• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një Letër Publike që nuk imponon censurë

September 2, 2016 by dgreca

  • Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë Millovan Drecun-i është kriminel lufte që duhet të jep përgjegjësi për pjesëmarrjen tij në këto krime…/

Letër Publike drejtuar:/

Asociacionit të Medieve të Pavarura Elektronike të Kosovës/

Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës/

Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës/

Unioni i Gazetarëve të Kosovës/

Drejtorëve dhe Kryeredaktorëve të medieve të Kosovës,/

 Të nderuar përgjegjës të institucioneve të lartpërmendura,/

Të nderuar Kryeredaktorë të medieve në Kosovë,/

Më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë kundër gazetarëve të «Radio Televizionit të Beogradit», të «Radio Televizionit të Novi Sadit» si dhe kundër gazetarëve të gazetave «Politika», «Večernje Novosti» dhe të gjithë atyre që gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse të Serbisë.
Me këtë padi penale, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi gazetarët, që i shërbyen kësaj propagande, se duke manipuluar me mediet, ndikuan në përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, në nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive, me çka kanë krijuar parakushtet psikologjike për dhunën dhe për krimet më brutale.

Për këtë arsye, ky asociacion kërkoi nga Gjykata për Krime Lufte në Serbi që në përputhje me nenin 145 të Kodit Penal të Republikës Federative të Jugosllavisë të dënoheshin këta gazetarë për vepër penale të organizimit dhe të nxitjes së kryerjes së gjenocidit dhe të krimeve të luftës.
Në mesin e gazetarëve, që u paditën për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Dracun-in, gazetarin e çështjeve ushtarake e politike të Radio Televizionit të Serbisë.

Për të gjitha nxitjet dhe gënjeshtrat që kishte bërë kundër shqiptarëve gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi e dekoroi Millovan Drecun-in me dekoratën më të lartë që ndonjëherë kishte marrë ndonjë gazetar.
Për përgjegjësitë në krimet e kryera në Kosovë, gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi u dënua nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës me 22 vjet burg. Ndërsa, njëri nga të dekoruarit e tij, Milovan Drecun-i, i cili kishte marrë pjesë në nxitjen e akteve të dhunës, në montimin e proceseve kundër vëllezërve Mazreku dhe në fshehjen e gjurmëve të gjenocidit, nuk u dënua.
Akuza e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve, për përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, si dhe për nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive nuk pati asnjë pasojë negative për Milovan Drecun-in. Përkundrazi, ai pati vetëm privilegje!
Pas veprimtarisë së gjatë aktive në kuadër të partisë së Milošević-it, në qershor të vitit 2011 u anëtarësua, në Partinë Përparimtare Serbe të kryesuar nga Kryeministri aktual i Serbisë, Alеksandar Vuçiqi. Po i sjell për lexuesin që nuk është i informuar se bëhet fjalë për partinë politike të themeluar nga presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliqi, që ka qenë nënkryetarë i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit.
Në vend që të përgjigjet për pjesëmarrje në krimet e kryera në Kosovë, ai në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë vazhdon logjikën e përhapjes së urrejtjes dhe nxitjes së armiqësive kundër shqiptarë. Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë insiston që ky kriminel të merr dënimin e merituar. Fatkeqësisht mediet tona i japin hapësirë qëndrimeve të këtij krimineli pa ia rikujtuar lexuesit shqiptar që nuk është në dijeni se prapa funksionit të kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë qëndron një kriminel lufte me emrin Millovan Drecun.

Ndaj kësaj dukurie kam reaguar me një shkrim autorial të titulluar “Kush është Milovan Drecun-i?I falënderoj të gjitha mediet dhe portalet që e publikuan. Fatkeqësisht ndikimi i shkrimit tim nuk ka pasur as efektin më të vogël. Mjafton të shihet hapësira që ju dha qëndrimeve të këtij krimineli lidhur me zhvillimet në Kuvendin e Kosovës për Marrëveshjen e demarkacionin me Malin e Zi.

Letra ime publike nuk kërkon të imponohet censurë ndaj kujtdo qoftë. Por, ka për qëllim që të sensibilizojë gazetarët dhe përgjegjësit e medieve që gjërat të thuhen me objektivitetin e duhur: kur një kriminel lufte del me qëndrim të caktuar, pa marrë parasysh se nga cili funksion politik aktual flet, duhet t’i përmendet fakti se ai është i akuzuar për krime lufte. Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë Millovan Drecun-i është kriminel lufte që duhet të jep përgjegjësi për pjesëmarrjen tij në këto krime.

Me respekt

Bardhyl Mahmuti

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, medias, Një Letër Publike

Kush e shfajëson Serbinë për krimin e gjenocidit në Kosovë?

March 20, 2016 by dgreca

Fshehja e krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë nga forcat e armatosura serbe dhe drejtimi i gishtit te «grupet paramilitare» është pjesë e strategjisë së Serbisë për t’i ikur përgjegjësisë si shtet./

Nga Bardhyl MAHMUTI/

Dihet fare mirë se në të gjitha fazat e kryerjes së gjenocidit, fshehja e krimit e preokupon kriminelin. Në kontekst të fshehjes së krimit të gjenocidit nocioni «negacionizëm» nënkupton tërësinë e qëndrimeve të miratuara dhe shpjegimeve të dhëna për të mohuar vërtetësinë e gjenocidit ose një krimi kundër njerëzimit. Në këtë aspekt, mohimi i gjenocidit mund të konsiderohet si pjesë përbërëse e krimit, e ndërthurur me të, sepse përcakton strategjinë e shkatërrimit të së vërtetës dhe kujtesës. Kur gjeno­cidi është kryer, atëherë kur e vërteta del në shesh, «negacionizmi» synon të shkatërrojë bindjen lidhur me krimin dhe të futë dyshime për vërtetësinë e krimit. Thënë shkurt, «negacionizmi» është organizim i gënjeshtrës në një sistem, funksioni i të cilit është shmangia nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në kryerjen e gjenocidit.

Nocioni «grup paramilitar», si struktura jashtë forcave të armatosur të një shteti, është shndërruar në instrument të manipulimit me opinionin publik në funksion të fshehjes së përgjegjësisë së strukturave politike dhe ushtarake të një shteti në kryerjen e krimeve të caktuara. E njëjta gjë ndodhë edhe me krimin e gjenocidit në Kosovë.

Fshehja e krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë nga forcat e armatosura serbe dhe drejtimi i gishtit te «grupet paramilitare» është pjesë e strategjisë së Serbisë për t’i ikur përgjegjësisë si shtet.

Sot edhe nga vet serbët është zbuluar se me kërkesë të shërbimeve të fshehta ushtarake dhe policore, gjykatat liruan nga burgjet shumë kriminelë të dënuar për vrasje. Kriminelët e liruar nga burgjet u transferuan në qendra ushtarake për trajnim dhe për përgatitjen e tyre u ngarkuan nënkolonelët serbë Slobodan Stoishiqi dhe Miodrag Gjorgjeviqi.

Këta nënkolonel të Armatës së Jugosllavisë  i pajisi kriminelët me uniforma, armë të mira, mjete kimike dhe mjete të tjera të nevojshme për likuidime. Krahas mjeteve për vrasje, kriminelët u pajisën me dokumente dhe simbole të përkatësisë së Sigurimit Ushtarak. Kriminelët u integruan në Sigurimin ushtarak dhe ishin nën komandën e Sllo­bodan Stoishiqi dhe Miodrag Gjorgjeviqi. Pas trajnimit, në muajin korrik të 1998 ata u dërguan në Kosovë. (Më hollësisht shih: Fond za humanitarno pravo, Dosije Diković Ljubiše, f.2).

Po marr vetëm edhe një shembull. Jo vetëm për shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët por edhe për opinionin publik ndërkombëtar është janë të njohur të ashtuquajturit «Tigrat», në krye të së cilit ishte krimineli i njohur Zhelko Razhnatoviq- Arkan.

Gjatë procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviqit në Hagë, me 13 shkurt 2003, Aleksandar Vasiljeviqi, zëvendësshefi i Drejtorisë së Sigurisë së Ushtrisë Jugosllave deklaroi se «Tigrat» e Arkanit ishin në kontrollin e drejtpërdrejtë të kolonelit të policisë speciale serbe Goran Rado­savljeviq- Gurit.

Goran Rado­savljeviq-Guri është koloneli famëkeq i cili gjatë luftës udhëhoqi dhe kreu aktet gjenocidare në fshatin Reçak dhe në shumë pjesë tjera te Kosovës ndërsa pas luftës iu besua të udhëhiqte Qendrës Mësimore në Petrovo Selo, ku u zbuluan dy varreza masive («Petrovo Selo I» dhe «Petrovo Selo II»). Sipas ekspertizës së Mjekësisë Ligjore serbe për këto dy varre­zat masive u konstatua se “në 60 raste vdekja ishte shkaktuar nga plagët me të shtëna armësh, 9 persona kishin vdekur nga plagë prej mjeteve jo të mprehta, kurse në 8 raste shkaktari i vdekjes ishte i panjohur.” Në mesin e kufomave të varrosura në këto varreza ishin edhe tre vëllezërit: Mehmet Bytyqi (21-vjeçar), Agron Bytyqi (23-vjeçar) dhe Yll Bytyqi (25-vjeçar).

Ekspertiza e Mjekësisë Ligjore serbe dëshmoi se Goran Radosavljeviq Guri e kishte shndërruar Qendrën Mësimore të forcave speciale të policisë serbe në Petrovo Selo, në një qendër të “mësimit praktik” se si të ekzekutoheshin shqiptarët.

Ky kriminel jo vetëm që nuk u dënua për krimet e kryera por ai u integrua në strukturat udhëheqëse të partisë që udhëheq Alеksandar Vuçiqi.

Pikërisht për arsye të integrimit të plotë të kriminelëve serbë në kuadër të forcave të armatosura ushtarake dhe policore të Jugosllavisë, përdorimi i nocionit “grup paramilitar serb” në Kosovë është i pa bazë dhe në funksion të zhvendosjes së përgjegjësisë për krimin e gjenocidit nga shteti serb te të ashtuquajturat “grupe të pakontrolluar”!

Është e kuptueshme që pushteti i Serbisë, qoftë i kohës së Millosheviqit, Tadiqit apo Vuçiqit aplikon strategjinë e «negacionizmit» për krimin e gjenocidit të kryer në Kosovë. Gjithashtu është e kuptueshme përpjekja e tyre për të zhvendosur fajësinë nga shteti serb te “grupet e pakontrolluara kriminale”. Por, ajo që është neveritëse ka të bëj me faktin që mediet shqiptare shpërndajë deklarata për krimet e “grupeve paramilitare serbe”. Pa marrë parasysh se a janë të vetëdijshëm apo jo për implikimet e kësaj propagande, secili që përdor nocionin «grup paramilitar» me vetëdije apo pa vetëdije bëhen pjesë e shfajësimit të Serbisë për krimin e gjenocidit. Gjenocidin në Kosovë e kreu Serbia përmes forcave të saja të armatosura me një zinxhir të qartë komandues nga institucionet politike, ushtarake dhe policore të shtetit serb.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, e gjenocidit, Kush e shfajëson Serbinë për krimin, ne Kosove

Propaganda kundër Hashim Thaçit i ka rrënjët në Beograd

February 22, 2016 by dgreca

Nga Bardhyl Mahmuti/

Në të gjitha momentet vendimtare të historisë së re të Kosovës udhëheqësit e saj janë sulmuar në mënyrën më të ulët të mundshme. Janë përdorur të gjitha mjetet për të denigruar personalitetet, të cilët, në këto momentet, kishin pozita kyçe.Kështu, gjatë periudhës së luftës çlirimtare në Kosovë dhe fill pas përfundimit të saj, Shërbimi Sekret Serb përgatiti dhe të orkestroi një fushatë histerike kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Azem Sylës, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Rexhep Selimit, Elmi Reçicës, Adem Grabovcit dhe bartësve tjerë të UÇK-së.

Mbi 27 mijë faqe materiale të përgatitura në formë CD-shë dhe mbi 2000 faqe në formë libri të përgatitura nga Shërbimi Sekret Serb u shpërndanë zyrtarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë dhe pas shpërbërjes së saj nga Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë.

Boshti kryesor rreth të cilit pështillej propaganda serbe kishte me për qëllim që udhëheqësit e luftës çlirimtare të Kosovës të paraqiten herë si terroristë dhe udhëheqës të një strukture terroriste (UÇK-së), e herë si kriminel dhe udhëheqës të një strukture kriminale. Shkurt, në shkrimet e përpiluesve e Shërbimit Sekret Serb, liderët politikë dhe ushtarak të UÇK-së ishin në të njëjtën kohë terroristë dhe udhëheqës të klaneve kriminale. Sipas propagandës serbe ata “ ishin përgjegjës për vrasjen e civilëve të pafajshëm, për rrëmbimet e shumta, për burgosjet e paligjshme, për trafikimin e organeve njerëzore të civilëve serbë…ata merreshin me trafikimin e drogës, me emigracionin ilegal, me tregtinë me armë…”Sa i përket kësaj propagande, ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër Serbisë ishte indikatori më i fuqishëm për dështimin e shpifjeve të sajuara nga Shërbimi Sekret serb kundër udhëheqësve të UÇK-së. Por, intervenimi i NATO-s për të ndërprerë politikën e gjenocidit në Kosovë mobilizoi filo­zo­fë, publicistë, politologë, sociologë, historianë e politi­kanë të orientimeve politike të majta e të djathta, që kishin emërues të përbashkët «antiamerikanizmin», të mobilizohen në “mbrojtje të Evropës nga imperializmi amerikan.” «Antiamerikanizmi», si këndvështrim i tyre ideologjik, bëri që përkundër divergjencave që kishin në fusha dhe tema të caktuara, të dalin me qëndrim të përbashkët se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Azem Syla, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Rexhep Selimi, Elmi Reçica, Adem Grabovci dhe bartësit tjerë të UÇK-së “ janë spiuj të amerikanëve” që mundësuan ndërhyrjen e amerikanëve në “territorin e Evropës” duke krijuar kushtet për “ndërtimin në Kosovë të bazës më të madhe ushtarake amerikan në Evropë.”

Akuzat kundër udhëheqësve të UÇK-së për “terrorizëm”, “krim të organizuar” dhe si “spiun të amerikanë” shkuan duke u intensifikuar pas përfundimit të luftës. Gjatë procesit të përcaktimit të statusit politik të Kosovës akuzat e tilla arritën një shpërndarje shumë të madhe dhe arriti KULMIN pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kulmi i kësaj fushate filloi me Carla Del Ponten. Një muaj e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ish- Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Carla del Ponte botoi librin e saj «Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës». Në këtë libër, sa i përket udhëheqësve të lartpërmendur të UÇK-së, Carla Del Ponte i përvetëson fjalë për fjalë akuzat e ngritura në «Librin e Bardhë» të Shërbimit Sekret Serb. Nga publikimi i këtij libri pasoi i ashtuquajturi “Raporti i Dick Marty-t”, që paraqet një sintezë të shpifjeve dhe sajimeve të Shërbimit Sekret Serb, “Sintezë shpifjesh” që u shndërrua në Raport të Këshillit të Evropës, për të vazhduar me Task Forcën Hetimore Speciale dhe votimin nga deputetët e Kuvendit të Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së!

Vlen të përmendet se përkundër proceseve të montuara gjyqësore kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt, Sami Lushtakut, Sylejman Selimit, Rrustem Mustafës dhe kundër shumë luftëtarëve të lirisë shpifjet e lartpërmendura nuk çonin peshë te opinioni publik shqiptar. Përkundrazi. Të bindur për faktin se shpifjet dhe akuzat e tilla ishin sajuar nga Shërbimi Sekret Serb, proceset gjyqësore kundër luftëtarëve të lirisë kishin efekt revoltën e madhe të popullit të Kosovës. Kjo revoltë shprehet më së miri në pritjet madhështore që ju bënë të gjithë të liruarve nga akuzat e fabrikuara nga Shërbimi Sekret Serb.

Të gjitha problemet e lartpërmendura i kam trajtuar hollësisht në pjesën e dytë të librit tim (Mashtrimi i Madh f. 397-560). Të interesuarit për vërtetësinë e pohimeve që solla në këtë shkrim të shkurtër mund t’i konsultojnë referencat që sjell në libër.

Ajo që më shtyri të reagoj duke rikujtuar shpifjet dhe akuzat që u sajuan nga Shërbimi Sekret Serb ka të bëj me një fushatë histerike që përpiqet ta paraqes Hashim Thaçin si “spiun të Francës…” E shoh të udhës të reagoj sepse këtu kemi të bëjmë me një kontekst të ri historik dhe me një periudhë të re të luftës speciale kundër luftës çlirimtare të Kosovës.

Për dallim nga periudha paraprake kur ish-udhëheqësit e UÇK-së kishin një minimum solidariteti përball padrejtësive që u kanoseshin, përkundër divergjencave që kishin në mes tyre në fusha të ndryshme, tani kemi një situatë ku divergjencat rrezikojnë të shndërrohen në armiqësi “brenda llojit”. Nuk më takon mua “të ndaj drejtësi” se kush është “më shumë” apo “më pak” fajtor për situatën e krijuar. Ajo që shihet është e tmerrshme. Shpifjet dhe akuzat e sajuara nga shërbimet antishqiptare po shpërndahen edhe nga njerëzit që vepruan për dekada të tëra në të njëjtat struktura organizative. Qëllimi im nuk është të polemizoj me asnjërin prej tyre sepse kjo histeri shpifjesh ka kaluar caqet individuale. Prandaj nuk po ua përmend emrat. Por, siç thotë një shprehje popullore «Në kofsh Bektesh e merr vesh»!

Nuk ka turp më të madh ku shpifjet e një ish-Zëvendës Drejtor Teknik të njërit nga Shërbimet Sekrete të Francës (Shërbimit të Jashtëm) të përhapen në mediet shqiptare me tituj bombastik se gjoja “ sipas ish –shefit të shërbimit francez Pierre Siramy, Hashim Thaçi është agjent i Francës!” Poshtërsia është edhe më e madhe kur të njëjtën dezinformatë e shpërndajnë njerëzit me të cilët kemi vepruar bashkë.

Sikur t’u kishte interesuar e vërteta lidhur me këto “pretendime” secili do të kishte mundur të bindej se prapa Pierre Syrami-t nuk qëndron asnjë shef i Shërbimit Francez por bëhet fjalë për pseudonimin e Maurice Dufresse, një ish Zëvendës drejtor TEKNIK, i pensionuar për “çështje shëndetësore” dhe i cili ka botuar një libër, ndaj të cilit janë ngritur disa padi për shpifje.

Sikur t’u kishte interesuar e vërteta, para se të botonin shpifje të rënda, do të ishin bindur se në librin “Dëshmia e Pierre Siramy-t, 25 vjet në shërbimet sekrete” në 793 faqe të shpërndarë falas përmes internetit (http://data.over-blog-kiwi.com/0/94/25/77/20140225/ob_8bd82e_25-ans-dans-les-services-secrets-siramy-pierre.pdf), as edhe një fjalë e vetme për Hashim Thaçin!

Kujt i shkon përshtati që në kohën kur pritet që të themelohet Gjykata Speciale të futë thika të tilla me qëllim që divergjencat e ish shokëve tanë të shndërrohen në armiqësi. Meqenëse disa ish bashkëveprimtarë më janë drejtuar publikisht nëpërmes profileve të tyre të Facebook-ut që të jap mendimin tim lidhur me “pretendimet” se gjoja “Hashim Thaçi është spiun francez” e shoh të udhës që të shprehem publikisht rreth kësaj çështjeje.

Gjatë veprimtarisë së përbashkët diplomatike me Hashim Thaçin (si përfaqësues politikë të UÇK-së, në kuadër të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe në kuadër të PDK-së) Hashim Thaçi ka dëshmuar një konsekuencë të vazhdueshme në qëndrime. Në qindra takime që kemi pasur me përfaqësues të nivele të ndryshme politike dhe shtetërore ndërkombëtare Hashim Thaçi ka mbrojtur qëndrimin se pavarësia e Kosovës ishte zgjidhje e vetme e mundshme që do të garantonte stabilitetin në Ballkanin Perëndimor; Në të gjitha takimet që kemi pasur pas luftës Hashim Thaçi insistonte me ngulm për lirimin e menjëhershëm të gjithë shqiptarëve që ishin marrë peng nga regjimi i Millosheviqit dhe në mesin e tyre, në çdo takim ka përmendur Albin Kurtin dhe Nahit Hasanin. Në të gjitha takimet diplomatike Hashim Thçi insistonte në domosdoshmërinë e presioneve ndërkombëtare për ndriçimin e fatit të atyre që konsideroheshin të zhdukur dhe në këtë kontekst nuk e lente pa përmendur rastin e politologut Ukshin Hotit dhe veprimtarit të njohur Xhavit Haziri…

Për mua është e qartë se prapa Pierre Siramy-së dhe të gjithë atyre që bëjnë propagandë e lartpërmendur qëndron Serbia. Të gjithë bashkëveprimtarëve u drejtohem me një këshillë: divergjencat eventuale që mund të keni mes nesh nuk duhet të na verbojnë deri në atë shkallë sa të heshtim para shpifje, për të cilën thellësisht jemi të bindur se janë të sajuara nga shërbimet sekrete antishqiptare.

Është e drejtë e secilit prej nesh të ketë mendimin e vet se çfarë presidenti i duhet vendit. Dikujt mund t’i duke e arsyeshme që Hashim Thaçi të zgjidhet në këtë funksion në përputhje me marrëveshjen PDK-LDK; dikujt mund t’i pëlqente që në vend të tij të ishte Isa Mustafa, në përputhje me marrëveshjen e përparshme të VLAN-it, e dikujt tjetër mund t’i pëlqejë një i tretë. Kjo është çështje pikëpamjesh dhe pozicionesh në garën politike. Por, të gjithë e dimë se Hashim Thaçi nuk është spiun as i Francës e as i ndonjë shteti tjetër siç e dimë se propaganda që bëhet kundër babait, gjyshit dhe stërgjyshit të Hashim Thaçit është propagandë e sajuar në Beograd pikërisht për shkak të veprimtarisë që Hashim Thaçi ka zhvilluar kundër Serbisë gjatë luftës çlirimtare, gjatë procesit të përcaktimit të statusit final të Kosovës, në shpalljen e pavarësisë së Kosovës…

Propaganda e Shërbimit Sekret Serb ka vërshuar Kosovën. Nëse dikush pa vetëdije ka ra në grackë të kësaj propagande është momenti që të tërhiqet, sepse kjo fushatë histerike nuk mund ta pengojë Hashim Thaçin të bëhet president i Kosovës.

Ndërsa, ata që me vetëdije (me pagesë apo pa pagesë) shpërndajnë këtë propagandë, jam plotësisht i vetëdijshëm se do të vazhdojnë avazin e diktuar nga padronët e tyre! Atyre u them: qafën e thefshi!

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, propaganda kundet Thacit, rrenjet ne Beograd

I kërkoj ballafaqim publik Dick Marty-t

January 22, 2016 by dgreca

Intervistën e Agjencisë së Lajmeve “Presheva Jonë” me senatorin zviceran Dick Marty dhe sidomos titulli bombastik që tregon se kush janë “peshqit e mëdhenj” të krimit në Kosovë dhe kush do të jenë “mysafirët e parë në Hagë” ndikuan që ky lajm të shpërndahet nga disa portale në gjuhën shqipe. Sikur intervista të ishte kufizuar në spekulimet e lartpërmendura nuk do të reagoja për të vetmen arsye se “Loja e kapuçave” me logjikën “Teste-Bosh” ka kohë që ka filluar. Madje, disa që pretendojnë se posedojnë informata nga ata që fshehin emrat “Nën kapuç” vazhdimisht spekulojnë me emra të përveçëm. Edhe pse janë të vetëdijshëm se këtu nuk bëhet fjalë për lojë kapuçash por, për një situatë të rrezikshme ku mund të “përzihen kapuçat shumë keq”.
Ajo që më shtyri të reagoj lidhur me intervistën e Dick Marty-t ka të bëjë me shpërndarjen e të pavërtetave. Nëse është i saktë pohimi se Dick Marty ka deklaruar se gjoja “as ai e as raporti i tij nuk janë kundër UÇK-së e as kundër pavarësisë” po them publikisht se kjo është gënjeshtra më e madhe e vitit. Nëse pohimet e lartpërmendura janë vërtetë të Dick Marty-t atëherë unë, Bardhyl Mahmuti, autori i librit «Mashtrimi i Madh» i bëj apel publik që të ballafaqohemi në një debat publik ku do t’ia sjell provat e pakontestueshme që dëshmojnë se:
– Dick Marty asnjë herë nuk e ka ngritur zërin kundër dhunës që shteti serb ushtronte kundër popullit shqiptar të Kosovës,
– Dick Marty ka qenë kundër intervenimit të NATO-s ndaj regjimit të Millosheviqit;
– Dick Marty ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës;
– Dhe se Raporti që mban emrin e tij nuk është asgjë tjetër pos sintezë e të ashtuquajturit “Libër i Bardhë “ i përpiluar nga Shërbimi Sekret Serb.
Të gjitha provat e lartpërmendura janë analizuar në detaje në librin tim «Mashtrimi i Madh». Të gjithë ata që janë të interesuar ta dinë të vërtetën mund të konfrontojnë argumentet.
Me respekt për lexuesit
Bardhyl Mahmuti

Filed Under: Komente Tagged With: Bardhyl Mahmuti, I kërkoj ballafaqim, publik Dick Marty-t

Kush është Milovan Drecun-i?

December 26, 2015 by dgreca

Nga Bardhyl Mahmuti/
Nga serbët e parë që reaguan kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e Asociacionit të Komunave serbe, reagimi i Milovan Drecun-it zuri vend të rëndësishëm në mediet e Kosovës. Fatkeqësisht të gjitha publikimet që iu bënë reagimit të Milovan Drecun-it u shoqëruan me sqarime vetëm për funksionin e tij si Kryetar i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për Kosovë.
Funksioni që ushtron aktualisht Milovan Drecun-i është domethënës për të kuptuar vazhdimësinë strukturore të regjimit të Millosheviqit. Këtë temë e kam trajtuar më gjerësisht në librin tim «Mashtrimi i Madh». Në këtë reagim të shkurtër po sjell vetëm disa fakte që do t’u ndihmonin atyre që nuk e dinë se kush është ky person për të kuptuar se Milovan Drecun-i nuk mund të dilte me qëndrim tjetër. Për më tepër, faktet që do t’i sjell janë tejet bindëse për të potencuar se gjithmonë kur përmendet ky person Portalet dhe mediet në gjuhën shqipe duhet ta shoqërojnë lajmin më RIKUJTIMIN se vendi i këtij krimineli është në burg!
Po rikujtoj se gjatë agresionit ushtarak serb mbi Kosovën Milovan Drecun-i ishte gazetari për çështje ushtarake i Radio Televizionit të Serbisë. Në këtë cilësi a volli pareshtur vrer dhe nxiti në maksimum urrejtjen kundër shqiptarëve. Në veçanti u shqua për “intervistën ekskluzive” me Bekim Mazrekun, të riun që e kishin torturuar tmerrësisht derisa e kishin detyruar të pranonte se gjoja kishte marrë pjesë në ekzekutimin e civilëve serbë në Kleçkë. Akuza për gjoja djegien e kufomave të civilëve serbë në «Krematorin e Kleçës» është akuzë e shpërndarë në përmasa shumë të mëdha te gazetarët e huaj që vinin në Media Centarin e krijuar nga regjimi i Millosheviqit, pikërisht nga Milovan Drecun.
Krahas shpërndarjes së gënjeshtrës për «Krematorin e Kleçës» një rol të rëndësishëm luajti në shpërndarjen e gënjeshtrës se gjoja në fshatin Reçak nuk ishin vrarë civilë shqiptarë por “ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilëve, me udhëzime të instruktorëve amerikan dhe britanik, ua kishin hequr uniformat, i kishin veshur me tesha civilësh dhe i kishin gjymtuar për të krijuar përshtypjen se kishte ndodhur një masakër”.
Për të gjitha nxitjet dhe gënjeshtrat që kishte bërë kundër shqiptarëve gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi e dekoroi me dekoratën më të lartë që ndonjëherë kishte marrë ndonjë gazetar.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe tërheqjes së forcave serbe Bekim dhe Luan Mazreku, pasi ishin dënuar në procesin e montuar gjyqësor nga 20 vjet burg, u liruan nga Gjykata Supreme e Serbisë si të pafajshëm.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë u ndriçua në tërësi akti gjenocidar i kryer në fshatin Reçak.
Për përgjegjësitë në krimet e kryera në Kosovë, gjeneralkoloneli famëkeq serb Nebojsha Pavkoviqi u dënua nga Gjykata ndërkombëtare e Hagës me 22 vjet burg. Ndërsa, njëri nga të dekoruarit e tij, Milovan Drecun-i, i cili kishte marrë pjesë në nxitjen e akteve të dhunës, në montimin e proceseve kundër vëllezërve Mazreku dhe në fshehjen e gjurmëve të gjenocidit, nuk u dënua.
Po rikujtoj se më 1 korrik 2009, në Gjykatën për Krime Lufte në Serbi, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë dorëzoi padinë kundër gazetarëve të «Radio Televizionit të Beogradit», të «Radio Televizionit të Novi Sadit» si dhe kundër gazetarëve të gazetave «Politika», «Večernje Novosti» dhe të gjithë atyre që gjatë shpërbërjes së Federatës Jugosllave u vunë në shërbim të propagandës luftënxitëse.
Me këtë padi penale, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi gazetarët, që i shërbyen kësaj propagande, se duke manipuluar me mediet, ndikuan në përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, në nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive, me çka kanë krijuar parakushtet psikologjike për dhunën dhe për krimet më brutale.

Për këtë arsye, ky asociacion kërkoi nga Gjykata për Krime Lufte në Serbi që në përputhje me nenin 145 të Kodit Penal të Republikës Federative të Jugosllavisë të dënoheshin këta gazetarë për vepër penale të organizimit dhe të nxitjes së kryerjes së gjenocidit dhe të krimeve të luftës.
Në mesin e gazetarëve, që u paditën për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve në Kosovë, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë akuzoi edhe Milovan Dracun-in, gazetarin e çështjeve ushtarake e politike të Radio Televizionit të Serbisë
Akuza e Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Serbisë për manipulime mediatike në funksion të nxitjes së krimeve, për përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe ndërfetare, si dhe për nxitjen e diskriminimit dhe të armiqësive nuk pati asnjë pasojë negative për Milovan Drecun-in. Përkundrazi, ai pati vetëm privilegje!
Pas veprimtarisë së gjatë aktive në kuadër të partisë së Milošević-it, në qershor të vitit 2011 u anëtarësua, në Partinë Përparimtare Serbe të kryesuar nga Kryeministri aktual i Serbisë, Alеksandar Vuçiqi. Po i sjell për lexuesin që nuk është i informuar se bëhet fjalë për partinë politike të themeluar nga presidenti aktual i Serbisë, Tomislav Nikoliqi, që ka qenë nënkryetarë i Partisë Radikale Serbe të Vojislav Sheshelit.
Në vend që të përgjigjet për pjesëmarrje në krimet e kryera në Kosovë, ai në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar të Serbisë për Kosovë vazhdon logjikën e përhapjes së urrejtjes dhe nxitjes së armiqësive kundër shqiptarë. Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë insiston që ky kriminel të merr dënimin e merituar. Fatkeqësisht mediet tona i japin hapësirë qëndrimeve të këtij krimineli i cili i cilëson Kushtetutën e Kosovës dhe Qeverinë e saj si “të ashtuquajtura” dhe kërkon ndryshimin e Kushtetutës për t’ia mundësuar Serbisë kthimin në Kosovë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, kush eshte, Milovan Drecun-i?

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS
  • DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 
  • Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren
  • PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?
  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ
  • 100 VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR MË 28 KORRIK 2022
  • Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT