• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Leni fëmijët jashtë qërimit të hesapeve politike!

August 21, 2013 by dgreca

Percjellje: Në këtë shkrim në formë të letrës publike që i kam dërguar Valdrin Sherifit, i cili së bashku me Petrit Avdylajn, Besart Kodraliun, Bardh Shabanin, Doruntina Sulejmanin dhe Alban Kryeziun përfaqësuan Republikën e Kosovës në Olimpiadën e 54  Ndërkombëtare të Matematikës që u mbajt në qytetin Santa Marta të Kolumbisë nga 18-28 korrik të këtij viti përpiqem të ve në spikamë disa anomali të funksionimit të hapësirës politike dhe mediatike jo vetëm të Kosovës./

Në këtë letër, ndër të tjera mund të lexoni:

“Ty Valdrin të uroj nga zemra për rezultatet e arritura dhe çmimin «Honourable Mention»! Duke të njohur mirë jam i bindur se ty nuk të bën dhe aq përshtypje fakti se ky delegacion përfaqësues i matematicientëve të ri të Kosovës në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës u prit vetëm nga familjarët e tyre! Në aeroport munguan përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe të medieve! Sa i përket politikanëve, me gjasë ata ishin në ‘pushim’! Ndërsa mediat?!!!!

…. ishin të preokupuar të mediatizonin se si ‘Valon Buja, i biri i Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, kishte dëmtuar një pompë benzine në një aksident  me veturë’ apo se si ‘Guxim Grabovcit, të birit të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit, i është gjetur një armë gjuetie dhe një Kallashnikov në veturë’!”

 

Letër publike Valdrin Sherifit,

 

I dashuri Valdrin,

Unë dhe ti kemi mësuar në lëndën e historisë dhe kemi parë filma dokumentar  që dëshmojnë se një ndër faqet më të errëta të historisë së njerëzimit pa mëdyshje është Lufta e Dytë Botërore.

Kemi parë se si në përpjekje për të imponuar një hierarki mes «racash » çizmja dhe uniforma naziste la pas vetes me dhjetëra miliona viktima. Sa për ilustrim po përmendi vetëm një rast, i cili nuk është përzgjedhur rastësisht në këtë letër që po ta drejtoj.

Rreth 400.000 anglez u vranë dhe rreth 4 milion londinez u detyruan të largohen nga qyteti i tyre për të evituar sulmet e barbarisë raciste, që simbolizohej përmes «çizmes dhe uniformës hitleriane».

Pesë dekada më vonë, kur ti ishe dy vjeç, humbi jetën në një aksident të komunikacionit në Paris, Princesha Diana. Që nga ajo kohë e deri më sot nuk janë ndalur hipotezat për implikimin e shërbimeve sekrete angleze në kurdisjen e këtij aksidenti. Unë nuk do të lëshohem në spekulime rreth këtyre hipotezave, që sërish këtë javë i dominojnë mediat më prestigjioze të perëndimit.

Ajo që të gjithë pajtohen lidhet me rolin e pakontestueshëm në shkatërrimin e jetës së Diana Frances Spencer nga një kategori e gazetarëve që emërtohen si « racë e papës» ( transkriptimi i këtillë i emrit të personazhit të filmit Dolce Vita, fotografistit me emrin Paparazzo, është i qëllimshëm).

Tetë vite më vonë, gazetarëve të kësaj « race» nuk do t’i shpëtojë mediatizimi i skajshëm i ‘skandalit të princit’ Harry (djalit të vogël të Dianës). Faqet e para të gazetave dhe lajmi kryesor i edicioneve televizive  nxori një foto të Harry-t 20 vjeçar, të veshur në uniformë naziste! A mund të kishte ‘skandal më të madh’ se sa një ‘pjesëtar i familjes mbretërore’ të vishte atë uniformë që ishte sinonim i tragjedive të panumërta për anglezët dhe për tërë njerëzimin. Harry, kësaj radhe në cilësinë e princit, sqaroi opinionin publik se këtë veprim e kishte bërë në një ‘festë kostumesh’ që kishin organizuar bashkëmoshatarët e tij dhe për këtë “gabim” ai “u kërkoi falje publike të gjithë atyre që ishin ndier të ofenduar’.

Përkundër vjelljes së vrerit të asaj « race gazetarësh», që përmes veprimeve dhe sjelljeve të një adoleshenti tentonin ta luftonin dimensionin mbretëror të sistemit politik të Britanisë së Madhe reagime të shumta pati nga specialist të lëmive të ndryshme (psikolog, sociolog, edukator etj).

 

Psikologët, sociologët dhe edukatorët që u prononcuan lidhur me këtë ‘skandal’ e zhveshën Harry-n nga funksioni i princit dhe e shtruan në rrafshin e veprimit të një adoleshenti. Vetëm kjo qasje shkencore mund të hapte rrugën, që përtej ‘funksioneve dhe roleve të trashëguara’ si fëmijë mbreti e mbretëreshe, fëmijë princi e princeshe, fëmijë ministri a ministreje, fëmijë deputeti e politikani etj të kuptohen veprimet dhe sjelljet e një adoleshenti si veprime dhe sjellje të një të riu.

Harry është adoleshent, si miliona adoleshent që në Angli dhe në mbarë botën tenton të testojë kufijtë e asaj që i përcaktohet si ‘e lejueshme’ apo si ‘e palejueshme’, si ‘e drejtë’ apo si ‘e padrejtë’, si ‘normale’ apo ‘jonormale’ etj. Para se të gjykohet për veprimet dhe sjelljet e tilla, Harry, si edhe çdo adoleshent tjetër në botë, ka nevojë të kuptohet nga rrethi, si formë e vetme që siguron pranimin e ndihmës nga ana e adoleshentit dhe evitimin e përsëritjes së veprimeve të ngjashme.

Diskualifikimet, akuzat dhe sidomos intrumentalizimi i sjelljeve të një adoleshenti për të sulmuar politikisht prindërit e adoleshentit janë veprime shumë të ulëta.

Çka është edhe më e keqe, kjo « racë e papës» përpiqet në të gjithë botën, pra edhe në Kosovë, që të imponojnë në fushën mediatike «INDEKSIN» e temave që janë ‘legjitime’ të njihen dhe të ndiqen nga publiku i gjerë dhe temat që duhet të lihen në heshtje si ‘pa interes’ për publikun.

Ti Valdrin, megjithëse i ri dhe në moshën e adoleshencës, e ke përjetuar mbi kurrizin tënd  këtë logjikë të funksionimit të fushës mediatike në Kosovë.

Kur ti, së bashku me Petrit Avdylajn, Besart Kodraliun, Bardh Shabanin, Doruntina Sulejmanin dhe Alban Kryeziun si përfaqësues të Republikës së Kosovës në Olimpiadën e 54  Ndërkombëtare të Matematikës që u mbajt në qytetin Santa Marta të Kolumbisë nga 18-28 korrik të këtij viti, kishit nevojë për mbështetje të gjithanshme, përpos moderatorit Besim Dinaj që u mundua t’i jep pak oksigjen kësaj atmosfere të kontaminuar, u ballafaquat me heshtje totale!

Në vend të mbështetjes së gjithanshme për delegacionin që përfaqësonte shtetin e Kosovë në «Parlamentin e Dijes» dhe në vend që t’ju sigurohej mundësia që të shkonit së paku një javë para fillimit të garave në Kolumbi për t’u adaptuar me kushtet përtej Atlantikut, ju mezi arritët disa orë para se të fillonte kjo garë.

Përkundër kësaj, ju përfaqësuat në mënyrë dinjitoze shkencëtarët e ri të Kosovës në këtë garë ndërshtetërore dhe ngritët renditjen e shtetit të Kosovës për 15 vende (nga vendi 94 që ishte ranguar në garat e Olimpiadës paraprake të 53-të, në vendin e 79 në botë). Ju u kthyet me tri çmime «Honourable Mention» dhe jam i bindur se sikur të kishit përkrahjen minimale, në krahasim me mbështetjen financiare dhe mediatike që u bëhet olimpiadave të muskujve, ju do të ishit kthyer me gjashtë çmime. Mungesa e tri çmimeve duhet t’i fakturohet mospërfilljes për të investuar në shkencëtarët e ardhshëm dhe pamundësinë që t’ju krijojmë kushtet dinjitoze për ta përfaqësuar denjësisht cilësinë dhe kualitetet e njohurive që i posedoni.

Ty Valdrin të uroj nga zemra për rezultatet e arritura dhe çmimin «Honourable Mention»! Duke të njohur mirë jam i bindur se ty nuk të bën dhe aq përshtypje fakti se ky delegacion përfaqësues i matematicientëve të ri të Kosovës në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës u prit vetëm nga familjarët e tyre! Në aeroport munguan përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe të medieve! Sa i përket politikanëve, me gjasë ata ishin në ‘pushim’! Ndërsa mediat?!!!!

Për delegacionin që përfaqësoi shtetin e Kosovë me rezultate shumë të mira në Olimiadën Nërkombëtare të Matematikës nuk pati gazetarë që të shkruajnë. U deshtë të marrim informatat përmes familjarëve tuaj apo përmes ueb faqes zyrtare të olimpiadës: (http://www.imo-official.org/year_country_r.aspx?year=2013&column=total&order=desc).

Duke të njohur mirë jam i bindur se ti Valdrin nuk do të kishe dashur të shkruhet në media se ti Valdrin Sherifi, i biri i politikanit Bilall Sherifit që për më shumë se 30 vjet është aktiv në skenën politike kombëtare (ish i dënuar politik me 15 vjet burgim, anëtarë i Grupit Diplomatik të UÇK-së, disa herë anëtarë i Kryesisë së PDK-së dhe aktualisht këshilltar i Kryetarit të Parlamentit të Kosvovës, z. J. Krasniqi) u kthye me çmim nga Kolumbia! Ti atje ishe si një person me individualitetin tënd dhe me njohuritë tua.

Ti Valdrin e din fare mirë se për mediat kosovare ju nuk bëni lajm! Në kohën kur ju ktheheshit me rezultate nga kjo garë ndërkombëtare «papa racët»  ishin të preokupuar të mediatizonin se si ‘Valon Buja, i biri i Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, kishte dëmtuar një pompë benzine në një aksident  me veturë’ apo se si ‘Guxim Grabovcit, të birit të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit, i është gjetur një armë gjuetie dhe një Kallashnikov në veturë’!

Kam bindjen e plotë se ti Valdrin e din se kësaj «race gazetarësh» nuk u intereson se a u lëndua apo nuk u lëndua Valon Buja në aksident por shpallin me pompozitet se dëmi i shkaktuar i pompës është 7000 euro!  Kësaj «race gazetarësh» nuk u intereson të shohin sjelljet dhe veprimet e Valon Bujës, Ngadhnjim dhe Guxim Grabovcit si sjellje dhe veprime të adoleshentëve dhe ta zhveshin interpretimin e gjërave nga bagazhi i funksioneve publike të prindërve të tyre. Përkundrazi! Përmes veprimeve dhe sjelljeve të adoleshentëve tentojnë të bëjnë luftën politike kundër personaliteteve të caktuara publike!

Adem Grabovci, Shukri Buja dhe të gjithë personalitetet publike janë objekte sulmesh dhe mbështetjesh për veprimet që i bëjnë apo nuk i bëjnë! Kjo është normale në çdo shoqëri që synon demokratizimin e vet! Ajo që është neveritëse te ne, sikurse edhe në vendet tjera, ka të bëj me instrumentalizimin e veprimeve dhe sjelljeve të fëmijëve për të luftuar prindërit e tyre!

I dashur Valdrin! Jam i mendimit se ti, unë  dhe shumica dërmuese e njerëzve klithim në kupë të qiellit: leni fëmijët jashtë qërimit të hesapeve politike!

Bardhyl Mahmuti/ 21 gusht 2013

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, jashte hesapeve politike, Lereni femijet

“Instinkti i zanatçiut” dhe “truri i zvarranikut”

August 13, 2013 by dgreca

Shkruan: Bardhyl Mahmuti/

Publiciteti që iu dha në mediumet shqiptare akuzave “të Fatos Lubonjës” dhe “të Arben Idrizit”  kundër personaliteteve më të shquara të historisë së re të Kosovës u përpoqën ta arsyetojnë me njërën nga të drejtat themelore të njeriut: të drejtën për të shprehur lirshëm mendimin e vet!

Në shkrimin tim të titulluar «’Mendim i lirë’ apo ‘skizofreni politike’» nxora në shesh se nuk bëhej fjalë për mendim të lirë por për shpërndarje të kualifikimeve serbe të sintetizuara në të ashtuquajturën “Bela Knjiga”(“Libër i bardhë”) dhe të titulluar “ Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji (Terrorizmi shqiptar dhe kriminalitetit i organizuar në Kosovë dhe Metohi, teksti origjinal me rreth 200 faqesh gjendet htt://sorryserbia.com/wp/belaknjiga.pdf)

Për të fshehur burimin e vërtetë serb të cilësimeve për “vrasës” dhe për “kriminel”  Fatos Lubonja drejton gishtin nga libraritë evropiane, ku “qarkullojnë lirshëm” librat me kualifikimet e lartpërmendura, ndërsa Arben Idrizi deklaron haptazi se përkundër asaj “se nuk ka as prova dhe as shenja për t’i akuzuar si vrasës dhe si kriminel” ai e bën këtë “duke u bazuar në instinktin e zanatit të vet prej shkrimtari dhe intelektuali”.  Madje, këtë formë të denoncimit publik dhe “pa prova” ,Halil Matoshi dhe “zanatçinjtë tjerë me instinkt”  përpiqen ta ngrenë në nivelin e “detyrës për intelektualin”!

Në shkrimin e sotëm do të përpiqem të nxjerr në shesh atë që fshihet prapa “instinktit të shkrimtarit”, “instinktit të intelektualit” dhe “instinktit të zanatçiut” te të cilat bazohen Arben Idrizi dhe kompania e tyre. Zhveshja e këtyre nocioneve do të na mundësoj të kuptojmë edhe një dimension të mekanizmave përmes të cilave tentojnë që ‘vizionin serb për Kosovën’ ta mbanë gjallë në hapësirën mediatike shqiptare.

Në këtë kontekst, nocioni ‘instinkt’ del si nocion qendror. Për këtë arsye po ndalem shkurtimisht dhe po përmendi disa nga të dhënat shkencore lidhur me këtë nocion dhe nocionet që janë në raport me te.

E shoh të udhës të përmendi  faktin se filozofi, doktori i mjekësisë dhe themeluesi i psikologjisë amerikane,  William James, në vitin 1870 evokoi idenë e ndarjes së trurit në tri shtresa dhe secilës prej tyre i atribuoi funksione të caktuara.  Mbështetur mbi këtë orientim hulumtues, një shekull më vonë, në vitin 1971 neurologu amerikan Paul Donald MacLean, në veprën e njohur ‘Tre trurët e njeriut’  e zhvilloi teorinë e tri niveleve të trurit që korrespondojnë me tri periudha të zhvillimit të gjallesave.

Për temën tonë është me rëndësi të theksojmë se strukturat e moçme të trurit të njeriut, që ngërthejnë funksionet dhe veprimet më të thjeshta dhe që paraqesin qendrën e reagimeve të menjëhershme dhe të pamenduara (instinktive) dhe që janë të lidhura me luftën për mbijetesë të gjallesave, neurologu amerikan Paul MacLean e emërtoi si «truri reptilian».  Ky emërtim u bë për arsye se forma e pavetëdijshme dhe instinktive e veprimeve dominon te reptilët (zvarranikët)! Për dallim nga zvarranikët, truri i njeriut zhvilloi, sipas të njëjtit autor, edhe dy struktura të veçanta: «truri limbik», si qendër të emocioneve  dhe «truri noekorteks», si qendër e tërësisë së aktiviteteve të vetëdijshme dhe intelektuale.

Kjo teori gjeti mbështetje të madhe në mesin e neurologëve, biologëve dhe psikologëve.

Përkundër vërejtjeve që mund t’i bëhen kësaj teoria, pas zbulimeve të ‘epokës së gjenetikës’, të gjithë pajtohen se vlera e kësaj teorie qëndron në trajtimin e trurit si organ që është produkt i evolucionit miliona vjeçar dhe që përbëhet nga struktura të ndryshme që janë prezent edhe te gjallesat tjera.

Një e arritur tjetër e madhe e shkencës qëndron në verifikimin e faktit se neuronet, për dallim nga qelizat tjera që ripërtërihen vazhdimisht, ato mbeten të njëjta tërë jetën tonë. Ky fakt na mundëson të kuptojmë mekanizmin e memorizimit të të dhënave, (gjuhës, ideve, figurave…) dhe në raste të nevojshme t’i transmetojmë këto njohur të ngulitura në neuronet tona që përcaktojnë kujtesën. Sidomos, në pjesën ballore të trurit (lobin frontal) ku janë qendrat e mendimit, kujtesës, logjikimit, krijimit artistik etj…

Mirëpo, një fazë tjetër vendimtare që të mund të qarkullojnë informatat e memorizuara nga një neuron në tjetrin, vendosja e lidhjeve në mes të tyre është e domosdoshme. Këtë funksion të lidhjes (të konektimit) e kryejnë sinapsat. Pra, sinapsat vendosin lidhjet e komunikimit të neuroneve, në shikim të parë të pavarura, që të komunikojnë dhe të përçojnë informacionet e njëjta…

Kjo është në “aspektin mikro”! Ti kthehemi “aspektit makro” të temës së transmetimit të informatave!

Në artikullin « Mbi vrasësit tjerë » Arben Idrizi si ‘ fakt ‘ për ‘ vërtetësinë’ e akuzave të Fatos Lubonjës sjell ‘të qenurit intelektual dhe instinktin e zanatit të tij’. Në të njëjtën logjikë ai deklaron për ‘vërtetësinë’ e ‘akuazave të ‘veta’  se ‘ unë e di, pa i pasur provat e shenjat, por duke u mbështetur në zanatin dhe instinktin e zanatit tim prej shkrimtari, se vrasës është ….. etj. etj. ‘

Dikujt mund t’i duket i rastësishëm togfjalëshi ‘instinkt zanati’ ( ‘instinkt shkrimtar’ apo ‘instinkt intelektuali’) dhe si rezultat i mosnjohjes së teorive shkencore të funksionimit të trurit.

Mirëpo, përdorimi i nocionit ‘instinkt’, që është karakteristikë dominonte (por jo e vetme) e zvarranikëve, në vend të ‘intuitës’ dhe ‘inteligjencës’, që karakterizon njeriun dhe sidomos shkrimtarin dhe intelektualin nuk është rezultat i mosnjohjes apo rastësisë.

Nëse përqendrohemi shkurtimisht në pjesën e mësipërme të teorive shkencore të funksionimit të trurit do të shohim se përpjekjet për ta paraqitur si rezultat të ‘instinktit’ listën dhe cilësimin e shqiptarëve për ‘vrasës’ dhe ‘kriminel’, fshehin ‘SINAPSËN’ serbe që përmes  pendës së ‘zanatçinjve me instinkt’  bën konektimin e ‘trurit të zvarranikëve’ për të transmetuar informatat e të ashtuquajturës “Bela Knjiga”(“Libër i bardh”)  të përpiluara nga institucionet inteligjente të Serbisë!

Përpjekja që t’i atribuoni ‘instinktit’, që buron nga ‘truri juaj i zvarranikut’, transmetimin e shpifjeve dhe insinuatave të shërbimeve inteligjente serbe kundër personaliteteve më të shquara të luftës çlirimtare të Kosovës është strategji e shfajësimit.

Mirëpo, krahas pafajësisë që përpiqet të nënkuptojë,  atribuimi i këtyre veprimeve ‘instinktit’ nxjerr në shesh edhe strategjinë e mbijetesës së llojit.  Në këtë strategji agresiviteti, siç thekson neurologu amerikan Paul Donald MacLean, është element konstituiv i veprimit për mbijetesë.

Agresiviteti dhe frika për ruajtjen e llojit del haptas në shkrimet e “shkrimtarëve dhe intelektualëve zvarranikë” të tipit Lubonja, Idrizi, Matoshi etj.etj. “Akuzat nga njëra anë dhe frika ‘se mund të të vrasin si qen’ nga ana tjetër,  siç bën Arben Idrizi, janë manifestime të këtij agresiviteti ‘instinktiv’ të ruajtjes së llojit të neuroneve të konektuara nga ‘Sinapsat’ e Shërbimit Inteligjent të Serbisë për të mbajtur gjallë ‘vizionin serb’ në Kosovë.

Dhe në fund, ne ‘turma pa mend e me muskuj’, siç ju pëlqen t’i quani mbështetësit e vizionit shqiptar për Kosovën dhe për personalitetet që bënë historinë moderne të saj, e dimë se akuzat që ngriti Shërbimi inteligjent i Serbisë dhe që ju i transmetoni ‘instinktivisht’ me ‘trurin e zvarranikut’ janë, ashtu siç e pranoni edhe vet në shkrimet tuaja, PA PROVA DHE PA SHENJA!

Por, kjo formë e transmetimit të shpifjeve dhe njollosjeve serbe në mediumet shqiptare nxjerr në shesh PROVAT DHE SHENJAT e urrejtjes ‘instiktive’ të zvarranikëve që në Kosovën e pavarur humbën privilegjet që kishin gjatë  simbiozës së vëllazërim-bashkimit me Serbinë!

 

13 gusht 2013

Filed Under: Analiza Tagged With: Bardhyl Mahmuti, instikti i zanatciut

FOLKLORIZMI QE PENGON ASPIRATEN KOMBETARE

July 3, 2013 by dgreca

Idetë për « Shqipërinë e Madhe», « Shqipërinë Etnike» dhe « Shqipërinë Natyrale » , pengesa serioze për realizimin e aspiratave për bashkim kombëtar!/

Shkruan: Bardhyl Mahmuti/

 Reagimi im i datës 23 qershor 2013 i titulluar “Ideja e « Shqipërisë Natyrale » – konstruksion  « artificial» në funksion të manipulimit politik!” që ishte reagim ndaj shkrimit të Koço Danajt  të titulluar “Nuk do të ketë  «Shqipëri të Madhe» por do të ketë « Shqipërisë Natyrale » hasi në reagime të disa mbështetësve të  « Shqipërisë Natyrale » dhe të ithtarëve të « Shqipërisë Etnike».

Duke lexuar reagimet e tyre ndaj shkrimit tim fitohet përshtypja se ata ose nuk e kanë lexuar shkrimin tim ose nuk posedojnë kapacitetet e nevojshme teorike për të kuptuar një tekst të fushës së politologjisë. Shumica e atyre që nuk pajtohen me qasjen time përsërisin sintezën e  shkrimit të autores Vera Dushi, e cila  “ më rikujton se ideja e Shqipërisë Etnike është objektiv i programit gjithëkombëtar të Lidhjes së Prizrenit, që ka vazhduar edhe pas shthurjes së saj në shumë programe të lëvizjeve kombëtare, edhe gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, duke filluar nga LNDSH-ja deri të Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH), tani Fronti Demokratik të Bashkimit Kombëtar (FDBK)”! ((http://www.albaniapress.com)

Që në fillim po theksoj se qëllim i këtij shkrimi nuk është të polemizoj me autor të njohur apo anonim por të shtroj argumentet, që sipas mendimit tim, mund t’i hyjnë në punë  veprimtarëve politik në realizimin e aspiratave tona kombëtare!
Trajtimi i termit “etni-etnik” paraqitet si domosdoshmëri për të kuptuar paqëndrueshmërinë e atyre që pretendojnë se “ideja e Shqipërisë Etnike është objektiv i programit gjithëkombëtar që nga Lidhja Shqiptare Prizrenit e deri më sot” dhe qartësimin e këtij nocioni teorik mund të na ndihmojë të jemi koherent ne mbështetje të kërkesave tona të ligjshme.

Etimologjia e termi “etnik” rrjedh nga greqishtja e vjetër (ἔθνος / ethnos ) që emërtonte një grupim njerëzish me institucione të përcaktuara keq, që ekzistonin para “polisit grek” dhe që konsideroheshin më inferior se organizimi politik i «Qytetit-shtet», si bashkësi me zakone dhe ligje të përcaktuara qartë.

Kështu, “etnitë” konsideroheshin popullsi jashtë «Qytetit-shtet» , qofshin grek të pa civilizuar, qofshin barbarë! (Annamaria Rivera, « Ethnie-ethnicité », në veprën e  René Gallissot, Mondher Kilani, Annamaria Rivera, L’imbroglio ethnique, Botimi Payot, Lausanne, 2000, f.101-102). Ky term me konotacion negativ  do të riaktualizohet për herë të parë në vitin 1854 nga Joseph Arthour Gobineau në veprën e tij « Essai sur l’inégalités des races » (Ese për pabarazitë e racave) dhe në këtë vepër ky term ka kuptimin e « racës  njerëzore». Ndërsa, ky term do të gjejë përdorim më të shpeshtë pas botimit të veprës së Vacher de la Pourge « Les sélections sociales » (Selekcionimi shoqëror) i vitit 1896.

Në këtë vepër « etnia » merr kuptimin e “fraksioneve të një popullsie homogjene për nga raca, që bashkëjetojnë me te dhe që përfundojnë të asimilohen si në aspektin gjuhësor ashtu edhe në atë kulturor” (Vepra e cituar f.102). Me një fjalë, të dy definicionet e nocionit “etni” ngërthejnë kuptimin e grupeve shoqërore pa struktura politike të përcaktuara qartë!

Më vonë, sidomos gjatë periudhës së krijimit të shteteve kombëtare, termi “grup etnik” do të përdoret për të dalluar kombet “e civilizuara” me struktura shtetërore nga popujt pa shtet dhe pa organizim politik.

Aspirata politike e përpiluar në kohën e krijimit të shteteve në Ballkanin Perëndimor dhe e shtruar në Programin Politik të Lidhjes së Prizrenit është aspiratë e bashkimit të territoreve të ndara në katër vilajete administrative të Perandorisë Otomane në një shtet të pavarur. T’i  vishet ideja e « Shqipërisë Etnike»  programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pra t’i vishet një terminologjie jo adekuate dhe që nuk përdorej në atë kohë, është rezultat i mosnjohjes ose përpjekje e manipulimit.

E drejta e popujve për vetëvendosje është një ndër parimet e të drejtës ndërkombëtare mbi bazën e të cilës janë mbështetur aspiratat e popujve që të jetojnë të lirë e të pavarur dhe të jenë sovran në territorin e vet për të përcaktuar format dhe modalitetet e regjimeve politike. Po e theksoj për ata që nuk duan të kuptojnë: parim i të drejtës ndërkombëtare është e drejta e popujve për vetëvendosje jo e drejta e etnive për vetëvendosje! Përkundër kësaj të drejte  të normativizuar në të drejtën ndërkombëtare realizimi praktik kërkon mobilizim të gjithanshëm dhe mbështetje të fuqishme. Kush ka nevojë të koklavitë kërkesat tona duke i shtuar atribute që nuk kanë as bazë shkencore e as përkrahje politike?

Atyre që në akuzat kundër meje interpretojnë shkrimin tim “si përpjekje për të ndalur procesin e ribashkimit të kombit shqiptar në një shtet të vetëm kombëtar!” u them se bashkimi kombëtar nuk ka nevojë për atributet “ e mëdha”, “etnike” dhe “natyrale”  por ka nevojë për  veprime të koordinuara dhe të gjithanshme për ndryshimin e raportit të forcave për t’i dhënë forcën e nevojshme kërkesave tona legjitime!

T’i shtosh atributet: «  e madhe», «  etnike» dhe « natyrale »  kërkesës legjitime të shqiptarëve që të jetojnë në një shtet të bashkuar nuk e ndihmon realizimin e aspiratave tona shekullore. Përkundrazi, në këtë mënyrë u bëhet shërbim qarqeve që nuk ia duan të mirën shqiptarëve.

4 korrik 2013

Filed Under: Komente Tagged With: Bardhyl Mahmuti, folklorizmi, ne bashkimin Kombetar

Ideja e “Shqipërisë Natyrale” – konstruksion “artificial”në funksion të manipulimit politik!

June 30, 2013 by dgreca

Reagim ndaj shkrimit të Koço Danajt “Nuk do të ketë  “Shqipëri të Madhe” por do të ketë “Shqipërisë Natyrale”/

Shkruan: Bardhyl Mahmuti/

 Sa herë bëhej fjalë për krizat e njëpasnjëshme që karakterizuan Ballkanin Perëndimor në diskurset politike, diplomatike, mediatike dhe analitike një vend të rëndësishëm zënë idetë që lidhen me kufijtë e hapësirës kombëtare.

Sa i përket Çështjes shqiptare, ideja e “Shqipërisë së Madhe” u “rishfaq” në diskurset e komunistëve jugosllav (pa marrë parasysh të cilës përkatësi etnike ishin) pas shpërthimit të protestave të vitit 1981. Edhe pse një kërkesë e tillë nuk figuronte në asnjërin program të asnjërës nga organizatat klandestine shqiptare që vepronin në atë kohë ideja e “Shqipërisë së Madhe” u shndërrua në gogol! Propaganda rreth kësaj ideje do të intensifikohet gjatë tri dekadave të fundit, e sidomos në periudhën e luftërave çlirimtare.

Është interesant të theksohet se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovë diskurse analogjike dëgjohen gjithnjë e më shpesh edhe nga ana e disa politikanëve apo analistëve me influencë në krijimin e opinionit publik. Për dallim nga qarqet antishqiptare të cilët “gravitojnë” rreth nocionit “Shqipëri e Madhe”, në mesin e politikanëve, analistëve dhe gazetarëve shqiptar

nocionet “Shqipëri Etnike” dhe “Shqipëri Natyrale” zënë një vend që nuk mund të neglizhohet.

Sikur të ishte thjeshtë një debat idesh në mes profesionistëve të lëmive të ndryshme do të kishte qenë me interes për të gjithë të interesuarit rreth këtyre temave. Mirëpo, në kontekstin aktual ku një pjesë e territorit të shtetit të Kosovës është nën kontrollin e strukturave ilegale të regjimit të kaluar serb hapja e këtyre debateve “intelektuale” nuk mund të jetë e zhveshur nga qëllimet dhe strategjitë e caktuara politike.

Të gjithë ata që kanë përcjellë me vëmendje zhvillimet politike lidhur me shpërbërjen e Federatës jugosllave janë plotësisht të vetëdijshëm se populli shqiptar i Kosovës u ballafaqua me një politikë të gjenocidit të ngjashme me atë që kishin përjetuar gjysmë shekulli më parë shqiptarët e Çamërisë:mbi dhjetëra mijë të vrarë dhe rreth një milion të shpërngulur….

Të gjithë njohësit e kësaj periudhe janë të vetëdijshëm se mbështetja politike dhe ushtarake që iu dha Kosovës nga demokracitë perëndimore, në krye me SHBA-të, përkundër dëmeve të konsiderueshme, reduktuan në masë të madhe pasojat e politikës shfarosëse të regjimit të Beogradit dhe pamundësuan realizimin e planit serb për Kosovën.

Gjithashtu, të gjithë janë të vetëdijshëm se falë kësaj mbështetje politike dhe diplomatike  u mundësua shpallja e pavarësisë së shtetit të Kosovës dhe njohja ndërkombëtare e këtij vendimi historik.

Përkundër këtyre fakteve të pakontestueshme shpesh na ndodh që të lexojmë shkrime fyese ndaj flamurit shtetëror të Kosovës; kritika të “analistëve” pse “Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh bashkimin me Shqipërinë” e kështu me radhë. Më intereson të di se a do të pranonin këta kritikues ekzistencën e shtetit të pavarur të  Çamërisë nëse flamuri i këtij shteti nuk do të ishte me simbolet e identitetit kombëtar shqiptar dhe nëse në Kushtetutën e këtij shteti nuk do të theksohej e drejta për bashkim me Shqipërinë? Apo do të qesin shkokla, siç thotë një shprehje popullore. Nëse mendojnë se kontekstet historike janë të ndryshme po u sugjeroj të lexojnë për gjenocidin në Ruanda dhe heshtjen ndërkombëtare. Vetëm nga data 6 prill deri më 4 korrik 1994 u vranë rreth 800.000 pjesëtarë të etnisë Tuci! Heshtje e plotë apo ndonjë komunikatë për shtyp!

A do të pranonin këta kritikues ekzistencën e shtetit të pavarur të Iliridës nëse flamuri i këtij shteti do të përmbante hartën e territoreve shqiptare që aktualisht janë nën Maqedoni dhe të supozojmë nja 13 yje më të mëdhenj se të flamurit të Kosovës? Apo do ta refuzonin me pretekst se numri 13 është numër “baksuz”  dhe pse në Kushtetutën e këtij shteti nuk do të theksohej e drejta për bashkim me Shqipërinë?

Mund të vazhdohet me pyetje të ngjashme edhe për territoret me shumicë shqiptare në

Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore. Thelbi nuk ndryshon.

Sado ironike që t’u duken pyetjet paraprake është një fakt i pakontestueshëm se kritikat më të ashpra janë drejtuar ndaj udhëheqësve politik të Kosovës. Pra, aty ku më së shumti janë arritur rezultate!

Flamuri i shtetit të Kosovës nuk e cenon aspak identitetin tim kombëtarë dhe të drejtën time të identifikohem me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenore! Përkundrazi! Ata që e mbajnë mend të kaluarën jo të largët dhe mungesën e shtetësisë së Kosovës u kujtohen shtypjet dhe poshtërimet që na janë bërë në të gjitha fushat dhe simbolet që karakterizonin identitetin tonë kombëtar! Në të njëjtën mënyrë si sot nën Serbi, Mal të Zi e nën Maqedoni!

Aktualisht është duke u zhvilluar një luftë e vështirë politiko-diplomatike rreth sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe në këtë proces të vështirë harmonizimi i qëndrimeve, sidomos me aktorët vendimtarë në marrëdhëniet ndërkombëtare, është jetik për ardhmërinë vendit.

Qëndrimi i SHBA-ve dhe i BE-së për mos ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe mos bashkimin e Kosovës me ndonjë shtet tjetër aktualisht është qëndrim  që shkon në interes të ruajtjes së tërësisë territoriale të vendit tonë.  Aq më tepër kur kemi një situatë të tillë ku pjesë të tëra të territorit tonë funksionojnë jashtë kontrollit të institucioneve shtetërore të Kosovës. Në këtë kontekst politik dhe diplomatik të aktualizosh “riparimin tërësor dhe jo pjesor të padrejtësive koloniale që janë bërë ndaj shqiptarëve përmes krijimit të Shqipërisë Natyrale, domethënë, Shqipëria në kufijtë e saj natyrale” siç bën Koço Danaj, është qasje antishkencore dhe mund të jetë me efekte negative.

Kur them qasje antishkencore kam për bazë tipologjinë (Shqipëri artificiale/Shqipëri natyrale)

që bën z. Danaj. Në shkencat shoqërore marrëdhëniet shoqërore trajtohen në tërë kompleksitetin që i karakterizon dhe sidomos një trajtim të veçantë u kushtohen raporteve të forcave si në rrafshin lokal ashtu edhe në atë rajonal e ndërkombëtar. Në këto marrëdhënie  nuk ka asgjë artificiale apo natyrale. Ka raporte forcash!

Të marrim krijimin e shteteve kombëtar. Ky proces është një proces historik që ndodh në një kontekst shoqëror dhe rezultat i një raporti forcash. Aktualisht në botë ekzistojnë rreth 6000 etni të veçanta dhe numri i tyre vjen vazhdimisht duke u zvogëluar si pasojë e asimilimit. Ndërsa kemi rreth 200 shtete (193 shtete anëtare të OKB-së)!

Sikur të ishte e vërtetë ajo që pretendon z. Danaj se gjoja “ marrëdhëniet e reja ndërkombëtare  mbështeten në forcën e së drejtës e jo në të drejtën e forcës” mozaiku i shteteve do të ishte ndryshe.  Do të kishim, së paku shtetin e popullit të Kurdistanit me rreth 40 milion kurdë dhe me 503 000 km². Realiteti është ndryshe! Sot kemi shtete të pavarura me sipërfaqe 44 hektarë (Vatikani),  Monakon me rreth 2 km² dhe me dhjetëra shtete të pavarura që kanë nga dhjetëra km² e me dhjetëra mijë banorë! Mund ta quajmë si të duam:padrejtësi historike, padrejtësi politike apo çfarëdo lloj padrejtësie. Kjo nuk e ndryshon faktin se marrëdhëniet ndërkombëtare funksionojnë mbi raporte forcash!

Z. Danaj! Në raportin e forcave aktuale të shteteve me peshë në institucionet ndërkombëtare  nuk mjafton “të kesh të drejtë” apo të argumentosh kërkesat “për riparimin e padrejtësive koloniale”. Kërkohet, para se gjithash, të kesh miq që të mbështesin! Miqësia nuk krijohet me nocione “artificiale” të tipit “Shqipëri natyrale”. Kjo qasje antishkencore mund të manipulojnë ndonjë patriot që në shpirt ka realizimin e aspiratave tona shekullore por nuk mund të krijojë miq as në qarqet politike e as në qarqet shkencore.

Hapësirat shtetërore z. Danaj ngërthejnë në vete sipërfaqen tokësore, nëntokësore, ujore dhe ajrore. Përcaktimi i këtyre hapësirave është rezultat historike i luftës në mes forcave lokale, rajonale dhe ndërkombëtare. Le të mblidhen hidrologët e cilit do vend të botës dhe le të na tregojnë me “argumente shkencore” se me çfarë kriteresh “natyrale” u përcaktuan kufiri detar me Graqinë, Italinë, Malin e Zi? Çka ka karakteristikë kombëtare uji i detit në këtë anë të kufirit të Shqipërisë që dallon nga uji i detit në anën tjetër të kufirit? Apo mos peshqit dhe karkalecat i kemi “kuq e zi”?  Çka ka karakteristikë kombëtare hapësira ajrore shqiptare nga hapësira ajrore e kombeve fqinje? “Oksigjenin shqiptar” ?! Apo cilat janë karakteristikat  të shpezëve që jetojnë në hapësirat tona kombëtare? “Apo shqiponja shqiptare”?!

Zoti Danaj! Nuk ka asgjë natyrale e as artificiale në marrëdhëniet shoqërore! Në kontekstin aktual, po e ripërsëris, është duke u zhvilluar një luftë politike dhe diplomatike për të shtrirë sovranitetin e Kosovës në tërë territorin e saj! Rezultat i kësaj lufte nuk do të varet nga “idetë e mëdha” që do të shtrohen por nga përkushtimi serioz për të instaluar vlerat dhe parimet demokratike në tërë territorin e Kosovës. Harmonizimi i pikëpamjeve të aktorëve të Kosovës

lidhur me strategjinë që institucionet e vendit duhet të aplikojnë  në raport me strategjitë e fuqive demokratike është kusht i domosdoshëm për të pritur rezultate të favorshme për shqiptarët.

Vetëm duke harmonizuar qëndrimet me shtetet e demokracive perëndimore mund të krijohen raporte të reja në të cilat edhe shqiptarët e Iliridës dhe të Luginës së Preshevës (të cilët nuk kanë statusin shtetformues siç jeni të informuar gabimisht z. Danaj) si dhe shqiptarët në Mal të Zi dhe ata të Çamërisë t’i realizojnë të drejtat dhe aspiratat kombëtare.

Në këtë dinamikë zhvillimesh politike dhe diplomatike idetë e “mëdha” si   “Shqipëri e Madhe”, “Shqipëri Etnike” dhe “Shqipëri Natyrale” nuk i shërbejnë krijimit të aleancave të qëndrueshme me fuqitë demokratike në botë! Përkundrazi!

Në këtë kontekst shoqëror e historik të mbushur me padrejtësi të mëdha të trashëguara nga e kaluara vetëm ata politikan që nuk bien në grackë të konstruksioneve propagandistike “artificiale” mund të krijojnë raporte miqësore “të natyrshme” për të realizuar pjesërisht apo tërësisht aspiratat tona kombëtare. Sot më shumë se kurë më parë shqiptarëve, kudo qofshin ata, u duhet t’i artikulojnë veprimtaritë politike, ekonomike, arsimore, kulturore dhe të gjithanshme që në këtë trend të globalizmit të dalin fitimtarë. Vetëm duke mbështetur personalitetet e dëshmuara si në rrafshin politik ashtu edhe në atë atdhetar mund të rrisim gjasat se aspirata politike e elaboruar në kohën e krijimit të shteteve në Ballkanin Perëndimor

dhe e shtruar në Programin Politik të Lidhjes së Prizrenit do të avancohet në përputhje me rrethanat e krijuara.

Qershor 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: Bardhyl Mahmuti, reagim ndaj Koco Danaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7

Artikujt e fundit

  • DEMOKRACIA E POLITIKA: PËRFUNDIMET E PAPARASHIKUESHME TË LUFTËS
  • DUKE MEDITUAR PËR CAMAJN, KOLIQIN, FISHTËN… 
  • Murana e Gjergj Kastriotit në Prizren
  • PSE SHQIPTARËT DUHET TA KUNDËRSHTOJNË “BALLKANIN E HAPUR”?
  • KONICA- NJË STEKË AKOMA E PAKAPËRCYER NGA AMBASADORËT SHQIPTARË NË WASHINGTON
  • TEPËR VONË DHE SHUMË PAK, TË NDERUAR AMBASADORË PERËNDIMORË NË TIRANË
  • DRINIT PLAK PO I MARRIN FRYMEN
  • PROF. MUHARREM DRAGOVOJA IN MEMORIAM
  • NJË YLL MË SHUMË
  • RINOR GASHI  NJË  BOKSIER I RI, NË ARTIN MARCIAL MMA, QË SYNON TË ARRIJ MAJAT E FITORES ME ZEMËR SHQIPTARI
  • PUTINI A DO T’A KETË LEXUAR HERODOTIN?
  • VISAR ZHITI LAUREAT I ÇMIMIT TE MADH NE FESTIVALIN BOTËROR TË POEZISË “MIHAI EMINESCU”
  • DE OMNIBUS DUBITANDUM / POEZI NGA ALFONS GRISHAJ
  • 100 VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE, VATRA ORGANIZON SIMPOZIUM SHKENCOR MË 28 KORRIK 2022
  • Një copë qielli midis Meksikës dhe Kosovës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT