
Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit/
Shefqet Daiu, avokat në profesion, ishte një ndër katër delegatët e Elbasanit, së bashku me Lef Nosin, Qemal Karaosmanin dhe Mid’hat Frashërin, që morën pjesë në Kuvendin e Vlorës dhe firmosën aktin e Pavarësisë më 28 nëntor të vitit 1912. Ndërsa Dervish Bej Biçaku, një figurë tjetër e Elbasanit që firmosi këtë akt, përfaqësonte Peqinin në këtë kuvend. Shefqet Daiu lindi në Elbasan në vitin 1882 në një familje me tradita të njohura qytetare e atdhetare. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes, në shkollën “Idadie”. Arsimohet më tej në Stamboll dhe në vitin 1905 nis po këtu studimet për drejtësi. Gjatë viteve që studioi e ndejti në Stamboll ai kreu një aktivitet të dallueshëm atdhetar. Kështu, mbështeti dhe përshëndeti mbajtjen e Kongreseve të Alfabetit në Manastir në nëntor të vitit 1908 dhe të Kongresit të Shkollave Shqipe të Elbasanit të shtatorit të vitit 1909. Pas Përfundimit të studimeve dhe diplomimit, kthehet në Atdhe. Fillimisht emërohet prefekt në Skrapar e, më pas, në Pogradec. Gjatë kësaj kohe nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me qytetin e tij të lindjes, Elbasanin. Ndihmoi dukshëm në organizimin e Kongresit të Elbasanit si dhe kontribuoi edhe financiarisht në ngritjen dhe funksionimin e shkollës Normale të këtij qyteti.
Kryengritja antiosmane e vitetve 1910-1912 e gjen në zonën e Dibrës, ku këtu krahas aktivitetit të tij politik si mbështës i kryegritësve shqiptarë të kësaj krahine, punon fuqimisht për përhapjen e shkollave dhe arsimit shqip, duke shpërndarë tekste në gjuhën shqipe. Përkrahu aktin e shpalljes së pavarësisë ne Elbasan më 25 nëntor të vitit 1912. Ishte ky aktivitet i spikatur patriotik i tij, që populli i Elbasanit e zgjodhi si një ndër katër delegatët që do t’a përfaqësonte në Kuvendin e Vlorës. Duke e ndjerë veten të vlerësuar, ai në pak ditë arriti të udhëtonte në një kohë rekord, në kushtet e transportit të asaj kohe, nga Dibra e të arrijë në Vlorë në momentin e duhur. Në këtë kuvend roli i tij nuk u kufizua thjesht në nënshkrimin e Aktit të Pavarësisë. Kongresi e caktoi atë si shkrues të dytë, përkrah Luigj Gurakuqit, ku Shefqet Daiu shkroi në turqisht aktet dhe procesverbalet e këtij Kuvendi.
Pjesëmarrjen e tij në këtë ngjarje të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar ai do ta përjetonte me një emocion të thellë, gjë e cila la gjurmë të thella për një kohë të gjatë në kujtesën e ndërgjegjen e tij. Kjo duket qartë në një shkrim të tijin, me titull Flamuri e Dita 28 Nanduer, të botuar në gazetën “Elbasani” të datës 28 nëntor 1922, me rastin e 10 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Përveç përjetimit të brendshëm emocional për këtë ngjarje, në këtë shkrim, me një elbasanishte të pastër, ai përcjell edhe vlerësimet më të mëdha për rolin e Ismail Qemalit të këtë kuvend. Ja disa pjesë nga ky shkrim: “Tepër i thyer nga rryma e luftës, shumë i lodhshëm nga mundimi i udhëtimit, fort i menduem për plotësimin e detyrës, por ne me një shpresë të fortë qi bante të harrojë çdo gja tjetër, ndodhesha i kërrus’ ndë tryes’, gati për të shkrue, nji për nji bisedimet e kongresit të primë e të mbledhëm ndën kryesin’ e të paharrushmit z. Ismail Qemal Vlorës.
Një heshtje e mirë, një qetësi e plotë kishte pushtue sallonin. Delegatët pritshin fjalën e kryetarit qi s’vonojë ma në të hapmen e kongresit… Fjala nisi dhe kur ishte në mbarim, kur po thohesh “Shqipni mbë vehte” “Shtet i pa varëm”, një brohori e madhe, një “Po Besa Bes’” e përsëritsme prej të gjithë kongresistvet, bani Shqiponjën, at’ minutë, të hapi krahët për herë të parë pas një robnie afro pesë shekujsh dhe të valojë me madhështin’ e parë të Krujës. Tashi ma edhe vaja e nanavet, motrave e nusevet qi kishin lanë të dashmit e tyne në luftë, u kthye në gas e brohori…Gëzimi i përgjithshëm ishte i madh sot dhit’ vjet kur sundimi i Flamurit ishte kufizuem me qeverinë e përkohshme istorike të Vlonës; por sot asht ene shumë më i math kur shofim se ideali komtar mbërrini nëpër udhë të natyrshme, deri në shkallën institucionale qi po lëshon rraja për dit’ si në për fusha ashtu në malsina.
Asht i math themi gëzimi sot se Shqiponja simjet i hapi krahët e saja mbi gjithë kufinin e caktuem padrejtësisht më 1913 dhe e thuri çerdhen me gur kufini. Flamuri me valimin e vet të lirë e përhapi sundimin mbi tokën e lanme shqiptare,… i mbështetëm mbi të drejtat ndërkombëtare, sot po i thotë Adriatikut: “Jam ende un’ sundues” i tat, si ma para.
Sikur nomerisht aji qi sundon nji pasuni të kufizume, ka të drejtë në gjith’ ç’ka ndodhet ndën atë pasuni, kështu ene populli shqiptar, sot, po munt të vërtetoj’ at’soj të drejte me ofertat që i bahen qeveris’ së tië për konçesionet e metalevet të tokës Shqiptare.
Simjet, në fund të vitit të dhittë të ngritjes së Flamurit, populli shqiptar me ndihmën e vet bujare, shef të përhidhet Flamuri, ene për er’, naltë mbi areopllane qi çajnë qillin, si me dash me i çu të fala dhe shpresa vllazënve të ronbuem… Shefqet Daji”
Në këtë shkrim, Daiu, përveç se ngre lart veprën e Ismail Qemalit dhe Ditën e Pavarësisë, në mënyrë konçize e të drejtpërdrejtë thekson dëmin që iu bë Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha në vitin 1913, që lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar mbi gjysmën e popullsisë e trojeve shqiptare, duke e cilësuar vendimin e tyre të padrejtë.
Nga ana tjetër, vlerëson politikën shqiptare të kohës, e cila me maturi, për të përligjur e legalizuar pavarësinë e Shqipërisë ndoqi rrugën institucionale dhe zbatoi në drejtën ndërkombëtare në ngritjen e shtetit të saj sovran. Gjithashtu, ai përmend edhe faktin tjetër, që tashmë shqiptarët janë zot të vetes dhe janë të aftë të përdorin për vete pasuritë natyrore të vendit të tyre dhe të mos bien pre e lakmive të vendeve të huaja, të clët me anë të konçesioneve kërkojnë rrëmbimin e këtyre pasurive. Aktin historik të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ai e vlerëson si një shembull frymëzimi për popujt e tjerë ende të sunduar nga ndonjë fuqi tjetër sot në botë. Kjo duket në fjalët e shkruara në këtë artikull: “… shef të përhidhet Flamuri, ene për er’, naltë mbi aeropllanë qi çajnë qillin, si me dash me i çu të fala dhe shpresa vllazënve të ronbuem”.
Pas Kuvendit, Qeveria e përkohshme Vlorës, në shtator të vitit 1913, e emëron Shefqet Daiun nënprefekt të Fierit. Në vitet 1914-1920, përveç se ushtroi profesionin e avokatit, ai punoi me vullnet edhe për përhapjen e arsimit kombëtar në Elbasan e më gjerë. Sipas studiuesit Kujtim Bevapi, në vitin 1919 Daiu hartoi dhe botoi veprën “Abetare për shkollat fillore t’ulta djemsh e vajzash”. Ky tekst shkollor dallohet për një metodikë të veçantë dhe të re, të zbatuar për herë të parë në shkollat tona fillore.
Vlerësoi mbajtjen e Kongresit të Lushnjes dhe vendimet e marra nga ky kongres. Në vitet 1921-1923 u zgjodh deputet i Parlamentit të parë shqiptar, duke u rreshtuar në grupimin politik “Pleqësuer”, përkrah Shefqet Vërlacit, i cili drejtonte këtë forcë politike në Elbasan. Veprimtarinë e tij politike dhe letrare ai nuk e reshti gjatë edhe viteve ’20-30-të të shekullit të kaluar. Për rreth 20 vjet ishte deputet në parlament si përfaqësues i Elbasanit. Duke qenë njohës i disa gjuhëve të huaja, si turqisht dhe italisht, Daiu publikoi disa artikuj e studime të karakterit sa politik aq edhe social në shtypin e kohës, veçanërisht në revistën “Kopështi letrar”. Bashkëpunoi me Aleksandër Xhuvanin dhe organizuan shoqërinë kulturore “Qarku Letrar”, e cila botonte edhe revistën e sipërpërmendur. Në vitin 1938 bëri një sprovë si përkthyes me vëllimin “Ç’është Kurani”, duke e pajisur atë edhe me një pasthënie për ta bërë atë më të qartë para lexuesit.
Gjatë Luftës Antifashiste vazhdoi të ushtrojë profesionin e avokati.
Megjithëse ishe përkrahës i Shefqet Vërlacit, i cili u bë kryeministër i vendit menjëherë pas pushtimit nga Italia fashiste, Shefqet Daiu nuk u angazhua në asnjë post apo detyrë shtetërore. Me mbarimin e Luftës, ishte ndër të parët të cilit iu sekuestrua pasuria e paluajtëshme, edhe shtëpia. Duke mos u mjaftuar me kaq, regjimi i ri që erdhi në fuqi e arrestoi dhe e burgosi në vitin 1945 me akuzën e “kolaboracionistit”, vetëm se kishte qenë përkrahës i vijës politike të Shefqet Vërlacit. U dënua me 30 vjet burgim. Kushtet e vështira të burgut dhe qëndrimi i ashpër që u mbajt ndaj tij, bënë që një vit më pas, në vitin 1946, të ndahet nga jeta brenda ambienteve të burgut, në moshën 64 vjeçare.
Sistemi i ri politik i vendosur pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, pra regjimi komunist, figurën e tij, ashtu si të shumicës së firmëtarëve të aktit të Pavarësisë, e denigroi, ndërsa familjarët e tij përjetuan përndjekjen dhe luftën klasore. Vetëm pas ardhjes së demokracisë, pra pas vitit 1992, Shefqet Daiu mori vlerësimin dhe meritat që i takonin. Për këtë ai është nderuar e dekoruar nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit dhe nga Presidenti i Republikës.
Foto: wikipedia.org