
Nga ANGELO PANEBIANCO
“Corriere della Sera”, 30 tetor 2021 Përktheu Eugjen Merlika
Të shumtë e të koklavitur problemet për një takim të vetëm të nivelit të lartë. Në takimin e G20 që u mbyll sot në Romë, ndërmjet bisedave zyrtare e private, u diskutua për Covid, klimë, energji, por edhe për Afganistanin, Mesdheun, bërthamoren iraniane, Afrikën.
Përtej deklaratave e ndonjë marrëveshjeje (global minimum tax) ajo që vlen më shumë është të treguarit opinionit publik botëror se disa Vënde, veçanërisht demokracitë perëndimore, janë ende në gjëndje të bashkëpunojnë ndërmjet tyre, edhe se dasitë mbeten. Shumë më tepër nuk mund të mëtohej. Mjafton të mendohet se presidenti Joe Biden ka mbërritur në Romë me një plan investimesh mbi welfare e kalesën ekologjike mbi të cilët nuk ka ende miratimin e Kongresit. Ose të mendohet se, në të gjitha temat, duke filluar nga klima dhe energjia, janë në lojë kundërshti interesash, edhe t’ashpra. E sa peshon shemëria ndërmjet fuqive të mëdha.
Takimi është edhe një rast për të përsiatur mbi marrëdhëniet ndërmjet demokracive dhe fuqive autoritare, të mëdha (Kina, Rusia) ose të mmesme që të jenë. Në kohën e Luftës së ftohtë demokracitë perëndimore jetonin në një botë “të thjeshtë”: ne këndej, ata andej. Atëherë perëndimorët, për t’i u kundërvënë BRSS, mund të mbështesnin (dhe e kanë bërë, posi) qeveri autoritare në Amerikën Latine, n’Azi ose n’Afrikë. Ajo mbështetje, në sytë e tyre, ishte e ligjëruar qoftë edhe me keqardhje, nga Realpolitika, ose më mirë nga fakti që duheshin ndërtuar diga për të ndaluar vërshimin e komunizmit sovjetik. Sot bota për perëndimorët është shumë më e ndërlikuar, siç tregojnë marrëdhëniet e vështira e të dyshimta që si Shtetet e Bashkuara po ashtu edhe evropianët mbajnë me fuqitë autoritare, me të cilat duhet të bashkëpunojnë për t’i mbajtur nën fre. Liaisons dangereuses, lidhje të rrezikshme.
Ndryshimet institucionale, politike e shoqërore tregojnë pikat e forcës por edhe të dobësisë së demokracive kundrejt fuqive autokratike. Demokracitë janë të lidhura nga respektimi i të drejtave të qytetarëve të tyre. Autokracitë duhet të ruhen nga revoltat periodike popullore. Qeveritë e demokracive janë të kushtëzuara nga humori dhe vullneti i zgjedhësve. Regjimet autoritare kanë mjetet për të përpunuar zgjedhjet (kur të jenë nëse do të jenë). Demokracitë shartohen në shoqëri relativisht të hapura, ku ndërmarrjet dhe shoqatat e çdo lloji veprojnë, brënda e jashtë kufijve kombëtarë, duke përsuar vetëm një kontroll të butë qeveritar. Regjimet autokratike ushtrojnë kontrollin politik, së paku në vijë të parimeve, mbi çdo vështrim të jetës ekonomike e sociale të Vëndeve të tyre. Këta ndryshime pasqyrohen në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Demokracitë kanë dy pika të mëdhaja force. Kur një demokraci është në rrezik, kur gjidet në luftë me fuqi autoritare, dhe në rrezik mësymjeje, ajo tregon një aftësi mobilizimi të qytetarëve për mbrojtjen e Vëndit, eprore në krahasim me atë që mund të shfaqin fuqitë autoritare të sipërpërmendura: në provat dramatike qytetarët (e demokracisë) janë të gatshëm të durojnë vetvetiu sakrifica më të mëdha se sa ato që durojnë, për shtrëngesë, shpesh të demoralizuar nënështetësit e autokracive. Pika e dytë e forcës është se shoqëritë e hapura (demokratike dhe perëndimore) kanë treguar aftësi të krijojnë lidhje ndërkombëtare – i ashtuquajturi globalizim – që shoqëritë autokratike nuk do të mundeshin kurrë të prodhonin (edhe nëse mund, shiko Kinën, të shfrytëzonin dobitë). Edhe G20 është bir i Perëndimit e prirjes së tij të hapur dhe përfshirës, përfaqëson një zhvillim të zanafillës G7. Ndoshta nuk është rastësi që dy fuqitë më të mëdha autokratike (Kina e Rusia) kanë marrë pjesë në takimin e Romës vetëm në videokonferencë.
Por janë edhe pikat e dobësisë. Demokracitë, siç thonte një vëzhgues i Tetëqindit, Alexis de Tocqueville, janë më pak të pajisura nga regjimet autoritare për të drejtuar me efektshmëri punët e tyre të jashtëme. Janë përjetësisht në mëdyshje ndërmjet kërkesave të detyruara nga shemëria e fuqisë dhe nyjeve të brëndëshme, nevojës për t’i u përgjigjur trupave zgjedhore të paqëndrueshëm. Autokratët, pa patur nyje të brëndëshme të fuqishme, mund të planifikojnë lëvizjet e tyre të politikës së jashtëme edhe afatmesme. Qeveritë demokratike lëvizin në horizonte kohore të ngushta, të përcaktuara nga kohët e afateve zgjedhore (dhe nga humoret popullore të zbuluar nga hulumtimet). Që këtej vjnë aq pasiguri e mëdyshje. Siç janë treguar nga tërheqja rrënuese amerikane nga Kabuli dhe pa-aftësia më e përgjithëshme e amerikanëve dhe evropianëve, për të përcaktuar vija të qarta veprimi kur duhet të përballojnë sulmshmërinë e regjimeve autoritare. Shkon mëndja tek vështirësitë për të përcaktuar disa lëvizje të despotit turk Erdogan, kryetar i një Vendi anëtar të NATO-s por edhe armik i Perëndimit. Ose si të ruhet aleanca strategjike, qenësore në Lindjen e Mesme me Arabinë Saudite, pa shkaktuar mospranimin e vetë opinioneve publike të tyre, nëse ai që e qeveris do të vendoste të vriste në mënyrë të padëgjuar – madje edhe në vetë Perëndimin – ndonjë tjetër kundërshtar (siç bëri në një konsullatë në Stamboll, viktimë gazetari Xhemal Kashogi). Ose si mund të bëhet front i përbashkët përballë politikës së re të fuqisë kineze që tashmë ushtrohet në shumë mënyra e në shumë tryeza. Qse si mund të ndalohet rish-imperializmi rus. Me që ra fjala: Putin-i e njeh historinë e modeli i tij është cari Pjetër i Madh (i jetuar në kapërcyellin e shekujve XVII e XVIII) me projektet e tij perandorake. Perëndimi e ka fshirë historinë, jeton vetëm me të sotmen e nuk din asgjë.
Në kohët e shkurtëra autokratët janë të favorizuar. Të shihet shpejtësia me të cilën Kina dhe Rusia kanë rritur ndikimin e tyre n’Afrikë. Mbas ndarjes evropiane të Tetëqindit, “përndarja” e ardhëshme e Afrikës do të jetë mes rusëve e kinezëve? Në kohët afat-mesme dhe afat-gjata pikat e forcës të demokracive mund t’i ndihmojnë ato. Veçanërisht mund t’i ndihmojë prirja e tyre për hapje (që megjithatë, për çastin, i nxjerr në pah në ndërhyrje të vazhdueshme e dashakeqe) e për përfshirje. Hapje e përfshirje që tregon edhe G20. Të hamendësohen mund të jetë, simbas dëshirës, frut i një optimizmi të tepruar ose të një realizmi jo krejtësisht të pathemeltë.
“Corriere della Sera”, 30 tetor 2021 Përktheu Eugjen Merlika