
-Me këtë riatdhesim, Kosova po vendos një standard të rëndësishëm/
-Deklaratë nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë/
PRISHTINË, 20 Prill 2019- Gazeta DIELLI/ SHBA-të e përgëzojnë Kosovën për kthimin e 110 shtetasve të saj nga Siria: katër prej të cilëve supozohet të kenë qenë luftëtarë të ISIS-it dhe të tjerë, gra dhe fëmijë.
“Me këtë riatdhesim, Kosova po vendos një standard të rëndësishëm për të gjithë anëtarët e Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in dhe bashkësinë ndërkombëtare në ndjekjen e së njejtës rrugë. I duartrokisim bashkëndjenjës së treguar për të pranuar kthimin të këtij numri të madh të civilëve”, thekson deklarata dërguar sot nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë.
Më tej theksohet se, SHBA-të mbesin mirënjohëse ndaj Forcave Demokratike të Sirisë për mbështetjen e tyre në riatdhesim dhe për vazhdimin e mbajtjes humane nën arrest të qindra luftëtarëve të ISIS-it nga dhjetra vende tjera./b.j/
***
20 April 2019
Statement from U.S. Embassy Pristina
The United States commends Kosovo on the return of 110 of their citizens from Syria: four of them alleged ISIS fighters and the rest women and children. With this repatriation, Kosovo has set an important example for all members of the Global Coalition to Defeat ISIS and the international community to follow. We applaud their compassion in accepting the return of this large number of civilians.
The United States remains grateful to the Syrian Democratic Forces for their support in the repatriation and for continuing to humanely detain hundreds more ISIS fighters from dozens of countries.
Kthimi nga vatrat e luftës në Siri-
MINSTRI TAHIRI: PËR FËMIJËT, NJË SHANS I DYTË PËR JETË-
–
TË DYSHUARIT DO DALIN PARA DREJTËSISË –
PRISHTINË, 20 Prill 2019-Gazeta DIELLI/ Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri,
në konferencë për shtyp të mbajtur sot, ka njoftuar mediat dhe qytetarët e
Republikës së Kosovës për operacionin e realizuar në orët e para të mëngjesit
përmes të cilit Qeveria e Republikës së Kosovës, me ndihmën e Shteteve të
Bashkuara të Amerikës, ka kthyer 110 qytetarë të Kosovës të cilët kanë qenë në
vatrat e luftës në Siri.
Tahiri ka bërë të ditur se që nga muaji tetor i vitit 2018 ka qenë në krye të
një Task Force ndërinstitucionale e cila është angazhuar për një koordinim të
plotë për realizimin e këtij operacioni.
Ministri Tahiri ka theksuar se përveç angazhimit në kuadër të Koalicionit
Global Kundër Terrorizmit, për të parandaluar shkuarjen e qytetarëve të Kosovës
në konflikte të huaja dhe për të luftuar terrorizmin, aksioni i sotëm është
ndërmarrë për të përmbushur detyrimet që Kosova ka përballë parimeve mbi të
cilat funksionin rendi ynë kushtetues.
Ministri Tahiri ka potencuar se të gjitha pretendimet për kryerjen e veprave
penale dhe krimeve me të cilat mund të ngarkohen personat që kanë qenë
pjesëmarrës në vatrat e luftës, në zonën e konflikteve, si dhe që kanë qenë të
përfshirë në çfarëdo kapaciteti në organizata terroriste, do të adresohen
konform ligjeve në fuqi.
“Mesazhi ynë është i qartë. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe
institucionet e sistemit të drejtësisë, do vazhdojnë akoma më fuqishëm
parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Republika
jonë nuk do lejojë që shtetasit e saj të paraqesin rrezik për sigurinë e vendit
dhe sigurinë e vendeve tjera perëndimore”, ka thënë ministri Tahiri.
Megjithatë, ministri Tahiri foli edhe për dimensionin tjetër rreth qytetarëve
të kthyer pjesa më e madhe e të cilëve janë gra dhe fëmijë, të cilët meritojnë
të rehabilitohen.
“Këto gra, meritojnë rehabilitim dhe shpresë për një jetë të qetë dhe këta
fëmijë, në vend të zonave të konfliktit, e kanë vendin në shkollë, për t’u edukuar
mbi të ardhmen e tyre. Këta shtetas tanë, veçmas fëmijët, kanë kaluar një
periudhë të rëndë traumatike dhe përballë tyre, ne do të marrim përsipër
kujdesin në mënyrë që eksperienca e tyre e hidhur të tejkalohet”, ka
shtuar ministri Tahiri.
Sipas ministrit Tahiri, Republika e Kosovës dhe kushtetuta e saj nuk i mohon
askujt të drejtat themelore, andaj premtoi se do të angazhohet që këta
qytetarë të rehabilitohen, të integrohen dhe të bëhen pjesë e shoqërisë.
“Realizimi i këtij operacioni, për të cilin jemi shumë mirënjohës ndaj
partnerëve tanë si dhe mekanizmave të sigurisë në vend, dërgon një mesazh të
qartë se shteti ynë nuk do t’i braktisë qytetarët e vet, pavarësisht
eksperiencës së tyre. Por, po ashtu dërgon një mesazh të qartë se ekstremizmi i
dhunshëm, radikalizmi dhe terrorizmi nuk kanë të bëjnë asgjë me ne, as me
traditën tonë, as me realitetin ku bëjmë pjesë, as me vizionin tonë shtetëror e
shoqëror dhe si të tilla, do luftohen në çdo hap”, ka përfunduar ministri
Tahiri.
Në konferencën për shtyp në të cilën kanë marrë pjesë edhe Drejtori i Policisë
së Republikës së Kosovës, Rashit Qalaj dhe Drejtori i Institutit Kombëtar të
Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, mediat janë njoftuar për gjendjen e të
këthyerëve dhe për masat që kanë ndërmarrë institucionet e vendit për të
menaxhuar me kujdes rehabilitimin e këtyre qytetarëve./b.j/