Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Hale: SHBA-ja nuk ndryshon pozicionin kur bëhet fjalë për shtetësinë e Kosovës – është në përkrahje të plotë të pavarësisë dhe sovranitetit/
-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi: Shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e Presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 9 Mars 2019/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bën të ditur se, sot, së bashku me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, zhvilluam një takim me Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Hale.
Pas takimit Presidenti Thaçi është shprehur:
Temë e diskutimit ishte aktualiteti politik në Kosovë, e ardhmja euroatlantike e vendit dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-në. Biseduam edhe për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë momentum të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Pra, për një marrëveshje ligjërisht obliguese, që do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara dhe që do të na mundësojë që të kalojmë nga gjendja e armiqësisë së përhershme në një gjendje të paqes, normalitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona.
Duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun.
Ne i shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e Presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane. Por, edhe e shprehëm qëndrimin se Status Quo-ja dhe gjendja e konfliktit të ngrirë është e papranueshme.
KRYEMINISTRI HARADINAJ: MARRËVESHJE QË REZULTON ME NJOHJE NË KUFIJTË EKZISTUES TË KOSOVËS
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi: Pata nderin që sot në rezidencën e Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, së bashku me Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli, të zhvillojmë një takim të hapur dhe të sinqertë me Nënsekretarin për Çështje Politike, David Hale.
Në këtë takim paraqita qëndrimin se tash Kosova është më e gatshme se kurrë, e unifikuar me një zë të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të kontribuojë në fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ky unitet është edhe më domethënës pas votimit të Platformës së Dialogut dhe Ligjit.
E ritheksova se ne jemi gati për dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues.
MEDIA: SHBA NUK KA POZICION RRETH REZULTATIT TË DIALOGUT KOSOVË-SERBI, POR INSISTON NË NJOHJE TË NDËRSJELLË, THOTË HALE
Përkrahja amerikane për Kosovën është e palëkundshme. SHBA-ja kujdeset thellë për mirëqenien, prosperitetin dhe sigurinë e Kosovës. Dhe këto janë bazat mbi të cilat zhvillohen diskutimet mes SHBA-së dhe Kosovës.
Kështu ka thënë nënsekretari amerikan për çështje politike, David Hale, të shtunën në Prishtinë, pas takimit me krerët e institucioneve të Kosovës.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nga tri media kosovare, përfshirë “Kohën Ditore”, nënsekretari Hale ka përsëritur qëndrimin amerikan rreth dialogut, duke theksuar se Uashingtoni konsideron se tani është një moment i përshtatshëm për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, duke theksuar se në bosht të asaj marrëveshjeje duhet të jetë njohja e ndërsjellë.
Sidoqoftë, nënsekretari Hale e ka përsëritur se SHBA nuk ka një pozicion të vetin se cili duhet të jetë rezultati i dialogut, dhe se përmbajtja e marrëveshjes do të varet nga të dy palët.
Por, ai ka theksuar se ka një pajtim të gjerë mes aleatëve perëndimorë se çdo marrëveshje duhet ti kontribuojë stabilitetit rajonal dhe jo e kundërta.
Nënsekretari Hale, i cili të shtunën në mëngjes i ka takuar së bashku presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, para vizitës në Prishtinë ka qëndruar në Beograd, ku ka dërguar të njëjtin mesazh për tejkalimin e pengesave që ti hapet rrugë dialogut.
Duke iu përgjigjur pyetjes së Kohës Ditore për të komentuar rreth Platformës për dialog, të cilën e ka miratuar Kuvendi i Kosovës të premten, nënsekretari Hale tha se e sheh këtë si pjesë të debatit demokratik në Kosovë, por shtoi se SHBA-ja nuk ka një pozicion rreth platformës.
Në çdo rast, siç tha nënsekretari Hale, SHBA-ja nuk ndryshon pozicionin kur bëhet fjalë për shtetësinë e Kosovës – është në përkrahje të plotë të pavarësisë dhe sovranitetit.
TAKIMI U ZHVILLUA NË REZIDENCËN AMERIKANE NË PRISHTINË
Liderët shtetërorë të Kosovës kanë qëndruar në Rezidencën Amerikane në Prishtinë për dy orë të shtunën paradite, ku janë ftuar në takim nga nënsekretari për çështje politike në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Hale.
Burime të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) tregojnë se Hale ka kërkuar suspendimin e taksës, duke folur për rrezikun e dështimit të dialogut. “Nëse Kosova mbetet përgjegjese për dështimin e dialogut do të paguajë çmim”, ka thënë Hale kanë treguar këto burime, duke thënë se ky ka qenë mesazhi kryesor i amerikanëve në takimin e sotëm.
Ndërkohë, të hënën, në Prishtinë për të njëjtën temë do të vijnë edhe dy këshilltarë të kancelares gjermane Angela Merkel, të cilët pritet të rrisin presionin mbi qeverinë kosovare për të suspenduar taksën dhe vazhduar dialogun.
DEKLARATA E PRESIDENTIT SERB VUÇIÇ
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit në Beogrd me zyrtarin e lartë Amerikan dje ka shkruar në Twitter:
“Nënsekretarit për çështje politke në Departamentin e Shtetit të SHBA David Hale i kam thënë se Platforma për dialog, miratuar dje, është në thelb vendim i Prishtinës ta ndërpresë dialogun me Beogradin. Serbia në afat të shkurtër do marrë masa me të cilat do reagojë në situatën e krijuar”.