Dr. Dritan Demiraj/
Para disa ditësh mora dhuratë librin: “Sfida dhe dinamika e Sigurisë Kombëtare” të përgatitur me shumë pasion nga Hyzri Salihu në Dardani, për të cilën e falënderoj. Autori analizon në detaje rreziqet, kërcënimet dhe sfidat në Ballkanin Perëndimor të lidhura me sejcilin prej vendeve në kuadrin e sigurisë së tyre kombëtare. Më pas ai analizon Ballkanin Perëndimor si një urë lidhëse midis lindjes dhe perëndimit, ku nga njëra anë si BE-ja dhe SHBA-të me të drejtë mbështesin integrimin euro-atlantik të këtyre vendeve, ndërkohë që nga ana tjetër aktorë si Federata Ruse dhe Kina përpiqen që nëpërmjet përdorimit të fuqisë së butë, projekteve ekonomike, mbështetjes diplomatike dhe aplikimit të luftës hibride me të gjitha format e saj, përpiqen të krijojnë kaos, shpërqëndrim dhe të dëmtojnë këtë integrim.
Më pas autori, analizon konceptin dhe elementët kryesorë të sigurisë kombëtare si dhe rolin, pozicionin strategjik dhe anëtarësimin e Republikës të Shqipërisë në NATO, në kuadër të sigurisë Ballkanike por jo vetëm.
Një element i rëndësishëm i librit, është nevoja e rritjes të bashkëpunimit në fushën e diplomacisë, sigurisë kombëtare, sigurisë energjetike, sigurisë ekonomike, ushqimore, etj midis Shqipërisë, Dardanisë dhe lidershipit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Ndërthurja e demokracisë, paqes dhe e sigurisë kombëtare, me qëllim përballjen me sukses kundër strategjisë serbe, e cila vitet e fundit ka qënë shumë agresive, antishqiptare dhe kriminale.
Në këtë këndvështrim, ai analizon të gjitha faktorët aktivë dhe pasivë duke analizuar në mënyrë të veçantë aplikimin prej saj të luftës të dizinformimit, luftes asimetrike, luftës hibride, luftës të shkallës së ulët dhe operacioneve kibernetike.
Së fundi, një element i rëndësishëm autori parasheh si determinant ndërtimin dhe forcimin më tej te bashkwpunimit me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe të Mbrojtjes, me qëllim përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Dardanisë në NATO, anëtarësim i cili do të ndalonte përfundimisht pretendimet territoriale, provokimet dhe sulmet terroriste të një shteti agresiv si Serbia.
Në fund autori e zgjeron spektrin e analizës më gjerë në rajon dhe në Lindjen e Mesme, duke analizuar situatën gjeopolitike globale dhe luftën që Ukrainë. Ai mendon se aleanca e Kinës me Federatën Ruse, Republikën Islamike të Iranit e cila gjithmonë e më shumë po sfidon haptazi politikën paqeruajtëse të SHBA-ve në Lindjen e Mesme, Korenë e Veriut fuqia bërthamore e të cilës po bëhet gjithmonë e më shumë shqetësuese në këtë rajon të botës duke kërcënuar drejtëpërsëdrejti sigurinë kombëtare të Japonisë, Koresë së Jugut, bazat amerikane në Oqeanin e Paqësorit por jo vetëm.
Për të gjithë ata që kanë interes në lëmin e sigurisë, mbrojtjes, gjeopolitikës, gjeostrategjisë, gjeoekonomisë dhe marëdhënieve ndërkombëtare në Lindjen e Mesme, kontinentin Europian, Amerikën e Veriut por jo vetëm ja vlen ta kenë këtë libër në biblotekën e tyre.