• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SERBIA – TURPI I EVROPËS SË SHEKULLIT XXI

October 1, 2021 by s p

– Gjeneralët e ushtrisë humbëse –

Xhelal Zejneli

Si kundërpërgjigje ndaj masës së ndërsjelljes apo të reciprocitetit, Beogradi reagoi në mënyrë të turpshme. Përqendroi pranë kufijve të Kosovës forca ushtarake. Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi i dërgoi në kufi gjeneralët e ushtrisë humbëse. Janë gjeneralë të luftës së humbur, të luftës së viteve 1998 dhe 1999. Beogradi përqendroi pranë kufirit trupa ushtarakë, mjete të blinduara, tanke, artileri. Në hapësirën ajrore, mu pranë kufirit, fluturuan helikopterë dhe aeroplanë luftarakë. Ndaj Kosovës, Beogradi demonstroi forcë. 

Ka kohë që Beogradi, ndaj Kosovës ndjek luftë psikologjike dhe luftë speciale.  Veprimet e sipërthëna të Beogradit dëshmojnë se Vuçiqi ndjek politikën e forcës. Demonstrimi i forcës nga Beogradi dëshmon se Serbia ka synime territoriale ndaj Kosovës. Armatosja e Serbisë në vitet e fundit, tregon se Beogradi ka synime territoriale edhe ndaj Kroacisë, ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës dhe ndaj Malit të Zi. 

U pa se politika e Beogradit është në kundërshti të plotë me parimet e BE-së për mosndryshimin e kufijve. Politika e Beogradit është politikë e shekullit XIX, retrograde dhe anakronike. Beogradit fare nuk i interesojnë parimet dhe vlerat demokratike të BE-së. Gjatë gjithë historisë politike të kohës më të re, d.m.th. që nga shekulli XIX deri më sot, Serbia ndjek në Ballkan politikë hegjemoniste, ekspansioniste, pushtuese, kolonialiste, dominuese. Serbët ia zënë për të madhe Millosheviqit, jo pse i filloi luftërat në ish-Jugosllavi, por pse nuk i fitoi ato. 

Vuçiqi duhet ta dijë se politika bashkëkohore, kjo e shekullit XXI nuk mund të ndërtohet nën ndikimin e klerit fashist ortodoks serb. Vuçiqi duhet ta dijë se Serbia nuk mund të hyjë në BE, duke u bërë përçuese e interesit rus në rajon. Serbia s’ka për të hyrë në BE duke ndërtuar dhe duke ndjekur politikë, nën ndikimin e Rusisë dhe të Vlladimir Putinit. 

Uashingtoni, Berlini dhe Londra duhet ta dinë se është Albin Kurti ai që ka qenë në burgjet famëkeqe të Serbisë dhe jo Vuçiqi në burgjet e Kosovës. Albin Kurti u dënua nga Serbia vetëm ngase synoi lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit të vet – Kosovës. Uashingtoni dhe Brukseli duhet ta dinë Albin Kurti është politikan pa hipotekë. 

Përballë tij është një Vuçiq i cili në fillim të viteve ’90 të shekullit XX i ngjiste në muret e ndërtesave të Beogradit bilbordet e Vojisllav Sheshelit. Në vitin 1993 Vuçiqi u bë anëtar i Partisë Radikale Serbe të ekstremit të djathtë të Sheshelit i cili angazhohej për Serbi të Madhe. Në moshën 24-vjeçare, Vuçiqi u bë Sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe. Në mars të vitit 1998 Vuçiqi u emërua ministër i Informimit i qeverisë së kryeministrit Mirko Marjanoviq. Si ministër i Informimit , Vuçiqi i gjobonte gazetarët serbë të cilët e kritikonin kryetarin Sllobodan Millosheviqin. Ndaloi edhe disa kanale televizive të huaja. Gjatë mandatit ministror të tij, u akuzua nga të huajt për zbatimin e propagandës mediatike kundër shqiptarëve të Kosovës si dhe për nxitjen e urrejtjes etnike. 

Politika e Vuçiqit është vazhdim i natyrshëm i politikës nacional-socialiste të Millosheviqit si dhe i politikës ultranacionaliste të radikalit Sheshel. Vuçiqi që është peng i klerit fashist ortodoks serb dhe peng i Moskës apo i Vlladimir Putinit. Rrjedhimisht, është turp për çdo lider të Perëndimit që takohet me Vuçiqin. Dyert e kancelarive të BE-së dhe të Uashingtonit duhet të jenë të mbyllura për të. Përqendrimi i forcave ushtarake pranë kufirit të Kosovës tregon se kryetarit të Serbisë, Vuçiqit, fare nuk i intereson i ashtuquajturi “Ballkan i hapur”. 

Pavarësinë që e shpalli Kosova në vitin 2008 e njohën 117 vende të botës. Midis tyre edhe Uashingtoni, Berlini, Londra, Parisi, Roma, Vjena, Kanadaja, Japonia, Australia etj.

Përqendrimi i forcave ushtarake pranë kufirit dëshmon për synimet e Serbisë për ta cenuar tërësinë e tokave, sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Kryeqendrat e fuqive të mëdha të sipërthëna nuk do ta lejojnë këtë. 

Përqendrimin e forcave ushtarake serbe pranë kufirit të Kosovës e dënuan të gjitha vendet e BE-së, e dënuan Uashingtoni dhe Brukseli. 

Beogradi përqendroi forca ushtarake pranë kufirit të Kosovës në saje të mbështetjes së Moskës, përkatësisht të Vlladimir Putinit. Me politikën e vet destruktive dhe irracionale, Serbia sfidon dhe provokon Uashingtonin, NATO-n dhe Brukselin. Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Uashingtoni i doli zot Kosovës për arsye se ajo luftonte për liri, pavarësi dhe demokraci. Rusia ndërkaq, mbron sot një politikë serbe, që është pushtuese, ekspansioniste, hegjemoniste, kolonialiste, antidemokratike dhe antihistorike. 

Tragjedia e Serbisë sot, qëndron në faktin se pakicat e Kosovës, përfshi edhe atë serbe, i gëzojnë të gjitha të drejtat, sipas standardeve më të larta të BE-së, si në asnjë vend të Perëndimit. Fatkeqësisht, Beogradi s’do dot të drejta dhe demokraci për serbët e Kosovës. Atij nuk i interesojnë fare të drejtat e minoritetit serb të garantuara me ligjet e Kosovës. Minoriteti serb në Kosovë i intereson Beogradit vetëm për t’i instrumentalizuar për qëllime destabilizuese, në funksion të arritjes së synimeve territoriale.

Është turp për Serbinë të sjellë forca ushtarake pranë kufirit të fqinjit të vet. Është turp për Serbisë t’i kanoset ushtarakisht një populli liridashës dhe paqedashës, që s’i ka borxh askujt në gadishull, që synon demokracinë dhe integrimet transatlantike. Është turp dhe e pakuptueshme t’u kanoset shqiptarëve dhe Kosovës ku eksporton mallra me vlerë mbi 400 milionë euro. Është turp për Serbinë të sjellë tanke dhe artileri në kufirin e një shteti ku ka kryer krime lufte dhe gjenocid. Serbi, a s’u ngope me krime?! Serbi, deri kur me krime?! Serbi, te ti mungon mendimi kritik, mendimi tjetëror. Mungon, ngase te ti sundon njëmendimi politik dhe ideologjik. Mungon, ngase mbizotëron politika autoritare, autokratike, tiranike, despotike, totalitare, bizantine, bolshevike dhe klerofashiste. Serbi, kështu nuk do të shkosh në Evropë!        

*   *   *

Më 27 shtator të vitit në vazhdim, me t’u kthyer nga Nju-Jorku, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u ndal në Prishtinë. U prit nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Po atë ditë, Rama u takua edhe me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin, me kryetarin e LDK-së, Lumiz Abdixhikun, me kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacollin, me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limën, me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn. Kur rrezikohen interesat jetike të kombit, shqiptarët janë të bashkuar. 

*   *   *

Konfliktet e brendshme në botën shqiptare janë luks. Shqiptarëve u duhet paqe dhe qëndrueshmëri dhe jo zënka, konflikte, animozitete, mosmarrëveshje apo aleanca ndërpartiake joparimore. Mosmarrëveshjet ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës janë të panevojshme. Të kota janë edhe mosmarrëveshjet midis Ramës dhe kryetarit të Shqipërisë, Ilir Metës. Mosmarrëveshje s’duhet të ketë as midis Lulzim Bashës dhe ish-kryeministrit, Sali Berishës.

Mosmarrëveshje dhe animozitete s’duhet të ketë as midis udhëheqjeve politike të Shqipërisë dhe të Kosovës. Dihet armiku i shqiptarëve. Kjo është Serbia. Para këtij armiku të rrezikshëm, zënkat, konfliktet, mosmarrëveshjet dhe animozitetet ndër shqiptarë janë të pakuptimta, absurde dhe të dëmshme për kombin. Në vendet demokratike, përplasjet e ideve, të pikëpamjeve apo të koncepteve politike bëhet me mjete politike dhe në rrugën demokratike, pra jo me fyerje apo me ofendime triviale e banale. 

Do të ishte mirë që ish-kryeministri Sali Berisha të largohet nga skena. Vendin e tij le ta zënë brezat e rinj. Për rolin dhe rëndësinë e tij në tri dekadat e fundit do të shkruajë historia. Historinë kombëtare shqiptare nuk e shkruajnë miliarderët majtistë globalë, as sekretarët e shteteve, qofshin ata të fuqive të mëdha. Bëmat e veta në periudhën e pluralizmit, Berisha mund t’i pasqyrojë në kujtimet e tij. 

Amerika është aleate e përjetshme e shqiptarëve. Të rrethuar nga hienat, shqiptarët në Ballkan janë të rrezikuar. Amerika dhe vetëm ajo, mund t’u dalë zot. 

Para rrezikut serb, shqiptarët kanë nevojë për unitet. Asnjë interes personal, qoftë edhe dramë personale nuk është mbi interesin kombëtar. Asnjë interes partiak, nuk është mbi atë kombëtar. Shqiptarëve u duhet pajtim, ashtu siç i ka mësuar Anton Çeta.  

Liderët politikë të Kosovës duhet të bashkëpunojnë me Tiranën zyrtare dhe jo të lidhin aleanca me kryetarë partish të Shqipërisë. Liderët e Shqipërisë duhet të bashkëpunojnë me Prishtinën zyrtare dhe jo të lidhin aleanca me kryetarë partish të Kosovës. Shqiptarët kudo që janë duhet të ndjekin politikë kombëtare dhe jo politikë individuale apo partiake. Politika e jashtme e Shqipërisë dhe politika e jashtme e Kosovës duhet të harmonizohen. Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë politikë të jashtme të harmonizuar dhe të përbashkët. Pikëpamja se Shqipëria ka politikë të jashtme të pavarur, është e diskutueshme. As Kosova s’duhet të ketë dot politikë të jashtme të pavarur. Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë politikë sigurie të harmonizuar dhe të përbashkët. Shqipëria dhe Kosova duhet t’i harmonizojnë edhe interesat në lëmin e ekonomisë. Shumë mallra dhe produkte që i importon Kosova nga vende të tjera, i prodhon edhe Shqipëria. 

Shqipërinë dhe Kosovën mund ta udhëheqin dhe ta çojnë para vetëm politikanët idealistë, me integritet, me vlera etike dhe me njohuri intelektuale të theksuara. 

*   *   *

Konfliktet brenda botës shqiptare janë pasojë drejtpërdrejtë të shkallës së ulët të zhvillimit ekonomik. Pa zhvillim ekonomik nuk ndërtohet sistemi demokratik. Pa ekonomi, nuk ndërtohet shteti ligjor. Zhvillimi ekonomik është kusht i zhvillimit të demokracisë, është kusht i ndërtimit të shtetit ligjor. Por, konfliktet brenda botës shqiptare janë edhe pasojë e mendësisë shqiptare. 

Shteti me shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik nuk ndërtohet me deputete që hyjnë në kuvend me kostume që kushtojnë 20 mijë euro, me çanta që kushtojnë pesë mijë euro. Nuk ndërtohet shteti me deputetë apo me ministra që kanë dosje me të kaluar të dyshimtë. Nuk ndërtohet shteti me djem që ngasin vetura të shtrenjta. Vetura luksoze, në një Shqipëri apo në një Kosovë jo mjaft të zhvilluar, për të mos thënë të pazhvilluar. Nuk ndërtohet shteti i varfër me femrat e estradës, që jetojnë në qiell dhe në yje. Krejt kjo, në një botë shqiptare me shumë probleme ekonomike dhe sociale. Para bijve dhe bijave të etërve që me dekada rrotullohen dhe enden në skenë, nuk mund të vijnë në shprehje talentet e vërteta të kombit, të cilët nuk janë bijë dhe bija të dikujt. Të rinjve të talentuar që s’janë bijë dhe bija të dikujt s’u mbetet tjetër pos të shpërngulen drejt Perëndimit. Ka rrezik që këtu të mbeten mediokret e privilegjuar. 

Shqipëria me dy dete, me potencial ujor të jashtëzakonshëm, me bukuri natyrore të rralla, me popull fisnik, bujar dhe mikpritës, e vizituar nga miliona turistë nga gjithë bota, nuk është e varfër dhe s’ka për të qenë e tillë. Po kështu edhe Kosova.   

Nuk krijohet kombi me telenovela spanjolle, braziliane apo turke që vërshojnë nëpër ekranet e studiove televizive. Shqiptarët duhet ta dinë se jeta nuk është telenovelë dashuriçkash. Tirana dhe Prishtina nuk janë qytete me dhjetëra milionë banorë. Në botën shqiptare shohim skena si në veprat e Uiliam Thekerit, të Balzakut apo të Dostojevskit.  

Udhëheqësit politikë të Kosovës duhet të ndjekin politikë racionale. Asnjë veprim s’duhet ta ndërmarrin pa u këshilluar me Uashingtonin. Shqiptarët duhet ta dinë se Uashingtoni nuk do të mbështesë një Shqipëri apo një Kosovë që s’e lufton korrupsionin në nivelet më të larta të politikës, që nuk i zbaton reformat në gjyqësi, që zvarrit procesin e ndërtimit të shtetit ligjor, që nuk punon për zhvillimin e ekonomisë dhe krahas kësaj edhe të demokracisë. Shqiptarët duhet ta dinë se shteti nuk ndërtohet me mikrovlera, me mikrosisteme dhe duke vepruar në mikrolan. Politika kombëtare nuk është punë ceremonish dhe ritualesh fetare.

Përparimi i shqiptarëve vjen nga Perëndimi dhe jo nga Lindja apo Orienti. Vetë kështu Serbia do të heqë dorë nga politika e saj forcës.   

  Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza Tagged With: Serbia, Xhelal Zenjeli

Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar

September 25, 2021 by s p

Albin KURTI


Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar. Sulmet e këtilla zjarrvënëse dhe kriminelët që i bëjnë ato nuk do të tolerohen. Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: Albin Kurti, kosova, Serbia

Kërcënimet serbe me luftë, dhe uniteti i munguar i faktorit politik në Kosovë

September 25, 2021 by s p

Skënder MULLIQI 

Masën e reciprocitetit, të arsyeshme nga ana e Kosovës për targat, Serbia dhe Vuqiqi janë duke tentuar ta shfrytëzojnë për ndarje të Veriut të Kosovës.Këtë e tha duke u ndërlidhur më Asociacionin presidenti i Serbisë nga Budapesti, Aleksandar Vuqiqi. Ai paralelisht është duke vepruar në planin diplomatik dhe është duke lëshuar zëra  për luftë. Është duke instrumentalizuar minoritetin serb në veri të vendit për këto qëllime. Serbët janë mësuar tashmë të qesin barrikada mbi lumin Iber. Edhe tash po i përseritin këto marifete të ndyta më barrikada në Jarinje, ku është tubuar një numer i tyre. Inskenuan së gjoja tre serb lokal janë rrahur nga njësitë policore të ROSU. Serbët janë të njohur për përdorimin e rrenave të tilla, për ti arritur synimet e tyre në këtë rast për formimin e “Zajednicës” siç kërkojë Vuqiqi. I gjithë spektri politikë në Kosovë, duhet urgjentisht të mobilizohen karshi kërcinimeve të Vuqiqit më helicopterët dhe aeroplanët ushtarak të prodhimit rus në brezin e vijës kufitare më Kosovën.Faktori politik duhet të flasin më gjuhë unike së në pyetje është ruajtja e sovranitetit dhe territorit të Kosovës, Serbia duket tashmë së është duke ia matur impulsion edhe bashkësisë ndërkombëtare në Veri. Pas tërheqjës së Amerikës nga Avganisitani,shumë kush nga zyrtarët e lartë të Serbisë dhanë deklarata, së Amerika mund të tërheqët edhe nga Kosova, edhe pse rrethanat politike dhe gjeostrategjike janë krejtë të tjera në Ballkanin Perëndimor, ku Amerika dhe Perëndimi kan interesa  strategjike afatgjate.Zërat për luftë dhe inskenimet serbe nuk duhet nënvlerësuar. Opozita ende po hesht dhe kjo tregon së nuk janë serioz sa duhet  edhepse situata në veri mund të eskalon për të keq, në tentimin serb për aneksim më forcë të veriut të vendit. Serbët e njohin gjuhën e forcës, kjo u pa më rastin e shpërbërjës së dhunshme të ish-Jugosllavisë. Edhe  Vuqiqi njeh vetëm gjuhën e forcës, dhe kur jemi këtu, Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi nuk guxojnë më lëshuar për asnjë millimeter pe. Mjaftë është bërë më poshtërsitë e vazhdueshme serbe. Shqiptarët nuk janë ata që po kërkojnë telashe , por nese është nevoja  ata dinë dhe duan të mbrojnë çdo pëllembë të territorit të Kosovës. Serbia e humbi luftën në vitin 1999, dhe në një luftë eventuale  më shqiptarët, do të pësojnë edhe më keq, së ju kan borgj shumë shqiptarëve si në njerëz, të mira materjale dhe më territore deri në Nish. Ata që koketuan më pushtetin shovinist të Vuqiqit,duhet të mendojnë mirë së anën e kujt po e mbajnë. Nuk do të këtë më tolerancë për lojëra politike dhe lojëra më territorët e shtetit të ri të Kosovës, siç u tentua të bëhën.

Filed Under: Opinion Tagged With: Konflikti ne veri, Serbia, Skender Mulliqi

Stjepan Mesiq: Serbia nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj

September 23, 2021 by s p

Stjepan Mesic (ehem. Präsident der Republik Kroatien), Foto: Stephan Röhl

Radio Evropa e Lirë

Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Stjepan Mesiq, ish-president i Kroacisë, komenton se tensionet në Mal të Zi të shkaktuara nga shugurimi i kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi janë të lidhura me synimet serbe për shtet të madh. Sipas tij, në Ballkan nuk mund të ketë ndryshim të kufijve. “Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, dhe as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj,” thotë ai për REL.

Radio Evropa e Lirë: A mund të shihet ajo që po ndodh në Mal të Zi si një çështje e brendshme fetare apo një çështje e politikës së jashtme, me implikime të qarta për rajonin?

Stjepan Mesiq: Ngjarjet në Mal të Zi janë çështje e tij e brendshme, por ka edhe implikime të tjera. Është e qartë se bëhet fjalë për ndërhyrje të Kishës në punët shtetërore – gjë që nuk është e mirë. Konkretisht, bëhet fjalë për ndërhyrjen e Kishës Ortodokse Serbe, të udhëheqjes së Kishës Ortodokse në Beograd, në çështjet fetare, por edhe në punët shtetërore të Malit të Zi. Në Mal të Zi është treguar se kjo nuk është vetëm ndërhyrje e Kishës, por, përmes Kishës, ndërhyn edhe politika – ajo politikë që dukej se ishte ndalur në rajonin tonë. Por, disa po e rikthejnë atë. Po e rikthejnë përmes mesazhit të “botës serbe”. Pra, kjo është vetëm një pjesë e asaj politike. Në Mal të Zi, sikur te të gjithë ne, Kisha është e ndarë nga shteti, por në Mal të Zi është specifike. Kisha Ortodokse Malazeze ka qenë autoqefale dhe këtë duhet ta dinë të gjithë. Shteti nuk duhet të ndërhyjë në punët e Kishës, as Kisha në punët e shtetit.

Radio Evropa e Lirë: Në përgjithësi, si e shihni politikën aktuale të Serbisë në rajon?

Stjepan Mesiq: E shoh nga një pikë kritike, për disa arsye. Të gjithë ata që merren me politikë, e dinë se ne mund të kishim kaluar pa luftë. Është shumë e qartë se Jugosllavia e Titos kishte tre faktorë kryesorë integrues. Një ishte Tito dhe karizma e tij si fitues i luftës pas Luftës së Dytë Botërore. Faktor i dytë ishte Partia Komuniste e Lidhjes së Komunistëve, që u prish me vullnetin e Sllobodan Millosheviqit dhe Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Dhe, faktor i tretë ishte Ushtria Jugosllave, e cila pushoi të jetë jugosllave, sepse sllovenët, shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët e lanë atë. Ajo u shndërrua në ushtri serbe dhe Sllobodan Millosheviq ishte i bindur se mund t’i arrinte qëllimet politike me atë ushtri. Qëllimi i tij politik nuk ishte as federata, as konfederata, ai ishte kundër kësaj. Millosheviq e ka mashtruar botën se lufton për Jugosllavinë. Bota ka qenë e ndjeshme ndaj Jugosllavisë për shkak të meritave të saj në dhe pas luftës. Millosheviq i ka mashtruar edhe serbët. I ka mashtruar sepse ka thënë: “Ju keni jetuar në një shtet, do të jetoni akoma në një shtet”. Ai nuk ka menduar në Jugosllavi, sepse atë e ka shkatërruar me të gjitha mjetet. Ai u ka thënë atyre: “Ju duhet t’i jepni dhunti Serbisë së Madhe në territore”. Kjo ka qenë politika e tij; 65 për qind e Bosnje e Hercegovinës, ndërsa nga të tjerët çfarë të mundet. Ai nuk e ka llogaritur Slloveninë. Në Slloveni nuk ka popullatë autoktone serbe. Për shkak të zhdukjes së faktorëve integrues, duhej arritur një marrëveshje e re politike. Kjo është ajo që nuk kemi arritur ta bëjmë. Si anëtar i Presidencës së Jugosllavisë dhe më vonë si kryetar i Presidencës, unë kam bërë përpjekje në çdo mënyrë që të gjej një marrëveshje të re politike. Ajo ishte konfederata. Sikur ta kishim arritur atë, do ta kishim shmangur luftën, sepse do të ishim pajtuar. Ajo do ta shpëtonte vendin në çdo rast; të gjithë elementët përbërës, të gjitha republikat do ta vazhdonin rrugën e tyre drejt Evropës më vete. Kështu kemi fituar “copëtimin” e Jugosllavisë në luftën e provokuar, që e donte Millosheviqi. Aty, ai ka gjetur bashkëpunëtor presidentin e Kroacisë, Franjo Tugjman, sepse edhe ai ka menduar se mund t’i zgjerojë pak kufijtë kroatë. Pra, përpjekja për të rënë dakord për ndarjen e Bosnjës ka qenë shkaku i vërtetë i luftës. Kemi pasur 100,000 të vdekur dhe kufiri nuk ka ndryshuar asnjë milimetër.

Radio Evropa e Lirë: A vëreni ngjashmëri në proceset e sotme në Mal të Zi, Bosnje, Kosovë me ngjarjet e fillimit të viteve ’90?

Stjepan Mesiq: Duket qartë se dikush nuk mund të çlirohet nga synimet për shtet të madh. Në vend që të luftojnë në vendin e tyre për më shumë të drejta civile, për standard më të lartë të jetesës, për më shumë punësim, për bashkëpunim më të madh midis vendeve të rajonit, ata përsëri ëndërrojnë për ndërhyrje të mëdha në kufij. Por, ndërhyrje në kufij nuk ka. Nëse nuk kanë qenë të mundura ndryshimet e kufijve në rajonin tonë, me 100,000 viktima, me aq armë dhe ushtri, çfarë budallai duhet të jetë ai që mendon se kjo mund të ndodhë tani? E gjithë bota, e mbi të gjitha Evropa, është kundër çdo shkeljeje të kufijve që ekzistojnë sot.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të ndikojë në rajon ajo që po ndodh në Mal të Zi? A mund të transferohet në rajon?

Stjepan Mesiq: Nuk do të përhapet në rajon, por do të ishte mirë që njerëzit në Mal të Zi të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se nuk ka ndryshim të kufijve. Sepse, në fakt, kjo është një përpjekje e Serbisë që, përmes fesë, ta bëjë atë që nuk ka mundur ta bëjë me politikën shtetërore. Kjo është përpjekja e fundit e disa qarqeve, nuk i akuzoj të gjithë. Këto janë iluzione dhe kjo nuk do të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: A kanë lidhje proceset negociuese mes Kosovës dhe Serbisë me atë që po ndodh në relacionin Podgoricë-Beograd?

Stjepan Mesiq: Vështirësia e rajonit tonë është se Serbia, si shoqëri, nuk ka pasur sukses në atë që kanë kuptuar gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk e kanë kuptuar se kanë ndjekur ide që kanë qenë të paarritshme. Gjermanët kanë ulur kokën. Serbia, për fat të keq, nuk e ka ulur kokën. Ajo e akuzon Millosheviqin, jo sepse ka shkuar në luftë, por sepse nuk e ka fituar luftën. Tani, disa nuk mund të pajtohen me faktin se kanë shkuar në rrugë të gabuar dhe se duhet të hapin bashkëpunimin me fqinjët e tyre. Askush në Serbi nuk guxon të thotë se Kosova është çështje teknike për Serbinë. Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, as nuk mund t’i imponojë Kosovës zgjidhje të saj. Rrëfimet se ajo është “zemra e Serbisë” ose “shpirti i saj” mund të sjellin disa kujtime, por gjërat duhet shikuar në kontekstin aktual. Serbia ka mundur të ketë një politikë ndryshe ndaj Kosovës. Në fund, Serbia ndoshta ka mundur të pranojë bashkëpunimin federal me Kosovën, marrëdhënie konfederale. Shumë ka mundur të bëhet. Por, pas luftës, e cila i është imponuar Kosovës, këto tani janë iluzione. Nuk ka më mundësi që të ndryshohet diçka në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.

Kosova është e njohur në masë të madhe. Të tjerët që nuk e kanë pranuar, do ta bëjnë këtë. Kjo shkon me rrjedhën e vet. Do të ishte mirë sikur të kishte më shumë informacione në Serbi, që shoqëria të kuptojë se politika e Sllobodan Millosheviqit ka qenë e gabuar dhe tani duhet pranuar realiteti. Dhe, realitet është pavarësia e Malit të Zi, pavarësia e republikave të tjera që janë bërë të pavarura pas rënies së Jugosllavisë, por realitet është edhe ekzistenca e Kosovës. Nëse Serbia, për arsye të brendshme, nuk mund ta njohë Kosovën, ajo mund të bëjë diçka tjetër. Mund të lejojë që në kufirin midis Serbisë dhe Kosovës të kalojë kapitali, qytetarët, kompanitë, të bëhet bashkëpunim ekonomik, njerëzit të mos kenë probleme për të kaluar kufirin, të stabilizohet… atëherë edhe zgjidhjet do të jenë më të mira./REL

Filed Under: Politike Tagged With: Serbia, Stipe Mesic

Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë….

September 21, 2021 by s p

-Kryeministri Kurti priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë

 -Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë.

PRISHTINË, 21 Shtator 2021- Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë: të ngarkuarin me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Nicholas Giacobbe, ambasadorin e Gjermanisë, z. Joern Rohde, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Abbott, ambasadoren e Francës, znj. Marie-Christine Butel, zëvendës-shefin e Misionit të Italisë në Kosovë, z. Ugo Ferrero, dhe Përfaqësuesin e Posaçëm e Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Tomas Szunyog.

Në këtë takim, u diskutua mbi vendimin e djeshëm rreth pajisjes me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti i informoi ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar dje dhe sot nuk ka pasur incidente. Ai tha se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase.

Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar, tha kryeministri, duke theksuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare. Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpiejnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet.

Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia, theksoi kryeministri Kurti.

Ai i njoftoi ambasadorët edhe për bisedën telefonike që ka pasur mbrëmë me Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Josep Borrell.

Ministri Sveçla tha se policët tanë janë në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Qytetarët serbë nuk kanë pse të ndjehen të frikësuar, potencoi ai. Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron e respekton të gjithë qytetarët pa dallim, tha ministri.

Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Albin Kurti, Serbia

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Në Philadelphia u organizua panairi shqiptar
  • “Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës”
  • 63 vjet Orkestra Simfonike e RTSH
  • Samiti i KPE në Tiranë – Liderët ndajnë vizionin për Europën, luftën në Ukrainë dhe integrimin në BE: “Së bashku në rendin e ri botëror”
  • “Le të ulërijmë”
  • SHËNIMI NDËRKOMBËTAR I 80 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË MAUTHAUSENIT
  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz
  • “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”
  • Kërkesat e Eqrem dhe Syrja bej Vlorës drejtuar Austro-Hungarisë për çështjen shqiptare në vitin 1904
  • “Scribi përballë medias së shkruar”
  • Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin
  • ALBTVUSA, NJE TELEVIZION I MBRUJTUR NGA ATDHEDASHURIA MBUSH 25-VJET

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT