në Kosovë dhe këmbëngulin në domosdoshmërinë e ngadhënjimit të drejtësisë. E dyta, nëpërmjet kësaj rezolute, Kuvendi i Kosovës vendosi që 15 janari të shpallet Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, për shkak se akti gjenocidar i kryer nga forcat serbe në fshatin Reçak, më 15 janar 1999, gjatë të cilit u masakruan mbi 40 civilë shqiptarë, mobilizoi komunitetin ndërkombëtar si asnjëherë më parë për t’i dhënë fund politikës së gjenocidit në Kosovë.

Sokol Paja: Logoja e qendrës suaj është lulëkuqja me katër petale. Edhe pse e keni sqaruar edhe herë të tjera, dëshiroj për lexuesit e Gazetës “Dielli” t’i kthehemi domethënies së logos, sepse lulëkuqja përdoret si simbol edhe nga popuj të tjerë.

Bardhyl Mahmuti: E kam përmendur disa herë se në disa vende të botës lulëkuqet kanë shërbyer si simbol për t’i përkujtuar të rënët gjatë luftërave të ndryshme. Të marrim shembull Britaninë e Madhe dhe vendet e Komonvelthit. Në këto lulëkuqet janë simbol i përkujtimit të luftëtarëve të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe solidarizimit me familjet e tyre. Ndërkaq me këtë lule kanadezët përkujtojnë ata të cilët u sakrifikuan për lirinë e vendit. (Përkujtimi i të rënëve në Kanada bëhet çdo vit në orën 11.00, në ditën e 11 të muajit të 11). Në dallim nga lulëkuqet që përdoren në vende të tjera, katër petalet e lulëkuqes në logon tonë paraqesin katër format e veprimeve të gjenocidit që u zbatuan në Kosovë: vrasjet, dhunën seksuale, spastrimin etnik dhe shkatërrimin e objekteve që lidhen me përkatësinë etnike dhe identitetin shqiptar. Ndërsa në vend të thekëve të zinj të lulëkuqes, në logo janë paraqitur figura burrash, grash, djemsh dhe vajzash, për të përfshirë të gjithë shqiptarët, që ishin shndërruar në objekt shkatërrimi nga politika e gjenocidit të Serbisë. Në këtë kontekst e shoh të udhës të informoj lexuesit e gazetës suaj se logon e ka përgatitur veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, që vjen nga Lugina e Preshevës, Adnan Asllani. Për ata që nuk e dinë, Adnan Asllani është autori i emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryeredaktori i “Zërit të Kosovës” gjatë luftës në Kosovë.

Sokol Paja: Me sa kam lexuar, në rrafshin organizativ qëllimet e qendrës suaj janë të shtrihen në të gjitha vendet demokratike ku ka shqiptarë. Sa keni arritur të realizoni këtë qëllim?

Bardhyl Mahmuti: Përkundër interesimit të madh të bashkatdhetarëve tanë në disa shtete të Europës Perëndimore për të themeluar qendrat e “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”, realiteti i krijuar nga pandemia na pamundësoi realizimin e qëllimit të tillë, sepse kemi qenë plotësisht të vetëdijshëm se tubimet e kësaj natyre bartnin me vete rreziqe të mëdha për shëndetin dhe jetën e njerëzve. Presim që të përfundojë vaksinimi i popullsisë dhe kur të krijohen kushtet që nuk rrezikojnë asnjë njeri ne do të vazhdojmë me veprimtarinë tonë ashtu siç e kemi pasur të planifikuar.

Sokol Paja: Megjithatë nuk keni ndenjur duarkryq gjatë kësaj kohe. A mund të na thoni se çka keni punuar si qendër?

Bardhyl Mahmuti: Gjatë periudhës dyvjeçare kemi botuar një doracak të titulluar “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”, që ka për qëllim të ndihmojë në harmonizimin dhe përdorimin e sakte të terminologjisë që duhet të përdoret, sidomos nga politikanet dhe gazetaret, kur përkufizohen ngjarjet e luftës në Kosovë dhe shmangien e grackës së mohimit të gjenocidit përmes një terminologjie jo te duhur. Autor i këtij doracaku jam unë. Pastaj, më 15 janar të vitit 2020, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë kemi botuar një përmbledhje poezish që lidhen me temën e gjenocidit nga shkrimtarë të mëdhenj shqiptar si Xhevahir Spahiu, Agim Vinca, Ismail Syla, Bedri Islami, Ali Podrimja, Adem Gashi, Teki Dervishi, Mustafë Xhemajli, Shqipe Bytyqi, Miradije Maliqi dhe shumë poet të njohur. Ndërkaq, më 15 janar të vitit 2021 u botua romani im i titulluar “Eskadronët e vdekjes”, që pasqyron tragjedinë që përjetoi populli shqiptar i Kosovës gjatë luftës së fundit.

Sokol Paja: Ndërkohë Qeveria e re e Kosovës e Albin Kurtit, e dalë nga zgjedhjet e 14 Shkurtit, përcaktoi si pjesë të programit të vet përgatitjen e padisë kundër Serbisë për kryerjen e gjenocidit. Cili ishte qëndrimi i qendrës suaj?

Bardhyl Mahmuti: Nëpërmjet një deklarate të datës 8 Maj, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” e përshëndeti vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe u zotua publikisht se do të angazhohet për të dhënë kontributin e vet maksimal në përputhje me mundësitë e veta që padia për gjenocid të përgatitet sa më mirë, në mënyrë që të dalim fitues nga ky proces për arritjen e drejtësisë për viktimat e gjenocidit në Kosovë.Për këtë qëllim, së bashku me zëvendës kryetarin e qendrës, Adnan Asllanin u takuam me kryeministrin e Kosovës, z. Kurti, me ministren e Drejtësisë, zonjën Haxhiu dhe me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, zonjën Bogujevci.

Sokol Paja: Një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të partive politike opozitare në Kosovë dhe analistësh politik të Kosovës janë shprehur skeptik rreth mundësisë që kjo padi të realizohet me sukses. Në kuadër të debateve rreth kësaj teme, shumë shpesh janë përmendur dështimet e Bosnjës dhe Kroacisë, paditë e të cilave kundër Serbisë u hodhën poshtë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Sa janë gjasat që padi kundër Serbisë për gjenocidin në Kosovë të realizohet me sukses?

Bardhyl Mahmuti: Krahasimi që bëhet me dështimin e Bosnjës dhe Kroacisë kundër Serbisë është i paqëndrueshëm. Serbët lokal në Bosnjë dhe në Kroaci të organizuar në republikat e vetëshpallura (Republika Serbska në Bosnjë, Kraina, Sllavonia Lindore dhe Sllavonia Perëndimore në Kroaci) kanë pasur struktura që shkonin nga presidenti i republikës, kryeministri dhe ministrat e tjerë të qeverive përkatës, komandë ushtarake dhe policore e kështu me radhë. Përkundër asaj se botërisht ka qenë e ditur se këto struktura dirigjoheshin nga Beogradi, Kroacia dhe Bosnja nuk kanë mundur të ofrojnë dëshmi të mjaftueshme se Serbia ka kryer gjenocid në këto dy shtete. Sidoqoftë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e fajëson Serbinë për mos parandalimin e kryerjes së gjenocidit. Në Kosovë gjërat janë të qarta: Serbia si shtet ka kontrolluar tërësinë e forcave të armatosur gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë dhe për këtë arsye ndodhi ndërhyrja ushtarake e NATO-s. Padia kundër Serbisë për gjenocidin në Kosovë ka gjasa të mëdha të realizohet me sukses, nëse krahas përgatitjes së dosjes bëhet edhe puna në informimin e drejtë të opinionit publik ndërkombëtar për realitetin  tragjik që ka përjetuar populli shqiptar i Kosovës.

Sokol Paja: Shpesh flitet se Kosova nuk ka të drejtë të bëjë padi, meqenëse nuk është anëtare e OKB-së. Sa mund të jetë pengesë një çështje e tillë?

Bardhyl Mahmuti: Në këto rrethana prioritet është përgatitja profesionale e dosjeve që dëshmojnë për gjenocidin e shtetit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe informimi sa më i gjerë i qarqeve intelektual, politike dhe diplomatike në botë lidhur me gjenocidin që ka përjetuar populli ynë. Kur të bëhen të gjitha punët si duhet, ngritja e padisë mbetet një çështje teknike. Të mos harrojmë se krimi i gjenocidit është krim që godet mbarë njerëzimin, prandaj padinë mund ta bëjë çdo shtet. 

Sokol Paja: Është përmendur shpesh mundësia që një padi të tillë ta bëjë Shqipëria. Si mendoni ju?

Bardhyl Mahmuti: Po e përsëris: nga momenti kur një shtet është i bindur se ndaj një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor ose fetar janë zbatuar veprime që kanë pasur për qëllim që ta shkatërrojnë tërësisht apo pjesërisht grupin si të tillë, atëherë ai mund të padisë shtetin që ka kryer gjenocid. Këtë mund ta bëjë Shqipëria, jo vetëm pse ka ndodhur ndaj shqiptarëve të Kosovës, por është njëfarë obligimi për të gjitha shtetet që kanë miratuar Konventën ndërkombëtare për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit që të ndërmarrin një hap të tillë për të shmangur logjikën e mosndëshkimit të krimit. Mirëpo, tani për tani, angazhimet duhet të orientohen në prioritetet e lartpërmendur.

Sokol Paja: Para disa ditësh i dërguari special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer u deklarua lidhur me padinë kundër  Serbisë. Si e shihni deklaratën e tij që theksoi rëndësinë e dialogut dhe domosdoshmërinë që palët të fokusohen më shumë në të ardhmen, e jo në të kaluarën?Bardhyl Mahmuti: Ajo që m’u duk e rëndësishme në deklaratën e z. Palmer ka të bëjë me pohimin se “Nëse Kosova dëshiron të shkojë në gjykatë, kjo është e drejta e saj sovrane” dhe, se në këtë rast, “Kosova duhet të ketë argumente para se të padisë Serbinë për gjenocid”. Zoti Palmer ka plotësisht të drejtë: padia duhet të përgatitet profesionalisht me fakte të pakontestueshme ku nuk do të lihej asnjë verigë ku mund të varej dyshimi për vërtetësinë e provave. Çështja e dialogut është çështje me rëndësi, sepse përcakton rrjedhat e të ardhmes së kësaj pjese të Europës. Mirëpo ardhmëria nuk mund të imagjinohet me një shtet që mohon gjenocidin e kryer në Kosovë. E kaluara nuk është vetëm një nocion kohor! Tani për tani, e kaluara e afërt e dy shteteve tona ndahet me një hendek të madh të mbushur me mbi 10 mijë civilë të vrarë shqiptarë, në mesin e të cilëve janë 1392 fëmijë dhe 1739 gra; ende nuk dimë asgjë për fatin e më shumë se 1600 civilëve shqiptarë që u morën nga forcat serbe gjatë tërheqjes nga Kosova dhe  mbi 20 mijë gra të dhunuara seksualisht paraqesin një PLAGË TË MADHE QË KULLON GJAK, LOT DHE DHEMBJE! VETËM DREJTËSIA MUND TË NDIHMOJË TË MBYLLET KJO PLAGË E HAPUR.

Filed Under: Interviste Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Kosova-Genocid, Sokol Paja

SERBËT PO SULMOJNË UÇK PËR TË FSHEHUR GENOCIDIN SERB NË KOSOVË

July 5, 2021 by dgreca

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish- Përfaqësues politik i UÇK-së, ish- Shef i Grupit diplomatik të UÇK-së, dhe ish- Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se institucionet që krijohen në bazë të raportit të përgatitur nga Shërbimi Sekret i Serbisë janë institucione me prapavijë politike dhe si të tilla ato nuk kanë asgjë të përbashkët me institucionet e drejtësisë. Në vend që të sillen përpara drejtësisë kriminelët që kanë kryer krimet, u krijua një gjykatë që duhet të vërtetojë pretendimet e një raporti. Ky është një krim i dyfishtë. Kriminelët e vërtetë janë të lirë. Politologu Bardhyl Mahmuti aktualisht punon si edukator në Komunën e Lozanës (Zvicër) dhe është kryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”. Me Bardhyl Mahmutin bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

Sokol Paja: Disa muaj përpara se të krijohej e ashtuquajtura Gjykatë Speciale e Kosovës me qendër në Hagë, ju publikuat veprën “Mashtrimi i madh”. Cili ishte qëllimi i këtij publikimi?

Bardhyl Mahmuti: Duke e parë fushatën diplomatike serbe për të përmbysur interpretimin e asaj që kishte ndodhur gjatë luftës në Kosovë, vendosa t’i përkushtohesha ndriçimit të atij realiteti tragjik që kishte përjetuar populli shqiptar i Kosovës. Pas disa vitesh hulumtime shkencore dhe me ndihmën e një numri të konsiderueshëm veprimtarësh të shquar të çështjes kombëtare, në Shkurt të vitit 2015 botova librin “Mashtrimi i madh”, që zhvesh manipulimet me opinionin publik ndërkombëtar lidhur me luftën e Kosovës dhe nxjerr në dritë të vërtetën për gjenocidin që ka kryer Serbia në Kosovë.

Sokol Paja:Një pjesë e konsiderueshme e studimit tuaj i kushtohet zhveshjes së përmbajtjes së asaj që quhet “Raport i Dik Martit”. Madje ju i keni bërë edhe ftesë z. Marti të ballafaqoni argumentet në një debat  publik. Si qëndron puna?

Bardhyl Mahmuti: Në librin tim kam sjellë argumente të pakontestueshme se dokumenti që mban emrin e Dik Martit është dokument i përpiluar nga Shërbimi Sekret i Serbisë dhe fatkeqësisht fshehja e gjurmëve të këtij manipulimi ka bërë që një dokument i tillë të miratohet edhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Dik Martin e kam takuar në një librari të njohur të Lozanës të Zvicrës ku bëhej përurimi i librit të tij të titulluar “Une certaine idée de la justice- chétchénie-CIA-Kosovo-drogue” (Njëfarë ideje për drejtësinë – Çeçenia, CIA-Kosova-droga). Në prani të shumë politikanëve dhe intelektualëve i dorëzova librin tim dhe i kërkova ballafaqim. Ai u zotua se do të ballafaqohej me mua pasi ta lexonte librin tim. Disa muaj rresht ai iu shmang ballafaqimit me arsyetim se ishte i sëmurë, por në fund deklaroi se nuk dëshiron të dalë në debat me mua.

Sokol Paja: Sipas mendimit tuaj, cila ka qenë arsyeja që Dik Marti refuzoi të dalë në ballafaqim me ju?

Bardhyl Mahmuti: Leximi i veprës e ka bindur se unë mbështetem në argumente të pakontestueshme dhe se në një ballafaqim me fakte të tilla do ta nxirrte si një njeri pa dinjitet intelektual, që vë firmën e vet në një dokument që nuk është përpiluar prej tij. Në këtë kontekst ndodhi një ngjarje shumë e rëndësishme, e cila mendoj se ka ndikuar në vendimin e Dik Martit: Ish-ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St. Protiq, rrëfeu publikisht se pikërisht ai ia kishte dhënë Dik Martit dosjen e përgatitur nga Shërbimi Sekret i Serbisë. Përveç deklaratës televizive, në librin e tij të titulluar “Vendi i Wilhem Telit”, ish-ambasadori serb e përshkruan hollësisht krejt procesin se si kanë arritur ta bindin Dik Martin ta marrë përsipër një mision të tillë. Është interesant të përmendet se Dik Martit i është dashur t’i përkthehen materialen nga anglishtja në frëngjisht, sepse, sipas Milan St. Protiq, “Dik Marti nuk ka pranuar të lexojë në gjuhën e amerikanëve”.

Sokol Paja: Dik Marti njihet botërisht për antiamerikanizmin e tij. Çka e nxiti që të ketë këtë qëndrim negativ kundër Kosovës në përgjithësi dhe UÇK-së në veçanti?

Bardhyl Mahmuti: Jo vetëm Dik Marti, por të gjithë ata që janë të prekur nga antiamerikanizmi si verbërim ideologjik fajësojnë UÇK-në si shkaktare që u ka krijuar amerikanëve mundësinë që në Kosovë të vendosin bazën më të madhe ushtarake amerikane në botë. Këtu qëndron arsyeja që ka bashkuar në një “front për mbrojtjen e Evropës nga imperializmi amerikan” komunistë, socialistë, social-demokratë, neonazistë dhe neofashistë, historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicistë, të orientimit të djathtë e të majtë që janë të verbuar nga ideologjia e antiamerikanizmit.

Sokol Paja: Përkundër argumenteve të shumta që përmban libri juaj lidhur me sajesën e akuzave kundër UÇK-së dhe letrës publike drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos miratojnë ndryshimet kushtetuese për të krijuar të ashtuquajturën Gjykatë Speciale, Kuvendi i Kosovës nuk mundi ta ndalte këtë proces.

Bardhyl Mahmuti: Keni plotësisht të drejtë. Të mos harrojmë se kur u hodh në votim projektligji për ndryshimin e kushtetutës, herën e parë deputetët e Kosovës votuan kundër. Mirëpo, presioni ndërkombëtar ka qenë tepër i madh dhe fatkeqësisht deputetët u detyruan që herën e dytë të votonin pro kësaj gjykate.

Sokol Paja: Ju gjithmonë keni kundërshtuar krijimin e një institucioni të tillë. Madje në letrën tuaj drejtuar deputetëve të Kosovës, krijimin e kësaj gjykate e keni cilësuar si krim të dyfishtë.

Bardhyl Mahmuti: Institucionet që krijohen në bazë të raportit të përgatitur nga Shërbimi Sekret i Serbisë janë institucione me prapavijë politike dhe si të tilla ato nuk kanë asgjë të përbashkët me institucionet e drejtësisë. Gjatë kohës kur bëhej presion për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe themelimin e Dhomave të Specializuara dhe të Prokurorisë së Specializuar, shpesh dëgjoheshin argumentet se gjoja “Gjykata Speciale do të themelohet për të dëshmuar pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së”. Gjykatat krijohen për të ndëshkuar fajtorët, e jo për të dëshmuar pafajësinë e dikujt. Në vend që të sillen përpara drejtësisë kriminelët që kanë kryer krimet, u krijua një gjykatë që duhet të vërtetojë pretendimet e një raporti! Për këtë arsye e konsideroj se kjo qasje paraqet një krim të dyfishtë, sepse nga njëra anë, pamundëson marrjen në përgjegjësi të kriminelëve të vërtetë dhe nga ana tjetër, përgatitet maltretimi dhe ushtrimi i dhunës ndaj atyre që dihet se janë të pafajshëm por dikush paska nevojë që “të dëshmohet pafajësia e tyre”.

Sokol Paja: Siç dihet botërisht, në Nëntor të vitit të kaluar u ngrit aktakuza e parë dhe u arrestuan: presidenti i Kosovës, z. Thaçi, kryetari i PDK-së, z. Veseli, ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Krasniqi dhe kryetari i Grupit parlamentar të VV-së, z. Selimi. Si e shihni faktin se padia e ngritur kundër udhëheqësve të lartë të UÇK-së përgjithëson akuzën kundër luftës çlirimtare të Kosovës duke e cilësuar UÇK-në si “ndërmarrje kriminale”?

Bardhyl Mahmuti: Keni plotësisht të drejtë! Duke e cilësuar UÇK-në si “ndërmarrje kriminale”, në bankë të akuzës vihet lufta çlirimtare e popullit shqiptar të Kosovës. Mirëpo e shoh të rëndësishëm të sqaroj për ata lexues që nuk kanë mundur t’i përcjellin zhvillimet rreth akuzave kundër luftëtarëve të lirisë. Gjatë gjithë luftës dhe sidomos pas përfundimit të saj, Serbia zbatoi strategjinë e njollosjes së luftës së UÇK-së duke u përpjekur ta bënte fajtore për krimet që i kishin kryer forcat serbe, dhe në këtë mënyrë të fshihte gjurmët e gjenocidit në Kosovë. Në kuadër të kësaj strategjie ata botuan dhe ribotuan disa herë të ashtuquajturin “Libër i bardhë” që kishin për qëllim të nxinin luftën çlirimtare të Kosovës. Nën ndikimin e dosjeve të sajuara nga Shërbimi Sekret i Jugosllavisë, Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ngriti padi kundër Fatmir Limajt, Haradin Balajt dhe Isak Musliu. Në aktakuzën e parë të datës 24 Janar 2003 dhe në aktakuzën e ndryshuar të datës 7 Mars 2003, në asnjë rast nuk përmendej termi “ndërmarrje kriminale”.

Sokol Paja: A mund të na thuash si u sajua ky term dhe kur u përmend për herë të parë?

Bardhyl Mahmuti: T’u shkojmë gjerave me radhë. Në Shtator të vitit 2003, regjimi i “ri” në Beograd, që erdhi në pushtet pas arrestimit të Sllobodan Millosheviqit, botoi një variant të ri të “Librit të bardhë”, të titulluar “Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji” (Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin). Në këtë material të ri propagandues serb, Ushtria Çlirimtare e Kosovës përshkruhet si “ndërmarrje kriminale terroriste që ka përdorur dhunën kundër popullsisë civile serbe, shqiptare dhe pjesëtarëve të grupeve të tjera etnike që jetojnë në krahinë si dhe kundër policisë e Ushtrisë Jugosllave (…). Për t’u përshtatur me librin propagandistik serb “Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin”, ku rreth 100 herë UÇK-ja cilësohet si “organizatë kriminale”, në variantin e tretë të aktakuzës, me dhjetëra herë Carla Del Ponte e cilëson UÇK-ja si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” që gjoja ka kryer sulme të përgjithshme dhe sistematike të drejtuara kundër popullsisë civile serbe dhe shqiptarëve që dyshoheshin si bashkëpunëtorë” dhe kinse “kundër tyre ka zbatuar tortura, trajtime mizore, vrasje…”. Në të njëjtën frymë si ajo që mbizotëronte në aktakuzën kundër Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij dhe e mbështetur në sajesat e materiale të dorëzuara nga përfaqësuesit e Serbisë, më 4 Mars 2005,  Carla Del Ponte ngriti aktakuzë kundër Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt. Që në variantin e parë të kësaj aktakuzë dhe në katër variantet e modifikuara të aktakuzës, Carla Del Ponte zbaton teknikën e njëjtë Copy/Past të “dëshmive” të sajuara nga Shërbimi Sekret Serb dhe të cilësimeve të UÇK-së si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”. 

Sokol Paja: Domethënë, padia e re e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së përsërit akuzat e vjetra të sajuara nga qarqet serbe.

Bardhyl Mahmuti: Ashtu është.

Sokol Paja: Ju keni qenë tepër kritik edhe ndaj mënyrës si janë trajtuar të burgosurit në Hagë. Madje publikisht i keni akuzuar autoritetet e Gjykatës Speciale se kanë zbatuar logjikë staliniste ndaj të burgosurve shqiptarë.

Bardhyl Mahmuti: E saktë. Janë bërë 7-8 muaj që Sali Mustafë, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë privuar nga e drejta më elementare njerëzore: e drejta për të takuar më të dashurit e tyre.
Zbatimi i një mase të tillë nga Gjykata Speciale e Kosovës me arsyetimin për gjoja mbrojtjen nga rrezikun i infektimit që mund t’u vijë nga jashtë është në përputhje të plotë me logjikën staliniste që INTERNIMIN e njerëzve në Gulag e arsyetonte me masat që duhej të pamundësonin përhapjen e epidemisë antikomuniste. Zbatimi i masave që ua ndalojnë vizitat familjarëve të 7 personaliteteve të luftës çlirimtare të Kosovës nuk ka asgjë të përbashkët me masat preventive ndaj COVID-19, por në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje skandaloze të të drejtave të njeriut që duhet të alarmojë të gjitha institucionet ndërkombëtare. Në ndërtesën ku padrejtësisht mbahen të mbyllur Sali Mustafa, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi nuk ka asnjë të burgosur tjetër. Sikur të kishin pasur për brengë mbrojtën e tyre nga virusi COVID-19, autoritetet përgjegjëse të Gjykatës Speciale do të kishin siguruar dozat e nevojshme për të vaksinuar 7 personalitetet e lartpërmendura dhe tërësinë e anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre (Bëhet fjalë për 30-40 vaksina).

Sokol Paja: Me sa shihet veprimet e Gjykatës Speciale janë tendencioze. A ka rrezik të dënohen udhëheqësit e lartpërmendur të UÇK-së?

Bardhyl Mahmuti: Me dosje të sajuara dhe me dëshmitarë të përgatitur nga Serbia, asnjë hipotezë nuk duhet përjashtuar. Mirëpo nëse ndodh dënimi mbi baza të dëshmive të rrejshme, atëherë do të kishim padrejtësinë më të madhe që mund të bëhet: Në vend që të dënohen përgjegjësit për krimin e gjenocidit, në bankë akuze është vënë lufta e popullit më të shtypur të Europës.
(Në pjesën e dytë të intervistës me z. Bardhyl Mahmuti do të trajtojmë çështjen e krimit të gjenocidit, aktivitetin e Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” dhe mundësitë e Kosovës për ta paditur Serbinë për këtë krim të shëmtuar). 

Filed Under: Politike Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Genocidi serb, Sulmi ndaj UCK

Ambalazh i ri i projekteve të vjetra

December 28, 2019 by dgreca

Takimet që filluan në Serbi dhe që do të përmbyllen në Serbi janë ambalazh i ri i projekteve të vjetra/

Nga Bardhyl Mahmuti/

Në samitet që u mbajtën në Berlin (28 gusht 2014), në Vjenë (27 gusht 2015), në Parisi (4 korrik 2016) dhe në Trieste (13 korrik 2017) përfaqësuesit më eminent të BE-së u përpoqën të mbanin të hapur perspektivën evropiane për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjën.

Është plotësisht e vërtetë se në përputhje me nivelin e takimeve, në të gjitha këto samite shteti i Kosovës është përfaqësuar me udhëheqësit e institucioneve të veta.

Në të gjitha këto takime u tha në mënyrën më të qartë të mundshme se “ardhmëria e shteteve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, sepse integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është investim strategjik për paqe, demokraci, prosperitet, siguri dhe stabilitet të Europës në tërësi”. Nga ky këndvështrim, “ata përshëndetën angazhimet që shtetet e Ballkanit Perëndimor të promovojë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë regjional”.

Pjesëmarrja  përfaqësuesve të institucioneve të shtetit të Kosovës në këto takime ka qenë në përputhje të plotë me orientimet politike të vendit tonë për integrim në BE. Të përmenden “darkat dhe drekat që udhëheqësit e Kosovës paskëshin ngrënë me përfaqësuesit e Serbisë gjatë këtyre takimeve”, ashtu siç bën z. Edi Rama dhe tellallët e tij /gazetarë që janë futur në paketën e “ligjit antishpifje”, janë manipulim i neveritshëm. Të gjithë ata që përmendin takimet paraprake, të udhëhequra nga BE-ja, dhe fajësojnë udhëheqësit e Kosovës se gjoja “kanë futur vendin në rrugë qorre dhe kanë izoluar Kosovën” pse nuk morën pjesë në tri takimet e “Mini-Shengenit” serb, janë vënë në shërbim të fshehjes së realitetit dhe përhapjes së gënjeshtrave.

Përhapja e gënjeshtrave dhe fajësimi i udhëheqësve të Kosovës për mospjesëmarrje në takimet që nuk kanë asgjë të përbashkët me procesin e filluar nga BE-ja nuk është asgjë tjetër pos strategji e shfajësimit të palës serbe.

E vërteta qëndron në faktin se iniciativat e BE-së për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor u minuan nga serbët e Bosnjës. Të rikujtojmë se edhe gazetarët që sot hungërojnë kundër “hipokrizisë së politikanëve të Kosovës”, më 6 korrik të vitit 2019 publikuan lajmin se “Për shkak të ‘ftesës denigruese’, Thaçi refuzon ftesën e Dodik për në Samitin e Sarajevës”. Në shkrimet që publikuan këtë lajm thuhet në mënyrë të qartë se “kryesuesi i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik ka thënë se Hashim Thaçi nuk është ftuar në cilësinë e Presidentit të Kosovës, në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) që do të mbahet në Banja Llukë, por si përfaqësues i Prishtinës” dhe se “Dodik ia ka bërë të qartë Hashim Thaçit se ai duhet të kuptojë që Kosova është pjesë e Serbisë”.

Nuk ka turp më të madh sesa të fshihet ky fakt dhe të fajësohen udhëheqësit e Kosovës pse nuk marrin pjesë në takime të tilla.

As z. Edi Rama e as tellallët e tij nuk mund ta fshehin faktin se refuzimi i pjesëmarrjes në këtë samit nuk ishte futje e “Kosovës në rrugë qorre” nga ana e udhëheqësve të Kosovës, por qëndrim në përputhje të plotë me interesat e shtetit të pavarur të Kosovës. Të mos harrojmë se në atë kohë, edhe Kryeministri i Shqipërisë e refuzoi pjesëmarrjen në samitin e Banja Llukës dhe për këtë veprim askush nuk e akuzoi z. Edi Rama se “po e futë Shqipërinë në rrugë qorre”. Përkundrazi! Solidarizimi me Kosovën ngjalli një simpati të madhe te qytetarët e Kosovës.

Në të njëjtën periudhë kohore kur kryesuesi i presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik i kujtonte Hashim Thaçit se “Kosova është pjesë e Serbisë” dhe e ftonte të merrte pjesë në samitin e Banja Llukës “si qytetar i Prishtinës”, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev doli me qëndrime të njëjta. Në intervistën dhënë “Kurir TV” të Serbisë, Zoran Zaevi mohoi gjenocidin e shtetit serb mbi shqiptarët, deklaroi se gjoja “Kosova është zemra e Serbisë dhe se aty është historia e Serbisë” dhe përsëriti qëndrimin e vet kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Në përputhje të plotë me pikëpamjet e lartpërmendura, më 24 dhjetor 2019 Zoran Zaev deklaroi: “Kosova mund t’i bashkohet iniciativës, por Kosova dëshiron të ftohet si një shtet më vete, e cila nga ana tjetër është pjesë e një problemi të pazgjidhur me Serbinë, ku vendet e tjera nuk mund të ndërhyjnë”.

Ndryshimi i rregullave të lojës që ishin vendosur nga BE-ja dhe përpjekja për t’i imponuar Kosovës kushte të papranueshme është njëra anë e medaljes. Anën tjetër të medaljes e përbëjnë përpjekjet ruso-serbe për grusht-shtet në Mal të Zi dhe mbështetja e forcave maqedonase që janë kundër BE-së dhe kundër NATO-s. Strategji ruse ka për qëllim të krijojë zonën e saj të influencës në këtë pjesë të Europës Juglindore dhe ta kthejë në digë kundër BE-së dhe NATO-s.

Takimet në Novi Sad, në Ohër dhe në Durrës nuk janë vazhdimësi e samiteve që u mbajtën në Berlin, në Vjenë, në Parisi apo në Trieste. Madje edhe vetë z. Edi Rama e titullon publikimin si “Takimi i 3-të Rajonal për Ballkanin Perëndimor”.

Takimet që filluan në Serbi dhe që do të përmbyllen në Serbi nuk janë asgjë tjetër pos një ambalazh i ri i projekteve të vjetra. Për këtë veprim që nuk ka përkrahjen e fuqive të mëdha të BE-së dhe të SHBA-ve, në intervistën ekskluzive për emisionin “Stav” të TV O2, të datës 23 dhjetor 2019, Aleksandar Vuçiq deklaroi se “Edi Rama ka treguar një guxim që rrallë shihet te politikanët ballkanas. Unë e di sesa është e rrezikshme dhe aspak naive kur u kundërvihesh të mëdhenjve evropianë apo të tjerë”.

 “Kushdo qoftë që e ka përmendur apo kërkuar bashkimin të Ballkanit dhe të ballkanasve, ai e ka pësuar. Edhe mbreti Alekdandar edhe Svetozar Markoviqi e kanë pësuar në mënyra të ndryshme (…) Mbreti Aleksandar Karagjorgjeviq ka qenë një njeri mjaft i dijshëm dhe jashtëzakonisht i guximshëm. E akuzojnë se ka vendosur diktaturën në kohën kur e ka shpëtuar shtetin që e ka formuar dhe ka mbrojtur të drejtën e serbëve që të jetojnë në një shtet. Ka rrëfimet, për të cilat nuk kemi fakte, se Zhorzh Klemanso (Georges Clemenceau) i ka thënë që ta vizatojë deri ku është Serbia e Madhe dhe ta marrë atë territor. Edhe pse një gjë e tillë nuk dëshmohet me asgjë, shumica e serbëve kanë qëndrim negativ ndaj mbretit Aleksandar Gjorgjeviq, pikërisht për këtë arsye. Ka qenë plotësisht e qartë se ka qenë e vetmja formë shtetërore që ka mundur të krijohet, ku serbët do të jetonin në një shtet. Dhe për herë të parë një gjë të tillë ka arritur ta bëjë mbreti Aleksandar së bashku me serbët e asaj ana të Drinës dhe të Danubit (…). Dhe për atë e ka vrarë organizata ku kanë qenë ustashët si Ante Paveliqi, VMRO-ja por bullgare e Vlado Çernozemskit, shërbimet sekrete italiane, angleze dhe të vendeve të tjera. Si ka mundur të jetë i keq për Serbinë kur të gjithë kanë dashur ta likuidojnë?!”.

Në ndërhyrjen e gazetarit Milovan Jovanoviq se “kritikuesit e Mini-Shengenit thonë se ky projekt parasheh krijimin e Jugosllavisë së Re, në Prishtinë flitet se po bëhet Serbia e Madhe, ndërkaq në Serbi thonë se je duke bërë Shqipërinë e Madhe” Aleksandar Vuçiq deklaron në formë sarkastike: “Të gjithë e kanë kuptuar! Mendoj se ajo është mirënjohja më e mirë për iniciativën tonë”.

Po, po! Në Kosovë të gjithë  kanë kuptuar se në kohën kur shteti serb u heq nënshtetësinë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjes, me qëllim që t’i shpallë si apatrid, presidenti serb Aleksandar, njëlloj si dikur mbreti serb Aleksandar, përpiqet të heq kufijtë e shteteve përreth, që serbët të jetojnë në një shtet. Në këtë kontekst, z. Edi Rama duhet të sqarojë pse pranoi të shkonte në takimin e Novi-Sadit në Serbi, atje ku nuk ishte ftuar Kosova, dhe pse ka pranuar të bëhet tellall i një projekti që Kosovën e sheh si pjesë të Serbisë.

Aleksandar Vuçiq sqaroi qëllimet politike të “Mini-Shengenit” serb. Ndërkaq, propaganda për krijimin e të ashtuquajturës “zonë e lirë e qarkullimit të kapitalit” nuk është asgjë tjetër, pos zhurmë për të fshehur qëllimin e vërtetë të krijimit të një “zone” ku do të qarkullojnë lirshëm paratë e pista, ku “kapitali” i grumbulluar nga krimi i organizuar dhe nga korrupsioni do të shitet si “investim i jashtëm”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, projekt i vjeter

UÇK-ja dhe «fondamentalizmi islamik»

August 12, 2017 by dgreca

Nga Bardhyl MAHAMUTI/

1-bardhyl_mahmuti_interviste

Mediet e kontrolluara nga pushteti politik i Beogradit aktualizuan temën e konstruktuar nga Shërbimi Sekret i Serbisë për gjoja lidhjen e personaliteteve më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me organizatat terroiriste islamike. Kësaj radhe në shënjestër të akuzave serbe ishte Daut Haradinaj. E shoh të arsyeshme ta botoj si shkrim të veçantë këtë temë, të cilën e kam trajtuar në librin tim, për të nxjerrur në shesh domosdoshmërinë e zhveshjes së kësaj propagande politike dhe mediatike që fatkeqësisht mund të ketë ndikim te njerëzit që nuk e dinë se çka ka ndodhur në Kosovë para dy dekadash.

Lus mediet që e shohin të rëndësishme zhveshjen e kësaj propagande me fakte të pakontestueshme ta publikojnë këtë shkrim.

* * *

Misionet diplomatike të Jugosllavisë kishin shpërndarë në të gjitha vendet me peshë në skenën politike ndërkombëtare mate­rialin e përgatitur nga shërbimet sekrete të Serbisë, nëpërmjet të cilit “informonin” se “më tepër se 1000 mercenarë të huaj nga Shqi­përia, Arabia Saudite, nga Jemeni, nga Afganistani, nga Bosnja e Hercegovina dhe nga Kroacia ishin të angazhuar në radhët UÇK-së.” (“Vlada Srbije: Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovu i Metohiji”, Beograd, shtator 2003; botimi në versionin serb f.9, në versionin në gjuhën frënge, f.207 dhe në versionin në gjuhën angleze, f.199)

Për ta “shitur” më lehtë stigmatizimin e luftës çlirimtare të Kosovës si të ishte një luftë fetare, autorët e “librave të bardhë” shpërndanë gënjeshtrën se gjoja “në Konferencën e 18-të Islamike, të mbajtur në Pakistan në vitin 1998, separatizmi shqiptar në Kosovë ishte cilësuar si “xhihad” dhe të gjitha vendet myslimane ishin ftuar për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane! (…) Në përputhje me këtë thirrje një numër islamikësh fanatikë nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe nga vende të tjera iu përgjigjën thirrjes dhe u përfshinë në shtabet e njësive komanduese të UÇK-së në Kosovë si instruktorë për stërvitje speciale ushtarake të disa formacioneve të UÇK-së.” (Vepra e cituar më lartë, botimi në versionin serb f. 41, botimi në versionin në gjuhën angleze f. 36)

Përmes kësaj gënjeshtre synohej të manipulohej ajo kategori e njerëzve që kishin frikë nga fondamentalizmi islamik dhe nuk kishin njohuri për zhvillimet reale. Në të njëjtën kohë, kjo gënjeshtër u shërbente politikanëve të llojit të Jean-Marie Le Pen-it që “frikësonin” evropianët me rrezikun që u kanosej të islami­zoheshin nga Kosova e pavarur, apo gazetarëve dhe publicistëve që kërkonin të stigmatizonin mbështetjen që i jepej luftës çlirimtare të Kosovës sikur të ishte luftë me konotacion fetar.

Të vetëdijshëm se realiteti ishte krejtësisht ndryshe, sajuesit e kësaj gënjeshtre shpresonin se informatat nuk do të verifi­koheshin. Të gjithë atyre që u ka interesuar e vërteta për pohime të tilla, kanë pasur mundësi të vërtetojnë se Konferenca e 18 Islamike nuk u mbajt në Pakistan, siç pretendohej në këtë «Libër të Bardhë», por në Arabinë Saudite dhe në datat 13-16 mars 1989 [La dix-huitième conférence islamique des ministres des affaires étrangères Riyadh, Royaume Diarabie Saoudite, 6 au 9 Cha’abane 1409-H, (13-16 mars 1989) http://www.oic-oci.org/french/conf/fm/18/18%20icfm-main.htm]. Pra, dhjetë vjet para Luftës së Kosovës! Madje, jo vetëm lufta e Kosovës që nuk ka mundur të përmendet dhjetë vjet para se të fillojë por, në këtë Konferencë Kosova nuk është përmendur fare.

Sa i përket Pakistanit, në këtë shtet është mbajtur Kon­fe­renca e 21-të Islamike nga 25-29 prilli 1993. [La vingt-et unième conférence islamique des ministres des affaires étrangères (Session de l’unité et de la coopération islamiques pour la paix, la justice et le progrès Karachi, République islamique du Pakistan 4-8 Zul-Oaada 1413 ( 25-29 avril 1993)].

Pra, edhe Konferenca islamike në Pakistan është mbajtur para shpërthimit të luftës në Kosovë dhe rrjedhimisht nuk kishte mundësi që të kualifikohej si “xhihad” një luftë që ende nuk kishte filluar. Gjatë Konferencës islamike të mbajtur në Pakistan në vitin 1993, në kuadër të rezolutës 7/21-P, kushtuar situatës në Bosnje e Hercegovinë, në pikën 28 të saj, përmendet edhe Kosova. Përmes kësaj rezolute “kërkohej nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes, tani më të tendosur, në Kosovë, në Vojvodinë, në Sanxhak dhe në Repu­blikën e Maqedonisë.” (Rapport et résolution sur les affaires politiques, les minorités musulmanes, les questions juridiques, et de l’information adoptés par la vingt-et unième conférence islamique des ministres des affaires étrangères. Shih : http://www.oic-oci.org/french/conf/fm/21/21%20icfm-political-fr.htm )

Siç shihet qartazi, qëndrimet e shprehura në këtë rezolutë nuk dallojnë aspak nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit i OKB-së. Përkundrazi, janë më pak të ashpra se qëndrimet e shprehura përmes rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

Ndërsa në vitin 1998, në kohën kur zhvillohej lufta në Kosovë, Konferenca Islamike mbajti mbledhjen e radhës në Katar. Gjatë sesionit të 25 të kësaj organizate u miratua rezoluta 19/25-P që kishte të bënte me situatën në Kosovë (Session Du Conseil Des Ministres Des Affaires Etrangères des Etats membres de l’OCI, 15-17 mars 1998. Shih :http://www.oic-oci.org/french/conf/fm/25/Resolutions25-P.htm#19).

Kjo rezolutë nuk përmbante asnjë cilësim të luftës së Kosovës si “xhihad” apo “thirrje drejtuar vendeve myslimane për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane”, siç gënjente propaganda serbe.

Propaganda për gjoja lidhjet e UÇK-së me ideologjinë e ekstremizmit fetar islam dhe për gjoja “instruktorë të fonda­mentalizmit islamik, që stërvitnin ushtarët e UÇK-së”, nuk gjeti mbështetje të gjerë, siç kishin shpresuar udhëheqësit e pro­pagandës së regjimit të Beogradit. Përveç disa artikujve në gazeta, të cituara në librin tim, ku shihej ndikimi i kësaj propagande, përpjekjet për të paraqitur UÇK-në si “organizatë terroriste me pikëpamje fondamentaliste islamike” kishin dështuar. Zhgënjimin e autori­teteve serbe për këtë dështim e shprehu publikisht ministri i Informacionit të Republikës së Serbisë, Goran Matić-i. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Međunarodna politika” ai deklaroi se “është e pabesueshme se si fondamentalistët islamikë cilësohen si terroristë vetëm kur vrasin amerikanë. Ndërsa, kur vrasin qytetarë të pafajshëm të Jugo­sllavisë ata cilësohen si luftëtarë të drejtësisë.” (Radio Jugoslavija, «Double standard?», 29.08.1998. Shih :http://www.srpska-mreza.com/Kosovo/atrocities/Klecka-2.html).

Dështimi i propagandës për “instruktorë fondamentalistë islamikë që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” dhe sidomos qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare kundër dhunës së forcave të armatosura policore dhe ushtarake serbe e tërbuan pushtetin e Beogradit.

Ky tërbim mori përmasat e një histerie, veçanërisht pas denoncimit që William Walker-i i bëri vrasjes së civilëve shqiptarë në fshatin Reçak. Kualifikimi i Walker-it se ajo që kishte ndodhur në këtë fshat “ishte krim kundër njerëzimit” dhe se “ata që kishin dhënë urdhër për këtë krim duhej të jepnin llogari para drejtësisë” bëri që “instruktorët e fondamentalizmit islamik që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” të harroheshin përkohësisht nga propaganda e Beogradit. Ata u “zëvendësuan” me “instruktorë ose specialistë me mbiemra amerikanë ose anglezë që kishin ardhur të stërvitnin ushtarët e UÇK-së…”. Sipas qëndrimit të ri propagandistik të regjimit serb, “ekspertët që stërvitnin ushtarët e UÇK-së kanë mundur të jenë instruktorë të Walker-it ose mercenarë të shërbi­meve dhe të organizatave të tjera anglo-amerikane.” (Večernje novosti, artikulli i cituar, «SLUČAJ RAČAK PET GODINA POSLE …».  shih:

http://www.novosti.rs/vesti/naslovna/aktuelno.69.html:154641-SLU268AJ-RA268AK-PET-GODINA-POSLE-INSCENIRANOG-MASAKRA–Laz-u-sluzbi-tomahavka—4

Në Kapitullin e tretë të librit tim është trajtuar hollësisht manipulimi me gjoja “zbulimin e listës së 126 terroristëve” të brigadës që kishte Shtabi i UÇK-së në Reçak).

Ata që kanë lexuar librin tim u kujtohet zhurma që bënë patologët e ekipit mjekoligjor serb për gjoja “zbulimin” se “tri kufomat e paidenti­fikuara në Reçak kishin shenja në trupat e tyre që dëshmonin se nuk kanë qenë myslimanë ose pjesëtarë të popujve që bëhen synet pas lindjes.” (RTV Serbisë, dokumentari « Kosovo : Račak Laži i istine ». Shih:  https://www.youtube.com/watch?v=eS7scYW6el4).

E tërë puna e “synetit” sillej rreth strategjisë që “komploti antiserb” t’u atribuohej “shërbimeve të huaja sekrete” të shteteve perëndimore.

Krahas stigmatizimit të shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike, si të implikuar në “përgatitjen e terroristëve shqiptarë”, nuk mungojnë autorët që implikojnë edhe shërbimin sekret francez [Pierre Péan, Kosovo: une guerre “juste” pour un Etat mafieux, (Një luftë e “drejtë” për një shtet mafioz)f.121-141] dhe atë gjerman [Réseau Voltaire, «L’UÇK, une armée kosovare sous encadrement allemand» (UÇK-ja – Ushtria kosovare nën drejtimin gjerman) http://www.voltairenet.org/article615.html ] në lidhjet me UÇK-në.Për ta kompletuar akuzën se gjoja “komploti kundër Serbisë vjen nga jashtë”, shteti serb denoncoi edhe “tolerancën” e shteteve të demokracive perëndimore në raport me “terroristët shqiptarë”. Këto akuza u drejtuan në veçanti kundër “tolerancës” së auto­ri­te­teve gjermane dhe zvicerane. Sipas «Librit të bardhë» “autoritetet gjermane ia kishin lënë UÇK-së kazermat e braktisura të NATO-s (në Hanover, në Nüremberg, në Bon dhe në Frankfurt) dhe qindra kampe të azilkërkuesve, ndërsa autoritetet e Zvicrës, i paskëshin lejuar “kampet paramilitare private, sallat e gjuajtjes me armë dhe klubet e sporteve luftarake për nevojat e UÇK-së.” (Libri i cituar “Vlada Srbije: Albanski terorizam …” botimi në gjuhën frënge f. 209, botimi në gjuhën angleze f.204, ndërsa versioni elektronik në gjuhën serbe, f.9).

Me një fjalë, sipas propagandës serbe, shumë shtete perëndimore ishin mobilizuar në komplotin kundër Serbisë!Përkundër asaj se pas krimeve në fshatin Reçak “instruktorët anglo-­amerikanë” dolën në rrafshin e parë propagandistik të re­gji­mit të Milosheviqit, ndërrimi i “instruktorëve islamikë fonda­men­talistë” me “instruktorët anglo-amerikanë” nuk e hoqi tërësisht propagandën serbe që synonte përafrimin e UÇK-së me grupet terroriste islamike. Në të gjitha ribotimet e mëvonshme të “librave të bardhë” ky stigmatizim mundohet të mbahet gjallë duke u ilustruar me “argumente të reja”.

Duke shpresuar se konteksti i ri ndërkombëtar, i krijuar pas atentateve të 11 shtatorit 2001, ishte i favorshëm për të shpërndarë propagandën e moçme të “lidhjeve” të UÇK-së me ideologjinë “fondamentaliste islamike”, propaganda e pushtetit të “ri” të Beogradit aktivizoi arsenalin e vjetër propagandistik. Në botimin e vitit 2003 të “Librit të bardhë” u përsërit deklarata e Milosheviqit në fjalën hyrëse të procesin gjyqësor kundër tij se gjoja “në vitin 1995 Osama Bin Laden-i kishte qëndruar në Shqipëri, si mysafir i presidentit të atëhershëm, Sali Berishës.” (Fondi për të Drejtën Humanitare, Beograd, Serbi, Procesi kundër Slobodan Milosheviqit, Traskriptet e seancave:

Fjala hyrëse e të akuzuarit Slobodan Milosheviqit, 15 shkurt 2002).

Shërbimet sekrete serbe shpërndanë “informatën” se gjoja “në atë kohë janë formuar bazat për mbështetje logjistike dhe për përkrahje financiare të organizatës Al Kaeda dhe celulat e saj në Kosovë dhe në Metohi.” (Libri i cituar “Vlada Srbije: Albanski terorizam …” f.40). Sipas kësaj propagande, përveç Bin Ladenit “në atë takim kanë qenë të pranishëm edhe Muhamet Al-Zawahiri, vëllai i ideologut të Al Kaedas, Ajman Al-Zawahiri-t, ndërsa nga pala shqiptare, përpos presidentit Berisha, të prani­shëm ishin edhe Bashkim Gazideda, ish-shef i policisë sekrete të Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj…” (Po aty)

Shpërndarja e kësaj dezinformate synonte pezmatimin e opinionit publik perëndimor e në veçanti opinionin amerikan që kishte mbështetur luftën kundër regjimit të Milošević-it. Gënjeshtra se Osama Bin Laden-i kishte qëndruar në Kosovë dhe se gjoja kishte krijuar bazat e Al Kaedas në këtë pjesë të Evropës ishte gënjeshtra më skandaloze që trilloi Shërbimi Sekret Serb. Fatkeqësisht, edhe pse shumica e autorëve që e përmendin këtë “informatë” theksojnë se është “e pabesueshme që Bin Laden-i të ketë qëndruar në Shqipëri” (shoh referencat në librin tim), kjo “informatë” gjeti një vend të konsiderueshëm në mediat dhe në veprat e autorëve të ndryshëm perëndimorë. Dhe si e tillë, ajo paraqet një mundësi për vazhdimin e manipulimeve me lexuesit e painformuar.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Terrorizmi Islamik, uck

Negacionizmi serb dhe gjenocidi në Kosovë

April 9, 2017 by dgreca

Nga Bardhyl Mahmuti/

Deklarata e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit se “Kosova do ta padisë Serbinë për krimin e gjenocidit” provokoi reagime të sërishme në Serbi. Nga të gjitha reagimet serbe publiciteti më i madh iu dha ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiqit. Në prononcimin e vet Ivica Daçiqi u përqendrua në faktin se “Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe se nuk ka të drejtë të bëj padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

Askush nuk duhet të befasohet nga reagimet e një politikani si Ivica Daçiqi. Përkundrazi, një gjë e tillë duhej pritur. Ajo që është për t’u befasuar ka të bëj më hapësirën që mediet në gjuhën shqipe i dhanë qëndrimeve të tij. Fatkeqësisht askush nuk e përmendi se bëhet fjalë për Ivica Daçiqin i cili që nga viti 1992 e deri në rrëzimin e Millosheviqit nga pushteti në vitin 2002 ushtroi funksionin e zëdhënësit të partisë së Sllobodan Millosheviqit. Gjatë gjithë kësaj periudhe ai u shqua në propagandën e luftënxitës të Serbisë dhe në fshehjen e krimeve.

Gjatë të gjitha luftërave që Serbia zhvilloi në Kroaci, në Bosnje dhe në Kosovë shteti serb aplikoi negacionizmi, nocion që mbulon strategjinë e fshehjes së krimit. Në kuadër të kësaj strategjie u përpiluan qëndrime dhe shpjegime të caktuara që kishin për funksion mohimin e vërtetësisë së gjenocidit. Por, siç e kam trajtuar më hollësisht në librin « Mashtrimi i Madh », mohimi i gjenocidit është pjesë përbërëse e krimit, e ndërthurur me të, sepse përcakton strategjinë e shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës dhe organizon gënjeshtrën në një sistem, funksioni i të cilit është shmangia nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në kryerjen e gjenocidit.

Ivica Daçiqi dhe politikanët tjerë serbë që kanë përgjegjësi për krimin e gjenocidit në Kosovë kanë përdorur dhe do të përdorin negacionizmin për t’i ikur edhe përgjegjësisë individuale. Në këtë kontekst duhet të shihen deklaratat e politikanëve, artikujt e gazetarëve, emisionet televizive, konferencat e mbajtura për të fshehur gjurmët e krimit të gjenocidit serb.

Megjithatë vlen të përmendet se në deklaratën e fundit të Ivica Daçiqit theksi vihet në aspektin procedural: Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe nga ky pozicion nuk ka të drejtë të shtrojë padi kundër Serbisë. Çështja e procedurave për ngritjen e padisë për gjenocid është çështje që do ta trajtoj në një shkrim tjetër. Tani për tani po ndalem në faktin se ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiqi punën e gjenocidit serb në Kosovë e lë të nënkuptueshme.

Po rikujtoj se ngjashëm si Daçiqi edhe ish ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Goran Svilanović gjatë vizitës së tij në Hagë më 3 tetor 2003 deklaroi se “Serbia nuk do ta dorëzojë arkivin e Këshillit Suprem të Mbrojtjes së Jugosllavisë sepse nëse Millosheviqi dënohet për gjenocid atëherë edhe Serbia do të dënohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë për gjenocid dhe do të duhet t’i paguajmë miliarda dollarë dëmshpërblim”( Zëdhënësja e Gjykatës së Hagës, Florence Hartmann, Paix et chàtiment, f.118).

Madje, udhëheqësit e Serbisë deklaronin haptazi se “inte­resi jetësor nacional i tyre ishte t’i fshihnin Gjykatës Ndër­kom­bëtare të Drejtësisë të gjitha informatat dhe dëshmitë që mund ta inkriminonin Serbinë për krimet e gjenocidit”. (Vepra e cituar, f.118).

Gjenocidi serb në Kosovë është fakt që kontestohet nga negacionistët serbë dhe ata që ishin të inkuadruar në mbrojtjen e Serbisë nga sulmet e NATO-s. Është tragjike kur sheh se nuk kemi bërë atë që duhet për të përhapur në botë të vërtetën për këtë gjenocid. Fatkeqësisht, propaganda serbe për Kosovën ka zënë vend në shumë qarqe politike dhe intelektuale në institucionet me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në këtë kontekst, të gjitha kërkesat për të përshpejtuar padinë janë të rrezikshme sepse padia e shtruar në kohën kur Kosova është vënë në bankën e akuzës nga Gjykata Speciale do t’i konvenonte vetëm Serbisë.

Padia kundër Serbisë për gjenocidin në Kosovë është çështje që duhet të përgatitet hollësisht dhe nuk duhet të shihet e ndarë nga depërtimi i të vërtetës në të gjitha qarqet me influencë në botë. Na mbetet që të vërtetën për gjenocidin serb në Kosovë ta shpërndajmë anekënd botës si kusht paraprak për ngritjen e padisë penale në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Bardhyl Mahmuti, Nacionalizmi serb

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DR. GJON LEK BUÇAJ, NË SYTË E NJË MIKU TË VJETËR
  • Requiescat in pace Dalip Greca! Pushofsh në paqe mik e koleg i çmuar!
  • Vajtojmë njeriun fisnik e patriot Dalip Grecën
  • U PREHËSH NË PAQE E PËRJETËSI DR. GJON BUCAJ
  • Mbaj zi për mikun tim, Dalip Greca
  • IKU DUKE SHKRUAR
  • IN MEMORIAM – DALIP GRECA NDËRROI JETË: HUMBJE E MADHE PËR GAZETARINË SHQIPTARE NË DIASPORË DHE NË ATDHE
  • HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DR. GJON BUÇAJ DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022
  • HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DALIP GRECËN DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022
  • LAMTUMIRË DALIP GRECA
  • SHUHET DALIP GRECA, IKONA E DIELLIT, VATRËS E MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • Një lutje për shëndetin e mikut tonë të çmuar Dalip Greca
  • SHUHET PATRIOTI I MADH DR. GJON BUÇAJ, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • SUPREME COURT LEAK LEADS THE HEADLINES
  • GAZZETTA DI VENEZIA (1919) / SHKRESA E DJEMVE TË ISMAIL QEMALIT DREJTUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME TË ITALISË ME RASTIN E VDEKJES SË BABAIT TË TYRE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT