SHARRI/
Nga QAZIM SHEHU/
Sharri me qeleshen e borës,/
Mbi Pellg të Shkupit,oaz zjarri,/
Njërin krah ia zgjat Kosovës,/
Tjetrin Tetovës ku rri shqiptari./
Bora dhe qielli një ftohtësi,/
Ngrijnë njëra tjerën pa dert,/
Sharri me madhështi,/
Lart ngrihet mbret./
Sharri sharron në heshtje,
Lisin e madh të durimit,
Kur ciknat me ngërdheshje,
Ia përqeshin vegimin.
Kryet në qiell Sharri krenar,
Kupton e s`kupton kush i ka ndarë,
Trojet shqiptare gllabëruar,
Nga koha apo ky mal i dënuar,
Të rrijë mes tyre e mos ulet,
Tetova të shohë Prizrenin,
Shkupjani diellin.
E kupton mal i lartë,
Duhej të lëvizte pak më tutje,
Atje e vu zoti si fat,
Kot i lodh gjunjët.
Bora shtresën kap, ulërin në brinja,
Bora zbardh e nxin historia,
Sa luftë e përpjekje tym e zjarr,
Si kal i bardhë që rend revan,
Rend revan e mbetur në vend,
Herë qan për Tetovë e herë për Prizren,
Ti mbete, o Sharr që sharrove shpresë,
Me borë shumë e pak vesë…
Këtë borë do doje si shtresë magjie,
Nga një metër në ditë të bije,
Gjer të plotësoheshin njëqind vjet,
Tetovë e Prizren të shiheshin drejtpërdrejt…
FUSHË E KOSOVËS.
Nga çdo anë t`i biesh Kosovës do shohësh një fushë,
çati të kuqe, nën vetulla kodrash shoh
Syrin ciklopike të një lufte,
Që u hap të shihte plagë në to.
Tani plagët janë vetëm në kujtesë,
Plagë në Shtimje, Viti,Lipjan e Therandë,
Dhe pamje e Fushës shtrirë si flamur
Mbi fytyrat e tyre që nuk janë…
AUTOSRADË
Me plugun e çlirimit të ëndrrës,
Hapet krahu i autostradës,
Lumë që i shpëtoi natës.
Për të lagur brigje njerëzish.
Me shekuj u prit ky lumë,
Të notohej në të lirisht,
Në Morinë,
Policët shqiptarë,
Ulin e ngrenë traun e doganës,
Gabimisht….