• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Phillips: Derisa Serbia të tregojë vullnet, Kurti të mos shkojë në dialog veç për hatër

July 19, 2021 by s p

Qasja e re e kryeministrit të ri të Kosovës Albin Kurti në tavolinën e bisedimeve me presidentin serb Aleksandar Vuçiq po shihet si e duhura dhe e nevojshmja për Kosovën nga analisti amerikan David Phillips. Megjithë këtë ndryshim të rrjedhës së negociatave nga pala kosovare, Phillips nuk sheh marrëveshje që përfundimisht iu jep zgjidhje konflikteve mes kosovarëve dhe serbëve në një të ardhme të afërt. Por, për mossuksesin e tentativave për pajtim, ai gjen fajtore Serbinë dhe personalisht presidentin Vuçiq. Në një intervistë për portalin Klankosova.tv, profesori Phillips thotë se Kosova s’ka nevojë të nënshkruajë një marrëveshje që është në dëm të saj vetëm për hatrin e dialogut. “Siç ka treguar Kurti, Kosova ka problemet urgjente: vendet e punës, drejtësia dhe pandemia COVID-19. Kosova tashmë është vend i pavarur dhe nuk ka nevojë që të negociohet statusi i saj. Detajet për një njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohen. Derisa Serbia të tregojë vullnetin e mirë, kryeministri Kurti duhet të tregohet i kujdesshëm që të mos marrë pjesë në bisedime thjesht për hir të dialogut”. Për procesin njëdekadësh të dialogut, Phillips, i cili është edhe drejtor në Institutin e Paqes në Universitetin e Columbias në New York, pajtohet se bisedat janë më të mira sesa konfrontimet, por se atyre iu duhen ca rezultate. Për të arritur deri aty, analisti amerikan thotë se duhet të përfshihet më direkt shteti i tij, SHBA, duke emëruar një emisar presidencial që do të plotësojë emisarin europian, Lajçak, në përpjekjet e tij. Dhe involvimi i SHBA-së s’duhet të jetë vetëm emërimi i një emisari, por të ketë edhe njëfarë roli ndëshkues bashkë me BE-në për palën që nuk zbaton marrëveshje dhe pengon progresin në rrugën drejt gjetjes së paqes. “Një marrëveshje përfundimtare mund të ndodhë vetëm kur Vuçiq të kuptojë çmimin që do të paguajë për pengesat. Duhet të ketë një kosto për Vuçiqin personalisht nëse ai vazhdon të mohojë realitetin dhe të pengojë progresin”.

INTERVISTA E PLOTË:

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po rifillon. Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky proces s’është vazhdimësi i atij që ishte deri tash. A mendoni se Kosova duhet të ndryshojë rrënjësisht qasjen në dialogun me Serbinë?

David Phillips: Dialogu ka vazhduar për një dekadë. Të bisedosh është më mirë sesa të konfrontohesh, por bisedimet kanë nevojë për ca rezultate. Ka qenë në rregull fokusi në targat, diplomat, prefiksi, etj dhe BE-ja duhet të rishikojë detajisht implementimin e 33 marrëveshjeve ekzistuese. Sidoqoftë, qëllimet e negociatave kurrë s’u caktuan. Palët duhet të pajtohet që pavarësia dhe sovraniteti janë qëllime të negociatave. Ka ardhur koha që duhet fokusuar në çështje thelbësore dhe jo në ndërmarrjen e masave për ndërtimin e besimit.

Cili duhet të jetë pozicioni i Kosovës në tavolinën e bisedimeve?

David Phillips: Siç ka treguar Kurti, Kosova ka problemet urgjente: vendet e punës, drejtësia dhe pandemia COVID-19. Kosova tashmë është vend i pavarur dhe nuk ka nevojë që të negociohet statusi i saj. Detajet për një njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohen. Por, derisa Serbia të tregojë vullnetin e mirë, kryeministri Kurti duhet të tregohet i kujdesshëm që të mos marrë pjesë në bisedime thjesht për hir të dialogut. Kjo s’do të thotë bojkotim i bisedimeve, të cilat do të përdoren nga Serbia për të diskredituar Kosovën”.

Në takimin e parë njoftues që pati me presidentin Vucic, Kurti shkoi me katër propozime të reja. Si i patë ato?

David Phillips: Personat e zhdukur: Informacioni dhe gjetja e mbetjeve mortore janë thelbësore për të vazhduar përpara. Marrja e përgjegjësisë dhe kompensimi gjithashtu janë të nevojshme. Kryerësit e krimeve nuk kanë vend në tryezën e negociatave. Veljko Odaloviq dhe Zoran Andjelkoviq duhet të jenë në gjyq për dyshimet për krime e jo në takimet e Brukselit.

Tregtia: Bashkëpunimi ekonomik krijon bazën për ndërtimin e paqes dhe pajtimin për një periudhë afatgjate. Për të optimizuar përfitimet pozitive, marrëveshjet tregtare dhe zhvillimet në infrastrukturë nuk mund të jenë të njëanshme. Të dyja palët duhet të përfitojnë në mënyrë substanciale.

Pakti për paqe: Një marrëveshje zyrtare do të jepte një shenjë të qartë se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes negociatave dhe jo konflikteve të dhunshme.

Reciprociteti: Serbia duhet të mbrojë dhe promovojë të drejtat e pakicës së saj shqiptare barabartë me dispozitat për të drejtat e pakicave që ekzistojnë në Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e Ahtisaarit. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është i tepërt dhe nuk duhet të jetë fokusi i negociatave. Nevojitet një mekanizëm institucional për të monitoruar dhe zbatuar marrëveshjet e të drejtave për serbët e Kosovës, si dhe shqiptarët në Serbi.

Kurti para eurodeputetëve ka thënë se mungojnë autorët e dokumenteve që do të sillnin ide për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se BE duhet të ofrojë një zgjidhje konkrete për palët?

David Phillips: Serbia nuk do të njohë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës nëse nuk i bëhet presion. Në vend të negociatave të pafundme që nuk të çojnë askund, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të përcaktojnë detajet e një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare, më pas t’ia paraqesin atë të dyja palëve. Bashkëpunimi do të shpërblehet dhe pengesat do të ndëshkohen.

Cili duhet të jetë roli i SHBA-së në këtë proces të rinisur?

David Phillips: Bashkëpunimi transatlantik do të rrisë perspektivat për sukses. Për të përmirësuar arkitekturën e negociatave, SHBA duhet të përmirësojë diplomacinë e saj duke caktuar një të Dërguar të Posaçëm Presidencial për të plotësuar punën e Miroslav Lajçak. Pa angazhim më të fuqishëm të SHBA-së, s’ka gjasa që negociatat do të arrijnë diçka.

Sipas qëndrimeve të bëra publike edhe Kurti edhe Vuçiq kanë qëndrime shumë të kundërta. A mendoni se marrëveshja që do të sillte pajtimin përfundimtar mes kosovarëve dhe serbëve është afër?

David Phillips: Një marrëveshje përfundimtare mund të ndodhë vetëm kur Vuçiq do të kuptojë çmimin që do të paguajë për pengesat. Përtej kapitullit 35, i cili kushtëzon pranimin e Serbisë në BE me marrëdhëniet për fqinjësi të mirë, duhet të ketë një kosto për Vuçiqin personalisht nëse ai vazhdon të mohojë realitetin dhe të pengojë progresin. Ka dyshime se ai dhe vëllai i tij kanë pasuri të konsiderueshme të marra në mënyrë të pandershme nga bankat e huaja. Këto asete duhet t’i ngrihen derisa Vuçiq të pranojë të bashkëpunojë”.

David Phillips është  Drejtor në Institutin e Paqes në Universitetin e Columbias në New York. Shkrimi origjinal u botua në Klan Kosova

Filed Under: Interviste Tagged With: Albin Kurti, David Philips, Serbia

VAKSINA COVID, PËRSE FUSHATAT E HUNGARISË DHE SËRBISË SHKOJNË MIRË

April 4, 2021 by dgreca

-E NUK JANË TË PËRSËRITËSHME N’EVROPË–

Nga FEDERICO FUBINI/Përktheu Eugjen Merlika nga Corriere della Sera/

Një nga vështrimet më të habitëshme të kësaj vale të tretë të pandemisë n’Evropë është ai që regjimet më iliberale, shtypës e të korruptuar  tregojnë  – për çastin – përfundimet më të mira të vaksinimeve. Hungaria e kryeministrit Viktor Orban paraqet mbulesën më të lartë të Bashkimit evropian, 27 % të popullsisë  simbas Our World  në Data. Sërbia e presidentit Aleksander Vuçiç mund të lëvdohet me më të lartën e Evropës kontinentale, 34,1%. Sisteme të errët e autoritarë  mund të përpunojnë gjithmonë informacionin për t’u dukur më të mirë, por me gjasë në këtë rast nuk ka shkuar kështu. Të dhënat duken të vërteta. Fushata vaksinore e dy sistemeve të sunduar nga drejtues autokratë dhe nga një grup I vogël të shumëbesuarish e hajdutësh të natyrave të ndryshme, me të vërtetë po shkojnë përpara më shpejt. Në përpjestim, Italia, Franca ose Gjermania kanë mbuluar pak më shumë se sa gjysma e popullsisë në krahasim me Hungarinë e më pak se gjysma në ballafaqim me Sërbinë.

Vaksinimi falas për turistët në Sërbi

Qeveria e Beogradit duket aq e sigurtë në vetvete sa që në fundjavën tjetër, ka njoftuar një veprim relatash publike të menduar për të nxitur turizmin: jep vaksinime të menjëherëshme e falas për cilindo të huaj që paraqitet në qëndrat shëndetësore të Sërbisë. Në kufijtë e Bosnje – Hercegovinës, të Malit të Zi e të Maqedonisë së Veriut janë krijuar rradhë të gjata me familje të tëra, të gatëshme për të kaluar një pushim në Sërbi mjaft që të jenë të siguruar nga Covid-19. Albawings , një shoqëri e vogël ajrore low cost e Tiranës që fluturon për n’Itali, papritmas në fundjavën e fundit ka organizuar charter të përsëritur për fluturime të shpejta vajtje ardhje nga Beogradi.

Nuk është natyra e sistemit politik që siguron këtë efektshmëri të dukshme të autokratëve. Janë disa zgjedhje që Vendet e tjera të kontinentit e pjesa m’e madhe e popullsive të tyre, pothuajse gjithkund nuk do t’a pranonin: Orban e Vuçiç kanë blerë dhe përdorur Sputnik V e Sinopharm para se të kishin çfarëdo njofturije mbi efektëshmërinë e tyre e mbi sigurinë e tyre. Dy drejtuesit i tregojnë popullsive të tyre, të varfëruara e të traumatizuara nga pandemia, që nënështrimi ndaj mbrojtjes së Moskës e të Pekinit ka qënë i dobishëm. Megjithatë ende sot vaksina ruse nuk është autorizuar nga asnjë agjensi barnash perëndimore, ndërsa mbi vaksinën kryesore kineze mungojnë madje edhe studime paraprake të këshillueshme në pjesën tjetër të botës. Ndërkaq Orbani e ka vënë në përdorim. E Vuçiçi ka puthur flamurin kinez, duke pritur në Beograd një ekip të vogël mjekësh të dërguar nga Pekini.

Problemi i dozave

Bëhet fjalë për një model pamundësisht të përsëritshëm në pjesën tjetër t’Evropës. Do t’ishte edhe nëse në t’ardhmen Agjensia evropiane e barnave do të porosiste përdorimin e Sputnik V e do të kishte zbuluar diçka më shumë mbi Sinopharm-in që, deri tani nuk ka paraqitur kërkesë autorizimi n’Evropë. Vaksina ruse në fakt është në gjëndje të ketë një farë ndikimi në Vende relativisht të vegjël si Hungaria (më pak se dhjetë milion banorë) ose Sërbia (më pak se shtatë milionë), jo në Bashkimin evropian në tërësinë e tij, ose në Vëndet e tij të mëdha. Thjesht nuk ka një numur të mjaftueshëm dozash të Sputnik V për të bërë ndryshimin.

Përça e sundo

Siç vërente Fabrizio Dragosei në Corriere, Rusia nuk ka bioreaktorët dhe aftësitë industriale për të prodhuar vaksinën e saj; një pjesë e rëndësishme e përpunimit është shpërngulur në Hindi, e cila, së fundi, ka mbyllur kufijtë e eksportimit të dozave deri kur të ketë mbuluar së paku një të pestën e popullsisë së saj prej 1,4 miliard banorë. Sa i përket Sinopharm-it dhe vaksinave të tjera kineze,  bëhet i pamundur përdorimi në Vendet demokratike pa patur asnjë siguri mbi pasojat e tij. Pra Sërbia dhe Hungaria nuk janë një model. As për vaksinat. Megjithatë veprimi i marrëdhënieve publike të vëna në shenjë nga Pekini e Moska mbetet i fuqishëm. Është loja e lashtë e “përça e sundo”, e luajtur mbi truallin e kufijtë e Bashkimit evropian. Lajmërim – për atë që don t’i besojë – se nënështrimi Rusisë dhe Kinës sjell mbrojtje dhe siguri, veçanërisht për regjimet iliberale dhe drejtuesit e tyre.

Corriere della Sera, 31 mars 2021              

Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika- Federico Fubini- Corriere della Sera, Hungaria, Serbia, Vaksina

Sikur Serbia ta njihte Republikën e Kosovës…

February 27, 2021 by dgreca

Nga Prof. Dr. Mehdi HYSENI/

 *** Pa asnjë dilemë, kjo do të ishte më shumë në favorin e Serbisë sesa të Kosovës në kuptimin gjeopolitik .Për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Pishtinës, Serbia ka dy opsione kompromisi:

-E para, njohja de fakto dhe de jure e Kosovës, dhe e dyta, vazhdimi i Dialogut të Brukselit , ku Serbia veç Kosovës, do të humbiste edhe Kosovën Lindore.

 Nëse Beogradi zyrtar urgjentisht e njeh Republikën e Kosovës, do të ngadalësonte procesin e dekolonizimit të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës për një afat të pacaktuar; do të ndikonte negativisht në procedurën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, si dhe do t’i pengonte rrjedhat e procesit të bashkimit kombëtar dhe territorial të Shqipërisë Etnike në Ballkan. Kjo do të ishte fitorja më e madhe e Serbisë së : Aleksandar Vuçiqit (president), Ana Bërnabiçit (kryeministre) dhe Ivica Daçiqit (kryeparlamentar) në kontekstin gjeopolitik, gjeostrategjik dhe gjeoekonomik kundrejt  kombit shqiptar dhe Shqipërisë Etnike.

          Beogradi të kërkojë pezullimin e dialogut në Bruksel

Ndryshe, pa asnjë dyshim, Statusi politik i Preshevës, i Bujanocit dhe i Medvegjës, do të jetë temë qendrore e debatimit mes palëve negociuese  të Beogradit dhe të Prishtinës në Dialogun e Brukselit, i cili pritet të riaktivizohet pas formimit të qeverisë së Kosovës, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Anadaj, nuk ka dyshim se për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kusht numër 1, është që Beogradi zyrtar ta njohë Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës (17 shkurt 2008).

Me gjithë “kukamat” dhe “betimet” e deritashme të lidershipit të Serbisë (Alekasandar Vuçiq, president, Ana Bërnabiq, kryeministre dhe Ivica Daçiq, kryeparlamentar etj.), drejtuar opinionit  publik të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, se gjoja “Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën” (edhe pse realisht, de fakto dhe de jure Kosova është e humbur për Serbinë, ngase më nuk është koloni e saj e dikurshme, 1912-1999), BE-ja, Amerika dhe aleatët e saj evropianoperëndimorë, po kërkojnë pareshtur që Serbia ta njohë Republikën e Kosovës. Ndryshe, Serbia vetëm mund ta imagjinojë hyrjen në BE, asgjë më shumë.

Gjithashtu, Serbia, duhet të harrojë “shkëmbimin”, përkatësisht  “korrigjimin” e kufijve me Kosovën, pavarësisht se çka  janë dakorduar presidenti Vuçiq me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, qysh në vitin 2012  në Bruksel, duke nënshkruar marrëveshjen, që minoritetit kolon serb në veri të Kosovës, t’i lejohet fomimi i “Srspka zajednicës” , që do të thotë “Bashkësi e Komunave Serbe” (BKS).

Mirëpo, kjo marrëveshje e ashtuquatur Thaçi-Vuçiq, pothuajse qe 9 vite është “arkivuar”, duke qenë se Prishtina zyrtare përmes Kuvendit të Kosovës me arsye e ka hedhur poshtë si të pavlefshme, për shkak se de fako dhe de jure, do të mundësonte krijimin e një “Republike Serbe të Kosovës”, ashtu sipas “yrrnekut” të “Republika srpska” të Bosnjës. Formimi dhe legalizimi i një republike të këtillë serbe në Kosovë, në kuptimin gjeopolitik, do të nënkuptonte ndryshimin, përkatësisht copëtimin  territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, me efekt të teorisë  domino, që edhe Republika serbe  e Bosnjës, të kërkonte copëtimin territorial dhe shtetëror nga   Federata e Bosnjë-Hercegovinës, duke kërkuar bashkimin e saj me Republikën e Serbisë dhe me “Republikën Serbe të Kosovës”.

Mirëpo, ky ndryshim eventual gjeopolitik i territorit të Kosovës dhe të Bosnjës, pa asnjë dyshim se do të destabilizonte në tërësi Ballkanin, i cili edhe kështu ndodhet në një krizë serioze dhe të thellë për shkak se Serbia me çdo kusht po ngulmon, që të krijojë “Republikën Serbe” në veriun e Kosovës”, me qëllim që ta copëtojë territorin dhe shtetin e Kosovës.

  Njohja e Kosovës nga Serbia prolongon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Me gjithë përpjekjet e qeverisë së Serbisë për ta kthyer sovranitetin e  saj të dikurshëm kolonial në Kosovë, qeveria dhe kuvendi i Kosovës, patjetër, duhet të hedhin poshtë çdo marrëveshje a traktat të firmosur në kuadrin e Dialogut të Brukselit (2011-2018), me qëllim që të parandalojë copëtimin e territorit të Republik֝ës së Kosovës. 

Prandaj, presidenti Aleksandar Vuçiq së bashku me qeverinë dhe me kuvendin e Serbisë, duhet të heqin dorë nga “kukamat”, nga “betimet” , nga simulimet sentimentale dhe mitologjike kolonialiste etnocentriste, se kinse “Kosova është koka, zemra dhe  djepi i serbëve dhe i kish֝ës serbe”, duke qenë se pas pavarësimit të Kosovës (17 shkurt 2008), kjo gënjeshtër dhe ky falsifikat historik, nacional, kulturor, shtetëror e kishtar “ më nuk pi ujë” në kuptimin gjeopolitik, sepse Kosova është shkëputur nga Serbia kolonialiste dhe gjenocidale, është shtet i pavarur dhe sovran, që ka institucionet dhe organet e veta shtetërore, të drejtuara nga përfaqësuesit legjitimë dhe legalë shqiptarë dhe shtetas të tjerë. Së këndejmi,  në strukturat shtetërore qeverisëse të Republikës së Kosovës participojnë edhe përfaqësuesit e minoritetit serb (në qeveri, në parlament, në presidencë etj.). Kjo do të thotë se  Serbia  DE FACTO e ka njohur Kosovën.

 Në vend të dialogimit steril, njohje e ndërsjellë

Prandaj, nuk parapëlqehet që palët negociuese të Beogradit dhe të Prishtinës të kërkojnë vazhdimin e Dialogut të Brukselit, por thjesht të zbatojnë procedurën e njohjes reciproke të Serbisë dhe të Kosovës, ky do të ishte opsioni i kompromisit politik dhe juridik të pranueshëm dhe racional për të dyja palët.

Ndryshe, nëse  vazhdon Dialogu i Brukselit, pala negociuese shqiptare e Prishtinës, do të bëjë riformatizimin e axhendës së dialogimit në Bruksel  me palën serbe të Beogradit. Natyrisht, me ndryshimin e kësaj axhende, do të vinte në shprehje edhe pranimi i kërkesës së përfaqësuesve legjitimë dhe legalë të shqiptarëve të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, që  të përfshihen në procesin e negociatave të Brukselit. 

Kjo është edhe një arsye më tepër, që Beogradi zyrtar  ta njohë sa më parë të jetë e mundur Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës, në mënyrë që me këtë potez politik dhe diplomatik, Serbia do t’i  arrinte tri objektiva strategjike prioritare në marrëdhëniet gjeopolitike me shqiptarët: 

(1) Do të ngadalësonte procesin e dekolonizimit të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës për një afat të pacaktuar; 

(2) Do të ndikonte negativisht në procedurën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë;

(3) Do t’i pengonte rrjedhat e procesit të bashkimit kombëtar dhe territorial të Shqipërisë Etnike në Ballkan. 

Sa më sipër si politika, ashtu edhe diplomacia e Beogradit ka shans historik, që t’i normalizojë marrëdhëniet me  Prishtinën, nëse urgjentisht e njeh Republikën  e Kosovës, ashtu siurse 100 shtete të tjera të OKB-së, ndryshe ( pas pavarërsimit të Kosovës, më 17 shkurt 2008)  Serbia nuk ka gjasë minimale, që edhe më tej, t’i mbajë të kolonizuara territoret e aneksuara të Shqipërisë Etnike (Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën). Me një fjalë, me humbjen e Kosovës, njëherazi kanë humbur edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilat derisa Kosova ishte nën sundimin kolonial të Serbisë (1912-1999), ato  ishin vetëm  çështje e brendshme e Serbisë, jo as e Shqipërisë, as e Evropës dhe, as e bashkësisë ndërkombëtare.

Mirëpo, tash, nëse vazhdon Dialogu i Brukselit mes Beogradit dhe Prishtinës, pala negociuese e Kosovës, gjithësesi  do të kërkojë edhe përfshirjen  e përfaqësuseve legjitimë dhe legalë shqiptarë të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medevegjës. Kjo do të jetë hapi i parë i ndërkombëtarizimit të çështjes së pazgjidhur koloniale të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës.

Pra, për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, pala negociuese shqiptare e Prishtinës dhe e PBM-së, në dialogun e Brukselit, duhet të kërkojë  vënien e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës nën protektoratin ndërkombëtar të OKB-së, ashtu si pata kërkuar, që në vitin 2003 ( ribotuar më 2013, lexo në : https://www.botasot.info/opinione/207191/kosova-lindore-te-vihet-nen-misionin-paqesor-te-okb-se/) , të instaloheshin  kaskat blu të Kombeve të Bashkuara në në territoret e këtyre tri kolonive  shqiptare të Shqipërisë  Etnike lindore. Mirëpo, as politika e Prishinës, as  diplomacia e Tiranës, as u “lagën”  për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës Linndore. Përkundrazi, e patën kritikuar ashpër luftën kryengritëse të UÇPBM-së, ashtu sikurse luftën e UÇK-së.

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova, Prof.Dr.Mehdi Hyseni, Serbia

SERBIA I KA NDEZUR MOTORAT E LOBIMIT NË WASHINGTON

February 16, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli*/ Ka disa vite tashti që jam përpjekur të paralajmëroj për situatën në të cilin gjëndet sot, si komuniteti shqiptaro-amerikan ashtu edhe dy shtete shqiptare, përsa i përket lobizmit në Washington, në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.  Janë dy ngjarje të kohëve të fundit që e dramatizojnë këtë situatë edhe mëtej dhe bëjnë thirrje për veprim: njëra është largimi, Janarin që kaloi nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara, i njërit prej mbështetësve më të mëdhej dhe më të fundit të Kosovës, të Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi, ish-kongresmeni Eliot Engel, pas pothuaj tri dekadash në detyrë, duke pasur parasyshë se pothuaj asnjë nga mbështetsit e mëdhej të shqiptarëve dikurë në Kongresin amerikan, nuk janë më aty. Tjetra ka të bëjë me shtimin, kohët e fundit, të përpjekjeve lobiste të Serbisë në Washington dhe anë e mbanë Amerikës – e cila i sheh ndryshimet politike në kryeqytetin amerikan dhe humbjen e influencës së shqiptarëve, sidomos gjatë 10-15 viteve të fundit në Shtetet e Bashkuara, si një rast të volitshëm për të plotësuar, si të thuash, këtë hapësirë të zbrazët ndikimi në Amerikë sa i përket Ballkanit Perëndimor – ndërsa politikanët shqiptarë i kanë zenë ethet e zgjedhjeve dhe nuk duan të dinë se çfarë po ndodhë në rajon dhe në botë, përtej interesave të tyre personale dhe partiake — me të vetmin qëllim të ekzistencës së tyre politike dhe ruajtjes së pushtetit të tyre personal dhe të partive që ata përfaqësojnë.  

Komuniteti shqiptaro-amerikan bëri histori me lobizmin e mirë- organizuar gjatë luftës së ftohtë e veçanërisht gjatë luftës në Kosovë dhe ish-Jugosllavi — ndërsa shquhej si një prej forcave lobiste më të fuqishme në Washington, në një periudhë prej tre dekadash. Gjatë 10-15 viteve të fundit, me përjashtim të ndonjë individi aty këtu që mban kontakte personale me ndonjë antarë të Kongresit nga shteti ku jetojnë shqiptarët, nuk ka pasur ndonjë organizim as përqendrim serioz të vëmendjes për lobizëm në interes të çështjeve shqiptare në Shtetet e Bashkuara.  Një lajm i mirë i kohëve të fundit, përsa i përket kësaj teme, është krijimi i një organizate të re lobizmi nga komuniteti shqiptaro-amerikan, i quajtur Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA).  Një grup veprimtarësh shqiptaro-amerikanë, themelues të këtij kongresi, janë shprehur se, “KPA-ja është themeluar me qëllim që të promovojë vlerat dhe interesat e shqiptarëve dhe të amerikanëve, të përkrahë parimet demokratike dhe të mbrojë identitetin e shqiptarëve, sot dhe për brezat që vijnë”, thuhej në njoftimin për media.  Ata kanë premtuar gjithashtu se do të bashkëpunojnë me të gjitha organizatat ekzistuese shqiptaro-amerikane siç janë Federata Pan-Shqiptare Vatra, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Gazeta Illyria dhe Gazeta Dielli dhe organizata të tjera përfaqësuese të komunitetit në New York, Detroit, Dallas, Chicago, etj.  Ndonëse është në fazën fillestare të organizimit, KPA-së i urojmë sukses në këtë ndërmarrje fisnike.

Lobimi, siç dihet, është një ushtrim ligjor politik për influencë në Shtetet e Bashkuara që kontrollohet me ligj e që komuniteti shqiptaro-amerikan ka ditur ta përdor dhe të përfitojë në raste kur Kombi kishte më shumëse kurrë nevojë për ndihmën politike dhe ushtarake amerikane.  Deri më sot, fatkeqësisht, komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos nga pikëpamja organizative këto 10-15 vitet e fundit ishte më tepër si një spektator, pothuaj indiferent, ndaj zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse kështu duket se i konvenonte klasës aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë, megjithë zhurmën e madhe të tyre për bashkpunim me diasporën.  Krijimi me bujë të madhe i ministrive të diasporës disa vite më parë në Tiranë, Prishtinë e Shkup – në vend që të organizonte dhe të bashkrendonte veprimtaritë e emigrantëve shqiptarë në interes të çështjeve kombëtare, sidomos në botën perëndimore, në të vërtetë, duket se politikisht e ka çangazhuar, diasporën – diçka që më duket se vetëm tashti e kanë kuptuar diasporat shqiptare në perëndim.

Ndërkaq, shikoni se ç’po ndodhë muajt e fundit këtu në Shtetet e Bashkuara.  Shteti agresor Serbia, ka ndërmarrë një fushatë të re lobimi në Washington, sikurë do të përfitojë nga mungesa e veprimtarisë së shqiptarëve në këtë fushë.  Serbia nuk do ta ketë lehtë me administratën e re të Presidentit Joe Biden, i cili e di mirë historinë e konflikteve të fund viteve të shekullit të kaluar – dhe e cila e dallon mirë kush është agresori e kush janë viktimat e këtij agresori, sidomos në rastin e Kosovës.  Por, me një realitet të ri politik në Washington — me një administratë të re amerikane e që nuk pritet të jetë tepër miqësore ndaj Serbisë, duket se Beogradi zyrtar ka vendosur të shikojë nga e ardhmja sa u përket marrëdhënieve me Amerikën, pa u larguar asnjë centimetër nga qendrimet e tija anti-shqiptare në përgjithësi dhe kundër pavarësisë dhe njohjes së shtetit të Kosovës, në veçanti, duke i kushtuar këtij misioni lobues serb në Washington burime të mëdha njerëzore dhe financiare. 

Ndër masat e fundit që ka ndërmarrë Serbia për të shtuar influencën e saj politike dhe ekonomike, me qëllim të vendosjes së lidhjeve më të ngushta me Shtetet e Bashkuara janë disa multi-dimensionale, sipas një numri burimesh serbe dhe ndërkombëtare: Serbia ka blerë një ambasadë të re të madhe, simbol i një investimi të ri politik dhe ekonomik në Shtetet e Bashkuara, me një ambasador të ri, njërin prej bashkpuntorëve më të ngushtë të Aleksandë Vuçiqit dhe ish-Drejtor i Zyrës së Kosovës në qeverinë serbe nga viti 2013 deri në tetor të vitit 2020, Marko Gjuriq, i njohur mirë nga bashkbiseduesit shqiptarë në Prishtinë.  Ndër masat e fushatës së re diplomatike dhe ekonomike të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, përfshihet edhe hapja e zyrave të reja tregtare dhe konsullore, ndërkohë që Beogradi kërkon të shtojë lidhjet edhe me industrinë teknologjike amerikane, duke shpresuar edhe për një bashkpunim më të madh madje edhe në fushën ushtarake.  Një prej masave të kësaj fushate të re diplomatike të Serbisë është edhe rivendosja e lidhjeve më të ngushta me diasporën serbe në Amerikë. Si pjesë e kësaj fushate lobiste serbe në Shtetet e Bashkuara, sipas disa burimeve mediatike, personeli i ambasadës së Serbisë në Washington është rritur me 50%.  

Nuk është aspak e rastit që Vuçiqi ka dërguar si ambasador të Serbisë në Washington, Marko Gujriqin, njeriun e besueshëm të tij, i cili ka kryesuar Zyrën e qverisë serbe, përgjegjëse për Kosovën, për një periudhë prej pothuaj 10-vjetësh.  Për fat të mirë të Kosovës dhe për interesat shqiptare në përgjithësi — ambsadorit të ri të Serbisë në Washington dhe bashkpuntorëve të tij, do t’i duhet të përballet me administratën më mirë të informuar, ndoshta në histori, mbi çështjet e Ballkanit Perëndimor, në përgjithësi dhe mbi Kosovën, në veçanti. Sidomos duke marrë në konsideratë thirrjen e disa ditëve më parë të Presidentit Biden që Serbia të punojë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Kosovën, duke u përqendëruar në njohjen e ndërsjellët, diçka që Serbia deri tani është shprehur kategorikisht kundër.

Absolutisht, megjithë fushatën e re diplomatike serbe, ambasadori i ri i Serbisë në Washington, Marko Gjuriq nuk do t’a ketë të lehtë të bindë politikën amerikane se Serbia po ndryshon, sidomos, duke marrë parasyshë edhe lidhjet e ngushta historike dhe fetare të Serbisë me Rusinë, si dhe lidhjet ekonomike me Kinën komuniste, në rritje e sipër.  Por kjo nuk do të thotë – në asnjë kusht e në asnjë rrethanë – se komuniteti shqiptaro-amerikan duhet të vazhdojë të jetë vetëm një spektator ndaj zhvillimeve në rajon si edhe ndaj fushatës së re diplomatike dhe lobiste të Serbisë në Wshington – për të mos folur për rolin që do të duhej të luanin Tirana dhe Prishtina zyrtare, në bashkpunim dhe bashkrendim me njëra tjetrën. Deri më sot, një rol ky që, fatkeqësisht, nuk ekziston – as nuk duket të jetë një përparësi që mund të merret parasyshë në një të ardhme të afërt nga Shqipëria dhe Kosova në bashkpunim me njëra tjetrën dhe me diasporën për të bashkrenduar interesat kombëtare – afatshkurtëra dhe afatgjata — për tu mbrojtur, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Uroj që qeveria e re e Kosovës t’i marrë këto punë pak më seriozisht se në të kaluarën.

*Autori ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në Washington DC

Filed Under: Politike Tagged With: E LOBIMIT, Frank shkreli, I KA NDEZUR MOTORAT, NË WASHINGTON, Serbia

Serbia të dëgjojë thirrjet e Uashingtonit për njohjen e Kosovës

February 10, 2021 by dgreca


-Ministrja Meliza Haradinaj-Stublla, takim lamtumirës me Ambasadorin e deritanishëm të Malit të Zi, Ferhat Dinosha: Drejtimi Euro-Atlantik i Kosovës dhe Malit të Zi – vendimtar për sigurinë në Ballkan/

-Kryediplomatja e Kosovës tha se është mirë që Serbia të dëgjojë thirrjet e përsëritura të Uashingtonit për njohje reciproke, për t’i dhënë paqen e qëndrueshme rajonit dhe për të nisur një kapitull të ri të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu edhe me Malin e Zi dhe Bosnjën/

PRISHTINË, 10 Shkurt 2021-Gazeta DIELLI/

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla, zhvilloi sot një takim lamtumirës me Ambasadorin e deritanishëm të Malit të Zi, z.Ferhat Dinosha, i cili po e përfundon misionin e tij diplomatik në Kosovë.
Tema kryesore e bisedës ishte vazhdimi i bashkëpunimit të ngushtë midis dy vendeve tona, ku Ministrja Haradinaj-Stublla theksoi se mbarëvajtja e drejtimit Euro-Atlantik të Kosovës dhe Malit të Zi është vendimtare për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan.

Shefja e diplomacisë kosovare dhe Ambasadori Dinosha diskutuan për situatën aktuale politike e të sigurisë në vend dhe rajon, si dhe për raportet bilaterale midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Duke folur për këto raporte, Ministrja Haradinaj-Stublla tha se është e rëndësishme ruajtja e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të mirë midis dy vendeve përmes vazhdimit të projekteve të përbashkëta ndër-kufitare dhe infrastrukturore, siç është rruga Deçan-Plavë të cilat do t’i japin hov zhvillimit ekonomik lokal dhe lidhjeve ndërkombëtare të rajonit.
Në këtë takim ndërkaq, u vlerësua se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Malit të Zi mbesin të mira, dhe u potencua roli i komuniteteve respektive në fuqizimin e tyre.
Shefja e diplomacisë kosovare dhe ambasadori Dinosha diskutuan edhe për ri-funksionalizimin e Qendrës Zhvillimore të Malit të Zi në Prishtinë, për të cilën u tha se duhet të jetë në shërbim të të gjitha shoqatave të përfaqësimit të Malit të Zi në Kosovë, në të mirë të bashkëpunimit të ndërsjellë.
Duke folur për situatën në rajon, Kryediplomatja e Kosovës tha se është mirë që Serbia të dëgjojë thirrjet e përsëritura të Uashingtonit për njohje reciproke, për t’i dhënë paqen e qëndrueshme rajonit dhe për të nisur një kapitull të ri të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu edhe me Malin e Zi dhe Bosnjën.
Ministrja Haradinaj-Stublla shprehu falënderim të veçantë për Ambasadorin Dinosha për gjithë punën dhe angazhimin e tij në mirëmbajtjen e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Filed Under: Rajon Tagged With: Ferhat Dinosha, Mali i Zi, Melisa Haradinaj, Serbia

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 11
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË YLL SHNDRITËS NË YLLËSINË E KOLOSËVE BOTËRORË…
  • VOTA E VJEDHUR E KTHYER NË ART…
  • Shkollimi i femrës shqiptare në vitet 1913–1939: përpjekje, pengesa dhe arritje
  • Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nga “Fronti Europian në Frontin Kombëtar”. Çfarë mund të fshihet pas këtijë slogani?
  • Martin Camaj: “Unë jam i jueji e ju jeni të mijt…”
  • 34 vjet nga vizita e Baker. 500 mijë në shesh, tapet të kuq, makinën e ngritën në krah dhe në miting asnjë flamur shqiptar
  • Thank you Congressman George Latimer…
  • “Tre dritare dhe një varje” shpallet filmi fitues i edicionit të dytë të Festivalit të Filmit Shqiptar “Fan S. Noli” në Boston!
  • Festivali Shqiptar në Michigan
  • VATRA Boston mikpret Luan Ramën në një takim për kulturën dhe çështjet kombëtare
  • VOTA E GJAKUT …
  • “Çekani i mesnatës”, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth mbi operacionin e SHBA në Iran
  • “Parada Shqiptare 2025” – Shqiptarët e Amerikës u mikpriten në “shtëpinë” e kryetarit të Bashkisë së New York-ut Eric Adams
  • Shqiptarët e Amerikës, krenari kombëtare
  • Presidenti Trump i flet kombit – SHBA-të godasin 3 baza iraniane të programit bërthamor

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT