SHBA: fushata presidenciale hyn në një fazë të re/
Pas mbylljes së procesit të emërimit të kandidatëve për president nga partia demokrate dhe ajo republikane, të cilat në kuvendet e tyre emëruan ish-sekretaren e shtetit Hillary Clinton dhe miliarderin Donald Trump, tani fillon një fazë e re: fushata intensive për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Mbledhja e fondeve
Një detyrë e rëndësishme për kandidatët Clinton dhe Trump është të bindin donatorët për të kontribuar në financimin e fushatave të tyre.“Fondet janë të rëndësishme për financimin e operacioneve në terren”, tha për Zërin e Amerikës strategia demokrate Penny Lee. Fushatat kanë nevojë për “personel me pagesë në shtete të ndryshme për të qenë në gjendje të organizohen”, madje më shumë se sa nevoja për të paguar reklamat politike. “Media e lirë në fushatën presidenciale është shumë më e lehtë se sa në fushatat për Kongres.”
Të dhënat e fundit nga Komisioni Federal i Zgjedhjeve tregojnë se fushata e zonjës Clinton e nisi muajin korrik me 44 milionë dollarë fonde të mbledhura, krahasuar me 20 milionë dollarë që ka arritur të grumbullojë fushata e zotit Trump. Zonja Clinton gjithashtu ka shpenzuar më shumë se zoti Trump në ciklin zgjedhor deri më tani. Ajo shpenzoi 230 milionë dollarë kundrejt 71 milionë dollarëve që shpenzoi zoti Trump.Por duke marrë parasysh përvojën në zgjedhjet e kaluara, ky është vetëm fillimi i shpenzimeve. Në zgjedhjet e vitit 2012, fushata e presidentit Barack Obama shpenzoi 775 milionë dollarë, ndërsa rivali i tij republikan, Mitt Romney, shpenzoi 460 milion dollarë. Partia Republikane, Partia Demokrate dhe grupet e jashtme shpenzuan disa qindra milion dollarë të tjera në fushatën e fundit presidenciale.
Debatet
Fushata do të jetë shumë e ngjashme me procesin e zgjedhjeve paraprake, ku kandidatët do të mbajnë tubime fushate në qyetete të ndryshme në mbarë vendin. Por, do të ketë një fokus të veçantë në të ashtuquajturat shtete të pavendosura që konsiderohen si tepër të rëndësishshme në ditën e zgjedhjeve. Në mesin e tyre janë Florida, Ohajo dhe Pensilvania.
Ngjarja tjetër përcaktuese e garës presidenciale do të jetë më 26 shtator, kur zonja Clinton dhe zoti Trump do të marrin pjesë në debatin e parë mes tyre. Ata do të zhvillojnë edhe dy debate të tjera, një më 9 tetor dhe një tjetër me 19 tetor. Ndërkohë, më 4 tetor do të zhvillohet debati i parë dhe i vetëm mes kandidatëve për nënpresidenti, senatorit Tim Kaine nga Virginia dhe guvernatorit të Indianës, Mike Pence.
“Njerëzit do të kenë shansin të shohin dy kandidatët përballë njëri-tjetrit, pa pjesëmarrjen e publikut, dhe do të jenë në gjendje të shohin dallimet mes fushatave të tyre,” thotë strategia Penny Lee.
Debatet 90 minutëshe do të transmetohen drejtpërdrejt në stacionet televizive.
“Unë mendoj se në të kaluarën, debatet nuk kanë qenë vërtetë të rëndësishme, sepse njerëzit e përcaktuar ishin ata që i ndoqën ato”, tha për Zërin e Amerikës, strategia republikane Lisa Spies. “Unë mendoj se këtë herë do të jetë më ndryshe, sepse debatet do të jenë argëtuese.”
Këtë vit mund të ketë një kandidat të tretë në debatet presidenciale që zakonisht dominohen nga demokratët dhe republikanët. Kandidati libertarian Gary Johnson, në anketat e fundit kombëtare ka marrë mes 5 dhe 10 përqind mbështetje. Rregullat e debatit kërkojnë që për të marrë pjesë në një debat presidencial kandidatët duhet të kenë marrë të paktën 15 përqind mbështetje në pesë anketa kombëtare. Pra nëse kandiati Gary Johnson e arrinë këtë, atëherë ai mund të përfshihet në debatet presidenciale me zonjën Clinton dhe zotin Trump.
Tejkalimi i perceptimeve negative
Pas debateve, fushatat bëjnë përpjekjet e tyre përfundimtare për të bindur votuesit se kandidati i tyre është zgjedhja më e mirë. Në zgjedhjet e vitit 2012, rreth 55 përqind e njerëzve me të drejtë vote morën pjesë në zgjedhje.
Dita e zgjedhjeve nuk është festë kombëtare në Shtetet e Bashkuara, megjithëse shkollat në shumë qytete mbyllen pasi ato shërbejnë si qendra votimi.
Zgjedhjet zhvillohen në nëntor dhe fituesi zakonisht dihet në fund të ditës së zgjedhjeve, por nuk zyrtarizohet deri më 6 janar.
Kjo ndodh pasi Shtetet e Bashkuara përdorin një sistem të quajtur Kolegji Zgjedhor, i cili cakton një numër të caktuar votash elektorale për çdo shtet bazuar në numrin e popullsisë. Përveç dy shteteve, në të gjitha shtetet e tjera kandidati që merr shumicën e votave merr të gjitha votat elektorale të atij shteti. Kandidati i cili merr të paktën 270 nga gjithsej 538 votat elektorale bëhet president i ardhshëm i vendit.
Sistemi lë të hapur mundësinë që fituesi të marrë numër më të vogël votash në shkallë kombëtare, siç ndodhi me demokratin Al Gore i cili në vitin 2000 fitoi votën popullore, por mori më pakë vota elektorale se sa republikani George W. Bush.
Strategia demokrate Penny Lee thotë se për të fituar zgjedhjet, kandidatët Clinton dhe Trump duhet t’i kundërvihen perceptimeve negative të votuesve.
“Unë mendoj se Donald Trump duhet të fillojë të veprojë si një kandidat presidencial dhe të mos merret me shkrime kundër njerëzve në Twitter,” tha ajo. “Zonja Klinton, do të thosha se duhet të vazhdojë të tregojë anën e saj personale, anën e saj të ndjeshme dhe ato që provojnë se ajo është e besueshme.”
Fituesi do të marrë detyrën më 20 janar.
Hillary Clinton pranon emërimin e partisë
Hillary Clinton pranon emërimin e partisë
Nga Keida Kostreci/
Hillary Clinton pranoi të enjten emërimin si kandidate për presidente e Shteteve të Bashkuara, duke hyrë në histori si e para grua që merr emërimin nga një forcë kryesore politike në Shtetet e Bashkuara.
Zonja Clinton foli në fund të katër ditëve të Kuvendit Demokrat, që përfshiu fjalime nga Presidenti Barack Obama, nënpresidenti Joe Biden dhe kandidati për nënpresident Tim Kaine.
“Amerika është në një moment rivlerësimi. Forca të fuqishme po kërcënojnë të na përçajnë. Lidhjet e besimit dhe të respektit po dobësohen. Dhe ashtu si në kohën e atyre që e themeluan vendin, nuk ka garanci Gjithçka varet nga ne. Duhet të vendosim nëse do të punojmë së bashku, që të ngrihemi së bashku”, tha ajo në fjalimin e saj.
“Ne e kemi të qartë se me çfarë përballet vendi ynë, por ne nuk kemi frikë. Ne do të ngrihemi në lartësinë e sfidës, ashtu siç kemi bërë gjithmonë”, tha ajo.
Zonja Clinton e vuri theksin tek përpjekjet që ajo do të ndërmarrë për të përmirësuar jetën e amerikanëve.
“Misioni im kryesor si presidente do të jetë të krijoj më shumë shanse dhe vende të mira pune me rroga në rritje këtu në Shtetet e Bashkuara. Që nda dita ime e parë në detyrë tek e fundit. Veçanërisht për zona që për një kohë të gjatë janë lënë pas dore. Që nga zonat e varfra të qytetit në qytetet e vogla”, tha ajo.
Zonja Clinton dhe përkrahësit e saj e kanë theksuar vazhdimisht aftësinë dhe përvojën e saj në sfida të sigurisë kombëtare. Vetë ish-Sekretarja e Shtetit ia kushtoi një pjesë të mirë fjalimit pikërisht kësaj fushe.
“Ne përballemi me një zgjedhje po aq të vështirë përsa i takon sigurisë kombëtare. Gjithkush që sheh lajmet nuk mund të mos shohë kërcënimet dhe turbullirat me të cilat përballemi. Nga Bagdadi në Kabul, në Nice dhe Paris dhe Bruksel, nga San Bernardino në Orlando, ne përballemi me armiq të betuar që duhet të munden. Prandaj nuk ka dyshim që njerëzit janë në ankth dhe në kërkim të një udhëheqjeje të qëndrueshme”.
Kuvendi kishte si synim ta vinte theksin tek bashkimi mes demokratëve dhe kjo ishte tema e shumë prej folësve në Kuvend, përfshirë vetë zotin Sanders. Dhe për kandidaten Clinton kjo ishte edhe një nga pikat kryesore.
“Çdo brez amerikanësh është bashkuar për bërë vendin tonë më të lirë, më të drejtë dhe më të fuqishëm. Askush nuk mund ta bëjë këtë vetëm. Prandaj jemi më të fortë së bashku”.
Nata e sotme kishte në qendër çështjet që shqetësojnë gratë, sidomdos në drejtim të barazisë dhe pagës në vendin e punës.
Ishte vajza e zonjës Clinton dhe ish-Presidentit Bill Clinton, Chelsea që e prezantoi nënën e saj. Një ndryshim i madh nga viti 2008 kur mamaja e saj kandidoi për herë të parë dhe vetë Chelsea ishte shumë e drojtur.
Por në këtë fushatë ajo është angazhuar më shumë dhe sot ajo u përball me sfidën më të madhe, ta paraqiste nënën e saj në dritën më të mirë para publikut amerikan.
Zonja Clinton, me fjalimin e saj u përpoq të mbyllte defiçitin e besimit, si fillimin e njërës prej sfidave më të mëdha për të, që populli amerikan ta shohë si të besueshme.
Fjalimi i zonjës Clinton përbëri pikën kulmore të një Kuvendi që filloi nën hijen e bërjes publike të emaileve mes zyrtarëve të partisë demokrate, që tregonte se ata kishin favorizuar zonjën Clinton në fushatën brenda partisë ndaj ish-rivalit të saj Bernie Sanders.
Gjatë Kuvendit, synimi i demokratëve ishte që të bënin kontrastin mes republikanit Donald Trump dhe zonjës Clinton, duke theksuar si një temë të përgjithshme që ai nuk është i zoti të drejtojë një vend.
Në një farë mënyre zoti Trump i ndihmoi, sidomos me deklaratat e tij për politikën e jashtme dhe me sugjerimin që Rusia të depërtojë në emailet e zonjës Clinton.
Toni i Kuvendit, si edhe atij republikan më parë sinjalizojnë se do të ketë një fushatë intensive dhe të ashpër për zgjedhjet e nëntorit.
Trump: Clinton e paaftë për të udhëhequr
Trump: Clinton e paaftë për të udhëhequr
Ndërsa zonja Clinton mbante fjalimin, kandidati republikan për president Donald Trump publikoi një breshëri komentesh në Twitter, ku kritikonte rivalen e tij.
Ai shkruante se kandidatja demokrate është e paaftë për të udhëhequr Shtetet e Bashkuara, duke e akuzuar atë për gjykim të dobët.
“Askush, – shkruante zoti Trump, – nuk ka gjykim më të dobët se sa Hillary Clinton. Korrupsioni dhe shkatërrimi e ndjek atë ngado që shkon.”
Kandidati republikan publikoi gjashtë komente radhazi, ku e kritikonte zonjën Clinton për pikëpamjet e saj lidhur me imigracionin, sigurinë, reformën financiare dhe politikën e jashtme.
Zoti Trump është paksa përpara rivales Clinton në mesataren e anketave, sipas firmës së sondazheve RealClearPolitics.
Në një deklaratë pas fjalimit të zonjës Clinton, fushata e kandidatit Trump shkruante se ajo përshkroi një univers fantazie dhe jo realiteti.(VOA)
Jakov from Israel says
Ne se fushatat qe duhen financuar majmerisht ,per kandidatet per Shteine e Bardhe ,jane ato qe do te vendisin kahun nga do te anoje kandari ,them se Trump eshte ne gjendje te triumfoje e ta bleje me cka kane clintonet ne gjithe jeten e tyre ,Shikoni vetem dy fotot e botuara ne kete artikull te Plakes Clinton .Ne te paren ajo ka haruar se koka nuk duhet te mbahet posht mbasi i tregon vyshkat ne fytyre e ne duart e nje zonje plake te mbaruar fizikisht ,Ne foton me posht shihet se ajo e ka patur parasysh kete difekt dhe duke mbajtur shikimin lart drejt yjeve ,e terheq lekuren e saj qe as kozmetika e famshme e Detit te Vdekur ,nuk e ndihmon dot -Eshte aq e thjeshte per ta kuptuar kete loje veshtrimesh te saja me buzeqeshje fare fallco per tu treguar e re para zgjedhesve .Kjo kandidate e semure fizikisht dhe e implikuar ne skandalin e E-Maileve -duhet jo vetem te mos kandidoje si nje e paafte e demonstruar ne kohen kur ishte me detyren e sekretares se departamentit ,por duhet hetuar imtesisht e te marr denimin e merituar ,perndryshe do te me lejohet te mendoje se demokracia amerikane nuk ka asnje dallim me ate shqiptare e kosovare ,ku ajo eshte siperfaqsore e dobet dhe e paqendrueshme .Doni SHBA qe te rivendos autoritetin si nje here vaktit ne bote –Zgjidhni TRUMP -per te siguruar ameriken nga drogaxhinjte meksikane dhe boten prej organizates me kriminale ne bote ISIS .Duhet te zhdukim pislleqet nga kjo bote e kontaminuar ne drejtimin tetevjecar te te paafteve si Obama e plakaruqja qe kerkon ti zere vendin .