Dr. Nikollë Loka/
Shahin Kolonja, i njohur edhe si Shahin Teki Ypi lindi në vitin 1865 në Starje të Kolonjës, nga një familje e njohur; i biri i Karahman beut dhe nipi i Sulejman Pashës, guvernatorit të Plevljes. Pas mbaroi ruzhdien në Korçë, vazhdoi studimet e larta në Shkollën e Administratës Civile Mbretërore “Mülkiye-iSehahane” për ekonomi dhe administratë civile dhe u diplomua me rezultatin “shkëlqyeshëm” në vitin 1892. Përveç gjuhës amtare shqipe, ai njihte greqishten, të cilën shumë njerëz të lindur dhe të rritur në Rumeli e mësuan në rrugë, si dhe turqishten, arabishten, persishten dhe frëngjishten, të cilat i mësoi gjatë shkollimit. Gjatë studimeve në kryeqytet u njoh me Ibrahim Temon dhe vëllezërit Frashëri, Samiun dhe Naimin dhe u martua me Nevreze Frashërin, vajzën e Naimit.
Takimi i Shahin Kolonjës me xhonturqit dhe pjesëmarrja në aktivitetet e organizatës u zhvillua gjatë viteve të tij studentore në Mülkiye. Sipas asaj që shkruan Ibrahim Temo, një nga themeluesit e Bashkimit Osman, në kujtimet e tij, “Shahin Kolonja mundi të bëhej anëtar i shoqërisë në ato ditë. Ai siguroi që studentët e tjerë shqiptarë në Mekteb-i Mülkiye t’i bashkoheshin shoqërisë “Bashkim e Përparim”.
Pas diplomimit, Shahini emërohet zëvendësdrejtor i Shkollës Bujqësore në Selanik, ku dha edhe mësim. Pastaj kishte shërbyer si drejtor në disa shkollave idadije, fillimisht në Edrene, duke qenë njëri nga shqiptarët e punësuar në administratën publike osmane. Në vitin 1898 u emërua kajmekam i Kozhanit në vilajetin e Manastirit dhe për një kohë ishte guvernator i sanxhakut të Malit Athos (Aynaroz).
Shahin Kolonja e braktisi shërbimin civil për të ndjekur veprimtaritë në shërbim të çështjes kombëtare. Arrestohet në Manastir dhe dënohet me tre vjet burg për shpërndarje librash në gjuhën shqipe. Në vitin 1897 ai u shkroi një memorandum autoriteteve osmane për lejimin e botimit të një gazete në gjuhën shqipe. Kërkesa e tij u hodh poshtë. Dy vjet më vonë, kërkoi ndihmë nga Konsulli austro-hungarez në Manastir për botimin e një gazette në gjuhën shqipe. Për shkak të vështirësive dhe mbikëqyrjes së vazhdueshme nga autoritetet, ai u largua nga vendi. Shahin Kolonja shkoi në vende të ndryshme të Evropës dhe më në fund u vendos në Sofje.
Nga viti 1901 deri në vitin 1908 ai botoi në Sofje revistën “Drita”, me ndihmën e Kristo Luarasit dhe mbështetjen financiare të Austro-Hungarisë, me qëllim përhapjen e dijes dhe mësimin e gjuhës shqipe te shqiptarët dhe për t’i shërbyer çështjes kombëtare. Përmes gazetës, Shahini do të punonte për arritjen e bashkimit kombëtar të shqiptarëve dhe sigurimin e librave shqip. Shahin Kolonja mbrojti zgjimin kombëtar shqiptar dhe sigurinë e ekzistencës kombëtare brenda Perandorisë Osmane, megjithatë ai mbështeti edhe aktivitetet e çetave të armatosura guerile që luftonin kundër Perandorisë.
Shahin Kolonja nuk kishte besim te arbëreshët (italo-shqiptarët), të cilët i shihte si pengje të qeverisë italiane që mbrojnë qëndrimet italiane ndaj çështjes shqiptare dhe refuzoi të bashkëpunonte me ta. Gjatë periudhës së vonë osmane, ai mbështeti ndihmën austro-hungareze për interesat gjeopolitike shqiptare në Ballkan.
Më 1904, Shahini përktheu dhe botoi në Drita manifestin e zgjimit kombëtar shqiptar, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet” të Sami Frashërit. Personalisht Shahin Kolonja mori pjesë në veprimtarinë e patriotëve shqiptarë në Shqipëri dhe në vendet fqinje. Ai luajti një rol udhëheqës në klubin “Bashkimi” në Manastir, krahas Gjergj Qiriazit. Bashkë me vëllezërit Topulli dhe patriotë të tjerë shkoi në Shkup “për ta propaganduar idenë kombëtare”. Në vitin 1906, Shahin Kolonja u përfshi në aktivitete që synonin përfshirjen e veprimtarëve shqiptarë në Komitetin revolucionar shqiptar të Manastirit, në mesin e diasporës shqiptare në Bukuresht, Konstancë, Sofje dhe Egjipt. Në vitet 1907-1908,në bashkëpunim me Bajo Topullin, Çerçiz Topullin,Luigj Gurakuqin,Mihal Gramenon dhe të tjerë atdhetarë shqiptarë, Shahin Kolonja,bëri përpjekje të organizonte Komitetin “ Për Liri a për vdekje të shqiptarëve e Shqipërisë “, i cili do të përgjigjej për fatet e popullit në të katër vilajetet shqiptare.Jo vetëm nëpërmjet faqeve të “Dritës” por edhe në biseda e takime në Sofje, Bukuresht apo Vjenë, Shahin Kolonja pat çuar tej idenë e këtij Komiteti, i cili parashihte në thelb bashkimin e krejt çetave shqiptare nën një komandë unike, duke i dhënë kështu një lloj sigurie Lëvizjes Kombëtare që po rritej përmes rreziqeve të mëdha.
Në ditët pas shpalljes së Monarkisë Kushtetuese, Komiteti “Bashkim dhe Përparim nuk i pengoi aktivitetet e klubeve shqiptare dhe mbështeti ngritjen e tyre, duke menduar se mund ta vinte nën kontroll lëvizjen shqiptare. Deri në fund të vitit 1908 ishin formuar afërsisht tridhjetë klube e shoqëri atdhetare kombëtare, ndërkohë që numri i tyre gjatë viteve 1908-1912 arriti në 80, pa përfshirë këtu shoqëritë atdhetare që ishin krijuar në diasporë.
Në veri themelimi i klubeve shqiptare ishte i vështirë. Njerëzit ishin të prapambetur dhe fanatikë. Në Kosovë ka pasur persona të cilët ende besonin se kushtetuta ishte bid’at (risi kundër ligjit fetar). Vetëm në Shkup u bë e mundur të krijohej një klub. Nga Selaniku për krijimin e Klubit u dërguan dy patriotë të zotë, Shahin Kolonja dhe Bajo Topulli.
Në vitin 1908, Shahin Kolonja u zgjodh deputet i Korçës në Parlamentin Osman me mbështetjen financiare të veprimtarëve shqiptarë. Ai ishte njëri nga 26 deputetët që përfaqësonin katër vilajetet shqiptare. Në të njëjtin vit, ai u zgjodh një nga delegatët e Kongresit të Manastirit, si përfaqësues i Kolonjës, në të cilin u vendos alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe. Një numër udhëheqësish shqiptarë e kuptuan se krijimi i një alfabeti të vetëm do ta forconte unitetin dhe arsimin kombëtar, prandaj u shtrua nevoja e njësimit të alfabetit për gjuhën shqipe. Në fakt, vetë kontrasti midis alfabetit latin dhe atij turk do ta bënte vetëdijen shqiptare të ishte ndryshe nga ajo e turqve. Me përcaktimin e alfabetit, shqiptarët dëshmuan se ishin të bashkuar; të përgatitur si një trup i vetëm, një faktor i gatshëm për të fituar sovranitetin, një komunitet që duhet ta ketë vendin e tij në arenën ndërkombëtare.
Atdhetarët, që morën pjesë në Kongres, e ndjenin si detyrim ta trajtonin çështjen e alfabetit në një kuadër më të gjerë kombëtar me hartimin e një platforme politike dhe të një projekti të përbashkët kombëtar.268 Hartimi i një programi kombëtar kishte si çështje themelore të drejtat kombëtare të popullit shqiptar për zhvillimin arsimor dhe kulturor të tij. Programi politik, ndonëse nuk përmbante kërkesa të qarta politike rreth organizimit autonom, si bashkimi i territoreve shqiptare në një vilajet të vetëm a forma e qeverisjes së territoreve shqiptare, pati rëndësi të veçantë, se e trajtoi çështjen shqiptare në tërësinë e saj. Miratimi i dokumenteve të karakterit politik tregonte se Lëvizja Kombëtare Shqiptare, pas Revolucionit Xhonturk, kishte ruajtur pavarësinë e saj nga xhonturqit dhe kishte zhvilluar karakterin e saj të pavarur, me objektiv sigurimin e të drejtave politike të shqiptarëve si komb i veçantë brenda Perandorisë Osmane. Një aktivitet tjetër i rëndësishëm i Shahin Kolonjës në Kongres ishte se ai përgatiti dhe paraqiti një program që, kur vlerësohej për nga përmbajtja, përfshinte kërkesën për një administratë të plotë autonome. Teksti përfshin shumë kërkesa në fushën e arsimit, administratës, civile, ushtarake dhe ekonomike:
Gjuha e mësimit, në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, do të jetë shqip; shpenzimet e këtyre shkollave do të mbulohen nga shteti, kurse turqishtja do të mësohet për herë të parë pas vitit të katërt.
Ndihma financiare që administrata greke u ka dërguar shkollave të vëllezërve tanë të krishterë shqiptarë duhet të ndalohet në çdo mënyrë. Si kompensim për këtë, pronat e kishave të menaxhohen rregullisht dhe gjithashtu shteti të plotësojë nevojat e shkollave ortodokse shqipe, që këto shkolla të shqiptarëve të krishterë të bëhen shkolla kombëtare shqiptare.
Menaxhimi i rregullt i fondacioneve shqiptaro-myslimane në Shqipëri dhe ndarja e një pjese të të ardhurave të tyre për qëllime kombëtare.
Të gjitha objektet historike të gjetura në krahinat e Manastirit, Janinës, Kosovës dhe Shkodrës duhet të mblidhen në një muze të një qyteti shqiptar, siç është Elbasani dhe ky muze të konsiderohet si degë e Muzeut Kombëtar Osman në Stamboll.
Ulja e shërbimit ushtarak në dy ose dy vjet e gjysmë dhe ushtarët shqiptarë të shërbejnë vetëm në krahinat e tyre ose të paktën në Shqipëri, përveç rasteve të mobilizimit për luftë.
Oficerët e nivelit më të ulët të jenë shqiptarë që të stërvisin më mire trupat shqiptare.
Oficerët e xhandarmërisë të punësuar në Shqipëri duhet të jenë shqiptarë, të diplomuar në shkolla ushtarake ose shkolla speciale të xhandarmërisë.
Zgjedhjet për kryetar bashkie duhet të ndjekin një sistem të hapur zgjedhor, kompetencat e Kryetarit duhet të zgjerohen dhe mbleldhja e taksave duhet t’u lihet zyrtarëve komunalë.
Sipërmarrje të tilla si shfrytëzimi i minierave në Shqipëri, ndërtimi dhe funksionimi i hekurudhave, duhet të kryhen në një mënyrë që të merren parasysh interesat e shqiptarëve. Për këtë çështje të miratohet një ligj, për të pakësuar ndërhyrjet dhe ndikimin e huaj.
T’u jepet prioritet shqiptarëve ndaj elementeve të tjerë gjatë emërimit të nëpunësve civilë në krahinat shqiptare dhe, kurdoherë që është e mundur, të merret parasysh popullsia vendase.
Të gjitha të ardhurat për punët publike, si ndërtimi i rrugëve, të gjitha mjetet e transportit, duhet t’i lihen pushtetit vendor. Po kështu, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përdoren për punë publike.
Hapja e dy fermave të mëdha dhe një shkolle të madhe fillore bujqësore në pjesën jugore të Shqipërisë dhe në tokën e punueshme të Myzeqesë.
Dhënia e të drejtës këshillave administrative të sanxhaqeve dhe krahinave për mbledhjen e taksave të veçanta për të shtuar numrin e shkollave dhe për të përhapur arsimin në Shqipëri.
Për të krijuar një universitet shqiptar, në buxhetin e arsimit të parashikohen çdo vit pesë bursa për pesë shqiptarë, të cilët do të dërgohen në qendrat e qytetërimit në Evropë dhe Amerikë, për t’u specializuar si profesorë.
Njohja zyrtare e gjuhës dhe e kombësisë shqipe nga administrata dhe regjistrimi i togfjalëshit “shqiptar i krishterë” ose “shqiptar mysliman” në regjistrat e popullsisë.
Pagat e klerit katolik dhe ortodoks shqiptar të paguhen nga shteti, për të parandaluar ndërhyrjet dhe ndikimet e huaja, si ato të Austrisë, Italisë dhe Greqisë.
Shahin Kolonja e vazhdoi veprimtarinë e tij politike si kundërshtar i Komitetit “Bashkim dhe Përparim” në Sofje dhe Bukuresht midis viteve 1910 dhe 1912. Pas pavarësisë së Shqipërisë, ai shkoi në Vlorë në vitin 1913. Por atmosfera politike këtu dhe veçanërisht konkurenca e ashpër në mes të politikanëve e lanë të zhgënjyer, ndërkohë që Kryeministri ismail Qemali ishte në krye të delegacionit shqiptar në Londër. Në pamundësi për të qëndruar më në një ambient të tillë, ai u kthye në Sofje. Për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij nga dita në ditë, u detyrua të tërhiqet nga politika. Kthehet në Stamboll në vitin 1915, në një gjendje të rëndë shëndetësore, së bashku me bashkëshorten e tij Nevrezen dhe tre fëmijët e tyre, ku dhe vdiq në tetor të vitit 1919.
Shahin Kolonja ia kushtoi të gjithë jetën zhvillimit arsimor dhe kulturor të shqiptarëve dhe lirisë e pavarësisë së Shqipërisë, duek qenë një nga protagonistët e shquar të Lëvizjen sonë Kombëtare.