Nga Sokol PAJA – DIELLI/
Dr. Edvin Zekaj, neurokirurg në spitalin “IRCCS Galeazzi” – Milano, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, situatën e Italisë si vendi i parë në Europë i prekur nga pandemia dhe sfidat e kirurgjisë gjatë kësaj periudhe, vështirësinë e realizimit të kirurgjive në pacientë të infektuar dhe si ndikojnë negativisht veshjet dhe masat anti covid në lëvizjet dhe manovrat kirurgjikale. Neurokirurgu Edvin Zekaj shpjegon se në valën e parë të përballjes me pandeminë Sistemi Shëndetësor në Itali ishte i pa përgatitur për pandeminë dhe kjo ndikoi negativisht në cilësinë e shërbimit të reparteve e kirurgjisë. Reagimi i parë i sistemit shëndetësor ishte ndërprerja e ndërhyrjeve dhe vizitave për sëmundjet jo urgjente dhe kjo shkaktoi një mungesë shërbimi për një numër të lartë pacientësh. Një problem tjetër shpjegon imtësisht neurokirurgu Edvin Zekaj, ishte transferimi në “kohën e duhur” i pacientëve me probleme urgjente nga një spital në tjetrin. Në transferim kërkohej rezultati i tamponit e cila sillte një tejzgjatje të kohës së transferimit. Një problem i veçantë ishte trajtimi i pacientëve Covid pozitivë. Neurokirurgu Zekaj qartëson se cilësia e shërbimit u përmisua në momentin që u zhvilluan protokolle të qarta për manaxhimin e pacientëve. Në lidhje me protokollet e ndjekura dhe organizimin e strukturës dhe menaxhimin e pacienteve Neurokirurgu Edvin Zekaj shpjegon se u krijuan disa protokolle në spital të cilët ndahen në: Protokolle të shërbimit kirurgjikal në urgjencë, Protokolle të shërbimit kirurgjikal jo urgjente dhe Protokolle të trajtimit kirurgjikal dhe jo kirurgjikal të pacientëve Covid pozitiv. Rreth infektimeve në personelin shendetësor dhe ndikimi i tyre në ecurinë e ndërhyrjeve kirurgjikale Dr. Edvin Zekaj shpjegon për “Diellin e Vatrës në New York se personeli shëndetësor ishte një nga kategoritë më të prekura përgjatë pandemisë. Edhe në spitalin ku punoj patëm disa kolegë që u infektuan ku prej të cilëve për fat të keq një koleg nuk arriti të mbijetojë, kujton me dhimbje neurokirurgu Zekaj. Ndërhyrjet kirurgjikale të pacientët covid pozitiv bëhen më të komplikuara për gjithë pajisjet dhe masat që duhen marrë për tu mbrojtur nga infeksioni shpjegon Neurokirurgu Dr. Edvin Zekaj. I gjithë ekipi duhet të përdorë një skafandër dhe veshje që ndikojnë negativisht në lëvizjet dhe manovrat kirurgjikale, citon Dr. Zekaj. Në përballjen me pandeminë globale, Italia po mundohet të krijojë një normalitet në këtë situatë surreale, informon Dr. Zekaj. Shpresa është që me një vaksinimin masiv të ketë si një kontroll të përhapjes së infeksionit edhe një ulje të rasteve më të rënda nga infeksioni. Si në fillim të kësaj historie rolin kryesor do e luajnë qytetarët me sjelljet e tyre duke respektuar disa rregulla bazë, përfundon intervistën e tij për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, neurokirurgu Edvin Zekaj.