

PRISHTINË, 10 Mars 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dërgoi sot edhe këtë komunikatë nga vizita e ministrit Xhelal Sveçla në Shtetet e Bashkuara të Amerikës:
Komunikatë për media
Nr. 07/2022
Prishtinë, 10 mars
Ministri Sveçla takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar
Në kuadër të vizitave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri z. Xhelal Sveçla u prit nga Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar.
Gjatë këtij takimi ministri Sveçla e falënderoi z. Escobar për rolin e tij në procese të rëndësishme për vendin tonë dhe për ndihmën bujare që i ka dhënë shtetit të Kosovës ndër vite.
Ai gjithashtu theksoi nevojën për të forcuar më tej aleancën me SHBA-në në fushat me interes të përbashkët.
Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për arritjet konkrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme në fushën e luftimit të krimit, korrupsionit dhe terrorizmit dhe nevojën e bashkëpunimit të ngushtë për stabilitet afatgjatë në rajon dhe më gjerë.
Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutua edhe për konfliktin ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë dhe qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj të drejtave të popullit ukrainas si dhe gatishmërinë e qeverisë së Republikës së Kosovës për të qenë një partner i besueshëm në sigurimin e paqes dhe stabilitetit.
Ndërsa në anën tjetër z. Escobar shprehu mirënjohjen e thellë për qëndrimin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës dhe garantoi përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së SHBA-së për të mbështetur plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Ai po ashtu falënderoi Kosovën për mbështetjen e saj në strehimin e përkohshëm të qytetarëve afganë si dhe gatishmërinë e treguar nga Qeveria e Kosovës për pranimin e refugjatëve nga Ukraina.
Në fund të takimit të dy u dakorduan që të intensifikojmë edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve drejt sundimit të ligjit në Kosovë, stabilitetit në rajon dhe unitetit për një përfundim paqësor të konfliktit në Ukrainë.