
Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ
Zv/Presidënt i Shoqatës “Skëndërbej”
Në vazhdim të shkrimit të javë së kaluar, po sjell diçka për sfidat e sigurisë përballë një bote në ndryshim.
Nga kohërat e lashta e deri më sot, krizat politike dhe konfliktet, ngelen një dukuri dhe veprimtari që edhe për shumë kohë, do të jetë komponent dhe pjesë e historisë së njerëzimit. Në qoftë se bota e djeshme e polarizuar aq shumë për shkak të Luftës së Ftohtë, pati uljet dhe ngritjet e saj, evidentoi më se një herë momente të ballafaqimit bërthamor që vetëm frika e shfarosjes, i detyroi politik bërsitë dhe vendim marrësit në çështjet globale, të jenë shumë të matur. Kur në sfond bëhet fjalë për luftën e tretë botërore të radhës, të gjithë ndalen dhe mendohen. Duke pare atë që po ndodh në Ukrainë, shtetet demokratike dhe udheheqëse të demokracisë në botë po mundohen që të gjejnë shkaqet kryesore, çka mund të jenë kërcënime për fillimin e konflikteve të reja dhe të ndermarrin veprimet e nevojshme për të parandaluar konfliktet si ato etnike apo civile.
Zhvillimet e situatave të sigurisë gjatë dekadave të fundit, evokuan një mesazh të fortë se përmbysja e sistemit komunist në Evropën Lindore dhe mbarimi i Luftës së Ftohtë në vitet ’90 të shekullit 20-të, nuk sollën eleminimin e kërcënimeve dhe rreziqeve kryesore në Europë dhe në botë, por i ridimensionoi dhe i rriti më shumë ato. Ndryshimet social-politike përveç progresit sollën dhe paradokse të tilla si: U rrëzuan muret e larta, por ndodhën eksode “biblike” nga vendet e lindjes drejt perëndimit; muret e betonit u zëvendesuan me barrierat e vizave. U hapen kufijtë për lëvizjen e lirë, por shpejt ato u shfrytëzuan nga grupet e krimit të organizuar ndërkombëtar dhe terroristët. Futja e teknologjisë së sofistikuar solli progres, por njëkohësisht sofistikoi operacionet e paligjshme të grupeve të krimit të organizuar, terrorizmit, korrupsionit, etj.
Problemi i shtetit është ndërtimi i një strategjie të qëndrueshme dhe efektive përballë një bote politike në ndryshim dhe të trazuar. Pavarësisht nga vështirësitë për të kuptuar ndërveprimin e entiteteve politike, shteti dhe institucionet përkatëse duhet të përpiqen të kuptojnë natyrën e problemit, të parashikojnë rrjedhojat e mundshme dhe të përcaktojnë një kurs strategjik që të mund të arrijnë objektivin e dëshiruar. Në të njëjtën kohë, ata duhet të kuptojnë natyrën komplekse të mjedisit të sigurisë në tërësi dhe të mjedisit strategjik të sigurisë në veçanti dhe të jenë të përgatitur për pengesat e papritura dhe mundësitë e paparashikuara që mund të rrjedhin prej tyre.U krijuan ose rikrijuan shumë shtete të reja territoriale, por nuk pati një mekanizëm të njohur për rregullimin e kufijve midis tyre. Dizintegrimi i disa vendeve të Lindjes (vendet e ish Bashkimit Sovjetik) dhe Ballkanit, përveç krijimit të shteteve të reja, degjeneroi në konflikte të armatosura dhe pastrime etnike, si në Bosnje, Kosovë dhe tani lufta në Ukrainë.
Pas Luftës së Ftohtë hierarkia e fuqisë botërore ishte e tillë: SHBA, superfuqi e vetme, por me një Kinë konkurente për të vendosur diktatin, sidomos atë ekonomikë; Rusia e papërfillshme njësoj si në shekullin e XVII në kohën e Pjetrit, por tani me përpjekje për të vendosur një status të ri, pasi si furnizues energjie tendenca e saj për ta përdorur atë si instrument për presion politik do të vazhdojë të rritet më shumë; Franca dhe Anglia fuqi rajonale; Gjermania dhe Japonia fuqi të mëdha ekonomike por pa një forcë mbrojtëse të vetën ushtarake, me përpjekje tani për tu fuqizuar edhe në këtë aspekt. Statusi i BE, e paaftë për të hartuar një platformë të përbashkët politike, e prirur të merret më tepër me hallet dhe problemet e veta të brëndëshme.Kjo situatë e brëndëshme e BE u shfrytëzua nga Rusia dhe sulmojë pa asnjë shkakë Ukrainën.
Shekulli i kaluar, është përkufizuar si shekulli i luftrave të nxehta dhe të ftohta të zhvilluar nga fuqitë e mëdha derisa arriti ne holokaustin bërthamor të superfuqive, fatmirësisht të shmangur.
Pas viteve 90-të, luftrat globale nuk u zhdukën por ato vetëm se ndryshuan trajtë. Luftra në Azi, në Afrikë, në Ballkan dhe së fundmi në Ukrainë, tregon se paqja botërore ështe e kërcënuar. Me shuarjen e Luftës së Ftohtë u shuajt edhe frika për një konfrontim të mundshëm bërthamor midis superfuqive, por në horizont u shfaqën luftra të reja. Rreziku bërthamor u bë evident, sepse pas shpërbërjes së BS arsenali bërthamor u përpjestua në ish-Repuplikat e tij: Ukrainë, Bjellorusi, Kazakistan. Kështu shantazhi bërthamor mori tjetër dimension gjeopolitik.
Po ç’po bëhet me organizatat ndërkombëtare që kontribuojnë për sigurinë dhe stabilitetin në zonën Euro-Atlantike, në veçanti OKB, NATO, BE, OSBE ashtu si dhe organizata të veçanta rajonale të sigurisë euro-aziatike. Këto institucione, disa të krijuara menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, iu është dashur të adaptohen me ambjentin mjaft të ndryshëm të sigurisë që u krijua pas Luftës së Ftohtë dhe më pas me ndryshimet që erdhën pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001. Po kush është roli i organizmave të sigurisë dhe veçanërisht i NATO-s. Ajo si në vitin 1950 ndjente nevojë për një aleancë me të madhe për shkak të pasigurisë në rritje. Ishte edhe një frikë tjetër: ringritja e rregjimeve autoritare, bile dhe diktatoriale. Përdorimi i forcës ushtarake ruse për të shtypur popullin çeçen dhe së fundmi përpjekjet për pushtimin e Ukrainës, tregon se edhe Rusia vetë nuk është e qëndrueshme në rrugën e demokracisë. Nëse dëshironim që paqja të ruhej në botë duhej që NATO-s t’i jepej një rol politik më i rëndsishëm dhe se kjo do të ishte një mënyrë që amerikanët të zhvillonin dialogun dhe komunikimin me partnerët e tyre në Evropë.
Pas Luftës së Ftohtë edhe fenomeni i shpërbërjes së Jugosllavisë prodhoi kriza në Ballkan. Dhe kjo vinte për shkak se, Jugosllavia ishte ngritur pas Luftës së Parë Botërore, si një sajesë diplomatike dhe jo me vullnetin e popujve që e formuan.
Kjo krizë pati efekte globale sepse solli edhe njëherë përplasjet e reja midis armiqësive të vjetera të Rusisë, si mbrojtëse historike e sllavëve dhe SHBA-ve e Evropës nga ana tjetër. Por tashmë që pas viteve 90-të konflikti ideologjik ka ndryshuar natyrë duke marrë profil etnik dhe ekonomik. Kina komuniste sot nuk e ka për gjë që të bëjë lidhje me të gjithë shtetet e perëndimit. Konflikti midis komunizmit dhe kapitalizmit tashmë po lind probleme dhe fërkime për shkak të rivalitetit ekonomik. Ajo që ka ndodhur midis SHBA-së dhe Japonisë do të ndodhë në të gjithë botën.
Marrëdhëniet SHBA- Evropë pas shndërrimit në BE kanë ndryshuar. BE pas traktatit të Mastrihtit është e vendosur vetëm në mbrojtjen e interesave të veta. Kjo shprehet me faktin se politika e jashtme dhe ajo e sigurisë hartohen vetëm brenda kuadrit të BE-së. Deviza e tyre ështe se BE mund të qëndrojë vetëm mbi vende që janë të pavarur.
Me daljen e një Evrope Perëndimore të unifikuar dhe një Kine të zhvilluar bota është duke u ndarë në tre fuqi të mëdha. Me rënien e Perdes së Hekurt, ndarja e dikurshme ideologjike është duke ia lënë vendin një ndarje tjetër që është më e thellë, më e vjetër, më komplekse, më e mprehtë, që përfshin shumë aspekte të jetës, ekonomike, politike, psikologjike, kulturore, fetare, ndarja veri –jug. Veriu i pasur dhe Jugu i varfër, krahas luftës që duhet ndalur me çdo kushtë dhe mjetë, kjo është sfida më e madhe sot në përmasa Globale.
Në trajketoren e këtyre lëvizjeve, ndryshimeve, konflikteve dhe implikimeve që ndodhin sot në pikat e ndryshme të globit tokësor, ajo që preket më shumë se kushdo është siguria. Dihet se situata e përgjithshme e sigurisë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Ndërsa janë fashitur kërcënimet e vjetra, vendin e tyre e kanë zënë sfida të reja dhe shumë me të frikshme. Disa segmente të krimit të organizuar si: terrorizimi, trafiqet e paligjshme, shfrytëzimi i qënieve njerëzore, korrupsioni i zyrtarëve të lartë etj, kanë sjellë pasoja të rënda jo vetëm në jetët njerëzore, por edhe në pastabilitetin ekonomik e politik dhe sigurinë e vendeve me demokraci të brishtë. Përveç progreseve në disa vende të Evropës Lindore ka patur edhe regrese e sfida të vështra si: tronditje sociale, anarki, dhunë, cënime kushtetuese dhe deri në rrezikim të sigurisë e integritetit të vendit dhe rajonit, si në Ukrainë. Pra, siguria e trazuar është produkt i një bote të trazuar.
Postulati kryesor që del nga sa më sipër është tepër lakonik; siguria që ndryshon në një botë në ndryshim. Ky ekuacion është i thjeshtë në dukje, por cilësia e produktit (siguria e qëndrueshme) kërkon gjenerim idesh, parashikim skenarësh, mjete paqësore, ndërmjetësim e zgjidhje konfliktesh, forcimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës, ndergjegjësim, përfshirjen e të gjithë aktorëve faktorëve të tjerë të shoqërisë. Prandaj, preokupimi i madh njerëzor për paqen dhe sigurinë në botë ka nxitur mendimin e ri, për vetë idetë, sensibilitetet, projektet dhe vizionet tona për të përballuar sfidat e së nesërmes, të cilat qëndrojnë në themel të sigurisë, konfliktit dhe paqes.
New York Mars 2022