Nga Jeton Selimi/
Do të ngjante një titull i goditur ky nëse nuk do ishte kaq i përsëritur. Kjo sepse Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon të bëjë çorap kampionatin, madje ende pa nisur. Pasi vendosi të ndryshojë formulën e kampionatit duke mos pyetur askënd, FSHF është ende e paqartë se kur do të nisi sezoni i ri. Kjo për dy arsye madhore:
1) Federata nuk di të organizojë garën kur situata del jashtë sezonit-tip.
Në FSHF diçka dinë ta bëjnë në mënyrë të mrekullushme: ç’organizimin. Nuk është hera e parë që qeveria e futbollit ngel si peshku pa ujë. Më herët, në kualifikimin e parë të Skënderbeut për në grupet e Europa League, një mail i ardhur nga zyra e shtypit në federatë, njoftonte mediat dhe opinionin ndër të tjera se: “Meqenëse Skënderbeu u kualifikua për në fazën me grupe të Ligës së Europës, do të shtyjmë kampionatin”! Dhe jo vetëm kaq, por u modifikua edhe kalendari i klubit korçar. Sa për kronikë, në sezonin 2015-2016, Skënderbeu luajti 5 ndeshjet e para radhazi në shtëpinë e vet duke ndryshuar kalendarin si mbështetje nga bota e futbollit shqiptar për arritjen e madhe. Por të rikthehemi sot. Federata nuk di ç’të bëjë pasi situata mund të përsëritet sërish. Në të vërtetë do të duhej një sforcim tej normales për Partizanin që të kalojë Astanën, por kjo nuk e ndryshon problematikën. Me garën në vend ç’do të bëhet? Përse duhet shtyrë? Fundja ata që arrijnë në sipërmarrje të tilla duhet t’i bëjnë llogaritë mirë në prag të sezonit. Por në federatë përtypen. E kanë bërë në të shkuarën dhe do ta bëjnë prapë.
2) Federata mbart gjithmonë me vete problematika nga sezonet pararendëse.
Nga më të voglat, nga më të rëndësishmet e deri te më skandalozet. Logjika që mbizotëron në FSHF është “çudia më e madhe tre ditë zgjat”. Këtu futen problemet me gjykimin, me transmetimin e ndeshjeve, licensimi i klubeve, afatet e transferimit të lojtarëve, siguria në stadiume dhe natyrisht më e rëndësishmja, mbyllja e hetimeve të çelura. Hetime të çelura për dhunë të paprecedentë ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe që hiqen zvarrë derisa të mbulohen nga pluhuri i harresës. Deri kur Donit të federeratës do t’i nevojitet t’i fryjë pluhurit për ta përdorur hetimin si kobure. Ndaj ato grushtet e shkelmat ndaj Kridens Metës duhet të marrin një përgjigje përfundimtare. Tifozi shqiptar duhet a kuptojë me firmë e me vulë se nëse quhesh Bylis, Kamza apo Tërbuni, zbret pa ashensor poshtë dhe nesë quhesh Tirana rri e sigurt duke bërë një lojë nëntësh pasi federatën e ka zënë “çel e mbyll” duke ia hedhur paq si në një tjetër hetim, atij në Kupë ndaj Bylisit.
Por kjo pak rëndësi ka, ejani o burra t’i fusim një të shtyrë kampionatin se këtë dimë ta bëjmë mirë. Madje më mirë sesa ndryshimin e formulës vetëm sepse kështu i teket shefit të madh…