• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DEMOKRACIA E ORBANIT NUK PËLQEHET MË

June 19, 2021 by dgreca

Nga FEDERICO FUBINI-Përktheu Eugjen Merlika/

 Mbas pesëmbëdhjetë muajsh pandemie, as edhe burrat e fuqishëm nuk janë më ata të një kohe. Hapi i rëndë i Viktor Mihály Orbán-it, kryeministër i Hungarisë pa ndërprerje prej dhjetë vitesh, papritmas nuk është më aq i sigurtë. Dy vjet më parë ai kishte vepruar në mënyrë që të përzihej nga Hungaria Central Europan University, që është amerikan, liberal, i rëndësishëm e, mbi të gjitha, i pavarur nga pushteti politik. Asgjë e befasishme, për të. Nga ana tjetër në Hungari edhe mediat e opozitës e kanë të vështirë të gjejnë botues. Gazetat kryesore janë në dorë të një fondacioni të lidhur me qeverinë e çfarëdo figurë që bëhet e bezdisëshme për rrethin e kryeministrit është objekt i fushatave tejet të fuqishme të baltosjes.

            Jo shumë kohë mbasi kishte larguar Central European University, Orbani në të vërtetë ka paraqitur një alternativë: një fushë të pamasë në periferi të Budapestit për Fudan Univesity, kinez por i paguar me 1,5 miliardë të llogarisë publike hungareze. Jo një institucion akademik dosido. Në dhjetorin e vitit 2019 Fudani ka fshirë nga statuti i tij parimin e “pavarësisë e të lirisë së mendimit” dhe e ka zëvendësuar me “zotimin për të ndjekur drejtimin e partisë komuniste”. Së fundi Orbani e shpërbleu duke vënë veton, vetëm, mbi një deklaratë evropiane që kritikonte përndjekjen kineze në Hong Kong.

            Banorëve të Budapestit nuk u ka pëlqyer. Të shtunën me mijra kanë zbritur në rrugë për të kundërshtuar përdorimin e një pjese të gjërë të truallit komunal për kampusin e pafund kinez. Gergely Karácsony, kryetari 45 vjeçar liberal i bashkisë së Budapestit, e drejtuesi i pritshëm i opozitës në votimet politike të më pak se një viti, menjëherë ka marrë qëndrim. Rrugët për rreth truallit të dhënë për kampus janë pagëzuar me emrat “Rruga Liri për Hong Kongun”, “Rruga Martirët ujgurë” ose “Rruga Dalai Lama”. Ambasada kineze është ankuar, qeveria hungareze gjithashtu, por më së fundi Orbani është detyruar të lëshojë pe: projekti i Universitetit të Fudanit do t’i nënështrohet një referendumi ndërmjet banorëve të Budapestit. Pra, me gjasë nuk do të fillojë kurrë, sepse armiqësia në kryeqytet është shumë e përhapur.

            Nuk është rastësi që kryeministri hungarez fillon të tregojë shënja dobësie pikërisht tani. Për të parën herë të gjitha partitë e Opozitës janë bashkuar në një aleancë për t’a mundur në zgjedhjet politike mbas më pak se një viti dhe veprimi mund t’i a arrijë. Fidesz, partia e kryeministrit, në hulumtimet e fundit është dhjetë pikë mbrapa bashkimit të opozitave (45% me 55%) dhe hapësira për tani po vjen duke u zgjeruar. Nga ana tjetër Hungaria nuk del aspak mirë nga pandemia. Është Vendi që shënon zyrtarisht numurin më të madh të të vdekurve në botë mbas Perusë, në përpjestim me popullsinë. Rënia e ekonomisë ka qënë e ashpër dhe e zgjatur, shtresat e mesme janë varfëruar, ndërsa rrethi i miqve dhe familiarëve të Orbanit vazhdon të fitojë shumë prej tenderave më të pasur publikë. Luca Visentini, sekretar i përgjithshëm i Konfederatës evropiane të sindikatave, e përcakton Hungarinë e sotme “një oligarki iperliberiste simbas modelit rus”. Sigurisht gjatë pandemisë qeveria ka miratuar një dekret që fshin çdo lloj forme kontrate kolektive të punës nëpër fabrika e në sektorët publikë të arsimit e të shëndetësisë. Të gjithë punonjësit e atyre sektorëve mund të pushohen nga puna ose të ulen në detyrë për çfarëdo arsye, edhe se vetëm për pjesëmarrjen në një grevë. E cilido puntor që vendos të largohet nga puna më parë se të ketë plotësuar programin dyvjeçar të orëve të punës të paracaktuara, duhet t’i derdhë ndërmarrjes pagën përkatëse që do të duhej të kishte marrë n’atë periudhë. Në thelb, sikur t’ishte një skllav që duhet të paguajë për t’u liruar.

            Një numur në rritje i hungarezëve po arrin në përfundimin se modeli iliberal i Orbanit paraqet mbi të gjitha humbje. Kur t’a kuptojnë edhe admiruesit e tij n’Evropë e n’Itali, ndoshta nuk do të jetë shumë vonë.

            “Corriere della Sera”, 9 qershor 2021        Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: demokracia, Eugjen Merlika- Federico Fubini- Corriere della Sera

FRIKA NGA KINA VË N’UJDI BIDEN-in ME EVROPËN

May 30, 2021 by dgreca

Nga FEDERICO FUBINI-“Corriere della Sera”-Perktheu_Eugjen Merlika/

Në pak muaj, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi evropian po vihen në ujdi mbi pothuajse gjithshka në një mënyrë që dukej e pamendueshme një vit më parë. Thjesht, njëra mbas tjetrës, hallkat e marrëdhënieve ekonomike e tregtare ndërmjet dy blloqeve po kthehen në vënd. Në mars Washingtoni e Brukseli kanë pezulluar taksat e vendosura në vitet e shkuara nga të dy anët për debatin në lidhje me Airbus e Boeing. Në prill Joe Biden, i pari president amerikan që ka guxuar një gjë të tillë, ka propozuar një taksim të drejtë të të gjitha  shumëkombësheve Big Tech që sot i fshehin fitimet – edhe qeverive evropiane – në parajsat fiskale. Dje Janet Yellen, sekretarja e Thesarit e Biden-it ka vënë drushtën në 15 %. Është një shenjë që po bisedohet për t’arritur në një marrëveshje në korrik, në një takim të nivelit të lartë në Venetik ndërmjet njëzet ekonomive të para të planetit. Jo rastësisht kolegët evropianë të Yellen-it – Daniele Franco për Italinë, Bruno Le Maire për Francën, Olaf Scholz për Gjermaninë – kanë pritur shpejt me dobi lëvizjen e Shteteve të Bashkuara.

            Mbas katër viteve të tmerrshme të Donald Trump-it, të tjera shenja vërtetojnë se marrëdhëniet euro – amerikane po kthehen të shtruara. Të hënën Brukseli ka bërë të ditur se do të tërheqë taksat e vendosura për shpagim të atyre që ish tycoon-i kishte imponuar kundër çelikut dhe aluminit evropian. Të martën administrate Biden ka hequr sanksionet synuese kundër gjermanit Matthias Warnig, një ish agjent i Stasit, prej dhjetëvjeçarësh afër Vladimir Putin-it, që drejton ndërmarrjen e gazsjellësit Nord Stream 2 ndërmjet Rusisë e Gjermanisë. Të enjten europarlamenti ka varrosur traktatin e investimeve ndërmjet Kinës dhe Bashkimit evropian, që Angela Merkel e kishte dëshiruar fuqishëm e për të cilin Biden-i – para se të hynte në Shtëpinë e Bardhë – ishte zëmëruar fort. E tani eurodeputetët afër kançelares kanë votuar të gjithë kundër marrëveshjes me Pekinin.

            Në thelb evropianë dhe amerikanë po bëjnë lëshime të pafundme për njëri tjetrin për të gjetur një klimë besimi të ndërsjelltë. E është gjithmonë pak miope të mendohet se gjithshka i detyrohet një njeriu të vetëm, veçanërisht nëse ka një fytyrë e një emër të njohur. Por mbërritja e Mario Draghi-t në Pallatin Chigi e ka lehtësuar këtë shkrirje. Kryeministri italian flet shpesh me Yellen, me Biden dhe të dërguarin e SHBA për klimën John Kerry. Ka studjuar në një universitet të zgjedhurish të Bostonit, ka punuar në një bankë amerikane dhe është i besuar në Shtetet e Baashkuara kur siguron se do t’a mbajë Italinë – dhe Evropën për sa të mundet – në binarët atllantikë. Në shkëmbim Biden-i  dëshëron mbi të gjitha një front të përbashkët në shemërinë e SHBA me Kinën: jo shumë më tepër. Edhe për këtë nuk është e thënë që kthjellimi i tanishëm të jetë normaliteti i ri, i qëndrueshëm. Por tashti dielli këtheu të shkëlqejë mbi Atllantikun e Veriut.

            “Corriere della Sera”, 25 maj 2021     E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika- Federico Fubini- Corriere della Sera, Federico Fubini

VAKSINA COVID, PËRSE FUSHATAT E HUNGARISË DHE SËRBISË SHKOJNË MIRË

April 4, 2021 by dgreca

-E NUK JANË TË PËRSËRITËSHME N’EVROPË–

Nga FEDERICO FUBINI/Përktheu Eugjen Merlika nga Corriere della Sera/

Një nga vështrimet më të habitëshme të kësaj vale të tretë të pandemisë n’Evropë është ai që regjimet më iliberale, shtypës e të korruptuar  tregojnë  – për çastin – përfundimet më të mira të vaksinimeve. Hungaria e kryeministrit Viktor Orban paraqet mbulesën më të lartë të Bashkimit evropian, 27 % të popullsisë  simbas Our World  në Data. Sërbia e presidentit Aleksander Vuçiç mund të lëvdohet me më të lartën e Evropës kontinentale, 34,1%. Sisteme të errët e autoritarë  mund të përpunojnë gjithmonë informacionin për t’u dukur më të mirë, por me gjasë në këtë rast nuk ka shkuar kështu. Të dhënat duken të vërteta. Fushata vaksinore e dy sistemeve të sunduar nga drejtues autokratë dhe nga një grup I vogël të shumëbesuarish e hajdutësh të natyrave të ndryshme, me të vërtetë po shkojnë përpara më shpejt. Në përpjestim, Italia, Franca ose Gjermania kanë mbuluar pak më shumë se sa gjysma e popullsisë në krahasim me Hungarinë e më pak se gjysma në ballafaqim me Sërbinë.

Vaksinimi falas për turistët në Sërbi

Qeveria e Beogradit duket aq e sigurtë në vetvete sa që në fundjavën tjetër, ka njoftuar një veprim relatash publike të menduar për të nxitur turizmin: jep vaksinime të menjëherëshme e falas për cilindo të huaj që paraqitet në qëndrat shëndetësore të Sërbisë. Në kufijtë e Bosnje – Hercegovinës, të Malit të Zi e të Maqedonisë së Veriut janë krijuar rradhë të gjata me familje të tëra, të gatëshme për të kaluar një pushim në Sërbi mjaft që të jenë të siguruar nga Covid-19. Albawings , një shoqëri e vogël ajrore low cost e Tiranës që fluturon për n’Itali, papritmas në fundjavën e fundit ka organizuar charter të përsëritur për fluturime të shpejta vajtje ardhje nga Beogradi.

Nuk është natyra e sistemit politik që siguron këtë efektshmëri të dukshme të autokratëve. Janë disa zgjedhje që Vendet e tjera të kontinentit e pjesa m’e madhe e popullsive të tyre, pothuajse gjithkund nuk do t’a pranonin: Orban e Vuçiç kanë blerë dhe përdorur Sputnik V e Sinopharm para se të kishin çfarëdo njofturije mbi efektëshmërinë e tyre e mbi sigurinë e tyre. Dy drejtuesit i tregojnë popullsive të tyre, të varfëruara e të traumatizuara nga pandemia, që nënështrimi ndaj mbrojtjes së Moskës e të Pekinit ka qënë i dobishëm. Megjithatë ende sot vaksina ruse nuk është autorizuar nga asnjë agjensi barnash perëndimore, ndërsa mbi vaksinën kryesore kineze mungojnë madje edhe studime paraprake të këshillueshme në pjesën tjetër të botës. Ndërkaq Orbani e ka vënë në përdorim. E Vuçiçi ka puthur flamurin kinez, duke pritur në Beograd një ekip të vogël mjekësh të dërguar nga Pekini.

Problemi i dozave

Bëhet fjalë për një model pamundësisht të përsëritshëm në pjesën tjetër t’Evropës. Do t’ishte edhe nëse në t’ardhmen Agjensia evropiane e barnave do të porosiste përdorimin e Sputnik V e do të kishte zbuluar diçka më shumë mbi Sinopharm-in që, deri tani nuk ka paraqitur kërkesë autorizimi n’Evropë. Vaksina ruse në fakt është në gjëndje të ketë një farë ndikimi në Vende relativisht të vegjël si Hungaria (më pak se dhjetë milion banorë) ose Sërbia (më pak se shtatë milionë), jo në Bashkimin evropian në tërësinë e tij, ose në Vëndet e tij të mëdha. Thjesht nuk ka një numur të mjaftueshëm dozash të Sputnik V për të bërë ndryshimin.

Përça e sundo

Siç vërente Fabrizio Dragosei në Corriere, Rusia nuk ka bioreaktorët dhe aftësitë industriale për të prodhuar vaksinën e saj; një pjesë e rëndësishme e përpunimit është shpërngulur në Hindi, e cila, së fundi, ka mbyllur kufijtë e eksportimit të dozave deri kur të ketë mbuluar së paku një të pestën e popullsisë së saj prej 1,4 miliard banorë. Sa i përket Sinopharm-it dhe vaksinave të tjera kineze,  bëhet i pamundur përdorimi në Vendet demokratike pa patur asnjë siguri mbi pasojat e tij. Pra Sërbia dhe Hungaria nuk janë një model. As për vaksinat. Megjithatë veprimi i marrëdhënieve publike të vëna në shenjë nga Pekini e Moska mbetet i fuqishëm. Është loja e lashtë e “përça e sundo”, e luajtur mbi truallin e kufijtë e Bashkimit evropian. Lajmërim – për atë që don t’i besojë – se nënështrimi Rusisë dhe Kinës sjell mbrojtje dhe siguri, veçanërisht për regjimet iliberale dhe drejtuesit e tyre.

Corriere della Sera, 31 mars 2021              

Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika- Federico Fubini- Corriere della Sera, Hungaria, Serbia, Vaksina

DRAGI DHE MARRËDHËNIET E QËNDRUESHME ME SHBA – TASHMË ITALIA KA MË SHUMË RËNDËSI N’EVROPË

February 27, 2021 by dgreca

Nga FEDERICO FUBINI- Përktheu Eugjen Merlika /

Ishim lënë në prag të krizës së qeverisë me një përfytyresë simbolike të rolit evropian të Italisë e të politikës së saj të jashtëme. Vlen të  rikthehemi tek një çast, tani që u krye riti I kalimit ndërmjet Giuseppe Conte-s e Mario Dragi-t. Ishte 30 dhjetor 2020.

Mario Dragi/

            Angela Merkel, Emmanuel Macron dhe Xi Jinping lajmërojnë një marrëveshje historike mbi investimet mes Bashkimit Evropian dhe Kinës. Kancelarja merr pjesë si kryetarja e rradhës e BE. Francezi nuk kishte arsye institucionale për t’u dukur – ishte njëri nga 26 drejtuesit e tjerë të Bashkimit – por ishte i vendosur të mbante përshtypjen se pesha e tij politike n’Evropë është e barabartë me atë të Merkel-it. Sa i përket Italisë, ajo as që e kishte parë arritjen e marrëveshjes: pak ditë më parë e gjithë struktura e ministrisë së Jashtëme punonte qetësisht me bindjen se do të ishin dashur ende disa vite.

            Por ajo e Merkel-it, Macron-it dhe Xi-ut së bashku nuk është vetëm përfytyresa e parëndësisë, hija e së cilës po zgjatet gjithmonë mbi Italinë kur ai që e drejton nuk i luan më së miri letrat e tij. Ai çast do të mbetet edhe për një tjetër arsye që tani ka të bëjë me Mario Dragin. Ajo fotografi grupi me autokratin kinez zbulonte tërthorazi se Donald Trump-i nuk është e vetmja pengesë në marrëdhëniet ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara. Joe Biden e priti shumë keq zgjedhjen e evropianëve për të përmbyllur marrëveshje me Kinën më parë se sa ai, atëherë në pritje për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë, të kishte kohë për t’u shprehur.

            Këtu hyn në lojë qeveria Dragi, sepse kryeministri i ri njihet nga të tjerët drejtues evropianë, jo vetëm si njëri nga të pakëtit që është i sërës më të parë në fushën ndërkombëtare. Dragi ka edhe marrëdhënie më të ngushta se cilido në BE me shumë përfaqësues së majës në administratën Biden, tani që Trump-i ka shkuar por arsyet e tensionit mbeten. Nëse Shtëpia e Bardhë nuk vlerëson marrëveshjen e Brukselit me Kinën, n’Evropë shihet në strategjinë e “Buy American” të administratës së re një lëvizje mbrojtëse në dëm të furnizuesve gjermanë, franceza ose italianë. Nëse në Washington nuk pëlqehen kufizimet në eksportin e vaksinave nga Evropa, në Bruksel vihet re se tani për tani nuk është hequr asnjëra nga taksat e Trump-it kundër qindra prodhimesh evropiane për grindjen mbi Airbusin. E ndërsa Italia, Franca e Spanja vazhdojnë të detyrojnë taksa të jashtzakonshme mbi gjigandët e Big Tech, Biden-i nuk jep asnjë shenjë të pranimit të kompromiseve që lënë të pakënaqur financuesit e mëdhenj të Silicon Valley-t. Lista e mosmarrëveshjevet është e gjatë e sigurisht më e dukëshmja ka të bëjë me marrëdhëniet me Kinën. Macron-i dhe Merkel-i kanë rezerva të dukëshme mbi idenë e një “koalicioni të demokracive”, të propozuar nga Biden-i për të përmbajtur ngjitjen e Pekinit.

            Cili mund të jetë vendi i Dragit, që për qeverinë e tij synon në një strategji europeiste e filoatllantike? Jo ai i një ure ndërmjet dy brigjeve, edhe sepse askush nuk ka nevojë për ndërmjetës: gjithmonë një rol i dyshimtë ose, në rastin më të mirë, jo i frytshëm. Në të kundërt hapet një rast i rrallë për Italinë, të ketë rëndësi më shumë se sa lë të mendohet pesha specifike e Vendit në kuadrin ndërkombëtar. Merkel është në muajt e fundit si kancelare, ndërsa kujt do t’a pasojë në Berlin do t’i duhet kohë për të përcaktuar bindjet e tij. Macron-i pothuajse po hyn në fushatën presidenciale, të caktuar pak më shumë se pas një viti dhe është në një formë jo të shkëlqyer: në muajtë e fundit Marinë Le Pen, udhëheqësja e së djathtës skajore, për të parën herë që nga 2017 e ka kaluar në sondazhet mbi turnin e parë.

            As Dragi nuk ka një horizont qeverie të pakufizuar. Por ka prestigjin e tij, përvojën dhe marrëdhëniet globale, ka një vështrim të interesit evropian e të aleancës evro-amerikane që përfshin e siguron Italinë në shumë mënyra. Dragi do të ketë edhe kryesinë e G20 për gjithë vitin e do të ecë i rrethuar nga përceptimi që koha e tij në institucionet italiane nuk do të mbarojë me jetën e kësaj qeverie. Për të parën herë prej kohësh zëri i një italiani mund të vlejë njësoj – ndoshta më shumë – se ai i udhëheqësve të Vendeve të tjera më të qëndrueshëm e të sigurtë për vendin e tyre në botë. Një rast për të ndërtuar pak qëndrueshmëri e siguri në vete edhe këtu.

            “Corriere della Sera”, 15 shkurt 2021     Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika- Federico Fubini- Corriere della Sera, Federico Fubini, Mario Dragi, SHBA

TË VËRTETAT E PAPËLQYERA TË BE NË ERËN E RE TRUMP

February 21, 2020 by dgreca

Ndonjëherë disa lloj episodesh të vogla janë si një shqyerje  në rrjetën që zbulon se në çfarë gjëndjeje ndodhet sot Evropa dhe, brënda saj, Italia. Kush ndalet të vështrojë nëpërmjet asaj të çare do të shihte një fushë të gjërë dhe një skuadër – e jona – që ngulmon të luajë voliboll, ndërsa tashmë të tjerat, të pjesës tjetër të botës, po na përballojnë në një ndeshje madhështore regbije. Rrethanat janë të tilla që mediat ndërkombëtare i regjistrojnë në mënyrë të shpejtë, të palidhura ndërmjet tyre. Në Washington sapo u pushua nga puna një burrë që kishte qënë përcaktues në qëndresën financiare t’Evropës, edhe se shumë  njerëz nuk i a kanë dëgjuar kurrë emrin. Në të njëjtat ditë spanjoli Josef Borrel, nënkryetar i Komisionit, u shtrëngua të kërkojë ndjesë pse kishte thënë një të vërtetë të pahijshme mbi ndryshimin e klimës. Burri i pushuar në Washington  quhet David Lipton, ka një doktoratë ekonomie të Harvardit, ka punuar në administratat e Bil Clinton-it dhe Barak Obamës e, prej nëntë vitesh, ishte numuri dy i Fondit monetar ndërkombëtar. Në fakt për periudha të gjata ka mbarështuar gjithë organizatën.

            Lipton-i është vetë mishërimi i uashingtonasit ndërkombëtarist, i bindur që roli i saj në botë e detyron Amerikën të mbështesë miq dhe aleatë mbi bazën e vlerave, rregullave dhe institucioneve të përbashkëta. Në përfytyresën e tij Amerika është “qyteti që ndriçon përmbi kodër” – në citimin ungjillor të përsëritur nga John Fitzerald Kennedy, Ronald Reagan e Obama – frymëzim për pjesën tjetër të botës. Javën që shkoi Liptoni u përzu nga drejtoresha e përgjithëshme e Fondit, bullgarja Kristalina Georgieva. Arsyeja e pashpjeguar kurrë është se Shtëpia e Bardhë e Donald Trump-it ka ushtruar shumë trysni: “Është e vështirë të besohet se çfarëdo lloj organizimi i dobishëm për FMN, do të kërkonte daljen e David Lipton-it – ka komentuar ish kryetari ekonomist i Fondit, Olivier Blanchard – . Ikja e tij është një goditje e rëndë për institucionin”.

                Nga ana tjetër ky ishte objektivi: ai funksionar ishte caktuar nga një Vend, presidenti i të cilit nuk ka më asnjë interes për “qytetin që ndriçon përmbi kodër”. E ndërpreton leverdinë e vet në mënyrë tjetër. Për Trump-in Amerika  nuk është më as një model dhe as një garant për Evropën, dhe Evropa është një bashkësi fuqish të vogla që kanë si synim të nxjerrin përfitime në mënyrë të pandershme nga Amerika. Kjo e fundit është viktima – jo drejtuesja – e rendit ndërkombëtar që ajo vetë kishte krijuar dhjetëvjeçarë më parë. Heqja nga puna e Lipton-it është vetëm një tullë më shumë që Trump-i thërmon në sistemin e shumanshëm. Natyrisht, jo i pari: ka katandisur në paralizë Organizatën botërore të tregtisë, ka shpërthyer luftëra ekonomike të dyanëshme, ka nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga marrëveshjet e Parisit mbi klimën. Tani synon të tkurrë edhe rolin e FMN në rast të krizave të reja.

            Edhe shemëria trumpiane kundrejt Kinës së Xi  Jinping-ut e përjashton në fakt Evropën, sepse nuk bazohet mbi vlerat apo ideologjitë – bota e lirë kundër mbifuqisë autoritare – por është një përballim i thjeshtë pushtetesh mes dy udhëheqësve njëlloj kombëtaristë. Nga ana tjetër ky rend gjërash nuk do të ndryshojë rrënjësisht edhe nëse Trump-i në nëndor nuk do të rizgjidhet: deri edhe kandidati demokrat më i lidhur me botën e djeshme, ish nënpresidenti Joe Biden, bën me dije se nuk do t’i rikthejë taksat e njëanshme kundër Pekinit në ata nivele të ulta të kohës kur në Shtëpinë e Bardhë ishin Obama dhe ai vetë.

            Kjo nuk është më “bota e sheshtë” e librit të Thomas Friedman të 2005. Ndërpreja relative e tanishme e taksave nga ana e Shtëpisë së Bardhë po i jep pak frymëmarrje Evropës, asgjë më shumë: kjo mbetet një botë mbas liberale, plot pengesa të reja shkëmbimeve dhe logjikash të lashta fuqish. Nuk është më as koha e klintonianes “it’s the economy, stupid”, sepse për politikën nuk vlen më vetëm rritja, përkundrazi. Ndërmjet votuesve të Brexit shpallja e vetvetsisë  vjen më parë se leverdia materiale, e deri dhe Amerika ushtron kundër aleatëve fuqinë e vet tregtare – hyrjen tek dollari, ose tek tregu – si leva për t’i përthyer politikisht. Kush bën tregëti me Iranin është jashtë Wall Street-it. Kush blen rrjeta telekomunikacionesh nga kinezët rrezikon taksa kundër makinave.

            Në pamje të parë kjo botë nuk është m’e mirë se ajo e djeshmja, por sot është ajo në të cilën banojmë e në të Evropa duket si një e mbijetuar. Arkitektura e saj ishte vizatuar në mënyrë të tillë për t’a bërë të kishte mirëqënien në një sistem të globalizuar të mbajtur nga organet e shumanëshme, ku normat e ekonomisë vlenin për të gjithë e mbeteshin të ndara nga lufta mes fuqive në sajë të miratimit të elitave ndërkombëtare. Mund të kemi mall për atë botë, ose jo, por ajo nuk është më. E megjithatë Evropa ishte ndërtuar për të jetuar brënda saj. 

            Nuk ka sintomë më mizore se sa e ashtuquajtura “gafë” e Borrellit. Pak ditë më parë përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtëme të Brukselit, duke kujtuar caqet e ungjillizimit mjedisor t’Evropës në botë, tha : “ Do të më pëlqente të dinja nëse të rinjtë, që manifestojnë nëpër rrugët e Berlinit, duke kërkuar masa kundër ndryshimit klimaterik, a  janë të vetëdijshëm për kostot. Nëse kuptojnë se duhet të pakësojnë nivelin e tyre të jetesës për të shpërblyer minatorët polakë  të qymyrit që mbeten pa punë.”Borrell ka lënë të kuptohet se Evropa ka për të përballuar zgjedhje të vështira, nëse don të marrë rolin drejtues në botën që kërkon sot. Ka thënë se politika dhe fuqia nuk arrihen kurrë falas. Hapu o qiell: Komisioni evropian  zyrtarisht u shkëput dhe spanjoli u detyrua të kërkojë ndjesë se kishte folur për atë që quhet “sindroma Greta”; kishte guxuar të thotë një të vërtetë të papëlqyer në një Evropë të mësuar të jetojë e mbrojtur. Por një sistem që nuk duron të vërtetën është një sistem politik i dobët. Evropa sot nuk mund t’i a lejojë vetes.

*“Corriere della Sera”, 16 shkurt 2020   E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika- Federico Fubini- Corriere della Sera, Trump

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho “Artisja e Vitit 2023” Sonte në Operën Metropolitan
  • ASLLAN BUSHATI: “DIKTATI I ADM-ve NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”
  • Eksperimenti, Asociacioni/Bashkësia …!
  • Department of State Signals Pressuring Kosovo to Discuss the EU Proposal, Vucic “Drama Queen” Says President Osmani
  • ZGJEDHJET PRESIDENCIALE TEST PËR ATO PARLAMENTARE
  • Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Benjamin J.Correl
  • VATRA PROMOVOI “DIKTATI I ADM NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”, BOTIM I GJENERAL ASLLAN BUSHATIT MBI ARMËT BËRTHAMORE DHE SIGURINË KOMBËTARE
  • Biseda me Mjeshtrin e Fotografisë Roland Tasho
  • Deputeti i Parlamentit të Kosovës Prof. Besnik Tahiri mbajti fjalën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
  • ÇËSHTJA E KOSOVËS DHE ROLI I DIPLOMACISË NDËRKOMBËTARE NË PROCESIN E ÇLIRIMIT TË SAJ
  • ZËRI DHE FJALA MAGJIKE…
  • Nderim 179 vjetorit të lindjes dhe 104 vjetorit të vdekjes së Themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemal Vlora
  • Përse akoma në vend numëro?!
  • Njё arap Vlore qё quhet Otello
  • JU MIRËPRESIM SONTE TE VATRA

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT