Foto arkiv i Gazetes DIELLI/-Korpusi i Paqes ka nisur programin në Kosovë me 9 shator 2013 kur edhe është nënshkruar marrëveshja ndërshtetërore ndërmjet Korpusit të Paqes dhe Republikës së Kosovës/
PRISHTINË, 19 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Do shërbejnë në Kosovë 35 vullnetarë amerikanë të Korpusit të Paqes, të grupit më të ri, të cilët nesër do të betohen solemnisht para Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, dhe Drejtoreshës së Korpusit të Paqes, Dr. Darlene Grant.Ceremonia e betimit do të mbahet në Hajvali afër Prishtinës, ku në mesin e të ftuarve janë Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, mysafirë të shquar dhe miq të shumtë të Korpusit të Paqes.“Kjo ceremoni shënon përfundimin e suksesshëm të programit trajnues njëmbëdhjetë javësh, ku vullnetarët e grupit të ri kanë ndjekur trajnimet për gjuhët vendore, kanë mësuar për kulturën kosovare dhe kanë pasur trajnim teknik. Pas ceremonisë së betimit, vullnetarët e rinj të Korpusit të Paqes do të fillojnë shërbimin e tyre dyvjeçar në tërë territorin e Kosovës”, thekson njoftimi dërguar sot nga Ambasada e SHBA në Prishtinë. Korpusi i Paqes ka nisur programin në Kosovë me 9 shator 2013 kur edhe është nënshkruar marrëveshja ndërshtetërore ndërmjet Korpusit të Paqes dhe Republikës së Kosovës. Korpusi i Paqes ka marrëdhënie të frytshme me popullin dhe qeverinë e Kosovës.
Fillet dhe misioni i Korpusit të Paqes datojnë nga viti 1960 kur senatori i atëhershëm John F. Kennedy sfidoi studentët e Universitetit të Michigan-it për t’i shërbyer shtetit të tyre në kauzën e paqes duke jetuar dhe punuar në shtetet në zhvillim në nivel të homologëve të tyre lokalë. Nga ky frymëzim u ngrit një agjencion i qeverisë federale i përkushtuar ndaj paqes dhe miqësisë në botë. Tre qëllimet fillestare të Korpusit të Paqes mbeten të njëjta: 1. Të ndihmojë popullin e shteteve të interesuara për të plotësuar nevojat e tyre për gra dhe burra të aftësuar; 2. Të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të amerikanëve nga ana e popullit të cilit i shërben; dhe 3. Të ndihmojë në promovimin e të kuptuarit më të mirë të popujve tjerë nga ana e amerikanëve.
Vullnetarët e Korpusit të Paqes janë të përkushtuar ndaj ndërtimit të kapaciteteve lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm në nivelin bazë, për dallim nga financimi tradicional i zhvillimit.Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve kishte 25 vullnetarë, të cilët patën dhanë betimin solemn në gusht 2014, poashtu pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet në Kosovë.