-Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama vizitë në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Evropë. Njoftim me planet dhe angazhimet e Ushtrisë Amerikane për Evropë, si dhe për mundësitë trajnuese dhe të pjesëmarrjes në ushtrime të ndryshme bilaterale dhe shumëkombëshe/
PRISHTINË, 4 Nëntor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama me ftesë të Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë, qëndroi për një vizitë pune në Weisbaden të Gjermanisë, ku u prit me nderime ushtarake nga Komandanti i Ushtrisë Amerikane për Evropë, gjenerallejtënant Ben Hodges.Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama fillimisht pati takime me gjeneralin Hodges dhe stafin komandues, ku falënderoi gjeneralin Hodges për mbështetjen dhe bashkëpunimin që Ushtria Amerikane për Evropë dhe SHBA në përgjithësi është duke e dhënë për FSK-në.Gjithashtu komandanti i FSK-së, gjeneral Rama shprehi mirënjohje për mbështetjen dhe pjesëmarrjen e ushtarëve të Ushtrisë Amerikane në Ushtrimin fushor “Shqiponja 5” dhe me këtë rast e njoftoi gjeneralin Ben Hodges për zhvillimet në FSK dhe rreth procesit të planifikimit dhe përgatitjes për Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK).Komandanti i Ushtrisë Amerikane për Evropë, gjenerali Hodges shprehi gatishmërinë që të vazhdojë me mbështetjen e FSK-së në ngritjen e kapaciteteve të saj dhe vazhdimin e ngritjes profesionale të pjesëtarëve të FSK-së. Ai gjithashtu shprehi mirënjohjen dhe entuziazmin e tij për profesionalizmin dhe gatishmërinë e pjesëtareve të FSK-së, që ai i ka parë gjatë vizitës së tij në Kosovë.Gjate dy ditëve të vizitës, gjeneral Rrahman Rama u njoftua me planet dhe angazhimet e Ushtrisë Amerikane për Evropë, si dhe për mundësitë trajnuese dhe të pjesëmarrjes në ushtrime të ndryshme bilaterale dhe shumëkombëshe.Gjatë kësaj vizite të dy komandantet u dakorduan që të thellojnë bashkëpunimin dhe të vazhdohet me mbështetjen e FSK-së, në mënyrë që të bëhet forcë kontribuese e sigurisë.