Nga Albin Kurti/
Duke iu falenderuar dialogut me Thaçin në Bruksel, Serbia nuk po ka fare nevojë që të zgjedhë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ajo po avanson në të dy drejtimet: edhe në integrimet evropiane, edhe në Serbinë brenda Kosovës. I fitoi edhe negociatat për anëtarësim në BE, edhe Asociacionin e komuave me shumicë serbe. Negociatat e Serbisë në këto dy rrafshe sot, po bëhen pakrahasimisht më të suksesshme sesa luftërat e saj në dy fronte para dy dekadash.
Askujt në BE, sikurse edhe faktorëve të tjerë ndërkombëtarë, nuk i shkon fare mendja të bëjë sadopak trysni mbi Beogradin zyrtar për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, nuk mund të jetë ndryshe përderisa Thaçi negocion për Kosovën me Serbinë pa kushte për të. Negociatat me Serbinë gjersa ajo nuk e njeh dhe pranon pavarësinë e Kosovës përkthehen në mirëkuptim për këtë mosnjohje dhe mospranim të shtetit tonë. E këtillë është pasoja edhe kur i këtillë nuk ka qenë qëllimi.
Paralelisht me këtë, BE-ja don që kur të zgjerohet me shtete të reja anëtare ato t’i delegojnë asaj sovranitet. Kosova nuk ka sovranitet dhe s’ka se çfarë realisht t’i jep BE-së andaj ajo nuk na e ofron e nuk na e mundëson anëtarësimin. Serbia është sovrane dhe ajo me anëtarësimin në BE ka se çka i bart BE-së.
Dialogu Thaçi-Daçiq në Bruksel paraqet platformën nga e cila Serbisë i hiqen pengesat në shtegun e integrimeve evropiane drejt anëtarësimit të plotë në BE, ndërkaq Kosovës i shtohen pengesat në shtetndërtim duke ia rrudhur perspektivën për sovranitet e integritet territorial, për demokraci dhe drejtësi. Pra, jo vetëm që Serbia po përparon kah Brukseli, por përparimi i saj brenda Kosovës e zgjat rrugën e i zvogëlon gjasat për inkuadrimin e Kosovës në BE (që aktualisht ka mbetur e ngujuar te premtimi bajat për liberalizimin e vizave).
Në anën tjetër, Serbia nuk po ka nevojë as të zgjedhë midis BE-së dhe Rusisë. Ajo sërish po avanson në të dy drejtimet. Mjafton të shikohen takimet e vizitat e ndërsjellta midis krerëve shtetërorë serbë e rusë për ta marrur vesh këtë. Nga përmbledhja e lajmeve për vitin 2013, kuptojmë që kryetari i Serbisë, Nikoliq, i ka zhvilluar tri takime me udhëheqësit politikë të Rusisë. Së pari, dy takime me Putinin: më 24 maj 2013 në Sochi ku nënshkruan Deklaratën për Partneritet Strategjik dhe herën tjetër gjatë vizitës së tij dyditore në Rusi më 29 tetor 2013. (Nikoliq me 25 shkurt 2013 e dekoroi Putinin për “merita të jashtëzakonshme në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve miqësore midis Republikës së Serbisë dhe Federatës Ruse” me urdhrin e Republikës së Serbisë me qafore.) Po ashtu, Nikoliq u takua edhe me Ministrin e Mbrojtjes së Rusisë, Sergei Shoigu, me 12 nëntor 2013 kur ai e vizitoi Beogradin. Gjatë vitit që lamë pas edhe kryeministri i Serbisë, Daçiq, ishte në një vizitë dyditore në Rusi kur me 10 prill pati takim me Putinin. Ndërkaq, zëvendëskryeministri serb, Vuçiq, u takua me ministrin rus të mbrojtjes, Shoigu, më 22 maj 2013, kur po merrte pjesë në konferencën ndërkombëtare për sigurinë evropiane në Moskë.
Serbia nuk ndodhet para zgjedhjes a mundësisë ose-ose por pas përzgjedhjes e zgjidhjes edhe-edhe, kurse Kosova ndodhet në pamundësinë problematike as-as. E, sërish, nuk ka mundur të jetë ndryshe…
Para koncesioneve që vijnë nga negociatat kemi koncesionin që u paraprin negociatave. Negociatat e Kosovës me Serbinë tashmë janë koncesion. Negociatat janë ura që lidh koncesionin themeltar të përgjithshëm që shënon fillimin e negociatave me fundin e urës që shënon koncesionet e panumërta të veçanta. Mirëpo, dialogu Thaçi-Daçiq nuk është aty për t’u përfunduar por për të mos përfunduar. Ky është një dialog që e do vetveten dhe jo marrëveshjen. Marrëveshja e mbyll dialogun, ajo i lidh palët si të ndara për t’i përforcuar ato si palë. Jo edhe në dialogun e Brukselit ku ne s’njihemi as nga pala tjetër e as nga ndërmjetësuesi. Ky dialog na lidh pa na trajtuar ndaras. Ky dialog sjell marrëveshje për të pasur edhe më shumë dialog, edhe më shumë marrëveshje, edhe më shumë dialog, edhe më shumë marrëveshje, edhe më shumë dialog… Dialogu i keq sjell marrëveshje të këqija për edhe më shumë dialog të keq. Nuk mund të ketë gjëra të mira nga zbatimi i marrëveshjeve të këqija. Çfarëdo zgjidhjesh të arrira në orientime të gabuara janë të kota në rastin më të mirë dhe kundërproduktive përndryshe. Problemi i negociatave Thaçi-Daçiq nuk është thjesht rezultati i keq por premisa e padrejtë; pra, jo gabimet në negociata, por iluzionet për to.
Kundërshtimet e Thaçit (ndaj kërkesave të Serbisë) janë veçse në funksion të prodhimit të iluzioneve (te qytetarët e Kosovës). Gjithçka në Kosovën e Qeverisë bëhet për imazh. Kosova është kthyer në një shesh gjigant xhirimi, në një film set enorm, ku horizonti nuk është ende kufiri.
Të gjithë ata që thonë se ka edhe më keq, duhet t’iu tregojmë që është duke u bërë më keq.