-Pak rreshta për piktorin e talentuar dhe mikun tim të vjetër/
nga Andon Dede, Nju York/Edhe pse shumë larg Atdheut, ndjek me aq sa mundem veprimtaritë kulturore-artistike që zhvillohen atje, veçanërisht kur është fjala për miq e të njohur. Kështu, kohë më parë, u informova se piktori i talentuar e miku im i vjetër, Llambi Blido, kishte hapur një ekspozitë personale, duke përfshirë në të edhe punime të kohëve të fundit kur ai thuajse ka humbur shikimin, gjithmonë sipas njoftimeve të Medias. Pra, ai vazhdon të pikturojë, duke sfiduar si rrallëkush fatkeqësinë që e kapi, sigurisht pa patur asnjë faj.
Por, kjo ishte vetëm një nga sfidat e shumta të jetës së tij, kujtimi i të cilave më bëri të shkuaj këto radhë, jo thjesht për respekt ndaj tij, por dhe si një mesazh për tërë ne, që shpesh mërzitemi, bëhemi pesimistë e dorëzohemi jo nga fatkeqësi të këtyre përmasave, por shumë më të vogla e që mund e duhet t’i përballonim pa u ankuar. Duke u shprehur me gjuhën e pikturës, më duhet të pohoj se nuk marr përsipër të bëj portretin e tij por vetëm të hedh për të disa penelata thjesht personale.
E kam njohur Llambin më shumë se gjysmë shekulli më parë, kur ishim të dy nxënës të shkollës së njohur e me tradita, Politeknikumit “ 7 nentori”, madje edhe në të njëjtën degë, Gjeologji. Ai qe dy vite më lart.
Qe nxënës shumë i rregullt dhe merrej me veprimtari shoqërore, por me një përkushtim të atillë që e ndeshje rrallë apo dhe hiç fare, ndër nxënësit e tjerë. Po e ilustroj këtë me një episod fare të vogël.
Po zhvillohej një mbledhje e përgjithëshme me kolektivin e konviktit, lidhur me punën e këshillit dhe rolin që duhet të kishte në mbarëvajtjen e punëve organizata e Rinisë pra, një nga mbledhjet rutinë që shumica jonë e përjetonin me bezdi e mezi prisnim të mbaronte. Pas raportit, nisën diskutimet. Nuk mungonin as atëhere disa tipa që diskutonin në çdo mbledhje. Për ta nuk kishte rëndësi se ç’thoshin, por mjafton që të evidentoheshin e të tregonin se me demek qenë të shqetësuar për punët e konviktit. Pas disave, e mori fjalën dhe Llambi. Ndryshe nga të tjerët, ai qe përgatitur me shkrim, në disa fletë, dhe foli me shumë seriozitet e ngriti një sërë problemesh që nuk i kishte prekur asnjë. Gjithë sa tha, kontrastonte krejtësisht me parafolësit. Dukej që ishte përgatitur prej kohësh për këtë mbledhje. Megjithëse diskutoi relativisht gjatë, serioziteti dhe sinqeriteti i tij iu imponua gjithë auditorit, qoftë nxënësve, po ashtu dhe autoriteteve të shkollës.
Qysh në atë kohë spikati dhe talenti i tij për të pikturuar. Por, në ato vite ai tërhoqi vëmendjen edhe për diçka tjetër: qarkullonin llafe, poshtë e lart, se dashuronte një vajzë nga dega Elektrike, gjë që bënte përshtypje në atë shkollë, thuajse maskiliste e ku nxënëset/femra numuroheshin me gishta. Kureshtja nxitej dhe më tej kur kishim parasysh jo vetëm Llambin e urtë e të rregullt por dhe vajzën kokëulur, që sikur nuk ta linte përshtypjen se do të qe aq e guximshme sa t’i përgjigjej propozimeve të mundëshme në atë moshë. Por, koha tregoi se gjithçka e thënë si thashethem, poshtë e lart, qe e vërtetë. Llambi u fejua e u martua me të. Theksoj edhe një herë se të dy palët gëzonin respektin e gjithë atyre që i njihnin. Kjo qe dhe një nga sfidat e para që i njoha atij.
Mbas mbarimit te shkollës nuk pata rast ta takoja për vite me radhë. Unë punova si teknik gjeolog në Mirditë e ai, me sa mora vesh, kishte shkuar me studime jashtë shtetit, në Bashkimin Sovjetik, gjë që e ëndërronte secili prej nesh në atë kohë. Kjo nuk më habiti se ai e meritonte: Politeknikumin e mbaroi me medalje të artë. Por, ajo që më befasoi, ishte fakti që po studionte jo për gjeologji, por në Fakultetin e Grafikës të Akademisë së Arteve “Rjepin”, në Leningrad,(Shën Petërburg). A nuk përbënte dhe kjo një sfidë tjetër të të admirueshme të tij?! I lumtë!
Një ditë prej ditësh, shoh në revistën “Hosteni” disa karikatura me siglën e autorit “BlidoR”. Mua m’u kujtua Llambi, madje edhe më shkoi mendja se mos është ai, por nuk isha plotësisht i sigurt. Sigla në fjalë nisi të duket përherë e më shpesh nëpër faqet e “Hostenit” apo dhe në organe të tjera. Pa shumë vështirësi, mora vesh se nuk isha gabuar: autori i karikaturave ishte pikërisht Llambi.
Prishja e marrëdhënive me Bashkimin Sovjetik, si për shumë e shumë studentë të tjerë, bëri që dhe Llamb të mos i përfundnte dot studimet atje. Por, me hapjen e Institutit të Lartë të Arteve Figurative, Llambi, në mos gabohem, qe ndër studentët e parë të tij. Njihja disa syresh të cilët më flisnin gjithë respekt për të, si talent e si njeri. Vitin e fundit, kur po përgatiste punën e diplomës, u sëmur dhe nuk e mbaroi dot. Unë u ndodha në mbrojtjen e tyre, ceremoni që u zhvillua në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, që ishte pranë Teatrit Popullor. Llambi kishte zgjedhur si temë një subjekt nga bota e fëmijve. Oponent qe Kujtim Buza i cili dha vlerësime të larta për pikturën e pambaruar të Llambit. Madje edhe e theksoi që, ndonëse e pambaruar, në të duket artisti e mjeshtri dhe propozoi që të vlerësohej me notën më të lartë, siç edhe ndodhi, duke rigjistruar kështu, në memorien time, një sfidë tjetër të tij.
Gjatë viteve të mëvonëshme takoheshim herë pas here me Llambin, diskutonim për Letërsinë e Artin apo dhe për jetën në përgjithësi. Kishim të njëjtin mendim për problemet e vështira e herë herë edhe të papërballueshme të realitetit që po jetonim. Vija re se kishte mbetur po ai tip i ndjeshëm që pata njohur dikur, në shkollën e mesme. Përveç se qe pak shëndetlig i duhej të përballonte dhe vështirësi ekonomike.
Në një konferencë të Talenteve të Reja, ku u ndodhëm të dy, pati diskutime nga më të larmishmet, disa lakonike e të tjera tepër të gjata, sa që salla mezi po i duronte. Sidomos një poet i ri e çmendi sallën fare, duke folur e folur pa pushim, mbase rreth një orë apo edhe më tepër. Kur i thashë Llambit opinionin tim për këtë, ai ma ktheu, duke dhënë një mendim krejt të kundërt:”Jo, më tha, ai ngriti probleme të rëndësishme, pavarësisht se u zgjat pak…”. E solla këtë episod për të ilustruar gjithë sa thashë më lart se Llambi kishte përherë mendimin e vet, sado kundër rrymës që mund të ishte ai.
Sa herë që hapeshin ekspozita të arteve figurative, ndalesha posaçërisht tek punimet e tij, që tërhiqnin vëmendjen për orgjinaliteitn e tyre. Kur mora vesh se kishte hapur një ekspozitë personale, nxitova për ta vizituar. Pikturat më pëlqyen, por dhe çmimet m’u dukën pak të larta. “A ke shitur ndonjë?”, e pyeta. “Jo, më tha, nuk kam shitur.” Mbase nuk duhej bërë ajo pyetje apo edhe mund të mos e përmendja këtu, por e bëra këtë jo pa qëllim: për të treguar se ai kishte ngelur po ai i shkollës së mesm, që nuk dinte të shtihej e pse jo, edhe të gënjente e të mburrej, siç bëjnë zakonisht njerëzit, veçanërisht artistët e sportistët.
Perveç si piktor, Llambi Blido njihet edhe si estet arti. Në vitin 1999 përfundoi monografinë “Shkolla ruse e Arteve Figurative dhe kontributi i saj i drejtpërdrejtë në shkollën shqiptare të Pikturës, Skulpturës dhe Grafikës”. Botoi, ndër të tjera, dhe një libër për lexuesin e gjerë se si ta shohim, kuptojmë e vlerësojmë një vepër të arteve figurative, të cilën e lexova me shumë interes e më pëlqeu. Botova dhe një recension për të në “Zëri i Popullit”, duke ndjerë kënaqësi që po i bëja një shërbim sado të vogël një njeriu të mirë e artisti të talentuar e të ndershëm si Llambi. Edhe atij iu bë shumë qejfi e më ftoi për një kafe. Disa herë më pat premtuar se do të më falte ndonjë nga punimet e veta, për miqësinë që kishim por, as ai nuk u kujtua dhe as unë nuk ia zura më në gojë ndonjëherë.
Aty nga fundi i 2002-së, siç e përmenda dhe në fillim të shkrimit, lexova një informacion në një gazetë se ishte keq me shëndet dhe dikush duhet ta ndihmonte. Rrezikohej të verbohej fare, se vuante nga sytë. Sa keq më erdhi! Njerëzit e mirë si ai kanë vuajtur e do të vuajnë përherë se nuk ua hyjnë dot rrugëve të tërthorta për të përballuar po me aq sukses, si në Art, betejat në xhunglën e jetës. Sa e tmerrshme do të ketë qënë kjo goditje për të! Shumë kush ndoshta do të dorëzohej, do t’i flakte tej penelat por Llambi nuk u dorëzua, e sfidoi edhe kësaj here jetën: ai vazhdoi të pikturojë, sado e pabesueshme që të duket kjo. “Për atë që ka njohur magjinë e krijimit nuk është e lehtë të heqë dorë nga krijimtaria, do ta gjejë mënyrën për të shprehur botën e brendëshme, për të dhënë mesazhe me atë gjuhën e artit – thoshte ai në një intervistë. – Errësira, gjëja e parë që bën është të të godasë vetëbesimin. Lëkundesh në mundësitë e tua dhe kjo duhet përballuar, të gjesh mënyrën për shprehur atë që përfytyron…”.
Dhe Llambi e gjeti vërtet, duke i shtuar biografisë së vet një tjetër sfidë. Ai ka hapur tërë ato ekspozita personale. E fundit daton në shkurtin e 2016-ës, në Galerinë e Arteve, me 24 vepra, ku nuk mungojnë edhe nga ato të realizuara pas humbjes së shikimit.
Po nga kronikat e Medias për të, mësova se ai jo vetëm krijon por atje, në atë apartamentin e vet të ngushtë, ka gjetur hapësirën e nevojshme për të dhënë mësime private në pikturë. Me ndihmën e djalit të tij, – vazhdon kronika, – ai mundohet të japë maksimumin e mundshëm për këta fëmijë. As që e vë në dyshim një pohim të tillë. Por, unë do të shtoja se përballimi nga ana e tij i tërë këtyre sfidave të jetës, sidomos kësaj të fundit, na ka dhënë e po na jep një leksion të fuqishëm gjithë neve.
Përmes këtyre rreshtave, i uroj jetë të gjatë e suksese në të mirë të tij, të famijes e pse jo dhe të Artit, si një zë orgjinal e njëkohësisht si një luftëtar i pamposhtur, sidomos për sfidën e fundit që po e përballon burrërisht.
Nju York, 18 prill 2017